Koha 780

Page 15

KULTURË

këndvështrimi historik në marrëdhëniet e jashtme (pavarësia, shtetësia, vetëvendosja etj) dhe si pasojë shtrohet në qendër të vëmendjes së transformimeve postmoderne. Në këtë kapitull zë vend të rëndësishëm edhe pikëpyetja si mund të sqarohen tendencat diametralisht të kundërta të konceptit të sovranitetit bazuar në teorinë e marrëdhënieve ndërkombëtare. Kapitulli i shtatë fillon me vijëzimin dhe demarkacionin e kufirit për të cilin është hapur debat i gjerë në përmasa ndërkombëtare jo vetëm në qarqet politike e shtetërore por edhe tek studiuesit e fushave të ndryshme dhe shoqëria civile. Autori konstaton se demarkacioni i kufirit në terren është çështje ekzakte e kushtëzuar shkencërisht në rend të parë sipas logjikës matematike, gjeografike, që kanë të bëjnë me faktet fizike të terrenit. Përkufizimi fizik në formë juridike i territorit, shpreh faktorë të rëndësishëm për shtetin dhe ekzistencën e tij. Zgjerimi territorial historikisht ka lëvizur nga brezat kufitarë e deri te konstruktimi linear i kufirit. Detyra parësore e demarkacionit është që të transferojë në terren, sa më saktë qe të jetë e mundur, vijën e kufirit ashtu siç është definuar në dokumentin e delimitimit. Delimitimi sipas profesor Berishaj ofron definimin e vijave ndarëse mes sovraniteteve të vendeve fqinjë përmes përshkrimit verbal dhe grafik të vend- ndodhjes së kufirit, nganjëherë duke qenë i shoqëruar me ndonjë hartë ose skicë. Ky përcaktim verbal i sanksionuar me marrëveshje apo me ndonjë vendim gjyqësor, arbitrazhi, duhet të zbatohet në terren përmes procesit të demarkacionit. Për të sqaruar këto fenomene deri në detaje autori merr në trajtim shembuj të ndryshëm duke filluar nga referimi i aktgjykimit të Gjykatës Ndërkombëtare në Nigeri-Kamerun (2002), rastin e Bashkimit Sovjetik, raste të ndryshme gjatë procesit të dekolonizimeve në Amerikën Latine, ish Jugosllavinë etj. Çështje tjetër e rëndësishme që zë vend në këtë studim është edhe çështja e vendosjes së kufijve detarë që sipas autorit behët sipas metodave të ndryshme të përcaktuara si efektive që bazohen në të drejtën ndërkombëtare. Profesor Berishaj analizon edhe kuptimin e kufijve “natyrorë” dhe “artificialë”.

Kufiri natyror mbështetet në formën natyrore të tokës, siç janë lumenjtë apo vargmalet. Adoptimi i kufirit natyror në praktikë shpesh sjell mospajtueshmëri. Në rast se kufiri natyror nuk është i shënuar në terren, mund të jetë shkak i konflikteve në të ardhmen. Mosmarrëveshje të shumta ndërshtetërore të këtij lloji janë zgjidhur në një hark kohor shumë vite pas miratimit të kufirit me verdikt të gjykatës së arbitrazhit. Autori konstaton se është tepër e rëndësishme që në mënyrë precize të përcaktohet vija kufitare me marrëveshje kur dy shtete ndahen me vargmale. Ajo vijë kufitare lidh majat e bjeshkëve apo ndjek kreshtat. Kufiri tërhiqet në atë mënyrë që ndan natyrshëm ujërat që derdhen në dy lumenj të mëdhenj apo në dy dete. Ky lloj kufiri më shumë iu shërben nevojave të banorëve lokalë në hapësirën kufitare që ndjek majat dhe kreshtat. Kufijtë artificialë janë vijëzuar që nga periudha e kolonializmit e këndej. Ky kufi është linjë imagjinare e drejtë gjeometrike që ndjek një meridian apo paralele gjeografike. Pastaj ajo vijë detyrimisht duhet shënuar në terren, veçanërisht nëse ajo hapësirë kufitare më vonë popullohet dhe për pasojë krijohen vendbanimet. Të tillë kufij autori Berishaj përmend në Kanada, SHBA, Afrikë etj. Kapitullin e tetë të titulluar Kufiri Shqipëri-Mbretëria SKS, autori e fillon me punën e Komisionit Ndërkombëtar të dalë nga Konferenca e Ambasadorëve në Londër, për të vazhduar me problemin e shënimit të vijës kufitare të Shqipërisë pas Luftës së Parë Botërore. Konferenca e Parisit kishte njohur tërësinë e kufijve të Shqipërisë të përcaktuar nga Konferenca e Ambasadorëve më 1913 dhe kishte formuar një komision ndërkombëtar në të cilin bënin pjesë përfaqësues të Shqipërisë, Greqisë dhe Mbretërisë SKS. Ky komision kishte përfunduar punën në janar 1925 dhe më 27 janar të po këtij viti u nënshkrua Protokolli i Firences. Çështja e kufirit verior vazhdoi, për t’u nënshkruar më 26 korrik 1926 po në Firencë. Profesor Berishaj jep detaje për caktimin e kufijve të Shqipërisë me Mbretërinë SKS duke përfshirë protokollet, marrëveshjet, aneks marrëveshjet dhe të

dhëna të tjera relevante për përcaktimin e kufirit në mes këtyre dy shteteve. Në fund autori i studimit “Zhbërja e kufirit etnik”, Prof dr. Martin Berishaj na ofron dokumente të ruajtura nga National Archives-Foreign Office në të cilat përfshihen nota, rezoluta, komunikata, protokolle, deklarata, projekte, regjistra, skica, faksimile dhe materiale të tjera që kapin periudhën e viteve 1925-26 ku përfshihen aspekte të ndryshme të detajuara që ndërlidhen me procesin e caktimit të kufijve të Shqipërisë, bazuar në vendimet e komisionit ndërkombëtar të sanksionuar me Protokollin e Firences. Pra, studimi “Zhbërja e kufirit etnik” mbështetet në burime arkivore të përzgjedhura me kujdes dhe sipas rëndësisë që kanë në trajtimin e një tematike të tillë. Krahas burimeve primare të studimit, autori ka marrë në trajtim edhe literaturën relevante nga autorë të ndryshëm kryesisht ndërkombëtare. Brenda këtij studimi gjejmë pasionin për tu thelluar në zbërthimin dhe demistifikimin e konstrukteve politike, shoqërore, ekonomike, diplomatike, gjeopolitike, kufitare si dhe aftësinë për t’i trajtuar faktet dhe faktorët e shumtë që kanë pasur ndikim në rrjedhën e ngjarjeve përgjatë gjithë historisë. Studimi “Zhbërja e kufirit etnik” i autori Prof. Dr. Martin Berishaj i dedikohet një komuniteti të gjerë shoqëror, përfshirë këtu studentë, studiues, profesorë, publicistë, intelektualë e posaçërisht politikanë e diplomatë shqiptarë që përfaqësojnë interesat kombëtare e shtetërore të shqiptarëve në vendet e ndryshme të botës. Profesor Berishaj meriton vëmendjen dhe respektin në rend të parë për kurajon e një studiuesi koshient për vështirësitë e natyrave të ndryshme që shfaqën në trajtimin e çështjeve të ndjeshme dhe shumë të debatuara siç është çështja e kufijve etnikë Në fund të kësaj fjale dua të shpreh mirënjohjen time të thellë për personalitetin shkencor, akademik, qytetar dhe patriotik të profesorit të respektuar të përmasave ndërkombëtare Prof. Dr. Martin Berishaj. (Autori është anëtar korrespondent i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës) E ENJTE, 7 SHTATOR 2017

Javore KOHA

15


Turn static files into dynamic content formats.

Create a flipbook
Issuu converts static files into: digital portfolios, online yearbooks, online catalogs, digital photo albums and more. Sign up and create your flipbook.