Metropol 23 korrik 2013

Page 11

opinion • E martë 23 korrik 2013

»

11

Miti, mitika dhe egoja për famë e Lubonjës

K

ëto ditë po zhvillohet një debat e gjerë rreth deklaratave të Fatos Lubonjës, të cilat ai i ka plasuar në një revistë gjermane të destinuar për Ballkanin. Ai artikull i Lubonjës, i shkruar enkas për revistën e përmendur, përmban në thelb deheroizimin e shoqërisë shqiptare, çmitizimin e historisë dhe veçmas të heronjve të sotëm, e akoma më veçmas të heronjve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Sipas tij, shqiptarët që mbështesin e nderojnë “vrasës” si Haradinaj, pra shqiptarët shumicë, janë “skizofrenë”. Reagimet e shumta kanë shkuar nga njëri ekstrem në tjetrin. Një palë është vënë në mbrojtje të Lubonjës, midis tyre edhe analisti nga Prishtina Arben Idrizi. Po kështu mediet serbe kanë ngritur lart aktin e Lubonjës. Sigurisht, edhe aktin e Idrizit, i cili në reagimin e tij ndaj artikullit të Lubonjës bën një listë “vrasësish” të Kosovës, në mesin e të cilëve përmend Adem Jasharin. Kjo e ka acaruar kryeparlamentarin Jakup Krasniqi, i cili ka reaguar ashpër ndaj Arben Idrizit, ndërkohë që përkrahësit e Idrizit e akuzojnë Krasniqin për qëndrime raciste e fashiste. Në të vërtetë nuanca të tilla gjenden në deklaratën e Jakup Krasniqit, por askush nuk tha se skizofrenia për shqiptarët është gjithashtu një etiketim racist e fashist. Dëgjova dikë që thoshte se “më mirë të jesh fashist sesa serbosllav”, çka do të thotë se ne shqiptarët duhet ta ridiskutojmë procesin e demitizimit nga të gjitha pikëpamjet. Pra, duhet ta shkruajmë objektivisht raportin tonë me Gjermaninë e Hitlerit (jo me ideologjinë fashiste), gjithnjë të krahasuar me sundimin serb në Kosovë. Vetë Ramush Haradinaj është treguar i matur dhe nuk ka ndezur ndonjë debat me kundërakuza ndaj Lubonjës e Idrizit, por ai ka shpjeguar në një emision televiziv gjithë procesin e gjykimit të tij në Hagë, duke dëshmuar me fakte e argumente pafajësinë e tij. Unë dua t’i besoj zotit Haradinaj në ato që ka shpjeguar, thjesht dhe për faktin se është i vetmi person i akuzuar dy herë dhe i vënë dy herë në Gjykatën e Hagës dhe në të dyja rastet ka marrë pafajësinë. Të shkosh dy herë për të njëjtën akuzë në një gjykatë ndërkombëtare dhe të shpallesh dy herë i pafajshëm besoj se është argument i mjaftueshëm për çdo njeri normal që ai të mos etiketohet si vrasës, qoftë dhe nga analistë liberalë të llojit të Lubonjës e Idrizit. Megjithatë, besoj se nuk është e udhës që të merresh me vërtetësinë ose jo të një akuze të ngritur publikisht ndaj dikujt. Këto janë punë të gjykatave dhe të drejtësisë, e sa kohë drejtësia vepron, aq kohë i duhet besuar asaj. Problemi qëndron në argumentet e palëve gjatë reagimeve me mllefe e pasion të dukshëm. Sigurisht që është e pamundur të evitohet pasioni, mllefi, veçmas nga ata që mendojnë ndryshe nga tjetri, dhe kjo nuk përbën krim, por ftohtësia në analizën e një fenomeni të tillë ndoshta sjell më shumë qartësi, urtësi dhe logjikë. Le të ndalemi në disa aspekte të debatit: Së pari, përkrahësit e Lubonjës e të Idrizit, sidomos ata që janë vetëshpallur “moderatorë”, i justifikojnë ata me të qenët njerëz të lirë, me mendim të lirë e të pavarur. Ky lloj arsyetimi është i pavend, sepse as Lubonja, as Idrizi nuk janë aq tolerantë dhe liberatorë sa të pranojnë ose të heshtin kur ata sulmohen me akuza, të qenë ose të paqena, nga të tjerët. Ne i kemi parë në debatet televizive, i kemi ndjekur në analizat që bëjnë dhe reagimet që kanë pasur në shtyp dhe në asnjë rast nuk kemi fiksuar në memorie ndonjë akt tolerance përballë njerëzve me pikëpamje e ide të kundërta me të cilët ata përballen. Madje, shpeshherë të dy dëshmohen më agresivë sesa kritikët e tyre, që shfaqen këto ditë me shumicë në mbrojtje të Haradinajt apo “miteve” shqiptare. Aq më tepër të qenët “liberator” nuk të jep asnjë të drejtë morale e civile të bësh lista “vrasësish” e të luash rolin e prokurorit e të gjykatësit. Edhe nëse nuk ke vendime gjykatash për të provuar krimin e dikujt, analisti duhet të ketë së paku disa indice dhe prova morale për të mbrojtur akuzën që bën. Në këtë pikëpamje, Lubonja dhe Idrizi duket se duan të luajnë rolin e heroit e njëkohësisht të viktimës përballë “skizofrenëve” shqiptarë, të cilët besojnë tek e drejta e shqiptarëve për t’u çliruar dhe me armë nga pushtimi, sundimi dhe dhuna e pashembullt e Serbisë në Kosovë. Një analist, opinionist dhe komentator ka përgjegjësi për fjalën që artikulon. Në një analizë timen para 20 ditëve kam përdorur fjalën “shpurë” për një grup intelektualësh dhe partiakësh, të cilët ikën dhe u kthyen përsëri te Berisha. Miku im Frrok Çupi më tha se “nuk shkon kjo fjalë për këta njerëz, ata nuk janë shpurë, janë intelektualë”. I kërkova falje. Frroku kishte të drejtë. E drejta nuk anonte nga unë. Më ka pëlqyer mua ose jo ikja dhe kthimi i tyre te Berisha kjo është pjesa e sentimentit personal. Si analist nuk kam asnjë të drejtë të përdor epitete, aq më pak të akuzoj dikë pa asnjë fakt e argument. Ndërkaq Lubonja i thotë “vrasës” një personaliteti politik të Kosovës, për të cilin nuk ka asnjë të dhënë e argument. E si mund t’i thuash “vrasës” një duzine njerëzish?! Si mund t’u

Nga Enver BYTYÇI

thuash “skizofrenë” miliona bashkëkombësve të tu, siç bën Fatos Lubonja?! Është e paimagjinueshme! Është e pakonceptueshme! Të qenët i lirë nuk e justifikon një veprim të tillë. Së paku për këtë Lubonja dhe Idrizi duhet të kërkojnë ndjesë. Jo Ramush Haradinajt, jo listarëve të Arbenit, po opinionit publik. Të listuarit, nëse duan, kanë se ku e kërkojnë të drejtën e të vërtetën; nëse jo, le të pajtohen me të qenët kriminelë. Është punë e tyre. Së dyti, e gjithë piramida e akuzave që kanë ndërtuar Lubonja dhe Idrizi është vënë në funksion të deheroizimit. Unë besoj se një mision i tillë është fisnik dhe i drejtë. E vërteta është se të gjithë ballkanasit jetojnë me mitet e heronjve, të tradhtarëve e të viktimës. Heronjtë i përdorin për të mbajtur të bashkuar sa më shumë njerëz rreth vetes, ose për të identifikuar racën, çka sjell fobitë, antivlerat dhe më pas konfliktet, dhunën, luftërat, vrasjet e kështu me radhë. Tradhtitë i përdorin për të justifikuar gijotinën politike, morale ose edhe fizike kur e lejojnë rrethanat. Viktimizimin e përdorin për mbrojtje kur bëjnë prapësi dhe krime. Kjo prirje dhe ky realitet është i përhapur shumë më tepër te popujt e tjerë, përjashtuar sllovenët, sesa te shqiptarët. Kujtoni rastin e lirimit nga Haga dhe pritjes së gjeneral Gotovinës me mbi 500 mijë njerëz në sheshin e Zagrebit. Ishte i njëjtë me rastin e Haradinajt. Çmitizimi dhe deheroizimi në princip është një mision civil, por që shkon në raport me civilizimin e vetë shoqërisë, madje jo vetëm në një vend të caktuar, por në të gjithë rajonin. Lubonja është partizan i çmitizimit, por fatkeqësisht edhe vetë luan shpeshherë rolin e heroit. Le të kujtojmë vitet 2003 e 2004, kur ai u përball me Nanon dhe përdori gjithçka në funksion të rolit tragjikomik të heroit, pra edhe të viktimës. Unë kam pasur një milion arsye më shumë sesa Lubonja që të luaja rolin e heroit e njëkohësisht të viktimës, por nuk e mora përsipër këtë rol, jo nga paaftësia, thjesht se nuk doja të obligoja opinionin publik me problemet e mia si botues e gazetar me shtetin, SHIK-un, gjykatat, Bashkinë e Tiranës dhe segmente të tjera të luftës kundër fjalës së lirë. Edhe unë isha gjobitur me 20 milionë lekë të vjetra, madje për një shkrim të dikujt tjetër në revistën “Koha”, i cili kishte emër dhe mbiemër. Por mbatha këmbët e ika. Qëndrova në hije për të mos luajtur rolin e heroit, siç bëri Lubonja. Nëse Haradinaj u kthye nga Haga si hero, Lubonja me akuzën e vrasësit u bë “hero i fjalës së lirë”, kur kishte shumë më pak kontribute se shumë të tjerë në këtë fushë. Heronjtë e fjalës së lirë të kohës së Lubonjës morën edhe ndonjë plumb me vete e nuk u ndien, përveçse u përmenden në lajmet e ditës, sikur të ishin pjesë e kronikës së zezë. Fatkeqësisht, te ne ndodh gjithnjë i njëjti cikël. Antiheronjtë shfaqen të tillë që të zënë vendin e heronjve dhe heronjtë luftojnë me thonj e me dhëmbë që të mbeten të tillë. Moralisht janë më të pranueshëm këta të dytët sesa të parët. Ndodh si me lëvizjet tona njëshekullore për vetëvendosje, të cilat përfundojnë në luftë për pushtet. Njëra palë në emër te deheroizimit e demitizimit e shpall veten hero e mitik. Tjetra palë shpallet luftëtar për vetëvendosje e shtet-kombformim dhe përfundon te lufta për karrige, pushtet e para. Në të dyja rastet funksionon paraja, ndërkohë që në rastin e Lubonjës funksionon kapja e pushtetit mediatik, ndërsa te politika kapja e pushtetit politik. Edhe unë besoj se është e nevojshme që heronjtë t’i shohim si njerëz, por që kanë disa cilësi të veçantë, të avancuara, siç janë aftësitë, përkushtimi, vendosmëria, guximi, pse jo dhe mençuria e urtësia. Kështu ndodh madje me kryeheroin e shqiptarëve. Edhe Skënderbeu ka qenë njëri prej prijësve shqiptarë të kohës. Kjo do të thotë se ai ka pasur thjesht një ose dy cilësi më shumë sesa të tjerët, ndaj është vënë në krye të rezistencës së shqiptarëve për t’u mbrojtur nga pushtimi i osmanëve. Por dhe ai ka pasur defektet e tij, edhe ai ka bërë një jetë njeriu e nuk pati rënë nga qielli. Po Lubonja e disa të tjerë nuk shkojnë përtej kësaj logjike kur flasin për heronj të tillë si Skënderbeu. U veshin atyre lloj-lloj cilësish negative dhe nga heronj i shndërrojnë në antiheronj. Nëse lexo-

jmë filozofët e shumtë që janë marrë me studimet për mitet e heronjtë, atëherë do të gjendejmë një mesatare të logjikshme dhe civile për të pranuar heronjtë dhe heroizmin e njerëzve. Ndërkaq Lubonja dhe Idrizi e trajtojnë me përbuzje e urrejtje të pabazuar këtë kategori njerëzore, e cila zë vend edhe në vendet e qytetëruara. Kjo ndodh gjithashtu me Arben Idrizin, kur ai i adresohet figurës së Adem Jasharit. Në një kohë paqeje e në kohë stabiliteti, logjika e Arbenit është vërtet e pranueshme. Madje, kjo logjikë ka qenë e pranueshme nën zë edhe në kohën kur u vra Adem Jashari, përkatësisht fakti se nuk duhej sakrifikuar e gjithë familja në një konflikt të tillë si ai që ndodhi në Kosovë. Megjithatë, kjo nuk e zbeh aktin e heroit, i cili u përball me një forcë të pabarabartë, me ushtrinë dhe policinë serbe. Pra, nuk e justifikon kritikën arbitrare të analistit Idrizi. Aq më tepër nëse e gjykojmë Adem Jasharin me qëllimin e vetëm që t’i bëhet një shërbim i caktuar propagandës së Serbisë, pra për të justifikuar krimet e saj në Kosovë. Nuk jam i sigurt as për Lubonjën, as për Idrizin nëse me akuzat ndaj Haradinajt e Adem Jasharit duan të relativizojnë krimet serbe në Kosovë. Kjo nuk është as detyra ime, edhe pse thashetheme ka plot, së paku sa i përket Lubonjës. Në këtë kuptim, nuk shkojnë gjithashtu disa krahasime që i bëhen Lubonjës dhe Idrizit me Natasha Kondiçin e dikë tjetër në Serbi. Natasha Kondiçi, kur flet në përkrahje të shqiptarëve, u referohet vendimeve të Hagës dhe jo akuzave prej prokurorësh. Mbi këtë bazë ajo i ka dënuar gjithherë krimet serbe në Kosovë. Nuk ka luajtur asnjëherë rolin e prokurorit, siç bëjnë Lubonja e Idrizi. Megjithatë, ajo është atakuar në publikun serb si tradhtare e interesave serbe. Unë nuk besoj se Lubonja e Idrizi janë tradhtarë të interesave shqiptare, por besoj se janë i njëjti brumë shqiptarësh, njerëz skizofrenë (nëse besojmë se të tillë jam unë e shqiptarët e akuzuar prej Lubonjës”. Ata të dy janë njerëz mitomanë, madje nga ata që mendojnë se bota sillet rreth tyre. Dredhitë e interpretimit të konteksteve të Lubonjës nuk e zhbëjnë akuzën kolektive të tij kundër nesh, pjesës tjetër të shqiptarëve. Dhe akuzat kolektive janë definime të racizmit e fashizmit në çdo vokabular të botës. Në vendet e qytetëruara janë zhvilluar me shekuj luftëra civile e rajonale për të shkuar tek ideja reale e mitit dhe heroizmit. Nëse në shekullin e 16-të shpërtheu në Gjermani e në Europë lufta civile fetare e drejtuar nga Martin Luteri, ajo u drejtua kundër autoritetit të Papës dhe rolit të tij absolut në jetën fetare europiane. Por ama vetë Martin Luteri u shndërrua në një mit për evangjelistët evropianë, ndërkohë që Papa mbeti një institucion me fuqi absolute deri në ditët e sotme. Njerëzimi vërtet zhvillohet përmes të kundërtave, por jo përmes mllefeve, të cilat ne i shohim të shfaqen me bollëk edhe nga kampi pro-Lubonjë, edhe nga kundërshtarët e tij. Rolin e heroit luante gjithashtu Berat Buzhala në rastin kur i hidhej për hakmarrje politike Jakup Krasniqit. Së treti, mjeti me të cilin Lubonja lufton për “civilizimin” e shqiptarëve është vërtet një mjet që e përdorin njerëzit jocivilë. Kur ai thotë se “shqiptarët janë skizofrenë”, shpreh një ngërç në gjetjen e argumentit për tezat që ai lëvron. Dhe përdor fyerjen si mjet civilizues. Të jesh moderator, të jesh civil, të kërkosh të jesh ndryshe nga të tjerët, pra i një sëre më të lartë, më të kultivuar, do të thotë të jesh fisnik, do të thotë të jesh i urtë dhe të imponohesh me forcën e argumentit. Të përdorësh një fjalë fyese për një komb të caktuar, edhe nëse ky komb nuk i përket etnitetit që ti i përket, dëshmon për të kundërtën e asaj që predikon. Këtij lloj konflikti nuk i ikin shumica e sojit tonë të analistëve, komentatorëve dhe opinionistëve. Atëherë, pse Lubonja e përdor këtë fyerje kaq të rëndë për bashkëkombësit e tij, nëse ai na quan ne bashkëkombës? Jam i bindur se ai është i mësuar me autocensurën dhe e njeh mirë instinktin e prodhimit të asaj çfarë i pëlqen, në rastin konkret botuesit. Ai e di se bëhet i famshëm vetëm me skupe të tilla. Rendja pas famës është rendje pas mitit, pas heroizmave. Dhe Lubonja e luan mjaft mirë këtë rol, duke luajtur rolin e antiheroit, antimitit. Për këtë shkak mesazhi i Lubonjës është i pamoralshëm dhe shfaqet si hipokrizi. Ai shfaqet i të njëjtit model si dhe Rahmi Memushi, i cili disa ditë më parë fyente me të pavërteta dhe akuza të çuditshme të gjithë komunitetin katolik në Shqipëri. Këtij trendi të rrezikshëm për shoqërinë njerëzore i duhet dhënë fund. Lavdia dhe fama nuk arrihen mbi fatkeqësitë e të tjerëve ose bazuar në shpifje e akuza. Së paku në një rast të tillë nuk meriton askush të quhet analist, komentator, filozof a ku e di unë çfarë. Është krejt normale që në shoqërinë njerëzore të ketë tokësorë që me çdo mjet përpiqen për famë, por vetëdija njerëzore, vetë shoqëria i ka seleksionuar gjithmonë ata që artificialisht kërkojnë të arrijnë famën dhe mitin. Lubonja beson se është shndërruar në mbinjeri kur u hakërrehet të gjithëve, kolektivisht, pa dallim. Pikërisht këtë duhet ta evitojmë në shoqëritë e civilizuara që të shndërrohemi në një komb me konkurrencë efektive në mesin e vendeve të qytetëruara.


Issuu converts static files into: digital portfolios, online yearbooks, online catalogs, digital photo albums and more. Sign up and create your flipbook.