
3 minute read
KONKLUZIONE 6
Objekti ynë, subjekt i auditimit të energjisë, pallat shumëkatësh banimi ndërtuar në vitin 1995, ndodhet në qytetin e Pogradecit dhe ka gjithsej 4 kate me 1 apartament për kat. Apartamenti i marrë në studim ka kapacitet 3+1, me sipërfaqe totale afërsisht 100 m2. Pas inspektimit, të dhënat u përpunuan dhe u arrit në rezultatin se godina ka nevojë për ndërhyrje termoizoluese në mbështjellësen e jashtme vertikale, në mënyrë që të ulet kostoja e shpenzimeve energjetike, si edhe kostoja e druve të përdorura për ngrohje.
Nga analiza e kostos energjetike dhe pas ndërhyrjes me shtresë termoizoluese, ndryshimin e dritareve dhe zëvendësimin e ndriçimit me llamba LED, u arrit në përfundimin se koha e kthimit të investimit është rreth 6 vjet. Pas kësaj periudhe, energjia e kursyer çdo vit kthehet në fitim për banorët, pasi jetëgjatësia e këtij investimi është më e lartë se 30 vjet. Ky investim në termoizolim, përkthehet jo vetëm një investim fitimprurës nga ana ekonomike, por është gjithashtu një investim për të krijuar ambiente më të pastra nga CO2
Advertisement
Termoizolimi, si një nga masat e eficiencës së energjisë, është i rëndësishëm për Pogradecin, pasi një ndër problemet kryesore të mjedisit në këtë qytet është ndotja e ajrit nga djegia e druve për ngrohje, gjatë periudhës së ftohtë të vitit. Qarku i Korçës, ku bën pjesë edhe Pogradeci, është ndër qarqet me përdorimin më të lartë të druve të zjarrit për ngrohje të banesës. Problemi kryesor i evidentuar në këtë qytet, shkaktohet nga prania mbi normën e lejuar e grimcave PMTotal dhe SO2 në ajër. Duke njohur zhvillimet në qytetin e Pogradecit, mund të themi se burimi kryesor i këtyre grimcave vjen nga oxhaqet e shtëpive që mbulojnë me tym lagjet e qytetit. Ndërsa SO2 u referohet shkarkimeve nga automjetet (këto mbeten të dhëna relativisht të largëta në kohë). Gjithsesi, nuk përjashtohet edhe prania e ndotësve të tjerë të gaztë si: NOx, O3, etj.
Nga analizimi i banesës tip, në drejtim të performancës energjetike, rezulton se ka humbje jashtëzakonisht të larta të nxehtësisë, duke shtuar nevojën për dru zjarri për ngrohje. Si rrjedhojë, edhe ndotësit në atmosferë do të jenë në sasi më të lartë. Pas llogaritjeve të performancës energjetike të banesës, me ndërhyrje termoizoluese të parashikuara, rezulton se humbjet u reduktuan ndjeshëm, duke reduktuar edhe nevojën për përdorimin e lëndës drusore për djegie në masën 80%. Ky fakt tregon qartë rëndësinë që ka termoizolimi në parandalimin e ndotjes së ajrit dhe reduktimin e përdorimit të burimeve energjetike në vend. Gjithashtu, duket qartë se termoizolimi ka ndikim të ndjeshëm në rritjen e komoditetit në banesë dhe në uljen e rreziqeve që u kanosen qytetarëve nga ndotja e ajrit.
Nga përpunimi i të dhënave rezultoi se kostoja e sistemit kapotë për apartamentin në fjalë shkon te 212 175 lekë, ndërsa vetratat e xhamit (dritaret) kushtojnë gjithsej 162 000 lekë. Në total, kostoja e termoizolimit arrin në vlerën e 374 175 lekë. Falë termoizolimit, familja e marrë në studim, në një vit, do të kursente 33 400 lekë për dru zjarri dhe rreth 35 500 lekë për faturat e energjisë elektrike, duke mundësuar kthimin e investimit në rreth 6 vjet.
Nga analiza e bilancit të Bashkisë së Pogradecit rezultoi se buxheti total që nevojitet për të kompletuar procesin e sistemit kapotë në qytet, me qëllim rritjen e eficiencës energjetike, do të ishte 675 mln lekë. Në vitet e para, fondi i mjaftueshëm për këtë proces do të ishte rreth 33,5-40 mln lekë, ndaj do të mjaftonte deri në 13% e fondit të investimeve që të orientohej drejt përmirësimit të cilësisë së jetës të qytetarëve.
Opsion tjetër mund të jetë një taksë e përkohshme lokale me qëllim financimin e termoizolimit. Një skemë e ngjashme është përdorur edhe nga Bashkia e Tiranës me “Taksën e Përkohshme për Infrastrukturën Arsimore”. Bashkia e Pogradecit ka 12 000 familje, ndaj për vitet e para do të mjaftonte një pagesë prej 257 lekësh në muaj për familje, për të pasur mjaftueshëm buxhet në mënyrë që të financohet rritja e eficiencës energjetike tek apartamentet e kësaj bashkie.
Nëse do të marrim në konsideratë edhe familjet jashtë Pogradecit që kanë një shtëpi në këtë qytet 28 do të mjaftonin vetëm 64 lekë në muaj për familje për vitet e para, në mënyrë për të pasur mjaftueshëm buxhet në mënyrë që të financohet rritja e eficiencës energjetike në apartamentet e kësaj bashkie. Buxheti i nevojshëm për termoizolimin e shtëpive në Bashkinë e Pogradecit është sa 11,5% e të ardhurave të pushtetit vendor vjetor. Një formë tjetër për të siguruar këto para do të ishte lufta ndaj evazionit fiskal, ku buxheti i gjeneruar nga kjo “luftë” mund të shkonte si fond për financimin e termoizolimit.