
1 minute read
Mësimi 1: Rregullat dhe respekti gjatë lojës
from Edukat fizike 3
Nëse duam që të tjerët të na respektojnë, atëherë duhet t’i respektojmë edhe ne. Këtë duhet të kemi parasysh edhe kur luajmë me shokët e shoqet. Në sport ka rregulla, të cilat duhet të zbatohen nga të gjithë. Respektimi dhe zbatimi i tyre e bëjnë lojën më të bukur. Krahas lojtarëve, arbitrit dhe trajnerit, rregullat duhen zbatuar edhe nga tifozët në stadium. Edhe në palestrën e shkollës apo në mjedise të tjera sportive, veprohet në bazë të rregullave.
Fjalë kyçe:
Advertisement
rregulla, emocion, bashkëveprim, arbitër, pozitiv, trajner, respekt.


Rregullat e lojës:
Gjatë lojës apo garës nuk përdoren fjalë fyese. Prisni me durim radhën tuaj dhe mos u ndikoni nga emocionet. Mos e shtyni shokun/shoqen. Vlerësoni lojtarët e tjerë të skuadrës për cilësitë e tyre. Respektoni kundërshtarin. Zbatoni me korrektësi çdo udhëzim. Mbani pastër ambientin dhe mjetet e lojës. Dëgjoni me vëmendje këshillat e mësuesit/es dhe të prindërve.



Përmes lojës, fëmijët krijojnë miqësi mes tyre, respektojnë njëri-tjetrin dhe përfshihen të gjithë, në mënyrë të barabartë. Loja është burim lumturie.



Në një lojë, të gjithë janë fitues, ndaj duhet ta respektojmë njëritjetrin dhe të bashkëveprojmë në një frymë pozitive.

Provo veten
1. Rendit disa rregulla që i zbaton kur je në orën e Edukatës fizike. 2. Po jashtë shkollës, cilat janë disa nga rregullat që zbaton?