
5 minute read
LISTA E TABELAVE
Kërkesa në rritje për energji, tkurrja gjithnjë e më tepër e burimeve energjetike dhe presioni negativ mbi mjedisin, kanë vënë në pikëpyetje zhvillimin normal të ekonomive globale dhe të ekzistencës tonë në të ardhmen. Ndaj, shkencëtarët, politikëbërësit, kompanitë e mëdha e deri te familjet kanë kthyer vëmendjen nga eficienca e energjisë dhe gjetja e burimeve të sigurta e të pashtershme të energjisë.
Sektori i ndërtimit, ku përfshihen edhe ndërtesat e banimit, mbetet një prej kontribuesve kryesorë të dëmtimit të mjedisit dhe varfërimit të burimeve natyrore në shkallë globale. Për vitin 2019, sektori i ndërtimit përbën përdorimin më të lartë të energjisë me mbi 36%, si dhe është përgjegjës për emetimet e rreth 40% të CO2 dhe sasi të konsiderueshme të gazeve të tjerë me efekt serë1. Me vëmendjen gjithnjë e më të madhe që po merr çështja e ndotjes së ajrit dhe ndryshimeve klimatike, ky sektor është nën presion për të reduktuar ndikimin mjedisor përballë një kërkese për energji në rritje të vazhdueshme.
Advertisement
Pas viteve 2000, shumë vende të Evropës kanë aktivizuar një sërë politikash me vëmendje të veçantë ndaj mjedisit dhe kursimit të energjisë, duke kryer kështu programe të shumta ristrukturimi, rijetësimi dhe rinovimi. Të gjitha këto për të rritur cilësinë e ambienteve të brendshme të banesave dhe të hapësirave ndërmjet tyre. Ndërhyrjet janë fokusuar në mbështjellësen e jashtme të ndërtesave, në përmirësimin e karakteristikave të tyre termike dhe akustike. Këto operacione ndihmojnë procesin e rijetësimit të lagjeve apo zonave ekzistuese, nëpërmjet përdorimit të teknologjive të reja dhe materialeve të rinovueshme.
Gjithashtu, amendamenti i vitit 2018, i Direktivës së Eficiencës së Energjisë, vendosi fokusin te rinovimi i ndërtesave ekzistuese, që shpesh përfshijnë instalimin e materialeve të izolimit termik për të përmirësuar efikasitetin e përdorimit të energjisë. Ndaj përdorimi i sistemeve të izolimit termik në ndërtesa, është tashmë mjaft i rëndësishëm dhe i detyrueshëm nga politikat dhe legjislacioni i Bashkimit Evropian. Këto politika synojnë uljen e konsumit të energjisë në sektorin e banesave, duke reduktuar kështu përdorimin e burimeve energjetike dhe duke ulur presionin në mjedis, kryesisht në uljen e shkarkimeve në ajër.
Por, ndonëse koncepti i rigjenerimit është përdorur gjerësisht në dy shekujt e fundit në Evropë, ai është ende i paeksploruar dhe jo shumë aktual në Shqipëri.
Ndërtimi masiv i objekteve të banimit me karakteristika të standardizuara, uniforme e deri në monotone, me cilësi të ulët teknologjike në Shqipëri, aktualisht paraqet nevojën më të madhe për t’iu përgjigjur ndërhyrjeve në drejtim të mirëmbajtjes dhe zhvillimit cilësor të kushteve të jetesës. Jo vetëm ndërtesat e ndërtuara para vitit 1990, por edhe ndërtesat e mëvonshme, që kanë probleme të mëdha në lidhje me cilësinë e elementeve arkitektonikë të mbështjellëseve, si: Prania e urave termike, lagështia, mungesa e izolimit akustik dhe termik, etj., kanë nevojë emergjente për ndërhyrje përmirësuese të cilësisë së ndërtimit. Kjo ndodh pasi mungesa e termoizolimit në elementë të jashtëm arkitektonikë, vertikalë dhe horizontalë, cilësia e dobët teknologjike e elementeve arkitektonikë në zbatim dhe ndërtimi masiv me cilësi të ulët, lidhet ngushtësisht me humbje të energjisë termike të brendshme, duke rritur nevojën për ngrohje të brendshme dhe si pasojë, duke rritur ndikimin negativ në kostot e energjisë apo të ndotjes së ajrit. Kjo, veçanërisht në zonat që karakterizohen nga temperatura të ulta, sikurse është edhe Rajoni i Korçës, ku bën pjesë edhe qyteti i Pogradecit, që në ndarjen klimatike të vendit, të dyja ndodhen në nën zonën më të ftohtë të Shqipërisë. Në këtë zonë, temperaturat nën 00 C janë prezente në pjesën më të madhe të stinës së dimrit2. Si rrjedhojë, ngrohja e ambientit të banesës është më e nevojshme dhe ndodh në periudhë më të gjatë se në zonat e tjera të vendit. Kjo është vërtetuar edhe nga të dhënat e INSTAT mbi konsumimin e energjisë elektrike dhe druve të zjarrit në këtë rajon në periudhën e dimrit3. Të dhënat nga INSTAT tregojnë se në këtë rajon burimi kryesor i energjisë për ngrohje vjen nga djegia e druve të zjarrit. Si rrjedhojë, vlerat e elementeve ndotës në atmosferë janë relativisht të lartë në periudhën e ftohtë, që në fillim të vjeshtës e deri në pranverë. Në varësi të llojit të sobës dhe të drurit të djegur, çlirohen grimcat të imta PMTotal, së bashku me monoksid karboni (CO), komponime organike të paqëndrueshme (VOC), dyoksid karboni (CO2), okside squfuri (SOx) dhe okside azoti (NOx).
Qyteti i Pogradecit nuk është pjesë e skemës kombëtare të monitorimit të cilësisë së ajrit në vitet e fundit, edhe pse ky është një detyrim ligjor. Të dhënat e fundit u referohen viteve 2015 dhe tregojnë se vlerat e PM10 tejkalojnë normat shqiptare të përqendrimit në ajër. Gjithashtu, edhe vlerat e SO₂ tejkalojnë me disa herë normat shqiptare të përqendrimit në ajër4. Ndërkohë që, nisur nga të dhëna rrethanore, si përdorimi i druve të zjarrit për ngrohje në qytetin e Pogradecit, mendojmë se parametrat e cilësisë së ajrit në dimër janë tepër problematikë. Kjo, edhe për shkak të ngjashmërisë me qytetin e Korçës. Të dhënat për qytetin e Korçës tregojnë se në dhjetor 2020, vlera 8 orare e monoksidit të karbonit është 12.13 mg/m³, nga 10 mg/m³ që është norma 8 orare e BE5. Nisur nga periudha që tregon se vlerat e monoksidit të karbonit kanë tejkaluar normat kufij, mendojmë se lidhet drejtpërdrejt me djegien e druve të zjarrit në periudhën e dimrit. Ndërkohë që, nisur nga situata e njëjtë me qytetin e Korçës, mund të themi se edhe qyteti i Pogradecit mund të ketë rritje të elementeve ndotës në ajër në periudhën e dimrit, lidhur me djegien e druve për ngrohje në banesë.
2. Simaku, G. (2017). Albanian Building Stock Typology and Energy Building Code in Progress Towards National Calculation Methodology of Performance on Heating and Cooling. Evropean Journal of Multidisciplinary Studies.
3. INSTAT. (2022). Databaza Statistikore. Retrieved from Instat.gov.al.
4. Bashkia Pogradec, 2015 Vlerësimi Strategjik Mjedisor për Planin e Përgjithshëm Vendor te Bashkisë Pogradec. Pogradec, Bashkia Pogradec.
5. AKM, A. K. (2022). Raporti i Gjendjes ne Mjedis 2020, Tiranë, AKM.
Qarku i Korçës numëron 52 572 ndërtesa banimi, mbi 50% e të cilave janë ndërtuar përpara viteve 20006. Referuar tipologjisë së ndërtimeve në periudha të ndryshme dhe të vjetërsisë së ndërtesës, mund të themi se ato janë ndërtesa relativisht të amortizuara dhe me performancë energjetike të ulët. Kjo nënkupton që nevoja energjetike për ngrohjen e ambientit është relativisht e lartë. Duke marrë parasysh që djegia e drurit për ngrohje zë një peshë të madhe për ngrohjen e ambientit në këtë zonë, presioni në mjedis, kryesisht në cilësinë e ajrit urban, është gjithnjë e më tepër në rritje.
Në këto rrethana, është mjaft e rëndësishme që të punohet në drejtim të vlerësimit të performancës së energjisë dhe në termoizolimin e godinave ekzistuese. Kësisoj, krahas komoditetit të krijuar në banesë, do të përfitojmë ulje të konsumit të energjisë, reduktim të presionit mjedisor nga shfrytëzimi i burimeve energjetike, përmirësim të cilësisë së ajrit urban dhe një sërë përfitimesh ekonomike.
Në përputhje me misionin dhe objektivët e tyre, All Green Centre dhe Arti në Duart e Gruas kanë hartuar “Raportin e Auditimit Energjetik – Vlerësimi i ndikimit në mjedis dhe në ekonomi nga termoizolimi i banesave në Pogradec”, duke ofruar të dhëna të sakta se si termoizolimi, si masë e eficiencës së energjisë redukton konsumin e energjisë, duke ndikuar në uljen e emetimeve të ndotësve në ajër. Po ashtu, raporti përmban të dhëna të sakta mbi kapacitetet financiare të Bashkisë Pogradec për të bashkëfinancuar termoizolimin në banesa përmes krijimit të “Fondit të Komunitetit”, si formë për stimulimin e këtyre investimeve nga ana e qytetarëve.