Gazeta reporter.al, numri 57

Page 10

10

Maj 2020

INVESTIGIM

Lufta për ‘Duty Free’ u kthye në test lakmus për klimën e investimeve të huaja Si e përdori ligjin bashkëshortja biznesmene e një gjyqtari të fuqishëm për të ndaluar një kompani amerikane të investonte në aeroportin ndërkombëtar ‘Nënë Tereza’, kundër vullnetit të koncesionarit të terminalit dhe protestave të ambasadës amerikane në Tiranë. Ilustrim grafik nga Jurgena Tahiri/BIRN

OLA XAMA | BIRN | TIRANË

E

dhe pse nuk ka një kontratë qiraje që nga gushti i vitit 2019, kompania “Albania Duty Free Distribution”, ADFD – në pronësi të bashkëshortes së gjyqtarit të Apelit të Tiranës, Gjin Gjoni vazhdon të ushtrojë aktivitetin si magazinë doganore në Rinas; megjithë kundërshtimin e koncesionarit të aeroportit dhe Ministrisë së Financave. ADFD, e cila prej 21 vitesh operon magazinën e lirë doganore në aeroportin e vetëm ndërkombëtar në Shqipëri, humbi në fillimin të vitit 2019 një tender për marrjen me qira nga koncesionari i aeroportit të hapësirës ku është vendosur dyqani i saj ‘Duty Free’. Tenderi u fitua nga kompania amerikane, International Cruise Duty Free, ICDF. Megjithëse ICFD firmosi në korrik 2019 një kontratë me Tirana International Airport, ajo nuk mundi të kryejë asnjë investim në Rinas, pasi ADFD refuzoi të lirojë ambientet e dyqanit ‘Duty Free’, me argumentin se do të pësonte humbje të mëdha financiare, pasi nuk ishte njoftuar për mosrinovimin e kontratës nga koncesionari. Fillimisht, ADFD siguroi një masë sigurie nga Gjykata e Tiranës për t’a detyruar aeroportin e Rinasit të mos e pezullojë kontratën e qirasë. Me masën e sigurisë në xhep dhe pa një kontratë qiraje të vlefshme, AFDF fitoi edhe miratimin e Ministrisë së Financave për të operuar në zonën ‘Duty Free’. Pas protestave të koncesionarit të aeroportit se autorizimi binte ndesh me Kodin Doganor, Ministria e Financave e anuloi autorizimin e lëshuar. ADFD e ankimoi anulimin në Gjykatën Administrative, duke e përmbysur Ministrinë e Financave. Kjo e fundit e apeloi çështjen, ndërkohë që përmes një hetimi administrativ largoi nga detyra një zyrtar të Doganave, i cili dyshohet se favorizoi kompaninë ADFD. Ndërkohë, edhe zv.ministri Elton Haxhi – i cili firmosi autorizimin e ADFD për “Duty Free”, dha dorëheqjen. Edhe pse e gjithë lufta bëhet për një dyqan 282 metra katrorë, pronarja e ADFD, Elona Çaushi ka një histori të gjatë të avancimit të biznesit të saj përmes vendimeve të gjykatave, duke sjellë akuza dhe aludime për influencë të paligjshme nga bashkëshorti gjyqtar. Akuzat dhe debatet nuk munguan edhe gjatë betejës për dyqanin “Duty Free”, ndërsa disa aktorë ndërkombëtarë dhe vendas e konsideruan zgjidhjen e ligjshme të kësaj çështjeje si një test lakmues për klimën e biznesit në Shqipëri. “Nëse një investitor ndërkombëtar me eksperiencë lidh një kontratë me aeroportin kryesor në vend, por e ka të pamundur të fillojë punën, imagjinojeni vetë se çfarë mund të ndodhë me një biznes tjetër më të thjeshtë,” tha Enio Jaço, kreu i Dhomës

Gjyqtari Gjin Gjoni gjatë një seance të Kolegjit Zgjedhor | Foto nga : LSA

Amerikane të Tregtisë në Shqipëri. “Historia e investitorit amerikan flet më shumë se kushdo për klimën e biznesit sot në Shqipëri,” shtoi ai. Ministria e Financave nuk iu përgjigj një kërkesë të BIRN për të komentuar vendimarrjen e saj të debatueshme për magazinën e lirë doganore në aeroportin e Rinasit. Ndërkohë, edhe kompania koncesionare “Tirana International Airport” dhe ADFD nuk preferuan të komentojnë, përsa kohë çështja është duke u shqyrtuar nga Gjykata e Apelit. Kompania amerikane ICDF nuk iu përgjigj gjithashtu një kërkese për koment; ndërsa një burim pranë saj i tha BIRN se ajo po priste vendimin e Apelit, edhe pse e kishte menduar disa herë të hiqte dorë nga investimi në Shqipëri për shkak të vështirësive ligjore të hasura. Kompania u rrit mbi shpatullat e vendimeve gjyqësore Kompania Albania Duty Free Distribution është themeluar në vitin 1997 në pronësi të Elona Çaushit dhe shtetasit gjerman, Werner Mehlber. Në vitin 2004, Çaushi bleu kuotat e aksioneve që i përkisnin Mehlber-it dhe u bë 100 % aksionere e kompanisë. Pas dhënies me koncesion të aeroportit të Rinasit, Çaushi i shiti 70 % të kuotave të kapitalit në vitin 2007 kompanisë gjermane Gerb.Heinemanm, e cila zotëron mbi 340 dyqane ‘Duty Free’ në 74 aeroporte të shpërndara në 28 shtete të ndryshme. Megjithatë, e pakënaqur me partneritetin, Çaushi e paditi 3 vjet më vonë kompaninë gjermane për fitim të munguar. Gjykata e Tiranës dhe ajo e Apelit vendosën që Çaushit t’i ktheheshin aksionet e shitura ndaj gjermanëve, ndërsa shkalla e dytë urdhëroi që Gerb. Hienemann ta dëmshpërblejë atë në masën e 242 mijë eurove, si dëm që pronari mazhoritar i kishte shkaktuar kompanisë. Kjo përballje gjyqësore tregtare u lakua edhe politikisht disa vite më vonë, ku kryeministri Rama deklaroi se emrin e gjykatësit të Apelit dhe ish-anëtarit të KLD-së, Gjin Gjoni, e kishte përmendur në takime jo-formale edhe kancelaria gjermane, Angela Merkel. Vendimi ndaj Gerb. Hienemann nuk është fitorja e vetme e korrur në

gjykatë nga kompania “Albania Duty Free Distribution”. Një tjetër betejë ligjore e fituar nga kompania ADFD nisi në vitin 2014, kohë kur Ministria e Financave ndryshoi Kodin Doganor dhe kërkoi shfuqizimin e licencave për operimin në zonat ‘Duty Free’, duke nënkuptuar edhe heqjen e autorizimit për kompaninë ADFD. Në një dokument që Ministria e Financave i nisi në gusht 2014 ish-drejtoreshës së Doganave, Elisa Spiropali, kërkohej refuzimi i pajisjes me autorizim për ADFD, me argumentin se kompania nuk kishte respektuar vlerën monetare prej 5 milionë lekë të garancisë dhe nuk paraqiste të dhëna mbi sistemin e skanimit të inventarit në hyrje-dalje dhe të “bording pass” të pasagjerëve. Në gusht 2014, Ministria e Financave nxorri një urdhër, duke i refuzuar shoqërisë ADFD autorizimin për magazinën doganore ‘”Duty Free Shop.” Ky vendim u kundërshtua nga kompania ADFD në Gjykatën Administrative të Tiranës. Gjykata vendosi në favor të ADFD dhe e shpalli vendimin e Ministrisë së Financave absolutisht të pavlefshëm. Konflikti me aeroportin Zanafilla e konfliktit për vazhdimin e operimit të kompanisë ADFD në aeroportin ndërkombëtar ‘Nënë Tereza’ u rindez në janar të vitit 2019, kur kompania koncesionare “Tirana International Airport” hapi një tender për dhënien me qira të ambienteve ‘Duty Free’. Kontrata e qirasë mes TIA dhe ADFD përfundonte më 27 gusht 2019. Në tender morën pjesë disa kompani, përfshi kompaninë polake Baltona, atë amerikane ICDF dhe Albania Duty Free Distribution. Burime në dijeni të tenderit i thanë BIRN se oferta e parë e përzgjedhur nga aeroporti si fituese ishte ajo e kompanisë Baltona, por negociatat për lidhjen e kontratës nuk rezultuan të suksesshme. Në qershor, koncesionari nisi bisedimet me shoqërinë ICDF, oferta e së cilës dukej më e përshtatshme sa i takon vlerës financiare. Më 22 shkurt 2019, Aeroporti i Tiranës njofton kompaninë ADFD përmes një shkrese se oferta e saj nuk është e suksesshme dhe është skualifikuar nga faza e parë e tenderit. Skualifikimi nga tenderi nuk i ndali përpjekjet e kompanisë ADFD për mbajtjen e kontratës së qirasë për dyqanin ‘Duty Free’ në aeroportin e Rinasit. Në një letër që administratori i kompanisë ADFD i nisi koncesionarit të aeroportit, shfaqet insistimi i kësaj shoqërie për të mbajtur ambientet e ‘Duty Free’, duke propozuar edhe dhënien e deri 30% të të ardhurave. “Siç e kemi përmendur tashmë, në bazë të ligjit ne kemi autorizim për administrimin e kësaj zone dhe e kemi shumë të lehtë dhe të shpejtë marrjen e rinovimit formal të licencës,” shkruhet në letrën e ADFD-së.

ADFD shton se nëse një operator i ri do të përzgjidhej, atyre do u duheshin të paktën 6 muaj për të marrë autorizimin, “gjithmonë nëse autoritetet doganore ia miratojnë”. Pavarësisht insistimit të ADFD, Tirana International Airport vazhdoi negociatat me shoqërinë amerikane, ICDF duke arritur firmosjen e një kontrate më 27 korrik të 2019. Dy ditë pas firmosjes së kontratës, më 29 korrik, ADFD depozitoi një padi në Gjykatën e Tiranës, e cila u shqyrtua nga gjyqtarja Mimoza Kajo-Brahimi. ADFD i kërkoi gjykatës marrjen e masës për sigurimin e padisë për vazhdimin e aktivitetit në ambientin ekzistues – zona e tranzitit në aeroportin “Nënë Tereza”, deri në zgjidhjen përfundimtare të konfliktit gjyqësor me Tirana International Airport. Së bashku me kërkesën për masë sigurie, ADFD paraqiti edhe një kopje të kërkesë-padisë, ku kërkon nga TIA që të rilidhë kontratën e qirasë deri në vitin 2024, ose në të kundërt ta dëmshpërblejë për fitimin e munguar dhe për dëmin moral. Në padinë e ngritur në Gjykatën e Tiranës për masë sigurie, ADFD pretendoi gjithashtu se nga Ministria e Financave i ishte miratuar automatikisht licenca për aktivitetin ‘Duty Free’ në hapësirën në fjalë dhe se dyqani i saj në aeroport, nuk mund t’i jepej një operatori tjetër. Po ashtu, ADFD pretendoi se TIA nuk ka shpallur një fitues për tenderin e mbajtur për dyqanin Duty Free’ dhe nuk ka lajmëruar për rinovimin e kontratës koncesionare, çfarë mund t’i sjellë kompanisë dëme reale për shkak të kontratave të lidhura me furnizuesit. Duke qenë se padia u bë në muajin gusht – periudhë kjo që përkon me pushimet verore, gjyqtarja Kajo-Brahimi vendosi masën provizore për vazhdimin e aktivitetit tregtar “Duty Free” nga ana e shoqërisë ADFD në aeroport, deri në zgjidhjen e padisë në themel. Gjyqtarja nuk thirri për dëgjesë në seancë kompaninë Tirana International Airport, si palë që prekej nga kjo vendimmarrje. Rinovimi i licencës “Duty Free” Në vendimin për masën e sigurimit të padisë, Gjykata e Tiranës shprehet se si pasojë e ndryshimeve të vitit 2007 të bëra në Kodin Doganor, licenca dhe kontrata e qirasë për ambientet për ushtrimin e aktivitetit në aeroport janë përcaktuar për një periudhë kohore 5 vjeçare. Gjithashtu, kompania ADFD ka deklaruar para gjykatës se Ministria e Financave nuk e kishte njoftuar për mosrinovimin e licencës, deri më 27 qershor 2019. Sipas nenit 148 të Kodit Doganor dhe Vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 199/2017, Ministri i Financave duhet të lajmërojë 60 ditë përpara mbarimit të afatit 5-vjeçar mbajtësin e autorizimit dhe Drejtorinë e Përgjithshme të Do-


Issuu converts static files into: digital portfolios, online yearbooks, online catalogs, digital photo albums and more. Sign up and create your flipbook.