2 minute read

Retrospektivë e shpejtë në vite

20

ABC Tirana Club

Advertisement

Rrjeti i bibliotekave të lagjeve në Tiranë e ka fillesën në vitet ‘60 dhe ‘70 të shekullit të kaluar. Ndërtimi i tyre nuk ishte i njëkohshëm dhe kujdesi i autoriteteve të periudhës komuniste ishte që ato të frekuentoheshin nga të gjitha gjeneratat. Bazuar në informacione nga ish-punonjës të asaj periudhe, fondi i tyre shkonte në rreth 20 mijë vëllime, ku pjesën më të madhe e zinin botime me karakter të theksuar propagandistik (vëllime të veprave partiake dhe të udhëheqësve të regjimit komunist), si dhe literaturë artistike për fëmijë. Në fondet e tyre gjeje dhe kopje periodikësh të pothuajse të gjitha gazetave, revistave dhe buletineve të ndryshme që botoheshin, ndërkohë që një pjesë e vogël ishin me karakter teknik e shkencor.

Bibliotekat organizonin aktivitete në mjediset e tyre me nxënës të shkollave që ishin pranë tyre, kryesisht dedikuar botimit të librave të rinj për fëmijë, apo takime me shkrimtarë dhe studiues të letërsisë. Personeli i bibliotekave ndiqte politika nxitjeje për leximin e librave në radhët e fëmijëve, duke shpërndarë periodikisht certificata dhe distiktivë “Miku i vogël i librit”, për ata që plotësonin kuota të caktuara

Model diplome dhe distiktivi i përdorur në vitin 1977.

Biblioteka e lagjes sime 21

të tërheqjes së librave. Procedimi për anëtarësimin në bibliotekë, kontrolli në skedarët e fondit dhe plotësimi i kërkesave për huazim bëhej vetëm në mënyrë manuale.

Pas mesit të viteve ’80, në kuadër të krizës ku ishte futur sistemi, si dhe mungesave e vështirësive serioze në ekonominë shqiptare, roli dhe ndikimi i tyre filloi të venitet, nuk kishte hyrje të titujve të rinj, fondet për aktivitetet u limituan në maksimum.

Por goditjen më të madhe rrjeti i bibliotekave të lagjeve e mori në fillimet e tranzicionit demokratik, nga viti 1990 dhe në vijim, kur varësia e tyre administrative dhe menaxheriale ndryshoi me riformatin e institucioneve në nivel qendror dhe lokal. Aktiviteti i tyre u la pas dore, mjediset filluan të degradojnë duke u vënë në shënjestër të procedurave korruptive për privatizim.

Ndaj tyre u inskenuan lloj-lloj dosjesh për tjetërsim pronësor, ose për zvogëlimin e sipërfaqeve që ato kishin në dispozicion. Viktimë e këtyre akteve joligjore me qëllim përfitimin, nën hundën e autoriteteve zyrtare, ishte zhdukja tërësore e mjediseve të bibliotekës së lagjes 8, (aktualisht njihet si qendra administrative nr.5 në një nga territoret e qendrës së kryeqytetit). Prej atëherë ajo nuk figuron më në hartën e rrjetit të bibliotekave publike, një mungesë për më shumë se 85 mijë banorë që jetojnë aktualisht në këtë njësi administrative. Numri i frekuentuesve dhe vizitorëve të tyre u rrudh, mjediset e brendshme dhe inventari pa asnjë shërbim mirëmbajtjeje dhe rinovimi nuk i përgjigjej më kërkesave të kohës, kurse fondi i mbetur i botimeve ditaditës bëhej edhe më i padobishëm.

Në këtë realitet të zymtë pati dhe iniciativa mbështetëse për bibliotekat, si një përpjekje konkrete për të rikthyer funksionalitetin dhe duke investuar në drejtim të modernizimit të tyre. Është e njohur mbështetja e Fondacionit “Shoqëria e Hapur për Shqipërinë”, por dhe grante e fonde librash dhe pajisje që u akorduan nga pushteti vendor në Tiranë. Ky proces siguroi frenimin e rënies së bibliotekave të lagjes, një tentativë për gjallërimin dhe kthimin e tyre në identitet, pavarësisht dëmtimeve dhe shkatërrimeve që kishin ndodhur për vite të tëra. Bibliotekat kanë marrë ndihma në pajisje dhe kontigjente botimesh e koleksionesh falas nga institucione publike dhe private, brenda dhe jashtë vendit, aspekt që ka rritur fondin në dispozicion nga ana sasiore, por ama pa garantuar në çdo rast cilësinë dhe koherencën.

This article is from: