19 minute read

LUFTA PËR ‘DUTY FREE’ U KTHYE NË TEST LAKMUES PËR KLIMËN E INVESTIMEVE TË HUAJA

INVESTIGIM

Lufta për ‘Duty Free’ u kthye në test lakmus për klimën e investimeve të huaja

Advertisement

Si e përdori ligjin bashkëshortja biznesmene e një gjyqtari të fuqishëm për të ndaluar një kompani amerikane të investonte në aeroportin ndërkombëtar ‘Nënë Tereza’, kundër vullnetit të koncesionarit të terminalit dhe protestave të ambasadës amerikane në Tiranë.

OLA XAMA |BIRN | TIRANË E dhe pse nuk ka një kontratë qiraje që nga gushti i vitit 2019, kompania “Albania Duty Free Distribution”, ADFD – në pronësi të bashkëshortes së gjyqtarit të Apelit të Tiranës, Gjin Gjoni vazhdon të ushtrojë aktivitetin si magazinë doganore në Rinas; megjithë kundërshtimin e koncesionarit të aeroportit dhe Ministrisë së Financave. ADFD, e cila prej 21 vitesh operon magazinën e lirë doganore në aeroportin e vetëm ndërkombëtar në Shqipëri, humbi në fillimin të vitit 2019 një tender për marrjen me qira nga koncesionari i aeroportit të hapësirës ku është vendosur dyqani i saj ‘Duty Free’. Tenderi u fitua nga kompania amerikane, International Cruise Duty Free, ICDF. Megjithëse ICFD firmosi në korrik 2019 një kontratë me Tirana International Airport, ajo nuk mundi të kryejë asnjë investim në Rinas, pasi ADFD refuzoi të lirojë ambientet e dyqanit ‘Duty Free’, me argumentin se do të pësonte humbje të mëdha financiare, pasi nuk ishte njoftuar për mosrinovimin e kontratës nga koncesionari.

Fillimisht, ADFD siguroi një masë sigurie nga Gjykata e Tiranës për t’a detyruar aeroportin e Rinasit të mos e pezullojë kontratën e qirasë. Me masën e sigurisë në xhep dhe pa një kontratë qiraje të vlefshme, AFDF fitoi edhe miratimin e Ministrisë së Financave për të operuar në zonën ‘Duty Free’. Pas protestave të koncesionarit të aeroportit se autorizimi binte ndesh me Kodin Doganor, Ministria e Financave e anuloi autorizimin e lëshuar. ADFD e ankimoi anulimin në Gjykatën Administrative, duke e përmbysur Ministrinë e Financave. Kjo e fundit e apeloi çështjen, ndërkohë që përmes një hetimi administrativ largoi nga detyra një zyrtar të Doganave, i cili dyshohet se favorizoi kompaninë ADFD. Ndërkohë, edhe zv.ministri Elton Haxhi – i cili firmosi autorizimin e ADFD për “Duty Free”, dha dorëheqjen.

Edhe pse e gjithë lufta bëhet për një dyqan 282 metra katrorë, pronarja e ADFD, Elona Çaushi ka një histori të gjatë të avancimit të biznesit të saj përmes vendimeve të gjykatave, duke sjellë akuza dhe aludime për influencë të paligjshme nga bashkëshorti gjyqtar.

Akuzat dhe debatet nuk munguan edhe gjatë betejës për dyqanin “Duty Free”, ndërsa disa aktorë ndërkombëtarë dhe vendas e konsideruan zgjidhjen e ligjshme të kësaj çështjeje si një test lakmues për klimën e biznesit në Shqipëri. “Nëse një investitor ndërkombëtar me eksperiencë lidh një kontratë me aeroportin kryesor në vend, por e ka të pamundur të fillojë punën, imagjinojeni vetë se çfarë mund të ndodhë me një biznes tjetër më të thjeshtë,” tha Enio Jaço, kreu i Dhomës

Gjyqtari Gjin Gjoni gjatë një seance të Kolegjit Zgjedhor | Foto nga : LSA

Amerikane të Tregtisë në Shqipëri. “Historia e investitorit amerikan flet më shumë se kushdo për klimën e biznesit sot në Shqipëri,” shtoi ai.

Ministria e Financave nuk iu përgjigj një kërkesë të BIRN për të komentuar vendimarrjen e saj të debatueshme për magazinën e lirë doganore në aeroportin e Rinasit. Ndërkohë, edhe kompania koncesionare “Tirana International Airport” dhe ADFD nuk preferuan të komentojnë, përsa kohë çështja është duke u shqyrtuar nga Gjykata e Apelit. Kompania amerikane ICDF nuk iu përgjigj gjithashtu një kërkese për koment; ndërsa një burim pranë saj i tha BIRN se ajo po priste vendimin e Apelit, edhe pse e kishte menduar disa herë të hiqte dorë nga investimi në Shqipëri për shkak të vështirësive ligjore të hasura.

Kompania u rrit mbi shpatullat e vendimeve gjyqësore

Kompania Albania Duty Free Distribution është themeluar në vitin 1997 në pronësi të Elona Çaushit dhe shtetasit gjerman, Werner Mehlber. Në vitin 2004, Çaushi bleu kuotat e aksioneve që i përkisnin Mehlber-it dhe u bë 100 % aksionere e kompanisë. Pas dhënies me koncesion të aeroportit të Rinasit, Çaushi i shiti 70 % të kuotave të kapitalit në vitin 2007 kompanisë gjermane Gerb.Heinemanm, e cila zotëron mbi 340 dyqane ‘Duty Free’ në 74 aeroporte të shpërndara në 28 shtete të ndryshme. Megjithatë, e pakënaqur me partneritetin, Çaushi e paditi 3 vjet më vonë kompaninë gjermane për fitim të munguar. Gjykata e Tiranës dhe ajo e Apelit vendosën që Çaushit t’i ktheheshin aksionet e shitura ndaj gjermanëve, ndërsa shkalla e dytë urdhëroi që Gerb. Hienemann ta dëmshpërblejë atë në masën e 242 mijë eurove, si dëm që pronari mazhoritar i kishte shkaktuar kompanisë.

Kjo përballje gjyqësore tregtare u lakua edhe politikisht disa vite më vonë, ku kryeministri Rama deklaroi se emrin e gjykatësit të Apelit dhe ish-anëtarit të KLD-së, Gjin Gjoni, e kishte përmendur në takime jo-formale edhe kancelaria gjermane, Angela Merkel. Vendimi ndaj Gerb. Hienemann nuk është fitorja e vetme e korrur në gjykatë nga kompania “Albania Duty Free Distribution”. Një tjetër betejë ligjore e fituar nga kompania ADFD nisi në vitin 2014, kohë kur Ministria e Financave ndryshoi Kodin Doganor dhe kërkoi shfuqizimin e licencave për operimin në zonat ‘Duty Free’, duke nënkuptuar edhe heqjen e autorizimit për kompaninë ADFD.

Në një dokument që Ministria e Financave i nisi në gusht 2014 ish-drejtoreshës së Doganave, Elisa Spiropali, kërkohej refuzimi i pajisjes me autorizim për ADFD, me argumentin se kompania nuk kishte respektuar vlerën monetare prej 5 milionë lekë të garancisë dhe nuk paraqiste të dhëna mbi sistemin e skanimit të inventarit në hyrje-dalje dhe të “bording pass” të pasagjerëve.

Në gusht 2014, Ministria e Financave nxorri një urdhër, duke i refuzuar shoqërisë ADFD autorizimin për magazinën doganore ‘”Duty Free Shop.” Ky vendim u kundërshtua nga kompania ADFD në Gjykatën Administrative të Tiranës. Gjykata vendosi në favor të ADFD dhe e shpalli vendimin e Ministrisë së Financave absolutisht të pavlefshëm.

Konflikti me aeroportin

Zanafilla e konfliktit për vazhdimin e operimit të kompanisë ADFD në aeroportin ndërkombëtar ‘Nënë Tereza’ u rindez në janar të vitit 2019, kur kompania koncesionare “Tirana International Airport” hapi një tender për dhënien me qira të ambienteve ‘Duty Free’. Kontrata e qirasë mes TIA dhe ADFD përfundonte më 27 gusht 2019. Në tender morën pjesë disa kompani, përfshi kompaninë polake Baltona, atë amerikane ICDF dhe Albania Duty Free Distribution. Burime në dijeni të tenderit i thanë BIRN se oferta e parë e përzgjedhur nga aeroporti si fituese ishte ajo e kompanisë Baltona, por negociatat për lidhjen e kontratës nuk rezultuan të suksesshme. Në qershor, koncesionari nisi bisedimet me shoqërinë ICDF, oferta e së cilës dukej më e përshtatshme sa i takon vlerës financiare. Më 22 shkurt 2019, Aeroporti i Tiranës njofton kompaninë ADFD përmes një shkrese se oferta e saj nuk është e suksesshme dhe është skualifikuar nga faza e parë e tenderit. Skualifikimi nga tenderi nuk i ndali përpjekjet e kompanisë ADFD për mbajtjen e kontratës së qirasë për dyqanin ‘Duty Free’ në aeroportin e Rinasit.

Në një letër që administratori i kompanisë ADFD i nisi koncesionarit të aeroportit, shfaqet insistimi i kësaj shoqërie për të mbajtur ambientet e ‘Duty Free’, duke propozuar edhe dhënien e deri 30% të të ardhurave. “Siç e kemi përmendur tashmë, në bazë të ligjit ne kemi autorizim për administrimin e kësaj zone dhe e kemi shumë të lehtë dhe të shpejtë marrjen e rinovimit formal të licencës,” shkruhet në letrën e ADFD-së.

Ilustrim grafik nga Jurgena Tahiri/BIRN ADFD shton se nëse një operator i ri do të përzgjidhej, atyre do u duheshin të paktën 6 muaj për të marrë autorizimin, “gjithmonë nëse autoritetet doganore ia miratojnë”. Pavarësisht insistimit të ADFD, Tirana International Airport vazhdoi negociatat me shoqërinë amerikane, ICDF duke arritur firmosjen e një kontrate më 27 korrik të 2019. Dy ditë pas firmosjes së kontratës, më 29 korrik, ADFD depozitoi një padi në Gjykatën e Tiranës, e cila u shqyrtua nga gjyqtarja Mimoza Kajo-Brahimi. ADFD i kërkoi gjykatës marrjen e masës për sigurimin e padisë për vazhdimin e aktivitetit në ambientin ekzistues – zona e tranzitit në aeroportin “Nënë Tereza”, deri në zgjidhjen përfundimtare të konfliktit gjyqësor me Tirana International Airport.

Së bashku me kërkesën për masë sigurie, ADFD paraqiti edhe një kopje të kërkesë-padisë, ku kërkon nga TIA që të rilidhë kontratën e qirasë deri në vitin 2024, ose në të kundërt ta dëmshpërblejë për fitimin e munguar dhe për dëmin moral. Në padinë e ngritur në Gjykatën e Tiranës për masë sigurie, ADFD pretendoi gjithashtu se nga Ministria e Financave i ishte miratuar automatikisht licenca për aktivitetin ‘Duty Free’ në hapësirën në fjalë dhe se dyqani i saj në aeroport, nuk mund t’i jepej një operatori tjetër.

Po ashtu, ADFD pretendoi se TIA nuk ka shpallur një fitues për tenderin e mbajtur për dyqanin Duty Free’ dhe nuk ka lajmëruar për rinovimin e kontratës koncesionare, çfarë mund t’i sjellë kompanisë dëme reale për shkak të kontratave të lidhura me furnizuesit.

Duke qenë se padia u bë në muajin gusht – periudhë kjo që përkon me pushimet verore, gjyqtarja Kajo-Brahimi vendosi masën provizore për vazhdimin e aktivitetit tregtar “Duty Free” nga ana e shoqërisë ADFD në aeroport, deri në zgjidhjen e padisë në themel.

Gjyqtarja nuk thirri për dëgjesë në seancë kompaninë Tirana International Airport, si palë që prekej nga kjo vendimmarrje.

Rinovimi i licencës “Duty Free”

Në vendimin për masën e sigurimit të padisë, Gjykata e Tiranës shprehet se si pasojë e ndryshimeve të vitit 2007 të bëra në Kodin Doganor, licenca dhe kontrata e qirasë për ambientet për ushtrimin e aktivitetit në aeroport janë përcaktuar për një periudhë kohore 5 vjeçare. Gjithashtu, kompania ADFD ka deklaruar para gjykatës se Ministria e Financave nuk e kishte njoftuar për mosrinovimin e licencës, deri më 27 qershor 2019. Sipas nenit 148 të Kodit Doganor dhe Vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 199/2017, Ministri i Financave duhet të lajmërojë 60 ditë përpara mbarimit të afatit 5-vjeçar mbajtësin e autorizimit dhe Drejtorinë e Përgjithshme të Do

ganave lidhur me mosrinovimin e autorizimit. Nëse ministri përgjegjës për Financat nuk njofton mbajtësin e autorizimit, atëherë rinovimi konsiderohet i mirëqenë.

Gjykata arsyeton se “duke qenë se Ministri përgjegjës i Financave nuk ka sjellë asnjë njoftim për mosrinovimin e autorizimit në minimum 60 ditë përpara datës së përfundimit të autorizimit ekzistues në emër të shoqërisë ADFD shpk , pra përpara datës 27.06.2019, autorizimi për Duty Free konsiderohet i rinovuar në bazë të ligjit.” Vendimi i Gjykatës së Tiranës gjithashtu shton se sipas një shkrese të Degës së Doganës së Rinasit të administruar në dosje, “kërkuesi ka qenë një subjekt korrekt në veprimtarinë e tij tregtare.”

Një kopje e kësaj shkrese, e siguruar nga BIRN, tregon se ajo është firmosur nga kreu i doganës së Rinasit në atë periudhë, Vladimir Vladi në përgjigje të një kërkese të kompanisë ADFD për shprehje mendimi. Ajo thekson gjithashtu se shoqëria, prej vitit 1999 që operon në aeroport e deri më janar 2019, nuk ka pasur probleme me deklarimin e import-eksporteve dhe ka qenë e hapur ndaj kërkesave për ushtrimin e kontrolleve dhe verifikimeve.

Në rolin e mbikëqyrësit të aktivitetit të ADFD, Vladi nënvizon se kompania nuk është penalizuar asnjëherë, ndërsa shpreh “mendim pozitiv” për vazhdimin e aktivitetit të saj në këtë zonë. Në këtë shkresë, Vladi merr përsipër rolin e Doganës Rinas si degë që monitoron kontratën dhe punën në zonën Duty Free. Ai nuk rezulton të ketë njoftuar ministrin e Financave dhe Ekonomisë për përfundimin e kontratës së ADFD në qershor 2019 , çka i hapi rrugë argumentit të kompanisë për përfitimin automatik të licencës në këtë zonë.

I pyetur për këtë çështje, Vladi tha për BIRN se në asnjë nen të akteve ligjore nuk i ngarkohet përgjegjësia kryetarit të Degës së Doganës për të njoftuar ministrin për përfundimin e autorizimit dhe se përgjegjësia për të njoftuar kompaninë, bie mbi Ministrinë. Pas marrjes së sigurimit të padisë në Gjykatë, ADFD dërgon më 8 gusht 2019 kërkesën për pajisjen formale me leje në zonën Duty Free në Ministrinë e Financave, duke thënë se leja tashmë quhej e miratuar në heshtje, pasi Ministria nuk ishte shprehur 60 ditë përpara për mosrinovimin dhe në bazë të ligjit, rinovimi konsiderohet i mirëqenë.

Dispozitat e Kodit Doganor i japin Doganave dhe Ministrisë 60 ditë kohë për të shqyrtuar dokumentacionin e dorëzuar, ndërsa kërkesa për aplikim duhet të bëhet fillimisht pranë zyrës doganore kufitare, ku do të operojë dyqani pa taksa. Ministria nuk ka kthyer përgjigje për 6 ditë. Pas largimit me leje për pushimet verore të ministres Anila Denaj, zv.ministri Elton Haxhi mori kompentencat për ushtrimin e detyrave të ministrit dhe nisi punën për miratimin e pajisjes me autorizim të ADFD. Në datën 14 gusht, Haxhi i dërgoi Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave kërkesën e kompanisë ADFD për plotësimin e dokumentacionit për pajisje me autorizim, me shënimin e tij mbi shkresë. Më 16 gusht, drejtori i Përgjithshëm i Doganave, Arlind Gjokutaj dorëzon sipas porosisë të gjithë dokumentacionin e kërkuar për të vazhduar me formalitet e rinovimit. Po në 16 gusht, z.Haxhi firmosi dhënien e autorizimit për ADFD.

‘Ku fle lepuri’

Rinovimi i licensës nga zv.ministri Haxhi për kompaninë ADFD u bë dhjetë ditë para se kjo e fundit do të duhej të linte ambientet e aeroportit. Më 26 gusht 2019, koncesionari i aeroportit informoi me një shkresë Ministrinë e Financave se lëshimi i autorizimit binte ndesh me Kodin Doganor, pasi është dhënë pa patur një kontrate qiraje me të. Pas letrës së TIA-s, Ministria nisi një audit mbi këtë proces, i cili, nxori në pah përgjegjësitë e degës së doganës Rinas, drejtorisë së Përgjithshme të Doganave dhe lëshuesit të autorizimit për të gjithë situatën e krijuar.

Ministria e Financave nuk i ktheu përgjigje një kërkese zyrtare për informacion të nisur nga BIRN, për t’i vënë në dispozicion një kopje të raportit të auditit. Por dokumenti u sigurua nga BIRN dhe rezulton se auditi ka zbuluar parregullsi në procesin e pajisjes me autorizim; që nga mungesa e numrit të protokollit të kërkesës së ADFD apo mungesa e vulës së kompanisë në një dokument. Auditi konstaton gjithashtu se autorizimi është lëshuar pa u analizuar dhe shqyrtuar nga strukturat doganore, duke përfshirë në këtë shkelje të gjithë zinxhirin përgjegjës nga doganat te ministria.

“D.D.Rinas dhe D.P. e Doganave nuk kanë kryer detyrën në zbatim të dispozitave zbatuese të Kodit Doganor,” konkludon raporti.

Një burim pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave i tha BIRN se letra ku shprehej “mendim pozitiv për rinovimin e autorizimit” i kushtoi vendin e punës z.Vladi.

Ndërkohë, Vladi i tha BIRN se nuk ka qenë në detyrë në momentin (gusht 2019) që kompania mori autorizimin, ndërsa shtoi se letrën e kishte dërguar në bazë të një kërkese të ADFD. Vladi e konsideroi këtë një porocedurë normale që ndodh me shumë kompani me të cilat dega e Doganës Rinas bashkëpunon.

“Brenda një dite i është miratuar autorizimi. Kontrata e qirasë ku është? Materiali i degës doganore mbikqyrëse mbi zbatueshmërinë e kërkesave të Kodit Doganor mbi magazinat doganore të tipit C ku është?” pyet Vladi. Në fund të shtatorit, ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj firmosi anulimin e autorizimit të lëshuar më parë për kompaninë ADFD nga z.Haxhi, me argumentin se kompania e kishte marrë atë në kushtet e keqbesimit. ADFD u përgjigj duke e paditur Ministrinë e Financave në Gjykatën Administrative Tiranë. Gjyqtari Avni Sejdi pranoi si palë dytësore në këtë gjykim edhe përfaqësuesit e aeroportit të Tiranës dhe ICDF, të cilët kundërshtuan në gjykatë argumentet e ADFD se ishte në kushtet e përfitimit të rinovimit automatik të autorizimit. ICDF dhe TIA argumentojnë se dispozitat kalimtare të Kodit Doganor shprehin qartë se nuk mund të përfitohet rinovimi automatik për licencat e dhëna përpara hyrjes së plotë në fuqi të tij. “Rezulton qartë se nuk kishte nevojë që Ministria e Financave dhe Ekonomisë të lajmëronte përfundimin e autorizimit, duke marrë parasysh se ky përfundim ishte paracaktuar qartësisht në dispozitat kalimtare të VKM-së 651,” shprehet ICDF në prapësimet e saj.

Këtë argument e ka pranuar edhe Gjykata Administrative në vendimin e arsyetuar. Para shpalljes së vendimit, gjyqtari Avni Sejdi u tha gazetarëve në sallën e gjyqit se “kur të lexoni vendimin e zbardhur, do të shikoni ku fle lepuri.” Në vendimin e zbardhur, Sejdi thotë se lëshimi i autorizimit ishte bërë në bazë të procedurës së pajisjes me licencë të re, ndërsa dispozitat kalimtare nuk përfshijnë përfitimin e ADFD nga rinovimi automatik, pasi licenca ishte dhënë në vitin 2014; përpara hyrjes së plotë në fuqi të Kodit Doganor, që ishte i vitit 2017. “Gjykata çmon se në rastin e pajisjes së ADFD me autorizim për magazinë doganore private, nuk ndodhemi para rastit të rinovimit në mënyrë automatike të autorizimit, pasi kompania është pajisur me autorizim përpara datës 1 qershor 2017, kur Kodi Doganor hyri tërësisht në fuqi,” u shpreh Sejdi.

Megjithatë, ndryshe nga Ministria e Financave, gjyqtari Sejdi argumenton se mosparaqitja e kontratës së qirasë nga ana e ADFD nuk është bërë në keqbesim, pasi kjo e fundit ka dorëzuar një vendim gjykate për përdorimin e përkohshëm të ambienteve të TIA për magazinë doganore. “Midis paditësit dhe aeroportit Ndërkombëtar ‘Nënë Tereza’ nuk kishte një kontratë qiraje dhe Ministria e Financave e dinte këtë gjë. Ndërsa tani bënë të paditurin…,”deklaroi Sejdi gjatë shpalljes së vendimit. Edhe pse pranon përfitimin e padrejtë të licencës nga ADFD, në kushtet kur kompania e mbështeti padinë në të drejtat që lindin nga rinovimi automatik, Sejdi hedh poshtë aktin e anulimit të autorizimit nga Ministrja e Financave. Sejdi thotë se anulimi si koncept ka të bëjë me një akt që ka ndodhur në të shkuarën, dhe se në këtë rast, duhej revokim.

“Në rastin më të mirë të mundshëm, gjykata vlerëson se jemi përpara rastit të revokimit të aktit administrativ, dhe kurrsesi para anulimit të aktit administrativ,” citohet në vendim.

Vendimi bën përgjegjëse Ministrinë e Financave për mospërmbushjen e të drejtave të ankimimit të palës ADFD përpara marrjes së vendimit të anulimit. Dy ditë pas dhënies së vendimit të Gjykatës Administrative, e cila la në fuqi autorizimin për ”Duty Free” ndaj kompanisë ADFD, zv.ministri për Financat, Elton Haxhi dha dorëheqjen nga posti. Vendimi i gjyqtarit Sejdi u prit me pezmatim nga kompania ICDF. Një përfaqësues i kompanisë, që foli në kushte anonimati me pretendimin se nuk ishte i autorizuar, i tha BIRN se gjykata nuk ishte udhëhequr nga fryma e ligjit. “Edhe pse vendimi ishte i argumentuar ligjërisht, ne e shohim atë si një njollë të zezë në gjyqësorin shqiptar, pasi gjykatësi e pranon se ka paligjshmëri në marrjen e autorizimit dhe nuk vendos ligjshmërinë,” tha përfaqësuesi i kompanisë ICDF. “Çfarë ndodh nëse një drejtues i një institucioni merr një vendim të gabuar, gjykata duhet ta lerë ashtu?” pyeti ai.

Çështja gjyqësore u konsiderua një provë për klimën e biznesit në Shqipëri edhe nga ambasadorja amerikane, Yuri Kim. Në një postim në Facebook pas shpalljes së vendimit nga Sejdi, ambasada nuk e kurseu zhgënjimin.

“Shqipëria duhet të zbatojë rregulla të drejta dhe transparente në mënyrë të barabartë për të gjitha bizneset. Shpresojmë që qeveria e Shqipërisë të shqyrtojë seriozisht sfidat në mjedisin aktual dhe të zbatojë ndryshime të prekshme, për të tërhequr investimet e huaja shumë të nevojshme,” theksoi ambasada.

Klima e investimeve

Fitimet e kompanisë ADFD nga të drejtat e shfrytëzimit të ambienteve në zonën e dyqaneve Duty Free në aeroportin e Rinasit shkojnë mesatarisht në afro 200 mijë USD në vit gjatë 5 viteve të fundit – sipas llogaritjeve të bëra nga BIRN. Në vitin më të mirë, shoqëria ka realizuar 1.7 milion USD fitim neto dhe në atë më të keqin vetëm 44 mijë USD.

Sipas bilanceve të dorëzuara në Qendrën Kombëtare të Biznesit rezulton se ADFD fitoi 287 mijë USD gjatë aktivitetit në vitin 2018, ndërsa të ardhurat ishin 4.36 milionë USD. Xhiroja e shitjeve gjatë viteve të fundit të ushtrimit të aktivitetit shkon mesatarisht në 3.5 milionë USD në vit. Konflikti për ambientet e magazinës doganore solli një lumë të gjatë shkrimesh mediatike dhe sulmesh mes palëve. Në disa prej këtyre shkrimeve thuhej se mbrapa kompanisë amerikane ICDF, fshihej sipërmarrësja shqiptare, Aliona Zeqiraj, e cila ka disa biznese në aeroport. ICDF është një kompani e themeluar në Majami dhe ushtron aktivitetin e saj në fushën e mallrave “Duty Free” prej vitit 1990 në SHBA dhe disa vende të Amerikës Latine. Përplasjet për kontratën e qirasë sollën ndryshime edhe në menaxhimin e aeroportit. Pas 7 vjetësh në detyrë, bordi i kompanisë koncesionare shkarkoi më 28 gusht administratorin Rolf Castro-Vasquez, i cili u zëvendësua nga ish- administratori Constatin Von Alvensblen. Rikthimi i Von Alvensblen nuk i qetësoi ujërat me përfaqësuesit e ADFD-së, të cilët depozituan një kallëzim penal edhe ndaj tij.

ADFD kërcënoi me kallëzim penal edhe drejtues të Doganave. Sipas një shkrese të siguruar nga BIRN, në një kërkesë për informacion nisur Drejtorisë së Doganave, ADFD kërkon të dijë nëse ICDF ka aplikuar për të marrë autorizim për magazinë të lirë doganore, si dhe bazën ligjore mbi të cilën është bazuar Dogana për të shprehur mendim pozitiv për pajisjen e shoqërisë amerikane me autorizim të përkohshëm.

“Në varësi të qëndrimeve të mbajtura nga përfaqësuesit e institucioneve që ju drejtoni, do të formulojmë edhe qëndrimet tona në lidhje me përgjegjësitë civile dhe penale të secilit prej personave të përfshirë,” shkruan ADFD në letrën drejtuar ish-kreut të doganave, Arlind Gjokutaj, ku vihej në dijeni dhe ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj.

Një drejtues i lartë i Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë i tha BIRN në kushtet e konfidencialitetit se përpjekjet e tyre për gjetur një zgjidhje për ICDF-në ishin kufizuar nga rrjedhjet e informacionit dhe vendimi i Gjykatës së Tiranës. “Kishte shumë persona brenda doganave dhe Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë që jepnin informacione se çfarë ishte duke ndodhur me ecurinë e licencimit të kompanisë amerikane ICDF,” tha zyrtari. “Ne ishim duke parë edhe variantin për pajisjen e saj me një licencë tjetër, duke qenë se lejohet të jepen deri në dy licenca në atë zonë, por problem ishte vendimi i gjykatës, që lejonte përdorimin e ambienteve…,” shtoi ai.

Zyrtari përmendi gjithashtu se ICDF kishte investuar tashmë në projekte disa mijëra euro për arredimin e zonës ku ushtronte aktivitetin ADFD. Sipas Enio Jaços, drejtues i Dhomës Amerikane në Shqipëri, rasti i ICDF-së ngre pikëpyetje serioze për klimën e biznesit në vend.

“Rasti i ICDF ka të bëjë me shumë çështje, por në fund të ditës, është e lidhur me një pyetje të thjeshtë: a ia vlen të investosh në Shqipëri?” tha ai, duke shtuar se ky rast po monitorohet me kujdes nga Dhoma Amerikane dhe komuniteti i investitorëve vendas dhe ndërkombëtarë. Sipas Jaços, gjatë viteve të fundit, klima e biznesit në Shqipëri është përkeqësuar ndërsa vendet e rajonit kanë bërë progres në këtë drejtim.

“Nëse duam të tërheqim investitorët, atëherë duhet të marrim seriozisht përmirësimin e klimës së biznesit,” tha ai. “Ky është momenti i duhur që në kuadrin e reformës në drejtësi të bëjmë një reformë të thellë edhe në klimën e biznesit – reformën e investimeve,” përfundoi Jaço.