
1 minute read
Shtrirja e bibliotekave në territorin e Bashkisë së kryeqytetit
22
ABC Tirana Club
Advertisement
Ndryshimet në strukturën e administrimit dhe qeverisjes së qytetit (nga ndarja e territorit në minibashki dhe më pas në njësi administrative) u reflektua dhe në formulën e varësisë së bibliotekave. Në linjën e tyre tërësore të aktivitetit dhe performancës, politikave të zhvillimit dhe kontributit për komunitetin ato kanë varësi nga administrata qendore e Bashkisë së Tiranës, konkretisht nga Drejtoria e Rinisë dhe Drejtoria e Përgjithshme e Punëve Publike, ndërkohë që personeli që shërben në to dhe mirëmbajtja e mjediseve është nën varësinë e njësive administrative, ku është lokalizuar biblioteka.
Aktualisht, jo çdo njësi administrative në Tiranë ka bibliotekën e vet publike.
Kryqyteti, me rreth 700 mijë banorë, e ka të ndarë territorin në 11 njësi administrative, në tri lagje (si zona më të vogla), si dhe komunat në pjesën rurale. Është lehtësisht i identifikueshëm, por dhe i pashpjegueshëm fakti se nuk është arritur ndarja proporcionale e bibliotekave në territorin e kryeqytetit të Shqipërisë. Psh., 3 prej njësive administrative të Tiranës (ato me nr. 1, 3 dhe 5), ku jetojnë rreth 182 mijë banorë, nuk e kanë bibliotekën e tyre! Pa llogaritur këtu zona të tjera, kryesisht periferke dhe rurale, që i janë bashkëngjitur për administrim Bashkisë pas hyrjes në fuqi të ligjit të ndarjes administrative dhe territoriale në vendin tonë, të cilat po ashtu nuk kanë bibliotekë.
Paradoksi është se Tirana e vitit 2020 ka jo më shumë biblioteka publike se Tirana para vitit 1990.
Jemi dëshmitarë se qyteti është shumëfishuar në numrin e popullatës, të godinave të të gjitha llojeve publike a private, por rrjeti i bibliotekave nuk ka qenë në 30 vitet e fundit pjesë e planeve zhvilluese urbane, për të ndërtuar objekte të reja, si dhe për të zgjeruar sipërfaqet e objekteve ekzistuese, (siç do shpjegohet më poshtë, faktikisht ka dhe ka pasur proces të rinkonstruktimit të objekteve ekzistuese), tregues që flet qartë për orientimin e zbatimin e strategjive dhe politikave, vendimmarrjes e administrimit të kryeqytetit 100-vjeçar të Shqipërisë.
Tirana aktualisht ka 8 biblioteka publike, ose siç thirren biblioteka lagjesh.