7 minute read

Automatizimi i bibliotekave dhe sistemet e integruara

Biblioteka e lagjes sime 41

e Rinisë në Bashkinë e Tiranës duhet të konceptojë dhe propozojë një model të zbatueshëm e praktik të rrjetizimit të bibliotekave të lagjeve, ku qëllimi parësor të jetë sinergjia, bashkëveprimi mes tyre, aplikimi i agjendave dhe kalendarëve të njëkohshëm, duke iu dhënë më shumë zë dhe autoritet në komunitet bibliotekave. Kjo duhet të shtyhet më tej edhe kur vjen puna tek formula e varësisë dhe raporteve të secilës prej tyre me stafin e njësisë administrative ku ushtrojnë aktivitetin, për të gjetur zgjidhje menaxhimi që shkojnë në favor të bashkëpunimit mes bibliotekave, të shkëmbimit të përvojave dhe produkteve.

Advertisement

Grupi i punonjësve të të gjitha bibliotekave të shikohet si një aset që bashkëpunon dhe koordinon aktivitete të përbashkëta dhe jo si deri më tani, ku veprohet secili për hesap të vet, duke e mbyllur angazhimin brenda mureve të bibliotekës ku paguhet, kur ju duhet të bëhen bashkë spontanisht, në ndonjë mbledhje a takim rutinor organizuar nga Bashkia, ose Drejtoria e Rinisë në këtë institucion.

Automatizimi i bibliotekave dhe sistemet e integruara

Duke iu kthyer pohimeve që u bënë që në fillesat e këtij materiali studimor, vlen të theksohet se biblioteka shfrytëzon teknologjinë e informacionit dhe të komunikimit për të ndihmuar publikun të ketë qasje në sa më shumë burime dhe shërbime elektronike që të jetë e mundur, nga shtëpitë e tyre, shkollat ose vendi i punës 15 .

15 IFLA. Shërbimi i bibliotekës publike: udhëzime të IFLA/UNESCO-s për zhvillim. Tiranë, Shoqata e Punonjësve të Bibliotekave të Shqipërisë, 2002, f. 45

42

ABC Tirana Club

Pikërisht për të realizuar këtë funksion, faktor kyç është automatizimi i bibliotekës. Kjo ka rëndësi dhe për bibliotekat e lagjeve në Tiranë. Po ç’është automatizimi i bibliotekës dhe si ndikon ai në veprimtarinë e saj në ndihmë të përdoruesve, por edhe të vetë stafit?

Në literaturën profesionale, automatizimi nënkupton aplikimin e teknologjisë së informacionit dhe të komunikimit për të kryer funksionet bazë të bibliotekës, siç janë pasurimi i bibliotekës me materiale të reja, qarkullimi i materialeve bibliotekare, përpunimi teknik i tyre, si dhe kontrolli i periodikëve (gazetave, revistave) e kontrolli i shërbimit të referencave. Me pak fjalë automatizimi i proceseve të brendshme teknike sjell krijimin e katalogëve elektronikë online, që nuk janë gjë tjetër veçse katalogët tradicionalë, ose të ashtuquajturit skedarë, por në format elektronik dhe të arritshëm përmes internetit.

Qëllimi kryesor i automatizimit të bibliotekës është të lehtësojë bibliotekarët në përditshmërinë dhe misionin e tyre, për të kontribuuar në mënyrë më kuptimplotë në shpërndarjen e informacionit dhe dijeve tek përsoruesit. Përdorimi i katalogëve elektronikë online për publikun, ose të ashtuquajturit OPAC (Online Public Access Catalog), çon në eliminimin e skedarëve fizikë dhe krijon mundësi për qasje në distancë, të cilat përkthehen në ndryshime në mjedisin fizik të bibliotekës, por edhe në lehtësimin dhe rritjen e cilësisë së shërbimeve të bibliotekës ndaj përdoruesve, pra për krijimin e sistemeve të zbulimit të informacionit dhe të qarkullimit të materialeve bibliotekare. Të gjitha këto ndryshime kërkojnë investime në pajisje kompjuterike, instalimin dhe përdorimin e sistemeve të integruara bibliotekare, mirëmbajtjen e tyre, si dhe personel të kualifikuar.

Biblioteka e lagjes sime 43

Sistemet e integruara bibliotekare janë aplikacione softuerike shumëfunksionale, të adaptueshme që u ofrojnë mundësinë bibliotekave në administrimin e katalogëve dhe qarkullimin e materialeve. Me zhvillimet e vazhdueshme teknologjike, sot është e gjithë mundësia që bibliotekat publike të mund të përdorin sisteme të integruara bibliotekare me qasje të lirë. Një zgjidhje e tillë u lejon bibliotekave të automatizojnë proceset teknike të tyre dhe shërbimet me kosto efektive duke shkarkuar pa pagesë nga interneti sisteme të tilla e duke i përshtatur sipas nevojave të bibliotekës.

Sistemet e integruara bibliotekare me qasje të lirë bëjnë të mundur menaxhimin e proceseve të tilla, si të pasurimit, inventarizimit, katalogimit, menaxhimin e bazës së të dhënave të përdoruesve dhe katalogut online, si dhe ofrojnë mundësi të ndryshme kërkimi sipas titullit, autorit, subjektit, numrave standardë të identifikimit, tipit të materialit bibliotekar, numrit të vendit etj. Këto sisteme bëjnë të mundur edhe gjenerimin e listave informative bibliografike, apo raporteve e statistikave të ndryshme në lidhje me veprimtarinë e bibliotekës.

Gjithashtu, bazimi i tyre në standarde dhe protokolle ndërkombëtare të komunikimit të informacionit, çon në ndërveprimin e sistemeve me njëri-tjetrin. Përdorimi i këtyre sistemeve bën që bibliotekat të mos mbeten si ishuj të izoluar, por të ndërveprojnë me njëra-tjetrën, duke sjellë transformim në mundësitë e komunikimit mes tyre. Përveç përshkrimit bibliografik të materialeve bibliotekare, sistemet e integruara, përmes katalogëve online, mundësojnë edhe lokalizimin e njësive bibliotekare, duke treguar se në cilën bibliotekë mund të gjesh ekzemplarin e një materiali të kërkuar, por gjithashtu tregojnë edhe statusin e qarkullimit të njësisë, nëse është në gjendje të lirë për t’u huazuar, apo është në përdorim nga lexues të bibliotekës.

Ndër objektivat kryesore të automatizimit të bibliotekave, mund të përmendim: - përmirësimin e kontrollit të koleksioneve bibliotekare; - kontrollin efektiv mbi gjithë proceset teknike të bibliotekës; - ndarjen në mënyrë efektive të burimeve të informacionit mes bibliotekave të ndryshme në nivel lokal, rajonal, kombëtar e më gjerë; - reduktimin e punës manuale, duke i mundësuar stafit të bibliotekës më shumë kohë në dispozicion në punën me frekuentuesit dhe përdoruesit e bibliotekës; - rritjen e efektivitetit të shërbimeve, etj.

44

ABC Tirana Club

Në këtë aspekt na vjen në ndihmë dhe eksperienca e vendeve të tjera, ku automatizimi i bibliotekave dhe lidhja e tyre në rrjet ka nisur shumë herët. Pionierja e revolucionit digjital në biblioteka ishte OCLC (Online Computer Library Center) me prezantimin në vitin 1971 të shërbimit të parë të saj, Katalogut të Përbashkët Online, i cili sot quhet WorldCat (Katalogu Botëror) dhe Sistemit të Përbashkët të Katalogimit. Që atëherë, ndryshime marramendëse kanë ndodhur në teknolologjinë e informacionit dhe komunikimit. Shpikja e Internetit në mes të viteve 1990 dhe më pas e World Wide Web-it, shkaktuan një det ndryshimesh për bibliotekat dhe Bibliotekonominë. Misioni i OCLCsë ka qenë qasja në botën e pamatë të informacionit dhe reduktimi i kostove të bibliotekave. Strategjia afatgjatë e OCLC-së për sistemet e integruara bibliotekare është të krijojë një infrastrukturë për të ofruar zgjidhje në shkallë të gjerë, të bazuar në rrjet, për menaxhim sa më të mirë të punës së bibliotekave. 16

Sot në botë, bibliotekat publike janë të lidhura në rrjet jo vetëm me njëra-tjetrën, por ato tashmë janë pjesë integrale e katalogëve të përbashkët lokalë, kombëtarë, rajonalë apo edhe botërorë, siç është edhe WordCat. Sistemet e integruara në të cilat ato janë kyçur kanë tipologji të ndryshme, me kod të hapur apo të mbyllur, por e rëndësishme është që sistemet bazohen në standarde dhe protokolle ndërkombëtare si të fushës së bibliotekonomisë, ashtu edhe të teknologjisë së informacionit dhe komunikimit dhe bibliotekat përmbushin më së miri misionin e tyre të regjistrimit, kërkimit, gjetjes dhe shpërndarjes e komunikimit të informacionit nga kudo, kurdo dhe për këdo, 24/7.

Cilat janë efektet konkrete nëse zbatohet në rrjetin e bibliotekave të lagjeve?

Nëse bibliotekat publike të qytetit të Tiranës do të lidhen në rrjet midis tyre, përmes një programi kompjuterik për menaxhimin e bazave të të dhënave dhe shërbimeve bibliotekare, pra të kyçen në një sistem të integruar bibliotekar, përfitimi për to, por edhe për përdoruesit e tyre do të jetë shumë i madh.

Së pari, do të krijohet katalogu i përbashkët online, në të cilin do të jenë të regjistruara sipas standardeve ndërkombëtare të përshkrimit bibliografik të gjitha materialet apo burimet bibliotekare që gjenden

16 Encyclopedia of Library and Information Science. 3 rd ed. Boca Raton, etj., Taylor & Francis, 2010, f. 3924

Biblioteka e lagjes sime 45

në secilën bibliotekë. Si rrjedhim përdoruesit do të marrin informacion të saktë për çdo material që do të kërkojnë dhe gjejnë në bazën e të dhënave, përpos të tjerash edhe në cilën bibliotekë ndodhet, nëse është i lirë për huazim apo jo.

Së dyti, do të rriten orët e punës së punonjësve të bibliotekave në funksion të përdoruesve. Si pasojë e reduktimit të punës manuale, do të ulet gjithashtu kostoja e punës, si dhe marzhi i gabimit njerëzor dhe dublikimi i procedurave.

Së treti, do të rritet qarkullimi i materialeve bibliotekare, po kështu do të përmirësohet ndjeshëm shërbimi i përdoruesve në kohë dhe në cilësi. Përdoruesit përmes qasjes virtuale në OPAC nuk do të presin në radhë, por do të shërbehen menjëherë sapo të paraqiten në bibliotekë.

Së katërti, sigurimi i shërbimeve virtuale përmes një sistemi të tillë do të sjellë gjithashtu lirimin e hapësirës në bibliotekë, duke vendosur në vend të mobilieve të skedarëve fizikë terminale elektronikë për përdoruesit, shtimin e shërbimit të pyetje-përgjigje online dhe offline.

Ndër ndikimet më të mëdha të zbatimit të teknologjive të reja do të jenë edhe: - qasja në distancë; - kapërcimi i mureve të bibliotekës; - aftësimi i punonjësve të bibliotekës në Teknologjinë e Komunikimit dhe të Informacionit; - aftësimi i përdoruesve të bibliotekës në informacion; - koordinimi në zhvillimin e koleksioneve; - koordinimi për qarkullimin e materialeve me bibliotekat e tjera; - sigurimi dhe përdorimi i shërbimeve referuese të përbashkëta; - ndarja e burimeve.

Për shkak të karakterit elektronik të këtyre teknologjive, zbatimi dhe përdorimi i tyre kërkon modifikime dhe ndryshime të mëdha.

This article is from: