Parqet Natyrore Rajonale në Shqipëri Parku Natyror Rajonal Nikaj-Mërtur, sekreti i fundit i Alpeve Shqiptare Parku Natyror Rajonal i Shkrelit, një mundësi për zhvillimin e qëndrueshëm të zonës Parku Natyror Rajonal i Zagorisë, një perlë në Jugun e thellë Kthella e fshehur mes maleve të Mirditës - Park Natyror Rajonal Ulëza, i pari Park Natyror Rajonal në Shqipëri Plani i Menaxhimit të PNR Ulëz - i pari për një Park Natyror Rajonal Fauna, flora, vlerat dhe kërcënimet e Parkut Natyror Rajonal Ulëz
Parqet Natyrore Rajonale, kushtet dhe synimet
Nr. 15, 2018
Parqet Natyrore Rajonale (PNR) bëjnë pjesë në kategorinë IV të Zonave të Mbrojtura të IUCN (Bashkimi Ndërkombëtar për Ruajtjen e Natyrës), e cila klasifikohet si “Rezervat natyror i menaxhuar/Park Natyror Rajonal”. Sipas ligjeve në fuqi, në vendin tonë, për t’u shpallur Park Natyror Rajonal (në nivel Bashkie ose Qarku), një territor i caktuar duhet të plotësojë disa kushte: - Të ndodhet brenda territorit administrativ të qarkut; - Të jenë jo më të vogla se 50 ha; - Të sigurojnë mbrojtjen dhe mirëmbajtjen e mjedisit natyror e të biodiversitetit në shkallë lokale; - Të jenë zona të gjelbëra natyrore, ose të kultivuara, që shërbejnë për plotësimin e nevojave të komunitetit për veprimtari ekonomike tradicionale, duke respektuar kërkesat e parimit të përdorimit të qëndrueshëm të territorit; - Të jenë të populluara me lloje të florës dhe faunës kryesisht të karakterit lokal; - Të ofrojnë mundësi për komunitetin të ushtrojë veprimtari shoqërore, edukative, argëtuese, sportive, kulturore, rekreative dhe turistike; - Të mos jenë të përfshira në rrjetin ekzistues të zonave të mbrojtura; - Të mos jenë habitate të llojeve të rrezikuara, të kërcënuara, të rralla dhe endemike, të cilat mbrohen në nivel kombëtar me një akt të veçantë. Shqipëria ka 5 Parqe Natyrore Rajonale (PNR), të cilët janë shpallur gjatë dy dekadave të fundit: Parku Natyror Rajonal i Ulzës, 4.206 hektarë (Qarku Dibër) Parku Natyror Rajonal i Shkrelit, 20.282 hektarë (Q. Shkodër) Parku Natyror Rajonal Nikëj-Mërtur, 17.505 hektarë (Q. Kukës) Parku Natyror Rajonal i Kthellës, 9.400 hektarë (Q. Lezhë). Parku Natyror Rajonal i Zagorisë, 13.600 hektarë (Q. Gjirokastër) Njëkohësisht me shpalljen e një territori të caktuar si Park Natyror Rajonal hartohet edhe Plani i Menaxhimit të këtyre parqeve, i cili është një dokument i rëndësishëm ku përfshihet vizioni dhe objektivat, zonat menazhuese, zonimi i Zonës së Mbrojtur, ndërhyrjet/aktivietetet e lejuara dhe kufizimet brenda parkut, strukturat, bordet dhe stafet menaxhuese të parkut etj. Planet e tilla, zakonishmt me kohëzgjatje 10-vjeçare, u shërbejnë të gjitha palëve të interesuara, që nga pushteti vendor e deri të institucionet kërkimore-shkencore. Planet synojnë zhvillimin e qëndrueshëm të parqeve natyrore rajonale, duke u mbështetur kryesisht në tre shtylla kryesore: Zhvillimin social përmes përfshirjes së komunitetit; mbrojtjen e mjedisit përmes menaxhimit të mbetjeve, si dhe zhvillimin ekonomik përmes hapjes së vendeve të reja të punës për komunitetin. Në përgjithësi, parqet natyrore rajonale, sikurse pjesa më e madhe e zonave të mbrojtura, janë një mundësi e mirë për promovimin e tyre, për mbrojtjen dhe zhvillimin e vlerave të biodiversitetit, por edhe të vlerave kulturore dhe shpirtërore të zonës. Përmes tyre synohet nxitja e turizmit të qëndrueshëm si dhe e investimeve të studiuara në mënyrë që përmes të ardhurave të siguruara nga turizmi, të përmirësohet cilësia e jetës së banorëve vendas.