Revista Edukimi 2

Page 1

Editorial PARADOKSE TË ARSIMIMIT NË SHQIPËRI Një organizatë joqeveritare ndërkombëtare para ca kohësh kishte bërë një njoftim për një vend pune. Në fakt, njoftimi nuk përcaktonte saktësisht punën që do bëhej, por kërkonte një CV të atyre që pretendonin ta merrnin atë vend pune. Mes shumë kandidatësh paraqitet edhe njëri që kishte mbaruar universitetin, madje kishte edhe dy certifikata master: njërin në “Studime Europiane” dhe tjetrin në “Marrëdhënie Ndërkombëtare”. Kur paraqitet për intervistë, e pyesin: Çfarë pune di të bësh? Ai kishte ngritur supet dhe tha: Unë nuk kam punuar asnjëherë, jam marrë me studime. Në fakt, absurdi te ky person nuk ishte vetëm se s’kishte bërë asnjë punë në jetën e tij, por se edhe ishte diplomuar dy herë me master në dy fusha pothuajse të barabarta, për shkencat politike. Kështu që, për organizatën që kërkonte një punonjës, ishte fare e qartë se ky punëkërkues ishte shumë i papërshtatshëm dhe, natyrisht, ai do ta kishte të vështirë të gjente një punë në institucione të pavarura. Por siç dihet, nesër ai mund të gjejë një punë në institucione qeveritare, meqë Shqipëria ka pasur edhe kryeministra që s’kanë bërë ndonjë punë ndonjëherë në jetën e tyre. Gjithashtu, nuk përjashtohet mundësia që mund t’i ketë blerë me çmime më të ulëta dy diploma, meqë i ka marrë me “shumicë”. Arsimi në Shqipëri ka vite që ndodhet në një kaos, pa platformë dhe program, duke sjellë kështu një prespektivë të zymtë të së ardhmes së vendit. Reformat e altertekstit, licencat pa kriter për arsimin në përgjithësi dhe atë të lartë në veçanti, janë kthyer në një problematikë shumë të rëndësishme në zhvillimin arsimor dhe ekonomik të vendit. Por kjo nuk është e besueshme për asnjë zyrtar të Ministrisë së Arsimit, përsa kohë këtë e thonë shqiptarët. Ama, kur këtë e thonë ndërkombëtarët, nga Ministria e Arsimit heshtet. Banka Botërore është një nga institucionet ndërkombëtare që paralajmëron qartë se “cilësia e arsimit është e dobët”. Madje, po sipas këtij institucioni, “ky nivel i dobët po kërcënon edhe rritjen ekonomike të Shqipërisë”. Në një raport të fundit të kësaj banke për vendin tonë thuhet se “Shqipëria ka një hendek të madh të punonjësve të arsimuar, krahasuar jo vetëm me vendet e zhvilluara, por edhe ato të rajonit. Aktualisht, Shqipëria ka numrin më të ulët të popullsisë që ka kryer studimet e mesme dhe ato të larta, vetëm 48.7 për qind nga 62 për qind që është mesatarja e Ballkanit”. ”Në fund të vitit 2009, mbi 51 për qind e firmave të mëdha në Shqipëri, veçanërisht eksportuesit, kanë raportuar mungesën e njohurive tek punonjësit si pengesën më të madhe të tyre”. Banka vëren se kjo situatë është kritike, pasi këto janë firmat të cilat janë burimi potencial i rritjes ekonomike në të ardhmen. Por pse ka disavantazhe të theksuara në kualifikimin e forcës punëtore, Shqipëria jo vetëm që nuk po investon më shumë se vendet e tjera, por përkundrazi shpenzon për arsimin shumë më pak se rajoni. Qeveria shqiptare ka dhënë në vitin 2009 për arsimin 3.5 për qind të Produktit Kombëtar nga 4.6 që është mesatarja e Ballkanit. Gjithashtu, shpenzimet për kërkimet shkencore janë në nivele të papërfillshme, vetëm 0.2 për qind e Produktit të Brendshëm Bruto ose minimalisht 10 herë më pak sesa mesatarja e BE-së. Banka Botërore citon në raportin e saj se “qeveria ka ndërmarrë disa reforma, të cilat kanë konsistuar kryesisht në hapjen e universitete, çka ka bërë që numri i studentëve të rritet me gati 2.3 herë krahasuar me vitin 2003. Por ekspertët e BB thonë se përfitimet e kësaj rritje rrezikohen nga ulja e mëtejshme e cilësisë në mësimdhënie”. Kjo është hera e parë kur një raport i detajuar për ekonominë po nxjerr arsimin si një kërcënim për rritjen ekonomike dhe ekspertët e Bankës Botërore thonë se e shpjegojnë këtë me faktin se tashmë që Shqipëria i ka ezauruar burimet e lehta të rritjes, arsimi do të jetë kritik. Pra, siç konstaton Banka Botërore, asgjë e mirë nuk ka ndodhur për arsimin në këto 20 vite. Përkundrazi, fëmijët po mësojnë me tekste alternative që s’kanë alternativë, ndërsa studentët më mirë se sa të mësojnë e të kulturohen, po zgjedhin mënyrën e lehtë të blejnë diplomat në “marketet-universitete” se sa të mësojnë të punojnë e të integrohen në një shoqëri që pretendon zhvillimin dhe arritjen e standardeve europiane.


KAKOFONI PEDAGOGJIKE Nga Bexhet Arbana Doktrina pedagogjike, si formë e ndërgjegjes shoqërore, zotëron një varg ligjesh dhe veçorish të përgjithshme, që janë karakteristike edhe për format e tjera të ndërgjegjes shoqërore, si shkenca, filozofia, morali, e drejta etj. Nga kjo pikëpamje nuk mund të ketë dallim midis pedagogjisë dhe llojeve të tjera të ndërgjegjes shoqërore; pedagogjia ashtu si dhe ato, është pasqyrim i realitetit objektiv, pra, një ndër format e njohjes dhe të pasqyrimit të këtij realiteti. Dihet se, kusht për ndryshimin e realitetit pedagogjik nëpërmjet veprimtarisë shoqërore praktike është njohja e doktrinës së edukimit dhe qëndrimi konsekuent në mbrojtje të vlerave të saj. Specialistët e afirmuar të edukimit, ndonëse të paktë në numër, pranohen publikisht si autoritetet më të spikatura e të pagabueshëm nga pikëpamja e formulimeve pedagogjike, pavarësisht se kundër tyre ngrihen sot një duzinë zërash të ngjirur të pushtetarëve injorantë, birboshë politikë, ca gërmadhave të prapambetura nga pikëpamja intelekto-profesionale. Mirëpo koha rrjedh, ide të reja futen në vend, por meqenëse nuk ka pasur dhe, mesa duket nuk do të ketë, ende, për një kohë talente të reja intelektuale, të cilët do të mund të qëmtonin, të projektonin e të zgjidhnin mjaft çështje të jetës edukative në vend, por dhe mjaft aspekte të errëta të dinamikës së zhvillimit pedagogjik, atëherë mbetet për t’u parë nëse specialistët e vjetër të arsimit, pas kaq e aq përballjesh e andrallash të mundimshme me faktorin politik e injorancën e përgjithshme dominuese, do të mund të arrijnë të elaborojnë saktësisht, pa frikë, mendimin e përparuar intelektual. Megjithatë duhet pranuar që, në një situatë pune dhe jete depresive, ata, asnjëherë nuk kanë mundur të shndërrohen në përfaqësues të denjë, progresivë, të epokës së pluralizmit e tranzicionit demokratik, e cila, në fund të fundit, nuk mundi kurrë t’i kënaqte sa duhet me sjelljet e reja pedagogjike. Me keqardhje konstatojmë se po kalojnë vitet, e reja po pranohet me mjaft vështirësi, nuk arrin të dominojë pa trazim mbi të tashmen, por që nuk mundet dhe t’i japë hakun së shkuarës. Fatkeqësisht, kështu ka ndodhur dhe vazhdon të ndodhë, gjithherët me pedagogjinë e pastabilizuar shqiptare, pavarësisht se ajo ka, jo më pak se 100 vjet jetë. E ashtuquajtura pedagogji e huazuar, e proklamuar me mjaft bujë, përndryshe e fotokopjuar nga sharlatanë të afishuar të arsimit, i shthuri, thuajse tërësisht, edhe ato pak mendje të ndritura intelektuale, i nxori ato nga binarët e origjinës, duke shkatërruar plotësisht fondamentin tradicional-autentik, prej të cilave ca kohë më parë mburreshim si arritje të konsiderueshme kombëtare. Idetë gjoja të “reja”, ca plagjiatura të përçudnuara, të turpshme, çanë anembanë hapësirës arsimore, sollën përmbysje të konsiderueshme teorike dhe gjetën jehonë në të gjitha nivelet dhe drejtimet e pedagogjisë së sotme. Formatime bazike të caktuara, në mënyrë të habitshme, janë ndërlikuar e ngatërruar aq shumë, saqë të duhet të përjetosh e bluash aq shumë me mend, për të mundur t’i zgjidhësh, pasi përveçse kërkojnë mjaft kohë për t’u marrë me to, por kërkojnë, gjithashtu, dhe një bazë hapësinore për t’u përligjur dhe operuar, dhe këto nuk janë të pakta për t’u zgjidhur, pasi, pa sqaruar këto enigma nuk mund të arrihet kërkund. Dhe, për më tepër, tërë këto paradigma, a nuk janë vallë rezultat i përplasjes së parimeve të gabuara me ato modernet, a nuk janë vallë ato përplasje midis dy mendësive? Gjithçka që shfaqet e “suksesshme” me të parën, që përcillet me lëvdata të fryra, nuk mund të jetë, kurrsesi, ndonjë zbulim i madh, pasi e rëndësishme dhe e “vlerë” është vetëm ajo që nxit “kompeticionin” e mendimeve të gjalla, intelektuale, që piqet dhe rritet në ndeshjen e pikëpamjeve, që afirmohet në kontraversion me vlerat e mëparshme. Të supozosh si shkak të këtij “rivaliteti” vetëm zilinë e suksesit të disave ndaj pjesës tjetër, do të thotë ta shohësh shumë ngushtë atë “shkak” që në esencë përveç se ndeshjes së pikëpamjeve e rrymave të ndryshme, përbën dhe garën e parimeve progresive moderne mbi motivet e deformuara e të gabuara. Vetëm specialistët me vullnet të fortë mund të shkëputen nga obligimet detyruese, formulat standarde, me te cilat janë rritur dhe edukuar; mirëpo edhe për këto lëvizja përpara, drejt horizonteve të reja, është e mbarsur me mendime shokuese, me metamorfozën e gjithë ekzistencës së tyre psiko-pedagogjike e morale. Entuziazmi për këta specialistë të fushës, ndonëse të paktë në numër, arrin gjer në pretendim e nderim ndaj çdo vlere pedagogjike përgjithësuese, pronë të tyren. Por “shokimi” ndodh edhe në rastin kur, papritur, i gjithë arsimi e kupton që “specialistët” e saj të edukimit, përveçse nuk janë profesionistë të vërtetë, por hapur, arrin dhe t’i paragjykojë ata dhe si njerëz të paaftë, të rëndomtë me retorikë bajate e që në substancë jo vetëm që nuk janë karaktere shembullore, por as edhe njerëz interesantë me ideale të mëdha e tipare pasionante mendimesh të thella, pra, në


njerëz të vërtetë. - Kështu, të vazhdosh të besosh, ende, në artikulimet e paprincipta teorike, të pseudospecialistëve, këtë pedagogjia shqiptare nuk besoj se do të mund ta toleronte edhe më tutje! Pikëpamjet e tyre konceptuale, sa të dyshimta e të gabuara, aq më pak funksionale dhe të asimilueshme, nuk do të mund të sedentonin në fondamentin e vlerave pedagogjike. Për pseudo-specialistët e arsimit nuk mbetet rrugë tjetër, pra, ose të pranojnë që gjatë gjithë karrierës së tyre të dyshimtë kanë mashtruar veten, ose nuk kanë kurajën e nevojshme për të rikuperuar gabimet e së shkuarës. Mirëpo, një kërkesë e tillë, mesa duket, e tejkalon natyrën “e çiltër “ profesionale, kështu që pjesa më e madhe e “specialistëve” të arsimit, e kanë më lehtë të “luajnë pjesën”, bëjnë sikur e kuptojnë të “pakuptueshmen”, sesa të pohojnë paaftësinë e tyre për të kuptuar. Dhe, kështu, pa u konstatuar, koha rrjedh natyrshëm, specialistët e vjetër të arsimit dalin nga radhët, të tjerë hyjnë në to, krahu indoktrinuar politik bëhet gjithnjë e më pedant dhe e kundërta tërhiqet. Dhe pastaj, pas rotacionit politik, me nderimin e pushteteve, vazhdon e përsëritet, pak a shumë, i njëjti avaz, që përbën dhe preludin e konflikteve intelekto-profesionale, ndërsa në qendër, si gjithmonë, mbetet zgjyra pa ekuivoke e vlerave të deformuara, mbeten gjithnjë në fuqi, specialistët e përmasave gjysmake, me fjalë të tjera, një duzinë njerëzish të paaftë, as “mish as peshk”, që i sjellin dëm të pallogaritshëm progresit të arsimit. Do të ishte thjesht marrëzi po të thoshim se në fushën e arsimit nuk i duhet kushtuar rëndësi e veçantë përmbajtjes së sistemit dhe zhvillimit konstant të kësaj përmbajtjeje. Përkundrazi, i duhet kushtuar shumë vëmendje. Pedagogjia, nëse nuk sjell inovacione të përmbajtjes, nuk mund të çojë në masën e mësuesve përmbajtjet e reja. Kritikat e forta që zhvillojmë në adresë të pedagogjisë politike dhe publicistikës pedagogjike në veçanti, kanë të bëjnë pikërisht me qëndrimet spekulative të mbajtura ndaj paraqitjeve të dyzuara e të deformuara të autorëve të saj, që nuk mund të tolerohen më tej, të inkorporohen në fondamentin shkencor të pedagogjisë. Deformimi i pedagogjisë evolutive në rrethanat e “transplantit” të diktuar politik, që ka marrë përmasa marramendëse, duket sheshit në përpjekjet e pareshtura që bëjnë autorët e saj për t’i dhënë joshje të re, përmbajtjeve të vjetra të dështuara, duke promovuar, me sforco, skarcitetet e tyre krijuese të evidentuara me kohë. Është duke ndodhur një proces degradimi shumë i veçantë, siç është spostimi i drejtimeve të përmbajtjes prej koncepteve bazë, pra, brendia me paraqitje teorike të deformuar është duke u shkëputur prej standardeve të pedagogjisë doktrinare, që janë të reja. Në një kohë kur, dihet nga të gjithë qe, vetëm përmbajtjet e reja pranojnë forma të reja. Ndoshta për vetë sensitivitetin që kanë çështjet e edukimit në sigurimin e një trajtimi më të mirë të problematikës arsimore, mbase do të duhej të përpunoheshin skema më të avancuara, dinamike e realiste në prurjet e reja pedagogjike. Kjo kërkesë përforcohet akoma më tepër teksa shfleton numrat e fundit të revistës “Mësuesi”, që, ç’është e vërteta, lënë shumë për të dëshiruar. Siç do ta shohim edhe më poshtë, ky botim krejt alogjik, me problematikë të kufizuar e të censuruar, botohet jashtë çdo standardi bashkëkohor demokratik, intelektual, profesional, shoqëror, por pse jo dhe politik (po të kemi këtu parasysh gabimet e rënda programore). Përgjithësisht, shkrimet e revistes “Mësuesi” në numrat 5-8.2010, pa kurrfarë mëdyshje do t’i konsideroja kakofoni pedagogjike. Në asnjë rast të vetëm nuk e tejkalojnë nivelin e shkrimeve mesatare, madje në një masë të konsiderueshme në 90% të tyre nuk përbëjnë kurrfarë prurje të re, cilësore. Pothuajse të gjitha i përkasin formatit tekno-metodik, me përjashtim të ndonjë rasti të rrallë, siç do ta përmendim në analize, që arrijnë të prekin dhe çështje të didaktikës. Dallohen për shkrime skematike me problematikë të varfër, tejet të ngushtë e të ngurtësuar, u mungon frymëmarrja jetësore që do të mund t’u jepte kuptim e vlerë shkrimeve, ndërsa për natyrën e tyre kritike as që bëhet fjale, a thua se në arsimin shqiptar nuk ekzistojnë kurrfarë situatash problemore, ngërçesh programore, arritjesh realiste. Shkrime stereotipe këto, përgjithësisht të papërjetuara e të mbështetura në fakte, që në esencë nuk të shkaktojnë kurrfarë joshje e nuk të lënë asnjë mbresë. Shkrime që, në asnjë rast të vetëm, nuk dallojnë për ndonjë stil të veçantë, të spikatur, të autorëve të tyre, që ngjajnë kaq shumë me njëri-tjetrin, saqë, në pamje të parë të duket sikur janë shkruar nga e njëjta dorë, njëlloj, sikur “sheh fikufikun e piqet e gjithë pema me fiq të krimbur”. - Kështu dallojmë për nivel të ulët shkrimin, “Hartimi i planit mësimor” (Nr.5-6) botuar nga Nazmi Xhomara (I.Zh.A) që në realitet përbën, thjesht, një udhëzim që, fare mirë mund t’u dërgohej DAR-ve dhe jo të zinte vend në revistë, pavarësisht se është shkruar me kujdes mbështetur dhe në referenca ndërkombëtare. Shkrime të kësaj natyre nuk flasin në asnjë rast për defektet e plan-programeve ekzistuese, dhe përse duhet ndërhyrë me sjellje të reja në përmirësimin e tyre!? - Ku qëndron problemi, nuk sqarohet gjëkundi?! - Me ç’argumente justifikuese provohet që këto intervenime janë domosdoshmërisht të nevojshme për lëndën? Të njëjtin karakter të dobët, udhëzues-këshillimor, që nuk e justifikon kurrsesi hapësirën e kërkuar në revistë, është dhe shkrimi me titull “Matrica e cilësisë në arsimin profesional” të autores Etleva Kaculi (A.K.A.F.P). Shkrime të karakterit informal (stereotip), që synojnë t’u japin mend vetëm atyre që nuk


kanë fare “haber” nga arsimi, janë dhe shkrimet: “Ç’janë testet e standardizuara” nga Afërdita Mëhilli; “Sjelljet problematike të nxënësve dhe menaxhimi i tyre” nga Elisabeta Prifti; “Fëmia parashkollor dhe personaliteti i tij” nga Donika Dervishi. Përgjithësisht, në etikën e artikulimeve të tyre mungojnë qëndrimet estetike në dhënien e mendimeve specifike për dinamikën e njohjes së jetës pedagogjike. - Shkrime të tjera të revistës si: “Analiza vjetore e shkollës dhe përmbajtja e saj” nga Simon Ibrahimi; “Si të hartojmë një plan mësimor në lëndën e gjuhës shqipe dhe letërsisë -XI” nga Nikolin Gjermeni; “Mësuesi, njohës dhe praktikues i mirë i gjuhës” nga Irida Hoti; “Departamentet e lëndëve në shkolla” nga Mevlud Buci; e ndonjë tjetër si këto, janë shkrime teknike, me tematikë të varfër, që nuk e tejkalojnë nivelin metodik. Dallohen për karakterin e tyre të ngushtë logjik, me perifrazime të ftohta spontane, pa jetë. Shkrime, këto, aspak tërheqëse për t’u faqosur në revistë. - Shkrime të tjera, thuajse, të papërfillshme, nga pikëpamja e argumentit tekno-metodik, madje, aq të dobët sa vështirë se do të mund të quheshin të tillë është, dhe ai; “Mbi mësimin dhe veprimtarinë e Inspektoratit Kombëtar të Arsimit Parauniversitar” të Robert Gjedisë, që, absolutisht, nuk përcjell asnjë mesazh real dhe më së shumti mund të klasifikohet si një skedar i certifikuar informativ sesa një shkrim i mirëfilltë e që, në këtë kuptim, më mirë do të ishte të mbahej në sirtar, sesa të botohej. - Shkrim me prurje të ulët është dhe ai me titull “Roli i mësuesit në vlerësimin e jashtëm të kurrikulës” i Antoneta Ramës (I.K.A.P.), shkrim ky në të cilin autorja vetëm jep këshilla dhe rekomandime, filozofon në mendjen e saj dhe bën ca teorira të pambështetura në fakte. - Nga do ta mësojë i gjori mësues se rekomandimet këshilluese të specialistes, posaçërisht adresuara atij, janë domosdoshmërisht të vlefshme për të?! Po ashtu edhe specialistja tjetër Mimoza Berisha (Thaci) në artikullin skematiko-udhëzues “Çfarë presin prindërit nga mësuesi” bën të njëjtin marifet, jep vetëm këshilla e rekomandime. - Po përse vallë ndodh që shumica e specialistëve diktojnë në këtë mënyrë? - Mos vallë ndjehen më të zot se mësuesit e thjeshtë, ndaj mendojnë se kanë të drejtë t’i tërheqin për veshi me këshillat e tyre?! Në qoftë kështu, atëherë do parë seriozisht qëndrimi i tyre paragjykues në marrëdhënie me mësuesit. - Apo gjykojnë se kjo është e vetmja rrugë për të justifikuar pagën e pamotivuar, që përvetësojnë çdo fillim muaji, duke shkruar shkarravina të tilla?! Cilido mësues, i interesuar për çështje të caktuara të arsimit, mjafton të klikojë në internet, për të vënë në dispozicion të vetes, një mori pa fund shkrimesh problemore të karakterit pedagogjik, pa ndërmjetësinë e askujt. Gjithsesi, në përfundim të kësaj “terapie” pedagogjike, do të doja të ritheksoja se shkrimet me prurje kaq të dobëta (uroj të jenë të vetmet) nuk e motivojnë, kurrsesi, jo vetëm botimin e “Revistës Mësuesi” por, madje, dhe përfshirjen e pajustifikuar të specialistëve, cilëtdo qofshin ata, në institucionet e specializuara, shkencore të arsimit. Për sa thamë më sipër, kjo mund të jetë vetëm njëra anë e dukshme e problemit të komunikimit të specialistëve me opinionin pedagogjik, ndërsa ana tjetër e tij, e padukshmja, qe konsiston në marrëdhëniet e tyre, gjithëpërfshirëse, me politikën, i shtyn ata të shprehen njëlloj si me gjuhën e matrapazëve profesionistë. Me këtë, sjellje të tyren përpiqen të joshin rreth vetes një numër sa më të madh simpatizantësh injorantë, të cilët në sajë të mangësive të theksuara profesionale, të paaftë të krijojnë gjësendi vetë, janë gati t’i “lëpihen” kujtdo që u sjell përfitime mbështetëse. Me ta bashkohen dhe ca specialistë të mirënjohur të formatit të vjetër, të cilët në kohën e tyre s’kanë qullosur asgjë të hairit, veçse kanë gajasur opinion arsimor, me “krijimtarinë” e tyre të kopjuar, me “arritje” të paqena, me analiza profesionale qesharake, me shkrime të karakterit moralizues në nivel adoleshentësh, me të cilat kanë mbushur plot e përplot, për një periudhë të gjatë shtypin pedagogjik të kohës. Pikërisht këta “karagjozët” e arsimit, përndryshe “kalorësit e fytyrës së vrerosur”, të periudhës para dhe post komuniste kanë mundur t’ua transmetojnë mirë zanatin e “hileqarit” edhe kontingjenteve më të reja të pseudospecialistëve, të cilët, duke marrë për model formatin e tyre të punës, duke ecur në po të njëjtat gjurmë, e orientuar në të njëjtat linja me ta, nuk hezitojnë të “promovojnë” krijimtarinë e tyre të pabesueshme, skandaloze, talentin e tyre imagjinar, gatishmërinë e tyre për të deformuar, përmes shkrimeve të pavërteta, realitetin pedagogjik në vend, duke u mburrur para partisë-shtet, me arritjet e tyre të papërfillshme, aspak të sinqerta. Nuk hezitojnë të mbrojnë interpretimet e tyre qesharake mbështetur në referencat e filan-fistekut, çfarë ka shkruar filan specialist ndërkombëtar, si është shprehur filani në filan paragraf të shkrimit të tij etj,. etj. Shkruajnë broçkulla pa fund, pa mend në kokë, ashtu kot, sa për të thënë. Artikull pas artikulli bëjnë apologjinë e shkrimeve të huaja, përbuzin çdo gjë novatore e të talentuar në vend, arritjet i quajnë dështim, talentin zvetënim; ndërsa sentencat të zgjedhura me kujdes nga botimet e huaja, i shesin për arritje personale, thjesht për të nxjerrë në pah “aftësinë” e tyre inekzistente. Por medet! Asgjë nuk i shpëton dot nëpërmjet shkrimeve, paçavure, në revistën “Mësuesi”, pa u pikasur nga “opinioni” për verbërinë dhe mendjengushtësinë e tyre tradicionale. Me inkopetencën e tyre, shprehur përmes fakteve e arsyetimeve të trilluara, meken, gojëhapur, për


“thellësinë” e mendimeve, tronditen me “gjenialitetin” e tyre profesional, habiten me inteligjencën e diturinë e tyre të pakrahasueshme, kremtojnë fitoret e tyre imagjinare mbi ekskluzivitetin e arritjeve arsimore. Por medet! - As kjo nuk i ndihmon shkrimet e tyre të cilat as i hap e as i lexon njeri, kurse revistës, më tutje, po i humb dhe interesi për lexim! - Në fakt mirë bëjnë që shkruajnë, se marrin atë që meritojnë! Ndoshta i vetmi që i lexon, jo nga malli, por nga halli, mesa duket, jam vetëm unë që guxoj të shkruaj kritikë. Përgjithësisht, për artikulimet e specialistëve deficentë mund të shkruhen volume të tëra, që padyshim do të përbënin një vepër psiko-pedagogjike, mbase mjaft interesante. Megjithatë, lipset të pohoj se ndryshimi thelbësor mes bindjeve të specialistëve intelektualë, të talentuar dhe atyre me bindje gjysmake, mediokre të kufizuara, qëndron në faktin se bindjet e të parëve burojnë veçse nga e vërteta, ndërsa bindjet e të dytëve nga egoizmi meskin dhe vakuumi intelektual i definuar. Njeriu me “mend” dyshon vazhdimisht për gjithçka e për çdo gjë dhe ky dyshim rrallëherë ia dobëson energjinë e bindjeve të tij që e nxisin vazhdimisht t’i hedhë këto bindje në letër. Ndërsa “specialistët” mediokër, në të kundërt, besojnë në mënyrë fanatike në çfarëdolloj gjepurash që fantazojnë e artikulojnë, për të vetmen arsye se ato ose kanë lindur nga truri i tyre shterpë, ose ia kanë huazuar diku gjetkë. Ndaj, shpesh, këta fanatikë naivë, me zellin e leshkove mendjelehtë, as që u shkon nëpër mend që gjithfarë paçavuresh të shkruara për nevojat e arsimit, nuk i kanë të tyret, por u janë grabitur, mjerisht, specialistëve të cilësuar si të tillë, prandaj dhe nuk ndalen para asgjëje për rrëmbimin e flamurit të arritjeve të pamerituara, duke u kapur paturpësisht pas këtyre “ideve të huaja”, sikur t’i kishin ato të vetat. Porse ky origjinalitet “behavor-izmi” sipërfaqësor ngjan veçse me shkëlqimin e varakut. - Nis të lexosh shkrimet e tyre dhe për pak sa nuk harron se për çfarë dhe përse lexuat! Mendimet e artikuluara vërtiten në këto shkrime si një tërkuzë e gjatë fjalish të stërholluara, të mërzitshme, pauzash të racionuara, interpretimesh të rafinuara, pikëpamjesh të dyshimta, të kthyera nga të katër anët, të tjerra në pasazhe të tëra, duke i mbushur me sinjifikacione të pabesueshme. Sjelljet e tyre janë me aq shkapërdredhje, shquhen për një bollëk kaq të madh falsitetesh, zmadhimesh, saqë është e pamundur të mos befasohesh nga tërë kjo larushi, nga tërë këto përthyerje, nga tërë këto interpretime informative të panevojshme e të pakuptimta dhe kjo molepsje nuk do të mund të marrë fund kurrë, nëse ata, edhe më tutje, nuk do të mund të shtrojnë para vetes pyetjen e thjeshtë se: ç’përmbajtje kishte “xhanëm” ky shkrim i harlisur dhe i ngatërruar me fjalë boshe, ambicie të fryrë, mendime të pavlera? Kujt do t’i vlente, në fund të fundit, ky shkrim antivlerë?! Megjithatë, krahasimisht me faktet e sipërpërmendura, vlen të theksohet se hasen në brendi të revistës dhe një numër jo i pakët shkrimesh të arrira (pa përmendur të gjitha), që i japin larmi dhe vlerë revistës “Mësuesi”, ndonëse në masë të konsiderueshme, pranohen si botime të nivelit mesatar. Me këtë që them nuk kam parasysh dobinë e tyre profesionale, por formatin e tyre cilësor brenda kornizës së lëndës së metodikës që, në asnjë rast nuk e kalon këtë kufi, pra, të mund të arrijnë standardet didaktike. Sa i përket kritikës pedagogjike, të adresuar, qoftë institucionale apo dhe individuale, paralele apo vertikale, as që flitet në këto shkrime. Gjithsesi, shkrime të mira, mbështetur në përvoja pune të gjalla, në përjetime dhe eksperienca personale, por dhe tërheqëse e interesante, mund të përmendim shkrimet e Besnik Ramës (MASH) “Mësuesi i gjuhës shqipe në diasporë”; shkrimi tjetër botuar nga Arjan Shahini dhe Dhimitër Bako (MASH) “Partneriteti publik-privat në arsim” ndonëse një shkrim profesional me tipare strikte (të ngushta), por, ama, me vlera informative përsa i takon njohjes së situatës aktuale në arsimin privat dhe drejtimet e menaxhimit të tij. Shkrime të tjera të goditura me karakter informues, por të kufizuara nga pikëpamja e performancës pedagogjike, stilit të të shkruarit, të ngjashme me shkrimin “kuneiform”, janë dhe punimet “ 10 këshilla për menaxhimin e suksesshëm të klasës” nga Mimoza Berisha-Thaci (AVA) si dhe shkrimi “Metoda bashkëpunuese në arsimin gjithëpërfshirës” nga Elisabeta Kafia (U.Kristal). Shkrime të tjera me nivel të kënaqshëm përshkrues-informativ janë dhe “Ora e mësimit është laborator” nga Isa Ferizaj; shkrimi i spikatur-cilësor “Kurrikula jonë e matematikës dhe testet ndërkombëtare të PISA-s” nga Agron Tato (UE “Aleksandër Xhuvani”); Shkrimi tematik “Mësuesi, zemra e tolerancës” nga Bashkim Saliasi; shkrimi suksesshëm--”ELTA” nga Shpresa Delia dhe së fundi shkrimi mbresëlënës, i veçantë për nga prurjet interesante e që e meriton denjësisht klasifikimin në revistë është, pa mëdyshje, shkrimi “Institucioni i shkollës në kontekstin socio-politik” nga Hajdin Morina. Përveç sa thamë, këto shkrime dëshmojnë dhe faktin që autorët e tyre, duke zbuluar një dukuri të re, nuk fiksojnë vetëm momentin e veçantë të dukurisë, por e paraqesin atë në proces, në lëvizje e zhvillim, mbështetur dhe në një rikonceptim të ri, të korrigjuar. - Por me gjithë morinë e madhe të shkrimeve të revistës (të cituara ose jo) është njëri që më tërheq më shumë vëmendjen, e bën përshtypje të veçantë, shkrimi “Mbi menaxhimin e shkollës” përshtatur nga Vladimir Pasku. Nuk do të doja të merrja në analizë të veçantë “vlerat” e këtij shkrimi të


“çuditshëm” nga pikëpamja e interpretimit problemor, as referencat mbështetëse, që artikulohen si prurje të “arrira”, të autorëve të huaj, për të bindur lexuesin e interesuar për “saktësinë” e kësaj përshtatjeje të errët, madje as dhe vetë autorin e saj, të keqinformuar për këtë problem, të cilin e njoh prej kohësh dhe e çmoj për vlerat dhe kontributin e tij profesional. – Por, sinqerisht, nuk arrij ta kuptoj, se ç’ka dashur, ky zotëri “inkopetent”, të ngatërrohet me një çështje “reformative” kaq delikate siç është autonomia e shkollës, të cilën, me siguri, jo vetëm që s’e njeh, por dhe as që e ka idenë se për çfarë bëhet fjalë!! - Më duhet të pohoj, qysh në fillim, që projekti esencial i realizimit të autonomisë së shkollës është produkti më i rëndësishëm, në mos vendimtar i reformës arsimore në vend. Ndaj dhe inkopetenca ne artikulimin e gabuar teorik të kësaj çështjeje të jashtëzakonshme (esenciale) është e pafalshme për një specialist me pretendime karrieriste. Edhe një herë do ta nënvizoja me forcë që çështja e autonomisë së shkollës nuk është një çështje suplementare e reformës arsimore në vend, por një çështje vendimtare e saj. Ky shkrim për nga rëndësia tejet e veçantë, nuk duhej injoruar për në fund-faqet e revistës, si një shkrim i mbetur plotësues, por duhej vendosur në krye të saj dhe kjo jo thjesht për vlerën e jashtëzakonshme programore-reformative, por dhe për faktin se është i vetmi shkrim (ndonëse interpretuar pasaktësisht), që tejkalon kufijtë e zakonshëm profesionalë, duke u përfshirë në kategorinë e shkrimeve cilësore (didaktike), të pedagogjisë politike. Ç’është e vërteta, kjo “kafshatë” e ashpër nuk është për “dhëmbët delikatë” të Vladimir Paskut. Do të kërkoheshin të tjera “mekanizma” për të vënë në lëvizje këtë projekt gjigant, të jashtëzakonshëm, politikoshoqëror dhe ekonomik. Ndaj sentenca e cituar e Ajnshtajnit që; “Më lehtë është të ndash bërthamën e atomit, sesa të thyesh një mentalitet”, do të ishte më se e mjaftueshme për të justifikuar “vetveten” në këtë sipërmarrje të pamundur dhe për të shmangur çdo keqinterpretim të mëtejshëm në trajtimin e tij. Është e pafalshme, mjaft e gabuar, madje qëndrim i papërgjegjshëm të deklarosh, edhe më tutje që: “Disa ndryshime që janë duke ndodhur krijojnë kushtet për të diskutuar për nivelin e kësaj autonomie. Le të fillojmë me decentralizimin e sistemit. Ka disa kompetenca që i kanë kaluar autoriteteve arsimore lokale dhe pushtetit vendor. Mirëmbajtja e shkollave, administrimi i konvikteve janë elemente të fortë decentralizues. Do të doja t’i rikujtoja z.Pasku që këto kompetenca që, mbase artikulohen qëllimisht, kanë ekzistuar qysh në kohën e “qepës”, të socializmit. Ndërsa më tutje vazhdon; “Nëse zbresim në nivelin e shkollës, nuk mund të themi se shkollat nuk kanë autonomi. Mund të pranojmë se ato kanë një autonomi të kufizuar që tenton të jetë e moderuar. Kështu, mësuesi ka fituar të drejtën që të vendosë të zhvillojë një kapitull ose një linjë lëndore deri në 10% më shumë ose deri në 10% më pak orë mësimore, kundrejt numrit të orëve të parashikuara në programin përkatës lëndor. A thua e ka me të vërtetë, me ato që thotë apo tallet me aludimet e tij!! Po pse, vallë, autonomi konsideron ai veprimtarinë metodike të mësuesit?! Do të doja t’i rikujtoja edhe një herë z.Pasku se, për momentin që flasim, shkollat dhe mësuesit jo vetëm nuk kanë fituar kurrfarë autonomie, por në të kundërt, arsimi në gjithë sistemin e tij, është politizuar dhe centralizuar gjer në atë masë nga pushteti qendror, saqë është krijuar vërtet një situatë shpërthyese, e padurueshme. Dhe ky pohim nuk është vështirë për t’u provuar në qëndrimet e sotme politike. Sa i përket problemit tjetër, të lirisë pedagogjike apo akademike të individit, në zhvillimin e lëndës mësimore, as nuk ia vlen të përmendet, pasi jemi aq mbrapa, saqë nuk krahasohemi dot as me vende të tilla të botës së tretë si; Ruanda, Kenia, Algjeria, Maroku, Uganda, Mozambiku, Nepali, Bangladeshi, Birmania, Tajlanda, Kamboxhia, Nepali, Mongoilia, Panamaja, Ekuadori, Nikaragua, Kolumbia, Paraguaji, Bolivia, madje gjendemi, akoma, shumë më pas dhe vendeve të tilla social-komuniste si Kuba, Vietnami, Laosi, Kina, Korea e Veriut, etj etj. Ndërsa krahasuar me botën e zhvilluar perëndimore, nuk besoj të mos ta dijë z. Pasku dhe gjithkush tjetër që mendon si ai, që jemi aq larg me këto vende, saqë vështirë se do të mund të gjendej një tjetër njësi mase, veç kilometrit apo miljes, për të përllogaritur saktësisht, distancën dritë-yje që na ndan me ta. - Kujtoj se italianët përdorin një shprehje mjaft sinjifikative për të shprehur mosbesimin e tyre ndaj gjithçkaje të keqartikuluar. Ata, jo rrallë i dëgjon të thonë:”se non tocca e non lo vedo, non ci credo”, tani është radha e shqiptarëve ta verifikojnë këtë të vërtetë, pas liberalizimit të sistemit të vizave me Europën, për të kuptuar se në çfarë “qameti” të hatashëm e ka katandisur politika e mbrapshtë arsimin shqiptar. Përgjithësisht, bindjet e specialistëve me formim të “kufizuar” shprehen me një tablo “arritjesh” sa qesharake, aq edhe mjerane. Paaftësia e tyre kuptimplote, intelektuale, përgjithësisht përfundon me dështim profesional dëshpërues. Ndryshe paraqitet tabloja e njerëzve të “shkathët”, që përgjithësisht u shkojnë punët “vaj”, veçanërisht nëse dinë të ndalen në kohë, të heshtin apo të shprehen kur e kërkon puna. Arsyeja për të drejtuar programet pedagogjike që u besohen, nga partia-shtet, u futet kaq thellë në gjak, sa bëhet po aq e fuqishme sa dhe etja për fitim. Kjo i detyron ata që tërë kohës të përsërisin të njëjtën gjë, të shprehen, pra, për


meritat e tyre, për frymën e përgjegjësisë, për zilinë, injorancën, ligësinë dhe mungesën e talentit të kundërshtarëve të tyre politikë. Sjellja e tyre lexohet në fytyrë, në mënyrën e të folurit te “sigurt”, të ecurit kryelartë, në të veshurën fshatçe, në nënqeshjen e tyre të djallëzuar, mjaft kuptimplote. Nuk mungojnë të miklojnë opinionin me arritje imagjinare në fushën e arsimit dhe ç’është kryesorja, mburrin veten pa “pikë turpi” e në mënyrën më të paskrupullt, që mund të imagjinohet. Të njëjtin program (reformë), herë i dëgjon ta shajnë tinëz dhe herë e lavdërojnë hapur, duke u nisur nga gjithçka konstatojnë brenda saj. Aq më tepër që ata e dinë fare mirë që e keqja më e madhe zgjat vetëm tre ditë, se artikulimet e tyre vetëm një ditë kanë jetë dhe të nesërmen harrohen, kështu që ka pak gjasa që opinioni t’i mbajë mend të gjitha digresionet dhe të gjitha dallaveret që bëhen në lidhje me reformën. Çfarë mund të mendosh tjetër për ta, veçse të rikujtosh fjalën e urtë popullore: “Bir Selmani i nënës, kë të qaj më parë”!! -Ndërsa, sa u përket bindjeve e parimeve, ata nuk kanë punë me to, ata e dinë fare mirë se çdo ditë e re është një “nafake” e re. Ndaj dhe çdo ditë i gjen të mbrujtur me “bindje” të tjera. Vetëm në një pikë ata i mbeten besnikë vetes: në armiqësinë që ndjejnë kundrejt çdo suksesi, ku nuk janë pjesë edhe ata, qoftë ky teorik, material apo shpirtëror. Pikërisht ky është fenomeni më se i zakontë, që haset kudo, pavarësisht se për çfarë dhe për kë bëhet fjalë dhe kjo vërehet jo vetëm në fushën e arsimit, ku shtypi, i klasifikuar partiak, ka përqendruar, thuajse, të gjitha interesat e plekjes “qeveritare” antidemokratike. Kështu ndodh zakonisht edhe me të gjitha botimet e karakterit pedagogjik. Specialistët nuk duan t’ia dinë që shkrimet e tyre “paçavure”, nuk i lexon askush; përkundrazi, ata bërtasin më fort se kushdo për meritat e tyre, duke e ditur se lexuesi i specializuar nuk do të dëshironte të verifikonte “meritat” e tyre të dyshimta e të paqena. - Por si mund të pyesni ju, mbahen ata të mbrojtur kaq gjatë? - Shumë thjeshtë: si militantë partiakë të shkathët, dallkaukë të pacipë, ata kujtohen të shkruajnë here pas here, ndonjë gjë, mundësisht të porositur, në ndonjë nga organet e specializuara si revista “Mësuesi” apo revista pedagogjike, sidomos kur ndjehet nevoja për ndonjë shkrim të karakterit programor-politik, në mënyrë që opinioni të mund t’i përtypë të tjetërsuara “llokumet” e ofruara nga pushteti e, për më tepër, kur dihet që kritika pedagogjike i mungon krejtësisht tregut mediatik. Ndaj, theksojmë që në themel të këtyre shkrimeve, gjoja profesionale, ndjehet fryma e mashtrimit, skepticizmit dhe përqeshjes, që ngjasojnë me ca analiza-fejton, që merren me çikërrima, që s’bëjnë tjetër veçse zgjasin agoninë e paralajmëruar të rrënimit, të pashmangshëm. Për të qenë sa më të besueshëm, këtyre nuk u mjafton vetëm shkathtësia për t’u “përdredhur” apo për ta “dredhur, por u duhet të shprehin në një masë të caktuar edhe një farë skepticizmi të shtirur në rast të ndonjë dështimi të mundshëm. Por gjer ku shtrihet skepticizmi dhe karagjozllëku i tyre profesional?! - Mbi çdo gjë që është e shenjtë, serioze, e padiskutueshme, mbi çdo gjë që përbën botën e madhe të doktrinës shkencore, mendimit pedagogjik të avancuar. Ndokush dhe mund të mos besojë në faktin që ata gjithçka apo shumëçka i quajnë gjepura. Tallja me çështjet thelbësore të edukimit i zbavit ata, pa pasur nevojë të preokupohen apo lodhin trurin për të depërtuar, sadopak, në thelbin e çështjes. Ndërsa njerëzit progresivë, ata i shohin nën sfondin e specialistëve ziliqarë, intrigantë, kopukë, egoistë, xhahile, maskarenj: kaq mjeshtërisht ia dalin mbanë me këto përcaktime, saqë vështirë të duket se ekziston vërtet njeriu i talentuar në këtë vend. Në rastet kur vetë faktet bien në kontradiktë të hapur me pikëpamjet e tyre subjektive partiake, mbi të gabuarën në arsim, ata e thyejnë me guxim realitetin e fakteve, i kthejnë ato përmbys ose duke u mbështetur mbi pseudo-diturinë e tyre, trillojnë fakte të paqena ose e mohojnë fare ekzistencën e tyre të vërtetuar, duke iu referuar për këtë disa gjoja pikëpamjeve të reja të huazuara. Por s’është vetëm kjo me të cilën ata ngushëllohen. Me veprimet e tyre ata përpiqen të provojnë se pedagogjia është një grumbull dokrrash, shpikje e trilluar e njerëzve të “shkundur nga trutë”, se arsyeja, gjëja me të cilën mburret pedagogjia, s’është tjetër veçse një mashtruese e opinionit, që e heq për hunde, se sistemi i njohjes është shpikur nga të diturit për të errësuar të vërtetën, se mund t’i dish të gjitha pa kapur libër me dorë e pa mësuar asgjë, vetëm duke lexuar broçkullat që shkruhen në revistën “Mësuesi”, ku predikohen parime të tilla të lehta për t’u gëlltitur, si fjala vjen; që e vërteta, nuk ekziston, se vlerat pedagogjike janë substrake konvencionale, se specialistët konsekuentë janë sharlatanë, që filani s’është tjetër, veçse një batakçi finok, që ua mori mendtë opinionit me pikëpamjet e tij intelektuale e të tjera broçkulla të kësaj natyre. Ndaj, ashtu, fët e fët, sharlatanët e pushtetit, për kundërpeshë, sajojnë “personalitetet” e tyre, u japin nota vlerësimi “monstrave” të tyre politikë, lakenjve pa kapacitet e pa personalitet, të çdo kallëpi e niveli, mjafton të jenë PD-istë. Këtë e bëjnë me lehtësi e kënaqësi, hera-herës i mëshirojnë, herë të tjera u heqin veshin, i bëjnë të dridhen para tyre, shkruajnë ç’t’u thonë ata, bashkëjetojnë me gënjeshtra të shpallura e, të pashpallura që s’kanë të sosur. Ndryshe nuk do të mund ta shpjegoja çalltisjen mendore, të përmbledhur në një ekstrat të shkrimit “Reforma e reformave në arsimin parauniversitar” të një mësuesi PD-ist, leshko i indoktrinuar, nga shkolla e mesme e Sarandës me emrin Hamit Taka, që kërkon të na


mbushë mendjen se: “Lista e reformave në fushën e arsimit gjatë periudhës postdiktatoriale mund të jetë nga më të gjatat dhe me një shpejtësi marramendëse. Janë bërë reforma të suksesshme, që kanë përmirësuar dukshëm legjislacionin, kurrikulat, strukturën, infrastrukturën, programet dhe metodologjinë për një arsim më cilësor parauniversitar. Po ashtu, janë bërë dhjetëra shkrime, emisione e debate televizive për stadin e arsimit demokratik në vendin tonë. Megjithatë të gjithë kanë anashkaluar, përgatitjen bashkëkohore të mësuesve të rinj, që unë (lexo: leshkoja) do ta konsideroja reformën e reformave në arsimin tonë, i shpallur përparësi e përparësive në programin e qeverisë demokratike”. Sinqerisht, po shprehem për herë të parë se, kurrë ndonjëherë nuk kam pasur rastin të lexoj marrëzira të shpallura në një mënyrë kaq hipokrite, të djallëzuar, nga një mësues mashtrues gjimnazi si ky, leshkoja i Sarandës. Mjafton vetëm citimi i këtij fragmenti, kuptimplotë, për të kuptuar se, as që ia vlen të merresh me të dhe gënjeshtrat e tij, të pakonceptueshme për një mësues të civilizuar e jo më t’i dedikosh 2 faqe të plota, në krye të revistës “Mësuesi”. Pa dashur të hyj në hollësira të tepërta, fjala ime e vetme për këtë mësues të dështuar e të pashpresë, i rrallë në llojin e tij, është vetëm kjo: “No coment”. Por jo më pak revoltuese janë dhe deklaratat e drejtoreshës delirante - euforike, të DAR-it të Lezhës znj. Shpresa Hoxha. - Ja çfarë deklaron ajo në intervistën e saj dhënë revistës “Mësuesi” për hapat e reformës në Lezhë: “DAR-i Lezhë ndërmori disa nisma konkrete për përmirësimin e kushteve të shkollimit. Me ndërtimin e dy shkollave të reja në qytet, një 9-vjeçare dhe tjetra e mesme, shpresojmë që këto probleme të zgjidhen përfundimisht. Gjatë këtij viti DAR ka identifikuar probleme të shumta në trajtimin e kuadrit mësimor, të tilla si shpërndarja e padrejtë e personelit sipas profileve, ndarje e parregullt e ngarkesës mësimore, lëvizjet e pamotivuara, të cilat nxorën në rend të ditës nevojën e ngutshme për rishqyrtimin e mjaft prej këtyre problemeve. Kriteri i vetëm i përmirësimit të lëvizjeve të bëra ka qenë profesionalizmi dhe përkushtimi në punë”. Këto, pra, janë gjithë-gjithë reformat arsimore të perceptuara nga drejtoresha butaforike e Lezhës. - Mos vallë i ka thënë seriozisht këto gjëra?! - Vërtet nuk do të doja ta besoja në fjalët e intervistës! - Por, gjithsesi, nëse këto pohime janë të vërteta, atëherë s’më mbetet tjetër veçse të pohoj këtë; mjerë arsimi i Lezhës që drejtohet nga një militante partiake, aq injorante saqë s’është në gjendje të dallojë dhe relacionet më elementare të punës rutinë, me përmbajtjen e vërtetë të reformës arsimore!!! – Por, nëse edhe drejtorët e tjerë, në qarqe, kanë të njëjtën shkallë formimi dhe informimi, atëherë, pa hezitim, mund ta informonim, zotin ministër, se “reforma arsimore në vend i ka lënë shëndenë”! - Vaj medet arsimi, thuaj, në dorë të kujt ka rënë!! Por ajo ç’ka më zemëron më shumë e më bën të ndjehem keq, janë, padyshim, deklaratat krejtësisht të papërgjegjshme të një specialisteje të quajtur Elsa Balliu, e cila shkon edhe më larg me gënjeshtrën e saj skandaloze, në shkrimin me titull “Vlerësimi i punës së mësuesit”, kur pohon se “Legjislacioni i ri merr përsipër jo vetëm të vlerësojë punën me mjetet e përshtatshme, duke mënjanuar politizimin dhe ideologjizimin, por dhe balancon me kujdes elementet emocionale të stimulit me përfitimin material”. - Gënjeshtër më të paturpshme se kjo, shkruar “e zezë mbi të bardhë” as që mund të imagjinohet të dalë nga dora e një specialisti!! Është e pafalshme për një revistë të specializuar, serioze, të marrë përsipër botimin e paçavureve të tilla të pavërteta, thellësisht politike e antidemkratike! Është një guxim vërtet i tepruar!! Në këtë refleksion timin nuk besoj se shkelen të drejtat e njeriut e as censurimi i fjalës së lirë, e aq me tepër antagonizmi im personal për shkak bindjesh politike të caktuara apo për çfarëdolloj arsyeje tjetër të paragjykuar, përkundrazi, si nga pikëpamja njerëzore, ashtu dhe formimit tim, jam përcaktuar prej kohësh si një kundërshtar i afishuar ndaj çdolloj forme diskriminim, por kjo, ama, nuk do të thotë aspak se po për këto arsye të hesht e të mos denoncoj gjithfarë mashtruesish gënjeshtarë, batakçinjsh të paturpshëm, që shpërdorojnë, fare hapur, fjalën e lirë, që spekullojnë rëndë me tolerancën dhe mirëkuptimin shoqëror, që u ofrohet. Nga të gjitha llojet e poshtërimit, më përbuzëse për natyrën e një specialisti është kur ai vazhdon ta shtyjë gjithë kohën me gënjeshtra, ndërkohë që tashmë të gjithë arrijnë të kuptojnë sjelljen e tij të neveritshme. Nuk e ndihmon dot atëherë asnjë lloj marifeti, përpos që edhe shkrimet e veta marrin tatëpjetën. Vetëm budallenjtë dhe njerëzit mediokër mund t’u besojnë shkrimeve si ato që përmendëm më lart, për të vetmen arsye sepse, ata vetë, nuk janë në gjendje të studiojnë asgjë. Njerëzit e thellë, përkundrazi, janë skeptikë nga natyra, veçse skepticizmi i tyre është shenjë e një shpirti të etshëm për dije dhe jo tipar nihilizmi për gjithçka shkruhet, qofshin ato dhe të pasakta, të paqarta e me gabime por, ama, kurrsesi nuk mund ta pranojnë në koshiencën e tyre gënjeshtrën. Sa më tepër ta dojë njeriu të vërtetën, aq më tepër e studion atë, aq më me kujdes e pranon. Skepticizmi i njerëzve kërkues nuk e mohon të vërtetën, por mohon vetëm atë gjë të rremë e të kufizuar që mund t’i kenë ngjitur asaj njerëzit që nuk i shërben kërkujt.


Gjëja e vetme që do të kërkonim nga një botim pedagogjik është që ai ta joshë lexuesin me molepsjen e vet intriguese. Kjo molepsje mund të jetë dhe një trajtim i vagullt, që nuk do të thotë kushedi çfarë dhe në njëfarë mënyre mund të jetë dhe një trajtim krejt formal. Pavarësisht se vetia “ngjitëse” e një shkrimi profesional mund të jetë dhe e kufizuar për arsye objektive, vetjake, profesionale ose shoqërore. Temat që nxisin më shumë mendimin nuk janë medoemos më të mirat. Specialistët jo gjithmonë shprehin mendime të mirëfillta profesionale. Përkundrazi! Ka krijime pedagogjike të mrekullueshme që nuk prekin, absolutisht problemet kardinale të arsimit. S’ka se si të mos na bjerë në sy që kjo pleksje ndodh si me nivelin më të ulët të metodikës, ashtu dhe në nivelin më të lartë të krijimtarisë pedagogjike, me didaktikën, po ashtu ndodh dhe me kompleksin e të gjitha rrymave të doktrinës së edukimit, nëse marrim për pikënisje produktin pedagogjik në kuptimin e mirëfilltë, atëherë, sigurisht, është e vështirë të diktosh mendime personale për këto çështje. Mund të marrim një shembull nga metodika. Specialistë të njohur bëjnë përpjekje të vazhdueshme, të paktën qysh prej dekadës së fundit për të arritur në një krijimtari funksionale, shembullore. Ata janë të mendimit, për ta përmbledhur në pak fjalë, që gjithçka praktike e mbështetur në teori është shoqërisht e vlefshme. Mirëpo është interesante të shënojmë se cili është mendimi i specialistëve të “kualifikuar” ndaj këtij arsyetimi. Sepse ata, në shumicën e tyre, i refuzojnë këto “përcaktime profesionale” . Atyre u duket se këto shkrime nuk janë më të mirat e mundshme, i konsiderojnë falsitete ose deformime që prishin strukturat e reja funksionale (standardet) se nuk parapëlqehen e janë pa fantazi. Tërë kjo u lë një shije të hidhur. Përse vallë ndodh kështu? Më bën shumë përshtypje, madje, më duket e habitshme, teksa konstatoj se shumë prej specialistëve të mirënjohur tregohen shumë më pak të arsyeshëm në shkrimet e tyre nga ç’tregohen në bisedat e tyre të zakonshme, intime. Mos vallë ata e konsiderojnë shkrimin thjesht si një çështje përjetimesh politike? Apo, mos vallë, besojnë në një mënyrë të përgjithshme, se ka gjëra që janë thjesht përjetime personale që nuk duhen thënë? Ata duhet ta dinë, në fund të fundit, se edhe përjetimet, në çdo kuptim t’i maresh, mund të jenë po aq të rreme sa edhe pikëpamjet. Dihet nga përvoja e punës, se specialistëve më të mirë që ata s’kanë pasur kurrë një mendim të përciptë, të ngurtë, të paqëndrueshëm e të paqartë, që të mund ta turbullonte koshiencën e tyre profesionale. Karakteri konsekuent, i përgjegjshëm, që i motivon dhe nxit në punën e tyre, nuk është aspak në kundërshtim me logjikën e shëndoshë. Nëse synimi objektiv është i qartë, atëherë motivimi dhe logjika veprojnë në harmoni të plotë produktive. Janë pikërisht ato që thërrasin njëra-tjetrën me përkushtim, ndërsa specialistit si mbetet tjetër veçse të vendosë për qëndrimin e tij. Nga njëra anë kjo sjellje parimore është përcaktuese në karakterin bazë-formues dhe identitetin e spikatur intelekto-profesional, por nga ana tjetër është dhe sjellje e frikshme, e rrezikshme për karrierën e nesërme të tij, sepse në ditët e sotme ekzistenca jonë, thjesht është bërë një problem politik, çdo krijim do të ishte i pamundur në qofte se prodhimi dhe konsumi i krijimit do të vareshin nga mundësia për të vënë në qarkullim idetë e dala nga arsyeja. Mendimet tona, madje, dhe ndjenjat e karakteret me të cilat jemi bruajtur, shpesh ngatërrohen keq, ngaqë ndodhen në konflikt të përhershëm me interesat tona elementare, me nevojat tona të përditshme për të mbijetuar në këtë xhungël politike të përbindshme, që ndjell vetëm pasiguri, depresion e iluzion . Parë nga kjo pikëpamje, thuajse shumica e shkrimeve në qarkullim, dallohen për prurje shterpë, të shpëlarë, me përmbajtje të zbrazët banale, pa debat të brendshëm e kritikë konstruktive, ku gjërat për të cilat flasim çdo ditë nuk paraqiten në formën e tyre të vërtetë shumë-dimensionale të gjallë, me formulim përfundimtar. Ndaj, për pasoje, dhe lind në mënyrë të pashmangshme dhe pedagogjia e deformuar, e angazhuar politikë, me paraqitje tendencioze, paraqitje që lë pas dore një sërë çështjesh mjaft të rëndësishme, duke dhunuar realitetin e duke krijuar iluzione të dëmshme. Prandaj dhe formatohen një sërë tezash programore thellësisht metafizike e mekanike, të fryra me frazeologji e direktiva absurde, që s’mund të vihen, kurrsesi, në zbatim. Përgjithësisht, në këto programe nuk mund të gjesh as madhështi e as mençuri. Nisur nga prirjet politike të afishuara, detyrohemi t’i quajmë këto shkrime, konformiste, rezultat të një produkti profesional të goditur. Përpiqemi të flasim për të mirën ose për më pak të mirën, por kurrë nuk flasim për të keqen. Më pak e mira, sigurisht, mund të duket akoma më pak e mirë. Por në të vërtetë ajo është, veçse e keqe. Shumë punimeve të mirëfillta, të vërteta e të gjalla, shpesh u japim një kuptim meskin, jo fort realist, të kufizuar, duke u dhënë një karakter formal, të përciptë, të dyshimtë. Guximi qytetar, që e ka burimin në një ndjenjë të fuqishme përgjegjësie, ua kalon frikën vetëm atyre individëve që nuk pranojnë të “ndeshen” për një çështje të drejtë, parimore. Dhe mënyra më e mirë për të mos u “ndeshur”, u duket se është mënyra për të mos reaguar fare, por të rrinë, ashtu kot, duke përtypur “produktin” pedagogjik të servirur nga politika dhe këtë ta


bëjnë në mënyrën e vjetër, duke u orientuar nga një pedagogji e vdekur, e rremë, e zbrazët, një pedagogji formale, pa energji, një pedagogji thjesht banale! Mesa duket, ka shumë prej tyre që shpallin si jo racionale gjithçka që atyre do t’u pëlqente ta ruanin në fshehtësi ose gjithçka që nga pikëpamja produktive nuk parapëlqehet politikisht. Këtë qëndrim e fetishizojnë, në kuptimin që racionale konsiderohet vetëm ajo që pranohet nga politika. Shpesh dëgjojmë të flitet për specialistë që u kërkohet të formulojnë kërkesa pedagogjike të porositura dhe pastaj u thonë:” ”Po ky “bisht” këtu e këto “mustaqe” aty, që, nuk ngjajnë me “mustaqet e Çelos”, nuk na bindin që janë “produktive”! Kuptimi i fjalës “produkt racional”, që specialistët e konsiderojnë nocion me rëndësi praktike, lejon të hidhet drita e zbulimit edhe mbi aspekte e skuta të errëta e të padukshme të arsimit që në pamje të parë nuk t’i zë syri kollaj e që, fatkeqësisht, kalojnë pa u vënë re, po e njëjta gjë ndodh edhe me njerëzit që shfaqen e largohen nga skena e arsimit, pa u vlerësuar për performancën e tyre profesionale, që kalohen në harresë, pa u pikasur e vlerësuar si duhet për kontributet e tyre shembullore në zhvillimin e arsimit, në absorbimin e vlerave pedagogjike. Këto ngjarje dhe këta njerëz nuk mund të lihen në harresë për mungesë vëmendjeje. Do të ishte mosmirënjohje e pafalshme të mos merreshin si pikë referimi kontributet e pakrahasueshme të pedagogjistëve të dëgjuar si Hamit Beqja, Bedri Dedja, Hasan Dume, Skënder Gjinushi, Vasillaq Zoto, Musa Kraja, Jetmir Aliçkaj, Stavri Llambiri, Pajtim Bejtja, Erlehta Mato e mjaft të tjerë, për vlerat e tyre shoqërore, intelekto-profesionale e pedagogjike të përcjella ndër vite. Me gjithë mundësitë që krijon shoqëria demokratike për përputhjen e njohjes konkrete, të drejtpërdrejtë të teorisë së pedagogjisë, edhe këtu nuk mund të ndodhë për arsye të ndryshme, që njohja më e thellë e çështjeve të edukimit, e logjikës së brendshme të proceseve, të korrigjojë disa ide, mendime e përfytyrime paraprake të specialistëve, të cilat nuk përputhen me ligjet objektive e realitetit. Vetë jeta, logjika e brendshme e proceseve edukative, të njohura thellë prej specialistëve mbi bazën e “doktrinës pedagogjike”, mund t’i rrëzojnë ose t’i korrigjojnë disa pikëpamje, përfytyrime të vjetruara ose ide të pasakta të tij. Duke i lënë tani mënjanë këto koncepte të përgjithshme, duke shprehur respektin e thellë ndaj “Doktrinës së Edukimit” që na dha shkas për të gjitha këto mendime e interpretime, sinqerisht, urojmë që specialistët tanë të kenë më tepër dëshirë për të vërtetën dhe më tepër respekt për veten.

gjuhësi Nga Stavri Trako RRETH INFINITIVIT (PASKAJORES) TË SHQIPES T rajta e mënyrës së infinitivit të shqipes, shkruan profesor K. Cipo, është ajo e participit (pjesores) me parafjalën (me) përpara, e gegërishtes. Toskërishtja e zëvendëson këtë mënyrë me koniuktivin (lidhoren). Por mund të përdorim, veç koniuktivit, me një nuancë të vogël kuptimore, edhe emrin foljor asnjanës të pashquar me parafjalën (për ) në krye P.sh. Kam ardhur këtu, në Korçë, për të blerë ca fasule e ca mollë; Kish ardhur në Tiranë për të kërkuar një punë më të mirë. Format:për të blerë, të kërkuar zëvendësojnë infinitivin duke përciellë edhe nuancën e qëllimit. Infinitivi me formën: për të, plotëson edhe emra për të treguar një veprim të pritshëm: gjilpërë për të qepur, kartë për të shkruar, kohë për punë. Duke qasur kuptimin e këtyre dy formave të paskajore së Shqipes do të vërejmë se nuk janë plotësisht me kuptim të njejtë. P.sh: Shkoi me punue dhe shkoi për të punuar Kohë me punue dhe kohë për të punuar Të dyja këto forma i hasim në përdorimin e përditshëm, dhe pjesorja është kallëzuesor i veprimit që shfaq folja ose emri asnjëanës i dukurisë... Po t’i analizojmë si shprehje frazeologjike, kuptojmë ndryshimin në nuancën kuptimore të tyre:


- Te pjesorja me parafjalën (me) veprimi është i padiskutueshëm që kërkon të përmbushet; - Te pjesorja me shprehjen parafjalore (për të) ky veprim është në vartësi situatës a të vendit ku do të kryet veprimi, pra tregon një mundësi, por edhe pasiguri dhe dyshim tek vepruesi. Nga sa kuptojmë, forma e paskajores së Shqipes me parafjalën (me) dhe pjesoren e shkurtuar ka kuptim të përcaktuar domosdoshmërie, ndërsa forma me shprehjen parafjalore (për të) me pjesoren e plotë ka funksione më të kufizuara kuptimore dhe të ndërvarura nga rrethanat. Lidhur me këtë pohim, profesor Aleksandër Xhuvani në “Vepra 1” shprehet kështu: Shqipja ka pasë nji infinitiv me kuptim indoeuropjan, me qënë se gjithë kategoritë e tjera gramatikore i ka analoge me të gjuhëve indoevropjane 2. Ky infinitiv mund të ketë qenë identik me nji nga trajtat e ndryshme, me të cilat na paraqitet participi në shqip. 3.Ky infinitiv vërtet u zhduk dhe u zavendësue me një infinitiv perifrazik, si përmbledheje logjike e fjalive te ndryshme që formohen me parafjalën (me) 4. Infinitivi perifrazik ka qenë i përgjithshëm në Shqipet, se ka qenë përdor lashtazi dhe në toskërisht, por me kohë u zavendësue, në tokërisht, me fjali të varme prej influences së greqishtes së re. (1980:262) Aktualisht, në Shqipe përdoret padyshim infinitivi, që është më i afërti me atë të gjuhëve indoeuropiane, që është baza e gjallimit të lidhjeve Shqipes me këto gjuhë. Vlera e infinitivit, të ruajtur mrekullisht në gegënisht, është se me të mund të shprehen koncepte identike metonimike, që përdoren në gjuhët e tjera në shprehjen e kulturës dhe të shkencës. Sot, në gjuhën e gjallë përdoren, pa përjashtim, edhe të gjitha ato forma që përbëjnë zhvillime të brendshme historike të kësaj forme, që ndihmojnë përdoruesit në përsosjen dhe saktësinë konceptuale të mendimit. Funksionet kryesore të infinitivit (paskajores) së Shqipes sipas “Albanische Gramatic“ të Buchholz dhe Fiedler janë: 1. Në ndërtime pyetëse : * Ma mirë me e krye punën apo me fjetë? Intonacioni i fjalisë tek infinitivi (paskajorja) është i dallueshëm. Kjo qartësohet po ta kthejmë këtë fjali në formën lidhore (konjuktive):A është më mirë të punosh apo të fleshë? Por, me pak vëmendje, kuptojmë se, edhe në formën lidhore, folësi është i ndërvarur nga rrethana apo gjendja e bashkëbiseduesit. 2. Si pjesë e predikatit foljor P.sh.Lypi me hangër = lipi të hajë (jo-për të ngrënë); Due me i harrue të gjitha=dua t’i harroj të gjitha; Më nep me pi - më jep të pi (jo - për të pirë); Filloi me u interesue=filloi të interesohej (jo- për t’u interesuar). 3. Në ndërtime kryefjalore: -Asnjanit nuk ja mbante me folë –asnjërit nuk ja mbante të fliste (jo –për të folur) -Asht e kotë me folë me të = Është e kotë të flasësh me të (jo- për të folur me të) Me një qëmtim më të vëmendshëm, forma më e afërme dhe e pranueshme e infinitivit, është ajo e lidhores standarte dhe jo paskajorja e standartes, kjo edhe për faktin, se: infinitivi i shqipes duhet të ketë funksion kryefjalor si në shumë gjuhë simotra, ndërsa forma standarte, që përdoret sot, ka kuptim kundrinor. 4. Rrethanor kohe të paraprirë nga- para se: * Matu mirë para se me folë. = Matu mirë para se të flasësh. (Jo –për të folur)


5. Në ndërtime kushtore: * Ban me ngri deti, do të shkojshim në çarapa leshi në Itali - Bëri të ngri deti, do të shkojmë me çorape leshi në Itali. * Bo me e pa keni me u habit - Po ta shihnit do të habiteshit. 6. Në ndërtimet rrjedhore: * Shprazi sa mujti ujë rreth e rreth, aq sa me u ba nji liqe. - Zbrazi sa mundi ujë rreth e rreth, aq sa të bëhej një liqen. 7. Në ndërtime qëllimore: Sytë janë me pa – sytë janë për të parë; vetëm në këso rastesh ka një përputhje të pasakajores së vërtetë me atë standarde. 8. Në ndërtimet krahasore: Nuk asht aq i prapët, sa mos me i xan besë = nuk është aq i prapë, sa të mos i zesh besë. 9. Në ndërtime përcaktore: Nuk e ka fort zakon me u sjellë zyrave = Nuk e ka fort zakon të sillet zyrave (jo-për t’u sjellur) Asht koha me u ngrit në kambë = Është koha të ngrihemi në këmbë (Jo- për t’u ngritur) 10. Në disa ndërtime të së ardhmes, në disa forma modale ka përqasje, si: -Kam me punue - do të punoj - Kam për të punuar -Nuk mundem me ardhë – Nuk mundem të vij -Duhet me ja ba Kristit një dhuratë për ditëlindje -Duhet t’ja bëj Kristit një dhuratë për ditëlindje -Atij s’asht me i folë me gojë -Atij s’është për t’i folur me gojë. Paskajorja standarde e ka fushën kuptimore më të kufizuar dhe veprimi i shprehur është në vartësi të situatës dhe të vendit ku do të kryet veprimi. Ajo shpreh një veprim që përfshihet në të ardhmen, ndërsa infinitivi me parafjalën me shpreh një veprim që ndodh shumë afër çastit të ligjërimit. Në përfundim: Forma e lashtë e infinitivit të shqipes, ajo veriakja, është me parafjalën (me) bashkë me pjesoren lakonike të ruajtur më së miri në gegërisht. Kjo formë nuk është e mundur të shmanget qoftë dhe si formë stilistike shkrimore në gjuhën e personazheve në letërsinë artistike, nga që individualizon gjuhën e personazhit veriak dhe evidenton larminë jetësore të shprehsërisë së Shqipes në dialogun njerëzor. Pra, s’duhet të harrojmë se me të identifikohen vendasit e krahinave veriake të Shqipes. Kështu, përdorimi i pjesores së shkurtuar me parafjalën me, nuk u mund të përjashtohet nga gjuha e letërsisë artistike, më së paku. Ajo gjasë, qe një përjashtim kategorik dhe që nuk përkonte me zhvillimet historike të gjuhës së folur, sidomos në krahinat veriake të trevave të tjera shqiptare që folësit e shqipes e përdorin natyrshëm. Për më tepër forma e paskajores me parafjalën (me) gjallon masivisht, sot e gjithditën në gjuhën e folur të të gjitha trevave shqiptare, dhe sot, vështirë se mund të gjesh zona qytetare dialektikisht “të pastra”. Mendoj se rigjallja e infinitivit të lashtë të shqipes dhe përdorimi i saj në gjuhën e shkruar është një domosdoshmëri dhe një obligjim shkencor veçanërisht, për lëvruesit e gjuhës: artit, gjuhëtar e sidomos mësuesit


e gjuhës shqipe, për vetë faktin se hapsirat metonimike të gjuhës shqipe nuk mund të limitohen e të mbyllen edhe pse rregullat e gjuhës standarte mund ta kenë përjashtuar përkohësisht infinitivin. Ligjërimi në shqip bazohet në dy dimensione stilistike, që shprehen me: pjesë të ndryshueshme të ligjëratës dhe pjesë të pandryshueshme të ligjëratës; që njëherëshi studiohen edhe si kategori gramatikore, me anën e të cilave përshfaqet me saktësi dhe qartësi mendimi. Duke hulumtuar, termat dhe kategoritë standarte të shqipes, kam vënë re se ato gjenden në format e ngurosura apo të mermerizuara, po e quaj kështu. Ajo kategori gramatikore, që realisht është standarte e emërtojmë: pjesë të pandryshuashme të ligjëratës, tek të cilat nuk identifikohen, pra nuk ekzistojnë ose u janë bjerë, kategoritë: të vetës, të numërit, të kohës dhe të mënyrës, por që janë vendimtare në shprehjen e qartë të mendimit. Funksioni pjesëve të pandryshueshme të ligjëratës, dihet: është organizues, njësues, por së bashku me pjesët e ndryshueshme të ligjëratës janë përftueset e qartësisë së mendimit. Ato janë formësueset përmbajtësore të gjuhës dhe ëvetësueset e kuptimit të saktë të mendimit. Për faktin, që: infinitivi i shqipes me parafjalën me dhe me pjesoren e shkurtuar na shfaqet si një formë e mermerizuar, s’ka pse të mos e përdorim, aq më tepër kur duam të shprehim qartë mendimet. Këtë do ta kuptojmë po të pranëvemë të dy këto forma P.sh: •Aftësia me u përshtat = me u njësu, të njësohesh; Aftësia për t’u përshtatur = për t’u shndrruar si, me shndërrue •Kemi nevojë me u eduku = se na mungon Kemi nevojë për t’u edukuar = për ta plotësuar •Kam dëshirë me u kthye në Atdhe = vendim për t’u kthyer Kam dëshirë për t’u kthyer në Atdhe = ka mall të kthehet •Është herët me e lan punën = nuk ka mbrit ora (çasti) Është herët për ta lënë punën = nuk ka përfunduar procesi •I zoti me qeverisë = e bën punën mirë I zoti për të qeverisur = është kandidat për post; •Asht me qesh e me qa = më vjen keq, bëj kujdes Është për të qeshur e për të qarë = është bërë jo mirë; •U munduen me hap derën = nuk mundën me e hap U munduan për ta hapur derën = ju desh kohë për ta hapur; •Kam ardh me u regjistru = dua ta përfundoj regjistrimin. Kam ardhur për t’u regjistruar = po qe se ka vend; •Më vjen me qa == më vjen keq Më vjen për të qarë = për të lotuar; •Nuk kena me e pranue fajin = është imponues – e tashme Nuk kemi për ta pranuar fajin = kërkon bashkëpunim – e ardhme Dallime kuptimore kanë në vetvete këto pjesore të shqipes. Kështu: •Kam punue në Ministri = Kam ba punë me kualitet Kam punuar në Ministri = Kam qënë i punësuar; •Tuj punue = këshillë e mjeshtrit të punës Duke punuar = këshillë nga përvoja e të tjerëve


•Pa punue = provë e vetë folësit, Pa punuar = këshillë; •Bjeshkët e Namuna = e mistershme, që u ka dal zani për ndodhi; Bjeshkët e Nëmura = të përgojuara ( përfoluna) nga dikush.

Nga shembujt e mësipërm na bëhet e qartë, se: trajta e infinitivit me pjesore të shkurtuar është një pasuri e shqipes dhe mundet dhe duhet të përdoret si një formë stilistike e shkruar me anën e së cilës arrin të shprehet qartë mendimi dhe sqarohet pozicioni i folësit në relacion me veprimin. Gjuhëtari, At Nikollë Gazuli ka përvijuar në fjalorin e tij të gegënishtes, mes një pune të lavdëruar hulumtuese (dhe falë interesimit të Profesor Nobert Joklit për gjuhën shqipe) sjell dëshmi të gjalla që na bindin për domosdoshmërinë e përdorimit të infinitivit të gegenishtes si pasuri gojore që i shkon natyrshëm shqipes, në një kohë që po përdoren ose duhen përdorur, si: Me e true, me vendue, me ndërhy, me e shujt, me pshurrë, me bëza, me zhbi, me e shmek (shfry), me shpërdhos, me shpërdoru, me shpërthy, me tëhollue, me tëkurr, me tëfundu, me tfillue, me tndy, me tfurk, me tërbu, me vagullue, me vegue, me shtërzy, me ndërzy, me hyp, me palue, me rrokëllue, me thumbat, me davarit, me kobue (vjedh), me agu, me bijue (lind), me cekue (me mbërri në fund), me josh, me brit, me u lbyr, me marr frym, me cërkue (me mjelë), me u batue, me ndy, me mbrru, me randu, me rendue, me ndërkambë, me ndërkry, me ndërliku, me ndërmjet, si dhe format përcaktore: i pagjamë, i parod, i pamëshirshëm, i panjeri, i përba, i përtha, etj. Duke qenë përbërëse e sistemit foljor të gjuhës shqipe, infinitivi merr vlera unikale dhe nuk duhet të shinjestrohet, e të përjashtohet kategorikisht e aq më tepër duke dhunuar me forma standarte, që shpërfillin stilin e komunikimit gojor dhe artistik, e aq më keq qartësinë e mendimit në shqip. Gjuha formale në vetvete është metonimi, abtraksion dhe sado të mundohemi, si studiues, nuk mund të vendosin bariera standarte, mesa mund ta ndalojmë Kostandinin e legjendës të ngrihet nga varri me përmbush amnetin. Gjuha- thotë F.De Saussure- është një prodhim i frymës kolektive të grupeve gjuhësore. E për këtë arsye, Shqipes nuk mund t’i vihen kufijë dialektorë apo krahinorë, edhe për faktin se rrënjët e saj të lashta janë dhe mundet të gjenden edhe përtej këtyre kufijve të saj natyror, në gjirin e Familjes së Madhe të gjuhëve indeoeuropjane. Është detyrimi ynë të përsosim dimensionet e saj si në gjërësi dhe në thellësi të shtrirjes. Tiranë, më 6 Shtator 2010

ese Nga HAJRO LIMAJ TALENTI LIND APO ZHVILLOHET? Laszlo Polgari në vitet 1960 ka qenë një psikolog mësimor, që ka jetuar në Hungari. Ai mbron tezën se aftësia, talenti nuk e kanë burimin nga lindja, por ato mund të zhvillohen nga mësimi. Për ta vërtetuar këtë ai zgjedh një rrugë shumë interesante. Për këtë ai bënë një publikim të tillë: “Aftësia, talenti nuk vijnë nga lindja, por nëpërmjet mësimit. Për ta vërtetuar këtë unë kërkoj një grua që të martohet me mua. Do të martohemi dhe fëmijëve tanë do tu mësojmë shah duke filluar nga mosha e vogël. Ata do ti bëjmë lojtarët e shahut më të mirë të botës. Nëse jeni gati për këtë, martohuni me mua. ” Një mësuese, Merin Klara, pranon martesën me Polgarin. Dhe fillon eksperimenti.


Fëmija e parë Polgar për ta provuar këtë zgjedh shahun, sepse ai vetë nuk është një specialist në shah. Ai është vetëm një lojtar i nivelit të mesëm. Ndërsa Klara nuk di fare shah. Laszlo merr në shtëpi shumë libra shahu dhe fillon ti lexojë. Zhvilloi metodat e mësimit duke i bashkuar me të dhënat e mësimit. Fëmija e parë i Laszlo dhe Klaras është një vajzë. Fillimi i programit Fëmija e parë, Suzana, fillon shahun në moshën 2-vjeçe. Burrë e grua, që janë mësues të mirë, filluan një program të shkëlqyer dhe të ngarkuar për Suzanën. Suzana, sido që të jetë, bënë 8 orë praktikë në ditë. Më pas lindin vajza e dytë dhe e tretë. Edhe ato përfshihen në këtë program. Secila bën çdo ditë të paktën 8 orë praktikë. Tri vajzat punojnë edhe me mësimet e tjera dhe mësojnë gjuhë të ndryshme, por tema kryesore ngelen shahu. Përfundimi Vajza e parë, Suzana, është e para femër që merr vlerësimin më të lartë dhe që jepet nga ana e Konfederatës së Shahut Botëror. Në të njëjtën kohë në konkurrimin e shahut të meshkujve ajo është gruaja e parë që fiton. Vajza e dytë është personi më i ri që merr titullin “Grand Master” midis femrave dhe meshkujve në historinë e njerëzimit. Vajza e tretë, Judit, në moshën 15-vjeçare bëhet “Grand Master” dhe tani është lojtarja më e mirë e shahut në botë. Polgar mbron tezën e tij. Megjithëse vetë nuk ishte një specialist në shah, vajzat e tij u bënë të shkëlqyera me punën dhe praktikën intensive. Ndikimi i gjenit Kur Polgar thoshte se “unë nuk di shah”, dëshironte të thoshte se nuk kishte ndonjë ndikim të gjeneve. Por ne e dimë që ekziston ndikimi i gjeneve. Por edhe kjo është vetëm 50%. Pjesa tjetër është e lidhur me punën dhe praktikën intensive, që do të vazhdojë gjatë gjithë jetës. Vetën njerëzit që bëjnë të paktën 8 orë në ditë praktikë mund të bëhen kampion të vërtetë. Tiger Woods fillon golfin në moshën 2-vjeçare dhe bën 12 orë praktikë në ditë. Bill Gates dhe Steve Jobs janë midis programistëve më të mirë të botës dhe bëjnë praktikë 12 orë në ditë. Shizuka Arakava thotë se ka punuar 19 vjet rresht për të fituar Medaljen e Artë në garat e olimpiadave të patinazhit. Secili patjetër që ka një strukturë gjenetike që do ta çojë atë në nivelin “shkëlqyeshëm” në një fushë. E vetmja gjë për ta arritur këtë është zbulimi saj dhe puna intensive. Të punosh intensivisht me vite të tëra. E tillë ka qenë te ne këngëtarja Vaçe Zela apo bilbili Jugut, që shkëlqeu në “Maratonën –5”, Petrit Lulo. Ndërsa sopranoja Inva Mula me vullnetin dhe këmbënguljen e saj skaliti talentin e saj, duke u bërë e njohur në shumë vende të Europës. Po kompozitori Shpëtim Saraçi si arriti në këtë nivel? Talentin e zbuluar e mbështeti në një punë intensive dhe të kualifikuar. Me orë të tëra ditë e natë. Matematikan, fizikan, informatikan, ekonomist, financier apo pedagog i shkëlqyer nuk mund të bëhesh për 4 apo 5 vjet. I tillë mund të bëhesh me një vullnet dhe punë të vazhdueshme kualitative. Ata pastaj kanë të drejtën e pozicionimit në elitat intelektuale dhe shkencore të fushës që punojnë. Të tjerët që nuk punojnë në këtë mënyrë ngelen njerëz të zakonshëm, apo më keq koma, të rëndomtë. Me këtë realitet ne përballemi përditë. Që nga nxënësit dhe studentët, që çdo ditë mbushin me orë të tëra kafenetë. Të rinj që nuk angazhohen në studime dhe punë intensive. Një komb mund të zhvillohet vetëm nga studimi dhe praktika intensive. Dembelizmi është antagonizmi i tyre.


Shqipëria Shikoj Shqipërinë. Nuk kemi asnjë kampion botëror apo europian. Pse? Sepse ne nuk kemi akoma as sistemin arsimor dhe as disiplinën që të krijojnë mundësinë që të punosh dhe të bësh praktikë me orë të tëra, që të përgatisin në nivele kampioni. Edhe studentët dhe nxënësit e shkollave tona që marrin pjesë në konkurset rajonale, europiane dhe botërore, përveçse janë shumë të kufizuar, me përjashtime të rralla, nuk radhiten në të parët. Bile është për tu çuditur që Ministria e Arsimit për nxënësit parauniversitar nuk sponsorizon asnjë aktivitet pjesëmarrjeje për jashtë shtetit. Tashmë Shqipëria duhet të provojë vetveten. Ajo duhet të nxjerrë shkrimtarët e saj me çmim “Nobel”, kampionë olimpiadash dhe të parët e botës në fusha të ndryshme. Sistemi ynë arsimor duhet të projektohet mbi baza të thella shkencore dhe liderët këto duhet ti vendosin në programet e partive politike. Talenti me të vërtetë nga lindja vjen? “Talenti lind apo zhvillohet” . Ka edhe kundërshtues : të lozësh shah nuk është një talent, është një periudhë prezantimi,thone Talente të vërteta janë talente si ato të muzikës. Dhe ajo prejardhjen e ka nga lindja. Me të vërtetë kështu është? STUDIMI 1 Presidenti i Qendrës së Kërkimeve Shkencore të Oksfordit, John Sloboda, në vitet 1990 bëri një studim me përmasa të mëdha. Qëllimi ishte të kuptoheshin faktorët, të cilët ndryshonin muzikantët që punonin një instrument në nivel të shkëlqyeshëm. Ndryshimi a është i lidhur me të vërtetë me një talent që e ka origjinën nga lindja? Për këtë u gjetën 257 muzikantë. Këta muzikantë u ndanë në 5 grupe sipas nivelit. Në grupin e parë muzikantët më të mirë, ndërsa në grupin e pestë ishin grupi më i dobët në krahasim me grupet e tjera. U bënë takime të thella me këta muzikantë dhe familjet e tyre dhe në të njëjtën kohë u studiuan rezultatet e shkollës për të gjithë këta muzikantë. Dhe krahasuan përfundimet. PËRFUNDIMET Muzikantët e të të gjitha grupeve filluan në të njëjtën moshë, 8 vjeç, të punonin në një instrument. Asnjëri prej tyre nuk kishte treguar ndonjë talent muzikor në moshën e mëparshme. Midis tyre kishte dalë vetëm një ndryshim: grupi më i mirë kishte bërë 8 herë më shumë praktikë se grupet e tjera. STUDIMI 2 Një studim i ngjashëm u bë në lidhje me violinistët në Akademinë e Muzikës të Berlinit Perëndimor. Studiuesit, violinistët i ndanë në tri grupe, sipas nivelit të punimit në violinë: më të mirët, të mirët dhe nivelin e mesëm. Midis tyre u panë ndryshimet. PËRFUNDIMI


Secili filloi në të njëjtën mënyrë në moshën 8-vjeçare. Të gjithë vendosën të jenë violinistë në moshën 15-vjeçare. Të gjithë ndanë kohë të njëjtë në veprimtaritë në lidhje me muzikën, 51 orë në javë. Dhe të gjithë thoshin se ishte praktika ajo që influencoi më rëndësishëm për zhvillim. Midis tyre doli një ndryshim: koha që i kishte dhënë praktikës secili më vete. SA ORË? Grupi i parë dhe i dytë kishin bërë 24 orë praktikë në javë. Grupi i tretë vetëm 9 orë në javë. Duke llogaritur periudhën e praktikës që është bërë deri tani, rezulton se grupi i parë në 10 vjet ka bërë 7410 orë, grupi i dytë 5301 orë dhe grupi i tretë vetëm 3420 orë. Pra, e vetmja veçori që ndante personat me aftësi ishte puna dhe praktika. Është me vlerë të përsërisim: në të dyja studimet asnjë nga personat që ishte në grupin më të mirë nuk kishte treguar një talent apo aftësi muzikore në moshën e mëparshme nga të tjerët. MOZARTI Si shembull i talentit nga lindja tregohet Mozarti. Por në fakt edhe ai suksesin ia dedikon arsimimit dhe praktikës që i dha babai i tij. Babai i Mozartit ishte një muzikant i mirë, por në fakt ai ishte nga mësuesit më të mirë të muzikës së asaj kohe. Ai e dinte shumë mirë se si mësohet muzika dhe në lidhje me arsimimin muzikor ka shumë libra. Ai përgatiti programe intensive për Mozartin. Mozarti, duke përsëritur vazhdimisht punët e personave të tjerë, bënte praktikë. Mozarti dha në moshën 21-vjeçare punën e parë të tij, të emërtuar Koncerti Nr. 9, e cila u pranua si kryevepër, dhe këtë e realizoi mbas 18 vjetësh praktikë. Mozarti në moshë të vogël e përdorte mjaft mirë mjetin muzikor, por ai në moshën 3 apo 7 vjeç nuk mundi të krijonte vepra të përsosura. Si përfundim, ata që ne kemi pranuar si talente të mëdha nuk janë persona që kanë krijuar vepra në moshat e vogla. Ata janë persona që kanë arritur në një sukses në përfundim të një praktike intensive dhe të gjatë. Për shembull Tedi Papavrami,violinisti i famshëm shqiptar me banim në Francë, emrin e tij të artistit e skaliti me një vullnet të jashtëzakonshëm arsimimi dhe praktike të gjatë. Në fakt, ai në moshë të vogël kishte treguar talent, por shoqëria nuk pranon si talent personat që nuk kanë shkëlqyer në fundin e praktikës së tyre. Tema që po trajtojmë në këta dy numra radhazi ka vlera të mëdha shoqërore, veçanërisht për brezin e ri, që është duke u arsimuar në të gjitha nivelet, dhe prindërit e familjet e tyre. Ata duhet të kuptojnë pa asnjë ekuivok se suksesi i tyre në nivelin arsimor dhe atë jetësor varet nga puna intensive dhe e vullnetshme që duhet të bëjnë. Nëse në jetë pretendon të bëhesh dikush, atëherë duhet të sakrifikosh shumicën e kohës për përgatitjen cilësore dhe profesionale. Askush nuk mund të bëhet i aftë, apo më tepër talent, vetëm nga origjina, geni nga vjen. Geni, nëse nuk mbështetet me një punë intensive dhe të pandërprerë, venitet dhe e humbet zhvillimin e tij për t’u kthyer në një talent. Ky realitet te ne, veçanërisht gjatë periudhës së tranzicionit, është i përditshëm. Konsolidimi i shtetit dhe i disiplinës mësimore do të kërkojë meritokracinë në të gjitha nivelet e jetës publike dhe jopublike. Atëherë do të fillojë edhe gara e vërtetë për talentet. Prandaj talent nuk mund të behet kushdo. Emigracion Nga Abdurahim Ashiku SHQIPJA GJUHË E PODRUMEVE ?! Është koha që gjuha shqipe të bëhet gjuhë e dytë në shkollat greke, gjuhë për mijëra fëmijë në të gjithë Greqinë.


Në një zyrë në afërsi të qendrës së kryeqytetit grek, Omonias, ishin ngjeshur, si sardelet në kuti, prindër e mësues, drejtues të shoqatave e tubimeve të tjera të njohura në Athinë. Paksa më lirshëm, në të dy anët e një tavoline që i qëndronte “T” – së të zakonshme të komoditetit zyrtar, ishin ulur një grup fëmijësh, djem e vajza të moshës shkollore që herë i mbërthenin sytë mbi librin e abetares, dhuratë e ardhur nga fituesi i Big Brathers-Albania – 2010, e herë - herë pas kamerave e aparateve fotografike që i verbonin me shkëndijën e blic-eve. Mbi perden gjysmë të tejdukshme të zyrës ishte shkruar me germa kapitale në ngjyrë të kuqe: “MIRE SE ERDHET FEMIJE TE DASHUR!” me ndonjë gabim drejtshkrimor. Me këtë rast u mbajtën fjalime, u bënë përshëndetje, u hëngrën edhe karamele e bonbone. Hapja e këtij kursi të gjuhës shqipe ishte nismë dhe meritë e zotëruesit të zyrës Baki Gjoliku dhe e mësueses Albana Gjoliku, ishte vlerë dhe dashuri e tyre. Nderi dhe respekti u takon vetëm atyre. Para tyre, në Athinën me mbi njëqindmijë shqiptarë, prej disa vitesh ka vazhduar mësimi në Shkolla Shqiptare e Athinës (shkollë private ku mësimi i gjuhës shqipe jepet falas ) dhe “Qendrës PORTA” të një çifti misionar amerikan. Në shtyp herë pas here janë bërë thirrje për ti dërguar fëmijët për të mësuar abetaren në podrumin e një grupimi shqiptarësh të rinj (që po të shkosh vetëm shqip nuk dëgjon të flasë asnjeri) të quajtur “Steka e emigrantit” në afërsi të zonës Eksarqia. Ka zëra se mësues të pasionuar mbledhin tre katër fëmijë të miqve në lagje dhe në mjedise shtëpiake ku ata i mësojnë të lëçisin dhe të shkruajnë shqip. Nuk po flas për kurse të mësimit të gjuhës shqipe në hapësirën greke si në Korinth, Kallabaka, Volos, Selanik, Patra etj., ku të lexuarit dhe të mësuarit shqip bëhet në të gjitha rastet në mjedise jashtëshkollore, në hapësira të liruara falë dashamirësisë së njërës apo tjetër shoqatë greke. Të mësuarit e gjuhës shqipe, minimalisht të shtunat apo të dielat në klasa të shkollave greke, edhe këtë vit mbeti një tabu, një majë kodre e pakapshme. Më 22 janar 2010 gjykata e Athinës, nëpërmjet një procesi gjyqësor prej 8 orësh, i dha pafajësinë drejtoreshës së shkollës së Gravas Stela Protonotario dhe mësueses shqiptare Denada Karkallo të cilat kishin hapur nga viti 2003 deri në vitin 2007 një klasë në shkollën shtetërore ku fëmijët shqiptarë mësonin të lexonin e të shkruanin gjuhën e nënës. Gjykata greke me këtë akt i tha “PO” zhvillimit të gjuhës shqipe në shkolla. “PO” do ti thoshte “gjuhës së nënës në shkollat greke”, në disa intervista dhe referime publike edhe ministrja greke e arsimit Anna Diamantopulo. Gjykoj se ishte (dhe është) rasti më i përshtatshëm që pikërisht tek këto dy hallka, Hallka Ligjore dhe Hallka Shtetërore, të kapeshin fort shteti shqiptar në Tiranë dhe “shteti shqiptar në Greqi” (e kam fjalën për Ambasadën, për këshillin pedagogjik, për shoqatat, tubimet e shoqatave, intelektualët, artistët, shkrimtarët, poetët etj.,etj.) për të hyrë tashmë pa qenë nevoja për të trokitur në derën e hapur. Nuk do të hyj në hollësira mbasi ata i kam përshkruar e botuar në një sërë shkrimesh në shtypin emigrant, shtypin shqiptar, në internet dhe në dy libra posaçërisht për gjuhën e nënës në emigracion, në Greqi dhe në mbarë Evropën. Nuk është vonë, madje jemi plotësisht në kohë, që gjuhën shqipe ta nxjerrim nga bodrumet, zyrat, shtëpitë, veprimtarive private e bamirëse. Është koha që të kërkojmë edhe ndihmën e shoqatave përparimtare greke, të Sindikatës së Arsimtarëve të Greqisë, të personaliteteve që e kanë jetuar plagën e vështirë të mësimit të gjuhës greke në emigrim. Është koha që gjuha shqipe të bëhet gjuhë e dytë në shkollat greke, gjuhë për mijëra fëmijë në të gjithë Greqinë. opinion Nga Afrim Krasniqi SHQIPËRIA NË UNIVERSITET Në mbarë vendin u hap sezoni i ri universitar. Sipas traditës (shqiptare) i gjithë shteti zbriti në auditore për të mbajtur fjalime dhe për të dhënë premtime. U fol për reforma dhe sukses, për cilësi të lartë, për sasi


studentësh, u premtuan universitete të reja dhe më entuziasti premtoi standarde krahasuese me vendet më të mira të BE-së. Vetë universitetet hapën dyert për disa dhjetëra mijë studentë. Vetëm në universitetin publik janë rreth 40 mijë, në atë privat një shifër gati 50%, pra një numër i konsiderueshëm për një vend si Shqipëria. Në këtë mënyrë, formalisht, 11 tetori 2010 i ngjante 1 shtatorit të para viteve ‘90, festë e lule, parulla e fjalime, premtime e propagandë zyrtare. *** Tej fasadës së 11 tetorit, sistemi arsimor në Shqipëri ndodhet realisht në një krizë të thellë e shumëdimensionale. Askush nga zyrtarët përgjegjës nuk e vëren, askush në publik nuk do ta thotë me zë të lartë, por për ata që njohin brendësinë e sistemit dhe sidomos sistemet universitare në vendet e zhvilluara, “krizë identiteti” është fjala më dashamirëse që mund të thuash. Le të shohim shembujt ilustrues. Shqipëria numëron sot rreth 52 universitete, akademi e shkolla të larta bashkë me filialet e tyre; vetëm Tirana ka më shumë se gjysmën e tyre, shifër dy herë më e madhe sesa Berlini apo New Yorku, dy kryeqendra me numër banorësh disa herë më të madh sesa vetë popullsia e Shqipërisë. Në Shqipëri mund të gjesh universitet shtetëror kudo, nga Kukësi në Sarandë, nga Gjirokastra në Dibër, nga Korça në Durrës e Shkodër. Shumë prej tyre nuk kanë personel dhe as mjedise, gjithsesi mjafton një vendim burokratësh dhe një tabelë në mur që ta bëjë atë universitet. Shqipëria mezi mban në këmbë një shkollë të mesme sportive, por ka luksin të ketë universitet të sporteve; mezi mban dy shkolla për artet, por sihariqi i ri është për një universitet të ri publik për artet. Vetëm këtu mund të gjejmë universitete mjekësore që nuk kanë laboratorë dhe as praktikë; ndonëse ne kemi spitale vetëm në qytetet rajonale, kemi luksin të kemi universitete me diploma mjekësie në shumicën e qyteteve të periferisë. Simbolikisht, ne mezi gjejmë një emër me shkollë të lartë në një qytet periferie për ta kandiduar për kryetar bashkie ose deputet, dhe kjo s’na pengon që me një vendim qeverie të hapim atje fakultet ekonomik, menaxhimi e administrimi. *** Shteti mendon se duke mbajtur në këmbë universitetin publik e ka kryer detyrën e tij. Ai nuk përgjigjet për aktivitetet private universitare, kur në fakt monopoli kushtetues mbi arsimin i njihet vetëm shtetit. Ai paradoksalisht hesht ose preferon bashkëfajësinë në emër të masivizimit. Ne quajmë reformë shifrën e 70% maturantëve që shkojnë në arsim të lartë, por harrojmë se gati gjysma e tyre, për mungesë kuotash e hapësirash janë të detyruar të paguajnë shifra të larta parash për t’u regjistruar në arsim jopublik. Ne quajmë reformë përshtatjen e programeve mësimore me Kartën e Bolonjës, por çdo ministër që vjen, anulon ose shton një vit studimesh, siç ndodhi me sistemin 3 plus 1 vitin e kaluar, të cilin në emër të Bolonjës e vendosi ministri i vjetër, në emër të Bolonjës e anuloi i riu. Midis palëve kryesore nuk ka konsensus mbi sistemin arsimor; secila palë premton se do anulojë vendimet e palës tjetër dhe kështu, ndonëse kemi strategji afatgjata konsensuale për rritjen e peshkut apo emigracionin, ende nuk kemi asnjë shinë të sigurt mbipartiake për problemet arsimore. Kushtetuta e Shqipërisë detyron qytetarët të kryejnë arsimin fillor, por me një vendim administrativ, çdo zyrtar publik duhet të ketë master. Vendimi cënon parimin kushtetues dhe njëherësh e bën tregun e studimeve universitare e master si një treg fruta-perimesh, ku gjithkush mund të hyjë e të marrë çfarë të dëshirojë. Në tregun e frutave nuk mund të shesësh gjithçka, p.sh, ushqimet e skaduara sekuestrohen nga inspektorati përkatës, kurse në arsim mund të shesësh gjithçka, madje me shumicë. P.sh, çdo ditë, në çdo cep të Tiranës gjejmë fletëpalosje me oferta universitare, ku ofrohet pagesë e ulët nëse bëhet njëherësh pagesa për të gjitha vitet e studimit apo edhe ndonjë patentë, kurs kompjuteri apo profesion mekaniku falas për të regjistruarit e parë. Sekreti më i madh në Shqipëri nuk janë shërbimet sekrete, por lista e universiteteve të akredituara nga qeveria. Ajo listë nuk del kurrë në publik, nuk lejohet të njihet, nuk mund të bëhet e ditur sepse mijëra interesa personale, zyrtare e politike fshihen prapa saj. Vetë universiteti publik ka probleme madhore me akreditimin, imagjinoni pastaj se çfarë mund të thuhet me ndonjë universitet privat që ka marrë zyra me qira në ndonjë pallat nga Tropoja në Sarandë. Shteti hesht, qytetarët paguajnë, fëmijët bëjnë sikur mësojnë, diplomat e tyre vlejnë për kujtim dhe vetë tregu e shoqëria rrezikojnë të jenë edhe një dekadë më tej të tejmbushura nga breza të rinjsh që kanë diploma, por nuk kanë profesione. Natyrisht ka universitete private me standarde të mira, me personel të zgjedhur dhe me mjedise moderne mësimi, por dyshoj se ata shpesh janë të detyruar që për shkak të konkurrencës së pandershme të tolerojnë masivizimin në emër të cilësisë. Dhe ata nuk kanë faj, vetë qeveria sukses nuk quan cilësinë, por masivizimin e


arsimit. Vetë universiteti publik është eksperimental, krijon degë të reja pa pasur studime as pedagog; raporti student–pedagog është dy herë më i lartë sesa në mesataren europiane; nuk ka hapësirë për punë kërkimore; nuk ka mjedise të mjaftueshme mësimi; emërimet e pedagogëve bëhen brenda rretheve familjare; shumica e stafit akademik ka CV pa asnjë botim shkencor e profesional; struktura e lëndëve të studimit nuk ka përputhje me strukturën e asnjë universiteti perëndimor; nuk ka biblioteka për studentët; mungojnë sallat e informatikës dhe internetit; mësimi me dy turne mbetet anakronik dhe se më e rëndësishmja, - nuk ka përputhje as formale midis nevojave të tregut të punës dhe drejtimeve të studimeve universitare. Arsimimi i lartë, nga një e drejtë konkurruese dhe privilegj për vetëm më të aftit, është shndërruar në një epidemi që prek këdo, pavarësisht moshës, statusit shoqëror e nivelit të inteligjencës. Më 1991-in, Tirana u mbush nga tezgat e qofteve në rrugë, më 1993-in, lindi epidemia e studimeve të korrespodencës, më 1996-ën ishim viktimë e epidemisë së fajdeve, më 1999-ën, çdo pallat u bë me bilardo e kafe, më 2002-in nisi epidemia një stacion TV për lagje, më 2005-ën mori udhë epidemia e universiteteve. Sot jemi në kulmin e saj. Cili do të jetë rezultati? Si të gjitha epidemitë e tjera, natyrshëm edhe kjo nuk mund të ketë jetë të gjatë. Shpejt tregu do të mbetet bosh pa oferta, shumë universitete do të jenë të detyruara të kërkojnë shkrirje ose profilizim, diplomat e larta apo master do të kenë vlerën e diplomave të “kursit të plepave” dhe rekrutimi në punë nuk do të ketë për bazë numrin e diplomave, por aftësinë individuale e profesionale. Derisa kjo të ndodhë, të gjithë dukemi të kënaqur (qeveria me masivizimin, universitetet me rekrutimet, të rinjtë me marrjen e diplomave pa djersë, familjet që mburren me fëmijët e tyre arsimdashës, media me reklamat e garantuara), por si me epidemitë e mëparshme, do të vijë një ditë kur gjërat të shkojnë në vendin e vet. Atë ditë, të gjithë ne do ta kuptojmë se midis shumë dështimeve dhe gabimeve të tranzicionit, ai në arsim mbetet më i dëmshmi dhe me më shumë pasoja. shëndet EPIDEMIAE QETË E MBIPESHËS Sipas prof. Endrju Prentis, figura e njeriut ndryshon gjatë shekujve. Por, nëse deri tani, kryesisht, ndryshohej lartësia (për një shekull evropianët u bënë më të lartë për rreth 30 cm), tendenca e re nuk është rritja e shtatit, por e peshës. Zakonisht problemin me mbipeshën e ndërlidhim më shumë me SHBA-të, por e vërteta është se ajo përfshin gjithnjë e më shumë vende në botë. Banorët e vendeve të zhvilluara çojnë jetë të preokupuar dhe nuk hanë ushqim të shëndoshë. Ushqimi i tyre, madje edhe në sasi më solide, është kalorik dhe shumë i yndyrshëm. Rezultati është katastrofal. Në SHBA mbipesha është në përmasa të epidemisë. Por jo vetëm aty. Në shumë vende, numri i atyre të cilët vuajnë nga mbipesha e sëmurë tejkalon 20 %, kurse më tepër se gjysma e popullsisë ka peshë mbinormale. Situata ndërlikohet nga fakti se fëmijët, të cilët kane prindër të shëndoshë, gjithashtu janë të shëndoshë. Përderisa me mijëra breza më parë, në kohën e tyre, kanë qenë të detyruar të luftojnë me urinë që të mbijetojnë, për dy-tri breza, organizmi i njeriut duhet të merret me të ushqyerit e tepërt. Megjithatë, uria është shumë më e shëndetshme sesa ushqimi i tepërt. Brezave bashkëkohore me kilogramë tepricë u kërcënohen probleme shëndetësore serioze, tërheqin vërejtjen ekspertët. Profesor Prentisi këshillon me kohë që të ndërmerren masa parandaluese që të pengohet përhapja e mëtejshme e rrezikshme e kësaj epidemie të “qetë”. Faktet janë shumë të qarta: në vitin 1980 pesha mesatare te meshkujt ishte 73,7 kg, kurse te femrat 62,2 kg; ndërsa në vitin 2000 këto shifra janë më të mëdha: 81,6 te meshkujt dhe 68,8 kg te femrat. Dikush vdes nga uria, dikush nga të ushqyerit e tepërt. Përderisa gjysma e njerëzimit vdes nga uria, gjysma tjetër vuan nga të ushqyerit e tepërt. Ky është njëri nga paradokset më të tmerrshme të shekullit XXI. Në Evropë, tani për tani, nuk ka statistikë të saktë se sa për qind prej të rinjve kanë tepricë kilogramësh, por mjekët pohojnë se në 30 vitet e fundit rastet e mbipeshës janë shtuar për 75 %! Pra, për disa vite Evropa do ta arrijë Amerikën. Qendrat e kontrollit dhe parandalimit në SHBA kanë vërtetuar se sot 5,3 milionë (12,5 %) amerikanë, në moshë prej 6 deri 17 vjet, kanë tepricë kilogramësh apo vuajnë nga mbipesha. Harxhimet për sëmundjet të cilat bëhen për shkak të peshës jonormale e arrijnë shumën prej 100 miliardë në vjet, që paraqet rreth 8% prej shpenzimeve të përgjithshme shëndetësore në vend.


Në SHBA-të me vite bëhet luftë kundër mbipeshës. Por tani kjo fitoi përmasa epidemike në mesin e popullatës më të re. Institucionet federale i mobilizojnë forcat e veta që ta zgjidhin problemin, por procesi, me sa duket, është i gjatë dhe shumë i ngadalshëm. Punët ndërlikohen edhe prej teknologjive të reja. Me një klikim të miut mund të porositet, me internet, film dhe diçka për të ngrënë bashkë me të. Porosia arrin për më pak se një orë. Lëvizja e amerikanit të sotëm është sjellë në thuajse minimum. Fëmijët më shumë duan të qëndrojnë në shtëpi, para kompjuterit, në vend që ta shpenzojnë tepricën e kalorive në fushën e futbollit. Ata më nuk i ftojnë miqtë që të luajnë në oborr - kjo nuk është atraktive - por duan të luajnë ndonjë lojë në kompjuter apo te shikojnë ndonjë film. Ardhmëria nuk është aspak e mirë. Sipas statistikës, vetëm gjysma e të rinjve në moshë prej 12 deri 21 vjet në SHBA bëjnë sport, edhe atë kohë pas kohe. Në shkolla është zvogëluar numri i orëve të kulturës fizike. Strategjitë e marketingut, të cilat udhëhiqen vetëm nga rregulla e fitimit, e stimulojnë klientin të tregtojë duke filluar nga çmimet e kapshme e jo nga dobia apo dëmi i prodhimeve për shëndetin. Sasitë shumë të mëdha të ushqimit të lirë, por jo të shëndoshë, të pasura me kalori dhe yndyrna, në bashkëpunim me moslëvizjen gjithnjë e më masovike, sjellin deri te grumbullimi i tepricës së kilogramëve. Tendenca i përfshin më shumë shtresat e varfra: nga mbipesha vuajnë 30,9% e afro-amerikanëve, 30,4% e spanjolleve, të cilët jetojnë në Amerikë, derisa për amerikanët e bardhë ai tregues është shumë më i ulët, gjegjësisht 24,2%. “Brezat të cilët do të vijnë pas nesh do të jenë edhe më të shëndoshë dhe do të vuajnë akoma dhe më shumë nga mbipesha. Që do të thotë, ardhmëria jonë nuk është aq e mirë”, - thotë dr. Mikael Fogelholm. Për të vazhduar: “Gjithnjë e më pak lëvizje, orë të kaluara para televizorit dhe para kompjuterit, ashensorëve, automobilëve, komoditete të llojllojshme, ushqim kalorik. Nuk do të jetë lehtë që të ndërrohet ajo tendencë. Vështirë se dikush do të mund t’i bindë që të rinjtë të mos hanë tepër. Problemi është i ndërlikuar, përgjegjësia nuk shihet. Fajin e kanë, për shembull, ligjvënësit, por edhe arkitektët”. Për të shëndoshët - të dhëna më të mëdha Sipas dr. Fogelholmit, më e drejtë do të ishte që njerëzit me tepricë kilogramësh të paguajnë sigurime më të larta shëndetësore. Sikur duhanxhinjtë dhe kaskaderët. Në Australi, ku 60% e popullatës ka peshë mbinormale, mendohet për futjen e tatimit special për ushqimet dhe produktet ushqimore tejet të yndyrshme. Në SHBA gjërat kanë shkuar aq larg, saqë, që të jenë të respektuara kërkesat e rrepta për siguri në sferën e mbrojtjes shëndetësore, në disa spitale janë montuar tavolina të mëdha të operimit që të mund të mbajnë njerëz me peshë deri me 300 kg. Disa kompani avionëshofrojnë ulëse të dyfishta në aeroplanë për njerëzit e shëndoshë. Ulëse të tilla ka edhe në disa teatro, në taksi-vetura etj. Tregu gjithnjë shpik diçka të re, prej gjithçkaje mund të fitojë, pse jo edhe nga teprica e kilogramëve. Sot është argumentuar se arsyeja kryesore që çon në mbipeshë është ushqimi. Por anglezi Markus Pembrej, specialist i inxhinieringut gjenetik, arriti deri te përfundimi shokues në bazë të hulumtimeve të veta shumëvjeçare. Ai argumenton se ushqimi nuk mund ta ndërrojë kodin gjenetik, por me siguri mund ta ndryshojë aktivitetin e gjeneve. Kur personaliteti është i uritur, në të aktivizohen gjene të tilla të cilat i sigurojnë pasardhësve gjasa më të mira që të mbijetojë. Nëse njeriu gjithnjë është i ngopur, ato gjene janë përtace, të ngadalshme, joaktive. Në atë rast, jo vetëm fëmijët, por edhe nipat tanë i janë nënshtruar rrezikut trefish më të madh që të sëmuren nga diabeti, nga sëmundjet e zemrës etj.

LEXIMI ËSHTË SHUMË I RËNDËSISHËM Qasja në libra të mirë është hapi i parë për zbulimin e gëzimit të të lexuarit. Sa më shumë të shkoni në bibliotekë së bashku me fëmijën tuaj, aq më shumë gjasa ka që nesër ai të dojë të zgjedhë një libër në vend të një loje në kompjuter. Pasja e librave në shtëpi, bën që fëmija juaj do ta marrë në dorë dhe të lexojë atë. Por cilat libra janë ato që duhet të sillni në shtëpinë tuaj ose jo? Ky udhëzues ofron këshilla dhe strategji për t’ju ndihmuar ju dhe fëmijën tuaj të mësoni se si të zgjedhni libra të mirë së bashku. Ç’është një libër i mirë? Një libër nuk duhet domosdo të ketë fituar një çmim për t’u konsideruar “i mirë.” Një libër i mirë është thjesht kur një fëmijë kënaqet kur lexon.


Si mund të gjesh libra të mirë? Bibliotekat dhe libraritë janë të mbushura me libra. Por si të kuptoni që ata janë të mirë? Besim në instinktet tuaja. Përdorini këto këshilla të shënuara në këtë udhëzues për t’ju ndihmuar në kërkimin tuaj. Çfarë duan të dinë fëmijët? Gjithçka. Pra, pyetini ata. Fëmijët mund t’ju thonë se çfarë u pëlqen dhe nuk pëlqen, atë që ata duan të mësojnë dhe atë që duan për të përmbushur boshllëkun që kanë, si dhe atë që duan të bëhen kur të rriten. Të gjitha këto janë subjekte të librave të mëdhenj. Fëmijët tuaj do t’ju ndihmojnë për t’u drejtuar në libra të mirë. Interesat e fëmijëve ndryshojnë me moshën. Këtu janë disa gjëra themelore për t’ju udhëzuar juve që të ndihmoni fëmijët tuaj të zgjedhin një libër sipas moshës që ata kanë. Foshnjat dhe të vegjlit (lindja deri në moshën 2) * Libra të mëdhenj, me foto dhe ngjyra të ndritshme të objekteve të njohur. * Librave të qëndrueshëm prej kartoni, plastike apo rrobe që lahet. Këto janë zakonisht libra të mirë për fëmijët e vegjël për t’ua lexuar. * Libra që të tregojnë për shqisat e tyre, me materiale të tilla si libra pëlhurë, libra me figura dhe libra me tinguj. * Tregime të shkurtra, fjali të shkurtra e të thjeshta me fotot që shpjegojnë tekstin. * Poezi dhe vjersha që janë kënaqësi për prindërit për t’i lexuar me zë të lartë.

Parashkollorë (moshë 3 deri 5) * Ilustrime dhe foto që janë të qarta, me ngjyra dhe që i angazhojnë dhe fëmijët në to. * I thjeshtë dhe me aksione. Ky veprim duhet të lëvizë shpejt, kështu që secili libër mund të lexohet menjëherë. * Vjersha që rimojnë dhe refreni që përsëritet , në mënyrë që fëmijët të mund ta përsëritin dhe të mos e harrojnë. * Tregime dhe ngjarje për jetën e përditshme. Tregime që duhet t’i inkurajojë fëmijët që të bëjnë pyetje dhe të eksplorojnë botën e tyre. * Tregime që shqyrtojnë konceptet bazë, të tilla si shkronja, numra, forma dhe ngjyra. * Personazhet kryesorë, të cilët janë të moshës së fëmijës tuaj ose pak më të mëdhenj. Tregime ku kafshët janë personazhe të gjallë, të vërtetë dhe imagjinarë, janë tregime ku fëmija është shumë i vëmendshëm. Lexuesit e rinj (moshat 6 deri 11) * Tekst i qartë dhe i lehtë për t’u lexuar. * Me ngjyra, ilustrime dhe foto tërheqëse, që e sjellin tekstin më afër fëmijës dhe japin të dhëna për kuptimin e fjalëve të panjohura. * Libra që të apelojë për interesat e fëmijës suaj. * Libra ku të ketë udhëzime të qarta, të shprehura thjesht dhe me ilustrime të dobishme.


* Libra të tjerë nga autorët e preferuar të fëmijës suaj dhe ilustrues. * Libra me karaktere të preferuara të fëmijës suaj. * Histori me personazhet që ju kanë pëlqyer në fëmijërinë tuaj. Këto janë libra të autorëve të mëdhenj, libra për fëmijët që sapo fillojnë të lexojnë. * Libra që nxisin diskutimin. * Libra që të mbajnë për disa ditë në vend, ulur, duke i lexuar. Adoleshentëve (moshë 12 e lart) <* Libra me subjekte që i interesojnë kësaj moshe, 12 vjeç e lart. * Novela që mund të ndihmojnë adoleshentin të përballet me sfidat e përditshme e në rritje, duke shfaqur karaktere që kanë të bëjnë me eksperienca të ngjashme. * Libra që prezantojnë përvoja dhe mundësi të reja. * Libra me fakte, të tilla si libra me rekorde botërorë, libra të vegjël, almanakë. * Libra biografikë, klasikë, tregime popullore, historike dhe mitologji. Këshilla të shpejta! * Të dish si të zgjedhësh libra të mirë është një aftësi të cilën fëmijët tuaj do ta kenë për pjesën tjetër të jetës së tyre. Flisni me ta dhe tregojuni atyre se si. Inkurajoni ata për të zgjedhur librat e tyre sipas preferencave që kanë. Ju mund edhe të lejoni fëmijën tuaj të marrë dy lloje librash: një për të lexuar me ju dhe një për të lexuar më vete. * Për të njohur seksionin e fëmijëve në bibliotekën tuaj lokale kërkojini bibliotekarit t’ju rekomandojë për libra të kësaj moshe. Kontrolloni listat e librave të rekomanduar, duke ju përmbajtur edhe këtij udhëzuesi. * Është mirë të shfletoni librin, pastaj të vendosni për ta lexuar të gjithin apo jo. Nëse ju filloni e lexoni dhe pas një kapitulli ose disa faqeve nuk ju pëlqen, merrni një tjetër. Leximi është kënaqësi, nuk është një punë e përditshme.

Entela Binjaku Sociologe FËMIJËT, SA DHE SI DUHET TA PËRDORIN INTERNETIN Përdorimi pa kriter i internetit veçanërisht nga moshat e vogla shkollore shndërrohet në mbartës të problemeve sociale që nuk dëmtojnë vetëm individin, por në tërësi çekuilibrojnë funksionimin real të shoqërisë. Në dy-tre vjetët e fundit përdorimi masiv i internetit ka zaptuar edhe vendin tonë, por fatkeqësisht kjo nuk është shoqëruar me marrjen e masave parandaluese kundrejt problematikës që shkaktohet nga rënia në kontakt me bumin e informacioneve të pakontrolluara. Këto të fundit në masë riskuese për rritjen e fëmijëve. Interneti është një shpikje që nuk ka të krahasuar. Sot, 30 vjet pas shpikjes së tij, interneti ka rreth 300 milionë përdorues dhe konsiderohet ende i ri. Nisur nga ky fakt nisma e qeverisë shqiptare për internet në çdo shkollë është një nismë që duhet përshendetur dhe përkrahur dhe të gjithë aktorët e përfshirë duhet të marrin pjesë përmes kontributit personal - sigurisht brenda hapësirave dhe mendësive që ka gjithsecili prej tyre. Shifrat e raportuara në rritje të përdoruesve të internetit në vendin tonë të bëjnë optimist, duke marrë në konsideratë faktin që interneti tashmë i shndërruar në infrastrukturën bazë të shoqerisë moderne po gjen vend çdo ditë e më shumë edhe në shoqërinë tonë. Megjithatë, përdorimi duhet të jetë i kontrolluar, veçanërisht për moshat e vogla. Kjo, pasi frekuentimi i faqeve me përmbajtje pornografike apo i materialeve me përmbajtje skenash dhune pa dyshim që përben shqetësim në rrezikun që mbart për formimin e personalitetit të fëmijës apo për çrregullime me pasoja serioze dhe afatgjata. Këto çrregullime lidhen me formimin e tyre psikologjik me çrregullime të personalitetit që konsistojnë në rrezikun e shpërqendrimit nga jeta reale në prirjen për varësi ndaj pornografisë dhe seksit, në mundësinë e krijimit të një personaliteti agresiv, të krijimit të një realiteti virtual të paqenë, të rënies pré e kontakteve me individë që mund të paraqesin rrezikshmëri për sigurinë e tyre ose me grupe që shfaqin prirje devijante etj. Për një pjesë fëmijësh apo adoleshentësh përdorues të internetit natën, që në vend të


gjumit preferojnë navigimin, orët e humbura kanë rrezikun e humbjes së orëve të ditës që i merren kohës së kushtuar mësimit dhe studimit apo dhe angazhimeve të tjera që përditshmëria kërkon. Një ndër aktorët që përfshihen në nismën që unë përmenda më sipër janë edhe arsimtarët të cilët duhet të jenë vetë shumë të kujdesshëm në orientimet që u japin fëmijëve për hulumtime informacionesh në internet. Ashtu siç dimë, informacioni që qarkullon në internet në pjesën më të madhe të rasteve është falas. Në zinxhirin e agjencive shoqërizuese shkolla është një ndër më të rëndësishmet agjenci dhe aktorët kryesorë të saj, arsimtarët, marrin një rol të pazëvendësueshëm. Pa dyshim që përkrah kësaj agjencie grupet e bashkëmoshatarëve dhe familja janë gjithashtu njëlloj të rëndësishme dhe të tre së bashku, duke funksionuar në mënyrë harmonike bëjnë të mundur realizimin e shëndetshëm të këtij procesi shoqërizimi, i cili zgjat gjatë jetës. Unë do të dëshiroja të ndalesha pak te kjo hallkë e këtij zinxhiri. Në mungesë të një studimi, por duke u nisur nga vëzhgimi i drejtpërdrejtë nga bisedat e kryera me prindër dhe fëmijë, konstatoj se shumë fëmijë të nivelit të arsimit 9-vjeçar dhe atij parauniversitar në shkollat e qyteteve tona kryesisht të zonave të mëdha urbane vërshojnë drejt monitorëve në qendra interneti apo shkollë e shtëpi në kërkim të materialeve të kërkuara nga ana e mësuesve në përmbushje të programit mësimor, pa pasur asnjë lloj orientimi mbi ekzistencën e faqeve zyrtare apo mbi burimet serioze, duke u bërë në shumë raste pré edhe e keqinformimit apo e informacioneve të paverifikuara. Rreziku për keqinformim ose për një formim të cunguar apo të mangët, ku plagjiatura si veprim as nuk përmendet si një akt i dënueshëm, përkundrazi stimulohet dhe shoqërohet edhe nga një lloj dembelizmi që po kultivohet te fëmijët tanë, ku puna kërkimore finalizohet në pak minuta me një broësing apo searching kërkim. Duke vlerësuar punën e çmuar që bëjnë arsimtarët për edukimin e qytetarëve të ardhshëm në respekt të mundit që profesioni i tyre mbart në përpjekjet që ata bëjnë për ta kryer sa më mirë këtë mision të edukimit do të dëshiroja të tërhiqja vëmendjen se duhet të tregojnë më shumë kujdes në orientimet që japin. Është detyrë e të rriturve të tregojnë kujdes ndaj të vegjëlve. Pa dyshim, që informacioni në internet mund të vijë nga çdo fushë e aktivitetit njerëzor, duke filluar nga pornografia te bursa, nga feja të propaganda neonaziste, nga studimi i yjeve te shitjet e një produkti modest, nga lajmet e rëndësishme të thashethemet banale. Funksioni kryesor që ai kryen është ai i komunikimit, pra i vendosjes së raporteve mes përdoruesit dhe burimit, ku i njëjti njeri mund të jetë njëkohësisht edhe përdorues edhe burim. Përdorimi i internetit mund të jetë argëtues dhe i dobishëm, por në të njëjtën kohë ai mund të sjellë edhe shpërqendrim nga angazhimi shoqëror në jetën reale. Për këtë arsye janë njerëzit që duhet të racionalizojnë kohën që i kushtojnë dhe ata duhet të monitorojnë të mirat që u sjell. Nuk është interneti në vetvete që dëmton njerëzit, por mënyra se si ata e përdorin atë. Nëse përdoret nën parimin e vjetër: “të përdorësh, por jo të abuzosh”, interneti mund të jetë një mjet komunikimi me shumë përftim për jetën e secilit. Ajo që e bën kaq tërheqës internetin lidhet edhe me faktin se me ndihmën e tij krijohen raporte që nuk kushtëzohen nga rrethanat gjeografike apo shoqërore. Pa dyshim që ky mjet i jashtëzakonshem komunikimi çon edhe në ndryshime të perceptimit që njerëzit kanë për jetën, për mjedisin përreth, madje çon në ndryshime që lidhen me sjelljen njerëzore. Lidhur me efektet e internetit mbi njeriun, studiues të ndryshëm mbajnë qëndrime të ndryshme. Në studimet e tyre ngrihet shpesh pyetja nëse është interneti në dobinë e njeriut dhe sa ndihmës mund të jetë për të. Por për këtë duhet të hedhim një vështrim në atë që thonë kërkimet. Në këtë botë të dixhitalizuar edhe truri ynë fillon të riprogramojë funksionet. Sipas dr. Gary Small të Universitetit të Kalifornisë Los Anxhelos UCLA përdorimi i internetit ka efekte nga më interesantët. Studimet e këtij neurologu përshkruajnë impaktin e thellë që ka teknologjia mbi sjelljen njerëzore, duke treguar se përdorimi i saj ka efekt mbi trurin tonë, veçanerisht mbi trurin e të rinjve. Edhe pse ka anët e veta të mira, sipas dr.Small përdorimi i tij duhet të jetë në ekuilibër me jetën shoqërore reale. Sipas tij kërkimi në internet rrit aftësinë e integrimit dhe të përpunimit të informacioneve dhe përmireson aftësinë e marrjes së vendimeve. Veprimi i quajtur browsing ka efektin e stimulimit të vëmendjes, lojërat në kompjuter mund të përmirësojnë kujtesën dhe shikimin periferik, por në të njëjtën kohë mund të çojnë në një qëndrim antisocial. Ndërtimi i një blogu apo i një siti përmireson memorien dhe kapacitetin e argumentimit. Shkëmbimi i imeileve mund të përmirësojë procesimin e informacionit, por në të njëjtën kohë mund të shndërrohet edhe në burim stresi. Përdorimi i rrjeteve sociale mund të përmirësojë vëmendjen periferike, duke rritur edhe respektin për veten. Megjithatë, dr. Small na rikujton se një jetë shoqërore normale nuk mund të zëvendësohet e tëra nga përdorimi i kompjuterit apo i teknologjisë në përgjithësi.


MEDITIMI Konstatimet paraqesin faktin që në mijëra vjet njerëzit kanë perfeksionuar vetëdijen nëpërmjet meditimit. Në ditët e sotme të civilizimit, me qindra-mijëra individë janë bërë meditues të rregullt. Meditimi përcaktohet si formë e përqendrimit të çtendosur, që mund të bllokojë stimujt shqisorë vëmendjelargues. Meditimi mendohet të jetë me efekte mjaft pozitive për organizmin. Këto efeke psikologjike, sipas studimeve, përmirësojnë jetën e individit, duke sjellë një gjendje të ulët stresi, përmirësim të besimit në vetvete, largon tensionin dhe sjell edhe një sërë efektesh pozitive në pathologjinë humane. Wallace dhe Banson zbuluan se efektet pozitive të meditimit intuitiv si: ulja e konsumit të oksigjenit, rritja e rezistencës elektrike të lëkurës, ulja e rrahjeve të zemrës, zvogëlimi i ajrit të futur gjatë frymëmarrjes etj., duke vënë në pah efekte si këto që nuk shfaqen gjatë hipnozës. Tipet e meditimit të përsosur dhe të kultivuar janë disa, duke cilësuar Zenin, Jogën dhe TM-në (meditimi intuitiv). Zeni Është forma më e vjetër e meditimit. Medituesi përqendron vëmendjen në frymëmarrjet e veta, duke u përpjekur të eliminojë efektet e shqisave të tjera. Stimujt e jashtëm duhen eliminuar gjatë këtij procesi. Praktikisht, medituesi i Zenit është në gjendje të prodhojë një gjendje të ndryshuar të ndërgjegjes. Joga Në këtë formë meditimi, individi është në gjendje të ndryshojë gjendjen e tij të ndërgjegjes nëpërmjet modifikimit të proceseve të tij autonome si: rrahjet e zemrës, tensionin e gjakut dhe tretjen e ushqimit. Të gjithë kemi praktikuar nëpër palestra këtë formë tërheqëse meditimi që sjell aq prehje pas një dite të lodhshme apo një tensioni fizik e mendor. Ajo ç’ka e bën tërheqës këtë formë meditimi është pozicioni që merr praktikuesi që njihet si pozicioni Lotus. Ai përqendrohet në një objekt pamor dhe përsërit një fjalë ose shprehje që në Joga quhet “Mantra”. Medituesi i Jogas është në gjendje që të modifikojë ndërgjegjen e tij nëpërmjet kësaj forme, duke ulur deri në zero efektet e stimujve mjedisorë. Meditimi intuitiv Ështe një formë e Jogas në të cilën sërish aplikohet fjala “Mantra”. Përgjatë një periudhe kohore dhe gjatë kësaj kohe ai përpiqet të ulë derisa të bllokojë efektin e stimujve të tjerë. Ndryshimi mes TM-së dhe Jogas qëndron në faktin se ndryshe nga praktikuesi i Jogas që duhet të marrë pozicionin e rehatshëm “Lotus”, ky i TM-së nuk mund të marrë çdo pozicion të tillë. Kështu, qëllimi i të gjitha meditimeve është të bllokojë vetëdijen normale, duke dhënë një gjendje të modifikuar të ndërgjegjes. Ekzistojnë përplasje mendimesh në faktin e dobisë pathologjike të meditimit. Ka studius që mendojnë se meditimi ka efekte terapeutike (Herbert Benson) dhe rezultati është një “gjendje e çtendosur”. Ka të tillë që mendojnë se nuk ka kurrfarë ndryshimi ndërmjet një medituesi dhe një individi që pushon në qetësi (David Holmes dhe kolegët e tij). Ndryshimet në tensionin e gjakut, frymëmarrjes dhe rrahjet e zemrës ishin të ngjashme në të dyja grupet. Sidoqoftë, nuk është dhënë ende një përgjigje përfundimtare, ndërkohew që psikologewt i njohin dobitew e TM-së në trajtimin e anktheve dhe streseve.


Psikologji KUR GËNJEJNË ADOLESHENTËT? Të gjithë adoleshentët gënjejnë dhe kjo është për shkak se të gjithë njerëzit gënjejnë. Ne shpesh e bëjmë atë për të mos lënduar ndjenjat e të tjerëve, por ndonjëherë ne gënjejmë edhe për arsye egoiste, p.sh. për t’u dukur të mirë në sytë e të tjerëve. Po ashtu edhe adoleshentët. Ashtu si edhe sjelljet e tjera të adoleshentëve, që mund të jetë frustuese për prindërit, ata jo domosdoshmërisht gënjejnë më shumë, por marrin vetëm më të mirë nga ajo! Ashtu si në të gjitha marrëdhëniet e tjera, ku ne të gjithë duam të paraqesim veten tonë të mirë, për të shmangur konfliktin dhe për të mbrojtur privatësinë, gënjeshtra e rastit thjesht mund të injorohet dhe nuk ka asnjë arsye për brengosje. Megjithatë, disa adoleshentë gënjejnë në mënyrë të vazhdueshme, e cila mund të dëmtojë marrëdhëniet familjare. Është e rëndësishme që të përpiqemi të kuptojnë dhe të korrigjojmë çështjet themelore që mund të çojnë ata të gënjejnë. Gënjeshtra e shpeshtë është një simptomë e një problemi më të madh. Të tilla mund të jenë themelore, që mund të përfshijnë xhelozi, zemërim, pengesa dhe shqetësim, të cilat e bëjnë një prind të zemërohet. Arsyet për të gënjyer mund të jenë më praktike, të tilla si për të fituar vëmendjen, për t’i shpëtuar dënimit apo për të bërë përshtypje. Vitet e adoleshencës janë koha kur fëmijët kërkojnë pavarësi dhe ndarje nga prindërit, kohë kur adoleshentët ulin kohën e të ndenjurit me prindërit apo nuk ndajnë më mendimet dhe ndjenjat me ta. Adoleshentët kanë tendencën të preferojnë të shpenzojnë më shumë kohë me miqtë e tyre dhe, duke bërë kështu, mund të angazhohen në aktivitete që ata të ndjejnë se kanë gjëra për të fshehur nga prindërit, sidomos në qoftë se ata mendojnë se prindërit e tyre mund t’i shohin ato sjellje si të rrezikshme ose të papërshtatshme. Për shkak të zhvillimit në trurin e tyre, adoleshentët janë në gjendje të mendojnë për çështje abstrakte, të tilla si morali dhe përgjegjësisë dhe ata mund të fillojnë të besojnë se konceptet e prindërve të tyre nga këto ide janë mjaft të ndryshme nga të tyret, të cilat çojnë në pikëpyetje autoritetin prindëror. Gjithashtu, për shkak të zhvillimeve në tru në këtë moshë, adoleshentët janë më të aftë që të dalin me një përgjigje apo në disa raste me një gënjeshtër të mundshme. Disa ide për që kanë të bëjnë me sjelljen e të rinjve: * Qetësohuni për një moment dhe mendoni se çfarë alternative i përshtatet situatës individuale dhe si dëshironi ju dhe fëmija juaj të mësojë. Për shembull, nëse fëmija juaj gënjen për të pasur vëmendjen tuaj, ju duhet t’i mësoni atij që do të ketë vëmendje që kërkon, duke injoruar gënjeshtrën. Nëse ju dëgjoni fëmijën tuaj duke gënjyer për miqtë e tij, ju mund t’i drejtoheni atij direkt duke i thënë: “Kur ju dëgjoj të thoni gënjeshtra të tilla për miqtë tuaj, kjo më bën merak se ju do të ndjeheni ngushtë, kur ata të marrin vesh se çfarë ju keni thënë, nuk është e vërtetë. A keni menduar për atë që ju do të bëni pastaj? “Nëse fëmija juaj gënjen që të mos dënohet nga ju, tregojini atij se jo vetëm më pas pasojat janë më të rënda, por se juve u është thyer besimi që kishit te ai. * Ndihmoni fëmijën tuaj të kuptojë pse gënjeshtra është e gabuar, si dhe nxitini atij aftësinë e të menduarit. Gjithashtu, bëjini edhe pyetje të tilla si: “Pse mendoni se unë jam i mërzitur, ngaqë më keni gënjyer?”, “Si ndjeheni ju kur të tjerët ju gënjejnë?”dhe ”Si mund të keni lënduar ndonjërin duke gënjyer?” * Diskutimet në lidhje me konceptet e ndershmërisë dhe besimit duhet të jenë të vazhdueshme në të gjithë adoleshencën. Thoni fëmijës tuaj: “Kur ju gënjeni, unë nuk mund t’ju besoj më dhe nuk mund të jem në anën tuaj. Unë jam përgjegjës për sigurinë tuaj, por nuk mund t’ju mbroj juve në qoftë se unë nuk kam të gjithë informacionin për të cilin kam nevojë. Bisedoni me fëmijën tuaj në lidhje me rëndësinë e ndershmërisë dhe të besimit në marrëdhënie të tjera, jo vetëm në lidhje me juve. * Jini të qartë me kufijtë dhe rregullat, por jini të arsyeshëm, në mënyrë që ju të jeni të vendosur deri në fund. Jini i gatshëm të negocioni me fëmijën tuaj për çështje që janë të rëndësishme për juve, në mënyrë që ai të dijë se ju jeni në pritje të besimit të tij. Mos ndryshoni rregullat pas një diskutimi me fëmijën tuaj, por dëgjoni argumentin e tij me “mendje të hapur”.


* Jepni përvojën tuaj. Mos krijoni marrëdhënie të ndërlikuar, duke u përpjekur vazhdimisht për të kapur fëmijën tuaj në një gënjeshtër. Nëse nuk keni arsye të jeni i shqetësuar apo keni thjesht dyshime në mbarëvajtjen mësimore në shkollë, në jetën shoqërore apo nëse ai mund t’ju gënjejë për të mbuluar sjelljet e rrezikshme, pranoni atë që fëmija juaj ju thotë, derisa të keni arsye për të cilat keni dyshime ose jeni të shqetësuar. * Mundohuni të kuptoni të vërtetën kur një adoleshent gënjen. Filloni të mendoni se kur ka filluar gënjeshtra, cili duhet të jetë shkaku pse ai ka gënjyer, për çfarë fëmija juaj ka tendencë të gënjejë dhe për kë? * Krijojini fëmijës tuaj besimin që ai të mund të ketë gjithmonë besim dhe nuk ka asgjë që mund ndalojë dashurinë tuaj ndaj tij dhe kurrë nuk është tepër vonë për të kërkuar ndihmën tuaj për një problem. Nëse fëmija juaj vjen dhe ju tregon një sjellje jo të mirë, me qetësi dhe me respekt bëjini të qartë se ju jeni të pakënaqur me sjelljen, por që vlerësoni që ai tha të vërtetën. * Nëse fëmija juaj gënjen në mënyrë të vazhdueshme, veçanërisht në lidhje me situata që mund ta vënë në rrezik, duhet të drejtoheni te një specialist i shëndetit mendor. Lisa Medoff

DIAGNOSTIKIMI I HERSHËM, MBROJTJA MË E MIRË NGA KANCERI I GJIRIT Këtë vit 1.5 milionë gra në të gjithë botën do të mësojnë nga mjeku i tyre se kanë kancer në gji. Ekspertët thonë se këto gra kanë 98 për qind kanë shanse ta luftojnë me sukses sëmundjen nëse kanceri diagnostikohet në fazat e hershme. Po sipas ekspertëve, përqindjet më të larta të vdekjeve regjistrohet në vendet në zhvillim, ku kanceri i gjirit zakonisht nuk diagnostikohet deri në fazat më të avancuara të sëmundjes. Kanceri i gjirit është shkaku numër dy mes sëmundjeve që rezultojnë në numrin më të lartë të vdekjeve ndër gratë amerikane. Po kështu, ky kancer është shkaktari kryesor i vdekjeve ndër gratë në Amerikën Latine. Një studim i Universitetit të Harvardit tregon se më shumë se gjysma e 450 mijë personave që vdiqën vjet nga kanceri i gjirit, jetonin në vende në zhvillim. Megjithatë, ekspertët thonë se shumë nga këto vdekje mund të ishin parandaluar nëse sëmundja do të ishte diagnostikuar herët. Shoqata Amerikane e Kancerit thotë se 98 për qind e pacientëve me kancer në gji mbijetojnë kur kanceri diagnostikohet herët. Mamografia mbetet teknika më e mirë për kontroll kundër kancerit. Dr. Laura Shephardson, eksperte e shëndetit të gruas në Klinikën e Klivlendit thotë: “Kur një gjëndër kanceroze në gji ka madhësi të dallueshme me dorë, zakonisht në këto raste kanceri është përhapur përtej gjirit. Synimi ynë është që përmes mamografisë të dallojmë gjëndra të vogla kanceroze që ende nuk janë përhapur”. Dr. Elmer Huerta në Qendrën Spitalore të Uashingtonit gjithashtu thotë se kontrollon shumë paciente hispanike. Ai thotë se shumë komunitete në vendet e Amerikës Latine nuk kanë pajisje për mamografi dhe mungon gjithashtu informacioni i nevojshëm për sëmundjen: “Pra kur ke një ndërthurje të heshtur, duke qenë se mungon kontrolli i duhur shëndetësor për diagnostikim të hershëm, kur gratë e kuptojnë se kanë një problem, zakonisht tumori është i madh dhe ka krijuar metastaza. Pra ato shkojnë te specialist për mjekim kur është tepër vonë”. Felicia Knaul, e cila drejton një program kërkimor për kancerin në Universitetin e Harvardit, thotë se gratë duhet të bëjnë kontrolle më të shpeshta për të zbuluar gjendra të dyshimta. Ajo shpjegon se synon gjithashtu të ulë koston e procedurave duke trajnuar personel vendor: “Zhvillimi i një kontrolli të mirë klinik të gjirit, nuk kërkon mjek onkolog. Mjafton një person i trajnuar si duhet dhe trajnimi nuk është i vështirë”. Dr. Shephardson thotë se gratë duhet të informohen. Kjo, shpjegon mjekja, kërkon prej tyre që të mos mbeten pre e miteve. Një nga mitet më të mëdha, thotë zonja Shephardson është ideja se çdo gjëndër është kanceroze: “Çdo gjëndër në gji mund të ketë plot shpjegime beninje, për shembull mund të jetë cist, apo rezultat i lëndimit të indit. Zakonisht gjëndrat nuk dhëmbin, janë të forta dhe kanë kënde të parregullta”.


Dr. Shephardson thotë se shumë njerëz nuk e dinë se një ndër faktorët është historia e familjes. Statistikat tregojnë se gratë që kanë të afërm me kancer në gji, kanë më shumë shanse të preken edhe vetë nga sëmundja. Disa njerëz mendojnë se kanceri i gjirit është ngjitës, por faktikisht nuk është. Po ashtu është fakt që edhe meshkujt mund të preken nga kjo sëmundje. Dr. Shephardson shton se nuk është e vërtetë që mamografia mund të shkaktojë përhapjen e kancerit si rezultat i rrezatimit: “Pajisja e mamografisë lëshon rrezatim të ulët. Ka plot gjëra në jetën e përditshme që janë po aq të rrezikshme. Mendoj se rreziku që paraqet kjo pajisje është shumë më i vogël se përfitimet që sjell kontrolli përmes mamografisë”. Megjithatë, kërcënimi më i madh nga kanceri i gjirit vjen nga natyra e heshtur e sëmundjes. Kanceri nuk shkakton dhimbje gjatë rritjes së gjëndrave, një fakt që i çudit shumë njerëz. Shumë ekspertë rekomandojnë që të gjitha gratë të fillojnë të bëjnë mamografi të rregullta në moshën 40 vjeç. Disa mjekë janë të mendimit që femrat që në moshën 20 vjeç duhet të bëjnë kontrolle klinike për kancer në gji. VOA PROVA TË EKZISTENCËS SË VRIMËS SË ZEZË NË GALAKSINË TONE Astronomi Gus Johnson ishte i pari që e zbuloi shpërthimin masiv që u pagëzua me emrin Supernova 1979C. Që nga ai moment, studimet që pasuan zbuluan se supernova ishte një burim i fuqishëm rrezesh X, që janë tipike të vrimave të zeza. Këto vrima kanë përmasa gjigande dhe forcë rëndese aq të madhe, saqë nuk lejojnë as daljen e dritës. Ato shpesh formohen në përfundim të ekzistencës së një ylli. Kur një yll ka konsumuar energjinë e tij atomike, bërthama e tij shpërbëhet dhe kthehet në supernova. Daniel Patnod i Qendrës Harvard-Smithsonian për Astrofizikën, drejtues i studimit mbi vrimën e zezë, thotë se nganjëherë ky proces rezulton në krijimin e një vrime të zezë, por herë të tjera të një ylli neutron. Ai shpjegon: “Rezultatet që zbuluam këtë radhë mund të jenë të rëndësishme, pasi ende nuk e kemi të qartë se cilat supernova formojnë vrima të zeza dhe cilat formojnë yje neutron?” Pas studimit të objektit me rreze X, zoti Patnod thotë se nuk ka prova të drejtpërdrejta se Supernova 1979C ka krijuar një vrimë të zezë. Të dhënat e mbledhura nga teleskopi i NASA-s Chandra ofrojnë vetëm prova jo-të drejtpërdrejta. Por kolegu i tij Avi Lohb thotë se nëse vërtet bëhet fjalë për një vrimë të zezë, të dhënat mund të ofrojnë prova të rëndësishme për burimin energjetik që ushqen një supernova. Po ashtu, me këtë rast ofrohet një mundësi për të studiuar disa prej rrethanave më ekstreme që ekzistojnë në gjithësi: “Procesi zhvillohet në kushte të një dendësie tepër të lartë, të afërt me dendësinë e bërthamës së atomit, të cilën nuk mund ta riprodhojmë në kushte laboratorike. Duke vëzhguar proceset në hapësirë, ne mësojmë për rrethana që ekzistojnë vetëm në atë mjedis”. Astronomët kanë zbuluar plot vrima të tjera të zeza në galaksinë tonë, por kurrë nuk kanë arritur të ndjekin procesin e formimit të tyre. Shkencëtarja Kimberly Weaver thekson se ky zbulim ofron një mundësi unike për të ndjekur lindjen dhe fazat e para të ekzistencës së një prej objekteve qiellore më misterioze: “Nuk është thjesht zbulimi i vrimës së zezë më të re të zbuluar ndonjëherë, por fakti që dimë me ekzaktësi kohën e lindjes së kësaj vrime. Për herë të parë kemi zbuluar ditëlindjen e vërtetë të një vrime të zezë” - shton ai. Ndërkohë që astronomët vazhdojnë ta studiojnë këtë objekt, ata shpresojnë se do të mësojmë më shumë për procesin e zgjerimit të vrimave të zeza duke përpirë materie përreth.


HARVARD, UNIVERSITETI MË I MIRË NË BOTË Epërjavshmja britanike “Times Higher Education” (THE) ka publikuar në bashkëpunim me agjencinë “Thomson Reuters” renditjen e 200 universiteteve më të mira në botë, që udhëhiqen nga universiteti i Harvardit në SHBA, kurse pas tij janë edhe katër institucione të shkollimit të lartë në këtë shtet, Instituti i teknologjisë në Kaliforni, Instituti i teknologjisë në Masaçusets, Stanford dhe Prinston. Universitetet prestigjioze britanike “Cambridge” dhe “Oxford” gjenden në vendet gjashtë e shtatë. Në mesin e 30 universiteteve nga Evropa kontinentale është renditur vetëm “Instituti federal për teknologji” i Zvicrës, në vendin e 15-të. Në mesin e universiteteve elitare më afër nesh janë dy universitete austriake, një në Vjenë dhe tjetri në Insbruck. Ndër 200 universitetet elitare me shumw në botë ka SHBA-ja, gjithsej 72, pasojnë Britania e Madhe me 29, Gjermania me 14, Holanda me 10, Kanadaja me 9, Australia me shtatë, pastaj Kina, Suedia e Zvicra me nga gjashtë universitete. Në Japoni janë pesë universitete nga kjo listë, në Francë, Hong Kong, Kore Jugore dhe në Tajvan nga katër universitete, në Austri, Belgjikë, Danimarkë, Irlandë, Singapor, Spanjë dhe Turqi nga dy universitete, kurse Egjipti, Zelanda e Re, Norvegjia dhe Afrika Jugut kanë nga një universitet në mesin e 200 më të mirëve në botë.

Panairi i librit TIRANA 2010 Pnairi i Librit “Tirana 2010″, ngjarja më e madhe kulturore e librit, që zhvillohet jo vetëm brenda kufijve të Shqipërisë, por në gjithë hapësirën shqiptare këtë vit, me pjesëmarrjen e Kosovës, Maqedonisë, Malit të Zi dhe diasporës, sivjet pati edicionin e 13-të të tij. Ai realizohet nën organizimin e Shoqatës së Botuesve Shqiptarë dhe cilësohet si një nga ngjarjet më të rëndësishme kulturore në vend. Panairi qëndroi i hapur nga datat 11-15 nëntor. Qëllimi kryesor i organizimit të kësaj veprimtarie ishte ekspozimi dhe publikimi në mënyrë sa më të gjerë i botimeve shqiptare, kryesisht atyre të kohëve të fundit. Panairi i Librit të Tiranës, prej vitesh është vendtakimi më i madh dhe më i rëndësishëm i autorëve shqiptarë nga të gjitha trevat ku jetojnë e punojnë shqiptarët, por edhe atyre që vijnë nga emigracioni. Gjithashtu, u organizua edhe ceremonia e ndarjes së çmimeve, e cila u u bё nga organizatorёt e panairit, tё cilёt janё mbёshtetur nё anketime tё ndryshme. Si shkrimtari mё i mirё u vlerёsua Irakli Kocollari, me librin e tij “Policia sekrete e Ali Pashёs”. Çmimi si pёrkthyes i mё tё mirёve iu dha Jorgji Qirjakos me Librin “Vallja e tim eti”, tё autorit Nikolas Papandreu. Martin Camaj- Shkrimtaria e tij, ishte libri qё u vlerёsua si vepra mё e mirё studimore nga studiuesi Behar Gjoka. Pёr librin mё tё mirё pёr fёmijё çmimin e mori “Tre vёllezёrit”,i shkrimtarit Bardhyl Xhama. Çmimin special tё panairit e mori prof. dr. Anastas Angjeli me “Tranzicioni dhe liria ekonomike nё Shqipёri”. Ndёrkaq, si “Stenda mё e mirё” u shpall “Media Print”. Edhe sivjet ky aktivitet ndoq me interes.


LIBRA TE RINJ “Mosmarreveshja”, Ismail Kadare“Si veteran i gjymtuar pas prerjes , që u përmend në krye të kësaj sprove, ai himn do të avitej me drojë te sheshi i kombeve, përballë himnit të Europës, muzikës së Bethovenit dhe fjalëve të Schiler-it për vëllazërimin e popujve , me tagrin për t’i dhënë zërin dhe arsyet e Shqipërisë. Nëpërmjet tij, shqiptarët i kishin bërë një pyetje dhe një premtim Zotit, në të vërtetë ndërgjegjes së tyre, dhe kishin më shumë se një shekull që rrihnin të kapnin përgjigjen për të. Se Zoti vetë e kishte thënë me gojë… Se çfarë kishte thënë Zoti dhe si e kishin kuptuar ata, ky kishte qenë dhe ende mbetej thelbi i pazbërthyer i çështjes”, shkruan Kadare në një nga sprovat e këtij libri. ”Si mbarova së lidhuri këpucët alpine zura vend në tryezë për të pritur mesin e natës. Erdhi mesnata, po patrulla s’po dukej ende. Na u desh të prisnim tri orë të padurueshme derisa më në fund ata erdhën. Nëna më mbajti të vishja pallton me jakë kadife. Qante. Unë vesha dorashkat e gjelbra. Te korridori i drunjtë, pikërisht atje ku është ora me gaz, gjyshja më tha: E di, do kthehesh përsëri...| ”Ka kaluar nga brezi në brez, është lakmuar shumë, është fshehur, ka humbur, është vjedhur dhe është blerë për shuma të majme parash. Ky sekret shekullor është kuptuar nga disa prej njerëzve më të mirënjohur në histori: Platoni, Galileu, Bethoveni etj... bashkë me disa shpikës të tjerë, që janë teologë, shkencëtarë dhe mendimtarë të mëdhenj. Tani Sekreti po i zbolohet botës...”

“Ky tekst është sa një studim për raportet e sotme prindër-fëmijë, aq edhe një letër e hapur. Një letër që u drejtohet prindërve të zakonshëm, të cilët brenda familjeve të zakonshme rrisin fëmijë të zakonshëm. Një letër në mirëbesim drejtuar prindërve që mendojnë. Në mënyrë të pashmangshme këta prindër të zakonshme hasin vështirësi, dyshime, probleme, ndoshta edhe udhëkryqe në raportet dhe marrëdhëniet me fëmijët e tyre. Në mjaft raste ata e ndiejnë se dijet dhe njohuritë, mënyrat dhe fuqitë e tyre nuk mjaftojnë. Dhe gjithnjë e më shpesh shtrojnë pyetjen: “Mos vallë fëmija ka nevojë për një psikolog?” Mbi urë, kalova prapra një formë të përkulur mbi parmak dhe që dukej të vështronte lumin. Nga më afër, shqova një grua të re thatime, të veshur me të zeza. Ndërmjet flokëve të zinj dhe jakës së palltos, shihej thjesht një qafë, e freskët dhe e lagur, ndaj së cilës qesh i ndjeshëm. Por e vazhdova rrugën, pas një ngurrimi... Pothuaj menjëherë, dëgjova një klithmë, të përsëritur disa herë, që zbriste bashkë me lumin dhe që u shua papritur... Fjala “Stres” vjen nga latinishtja stringere, që do të thotë “të tërheqësh fort”. Ekzistojnë shumë përcaktime për të: disa mendojnë se stresi mund dhe duhet të përkufizohet subjektivisht (ajo çfarë them rreth asaj se çfarë ndjej); të tjerë mendojnë se duhet një përkufizim objektiv, (ndoshta matjet fizike pështymës, gjakut ose rrahjeve të zemrës), disa të tjerë theksojnë se stresi është shumë dimensional...


Issuu converts static files into: digital portfolios, online yearbooks, online catalogs, digital photo albums and more. Sign up and create your flipbook.