Nr. 14, 2018
Koalicioni i Shoqërisë Civile në Mbrojtje të Parkut Kombëtar Divjakë-Karavasta: Kundër Planit që cënon vlerat e Zonës Emerald, Zonës Natyra 2000, Zonës Ramsar Aleanca Mesdhetare e Ligatinave: Të anulohet projekti Divjakë Resort Albania Ramsar: Resorti, i papajtueshëm me Planin e Menaxhimit dhe me Zonimin e Parkut të Divjakës Euronatur: Ruajeni Divjakën njërën nga ligatinat më të rëndësishme të Adriatikut 3 forume në mbrojtje të Parkut Kombëtar Divjakë - Karavasta Film dokumentar “Super resorti që rrezikon Parkun Kombëtar Divjakë-Karavasta”
Ndal Urbanizimit të Parkut Kombëtar Divjakë- Karavasta
Çfarë përfaqëson Parku Kombëtar Divjakë - Karavasta?
Fole gardaline (Carduelis carduelis) në Divjakë
Në Mars të vitit 2017 një grupim organizatash nga shoqëria civile u ngritën për të kërkuar ndalimin e një projekti masiv urbanizimi në territorin e Parkut Kombëtar Divjakë-Karavasta, projekt që binte në kundërshti me ligjet dhe konventat për mbrojtjen e natyrës. Kompania ‘Mabetex Group’ i ka propozuar Qeverisë Shqiptare ndërtimin e një kompleksi turistik në zemër të Parkut Kombëtar Divjake-Karavasta i cili është njëkohësisht Zonë Ramsar, Zonë e Rëndësishme për Shpendët, Zonë Emerald dhe Zonë Pilot për Rrjetin Europian Natyra 2000. Urbanizimi i emërtuar si Master Plani “Divjakë Resort Albania” dhe i propozuar në formën e sotme nga kompania Mabetex Group pranë autoriteteve shqiptare nuk është asgjë tjetër veçse një projekt i ri ndërtimi dhe urbanizimi në një Zonë të Mbrojtur. Kompleksi turistik parashikon pushtimin dhe urbanizimin e Parkut Kombëtar me 2400 apartamente në ndërtesa deri në 20 kate, 370 vila në zona që nuk duhen prekur si dhe hotele me 4300 shtretër. Diversiteti i lartë i ekosistemeve dhe habitateve (ekosisteme detare, bregdetare, laguna e vende të lagëta, delta lumenjsh, duna ranore, lumenj, shkurreta medhetare, pyje gjethegjerë, halore dhe të përzierë), ofron një larmi të pasur llojesh floristike dhe faunistike. Projekti ndërtimor parashikon të prekë zona të rëndësishme ekologjike dhe pritet të ketë impakte të pakthyeshme në larminë biologjike dhe qëndrueshmërinë e ekosistemit. Urbanizimi i propozuar synon të përfitojë privatisht nga një pasuri kombëtare e ruajtur prej shekujsh dhe sanksionuar në disa akte ligjore mbrojtëse që e kanë zanafillën që prej vitit 1964. Ndërkaq projekti pritet të ketë efekte negative në mirëqenien lokale nëpërmjet reduktimit të pasurive peshkore, eleminimit të turizmit lokal dhe intensifikimit të bujqësisë si bazë për mirëqënien e popullsinë vendore. Në vazhdimësi, miratimi i këtij plani do të ishte fatal për Rrjetin e Zonave të Mbrojtura, duke vënë në rrezik biodiversitetin, ekologjinë dhe ekosistemet në tërësi, si vlerë e një rëndësie kombëtare e ndërkombëtare. Koalicioni i Shoqërisë Civile në Mbrojtje të Parkut Kombëtar DivjakëKaravasta ka shprehur menjëherë shqetësimin e lartë për efektetet e sigurta shkatërruese të këtij urbanizimi të Parkut Kombëtar DivjakëKaravasta dhe për shkeljet e pritshme të kuadrit ligjor vendas që pritet të ndodhin me miratimin e ndërtimit të kësaj qendre të re urbane. Projekti është në kundërshtim të plotë me: •LEGJISLACION SHQIPTAR PËR ZONAT E MBROJTURA •KONVENTËN E RAMSARIT •KONVENTËN E BERNËS •KONVENTËN E ESPOOS •DIREKTIVAT E BASHKIMIT EUROPIAN PËR MBROJTJEN E NATYRËS Ndërkaq qeveria po dëgjon vetëm zërin e zhvilluesit dhe të investimeve të premtuara. Ajo po nënvleftëson dhe nuk po merr në konsideratë kundërshtitë dhe argumentat e shoqërisë civile për humbjet e pakthyeshme në ekosistem dhe në ekonomine vendore dhe nuk po zhvillon një proces transparent të këshillimit publik. Ky proces dhe kjo vendimarrje e mundshme e dëmshme duhet kundërshtuar nëpërmjet demokracisë në vendimarrje dhe dëgjimit të zërit të palëve të interesuara ku përfshihen detyrimisht shoqëria civile shqiptare, komuniteti vendor dhe institucione ndërkombëtare me influencë në Shqipëri. Master Plani "Divjake Resort Albania" nuk merr parasysh dhe shkatërron një pjesë të madhe të vlerave natyrore dhe diversitetit bilogjik të zonës dhe Shqipërisë. Plani sulmon të gjithë territorin dhe vlerat e Parkut Kombëtar "Divjakë-Karavasta" dhe është në kundërshtim të plotë me Ligjin 8906/2002 "Për Zonat e Mbrojtura" të përmirësuar.