15 minute read

3 KAPITULLI II AUDITIMI ENERGJETIK NË BANESË

Në këtë raport të auditimit energjetik do të merret në studim një apartament banimi në qytetin e Pogradecit, me kapacitet 3+1 dhe me sipërfaqe rreth 100 m². Apartamenti ndodhet në një godinë banimi të ndërtuar në vitet 1995, që është shtesë e një godine të ndërtuar në vitet 1990.

Pallati është i pasuvatuar nga jashtë. Tri mbështjellëset e apartamentit janë në kontakt me ambientin e jashtëm, ndërkohë që vetëm në njërën anë të mbështjellëses, gjysma e gjatësisë totale të saj është në kontakt me murin perimetral të apartamenteve të pallatit ku është bërë shtesa. Ka vetëm një apartament për kat, ndërsa shkalla ka pjerrësi të madhe dhe pa sheshpushime çlodhëse.

Advertisement

Objektivi i këtij raporti është studimi dhe analiza e kostos energjetike, studimi i materialeve dhe i teknologjisë së mbështjellëseve të banesës, matja dhe analiza e koeficientit të transmetueshmërisë termike, e njohur ndryshe si vlera U e shprehur në (W/m2K), vlerësimi ekonomik i konsumit të druve për ngrohje dhe mënyra sesi mund të ulet konsumi i druve të zjarrit, duke realizuar termoizolimin, reflektimin e analizës së kosto-përfitimit për investimin në termoizolim, si dhe të japë rekomandime përkatëse në drejtim të kësaj mase të eficiencës së energjisë.

3.1 Të dhënat dhe pajisjet e përdorura për realizimin e auditimit të energjisë

Referuar ligjit nr. 124/2015, neni 4, pika 2, “auditues energjetik” është një person fizik ose juridik, i licencuar për të kryer auditime energjetike. Procesi i auditimit energjetik është një proces i gjatë, që kërkon studim në terren, matje dhe analiza të faturave energjetike. Faza e inspektimit dhe ajo e parainspektimit janë të domosdoshme, në mënyrë që të merren të gjitha informacionet e nevojshme për të kryer një inspektim të detajuar dhe shterues. Të dhënat që mblidhen janë të shumta dhe lejojnë një operim më të shpejtë në fazën e përpunimit të të dhënave. Në këtë kuadër, janë të nevojshme informacione, si: Plani i rilevimit dhe ai kadastral, libreza e pronësisë, informacione në lidhje me godinën, si dhe nëse ka pasur rinovime të rëndësishme të kryera në pjesët e përbashkëta ose në strukturë dhe në mbështjellëset e jashtme, që mund të kenë ndikuar në zarfin e ndërtesës ose në sistemin e ngrohjes, gjatë viteve të mëparshme. Në këtë mënyrë do të mundësohet identifikimi i vitit të instalimit të të gjithë shërbimeve në ndërtesën që do të certifikohet. Gjithashtu, gjatë inspektimit është e nevojshme të identifikohet qëllimi i përdorimit të ndërtesës apo të njësisë së pasurive të paluajtshme. Kjo bëhet pasi shërbimet që do të vlerësohen në lidhje me konsumin e energjisë varen nga kategoria e pronës, nga dimensionimi i të gjithë elementëve arkitektonikë dhe kufizimi i tyre, nëse kufizohen me dhoma me ajër të kondicionuar apo pa ajër të kondicionuar, me dhoma në kufi me mjedisin e jashtëm, ose në kufi me tokën.

Rilevimi gjeometrik i pronës na ofron informacione të ndryshme, si: Dimensioni i hapësirave të brendshme (përditësimi nga planimetria e siguruar nga klienti ose hedhja nga e para nëse nuk e kemi një plan nga klienti), madhësia dhe lartësia e ndarjeve, madhësia dhe pozicioni i dritareve, trashësia e elementëve opakë vertikalë dhe horizontalë; prania e mbikalimeve (ballkoneve të sipërme) që hedhin hije në muret dhe dritaret; lloji i kornizës së dritares (materiali, prania e thyerjes termike); lloji i xhamit të dritares (xham njësh ose dysh, prania e xhamit të dyfishtë dhe tipi i mbushjes së interkapedit të xhamit, nëse është ajër apo gaz inert, argon, etj.); prania ose jo e llojit të termoizolimit, stratigrafia e derës së hyrjes, është e dobishme të dihet nëse ka veçanërisht një izolim termik, etj.

Pas analizimit të gjeometrisë dhe karakteristikave të dritareve, ne vazhdojmë me analizën dhe identifikimin e urave termike, shpesh të pazgjidhura, brenda objektit që analizohet. Në këtë rast, mund të përdorim mjete që do të na lejojnë të marrim informacione të mëtejshme, si: Matës temperature laser, multimetër, anemometër, lux metër, matës distance laser dhe U value metër.

3.2 Përshkrimi i godinës

Ndërtesa, që është objekt auditimi i energjisë është apartament banimi me kapacitet 3+1, me sipërfaqe totale afërsisht 100 m². Godina ka strukturë mbajtëse me sistem tra-kolonë, me material beton të armuar dhe me muret e jashtme perimetrale tullë me vrima 20 cm. Lartësia e katit është 2,5 metra. Nyja vertikale e shkallëve është hapësirë e jashtme nga apartamenti, por është një zonë e mbyllur, e cila bën lidhjen e apartamenteve të ndryshme në secilin kat. Godina është projektuar në mënyrë të tillë, që nuk merr në konsideratë kriteret minimale të performancës së energjisë në ndërtesa, sipas ligjeve të sotme në fuqi.

Tabela 2. Gjeometria e ndërtesës

Sistemi i përzgjedhur për të kryer ngrohjen është sistemi me sobë me dru, ndërsa për ftohjen nuk është parashikuar asnjë sistem mekanik. Objekti nuk ka parashikuar sistem të ventilimit të ajrit. Ventilimi i ambienteve kryhet në mënyrë natyrale.

Furnizimi me ujë sanitar kryhet nga rrjeti ekzistues publik. Furnizimi me ujë të ngrohtë sanitar është realizuar nëpërmjet bojlerëve 80 litrosh, të vendosur në secilin ambient sanitar të godinës. Dyert dhe dritaret e jashtme janë me material alumin me dopio xham dhe me kasa pa dhomë termike. Kemi të bëjmë me një profil unik, që nuk ndahet në dy pjesë si për profilin e ndërprerjes termike. Për rrjedhojë, pjesa e jashtme në kontakt direkt me të ftohtin e dimrit jashtë shtëpisë, lidhet drejtpërdrejt me pjesën e brendshme që do të jetë brenda shtëpisë. Në këtë mënyrë, temperaturat e ftohta të ambientit të jashtëm, transmetohen në ambientin e brendshëm. Për këtë arsye, në dimër, sipërfaqja e kasës së dritares do të jetë shumë e ftohtë dhe kjo krijon vazhdimisht probleme shumë të dukshme të kondensimit të brendshëm, duke u bërë habitat i favorshëm për praninë e mykut. Si pasojë e diferencës së temperaturës nga jashtëbrenda, dritarja në sipërfaqen e brendshme laget plotësisht dhe shpesh pikon brenda shtëpisë, duke lagur edhe sipërfaqen e murit në afërsi të dritares.

3.3 Përshkrimi gjeometrik i apartamentit

Objekti i marrë në studim është apartament banimi në godinë 4 kate banimi dhe një kat shërbime. Apartamenti i marrë në studim ndodhet në katin e 3-të të banimit. Zonat e apartamentit janë të specifikuara më poshtë:

3. Zonat e apartamentit

3.4 Koncepti i projektit dhe materialet e përdorura në fasadë

Apartamenti i marrë në studim është apartament për një familje. Zona e shkallëve bën lidhjen e apartamenteve në secilin kat. Apartamenti ka një korridor të brendshëm, i cili nga dera kryesore bën lidhjen me dy dhomat e gjumit dhe me hollin e banesës. Holli i banesës përmban ambientin e qëndrimit, një kënd të vogël studimi dhe ambientin e gatimit të pandarë nga pjesa tjetër. Më pas, ai bën lidhjen me tualetin dhe me një ambient tjetër gjumi. Dhoma e gjumit martesore, ka dalje në ballkon, që është gjithashtu i mbyllur me dritare alumini dhe në të është vendosur ambienti i gatimit dhe një tualet i vogël. Referuar destinacionit aktual, objekti do të ketë një përdorim të vazhdueshëm përgjatë gjithë vitit dhe 12-14 orë në ditë referuar përdorimit tipik. Megjithatë, një familje ngrohet deri në 5 muaj në vit me një kohëzgjatje mesatare që shkon nga 8-10 orë. Në tabelën në vijim paraqitet shtrirja në kohë e përdorimit të objektit:

1 Vjetor (numri i muajve në përdorim gjatë një viti) muaj

2 Javor (numri i ditëve në shfrytëzim brenda javës) 7 ditë

3 Ditor (numri i orëve në shfrytëzim brenda ditës)

12-14 orë

Gjatë inspektimit të ndërtesës në terren janë realizuar matje të shumta për të përcaktuar në mënyrë sa më të saktë performancën energjetike të saj.

Muret e jashtme janë të realizuara me tulla me vrima e me trashësi 20 cm, të suvatuara në sipërfaqen e brendshme, por të pasuvatuara në sipërfaqen e jashtme. Muret ndarëse të brendshme janë realizuar me tullë 12 cm dhe suvatohen në të dyja anët ose vishen me pllaka në rastin e tualeteve.

3.5 Përshkrimi i funksioneve

3.5.1 Planimetria e katit tip të banimit

Funksionet që janë vendosur në planimetri janë të ditës dhe të natës. Aty janë menduar 2 dhoma gjumi, një holl i përbashkët me kuzhinën, dy tualete dhe shpërndarja, e cila bëhet nga një korridor i brendshëm ku ndodhen edhe shkallët.

3.5.2 Zarfi i ndërtesës (elementët arkitektonikë të mbështjellëses)

Në këtë paragraf paraqiten të gjitha të dhënat e elementeve arkitektonikë të mbështjellëses së ndërtesës, duke u fokusuar në informacionin që lidhet drejtpërdrejt me performancën energjetike dhe ka të bëjë me koeficientin e transmetueshmërisë termike, e njohur ndryshe si vlera U e shprehur në (W/m2K). Për identifikimin e këtij parametri, janë realizuar matje në përputhje të plotë me standardin ISO 9869.

Të gjithë muret e jashtme të kësaj ndërtese kanë të njëjtin tipologji shtresash. Koeficienti i transmetueshmërisë termike të murit është arritur të gjendet përmes përdorimit të instrumentit përkatës. Duke qenë se është bërë edhe verifikimi i shtresave të vëna në dispozicion nga projekti në godinë gjatë auditimit, vlerat e matura janë konfirmuar edhe përmes llogaritjeve analitike dhe përllogaritjes së tyre, sipas standardeve në fuqi (VKM nr. 38/2003). Duke qenë se diferencat kanë rezultuar shumë të vogla, janë pranuar dhe janë marrë të mirëqena vlerat e përftuara nga pajisja matëse.

Në tabelën e mëposhtme është një përmbledhje e karakteristikave të elementeve të mbështjellëses së ndërtesës, duke përfshirë murin e brendshëm dhe soletën.

Tabela 5. Përmbledhje e karakteristikave të elementeve të mbështjellëses së ndërtesës

Dritaret e përdorura në këtë banesë janë me profile alumini pa dhomë termike, me dopio xham të thjeshtë, me dhomë ajri midis dy shtresave të xhamit me trashësi 0,7 cm. Në këtë rast, koeficienti i përcjellshmërisë termike është shumë i madh, që do të thotë vlera U = 4,7 W/m²K.

3.6 Sistemet e ngrohjes, të ftohjes, ventilimit, kondicionimit të ajrit dhe të ujit të ngrohtë sanitar në ndërtesë

3.6.1 Gjenerimi i nxehtësisë

Sistemi i përzgjedhur për të kryer ngrohjen e ambienteve është soba me dru e vendosur në holl, teksa shoqërohet me pajisje të tjera ndihmuese me energji elektrike në periudha të caktuara. Kostoja e druve sipas intervistës së realizuar në terren shkon pothuajse 83 500 lekë në vit. Ndërkohë që shtohen edhe kosto të tjera, të cilat nuk futen në këtë shumë si: Lyerja e shtëpisë çdo vit nga ndotja e sipërfaqes së mureve të brendshme nga tymi.

Tabela 6: Kostot që merren parasysh për ngrohjen me dru

3.6.2 Sistemi i ventilimit dhe i kondicionimit të ajrit

Objekti nuk ka parashikuar sistem të ventilimit të ajrit në asnjë nga zonat. Ventilimi i ambienteve kryhet në mënyrë natyrale. Po kështu, edhe ambientet sanitare janë të gjithë në pjesën perimetrale të apartamentit dhe me ventilim natyral.

3.6.3 Sistemi i përgatitjes së ujit të ngrohtë sanitar (UNS)

Prodhimi i ujit të ngrohtë sanitar realizohet me bojler individual elektrik të përzgjedhur për të siguruar furnizim gjatë gjithë ditës. Madhësia e bojlerit elektrik është llogaritur në funksion të nevojave për ujë sanitar. Në këtë mënyrë, në ambientet sanitare janë përdorur bojlerë 80 litrosh, që mund të shërbejnë edhe për ambientin e kuzhinës, pasi ka një afërsi me të.

3.7 Sisteme të tjerë elektrike në ndërtesë - Ndriçimi i brendshëm

Sistemi i ndriçimit komandohet në mënyrë manuale (çelësa apo pulsantë, të cilët janë të instaluar sipas zonave dhe mundësisë së komandimit). Ndriçimi ka si njësi matëse Lux-in dhe ndryshe nga intensiteti dhe fluksi i dritës, që janë sasi karakteristike të një burimi, ndriçimi është një sasi që ka të bëjë me një sipërfaqe të caktuar pune. Në një pikë të një sipërfaqeje, ndriçimi përcaktohet si fluksi i marrë nga një pikë pafundësisht e vogël e sipërfaqes së ndriçuar, e ndarë me sipërfaqen e vetë elementit. Pra, njësia matëse e ndriçimit Lux, është një njësi e përdorur për të matur intensitetin e dritës që godet një sipërfaqe, zakonisht një mur, dysheme ose një tavolinë pune. Një Lux është e barabartë me një lumen për metër katror. Duke qenë se ndriçimi luan një rol të rëndësishëm në mirëqenien njerëzore, në mbarëvajtjen dhe produktivitetin e punës në ambientet e mbyllura, por gjithashtu edhe në koston e energjisë elektrike, ekzistojnë disa normativa UNI EN, që vendosin një vlerë optimale të ndriçimit në Lux tek ambientet e brendshme, në varësi të funksionit të tyre.

3.8 Shpenzimet

Faturat e energjisë elektrike janë të disponueshme vetëm për 5 muaj të vitit, më konkretisht nga muaji shtator 2021 deri në muajin janar 2022. Kjo periudhë e shkurtër kohore na limiton në nxjerrjen e konkluzioneve krahasimore për shpenzimet në 4 stinët e ndryshme të vitit. Megjithatë, nga faturat e energjisë elektrike sipas tabelës së mëposhtme, ne mund të arrijmë në dy konstatime.

Konstatimi i parë është kostoja e lartë e faturës së energjisë elektrike, duke llogaritur që kjo kosto shkon vetëm për ndriçim dhe ujë të ngrohtë. Meqenëse ngrohja me dru ndodhet vetëm në zonën e hollit dhe nuk mbulon dot ngrohjen e dhomave të tjera të gjumit, banorët deklaruan se për këto hapësira përdorin një ngrohje me pajisje elektrike për pak kohë para gjumit.

Konstatimi i dytë është që vlerat midis muajit shtator dhe dhjetor kanë ndryshim të konsiderueshëm. Kjo vjen si pasojë e rritjes së nevojës për energji elektrike dhe për ujë të ngrohtë më shumë se në stinën e verës, por gjithashtu shpjegon edhe nevojën që banesa të ketë ngrohje gjatë muajve të dimrit, përveç asaj të sobës me dru. Në tabelë e mëposhtme jepen disa detaje mbi shpenzimin e energjisë, të ndarë në zëra, realizuar nga inspektimi i kryer në zonë. Vihet re përdorimi i pajisjeve ndihmëse për ngrohje dhe për ftohje në dhomat e gjumit me orare te reduktuara.

Në mënyrë që të kuptojmë më mirë klimën në qytetin e Pogradecit u bë një studim i ditëve me diell, temperaturave vjetore dhe reshjeve gjatë 1 viti.

Nga tabelat e mësipërme na rezulton se Pogradeci ka temperatura mesatare vjetore 10-120 C. Muaji më i ftohtë është janari dhe muaji më i nxehtë është gushti. Grafikët e mësipërm të studimit të klimës na ndihmojnë të kuptojmë edhe tendencën e kostos së faturave në muajt e dimrit. Në përfundim, mund të themi se kushtet aktuale teknologjike të zarfit të ndërtesës krijojnë ambiente jetese të ftohta në dimër dhe të nxehta në verë, duke çuar nevojën e ngrohjes së ambientit jo vetëm me dru, por edhe me energji elektrike gjatë muajve të dimrit dhe në ftohjen e ambientit në mënyrë mekanike gjatë muajve të verës, përveç ventilimit natyral.

Sipas tabelës së mësipërme, mesatarja vjetore e harxhimit të energjisë del 7 181,42 kWh/vit. Bazuar në leximin e të dhënave nga konsumi energjetik, ndërtesa klasifikohet në klasin C të energjisë. Ky klasifikim lidhet ngushtësisht me shpenzimet për energji elektrike, por pa faturuar këtu edhe kostot shtesë të energjisë së shpenzuar për dru zjarri.

http://eecert.eficenca.gov.al/

3.9 Masat e propozuara për rritjen e eficiencës së energjisë dhe ndikimi në kursim

3.9.1 Termoizolimi i mureve të jashtme cm, me suvatim të brendshëm 1,5 cm, pa termoizolim dhe pa suvatim të jashtëm

Termoizolimi i jashtëm është një nga sistemet më të mirë për izolimin e mureve nga i ftohti dhe ruajtjen e elementeve arkitektonikë nga kondensimi. Kjo ndërhyrje përmirëson efikasitetin energjetik të shtëpisë dhe gjithashtu parandalon formimin e mykut në mure dhe në dritare, apo edhe në dyer të jashtme. Termoizolimi i mirë garanton një shtëpi të rehatshme në të gjitha stinët e vitit, por mbi të gjitha sjell kursim të konsiderueshëm të energjisë dhe të faturave për sigurimin e saj, sikurse janë faturat për blerjen e druve të zjarrit, faturat e energjisë elektrike, etj.

Sistemi i izolimit të jashtëm, i kryer në një ndërtesë ekzistuese, është një nga sistemet izoluese më të përhapur dhe më të favorshëm. Ai konsiston në aplikimin e paneleve izoluese të materialeve dhe të trashësive të ndryshme në muret e jashtme të ndërtesës. Kjo masë rekomandohet në mënyrë që ambienti i brendshëm të jetë i ngrohtë gjatë ditës, pasi termoizolimi krijon mure të ngrohtë, që gjatë ditës thithin nxehtësinë dhe gjatë natës e lëshojnë atë, duke ulur kështu nevojën për ngrohje. Rrjedhimisht ulet edhe nevoja për energji.

Një tjetër tipar pozitiv është eliminimi total i urave termike të shkaktuara nga trarët dhe dyshemetë, që ndodhen midis kateve në lartësi. Po ashtu, instalimi i këtij lloji termoizolimi maksimizon raportin kosto-përfitim. Është me rëndësi që kur bëhet një investim i tillë, materiali termoizolues të jetë edhe zë izolues. Qëllimi është që izolimi të rritet si nga pikëpamja termike, ashtu dhe nga ajo akustike.

Në mënyrë të përmbledhur, avantazhet që sjell shtresa termoizoluese janë:

- Mbron shtëpinë nga humbja e nxehtësisë gjatë dimrit;

- Parandalon ose menaxhon problemet e lagështisë për shkak të urave termike ose ndryshimeve të temperaturës;

- Redukton urat termike, pra, ato zona të ftohta të shkaktuara nga ndërprerjet e ndërtimit;

- Mjediset e brendshme mbeten më të freskëta në verë, pavarësisht nga nxehtësia dhe temperaturat e larta të jashtme;

- Parandalon dëmtimin e mureve, nga shkaktarë të tillë si myku, plasaritjet, etj.

Metodat më të mira të termoizolimit nga jashtë janë: Termoizolimi me sistem kapotë dhe termoizolimi me fasade të ventiluar. Sistemi kapotë është më i thjeshtë në realizim dhe ka edhe kosto më të ulët kundrejt sistemit me fasadë të ventiluar. Ky i fundit ka më shumë materiale e për pasojë dhe kosto më të lartë. Kjo edhe për shkak të strukturës metalike të fasadës së ventiluar.

3.9.2 Termoizolimi i mureve të brendshme

Izolimi nga brenda është një teknikë e lirë, me një ulje të parëndësishme të sipërfaqes së brendshme të hapësirës së jetesës, por ky lloj termoizolimi rekomandohet vetëm në rastet kur nuk është i mundur termoizolimi nga jashtë, sepse kjo alternativë ka si disavantazh krijimin e urave termike nga kati në kat në korrespondencën e trarëve dhe të soletave.

3.9.3 Ndërhyrjet në ndriçimin LED

Ndriçimi i ambienteve duhet të plotësojë normat UNI EN 12464-1 përsa u përket shkallëve të ndriçimit në planin horizontal e vertikal, ashtu edhe përsa i përket verbimit, tonalitetit të ngjyrave në gradë K 3 000, rrezes kromatike, klasës së cilësisë, etj.

Është e rëndësishme të minimizohet ndjeshëm ndriçimi artificial gjatë ditës si dhe në ato momente kur nuk është në përdorim një zonë e caktuar. Kjo mund të zvogëlojë shpenzimet e ndriçimit deri në 40 për qind. Ndërkohë që ndriçimi artificial duhet të jetë gjithmonë LED, pasi çon në kursimin e energjisë elektrike nga 50% deri në 80% të konsumit të energjisë. Në këtë mënyrë eliminohen pothuajse plotësisht kostot e mirëmbajtjes falë qëndrueshmërisë dhe efikasitetit të tyre afatgjatë. LED-et kanë një degradim me kalimin e kohës prej rreth 20%, krahasuar me 50% të llambave tradicionale. Për më tepër, kohëzgjatja e tyre i referohet jetës minimale të garantuar, që mund të kalojë 50 000 orë. Ndriçimi LED me të njëjtën dalje drite në krahasim me llambat e tjera, thith shumë më pak rrymë dhe për këtë arsye, kontribuon ndjeshëm në kufizimin e emetimeve të CO2 në mjedis. Po ashtu, LED-et nuk lëshojnë rreze ultraviolet apo rreze infra të kuqe, duke e bërë këtë lloj drite të padëmshme dhe të sigurt për çdo lloj aplikimi.

Ndriçimi elektrik duhet projektuar sipas standardeve dhe normativave bazuar në tipologjinë e ambienteve në vlerat 100 - 450 Lux/m². Përafërsisht, ndriçimi në Lux sipas funksionit të tij është si më poshtë:

Tabela 10: Ndriçimi Lux sipas funksionit

3.9.4 Kursimi i energjisë nga aplikimi i masave të eficiencës së energjisë, në banesën e marrë në studim

Bazuar në matjet dhe llogaritjet e kryera, performanca aktuale e murit të jashtëm rezulton e ulët. Një mur me U = 1,62 W/(m²K) do të thotë se: 1,62 watt energji shpërndahen për metër katror për çdo shkallë të diferencës termike, midis pjesës së jashtme dhe të brendshme.

Sa më e ulët të jetë vlera U, aq më mirë rezulton performanca e murit apo elementeve të tjerë arkitektonikë. Pra, nëse jashtë është 0° C, çdo metër katror mur aktual humbet afërsisht 777 watt në vetëm 1 ditë. Ndërkohë që, në rast se bëjmë një ndërhyrje me termoizolim të jashtëm me trashësi 8 cm, muri do të shpërndajë afërsisht 153 watt/m². Aktualisht, holli ku ndodhet soba me dru ka 22,5 m² sipërfaqe mure në kontakt me ambientin e jashtëm dhe nga përllogaritjet rezulton se kjo sipërfaqe muri harxhon afërsisht 5,8 kg dru në 17,5 kWh. Nëse ndërhyhet me termoizolim, sasia e humbjes së energjisë ulet dhe për rrjedhojë, ulet dhe sasia e druve që përdoret në një raport pothuajse 4 herë më pak. Gjithashtu, një zgjidhje e mirë do të ishte ndryshimi i llambave në ndriçim LED. Nëse 13 llambat aktuale në banesë do të zëvendësohen me llamba LED, kostoja e tyre shkon rreth 13 000 lekë, ndërkohë që energjia e kursyer do të jetë 4 herë më e vogël se energjia fillestare e shpenzuar për ndriçim.

Tabela 11. Kostoja e shpenzimeve të energjisë elektrike, nëse kryhet termoizolimi dhe ndriçimi LED

Vetëm nëpërmjet ndërhyrjeve termoizoluese dhe ndriçuesve LED, energjia e godinës ulet në 4 064,72 kWh/vit nga 7 181,42 kWh/vit që është aktualisht, duke kaluar kështu nga klasa C në klasën B.

3.9.5 Koha e kthimit të investimit

Më poshtë do të bëjmë një përllogaritje të përafërt të kostos së ndërhyrjes me termoizolim sistem kapotë dhe të kohës së kthimit të investimit fillestar për të gjithë apartamentin e marrë në studim. Perimetri i përllogaritur është vetëm ai i mureve të jashtme, që janë në kontakt me hapësirën e jashtme. Si kosto për metër katror të termoizolimit do të marrim vlerën 2 050 lekë/m² e përfunduar, ndërsa për dritaret 18 000 lekë/m².

Referuar studimit, rezulton se një familje ngrohet deri në 5 muaj në vit me një kohëzgjatje mesatare që shkon nga 8-10 orë. Një familje përdor mesatarisht forma të ndryshme ngrohjeje për rreth 1 350 orë vjetore. Nëse nuk përdorin një sistem termoizolimi, këto familje do të harxhojnë rreth 83 500 lekë në vit11 për ngrohjen, nëse si lëndë djegëse do të përdorin drurin. Kjo kosto për ngrohje do të harxhohet nga të gjitha familjet që kërkojnë të kenë komoditet maksimal.

Nëse familjet e përmendura më sipër përdorin sistem termoizolimi, harxhimi vjetor maksimal do të jetë vetëm 50 100 lekë.

Pra, nga termoizolimi do të kursejnë mesatarisht deri në 33 400 lekë në vit, ndërkohë që nëse marrim në konsideratë edhe koston e dritareve, kthyeshmëria e investimit do të shkonte në rreth 6 vjet. Në të dyja rastet nuk është marrë në konsideratë aspekti i përdorimit të kondicionerit përgjatë muajve të verës. Kjo gjë mund të ulte në mënyrë të ndjeshme kohën e rikuperimit të investimit të bërë për termoizolim dhe për rritjen e eficiencës energjetike. Përtej aspektit të kohës apo formës së ngrohjes, qytetarët gjithmonë dalin të fituar, pasi jetëgjatësia e investimit për sistemin kapotë është më e lartë se 30 vite. Ndërkohë që ky investim në termoizolim dhe në rritje të eficiencës së energjisë përkthehet jo vetëm një investim fitimprurës nga ana ekonomike, por është gjithashtu një investim për të krijuar ambiente më të pastra nga CO2.

Sigurisht që “kursimi” apo rritja e eficiencës së konsumit të energjisë nuk duhet të ndalohet vetëm te sistemi kapotë dhe te kalimi në llamba LED. Po ashtu, duhet marrë në konsideratë edhe ndryshimi i të gjitha elektroshtëpiakeve që konsumojnë shumë energji, siç mund të jenë: Lavatriçja, soba, lavastovilja, bojleri i ngrohjes së ujit, frigoriferi, etj., pra, të gjitha ato elektroshtëpiake që nuk kanë një sistem energjetik A+.

This article is from: