DUA AJRIN TIM
ALTERNATIVAT E NGROHJES NË BANESË DHE GJURMA E NDIKIMIT NË CILËSINË E AJRIT Cilësia e ajrit është një prej treguesve kryesorë të mjedisit, që lidhet ngushtë me shëndetin dhe cilësinë e jetës së njerëzve. Në vendin tonë, elementët ndotës të ajrit përfaqësohen nga lënda grimcore (PM - PM10 dhe PM2.5), Oksidet e azotit (NOx), Ozoni (O3), Diosksidi i squfurit (SO2), komponimet volatile pa metan (Benzeni C6H6), Monoksidi i karbonit (CO) dhe Plumbi (Pb) (bashkë me ndotësit sekondarë). Sektori rezidencial konsiderohet një nga burimet kryesorë të ndotjes së ajrit në vend. Ky sektor përdor rreth 23.6% të gjithë energjisë së konsumuar në vend. Mbi 40% e energjisë së përdorur në banesë i dedikohet ngrohjes dhe ftohjes së ambientit. Në zonën e Korçës dhe Pogradecit, kjo shifër mund të jetë edhe më e lartë, ndikuar nga nevoja për ngrohje në periudhën e dimrit. Varësia nga druri për lëndë djegëse në këto zona, rrit ndjeshëm presionin në përkeqësimin e cilësisë së ajrit, sidomos përgjatë periudhës së dimrit, duke u kthyer në rrezik serioz për shëndetin e qytetarëve. Nisur nga këto rrethana, ky raport merr përsipër të analizojë alternativa të ndryshme të ngrohjes, duke parë anët negative dhe pozitive të secilës, si në aspektet e shkarkimeve në ajër, ashtu edhe nga pikëpamja e leverdisë ekonomike.
1. Ngrohja me energji elektrike
Shqipëria prodhon tërësisht energjinë elektrike nga burime të rinovueshme, ndaj përdorimi i saj për ngrohjen e banesës konsiderohet shumë e pastër. Si e tillë, kjo mënyrë nuk shkarkon elementë ndotës në ajër dhe krijon ambient të shëndetshëm e të rehatshëm në banesë. Në këtë situatë, banesat me ngrohje tërësisht elektrike kanë një gjurmë shumë të ulët karboni e si rrjedhojë, ndikimi negativ në cilësinë e ajrit do të ulej. Avantazhe të tjerë të përdorimit të energjisë elektrike janë: Çdo banesë është e lidhur me rrjetin e shpërndarjes; pajisjet që përdoren për ngrohje mund të përdoren edhe për ftohjen e ambientit si dhe prodhimi i energjisë elektrike nga burime të rinovueshme me kosto të përballueshme në të ardhmen. Gjithsesi, disavantazh mbetet çmimi i lartë i energjisë dhe kriza aktuale energjetike në vend dhe rajon. Aktualisht, vlerësohet se 1 kwh energji nevojitet për të ngrohur 10 m2 të një shtëpie tipike shqiptare të zonave të Pogradecit dhe të Korçës1 . Pra një shtëpi me një sipërfaqe të brendshme 100 m2, për t’u ngrohur ka nevojë për 10 kwh konsum. Nisur nga fakti që sot çmimi i 1 kwh është 9.5 lekë, atëhere ngrohja e shtëpisë në fjalë na kushton 95 lekë/orë.
2. Ngrohja me dru
Aroma e tymit gjatë djegies së drurit mund të duket e këndshme, por është e dëmshme për shëndetin. Edhe pse konsiderohet karbon neutral, djegia e drurit në soba dhe oxhaqe shoqërohet me shkarkimin e gazrave dhe grimca-
ve të dëmshme në ajër. Varësisht llojit të sobës dhe drurit të djegur, çlirohen grimca të imta PMTotal, së bashku me Monoksid karboni (CO), komponimet organike të paqëndrueshme (VOC), Dioksidi i karbonit (CO2), Oksidet e squfurit (SOx) dhe Oksidet e azotit (NOx). Krahas ndotjes së ajrit të jashtëm, ngrohja me djegie të drurit, paraqet shqetësim edhe për ndotjen e ajrit të brendshëm, varësisht modelit dhe gjendjes së sobës. Ekspozimi në kohë të gjatë ndaj këtyre ndotësve (tymit), paraqet shqetësim serioz për shëndetin e njerëzve, pasi shton rrezikun për probleme kardiovaskulare, probleme me rrugët e frymëmarrjes, deri në humbje jete. Më të rrezikuar janë individët e moshës së tretë, fëmijët dhe personat që vuajnë nga probleme të zemrës apo mushkërive. Me gjithë problematikën, ngrohja me sobë me dru, mbetet një alternativë relativisht e lirë, si nga pikëpamja e investimit fillestar dhe përgjatë operimit. Eficenca e ngrohjes me dru (sobat apo oxhaqet) llogaritet të ketë një rendiment 70%, pasi ka humbje të ndryshme. Për ngrohjen e një shtëpie me sipërfaqe 100 m2 për 1 orë në ditë nevojitet nga 0.0056 2 m 3 - 0.00933 m 3 dru, ndërkohë që ndryshimi varet nga lagështia që përmban druri. Një problematikë tjetër në këtë rast është përllogaritja e metrit kub të drurit, për arsye të hapësirave apo standardizimit të formës së drurit. Thënë kjo, nëse llogarisim që 1 metër kub dru këtë vit kushton rreth 5 000 lekë, atëherë mund të themi se kostoja për 1 orë e ngrohjes së shtëpisë prej 100 m2 kushton nga 28 lekë deri në 46,5 lekë.