Nr. 33, Dhjetor 2023
Inventari i biodiversitetit nga organizmat njëqelizorë në perandoritë e botës së gjallë
Biodiversiteti i Shqipërisë i projektuar në Parkun e Alpeve
Flora dhe fauna e zonës së Kelmendit dhe Luginës së Bogës
Parku i Alpeve, i pasur me gjitarë të mëdhej
Njihuni me listën e disa prej llojeve të peshqve, amfibëve, zvarranikëve, shpendëve dhe gjitarëve në Alpe
Mikroflora dhe mikrofauna
Biodiversiteti i Shqipërisë i projektuar në Parkun e Alpeve
Shqiponja e malit
Me një sipërfaqe prej 28,748 km2, Shqipëria është një rezervat i vërtetë i burimeve gjenetike. Edhe pse zë vetëm 0.02% të sipëfaqes së Tokës, Shqipëria me rreth 12671 llojet e identifikuara të botës së gjallë kontribuon me mbi 0.14% në inventarin e biodiversitetit të planetit. Ndonëse nuk mund të konsiderohet si inventar përfundimtar, në Shqipëri gjenden rreth 7233 lloje bimore (përfshi kërpudhat, likenet, myshqet dhe algat), nga të cilat 3228 lloje u përkasin bimëve të larta. Shqipëria është habitati i 14% të llojeve të florës euroaziatike, i 32% të florës europiane, i 24% të florës mesdhetare dhe i 22% të llojeve ballkanike. Në Shqipëri gjenden 250 lloje bimësh aromatike mjekësorë dhe mbi 800 lloje këpudhash. Po ashtu, Flora e Shqipërisë përmban 27 lloje bimësh endemike, 150 nënlloje endemike, ndërsa 160 janë subendemike, me shtrirje edhe në disa vende të tjera të Ballkanit. Së bashku me bimët e larta, algat janë ndër grupet më të mëdha të florës në Shqipëri, falë trupave ujorë me sipërfaqe prej 1,350 km2 (4.7%) të vendit. Nga kjo pasuri, rreth 363 lloje janë të kërcënuara në nivel kombëtar dhe rreth 80 prej tyre kërcënohen në nivel europian dhe global. Edhe fauna e Shqipërisë është gjithashtu e pasur me rreth 5438 lloje (përfshi shpendët, gjitarët, zvarranikët, peshqit, insektet, dekapodët etj.). Në Shqëipëri janë identifikuar së paku 756 lloje vertebrorësh. Për t’u veçuar janë sidomos shpendët me rreth 330 lloje nga mbi 600 të tillë në Europë, gjitarët e tjerë me mbi 70 lloje, peshqit me afro 450 lloje, zvarranikët me mbi 36 lloje etj, ndërsa mbeten ende të panjohur jovertebrorët, e sidomos insektet dhe mikrofauna. Në Shqipëri gjenden rreth 91 lloje të faunës të kërcënuara në nivel global. Si pjesa më vitale e këtij territori, Parku Kombëtar “Alpet e Shqipërisë” përbën një ndër habitatet më të populluara me një larmi të mahnitshme llojesh të florës dhe faunës. Sidomos flora e Alpeve është jashtëzakonisht e pasur dhe e larmishme, me lloje bimësh relikte, endemike dhe subendemike. Të shpërndara në katet dominuese të ahut dhe kullotave alpine, e më pak të dushkut e shkurreve, në Alpe numërohen rreth 1600 lloje bimësh vaskulare. Thënë ndryshe, 43% e të gjithë florës, rreth 40% të të gjithë llojeve endemike në Shqipëri. Rrjeti Global i Informacionit të Biodiversitetit (GBIF), ka të regjistruara në Alpet Shqiptare 1374 lloje bimësh, ku kryesojnë bimët vaskulare me 1214 lloje, e më pas jovaskularet dhe myshqet. Ndërsa në platformën interaktive UKNaturalist gjenden të dokumentuara një numër mjaft i madh llojesh të florës dhe faunës në Alpet Shqiptare të shumë mbretërive, grupeve, klasave, rendeve, familjeve, gjinive dhe specieve. Një pjesë e këtyre bimëve janë të rralla dhe tepër të rralla, madje disa prej tyre, si psh Ranunculus hayekii që konsiderohej e zhdukur, është gjetur nga ekspeditat e biologëve gjatë kohëve të fundit. Ndër llojet tepër të rralla në Alpet Shqiptare janë Ranunculus hayekii, Ëulfenia baldaccii, Petasites doerfleri, Dioscorea balcanica, Silene pusilla ssp. Albanica etj. Sipas studiuesve, ekzistenca e disa prej bimëve të rralla dhe tepër të rralla në Alpet Shqiptare është një dëshmi e autoktonisë së tyre. Ato rriten në mjedise specifike, si gryka, kanione, burime dhe faqe shkëmbore. Disa prej tyre u evidentuan vetëm në Luginën e Cemit (Ranunculus hayekii, Minuartia velenovski, Rhamnus intermedius, Geranium dalmaticum), ndërsa disa të tjera mund të gjenden në numër të vogël edhe në zona të tjera, si Viola kosaninii, Silene quadridentata subsp. albanica, Sesleria robusta subsp. Scanderbegii, Helleborus multifidus, Teucrium arduini, Omalotheca pichleri dhe Micromeria parviflora. Disa nga llojet, si Adianthum capillus-veneris, Caltha palustris, Juglans regia, Petteria ramentacea, Ramonda serbica etj., konsiderohen të kërcënuara nga faktorë natyrorë ose antropogjenë. vijon në faqen 2