Gazeta Shekulli 1 Korrik 2011

Page 9

09

Shekulli E Premte 1 korrik 2011

• {opinione} •

2

Manipulimi i fundit analizë

igli totozani Koalicioni antinjeri më i madh në historinë e tranzicionit të këtij vendi pritet të kalojë së shpejti në pikën e fundit të planit të tij me rastin e zgjedhjeve vendore në Shqipëri: ta ni do të “analizojnë” “humbjen” e kandidatit socialist për bashkinë e Tiranës. Ka dy arsye qartësisht të lexueshme në këtë sulm të radhës që prej kohësh po përgatitet me kujdes, në fakt qysh prej kohës kur është vendosur që me çdo mjet dhe pasojë, Tirana duhej fituar nga pushteti. Së pari, sepse nëpërmjet tymnajës së re, atë të kandidatit/shkaktar të humbjes do të mund të mbulohet sadopak veprimtaria e paligjshme e organeve të garancisë së zgjedhjeve si produkt tavoline, i të cilës erdhi ky rezultat. Së dyti, kjo zhurmë e fundit do të synojë gjithashtu, të eklipsojë fitoren e thellë opozitare në zgjedhjet e 8 majit dhe të dobësojë dhe demoralizojë sa të jetë e mundur atë dhe në veçanti pozitat e liderit opozitar. Është e qartë se të drejtosh, nëpërmjet shumicës së masmediave të Shqipërisë të kontrolluara nga pushteti, vëmendjen e publikut

në analiza mbi “shkaqet e humbjes”, ndërkohë që nuk kemi të bëjmë me humbje por me marrje të paligjshme të një mandati për kryetar bashkie, nuk është një ndërmarrje e thjeshtë. Anëtarët e koalicionit, pavarësisht nga profesioni i tyre, do të fillojnë të merren me kandidatin socialist, me kulturën, me mentalitetin, me korteksin dhe subkorteksin e tij, me fushatën e tij dhe tema e ardhshme e debateve nuk do të jetë më dëmi i jashtëzakonshëm që këto post-zgjedhje i sollën Shqipërisë dhe demokracisë së brishtë të saj, por kandidati opozitar si shkak dhe strumbullar i “humbjes”. Por cili “shkencëtar” në botë do të ishte në gjendje të formulonte një teori të tijën, duke e bazuar interpretimin e tij mbi të dhëna, minimumi të pasakta? Dhe për ta përkthyer në realitetin e sotëm shqiptar, cili analist do të shpjegonte dhe argumentonte një rezultat të prodhuar, në laboratorin e KQZ-së dhe për më tepër kur 870 vota figurojnë të hedhura nga “shpirti i shenjtë”? Asnjë profesionist i vërtetë, nuk do të mund të merrte guximin për ta bërë një gjë të tillë, pra të interpretojë të dhëna, (në këtë rast vota), të cilat më së paku janë të dyshimta. Megjithatë, në këtë rast, më e rëndësishme është që pyetja të ndërtohet ndryshe: cili qytetar i këtij vendi do të mund ta besonte realisht një analizë të tillë? Me këtë që po ndodh, edhe torollaku e kupton që e gjithë vëmendja qytetare duhet të përqendrohet në precedentin e rrezikshëm që sollën këto zgjedhje, që në thelb është emërimi i fituesve. Si do të dilet nga ky impas? Si do

të rikthehet pas kësaj besimi i publikut tek institucionet në përgjithësi dhe ai i zgjedhjeve në veçanti? Si do të zhvillohen zgjedhjet e ardhshme dhe kush do t’i garantojë ato? Këtu qëndron thelbi dhe problemi real i këtyre zgjedhjeve. Kjo ngjarje e rëndë, kjo krizë e pamerituar e institucionit thelbësor të demokracisë mund të jetë një moment sa fatkeq aq edhe i rëndësishëm kthese. Kthesë, e cila mund dhe duhet të vijë për një shoqëri që arrin të ndalojë e vetëpyetet për të ardhmen e saj. Duke abandonuar gjithashtu, individët, të cilët, për arsye krejtësisht personale, e orientojnë qëllimisht debatin në qorrsokakë të rrezikshëm që mund ta çojnë këtë vend në periudha të vështira e të dhimbshme, të jetuara kohë më parë. Aq më tepër, një situatë e tillë e pritshme, nuk do të duhet të tulasë opozitën e këtij vendi. Shoqëria Shqiptare ka kohë që ndjen nevojën e një ndryshimi të madh. Kjo nevojë e kërkesë ndjehet tashmë kudo, tek qytetarët e lodhur e të pashpresë, tek bizneset, tek administrata e paralizuar publike, tek institucionet e pavarura që s’janë më. Opozitës i takon ta kthejë në forcë dhe ide këtë ndryshim të mirëpritur. Ajo nuk ka dhe nuk mund ta ketë luksin të dëshpërohet e aq më tepër të demoralizohet. Asnjë lojë politike, asnjë koalicion sado i fortë e i lidhur në një mijë fije të funksionojë para saj, nuk duhet të tulasë këtë shpresë të madhe që prej kohësh po mbizotëron në shoqërinë tonë, jo si një dëshirë e ngushtë ndërrimi të ngjyrave të pushtetit por si një

ndërrim i madh mentaliteti qeverisjeje. Publiku i gjerë shqiptar i besoi këtë ndryshim të madh kësaj opozite në 8 maj. Janë miliona shqiptarë të ndershëm e të drejtë, që meritojnë një qeverisje europiane, një Shqipëri europiane. Është bash për këtë, që opozita e sotme, fituesja e 8 majit nuk duhet të bjerë në këtë kurth të ardhshëm të këtij grushti njerëzish, që kanë një axhendë krejt tjetër e të ndryshme me qytetarin hallexhi. Pavarësisht se këta të fundit kontrollojnë tashmë shumicën e mediave në vend e rrjedhimisht kanë një impakt të fortë publik opozitës i takon sot të mos harrojë për asnjë çast se në fund të fundit realiteti nuk prodhohet në zyrat e pushtetit dhe aq më pak në media, por përkundrazi në jetën e përditshme. Opozita e sotme nuk ka mundësi zgjedhjeje në këtë rast. Ajo ka vetëm një detyrim; t’i shërbejë qytetarëve të këtij vendi, duke administruar me qetësi dhe dinjitet atë çka po ndodh, për të reflektuar dhe kristalizuar këtë frymë, këtë dëshirë për ndryshim që prej kohësh ka pushtuar Shqipërinë. Kjo frymë e kjo dëshirë nuk mund të ngushtohet apo reduktohet në debatet shterpë që pritet të nisin së shpejti nga trupa e zakonshme televizive e klientëve të pushtetit. I vetmi debat real, me të cilin duhet të merret opozita është fryma e shtuar gjithëpërfshirëse e ndryshimit që bashkon zemra dhe mendje patriote që kanë si qëllim, një Shqipëri të drejtë, të ndershme, të pastër, të ligjshme. Ato zemra janë zgjuar sërish. Presin vetëm kushtrimin e drejtë

Përtëritja, Kuvendi dhe Presidenti niazi jaho

Në muajin nëntor 2010, Kuvendi i Shqipërisë vendosi të pezullonte procedurën e shqyrtimit të dhënies së pëlqimit të dekreteve të Presidentit të Republikës për katër anëtarët e Gjykatës Kushtetuese dhe tre anëtarët e Gjykatës së Lartë. Në të njëjtën kohë, 1/5 e deputetëve ju drejtuan Gjykatës Kushtetuese me kërkesën për interpretimin e nenit 125, pika 1 dhe 2 të nenit 136, pika 1 dhe 5 të Kushtetutës (vetëm për gjyqtarët e Gjykatës së Lartë) dhe nenet 125, pika 3 të Kushtetutës (përtëritja çdo tre vjet e Gjykatës Kushtetuese). Opinionet e ndryshme gjatë një debati parlamentar janë normale, por ato nuk mund të jenë të barasvlefshme që të justifikojnë kërkesën për interpretimin e Kushtetutës. Megjithëkëtë, pavarësisht nga kjo, Gjykata Kushtetuese, e pa me vend të investohej në shqyrtimin e kësaj kërkese. Duke pasur parasysh se mandati i disa gjyqtarëve kishte kohë që kishte mbaruar, do të ishte ndoshta e rekomandueshme që vendimi që u dha mbas 7 muajsh (9 qershor 2011), të ishte dhënë më parë. Kjo sidomos, për interpretimin e nenit 125, pika 3 (përtëritja e Gjykatës Kushtetuese). E lexova me vëmendje vendimin e mësipërm, por jo në këtë shkrim, ndoshta në një rast tjetër, mund të shprehnim disa rezerva që mund të kishim në aspektin e trajtimit kushtetues të problemit. Kam mendimin se ajo që është kryesore në vendimin e Gjykatës, është

qëndrimi i saj lidhur me kërkesën për interpretimin e nenit 125, pika 3 të Kushtetutës (përbërja e Gjykatës Kushtetuese përsëritet çdo tre vjet me 1/3 e saj sipas procedurës së caktuar në ligj). 1/5 e deputetëve kishin kërkuar që Gjykata të përcaktonte “një mekanizëm të vlefshëm me qëllim respektimin e nenit 125/3 të Kushtetutës për përtëritjen e Gjykatës Kushtetuese çdo tre vjet me 1/3 e anëtarësisë së saj”. Gjykata Kushtetuese, interpretimit të dispozitës së mësipërme, i ka kushtuar një pjesë të mirë të këtij vendimi (shih paragrafët me nr. 34 deri 39). Pasi analizohet rëndësia e zbatimit të këtij parimi, Gjykata thekson: “në zbatim të parimit bazë të shtetit të së drejtës, atij të ndarjes dhe balancimit të pushteteve, kushtetutëbërësi ka përcaktuar për secilin nga organet që përfaqësojnë këto pushtete, kompetencat që përputhen / i përgjigjen qëllimit të tij. Për sa kohë që këto kompetenca janë përcaktuar nga normat kushtetuese, është e palejueshme që një organ tjetër t’i marrë ose t’i anashkalojë ato me vullnetin e tij”. Siç dihet, nga fillimi i vitit 2010, mbaronte jo vetëm mandati i tre gjyqtarëve që e ushtruan atë për 12 vjet, por edhe ai i tre gjyqtarëve që ishin zgjedhur për një mandat 9 vjeçar. Si rrjedhim, në vitin 2010, përfundonte mandati i të 6 gjyqtarëve, prandaj do të duhej që Kuvendi, qysh më parë të ndërmerrte nismën Kushtetuese, ku

të përcaktohej mekanizmi i përtëritjes së gjykatës dhe të mos priste situatën e krijuar. Kërkesa për interpretimin e nenit 125/3 të Kushtetutës, mendojmë se jo vetëm ishte e vonuar, por toleronte edhe shtyrjen e mëtejshme të zgjidhjes së kësaj çështjeje. Gjykata Kushtetuese, në vendimin e saj, i përgjigjet qartë dhe pa ekuivoke, kërkesës së 1/5 së deputetëve për përcaktimin e mekanizmit që do të rregullonte përsëritjen. Në vendimin e saj thuhet: “përcaktimi nga ana e gjykatës i një mekanizmi për të ruajtur balancën ndërmjet respektimit të rregullit të përsëritjes periodike dhe të pjesshme të kësaj gjykate dhe parimit të garancisë të kohëzgjatjes së mandatit të gjyqtarit Kushtetues, do ta nxirrte atë jashtë juridiksionit kushtetues”. Është kjo arsyeja, që Gjykata Kushtetuese, në pjesën e dispozitivit të vendimit thekson: “gjetja dhe zbatimi i një mekanizmi të përshtatshëm për të respektuar nenin 125/ 3 të Kushtetutës, është kompetencë e ligjvënësit kushtetues.” Me shprehjen “ligjvënësi kushtetues”, duhet kuptuar që Kuvendi në mbështetje të nenit 77 të Kushtetutës (rishikim i Kushtetutës) të ndërmarrë nismën për ndërhyrje në Kushtetutë, ose nëpërmjet amendamentit ose me dispozitë kalimtare. Komisioni i përhershëm i Kuvendit për çështjet ligjore, administratës publike dhe të drejtat e njeriut, në dt. 14 qershor 2011, u informua dhe

diskutoi lidhur me vendimin e Gjykatës Kushtetuese nr. 24, datë 9 qershor 2011. Pati mendime, që dekretet e Presidentit dhe raportet përkatëse të Komisionit, të shqyrtoheshin në seancën plenare, nëpërmjet votimit, por pati edhe sugjerime, që Kuvendit t’i dërgohej vetëm kandidatura, për të cilin komisioni ishte shprehur dakord, ndërsa kryetares së Kuvendit t’i përcillej propozimi që tre kandidaturat e tjera t’i ktheheshin Presidentit për t’i paraqitur ato “në afatin 3-vjeçar, nga plotësimi i vendeve vakant për rotacionin e dytë”. Nëpërmjet medias, u informuam se Kuvendi shqyrtoi dhe dha pëlqimin vetëm për një dekret të Presidentit. Ekziston mundësia që tre dekretet e tjera, t’i kthehen Presidentit të Republikës. Nëse do të veprohej kështu, mendojmë se ky qëndrim, nuk do të përputhej as me Kushtetutën dhe as me vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Të gjitha dekretet e Presidentit, pavarësisht nga opinioni i Komisionit Parlamentar të mësipërm, të shprehura në raportet përkatëse, do të duhej t’i dërgoheshin Kuvendit, sepse ai është i vetmi organ kompetent për të dhënë ose jo pëlqimin. Sipas nenit 125, pika 1, anëtari i Gjykatës Kushtetuese emërohet nga Presidenti me pëlqimin e Kuvendit. Kuvendi, pra, është seanca plenare vendimmarrëse. Gjykata Kushtetuese, siç u tha më lart, ka theksuar se zbatimi i mekanizmit për respektimin e nenit 125/3 të Kushtetutës, është në kom-

petencën e kushtetutëbërësit. Kjo do të thotë se asnjë organ tjetër nuk e ka një kompetencë të tillë. Kur gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese i mbaron mandati, detyrimi kushtetues i Presidentit është dërgimi në Kuvend i dekretit për emërimin e gjyqtarit të ri. Kur Kuvendit i dërgohet dekreti i mësipërm, detyrimi i tij kushtetues është ta shqyrtojë atë dhe të vendosë dhënien ose jo të pëlqimit. Kushtetuta, nuk njeh pezullim të kësaj procedure as nga Presidenti dhe as nga Kuvendi. Madje, edhe vonesat për zbatimin e kësaj procedure, që kanë ndodhur dhe që vazhdojnë, është e qartë se shoqërohen me pasoja të dëmshme. Kthimi i dekreteve Presidentit të Republikës, ose mos shqyrtimi i tyre, mund të krijonte një konflikt të panevojshëm në një kohë kur midis këtyre dy organeve, ashtu siç orienton edhe Gjykata Kushtetuese, duhet të vepronte parimi i luajalitetit. Duke e shtyrë mandatin e gjyqtarëve deri në vitin 2013, pa ndërhyrje në Kushtetutë, Kuvendi do t’i atribuonte vetes, një kompetencë që nuk e ka. Afati i mandatit, është garanci për pavarësinë e Gjykatës dhe të gjyqtarit Kushtetues, ndërsa shtyrja e tij në mënyrë të njëanshme dhe jo në përputhje me Kushtetutën, mund të ndikonte negativisht në vetë gjyqtarin që i ka mbaruar mandati. Ky do të ishte një precedent që mund të krijonte një praktikë të gabuar ekstra – kushtetuese.


Issuu converts static files into: digital portfolios, online yearbooks, online catalogs, digital photo albums and more. Sign up and create your flipbook.