BALLO NE MBRËMJEN E MATURËS

Page 1



skender temali

Ballo në mbrëmjen e maturës

Shtëpia botuese “IDROMENO” - Shkodër, 2001

- Novela -


Autori: Skender Temali Redaktor: Nikolla Spathari Reçensent: Fadil Kraja Realizimi teknik: Çlirim Mani Eugen Dizdari Shtëpia botuese "Idromeno" Titulli i origjinalit: Ballo në mbrëmjen e maturës © Të gjitha të drejtat janë të autorit e-mail: skendertemali@yahoo.com website: www.skendertemali.com Design: Mimoza Dizdari Kopertina: Meritan Spahia Shtypur në shtypshkronjën “Rozafat” – Shkodër, 2001


BALLO NË MBRËMJEN E MATURËS 1. Burri im shkonte me një tjetër. Nuk doja ta besoja. Nuk doja kurrsesi, edhe pse ishte e vërtetë, krejt e vërtetë. Atë ditë dola për të bërë konsultime me nxënësit maturantë para provimit me zë. E kishim lënë në ora pesë. Im shoq, tek hanim drekë, se si më pyeti se çdo të bëja atë pasdreke. Ia thashë se disa nxënës më kishin kërkuar një konsultim në pesë dhe nëse do të shkonim për vizitë tek halla e tij që vazhdonte të ishte e sëmurë, mund të takoheshim andej nga shtata. Qe fillim qershori dhe dita ishte zgjatur koxha. Kështu që edhe bënim vizitën, edhe ktheheshim pa rënë nata në shtëpi. -Jo, jo, - tha, - pyeta ashtu më kot, pasi nga pesa kam lënë me Xhorxhin të bëj një lojë bilardo. Kaq. Nga treshi deri në katër bëra njërin kurs të anglishtes. Vrapova tek kursi tjetër, me qëllim që aty të qëndroja deri në pesë pa dhjetë dhe të kapja në pesë konsultimet në shkollë. Kur unë shkova në shkollë, dera e saj ishte e bllokuar nga dy policë. Dikush kishte bërë një telefonatë anonime për vendosjen e një bombe dhe jo për konsultime, por as për t’iu afruar shkollës se 3


bëhej fjalë. Nxënësit, disa më kishin pritur e disa kishin ikur. I këshillova të mos qëndronin më për rreth shkollës, po të shkonin sa më parë nepër shtëpi e aty të mësonin ndonjë pyetje. Ngaqë e dija se im shoq në atë kohë ndodhej në bilardo me Xhorxhin dhe vajza tek ime motër, e ndava mendjen të kthehesha në shtëpi dhe të vija lavatriçen në punë, pasi ishte harku kohor kur nuk kishte ndërprerje të energjisë elektrike, pastaj të dilja e të psonisja ndonjë gjë nepër dyqane, pasi për dy-tri ditë do të bllokohesha fare në shkollë, në provim, para dhe pasdreke. Aq sa edhe kurset e anglishtes për ato ditë do t’i ndërprisja. Shkallët e apartamentit i ngjita me një frymë. Bëra të fus çelësin, po ai haste në një pengesë dhe nuk depërtonte dot në folenë e tij. Më kishte bërë edhe herë të tjera “filma” të tillë dhe ngaqë vajza ishte ende e vogël, vetëm unë e im shoq mbanim çelës. Tek bëja përpjekja ta çelja derën, erdhi Moza, komshija e pallatit, duke ngjitur shkallët me hap sportiv si zakonisht. -Hë, Zhuli?! -Hiç Moza, ç’bëre? -Të zakonshmet në dyqan. Bli me shumicë, shit me pakicë, tha e vuri buzën në gaz, pasi edhe punët bashkë me të shoqin, i kishin vënë në vijë. -Po më mundon kjo dreq brave, - ankova unë. -Lëshoja kllasës punëtore njëherë, - bëri humor ajo dhe ma mori çelësin nga dora. Ia dhashë. -Edhe njëherë tjetër ke mbetur jashtë, - kujtoi ajo. Moza e mori çelësin me sigurinë e një “mjeshtreje”, bëri ta fusë në bravë, po ai sa hynte pak dhe nuk bënte tutje. -I re ziles? – se si më pyeti. -Jo, - iu përgjigja. -Po mos është yt shoq në shtëpi dhe e ka zënë gjumi?! -Më tha se do të shkonte në bilardo, - iu përgjigja dhe ndërkaq shtypa butonin e ziles. -Të thashë, ka shkuar në bilardi, - vazhdova unë kur asgjë nga pas derës nuk pipëtiu. 4


-Rregulloni bravën, Zhuli, - tha Moza dhe më ftoi të shkoja tek ajo. -Falemnderit, Moza, por po shkoj nga mamaja. -Epo, të fala! Nisa të zbres shkallët dhe në sheshpushimin e katit të dytë, se si këmbët m’i ndalën dhe ndjeva një si therje në gjoks. “Idiote!”, i thashë vehtes. Ishte taman kati i dytë. Bash ai vend ku një ditë ajo zbriste shkallët si hajduti që ka frikë se dikush e ka parë dhe po e ndjek nga pas. Nuk i pata kushtuar kurrfarë rëndësie, po ajo pyetje e Verës së katit të parë, më dogji fort. -Unë s’di, moj Zhuli, se s’kam shkollë si ju, po kaq të paftyrë të jenë njerëzit!... Nuk e kuptova në fillim se për kë e kishte, edhe për vetë faktin se shumë njerëz tani ishin të paftyrë për shumë e shumë gjëra. -Epo kohë e keqe, tranzicion, - thashë ashtu më kot. -Kohë e rruspijeve, - ia këputi Vera. – Të paktën ajo s’duhej të kishte fytyrë të shkelte më në shkallët e pallatit tonë, po dikush ia kreh bishtin e ia lyen rrotën, - vulgarizoi edhe më tej Vera. Ajo që Vera e quante rruspije, këtu e shumë vjet më parë, ndofta kur na lindi vajza, mori hyrjen garsoniere të katit të katërt. Ishte e vetme. Simpatike. Po edhe pse flitej mirë për të, asaj siç dukej aq i bënte dhe e mbante vehten ko-ko-ko! Se ku punonte e me se merrej jkonkretisht askush nuk mund ta thoshte. Në fillim pat qenë kamariere në një nga lokalet më të shtrenjtë të qytetit, po më pas s’u pa më atje, hynte e dilte kohë e pa kohë në shtëpi, ashtu siç nisën të shihen të hynin e të dilnin të rinj e burra të martuar në hyrjen tonë, sapo niste të binte muzgu, në mesnatë apo në të zbardhur të dritës. Aty tek hyrja e pallatit Vera një ditë më tregoi të gjithë ata që hynin e dilnin tek ajo, madje edhe për një kryetar partie të lagjes, pasi ajo ishte anëtare e shihej edhe nepër mbledhje e mitingje. Pas bisedës me Verën, sërish më erdhi parasysh im shoq. Edhe ai bënte pjesë në të njëjtën parti. Disa herë i kishte çuar 5


njoftime. Jo, jo, s’duhet të mendoja si budallaçkë xheloze. Ai edhe mua m’i pat dhënë dy herë njoftimet që t’ia çoja asaj. Këto mendova pasi zbrita ato pak këmbë shkallë dhe u ndava nga Moza. Nuk e di po se si më digjte. Brava që nuk hapej sikur më fliste, sikur ma digjte tërë kurmin dhe më thoshte se im shoq ishte brenda me kuçkën. Dhe vendosa. Dola nga pallati, bëra sikur u futa në rrugën që të çonte nga shtëpia e mamasë dhe hyra në një bufe përballë, pronarin e së cilës e kisha prind të një nxënësi në vit të dytë. Që aty e kontrolloja se kush dilte nga hyrja e pallatit. Nëse ai ishte brenda me të, me siguri që do të nxitonte ta përcillte, pasi kthimit tim nuk i dihej. Pronari nxitoi vetë të vinte e të ma mirrte porosinë. I kërkova nëse e kishte “Shekullin” edhe një cigare, që ta pija me kafenë që i porosita. Bëja sikur lexoja gazetën, po sytë nuk i shkëpusja për asnjë çast nga hyrja. Se si, po ajo pyetja që më kishte bërë im shoq, ajo thënia e tij se po shkonte të bënte një lojë bilardo me Xhorxhin, sikur ishin jashtë natyrës së tij. Ai kishte kohë që nuk më thoshte as nga shkonte e ku vinte dhe unë tashmë isha pajtuar me një gjë të tillë. Në fund të fundit, ai ishte i lirë të bënte çfarë të donte, sidomos kur edhe unë isha e zënë me punë. ‘Xhorxhi?!...Po sikur?...” U ngrita nga tavolina dhe vajta pranë banakut të lokalit. -Mund ta përdor pak telefonin? – e pyeta sa për korrektesë pronarin, i bindur se ai jo për brenda, por edhe për jashtë shteti ishte i gatshëm të ma linte linjën. Formova numrin e telefonit në shtëpinë e Xhorxhit. “Pi-pi”. Njoha zërin e tij. “Alo, alo...”. Mandej, ngaqë nuk iu përgjigja, këputi një nga ato të sharat karakteristike të tij dhe mbylli linjën. Nuk e di se si, po vehtja më dukej e vogël. Në fund të fundit dyshime të tilla të pabaza mund t’i shkonin për shtat një gruaje të pashkollë e të pa përvojë jete e jo mua. S’kisha asnjë të drejtë të mendoja ashtu për tim shoq. Vërtetë nuk ishte më ai i pari, po gjithsesi me çfarë i ndodhi me paratë tek firmat piramidale, gjene mirë! Stresi nervor që kaloi, i la një gjurmë të lehtë, hera-herës i 6


ikte një e qeshur e çpenguar si prej idioti, po edhe kjo këto kohët e fundit sikur i vinte rrallë e më rrallë. Edhe pse paratë që mori me kredi në një firmë për të nisur një biznes iu tretën si kripa në ujë, shpresonte sërish tek një shok në Tiranë që t’i jepte mall pa para kesh sa për t’u çuar në këmbë. Kështu që unë as i ndërhyja që atëhere se sillej më kot kafeneve apo bulevardeve të qytetit. Për të kompensuar disi nevojat për jetesë, tri herë në javë jepja kurse anglishteje, njërin prej të cilëve e bëja në shtëpi dhe tjetrin tek vajza e Simonit, pasi, pas një aksidenti autombolistik, ajo mbeti pa gishtërinjtë e dorës së majtë dhe hë për hë nuk dilte më jashtë. Rrufita kafenë me një frymë. Në fund të fundit Xhorxhit mund t’i kishte dalë ndonjë punë që e kishte gozhduar në shtëpi dhe unë s’kisha përse përgjoja tim shoq. Se si, po vehtja më dukej pak e neveritshme, ngaqë gjatë gjithë jetës spiunët e përgjuesit i kisha patur zët.

2. Nga mamaja u ktheva pas orës shtatë, taman në atë kohë që i kisha thënë edhe atij për të shkuar për vizitë tek halla. Futa çelësin në bravë dhe pa asnjë pengesë ajo u hap. Edhe pse ia kisha dhënë fjalën vehtes se nuk do ta sillja në kujtesë atë marrinë e para dy orëve, se ai ajo hapje e mënjëherëshme e bravës më fliste. -Zhuli, erdhe! – dëgjova nga brenda zërin e tij. -Erdha, - iu përgjigja unë. -Edhe unë sapo erdha, - tha ai. – Do shkojmë apo jo nga halla? -Si të duash, -iu përgjigja. -Shkojmë se i bëhet qejfi. -Mirë, atëhere unë s’po çvishem, - i thashë. E pashë që u kreh para pasyrës në koridor. Unë dola e para dhe pas meje ai. -Ç’dreq ka kjo bravë sot! – tha ai gjithë nervozitet tek sillte e ç’sillte çelësin. -Mua nuk m’u çel fare para dy orësh, - thashë unë e çliruar 7


krejt nga ajo barrë e madhe dyshimesh të kota. -Po ti a shkove në shkollë? – pyeti ai. I tregova punën e telefonatës së bombës. -Me siguri do ta ketë bërë ndonjë maturant, - tha ai. -S’kishte asnjë arsye, - iu përgjigja unë. – Konsultimet ishin të lira, kush donte mund të vinte. -E bëjnë për hobi! -Gjithçka ndodh sot. -Të hedhin edhe letra nën derë, të bëjnë edhe kërcënime me telefonata... Ndërkohë kishim zbritur shkallët e pallatit dhe tek hyrja e katit të parë u përshëndetëm me Verën. -Do të tregoj diçka kur të kthehesh, - më tha ajo. -Idiote! – tha ai i norvozuar nga “sekreti” që donte të më tregonte Vera e katit të parë. – Grua llafazane! Është bërë si dezhuri i pallatit. S’lë njeri pa marrë nepër gojë. Kështu, duke biseduar, kishim dalë në rrugë. -T’i marrim diçka hallës, - thashë unë. - Banka është mbyllur, - ma ktheu ai. – Edhe ato që kisha, i pimë konjak e kafe me Xhorxhin... Nuk kam provuar asnjëherë thikë në trup, po atë çast që ai përmendi emrin e Xhorxhit, m’u duk se një teh thike më shpoi tej e përtej. -Çfarë ke? – pyeti ai. – S’e ndjen vehten mirë? -Jo, jo, - gënjeva unë, teksa përpiqesha të ripërtërija energjitë e mbetura. Mora një komposto tek një shitës ambulant dhe nisa të ec në krah të tij. Tani “sekreti” i Verës më digjte si një gacë që do ta mbaja në gji gjersa të kthehesha nga halla.

3. Sigurisht që Vera e katit të parë s’kishte qëndruar të më priste mua. Gjithkush kish telashet e veta familjare dhe me kohë ishte kyçur brenda me të shoqin e fëmijët, pasi edhe ne qëndruam 8


gjatë tek halla. -Ç’po na gatuan për sonte, Zhuli? -S’dua gjë fare, - thashë. – Ndofta po ha vetëm një banane e ty po të skuq dy vezë me sallam. -Po ma vër edhe një putir! – shtoi ai, sikur të ishte tavolina e shtruar. Dukej se ishte me humor të mirë. Një gjë të tillë e pikasa edhe tek halla. Qeshte, ngacmonte një nusen e re, bënte numra me fëmijët. -Ta mbushim vaskën? – pyeti beftë. Gjithnjë kur vajza shkonte diku, mbushnim vaskën dhe aty tregonim se nede në trupin tonë buiste gjeth i ri. -S’jam në formë, - iu përgjigja disi ftohtë, por pa i dhënë të kuptonte se çfarë më kishte ftohur. -Po jam në formë unë, - tha ai dhe më mbartheu për beli. Bëra përpjekje t’i ikja kapjes së tij, po e dija se gjithçka ishte e kotë. Kështu ma kishte bërë disa herë dhe çdo përpjekje e imja për t’iu shmangur, veçse e ndizte edhe më shumë. Sa herë nuk dëshiroja të bëja seks, e dërrmoja duke mos i reaguar fare. Bëja përpjekje vetëm të mos më linte ndonjë shenjë në qafë, pasi ai në qafë mbi mbante gjithnjë buzët e tij të përflakura. -A çfreve? Kafshë! – turfullova unë duke iu larguar me inat, si të qe një burrë i panjohur që të ka përdhunuar diku në qoshen e errët të një rrugice. -Seç ke sot ti, - tha ai. – Mbase të ka ndezur sekreti i asaj llafazanes së katit të parë. -Unë e kam harruar fare, - gënjeva, duke dashur edhe t’ia hiqja vëmendjen. -Jo, po thashë, - vazhdoi ai me një soj indiference të shtirur. -Ti e di fort mirë se sa kohë të lirë kam unë që të merrem me Verën. Po ajo si të gjitha gratë e papuna, kërkon ta kalojë kohën me sekretet e saj. Ndofta kjo sikur e mbuloi disi interesimin tim për atë që do të më thoshte Vera, po edhe një lloj sikleti që unë si grua ndjeva kur ajo e përmendi “sekretin” pikërisht në atë ditë kur nuk m’u hap dera e shtëpisë. 9


-Pastaj të kishte një sekret që donte ta fshihte ty, - konkludova unë, - ajo s’kishte përse të ma thoshte në praninë tënde. E vërejta se ai sikur u qetësua plotësisht, erdhi teksa po i skuqja vezët, nisi të më marrë me të mirë, madje më kërkoi edhe të falur, gjë që e përdorte fare, fare rrallë. Edhe unë i hodha një vështrim disi të ëmbël, sa për të mos shembur atë urë që duhet të lidhë dy brigjet mes gruas dhe burrit. Nuk e kujtoj mirë se si kaloi ajo natë, po të nesërmen mezi ç’e prita. Natyrisht do të gjeja një kohë të përshtatshme të takohesha me Verën që të isha jashtë vësgtrimit të tim shoqi, po edhe të ndonjë fqinji tjetër kurioz. E dija që Vera, mëngjes për mengjes, me një zymyl prej kashte, dilte të bënte pazarin. Atë ditë edhe unë duhet të dilja në punë dhe ai e dinte këtë: i kisha treguar se çdo ditë, kishim apo s’kishim mësim, duhej të paraqiteshim në orën tetë në shkollë. Kështu bëra. Mora çantën, i thashë ditën e mirë, i bindur se ai do të ngrihej e do të përgjonte pas perdes së dritares nëse do të ndalesha apo jo tek Vera e katit të parë. Shkallët i zbrita me një frymë. Tek u përshkova para katit të parë, ndjeva zërin e Verës që i jepte një porosi djalit për një kusi që kishte lënë në furnelë. Pasi iu shmanga kthesës nga ku im shoq mund të më shikonte, ngadalsova hapin dhe bëja sikur lexoja posterin e një festivali, derisa me bisht të syrit e pashë Verën tek ecte e çpenguar me zymylin në dorë. -Mirëmengjesi, Vera! -Ua, Zhuli!? Mirëmëngjesi! -Në Pazar, sigurisht? – e pyeta unë. -Po ti këndej? -Dua të takoj prindin e një nxënësi, - gënjeva e bindur se, për çdo rast duhej ta kisha një argument. Kjo më tepër për tim shoq, i cili, si i papunë, shpesh më mbinte parasysh edhe atëhere kur nuk e prisja. Vloja derisa Vera të hynte në temë. -E di më kë ka nisur të shkojë ajo rruspija? – hapi bisedën Vera. 10


-Po nga ta di, moj Vera, unë gjithë ditën shkollë-kurse-shtëpi... -Me Nikollën që ka ndrruar apartamentin me të. -Si është e mundur? – pyeta unë dhe zemra nga gëzimi sa s’po më dilte nga vendi. -Dje, që thua ti, andej nga pesa e një çerek, e pashë me këta sytë e mij Nikollën që fliste me të aman o zot, pastaj i mori shkallët me një frymë dhe pas saj u ngjit po me vrap edhe ajo, rruspija... -Po ndofta hyrja e tyre njëri pas tjetrit në pallat ishte një rastësi... -Po se, rastësi ishte edhe dalja e tyre bashkë andej nga gjashta? Po kësaj here e para zbriti ajo dhe fill pas saj Nikolla...Dhe çfarë! – vazhdoi Vera, - as që fshiheshin fare! Nuk e kuptoj se si ka fytyrë të hyjë më në pallatin tonë, kur ajo këtu ka prishur një familje. -Bëri punën më të mirë që iku nga pallati ynë, - se si thashë unë, e bindur se kështu do të ishte më mirë edhe për tim shoq, që ta kishte sa më larg syshë. U ndava nga Vera dhe ecja rrugës. Më mirë t’u them fluturoja. Gjithnjë ai trazim që i kisha sjellë vehtes dukej qartë se nuk kishte asnjë bazë. E vetmja pengesë që më dilte në rrugë ishte Xhorxhi. Më kishte thënë im shoq se me Xhorxhin do të bënte një lojë bilardo, më tha se pesëmijshen që ia dhashë në drekë i kish pirë konjak e kafe me Xhorxhin, kur Xhorxhi më doli në telefon nga shtëpia e tij. Përse me kishte gënjyer se do të dilte me të dhe se lekët i kishin bërë rrush e kumbulla sëbashku? Mos ndofta më gënjeu që t’i jepja sërish të nesërmen një pesëmijshe tjetër? Sigurisht që kjo do të ishte arsyeja dhe unë budallaçka më përpara se asgjë duhet t’ia kontrolloja xhepat e pantallonave ku mbante të hollat, edhe pse një gjë të tillë e urreja... Ajo që Vera e quante rruspije ishte shumë tunduese. Vetëm një karakter burri i qëndrueshëm mund t’i rezistonte asaj. Nikollën ende s’kishim arritur ta njihnim, por kur takoheshim në shkallët e pallatit na përshëndeste me mirësjellje dhe askush nuk dinte gjë për të. Jetonte i vetëm, megjithëse moshën e kishte për të patur fëmijët e rritur. Vera se nga e kishte zbuluar se gruaja i kishte vdekur para shumë vitesh. Gjithsesi të shkonte Nikolla me të nuk 11


ishte ndonjë habi e madhe. Në fund të fundit Nikolla me gjithë atë konstrukt dike do të shfrente dhe ku ta gjente më mirë se rruspijen? Vërtetë që të dilte oak boja me tipa si ajo, po ai vejan ishte. 4. Vala e provimeve të maturave mbaroi dhe tani më mbeteshin vetëm dy kurset e anglishtes. Sigurisht që kjo ngarkesë tani prej meje mund të konsiderohej një luks i madh. Gjatë verës zakonisht e mirrja pak vehten edhe me shëndet, mbushesha në trup sa të “mijtë” më pyesnin se mos isha shtatzënë, me atë dëshirën e mirë të familjeve shqiptare për të lindur një djalë. Ime bijë tani po rritej dhe e donte një vëlla. Im shoq gjatë qershorit shkoi dy herë në Tiranë, po një herë shokun e tij nuk e takoi se ishte në Kakavijë, herën e dytë i kishte dalë një problem me një maune me cigare dhe kështu, si shkoi, erdhi. -Po ti, pse nuk e lidh muhabetin në telefon? – i thashë unë, duke e ndjerë se nuk ishim në atë gjendje sa të përballonim tash e parë shkuarjet boshe të tija në Tiranë, me hotele, restorante e më the e të thashë. -Të kam thënë njëqind herë, Zhuli, - celularin ai e mba të mbyllur dhe vartësit e tij nuk ta nxjerrin kurrë në telefon. -Epo, mirë, po besoj këtë herë ta kapësh, - i thashë unë, teksa i jepja një tridhjetë mijshe tjetër. Besonte shumë se shoku do ta mbushte me mallra pa para, se do ta ngrinte në këmbë. Kushedi sa herë më kishte folur për të. Ishin njohur ushtarë dhe e kishin vazhduar shoqërinë edhe më pas. Me të unë isha takuar dy herë, në Tiranë dhe në Shkodër, nuk kisha krijuar ndonjë përshtypje gjithaq të mirë, më dukej më tepër si një tip vagabondi e qefliu dhe nervozohesha me tim shoq që e lavdëronte aq shumë. Mua, fjala vjen, mund të më pëlqente që burri im ta vazhdonte shoqërinë me Nimetin, elektricistin e zonës, që ishte njeri i ekuilibruar, apo me Shuqon, shitësin tek minimarketi ushqimor përbri pallatit tonë, po ai një e dy me Xhorxhin që njihej me gisht si gojështhurur, aventurier e kumarxhi. 12


U nis të nesërmen në mëngjes. Tha se e kishte rregulluar të shkonte me “Tayotën” e Xhorxhit në Tiranë. Makina e Xhorxhit ishte fringo e re. Kisha hipur një herë në të, kur shkuam në një klub në breg të liqenit. Dallohej nga të gjitha makinat e tjera, pasi kish ngjyrë të kuqe të ndezur. Im shoq thoshte se ia kishte sjellur i vëllai nga Gjermania dhe unë nënkuptoja se e kish vjedhur i vëllai në Gjermani dhe ia kish sjellur atij. I këtij mendimi ishte edhe Miri, im vëlla, pasi duke punuar me të huajt, kishte provuar disa tipe makinash, po ajo si e Xhorxhit, thoshte ai, i kishte shoqet e rralla. Vajza ime verës qëndronte më shumë tek motra se sa në shtëpi, edhe për faktin se kishin një vilë me oborr ku luante gjithë ditën me mbesën. Kështu vendosa që drekën të mos e bëja, po të shkoja tek mamaja. Ajo jetonte me vëllain beqar dhe ndjehesha mirë sa herë që veja atje. Më rrallë shkoja tek vëllai i madh, pasi me gruan e tij nuk puqeshim asgjëkundi. Ishte një hundëpërpjete dhe unë nuk e honepsja dot. Vëllai i vogël, Miri, tani punonte edhe si përkthyes, edhe si shofer në një shoqatë holandeze dhe nuk e kalonte keq. Punonte shumë e paguhej mirë dhe me humor thoshte se lopa holandeze i ka gjithnjë gjinjtë e mbushur. Në mënyrë të veNë mënyrë të veçantë ai u bënte një punë jo të vogël në mbajten gjallë të lidhjeve të shoqatës me dy gjimnazet e qytetit, pasi Miri njihte jo vetëm shumë mësues, por sidomos shumë të reja e të rinj. Kështu që edhe në shkollën ku unë jepja mësim, ai me holandezët vinin si në shtëpinë e tyre. Kishin gjetur një gjuhë të përbashkët, po edhe ndihma e tyre për shkollën kishte qenë jo e vogël. Mjafton të përmendim kompletimin e kabineteve të kimisë e të fizikës, për të kuptuar se ndihma e tyre ishte vërtetë serioze. Kështu Miri i kishte bërë vend vehtes dhe holandezët nuk e ndanin as të shtunave e të dielave nga ekipi i tyre, të cilat i kalonte me ta, hante e pinte në hotele të Tiranës e motele të rrugës nacionale dhe kështu, shpesh e më shpesh, që të mos e lija nënën vetëm, shkoja e flija me të. Fillimisht im shoq turfulloi, pastaj s’u ndje më... Me Mirin, edhe pse kishim një diferencë jo të vogël moshe, 13


shkonim mirë. E doja shumë, natyrisht siçdo motër, edhe e shihja se ai ndryshonte shumë nga vëllai i madh. Mbase kishin qenë njësoj, po vëllai i madh, sa u martua, erdh e u shfytyrua, mori shumë nga njerëzit e së shoqes, të cilët në përgjithësi ishin njerëz bosh, që dinin të lavdëronin e të donin vetëm vehten e tyre, t’i milnin sa të mundnin të tjerët e kur gjiri shterrte, atëhere kujtoheshin të të thonin se kishin pirë ndonjë herë qumësht, por ama me pika! Siç duket me këto pika erdh e u ushqye edhe vëllai i madh dhe kështu ky qumësht kishte një efekt çudibërës: të largonte nga qumështi i nënës dhe të afronte me gjirin që kishte mëkuar gruan...Ishte kohë e vështirë dhe unë as këtë nuk arrija ta kuptoja. Vërtetë që vjehërr nuk kisha gjetur, po vjehrrin e doja dhe e respektoja, pasi ai për mua linte kokën. I qëndrova tek koka një vit, derisa mbylli sytë. Sigurisht që kjo tani i përket së kaluarës. Po unë e sjell shpesh nepër mend Hasanagën, siç e thërrisnin të gjithë vjehrrin, pasi im shoq kish marrë shumë pak gjëra prej tij. Kur erdhi demokracia, t’u them të drejtën ndjeva një gëzim, pasi Xhorxhi krisi e iku me anije në Itali dhe im shoq sikur u mblodh në shtëpi. Madje edhe i dha vehtes. E dija se diçka kishte katranosur me një përgjegjës sektori, derisa së bashku hapën një dyqan. Përpjekja ime për të mësuar se nga i mori ato të holla shkoi huq, pa më fyer më tha se në këto punë nuk isha profesoreshë dhe se po të qëndronte duarkryq, me rrogën time të mësueses do të ngrdhnim urie. Isha zonjë shtëpie dhe e njihja mirë. Si të thuash, rroga ime më fluturonte nga dora. Kurse ai...Kështu shtymë jo keq, dy-tri vjet, derisa një natë erdhi me një çantë plot me të holla, aq sa u trëmba. Sytë i ndrisnin. Nuk ishte aq i humbur sa të mos e pikaste frikën time. Shkolla e jetës i kishte mësuar si shejtanit të gjitha dredhitë. -Ma rregulloi kryetari i partisë i lagjes, - tha, i sigurt se kështu i vinte kapak të gjitha sqarimeve të tjera. – Ja, mora kredi me afat të gjatë në bankën bujqësore, dhjetë milion. Këtu dhjetë milion një shok m’i fut fill tek “Gjallica”. Për një vit dy e tre fishohen. Po bëjnë dynjaja prokopi. Blejmë një shtëpi në Tiranë. Blejmë edhe 14


një dyqan. Edhe ti i lë kurset që të drobiten e jeton si zonjë... Kisha dëgjuar edhe unë për “Gjallicën” dhe nuk arrija dot ta kuptoja se si në këtë firmë fusje një milion e pas pak muajsh të bëheshin dy. Po kishte ardhë kohë e çudive të mëdha dhe duhet të bësoje se një ditë edhe gomari fluturon! Fati i të hollave të kredisë pat fatin e mijëra të tjerëve. Tërhoqi këstin e parë, i shndriti fytyra, po të nesërmen nxitoi dhe u fut përsëri në lojë. Bënte plane nga më të çuditëshmet. Nuk lidhej në shtëpi. Mori edhe një milion borxh për të përballuar disa shpenzime të shtëpisë, po edhe për të mos “ u koritur” në tavolinë me burrat. Deri një ditë që plasi bomba e firmave piramidale. E mbajti vehten, shau mvarë e mbrapsht qeverinë deri tek presidenti, pastajm, në javët që pasuan, nevrikosej nga emisionet televizive e gazetat që flisnin për fenomenin e fajdeve dhe me budallallëkun e tij që kredinë nuk e kishte regjistruar ne emër të Gretës, ashtu siç bëri edhe kryetari i partisë së tij. Në një prej këtyre ditëve, kur shteti u shkërmoq, i erdhi një ftesë që ai të shkonte në një mbledhje partie. I kishin sjellë edhe një ftesë që “për rrugë t’ia çonte asaj që Vera e katit të parë e quante rruspije. Nxitoi t’ia çonte, por erdhi javash. -Turp të të shohë kush duke hyrë tek ajo, - se si i thashë unë. -Gjeta Franin me të shoqen. Gati po rriheshin dy gratë. Gruaja e Franit çfarë nuk nxirrte nga goja, se po ia mirrte burrin nga shtrati... -Kështu thonë të gjithë të pallat, - plotësova unë. -Qëndrova pesë minuta, derisa u qetësuan gjakrat. E vështrova tim shoq. Qëkur u ngjit t’i jepte ftesën për mbledhje, vloja t’ia bëja një pyetje. -Ç’i duhet partisë suaj një mostër si kjo? – e pyeta. -Partia jonë është e hapur për të gjithë, moj Zhuli. -Po ty s’të vjen zor që vihesh në një mbledhje përkrah një gruaje që po prishka edhe familjen e Franit? -Partia jonë s’mirret me biografitë, - ia këputi ia kot. -Po me moralin e anëtarëve të saj? -Kudo, tek çdo parti, ka prej tyre që njihen si qelibar, po që pas krahësh bëjnë të nëntëdhjetë e nëntat... -Më mirë unë që s’dua t’ua shoh sytë partive, - thashë dhe 15


vazhdova një punë që kisha në dorë. -Dhe ke për të mbetur mësuese e thjeshtë deri sa të dalësh në pension, - thumboi ai, duke shfrytëzuar edhe një thënien time se mësuesit më të pa aftë i bëjnë drejtora, pasi ia dijnë hiletë profesionit e s’ka zog nëne t’ua hidhte. -S’e ndrroj profesionin tim me asnjë në botë! – ngulmova unë. – Ti ia pafsh hajrin partisë që të la pa punë edhe pse jeni në pushtet. -Të mos ishte partia ime kushedi se ku do të isha tani, - tha im shoq, duke më lënë të kujtoja se kryetari i seksionit të partisë së tij kish ndikuar për t’ia shtyrë kredinë në bankë e të mos i trokisnin në derë përmbaruesit. Kjo ishte e vërtetë. Ai, me atë shkollë e horizonte që kishte, maksimumi mund të bënte për të brohoritur nepër mitingje. Pjesëmarrjen në parti e shihte si një mbështetje që duhet në ditë të vështira. Hajde e kuptoje militantizimin e këtyre anëtarëve! 5. Ngaqë im shoq shkoi në Tiranë dhe për dy ditë nuk do të vinte, edhe unë e ndava mendjen të qëndroja tek mamaja. Vonë, të dielën, u kthye edhe Miri. Ishte në humor të mirë, i tregoi nënës se shefi i kishte bërë një shpërblim prej 100 dollarësh dhe ia kish paguar gjithë shpenzimet që kishte bërë në motelin “Pulbardha”, tek po ktheheshin nga Tirana. -Në parkingun e motelit pashë edhe “Tayotën” e Xhorxhit, tha Miri krejt natyrshëm. Unë desh shtanga. -Po Xhorxhin? – e pyeta unë. -E kërkova, po sportelisti më tha se nuk dinte se nga kishte vajtur...Pastaj, moj Zhuli, nepër hotele e motele nuk flasin...Ti e di se në këto motelet e periferisë shkojnë njerëz me të fejuarat e të dashurat e tyre. S’më zuri gjumi atë natë. Të ngrihesha e të shkoja në shtëpi, e bindur se Xhorxhi me tim shoq s’kishin se përse të flinin në një motel as dhjetë kilometra larg qytetit, do të bëja që sidomos Miri të dyshonte për ndonjë gjë. Duhet të duroja deri në mëngjes dhe 16


sapo të zbardhte drita, të nisesha për në shtëpi, nën sebepin që kisha një turrë rroba për të hekurosur e do të nisja edhe atë ditë provimin me zë të maturave. 6. Natyrisht që im shoq nuk ishte kthyer. “Tayota” tek “Pulbardha” sikur më fliste për një diçka jo të mirë. Filli i së keqes së tim shoqi më dukej se pleksej e çpleksej me Xhorxhin. Gjithçka solla nepër mend ato pak minuta që qëndrova në shtëpi, prandaj i dhashë karar vetes të shkoja në shkollë, të bëja gati sallën e provimit, tezat dhe të prisja shokët e komisionit. Dita ishte e bukur, po pak e nxehtë. -Mirëmëngjesi, Zhuli! -Mirëmëngjesi, Vera! -Heret po dilke sot. -Kam provimin e maturave. -Hajde të pijmë një kafe. Sigurisht që kafenë ma bëri shpejt. Siç dukej duhej të pinte shumë filxhana në ditë, pasi kafeja ishte e mirë, gjithë ajkë. -Më kënaqe, Vera! Pastaj Vera, si Vera. Nisi të flasë për këtë e atë në pallat e në lagje, derisa vajti tek Nikolla. -Po dëgjo, moj Zhuli! Ai Nikolla i katit të katërt qënka gomar fare! Më troket një ditë në derë dhe më lë një porosi për rruspijen. As iu skuq fytyra e as i bëri tërrt syri. Tha se do të shkonte për dy ditë në Durrës me shërbim dhe po të vinte ajo, t’i thoja të dukej andej nga e mërkura pasdreke. Kisha dy-tre momente që Vera më çlironte nga ankthet që më pushtonin, që më fashiste dyshimet e hamendjet e mija. Edhe këtë mëngjes historia e saj me Nikollën më hapte disi pamjen që të ecja e qetë, po tani ajo “Tayota” e Xhorxhit tek moteli “Pulbardha” për të cilin më foli Miri, më trondiste. A kishte se si im shoq dhe Xhorxhi kyçeshin në dhomat e tij me kuçka të rrugës?! Ndofta unë isha e marrë që dyshoja deri në atë shkallë. Mbase im shoq për një arsye që nuk e dija kishte qëndruar në 17


Tiranë dhe Xhorxhi të ishte kthyer vetëm? Apo Xhorxhi mund t’ia kishte dhënë makinën dikujt tjetër e të dy ata të kishin qëndruar në Tiranë? Ecja në rrugën drejt shkollës dhe e ndjeja se pezhishka e dyshimeve më rrethonte të tërën. Më digjte, më përvëlonte diçka përbrenda, një diçka që nuk arrija ta spjegoja se ç’ishte. I kisha besuar një jetë të tërë. Qëkur u njohëm. Më dukej se një ndër tiparet më të mira të tij ishte sinqeriteti. ‘Moj Zhuli, - më tha babai kur e mori vesh se unë shoqërohesha me të, - pa mendohu njëherë. Ti je me shkollë të lartë, ai më kanë thënë se një të mesme natën ka, pa një profesion për të qenë..” ‘Babi, kur ta njohësh, do të më japësh të drejtë”. Me një fjalë, unë i tregova babait të ndjerë vendosmërinë time për t’u lidhur përjetësisht me atë që sot është im shoq. -Mirëmëngjesi, profesoreshë! -Mirëmëngjesi! Në fshatin ku isha mësuese në fillim të karrierës, ai vinte shpesh. Në ndjeheshim keq për të udhëtuar për në qytet, nuk kishte makina dhe rrugën, më të shumtën e herës, e bënim në këmbë. Kur vinte ai, na mirrte të gjithë mësuesve në “Zis”. Në fillim, në kabinë, pat futur Todin, mësuesin veteran, po pastaj se si Todi erdhi me në në karroceri dhe përpara hyri Diana, një mësuese e re për t’u pirë në kupë. Tha se i përzihej dhe Todi menjëherë u ngjit në karroceri. Në ato ditë ai erdhi më shpesh. Gjithnjë me Xhorxhin shofer. Xhorxhi herë na mirrte para, herë jo. Atëhere kur nuk na mirrte para, ne e kuptonim se ai gjithnjë këndonte rrugës. Siç dukej me tim shoq ishin të lidhur më shumë se ç’i lidhte detyra, pasi kurrë nuk i thonin “jo” njëri-tjetrit. Sigurisht që shoferi, shofer! Me një gjuhë të zgjidhur! Kujtoja se të provokonte me fjalët banale që lëshonte pa tagër si pak kush, po me kalimin e kohës e deri më sot e kuptova se ashtu ishte gatuar. Ndërsa ai që më pas do të bëhej im shoq bënte dallim me Xhorxhi, kishte më shumë xhentilencë, fjalinë e ndërtonte më bukur. Ndofta në herën e dhjetë që udhëtonim së bashku, ndofta edhe më shumë, se si Xhorxhit iu shkrep e tha: 18


-Sot në kabinë do të marrim Zhulin. Ta provojë edhe kjo njëherë. Fjalët e tij mund të merreshin edhe me tjetër kuptim, përderisa unë pashë se edhe Todi, uli kokën e shikonte majën e këpucëve. -Të vijë Todi, - thashë unë, - pasi ka disa ditë që nuk ndjehet mirë. -Se kush vjen në kabinën time e di unë dhe vetëm unë! – nxorri gjoksin Xhorxhi. – Hipni ose u lashë të tërëve në tokë! E kishte bërë edhe njëherë një gjë të tillë, seç i pat kcyer në kokë pas një fjale që i hodhi një mësues dhe në zagushinë e një dite qershori kishim udhëtuar me orë të kapitur në zallishten e Postopojës. -Dëgjo, moj çupë, - nisi Xhorxhi sa mbylli derën e kabinës, unë të drejtë firme s’kam, vulë s’kam, karrike jo, por Zoti më ka dhënë këtë timon ku kam edhe karriken, edhe firmën, edhe vulën. Me nder një mut! Unë ula kokën. -Ti Xhorxhi pastroje gojën se filloi të bjerë erë, - ndërhyri shoku i tij. -Epo tashti me mësuesit jemi bërë bythë e brekë, - bëri ai në mënyrën e vet autokritikën e tij. -Dreqi të mori, - çfreu tjetri. – Njëqind herë të kam thënë mos qit ndyrsira të tilla nga goja në prani të vajzave... Kështu bëra udhëtimin e parë në kabinë me tim shoq. Natyrisht kishim kohë për të pyetur njëri-tjetrin për disa gjëra. Xhorxhi desh t’i shmangej një grope e ra në një gropë tjetër dhe unë ndjeva brrylin e dorës së djathtë të tim shoqi në gjirin e majtë. -Ç’po bën, Xhorxhi, se po na thyen kokën! Xhorxhi, në vend që të përgjigjej, e preu timonin nga e djathta aq fort sa unë erdha e u ngjesha në gjoksin e tim shoqi. Ndërkohë, në karroceri, u ndje një klithje e fortë dhe makina u ndal. -Kush të dojë mund të ulet - bllofoi Xhorxhi, në vend që t’u kërkonte të falur për numrin që bëri. Mësuesit sigurisht që do të kishin ulur kokën, ndërsa unë e ai kishim mbetur në kabinë të vetëm, teksa ndjenim që Xhorxhi 19


këmbente disa fjalë me një mësuese që ankohej vazhdimisht nga një dhimbje mesi. -Shpirtin nuk e ka të keq, - hyri në bisedë ai që unë nuk ia dija as emrin, pasi ne të gjithë e dinim vetëm emrin e Xhorxhit, si shofer që ishte. -Po si të gjithë shoferët janë mësuar rrugat e rruga të mëson fjalët e saj. Në të vërtetë Xhorxhi dukej që s’ish fare katran. Ndaj nesh kish detyrime seksioni i arsimit, po jo një shofer i tregtisë. Se, në fund të fundit, ai na hipte edhe pa biletë, herë na mirrte e herë jo para, pasi domosdo që me ne edhe hinin edhe fshatarë të zonës e ata “i qethte” si delet. -E fejuar je? – pyeti në mënyrë të beftë ai. -Jo, - iu përgjigja unë. -Liria është gjë e madhe, - vazhdoi, teksa e kuptova se as pyetja e tij, as vazhdimi i bisedës nuk ishin bërë ashtu më kot sa për të thyer heshtjen në kabinë pa praninë e Xhorxhit. – Edhe mua më çmenden të familjes me presionet e tyre për t’u fejuar. Çdo ditë e më propozojnë nga një nuse. Sigurisht që unë duhet të kem vënë buzën në gaz. -Përse qesh? – më pyeti ai. -Ashtu më kot, - thashë unë. – Po se si m’u kujtua Koçi tek filmi “Zonja nga qyteti”. -Domethënë... -Jo, të më falësh, ju nuk ngjisni fare me Koçin, po se si më erdhi... Natyrisht që një pohim i tillë ishte i parapëlqyer për të. E pashë se u përqëndrua mirë dhe më pa në sy. U ndjeva ngushtë. Ishim krejt pranë njëri-tjetrit. Jashtë Xhorxhi vazhdonte të bënte fjalë me një fshatar në karroceri. Dreqi e di se si ishte puna. Mbase i ishin thyer vezët, pasi kishte një shportë në dorë kur hyri. Ai që më ndodhej pranë, edhe mund të vinte dorë mbi mua. E ç’do të bëja? Sigurisht që të lehtë s’do ta kishte, po edhe ta bënte ndonjë veprim e të zgjaste dorën ndaj meje e të kërkoja ndihmë, do i vija një dangë vehtes që s’kish det të ma lante. E teksa instikti i mbrojtjes më kish gërmuqur, ai tha: -Diçka kam nga Koçi edhe unë, mbase se nusen do ta gjej 20


në fshat. Më quajnë... Emrin nuk ia dëgjova, edhe pse ai e shqiptoi me zë të lartë, edhe pse në kabinë hyri Xhorxhi dhe e përplasi derën me forcë. -Tuaf njerëz! I vë vezët kapicë në shportë dhe do të mos i thyhet asnjë...-turfulloi ai. Por kur pa se ne ishim në një gjendje gati si të mpirë, me intuitën e një njeriu që s’ia ha qeni shkopin, vazhdoi: - Po ju, ç’më rrini kështu si kukuthë?! Unë e ndjeva të nxehtin që më pushtoi. -Hajde, hajde, mos u skuq kështu, djalin e kemi për kokë të djalit, me shkollë, me shtëpi e katandi... -Më fal, Xhorxhi, po përse e keni fjalën? – ndërhyra unë e bindur se duhej të ndërhyja që të mos trashej më shumë muhabeti. -Dëgjo, moj çupë, - vazhdoi ai duke shikuar përpara. – Ti beqare, ai beqar. Nga familje të mira që të dy. Simpatikë. Epo...edhe kështu bëhen këto punë... -Xhorxhi, bën mirë ta lësh këtë muhabet, - ndërhyri ai që kisha në krah të majtë dhe unë u ndjeva disi më e lehtësuar. Pastaj ai me Xhorxhin nisën të vinin ditë për ditë. Madje na linin edhe orën e takimit, na prisnin sa mbaronim mësimin. Nuk e di, po në atë muaj na dukej vehtja si mësuesit e qytetit. Ishim të rinj dhe lodhjen e mëngjesit nuk e ndjenim. Mjafton që të dilnim çdo ditë në bulevard. Dhe...në një nga këto dalje ai m’u shfaq papritur. Nuk e di, po bgaqë isha mësuar ta shihja gjithnjë në makinë, me një palë rroba doku të dala boje, tani që e kisha përpara, më dukej se kisha gabuar, se kisha përpara një djalë vërtetë simpatik e të kohës. -Ua, Zhuli! Bëmë nga një copë rrugë së bashku. -Mirë. Pastaj ndodhi ajo që u ngjet shumë njerëzve. Ai më propozoi dhe më dukej se mbi gjithçka, çdo fjalë e tija ishte e sinqertë dhe i buronte nga shpirti. Nuk i ktheva përgjigje, po sytë e tij, çdo shprehje e fytyrës, zëri i tij me një timbër disi të veçantë, më ishin bërë të domosdoshëm. Ndjeja taman po ato vibrime në shpirt si atëhere kur u marrosa në fakultet pas një studenti të vitit të fundit... 21


Sapo kisha shkuar në universitet. Nuk e dija se studentëtr e viteve të larta “lejen e gjuetisë” e kishin në muajin shtator. Kishte diçka të përbashkët, diçka me...O Zot! Sytë e tyre, gjithë dritë e të kaltër, gati ishin identikë. Po studenti vinte më i hedhur, më i çpenguar. Në një mbrëmje vallzimi që organizuan vitet e para, ai hyri si i shtëpisë dhe vallzimin e parë e bëri me mua. Çdo vajzë do ta kishte dëshirë të vallzonte me një simpatik si ai. Më afroi e më largoi dhe disa herë ndjeva gjinjtë të më putheshin me gjoksin e tij. Po në atë tollovi studentësh e alegrie, afrime të tilla ishin më se të natyrshme. -Më ke bërë përshtypje që ditën e parë të shkollës, - tha ai. Në gjimnaz shoqet habiteshin se si deri në maturë asnjë djalë nuk më kishte propozuar. Hapeshin shpesh biseda për këtë çështje, madje talleshim në kor me këtë apo atë djalë që i lidhej gjuha kur i propozonte ndonje shoqeje. -Ty ta kanë frikën se je pak e sertë, - tha një ditë Shpresa. Në të vërtetë kisha ndonjë tipar prej djaloshi. Sa qeshë e vogël, kushedi pse, po prindërit m’i mbajtën flokët e prerë, më vishnin me pantallona të shkurtëra, me vëllain e madh e shokët e tij luaja shpesh edhe futboll, përplasesha, vritesha në këmbë e në gjunjë...deri një ditë që vëllai më tha se tani isha rritur e nuk duhej të luaja më futboll me djemtë. -Ti je si një dhi e egër! – pat bërë atë krahasim fatal për mua në maturë Edra dhe, që nga fillimi i vitit e deri në mbrëmjen e maturës mua më quajtën dhi. Studenti më shikonte në sy. Isha turbulluar krejt nga vështrimi i tij. -Atë ditë ke pasur një fustan me vija, - tha ai. -Ashtu? – e pyeta unë si me tallje. -Të kam parë do ditë, çdo mbrëmje. Kisha kthyer kokën me indiferencë nga krahu tjetër. -Dhi e egër! Ndjeva një diçka të ma përshkojë trupin. Se si m’u shfaq Shpresa, Edra, gjithë shoqet e maturës. Ishte më se e qartë se ai kishte takuar ndonjë nga shokët apo shoqet e maturës...Pra ai ishte interesuar për mua dhe as ky vallzim, as kjo bisedë, nuk ishin 22


diçka e rastit. Pastaj...nisa të shoqërohesha me të...shkuam në kinema, në xhiro dhe një natë, teksa po më përcillte për në kovikt, ai më puthi. Iu shkëputa dhe ika. Taman si dhi e egër. Po asaj nate, puthja e tij më mbeti në qafë. Aq zjarr kish ajo, sa menjëherë vajta tek tualeti dhe u pashë në pasqyrë. Në qafë më dukej se më kish mbetur buzët e tij. E fërkova vendin dhe sërish m’u duk se e përkëdhela atë. Pastaj erdhi e nesërmja. Më thanë se tek dezhuri i konviktit kisha një letër. U ula me një frymë. Sapo isha kthyer nga shtëpia dhe nuk prisja letër prej tyre. Po kush të më kiishte shkruar vallë? Me siguri studenti, hamendësova dhe më erdhi inat me të, pasi për hiç gjë një vajzë atje tek dezhuri edhe mund ta hapte dhe ec e dëgjoji pastaj! E grisa zarfin dhe pas çdo rreshti sikur po më linin fuqitë. Shkova në dhomë. Njëra nga shoqet kishte shkuar në shtëpi, tjetra flinte paq. U hodha mbi shtrat e drobitur. Futa kokën nën jastëk dhe nisa të qaj. Pastaj e mblodha vehten dhe e lexova sërish letrën. M’a shkruante një studente e vitit të dytë. Banonte në Tiranë. Më fliste për studentin e vitit të fundit, më thoshte se ai kishte veç një emër: Don Zhuan! Se para saj kishte tradhtuar edhe Florën e vitit të tretë, që mbahej si një ndër vajzat më të mira e më simpatike të fakultetit, edhe shoqen e kursit të tij, Kristinën, madje me të thuhej se kishte edhe një fëmijë ilegal...Më këshillonte si motër të mos gënjehesha nga sytë e bukur të tij, më uronte që të mos kisha fatin e saj! Mezi ç’prita që të zgjohej nga gjumi shoqja e dhomës, Blerta. Qava me dënesë. Po pasi u qetësova, Berta më tha se mbase ajo, anonimja, mund të kishte xhelozi, ta kishte për vehte një simpatik të tillë si studenti i vitit të fundit dhe shpifte. E biseduam gjatë, si dy motra. Dhe po atë natë, në katin e dytë ku flinin studentet e vitit të fundit, takova Kristinën. Ngurroi në fillim, pastaj m’u hap e më tregoi gjithçka. Më tha se edhe asaj i kishte rënë në sy ai pas meje. Më foli edhe për ato vajzat e tjera. Studenti erdhi të më takonte të nesërmen në pushimin e leksioneve. Iu shmanga, duke i lënë në sy të të tjerëve një shije të 23


keqe. Po ai qe këmbëngulës. Më kërkoi tek dezhuri i konviktit. Ishim të bindura se kështu do të ndodhte. Po tek xhami i kabinës së dezhurit ne do i bënim një sfidë; në një karton shkruam me tush: “Jepet tragjedia Don Zhuani për studentët e vitit të fundit. Nënshkruar nga një grup studentesh të mashtruara”. S’u pa më. Mbase dikush i kishte thënë se ishin dekonspiruar dashuritë e tij dhe...e ndjeu vehten si peshku në zall... 7. ...Kishin kaluar shumë vite dhe tani kisha përballë një njeri që i ngjiste aq shumë atij në pjesën e syve. O Zot! Anonimja e vitit të dytë më kishte porositur që të mos gënjehesha nga sytë e bukur të studentit të vitit të fundit... Kisha ardhur në një moshë kur s’mund të qëndrova më e vetmuar, ma kërkonte gjoksi i fryrë e thithkat që sa herë i prekja, më shkaktonin një eksitim e turbullim në tërë qënien time. Trupi im i kolmë sikur më kërkonte diçka që as vetë në atë kohë nuk e kuptoja se ç’ishte dhe nëse u ndodhte ashtu si mua edhe moshatareve të mia, pasi për edukatë seksuale nepër shkolla apo gjetkë as që mund të bëhej fjalë dhe ç’ish e re për një vajzë në këtë fushë mund të mësohej nga ndonjë shoqe e ngushtë që të tregonte se çfarë bënte me të dashurin e saj apo nga nuset e reja. Po s’vendosja dot. Qe rasti me një inxhinier, po diferenca e moshës mbi 10 vjet, më bëri që të thoja jo. Pastaj ajo e një tekniku, e një infermieri në spital...mësueset e katundit nuk preferoheshin...duhet të falje shumë...Dhe për dreq, për ditë më vinin në mendje vargjet e Kadaresë për mësueset e fshatit: “Kohë e fejesës u ka ardhur, Dikujt dhe ndoshta i shkon çdo ditë, pluhur i shkumësit, vello e bardhë u bie mbi supe dhe i trondit”. -Kam kohë që matem të të them diçka, - ndjeva një zë. Ashtu e përhumbur pulita qepallat dhe e pashë atë. -Çfarë? -Dua të bëj një bisedë me ty. 24


Më kishte kapur duart aty mbi tavolinën e atij klubi ku kishim hyrë për një akullore. -Të lutem, se na shohin... -S’ka asnjë njeri... -Le të mos ketë, të lutem! Ai i largoi duart dhe më shikoi në sy. -A mendon se mund ta kalojmë jetën së bashku? Pyetja e tij më turbulloi të tërën. -Nuk të gënjej dot, - vazhdoi ai, - kam kaq kohë që e mendoj një gjë të tillë. Edhe ardhjet aq të shpeshta në katund, gjysma s’ishin për punë, por për ty... -Ashtu?! – se si e pyeta unë, edhe pse dukej sheshit, sidomos kohëve të fundit, se ai sytë i mbante tek unë dhe vetëm tek unë. -Edhe kam pyetur. Të gjithë më kanë folur mirë. Një katund bën për kokën tënde... -E lëmë për një herë tjetër, - thashë unë dhe bëra të ngrihem, po ndërkaq ai më kapi nga dora dhe unë se si ndjeva një si drithërimë në të gjithë trupin. -Të lutem... -Unë e kam vendosur, Zhuli, të pres nesër në këtë vend, po këtu...Mund ta bisedosh edhe me të familjes...Për mua gjithçka ka marrë fund... Se si kisha një bindje se nëse kish gjëra që i mungonin, ai një gjë e kishte me bollëk: sinqeritetin. Nuk kam përse të gënjej. Që në fillim, kur atë dhe Xhorxhin nisëm t’i njohim më mirë, se si pata menduar se më një njeri të tillë unë mund ta kaloja jetën. Edhe pse i kish kaluar të tridhjetat, nuk jepte as 3-4 vite më shumë se unë, po gjithnjë vinte e më shfaqej studenti i vitit të fundit dhe dridhesha se mos bija në grackën e ndonjë Don Zhuani tjetër. -Mund të pyesësh edhe ti për mua, Zhuli. Për familjen time. Ashtu siç kam pyetur unë për ty...se vërtetë unë s’e kam të lartën, si ti, po jeta më ka dhënë një diplomë tjetër... ...Gjithçka eci siç deshi ai...një vit fejesë...një vit i mrekullueshëm në krahët e njëri-tjetrit e të ëndërrave për të arthmen...pastaj muaji i mjaltit dhe pas tij jeta e një gruaje 25


shqiptare...shtatzania, gëzimi i përgjysmuar i lindjes së një vajze, lidhja pas shtratit të saj...Punë, çerdhe, kopësht, shtëpi, enë kuzhine, pritje, përcjellje, dreka, darka, morte, fejesa, martesa...abordimi i parë, i dytë, gjendja e shtratit me shpresën e një shtatzanie të re, transferimi në qytet... Nuk arrija ta kuptoja se në këto vite kush ishte shformuar më shumë, unë apo ai? Vinte, shkonte, herë me një buzëqeshje të shtirur, herë fytyrë ngrysur, po gjithnjë si të hynte e të dilte në një hotel.. këtu me Xhorxhinb, atje me Xhorxhin, më pas me një përgjegjës sektori kooperative bujqësore, pas të cilit humbëte me ditë...Nuk arrija ta kuptoja se veç rakisë që e pinte si pak kush, ç’e lidhte me atë përgjegjës sektori në një zonë gati të përgjymur të qytetit. Mos?...nuk ma mirrte mendja të më ndrronte mua. Se, edhe pse pata gjithë ato peripeci abordimesh, mbahesha mirë e isha në formë, sa që shoqet dhe të afërmit habiteshin me trupin tim të përkryer, si llastar. Në të kundërt, ai kishte rënë më shumë në paraqitjen e jashtme, po gjithsesi unë isha gruaja e tij dhe asnjëherë nuk ia kisha thënë një gjë të tillë. -Si shumë ka rënë yt shoq! – më tha në një vallzim Vili, një koleg i shkollës, të cilin sa e sa herë e kisha zënë me sytë mbi gjoksin tim. Në çast desha ta ndërpres vallzimin, po më erdhi keq për Alfredin, mësuesin që dilte në pension e për të cilin bënim atë mbrëmje. Pasi, braktisja e kavalierit në mënyrë demonstrative mund të shkaktonte ndonjë keqkuptim dhe... -Edhe në pastë rënë, është martuar njëherë! – ia ktheva unë, duke u përpjekur që në rrotullimet e atij valsi të mos e lejoja të më affronte siç donte ai pranë vehtes. Po Vili siç dukej kish vendosur të mos më shqitej. Atëhere bëra atë që duhej bërë. Të nesërmen i shkova në kabinetin e tij. Ai që ëndërronte të më shkëpuste një buzëqeshje apo të gjente një rast e të hapte njhë bisedë me mua, u shushat sa më pa. dhe pa e marrë ende vehten, unë ia thashë ç’kisha për t’i thënë dhe dola. Vili mbeti shtang. Nuk më përballonte dot.

26


8. Im shoq kishte dy ditë që s’bëhej i gjallë. Erdhi xhorxhi me makinë, e mori në mëngjes dhe u zhduk. Vajza flinte, ndërsa unë kisha mbështetur ballin tek xhami i dritares së kuzhinës dhe sytë nuk i shkëpusja nga rruga. Njerëzit shkonin e vinin, ku veç e veç, ku çifte, çuçurisnin me njëri-tjetrin, kurse unë...Ajo dhia e egër isha zbutur e s’bënte as për dhi qumështore... Im shoq vinte. Gjithnjë me Xhorxhin. E fuste makinën nga një rrugicë e vazhdimisht sillte herë ndonjë thes me patate, herë ndonjë arkë me fruta e zarzavade, herë ndonjë kofshë mishi, kur të tjerët i kishin me racion...Gjithnjë në të ngrysur, që të mos shihej... Po gratë e apartamentit kishin katër palë sy...Shihnin gjithçka... Edhe pse nuk e shprehja, për mua ato ishin zëro para asaj që kërkoja. Përditë e më shumë e ndjeja se mua më kish humbur burri. Në shtrat isha e martuar, në jetë isha vejane. -Ti e kupton ngarkesën time, Zhuli, - u përpoq një ditë të më mirrte me të mirë ai, - plot gra mirëqënien tonë do ta ëndërronin, - tha ai duke patur parasysh bollëkun që kishim në shtëpi. -Më mori malli që të dalim si gjithkush, - i pata thënë unë, - të shkojmë në një film, në një shfaqje, të pijmë një birrë. Tani vajza po rritet dhe kemi mundësi më shumë... Por binte shpesh e më shpesh buria e Xhorxhit, çonte fjalë përgjegjësi i sektorit, herë-herë edhe drejtori i ndërmarrjes...humbëte nepër shërbime deri në Sarandë... Një ditë qava si e marrë. Po bindesha se s’kisha më burrë. Dhe ashtu, me sytë e buhavitur, më gjeti mamaja. Nuk munda më të përmbahem. -Da ta ndaj! – thashë me sytë nga nëna. -Qyqja unë! – u përgjigj nëna dhe nisi të qajë më shumë se unë. Tim shoq nëna e donte e po kështu edhe dy vëllezërit. Ai s’prishte punë me askënd dhe, për më tepër, vazhdimisht i kishte ndihmuar ekonomikisht. 27


-Po ç’më duhet ky burrë, moj mama, ç'më duhet?! Burrë me korrespondencë! – se si më doli mua nga goja dhe pashë një habi të madhe në sytë e nënës. -Po ne kemi menduar se ti dhe ai... -S'kam dashur t'u shqetësoj, moj ma...Po ai më ka mbetur si burrë për emër dhe shtëpinë e ka si hotel. -Qyqja moj bijë, çfarë thua! – tha ime më dhe rrihte kupat e gjunjëve me shuplakat e duarve. Po ndërsa unë qaja, nëna ngriti kokën dhe pyeti: -Mos shkon me ndonjë tjetër, moj kërcune?... -ah, jo, jo, - thashë unë me një vendosmëri që s'di se nga më erdhi. -Po kështu, burrë është? – se si më pyeti ajo, me të cilën unë kurrë nuk kisha hyrë në të tilla biseda. -Nuk është fjala aty, moj mama, po ai s'di gjë tjetër veç të kryej furnizimet e shtëpisë, pa për të tjerat, se a ka nevojë kjo grua për një fjalë të mirë, për t'u shlodhur pak, për të çelur sytë diku pranë burrit, as që bëhet fjalë... Nuk qamë më. As unë, as ajo. Nëna dikur foli. Më tha se edhe gratë duhet të dijnë t'i bëjnë burrat për vehte...se edhe ajo...se do të mirrja përsipër një barrë të rëndë që s'mund ta ngrija dot...se vajza po rritej e do të kishte probleme të tjera pa baba...se... Nëna më theu. Pastaj erdhën vitet që ndrruan sistemin. Ngritja, rrëzimi i tij. Nuk mund ta braktisja. Ia vura fort shpatullat shtëpisë. Ngrita dy kurse anglishteje dhe kërkesat i kisha për më shumë. Në fillim ai nuk dilte nga shtëpia, më dukej se po lidhej përditë e më shumë me mua. Më përkëdhelte, edhe më puthte nepër shtëpi. Aty-këtu, sidomos të shtunave e të dielave kur s'kisha kurse pasdrekeve, edhe bënim ndonjë vizitë, ndonjë shetitje. Për fat Xhorxhi iku me eksodin, përgjegjësi i sektorit s'ndjehej a ishte gjallë pas prishjes së kooperativës dhe...herë-herë më dukej vetja si në vitin e fejesës...Sikur edhe unë e ndjeja vehten të ripërtërirë. -Të gjithë plaken, Zhuli rinohet! – më bëri kompliment Vili një ditë, teksa në pushimet e orëve ishte hapur një bisedë në këshillin pedagogjik për rënien fizike të njerëzve pas të dyzetave. Po tani 28


unë dukej se e kisha gjetur tim shoq dhe për mua kjo ishte gjithçka. Gëzimi im, siç dukej, nuk do ta kishte jetën të gjatë. Një ditë në shtëpi ia behu Xhorxhi. T'u them në shpirt, u trondita. Edhe nga pamja e tij, edhe se më dukej se ai ma shprishte tim shoq. Në fytyrë ishte i bardhë dhe sikur i ishte zhdukur ajo alegria e gjithmonshme. Nga Italia mua më kish sjellë një parfum si dhuratë, një kukull për vajzën dhe njnë mbajtëse çelësash për tim shoq, kur ai s'kish asgjë për të çelur e as për të mbyllur. Më dha përshtypjen se kishte qenë në burg, ku s'e kishte parë drita e diellit. -Brenda kishte qenë gomari! – më tregoi im shoq pasi e përcollëm. -Ndofta është marrë me drogë, - thashë unë. -Po ti e di, moj Zhuli, Xorxhi s'mund të punojë... Kështu, erdhi Xhorxhi dhe punët rrodhën ashtu siç nuk desha unë...Nuk zgjati shumë e Xhorxhit i erdhi "Tayota" nga i vëllai. O zot! Im shoq dhe ai sikur fluturuan. Një ditë kishin marrë me vehte edhe Mirin, tim vëlla. Madje, në kthim për në Shkodër, Xhorxhi ia kishte lëshuar timonin atij. Kështu rrodhën ditët, vitet. Tashmë sikur isha mësuar me mungesën e tij dhe isha e bindur se dita-ditës po shndrrohesha në vejushë me burrë gjallë. Edhe kur kthehej e qëndronte në shtëpi, tek ai ndjeja një ftohtësi që sa vinte e rritej. 9. Kur u kthye nga Tirana e dallova se ishte në formë. -Më së fundi e zura kapon, - tha ai për shokun e Tiranës. – Nesër më nis një kamion me vaj. Xhorxhi bisedoi me pronarin e një moteli që ka dy magazina. -Me pronarin e "Pulëbardhës"? – e pyeta unë, krejt e çliruar nga ai ankth që më kishte pushtuar. -Ti e di që ne kemi qenë tek "Pulëbardha"? -M'a tha Miri. Kishte qenë me holandezët dhe kishte parë "Tayotën" tuaj pas motelit kur kishte parkuar makinën e tij. Bile kishte kërkuar edhe Xhorxhin, por... 29


Ai vuri buzën në gaz. -Sapo u ulëm në një kthinë të motelit në kat të dytë me pronarin e vëllain e tij, e porositi kamarierin që të mos jepte adresën për asnjërin prej nesh... Nuk e di, po sa më niste një dyshim për tim shoq, gjithnjë më vinte diçka tjetër që ma rrëzonte. Kështu edhe tani. -Bile, - sikur nxitoi ai të fliste, i bindur se unë do ta pyesja se përse nuk u kthyen që mbrëmë, - ne edhe fjetëm në motel, pasi pimë pak si tepër e s'guxonim të viheshim në timon... Nuk kisha pikë dyshimi se isha xheloze. Po tani sikur kjo xhelozi sikur po dilte nga shtrati i saj, pasi një njeri e sidomos gruaja bëhet xheloze kur e do burrin e saj, ndërsa unë...a mund të thoja se e doja? Hera-herës e ndjeja domosdoshmërinë e atij që quhet burrë e zot shtëpie. Po ç'isha unë që për çdo hap të tij dyshoja? Sigurisht që unë atij njeriu nuk i besoja më, pasi gjithnjë më hapte shtigje ku ecte veç dyshimi. Ai sinqeriteti i tij i dikurshëm kish qenë maska pas së cilës ish fshehur një tjetër fytyrë. Dhe sa mjeshtërisht... -Tani, - vazhdoi ai, - do të na duhet ta bëjmë shpesh e më shpesh rrugën e Tiranës. Do ta shesim mallin, do të çojmë paratë. Qarin do ta ndajmë me Xhorxhin. Edhe nesër duhet të shkojmë. Mund të kthehemi vonë. -Po unë nesër kam mbrëmjen e maturave, - u kujtova unë. – Ata të rinj janë e mund ta gdhijnë... -Ku e bëjnë? – pyeti ai. -E kanë mbajtur sekret dhe do të na e bëjnë surprizë. Po thonë se do të jetë diçka e paparë. Se pas lokalit që kanë zgjedhur, do të shkojnë në plazhin e Velipojës... -Rri dhe ti, - bëri kavalierin ai. – Mjaft u drobite në punë e çlodhu! -Mami, do më marrësh mua? – se si pyeti vajza. -Oh, jo, mami, se nuk bën, - u përpoqa ta bindja time bijë. -Unë prap do të shkoj tek tezja? Unë pohova dhe e putha në faqe. Të nesërmen në mëngjes rrugët tona u ndanë: ai me Xhorxhin për biznesin që kishin nisur dhe unë, të çoja vajzën tek motra. 30


Tek hyrja sërish Vera. -Pa eja moj Zhuli, se kam diçka për të thënë. Ishte një ditë që kisha nge, një ditë që ishte plotësisht e imja. -Ajo, rruspija, kushedi se me kë e ka katranosur këtu tek ne, pasi Nikollën e kishte vëlla... -Çfarë? -Për kokën e djalit që s'të gënjej...Nënën e rruspijes unë e njoh, se kam punuar dikur në uzinën e fermantimit me të...Ka ardhur edhe herë të tjera kur banonte ajo, rrallë, por ka ardhur...Erdhi edhe dje...Biseduan këtu para hyrjes sime...E ftova për një kafe...M'u përgjigj se po shkonte tek djali...Po cilin djalë ke këtu, moj Markë, e pyes, se mos ke ngatrruar pallat?...E si të ngatrroj pallatin, moj Vera, kur unë kam ardhur kushedi sa herë tek vajza...Tek vajza, po, se e njohim, por tek djali?...Po Nikolla është djali im, ai e ndrroi hyrjen me të motrën qëkur ndodhi ajo ngatrresa me gruan e Franit, pra... -Si është e mundur? Hë, pra, se ajo, rruspija, që thua ti, ka ardhur edhe sa herë të tjera kur Nikolla s'ka qenë në shtëpi fare...Madje, si gjeolog, ai më shumë me ekspedita se në shtëpi...A ka se si të vazhdojë prap me Franin? U turbullova fare. Dyshimet e kahershme sikur m'u zgjuan. O Zot! Nuk e kontrolloja dot vehten. Me Verën bëra dy-tre muhabete korr e mos lidh dhe dola në rrugë. Hyra në dyqan, dola nga një tjetër. Nuk arrija ta kuptoja se ç'po ngjiste kështu me mua. Ajo "brava" e prishur që s'mori mundimin ta rregullonte asnjëherë, kurrë s'më kishte ngecur kur im shoq nuk ndodhej në qytet. Për shumë e shumë gjëra kisha nisur të mos i besoja. Aq sa dhe tani kjo puna e vajit se si më dukej. Po, nganjëherë, mendoja se do të lidhej me një punë ditënatë e s'do kish nge për marrina që më shqetësonin aq shumë. Me këto mendime, herë të kthjellta e herë të turbullta, më kaloi ajo ditë në pritje të mbrëmjes së maturave.

31


10. Në oborrin e shkollës ndjehej një atmosferë gëzimi e hareje. Maturantët bënin gati të gjithë fotografi, qeshnin e ngacmonin njëritjetrin. Sa më panë, për një çast u stepën, po pastaj qe Fredi ai që e theu heshtjen. -Të keqen, Alma, - iu drejtua një shoqes, - bëja një foto nxënësit më të shkëlqyer të matematikës, zbulimit më të madh të profesoreshë Zhulit, pra personit tim, me mësuesen e paharruar. Kaq u desh që të shpërthente një alegri e madhe. Se Fredi, çalaman në të gjitha lëndët, topall me të dyja këmbët në matematikë. Aq sa isha betuar e stërbetuar se s'do e fusja në provim. Po ai hyri si hyri në provim, atë e mori dhe tani kishte të drejtë të thoshte çfarë të donte. Ndërkohë u ndjenë buritë e tre autobuzëve që do të na çonin në lokalin e prenotuar. Pas tyre u shfaq edhe një veturë. -Ej, buçko, do t'i shpojmë gomat! Ka një vendim të prerë, asnjë veturë! Njëri nga maturantët, që siç dukej e bënte këtë për t'u dukur apo kushedi se për çfarë, bëri një rreth me gjithë shpejtësinë nepër oborrin e shkollës dhe, më së fundi, doli nga porta duke lënë pas një fjollë pluhuri. Drejtori dhe mësuesit e tjerë kishin ardhur para meje. Kështu që aty e mora vesh edhe njërin nga sekretet për të cilat flisnin që dy-tri ditë përpara. Njëri nga nxënësit kishte xhaxhain pronar të "Pulëbardhës" dhe maturantët, që t'i iknin zallamahisë së qytetit e si zakonisht zënkave me të jashtëm, e kishin parë më të udhës që t'a bënin mbrëmjen në këtë motel, i cili, siç thoshin, kishte edhe një pistë të mrekullueshme për të vallzuar. Nuk e di, po sa mësova emrin e motelit se si më iku edhe ajo dëshirë që pata për të marrë pjesë në atë mbrëmje mature. Më dukej se "Tayota" e Xhorxhit më kthehej në kalë Troje në kështjellën e dashurisë së jetës sime, se me atë makinë im shoq bashkë me Xhorxhin bridhnin me ato që Vera e katit të parë i quante rruspije. Mbrëmjet e maturave më sillnin ndërmend mbrëmjen e maturës sime, kufizimet që kishim në atë kohë, lirinë që kishin sot 32


të rinjtë e kudi unë gjithfarë gjërash të çuditëshme. Po kësaj here, se si ajo, "Pulëbardha" më ndillte zi. Domosdo që një paranndjenjë e tillë duhet të më ketë vënë edhe një tis të lehtë trishtimi e melankolie të përzier bashkë, përderisa njëra nga koleget më tha se mua edhe melankolia më shkonte aq shumë. Autobuzët, nga që bënte shumë vapë, dyert i mbanin të hapura. Tek po hipja, se si m'u përdrodh këmba nga takat e larta që kisha veshur dhe u ngjesha tek një derë. Dikush nga maturantët bëri humor me kalamendjen time, po siç kuptohej një tjetër duhet t'ia ketë bërë me sy ose ta ketë pickuar, pasi gjithnjë kishim thënë se me fatkeqësinë e tjetrit nuk duhej tallur. Nejse! S'kishte asgjë për t'u shqetësuar. Kur hipëm në autobuz, na priti "sekreti" tjetër. Nxënësit nepër sedilje kishin lënë plot maska. Kështu që vallzimin do ta bënim vetëm me maska, për të rritur alegrinë, edhe pse, për disa mësues, maska do të ishte një diçka e kotë, pasi ata njiheshin pa të që ç'ke me të! Kështu, për shembull, drejtori edhe pse të mbyste vapa, ishte i vetmi që kish ardhur i kollarisur, apo Mentori i fizikës, që me gjithë atë bark do të njihej edhe në një ballo me njëmijë veta. Mora maskën që më zuri dora dhe e vura. Ngaqë ishte hera e parë në jetë që vija maskë, se si m'u duk, por, pas pak, fillova të qesg edhe unë si të tjerët, pasi s'njihnim dot më njëri-tjetrin, veçse përmes zërit. Në mënyrë të veçantë, mes të rinjve, vënia e maskave shkaktoi një alegri të madhe. Hynin e dilnin në autobuz, bënin numura gjithfaresh me njëri-tjetrin. E këtë humor nisën ta bëjnë edhe me ne. Madje u përzinë aq shumë në autobuz, saqë unë, duke menduar se kisha përballë mësuesin e frëngjishtes, i fola lehtë që të kishte kujdes, se mes nesh ishin përzier shumë nxënës, po si për çudi masja, një mace, m'u afrua tek veshi dhe më tha: "Mësuese Zhuli, jam Ajnshtajni". Mbeta e befasuar e qesha me të madhe, pasi ai që më ishte afruar, mbase edhe për të më shprehur ndonjë falenderim, ishte nxënës, matematikani më i mirë i tri maturave. Kështu, mes këtij gëzimi të spjegueshëm të moshës së tyre, u nisëm jashtë qytetitt, duke tërhequr edhe vëmendjen e kalimtarëve që na pandehnin për karnevale. 33


"Pulëbardha" fshihej pas një kodre, ndanë Drinit. Shoferët, siç dukej, s'e kishin për herë të parë që vinin këtu, pasi symbyllur e gjetën vendin e parkimit diku pas motelit. Zbritëm, natyrisht të parët ne, mësuesit, dhe me këtë e paditëm vehten se kush ishim. Po kjo s'do të kishte shumë jetë, pasi zbritja nga dy autobuzët e tjerë rriti edhe më shumë shkallën e propabilitetit për të mos identifikuar më njeri. Ndërkohë autobuzët morën rrugën e kthimit, gjithnjë me freskimin e kujtesës për shoferët që fiks në 12-të të natës të ishin për t'u nisur për Velipojë. -Ua, po paske ndotur fustanin, moj zonja dhelpër! Në fillim nuk e pata mendjen se e kishin me mua dhe se çfarë maske kisha vënë. -Zonja dhelpër, ku do të shkosh me këtë fustan' – më përsëriti maska tjetër dhe vetëm atëhere unë e kuptova se e kishin me mua. U kujtova se kur m'u përdrodh këmba tek hyja në autobuz, isha mbështetur shumë tek dera e tij dhe me siguri atje pata marrë një dangë. -S'ka proble,m s'ka problem, - dëgjova një njeri pa maskë, me papion, pra kamarier, që sillej mes maskash për çfarëdo nevoje. – Mund të vini pas meje, këtu kemi një garazh dhe me benzinë e çëk-fëk... Kështu unë dhe maska tjetër që më ndiqte pas bëmë andej nga ishte garazhi i makinave të motelit. Sigurisht që garazhi shërbente për makinën e pronarit e së shumti të ndonjë punonjësi apo myshteriu të përhershëm dhe ishte në krahun e kundërt të parkingut të motelit, andej nga makinat mund të hynin e të dilnin në garazh pa u vënë re fare nga klientët që bujtnin aty apo pinin një gotë nën shelqet lotues. Kamarieri e hapi derën e pakyçur dhe me xhentilencën që e karakterizonte, nxorri nga xhepi i xhaketës një shami të bardhë, e njomi me pak benzinë dhe desh të ma fshinte, i bindur se kishte të bënte me ndonjë maturante...Po sakaq unë ia kisha marrë nga duart shaminë, pasi njolla ish pak nën sisën e majtë. -Maturante jeni? – pyeti kamarieri. -Ç'ne?! – ndërhyri sakaq maska tjetër! – Ajo është mësuese 34


Zhuli e matematikës, unë jam maturante, - tha maska, por pa e thënë dot emrin e saj. -Më falni, më falni, - kërkoi ndjesë kamarieri, po sidoqoftë kjo ngatrresë e paqëllimtë e tij mua sikur më ngrohu dhe më vërtetoi atë që thonin shoqet e miqtë se kisha një trup si prej një vajze të re. Si e pastrova njollën, ngrita sytë për ta falnderuar kamarierin, por u ngurrosa. Në garazhd, pas një "Fiati", qëndronte "Tayota" e kuqe e Xhorxhit. Nuk e përballova dot tundimin. "Tayota" e Xhorxhit ishte strukur, sikur donte t'i fshihej syrit të dikujt. Sigurisht maska e vënë më shpëtoi për mrekulli, pasi fytyra ime atë çast do të ketë marrë tjetër trajtë. Duart dhe i gjithë trupi më dridheshin. -Merre, mësuese Zhuli, është një parfum i mirë! Ka erë të lehtë e të këndshme dhe e mbyt erën e benzinës. Sakaq kishim bërë disa hapa drejt grumbullit të nxënësve, kamarieri se nga humbi dhe unë vetëm atëhere u kujtova se ç'gabim bëra pasi nuk e pyeta qëkur ishte "Tayota" aty dhe kush kishte ardhur me të. -Shiko se ç'bëjnë, - i foli mësuesi i kimisë sekretares së shkollës, - emrin ia vënë motel, po markingun e bëjnë sa për një hotel, pasi më kanë thënë se këto motele mund t'i quash edhe bordele... -E tmerrshme, e tmerrshme, - përsëriste sekretarja e shkollës, përgjithësisht një njeri i mirë, po paksa naive. T'u them të drejtën, tmerrin më të madh e provoja unë. Në gjoks diçka më digjte. Ishte një diçka që nuk arrija ta kuptoja. Zhurmat, të qeshurat, i dhanë një gjallëri të veçantë krejt zonës. Pronari i "Pulëbardhës", xhaxhai i maturantit tonë, në kërkim të drejtorit të shkollës, u përplas me një maskë derrkuci. -Xhaxhi Estref, - i foli lehtë maska, - ai gomari është drejtori. -Kopil mutit! – shau xhaxhai nipin dhe u drejtua nga drejtori, i cili, si me maskë, si pa maskë, njihej njëlloj, sidomos nga kostumi dhe kollaroja e gjërë. 35


-Qejfin bënie qejf, zoti drejtor, - tha ai me një lloj solemniteti të shtirur. – Moteli është i tëri në dispozicionin tuaj dhe sot për ju nuk kam pranuar asnjë klient tjetër. Për zotërinë tuaj e ndonjë profesor apo profesoreshë në moshë, kemi edhe dhoma për t'u çlodhur. I gjithë kati i dytë, përveç papafingos, është i juaji. Dhe këto i keni gratis. Kati i dytë. Përnjëheresh sytë më shkuan nga papafingoja. Duhej të ishin dy dhoma që ngriheshin mbi katin e dytë. Se si po zemra më thoshte se në papafingo ishte Xhorxhi dhe im shoq, mbase me ndonjë... -Më falni, zonja dhelpër, - m'u drejtua një maskë, - mos po vështroni këtë qymez për të gllabruar ndonjë pulë? -O, ç'ne, ketrush! – iu përgjigja unë pa vetëdije, po më shumë për të hyrë në atmosferën e gëzuar që shtonin maskat. -Jo, po thashë...- qeshi ai dhe unë nga zëri e kuptova se kisha të bëja me një nxënës. Eca ashtu kuturu mes maskave. -Vë bast se kjo dhelpra është mësuese Zhuli, - dëgjova një zë vajze. -Me çfarë? – pyeti një bretkocë. -Me një të puthur. -Me maskë? -Idiote! Pa maskë! Hyra mes një grumbulli të rinjsh. Mes tyre ishte maska e një zezaku. Ngaqë plot djem ishin me xhinsa, njohja bëhej vetëm nga zëri, por, kur maska bëhej memece, atëhere ec e gjeje! -Mos zonja dhelpër, - m'u drejtua një pulë, - as më thua mua, të preferuares tënde të përjetshme, mos dini gjë se sa kushton ky zezaku, se dua ta blej?! -Zonja pulë, - iu përgjigja unë pak me vështirësi, - përpara se të blini zezakun, duhet t'i shihni dhëmbët. Nga një grup shpërtheu një e qeshur që aman o Zot! E përnjëheresh zezakun e njoha. Ishte Virtyti, të cilit disa herë gjatë orës së mësimit i thoja të mos m'i zbardhte dhëmbët. Dikur, pronari na udhëhoqi nga tavolinatr e shtruara me shije. Thuhej se edhe çmimet i kishte të kripura, por për nipçen do të 36


bënte disa zbritje çmimesh, për t'ua shpërblyer disi mësuesve ndihmën që i kishin dhënë të nipit, një gjysmë idioti e të droguari, duke e kaluar pa e çuar për vjeshtë. Nuk kishte tavolinë qëndrore si në kohën tonë. Mësues e nxënës ishin përzier në tavolinat me dhjetë veta. Ato ishin shtruar në oborrin e përarmë të motelit, nën krahët e shqelqeve lotues, çka e shtonte romantizmin e bukurinë e asaj mbrëmjeje. Mund të haje, të pijë dhe të vallzoje lirshëm në pistën që siç dukej ishte shtruar enkas. Dikush kish sjellë një megnatofon dhe pjesët që viheheshin në të më së shumti ishin të grupeve të fundit të Hitit, aq të pëlqyera nga të rinjtë. Kisha rënë në një tavolinë me nxënës të A-së. Për mua që kisha kaluar katër vite me ta, nuk ishte e vështirë ta kuptoje. Përgjithësisht ishin nxënës me interesa dhe, si çdo A, më e mirë se B-ja e C-ja. -Në fakt, - filozofoi njëri nga ata, Vilsoni, - ideja e përdorimit të maskave u pranua nga të gjithë, pasi, përderisa gjithë jetën njeriu vë një maskë, s'ka përse sonte ta heqë atë. -Bo, sa e thellë! Mendim bakri! – bëri humor maska e një demi. Në tavolinë kishte qëlluar edhe zezaku. Ai iu përgjegj: -Domethënë unë mund të mirrem si racist?! -Padyshim, skllav i ndyrë, - përderisa një jevge kishim në maturë dhe askush s'iu ngjit pas saj, edhe pse ishte për t'u pirë në kupë, të gjithë jemi racistë... -E pijmë për Esmeraldën! – nxitoi një maskë tjetër dhe të gjithë i ngritën gotat e birrës e pinë për jevgen e bukur që kishte ikur në Itali me një gomone. -Unë them se do të ketë përfunduar në trotuar, - theu heshtjen që u krijua pas rrëkëllitjes së birrës maska e një arlekini. -E ç'ndryshim ka ajo nga ato që thonë se vijnë ditë për ditë e natë për natë në këtë motel? U drodha. U drodha në tërë qënien. Mbase, ne mësuesit, gjithnjë edhe maturantët i konsiderojmë të vegjël dhe jashtë vkerësimeve të tilla për jetën e marrëdhëniet njerëzore. Maskat, sa nisi muzika, u ngritën si me sustë. Mbeta në 37


tavolinë vetëm unë dhe maska e një këndezi. -Ti nuk më njeh mua, zonja dhelpër! – dëgjova zërin e deformuar të tij. -Fol dhe pak! – i thashë si me gjysmë urdhëri, që të sigurohesha në dyshimin tim. -Mirë, - vazhdoi sërish këndezi po me atë zë të deformuar, vallzojmë dhe aty mund të më njohësh. Përderisa kisha një maskë në fytyrë, s'kisha çfarë të fshihja. -Ti po dridhesh, zonja dhelpër! – tha ai. -Jo, ashtu të duket. -Ti dridhesh para një gjeli? Dyshimi im mbeti dyshim. S'arrita ta identifikoja taman. E përdridhte aq bukur zërin, sa herë më thoshte mendja se ishte nxënës e herë se ishte ai. Gjysmë errësira ku ishte zhytur ajo mbrëmje e mbase edhe gjendja ime e trazuar shpirtërore, s'më lejonin të zbuloja më shumë. -Do të bëhesh aktor, - thashë unë, e bindur se nga konstrukti i zhvilluar, kisha të bëja me një futbollist. -Jam Vili, - hoqi maskën ai dhe unë se si e ndjeva vehten. Ndërkohë, një grup çiftesh, pasi kishin pushtuar pistën, u hapën në zonën e parkingut. Andej më drejtoi edhe Vili. -Ç'bën? – se si e pyeta, pa patur forcë që të kundërshtoja më shumë. -Mos u trëmb! – tha ai. – Këtu nuk ka rrezik. Rreziku fillon atje lart, - bëri me kokë ai, duke treguar katin e dytë të motelit. Hodha sytë nga papafingoja dhe pas perdes, në një dritë rozë që ndizej e fikej, pashë një çift të puthitur. -Këtu vijnë gjithnjë parelinjtë me dashnoret e tyre, - vazhdoi ai. – Thuhet se këtu një bajzian që merrej me karburant, i ka dhënë shoqërueses së Missit shqiptar dy milion lekë vetëm për të kaluar një natë me të. -Përralla! – se si i thashë unë. -Asgjë nuk është përrallë, Zhuli! siç nuk është përrallë se sonte, pikërisht në papafingon e këtij moteli, dikush po u harliska me missin e tij. Shiko! S'kisha çfarë të shikoja më shumë. Isha tronditur e trullosur, 38


sa as e ndjeva se ai më kish ngjeshur jo pak pranë vehtes. -Ka edhe dhoma të tjera! – tha ai. -Mos u bëj i neveritshëm, - ia preva unë dhe desha t'i shqitesha nga krahët, po ai pat atë shkathtësi që të mos më linte ta bëja një veprim të tillë që do të tërhiqte vëmendjen e të pranishëmve dhe do të na hiqeshin maskat përfundimisht. -Mirë, bëjmë armëpushim! – tha Vili duke u tërhequr. Më së fundi disku përfundoi dhe unë e ndjeva vehten të lehtësuar. -S'po vijnë, - dëgjova një maskë. -Pse, kë presin? – pyeti maska e Vilit. -Kanë paguar tre aktorë të estradës së Shkodrës për një orë. -Bo-bo, ku u ka shkuar mendja. -Edhe ata me maska? -Nuk e di saktë, po thuhet se do të vijnë pas mbrëmjes së maturave të shkollës së muzikës. -Këngtarë do të vijnë? -S'e besoj, se ata kërkojnë miliona. -Po drejtori ku është? – sekush pyeti nga të rinjtë. -Dreq o punë, ka hequr kollaren e xhaketën dhe tashti ec e gjeje... -Ç'na duhet? -Kot, për të nxjerrë kunjin! -Hajde gomar, hajde! -S'jam gomar, po kalë... -Më fal, zoti kalë... -Mblidhuni, mblidhuni, - thërriste dikush. Të gjithë tani kishin bërë një hark rreth pistës dhe një grua, si një lypëse, u shkonte të gjithëve me dorën e shtrirë për t'i falur ndonjë kacidhe. -Më fal diçka, të dhashtë Zoti shëndet! -Kam dhënë që në mëngjes! -Ti fiton koxha, zoti kalë, se punon gjithë ditën. Apo t'i hanë dashnoret?! -Më duket se ai kali është drejtori, - tha dikush. 39


-Nuk e ka barkun aq! -Tani të gjithë mësuesit janë bërë me bark. Ai është e s'e luan topi. -Ik, ore, ai është Guzi, po hiqet si drejtori. -Vdiqa, vdiqa duke qeshur, - thoshte Sasha. – Po kujt i vajti mendja për maska, se u shkrimë... -Luli... -Po ai, ku është? -Më duket se është ngjitur lart, në papafingo... -Shiko, po s'e besove...Ja...shikoje si puth Desdemonën e tij... Ajo që shikoja isha unë. Në fakt duhej pak mundim për të parë nga ku ishim ne se çfarë bëhej në papafingo. Krahët e shelqeve të dendur mbulonin gjithçka dhe vetëm po të ngriheshe me trup përgjysëm mbi tavolinë e të anoheshe pak më majtas, arrije të shihje diçka nga drita që ndizej e shuhej në dhomën e papafingos. Dhe ajo e çarë mes shelqeve ish krijuar mbase nga dora e elektricistit që kishte shtrirë një tel mbi pistë dhe një tjetër për të ndriçuar vendin e makinave për parking. Silueta që herë dukej e herë zhdukej, ajo siluetë mbi kokën e një gruaje, më dukej se ishte e tim shoqi. A ishte e mundur? Ai e dinte se unë do të shkoja në mbrëmjen e maturës, se vendin maturantët e mbanin sekret, po tani, me gjithë atë zhurmë, me "Tayotën" e Xhorxhit të parkuar, si kishte mundësi të vazhdonte pa frikë, pa asnjë përpjekje për ta fshehur aventurën e tij? Po sikur të isha e gënjyer? Sikur ajo siluetë të mos ishte e tim shoqi, por e shokut të tij, Xhorxhit, apo e dikujt tjetër që ai ia kish dhënë makinën? -Zonja dhelpër... Dikush ishte afruar dhe sigurisht që kërkonte të më ngacmonte. Qe një maskë e thjeshtë gastori. -Siç e sheh, këtu të gjithë janë kafshë, veç meje. Mua ma kanë ngrirë gazin në fytyrë, ty, zonja dhelpër, të kanë ngrirë gënjeshtrën. Dhe kjo, fare mirë mund të quhet maskaradë. Sigurisht në gjendjen shpirtërore që isha nuk ia kisha ngenë 40


filozofimeve të tilla. Megjithatë diçka më tërhiqte, diçka që... -A nuk të duket, zonja dhelpër, - vazhdoi gastori, - se në këtë botë të gjithë vijnë për të gënjyer? Djali apo vajza përgjërohen para nënës se dashuria e nënës është dashuria më e madhe e jetës, dhe pas një muaji që martohen, po këtë gjë ia thonë njëritjetrit, ndërsa pas një viti janë gati që këtë bëtim t'ia bëjnë edhe dashnorëve të tyre... -Ndofta, - se si shqiptova unë. -Merrni pak mundim e shihni në atë papafingon atje, - tha me qetësi gastori. – Besoj të keni dëgjuar se nga i kanë fitimet më të majme motelet e sotme. Sigurisht që nuk kisha se si t'i shmangesha një propozimi të tillë. Gastori bëri pak a shumë atë lëvizje që kisha bërë unë para disa minutash. -Të jeni e bindur, zonja dhelpër, se në këtë çast ai tipi atje lart, që fjala vjen mund të jetë edhe yt shoq, po kryen një rit shekullor duke gënjyer partneren e mbrëmjes se ajo është dashuria e jetës së tij. E po këto fjalë ai do t'ia thotë më pas një tjetrës, një tjetrës e kështu në pafundësi... Ai bëri një pauzë, ngriti një hurm nga krikla e birrës që mbante në dorë dhe filozofoi edhe diçka tjetër, ndërkohë që unë rrekesha të bëja identiktin e tij. Më së shumti më jepte Vilin, edhe pse, tashmë të gjithë e përdridhnin zërin sa ishte bërë një lëmsh i tillë që s'ia gjeje askund fillin. -Pas kësaj tradhtie të madhe, po që s'është fare e tillë, edhe ti, zonja dhelpër, do ta tradhtosh burrin... -Kurrë, se si klitha unë. -Në këtë botë kurrë nuk ka asnjë herë, zonja dhelpër... -Ju lutem, mund të shkoni, - ndërhyra unë e gatshme të hiqja maskën. -Nuk ka nevojë, Zhuli, - tha ai. -Kush je? -Askushi... -Përse erdhe atëhere këtu? Ai nuk më dha përgjigje. Mbase pat një stopim, mbase edhe nga që bëhej thirrje për të mbajtur qetësi, pasi do të shpallej fituesi 41


i gafës më të madhe midis tri maturave të shkollës. -Komisioni...qetësi, ju lutem, ti gomar veshllapush... -Kujdes, se është letërsia... -Pra, komisioni i gafave të të tri maturave vendosi që çmimin e parë t'ia japë Aida Cenlleshit me gafën "Mua më zë makina edhe në karrocë". Pista shpërtheu nga të qeshurat. -Përveç diplomës së bërë nga kompjuteristi me famë botërore i shkollës sonë, Genc Bullafiqi, çmimi shoqërohet nga një stimul moralo-material, që maska e Aidës të puthë cilëndo maskë që i pëlqen. Tani gazi nuk kishte të mbajtur, pasi Aida qe një vajzë tepër e turpshme. Mbase duke e ditur temperamentin e natyrën e saj, komisioni vendosi: -Pra, komisioni vendosi që çmimi, si pronë ekskluzive e Aida Cenlleshit, mund t'i lihet trashigim cilësdo maskë të kësaj piste. E shkreta Aidë! Mezi ç'priti të jepej ky vendim e t'ia linte trashigimin një çakalli. -Aman, po ku ma gjeti çakallin? – sekush tha. -Më duket se është Enoja. -Bobo, ky të shqyen! -Si do të bëhet puthja? -Në ç'kuptim? Ja, pra, me maskë apo pa maskë. -Vetkuptohet, pa maskë. -Po atëhere, ç'kuptim ka? -Po ti, s'e dëgjove vendimin e komisionit, që puthja do të jepet nën atë berjozkën atje në fund të lulishtes, në errësirë. Tani çakalli ishte ngritur në këmbë dhe ca maska të vajzave e kishin rrethuar dhe kush e kush e ngacmonte më shumë. -Aman, xhan, më merr mua... -Eno, në qofsh Enoja, s'ke se si më lë kaq shpejt... -Më qafsh, se po vdes për buzët e tua... -Shiko, moj Verushka, se më duket nuk është Enoja, ky s'ka xhinsa... -Xhinsa janë, po të duken ndryshe ose nga errësira, ose nga 42


që ke pirë ca... -Mos u gënje nga djemtë, pasi e di ç'kanë bërë? -Ata bëjnë gjithçka. -Kanë nisur të ndrrojnë maskat. Tori deri tani ka qenë qen, kunadhe, ari. Çakalli si u suall e u pështuall, erdhi drejt meje. Nuk e di, po një lëmsh erdh e m'u mblodh. Nuk dija si t'ja bëja. U dëgjua një thirrje e fortë, pastaj ndjeva dorën e tij në timen, muzikën që shpërtheu, pistën që u mbush me vallzues dhe çakallin që më tërhiqte drejt berjozkës. -Bëjmë një pakt, - i them. -Çfarë? -Bëjmë sikur u puthëm dhe kaq. -Është njësoj, - tha çakalli, - tani të gjithë të dijnë të puthur. -Nuk mundem, - i përgjigjem. Teksa fola, ai ma kishte hequr maskën dhe unë ndjeva një pushtim prej burri. -Ti kishe frikë se isha nxënës, - tha ai. -Vili...Po mjaft... -Në këtë botë të gjithë vijmë për të gënjyer, Zhuli, - përsëriti ai. -Ç'dreqin ke që më je qepur kështu? -Çmimin për Aidën, kushtin, testamentin, të gjitha i kurdisa unë me dy maturantë...Ju e dini të gjithë se ç'marrëdhënie mbajta unë me ta...do të ma shpërblenin disi... I isha shmangur duarve të tij dhe po ecnim nën krahët e shelqeve drejt pistës. -Mund të isha edhe një nxënëse. -Të zgjodha ty. Seç ndjeva një fërgëllimë. Ishte e vërtetë. U pat përfolur njëherë për një flirt të tij me një maturante të B-së, po u pat mbyllur shpejt. Instinktivisht se si ktheva kokën nga papafingoja. Drita ishte shuar. Mornica ma përshkuan trupin. Më dukej vetja si një kukull, një kukull që e mirrnin në duar për të lozur, edhe për ta puthur. Në fund ajo ishte një lojë dhe askush nuk i kish vënë pikë rëndësie, po 43


unë... Përsëri shikova nga papafingoja. -Do? – më pyeti. -Çfarë? -Ta shohësh papafingon? Tani loja kishte mbaruar e desha ta mbështyj, po ku të binte pështyma ime, në maskë? -Hë?! -S'kam parë kurrë papafingo, - thashë dhe çakalli u shkul nga vendi. -Pronarin e motelit e njoh përmes maturantit tonë...E bisedoj unë... Vili tani po dilte me fytyrën e tij të vërtetë dhe kjo etje e tij nuk ishte e panjohur për mua. -Përse u dashka t'i thuash atij, - se si më shkrepi. -Po si? -Po vjen ora 12 kur do të hiqen maskat. Pra kemi edhe një çerek ore dhe të gjithë nxitojnë se mos u ikin minutat...Pra askush s'e ka mendjen tek ne... -Mirë e ke... -Tani edhe mezeja e dytë është servirur dhe kamarierët e ata të kuzhinës kanë dalë që të gjithë jashtë të shohin fundin e maskaradës. Madje tani askush nuk është më pa maskë, as kamarierët e kuzhinierët, as rojet, as... -Vërtetë, si shumë njerëz ka. Tanimë nuk orientohem dot... -Ja, shiko, - tha ai, - shiko se po vijnë edhe të tjerë... Hodha sytë andej nga tha Vili. Vërtetë ishin katër veta me maska që po zbrisnin nga moteli dhe po hynin tinëzisht në mbrëmjen e maturave. Prap diçka më theri. A kishte se si im shoq të mbrrinte deri këtu? Po ç'thoja kështu? Përse dyshoja e dyshoja tek im shoq? E, në fund të fundit, nëse në atë dhomë papafingoje ai ishte me rruspijen, s'e kishte për gjë të zbriste as këtu me maskë, kur dihej se sonte të gjitha lokalet ishin zënë me maturat e shkollave. Ndërkohë që Vili me siguri jetonte fitoren mbi mua dhe vazhdonte të kontrollonte me sy nga do të hynim, gjeta një maskë në tokë dhe e ndrrova sakaq me atë të dhelprës. Vili erdh e u suall 44


rrotull, nuk më njohu dhe bëri tutje, ndërsa unë iu vura pas dy çifteve që hynë në vallzim mes maturantëve. Ishte im shoq. Sado maska të vinte, ai ishte im shoq. Me maskën e përjetëshme të maskarait. Rruspija i varej në qafë. Ai lëmsh i zjarrtë që më digjej përbrenda, sikur më hidhte përpjetë, më drejtonte nga ata që i jepeshin njëri-tjetrit, t'ua hiqja maskat me forcë dhe...Po ç'thoja kështu? S'kisha fare nevojë ta bëja një gjë të tillë. Fiks në dymbëdhjetë maskat do të binin përdhe dhe mbrëmja e maturës do të hynte në rrjedhën e saj normale. Zemra më rrihte fort, fort. Hodha sytë nga salla dhe hetova përpushjet e Vilit. Mbante në dorë maskën time të dhelprës. Pastaj, andej nga fundi i pistës, një grup djemsh nisën të numronin sekondat për së mbrapshti: "Dhjetë, nëntë, tetë, shtatë, gjashtë, pesë, katër, tre, dy, një... -Maskat përdhe! – urdhëroi dikush dhe në çast maturantët e mësuesit që i shoqëronin hodhën maskat përdhe dhe kush s'e bëri një gjë të tillë, nxitonin grupet e të rinjve që ua hiqnin, se vendimi i tyre ishte ligj. Vëreja tim shoq e rruspijen. Në fillim ata s'kuptuan asgjë se çfarë po ndodhte, pastaj...pastaj disa të rinj u hodhën bafasisht në drejtim të tim shoqi e shpurës së tij dhe ata të gjëndur bafasisht para këtij "sulmi" s'arritën të mbronin maskat në fytyrë, të cilat sakaq ranë përdhe... Ndodhesha përballë tyre. Mimika e fytyrës së burrit tim mbeti pa shprehje, pastaj u deformua, u deformua keq, ndërsa rruspija, si më e rrahur në të tilla punë, s'e humbi ashtu torruan, i dha vehtes e bëri andej nga "Tayota", pasi me siguri që e kishin pleqëruar të ktheheshin në shtëpi. Andej nxitoi edhe Xhorxhi me një rruspije tjetër që s'më interesonte fare ta njihja. Dikush e njohu tim shoq e lëshoi një "uuuu", një tjetër...Gjithçka qe rroposur. Tashti s'mund të thoshte se kish ardhur të më mirrte në mesnatë... -Të thashë, Zhuli, të gjithë në këtë botë vijmë për të gënjyer, - dëgjova zërin e Vilit, që ende mbante në duar maskën time të dhelprës. 45


"Tayota" doli nga garazhi dhe u ndje një vërshëllimë. Pastaj edhe buritë e autobuzëve që do të çonin maturantët në Velipojë. Po unë ku do të shkoja sonte? Vili vazhdonte të qëndronte para meje i gatshëm të më shoqëronte kudo t'i thoja. Në shtëpi ishte tepër vonë për të shkuar e vetme dhe ku mund të mos më çelej sërish brava e derës. -Mësuese Zhuli të duam, të duam shumë, - bënin humor ata të A-së që më prisnin me derën e hapur të autobuzit. Hoqa takat dhe rënda pas tyre. Rrotat e autobuzëve shtypnin maskat e hedhura përdhe. Vetëm Vili kish mbetur me maskën e dhelprës në dorë. Shkodër, 1999-2000

46


S’KISHTE SI TË NDODHTE NDRYSHE Si është kështu kjo jetë? Ecja drejt institutit. Ecja në atë rrugë ku s’kisha shkelur prej vitesh, në atë rrugë ku me mimozat kishte lulëzuar edhe dashuria ime. Tani...Eh, tani, kishte kaluar shumë kohë dhe po shumë gjëra kishin ndryshuar. Çdo hap që hidhja dukej sikur ma rriste ankthin. Jeta e vrazhdë që pata bërë më mësoi të përballoja çdo dallgë të detit të saj. Ujin e kripur të tyre e kisha gëlltitur një jetë të tërë, po kurrë s’e kisha dhënë vehten. Ndofta i përkisja asaj specieje njerëzore që beson se një ditë varka e shpresës arrin në atë breg ku ëndërrojnë veç fitimtarët. Po tash, ç’kisha kështu? Përse e ndjenja se ajo dallgë që po më vinte përballë do të më fundoste si një krande? Në kurmin e saj unë shihja sytë e saj. Sytë e Deas. Takimin me Dean a mund ta përballoja vallë? A e kishte marrë vesh se unë po rikthehesha në institut, në atë institut ku para disa vitesh më kishin përzënë? Dea! Isha ngrysur me fytyrën e saj në sy, isha zgjuar duke parë se si lind dielli e kisha thënë se dielli lind për të. Me qindra, me mijëra herë kështu. 47


Ecja drejt intitutit e më dukej se ecja drejt saj. Nuk ma kishte marrë mendja se sa më shumë t’i afrohesha institutit, aq më shumë trazim do të kisha. Si do të sillesha me ata që më kishin vrarë dashurinë time të parë? Hakmarrje?! Mos o Zot, se unë nuk e kisha atë edukatë! Hakmarrja flinte thellë në shpirtin tim, edhe pse kisha dëgjuar se aty-këtu nepër institute kishin nisur spastrime e reforma në emër të tyre. Edhe një hap, edhe një tjetër... -Ngjatjeta, zoti Spartak!... -Ngjatëjeta! Isha takuar dhe herë të tjera me këtë njeri, që herë bënte se s’më shihte në rrugë, herë lidhte këpucë, herë... Godina po afrohej. Ashtu hijerëndë, siç ishte. Ja, më së fundi, u shfaq diku mes shelqeve lotues. Ndjeva një drithërimë të re. Po kush isha unë? Po Dea? Përse unë me ditë, me muaj, me vite nuk e kisha harruar dot? Si u dashurova pas saj sa të mos e harroja kurrë? Aty diku pranë institutit, si rëndom së fundi, ishte ngritur një bufe e stilit alpin, që edhe më shumë ma ndezi fantazinë e ma shtoi remontikën. Kisha mbetur me kokën pas, duke vështruar ashtu larg të djeshmen. Se si, as vetë s’e di, po këmbët më çuan drejt bufesë, edhe pse pas pak e pashë vehten në pasqyrën e saj duke pirë një cocacola. Nuk më kujtohet saktë se kur. Me interesimin e një miku u rregullova si daktilografist në institut, po ngaqë kryeja edhe punën e sekretarit apo përgjegjësit të administratës, më pëlqente të më thërrisnin edhe “shoku shef”. Kjo deri atë ditë që u marrosa pas Deas, se pastaj për mua s’kishte asnjë rëndësi ofiqi, i qënë apo i pa qënë. Për mua gjithçka e kishte emrin Dea. Shkuarja ime në Institut pat një histori të thjeshtë. U tregova se me anë të një miku hyra daktilografist. Me këtë mik dikur kishim banuar në një shtëpi. Ai kishte trashëguar nga i ati një makinë shkrimi dhe ngaqë ishte ngushtë, disa nga plaçat e tij i pat lënë në një kthinë të shtëpisë sonë. Këtu unë 48


çapa-çup pata nisur të shtyp në tastën e gërmave të saj dhe si natyrë kurjoze që isha dhe që dashurohesha shpejt pas çdo gjëje të re që më dukej e bukur dhe e pëlqeja, fillova të shkruaj aq pastër e pa gabime sa komshisë, kur u transferua me banim në një lagje tjetër, i pat ardhur keq të ma hiqte makinën e shkrimit dore dhe ma pat lënë edhe për disa vite. Po ky njeri, siç edhe e mësuat tashmë, u bë fjalëmirë të më sistemonte daktilografist në institut ku kishte kaq shumë punë sa gjithnjë më vibronin bulat e gishtërinjve. Saktësia, estetika, shpejtësia ime në tastë shpejt u morën vesh nga të gjithë në institut dhe veçanërisht drejtori, dy a tri herë në mbledhje të sindikatës e kishte zënë për mirë emrin tim, ndofta për t’u dhënë të kuptonin dy daktilografisteve se po të vazhdonin të neglizhonin e t’i mbushnin ditët me raporta mjekësore të marra me miq, do të vinte një ditë që do të kërkonin vend tjetër pune. Kjo konsideratë e drejtorit, e shprehur haptas, m’u bë aq mirë, saqë në ato kohëra të turbullta askush nuk gërmoi të dinte më shumë se kush isha unë. Daktilografistet ishin bërë bajate nepër institute, sidomos kur puna ishte më e madhe, në pragje konferencash shkencore e seminaresh, i bënin turrë raportet mjekësore. Kështu, vajtja ime, e një djali të ri që nuk ia përtonte të dilte edhe pasdrekeve për të mbaruar një raport apo një kumtesë, ndofta mbuloi edhe atrë që quhej vigjilencë revolucionare. Sidoqoftë, komshiu i dikurshëm, që u pat bërë fjalëmirë për mua, nuk pat harruar t’i thoshte nënës sime se nëse vinte puna të plotësoja ndonjë autobiografi, të mos e shkruaja se daja im ishte dënuar dikur me një grup djemsh gjimnazistë për veprimtarinë e tyre antikomuniste. Përkrahja e drejtorit m’u bë pancir. Këtë e ndjeja jo se e bëja vehten për vërejtje nga eprorët në institut, por edhe nga toni se si më drejtoheshin, edhe nga mënyra se si më flisnin. Fjala vjen, nëse deri dje zëvendësdrejtori, që ishte edhe sekretar partie, më sillte materiale për t’i daktilografuar e m’i kërkonte me ultimatum, kur sillte më pas, më pyeste si me politesë nëse më kishte dhënë gjë për të daktilografuar drejtori e shtonte se nëse kisha mundesi t’ia përfundoja të nesërmen ose të pasnesërmen. 49


Madje, edhe për një raport të organizatës bazë të partisë, nëse herën e parë qe kyçur bashkë me mua në zyrë të ma lexonte vetë, tani erdh e ma la me një besim që dukej sheshit, sigurisht pa harruar të më porosiste që të mos lexohej nga ndonjë kureshtar, qoftë ky edhe komunist në institut. Edhe kjo sigurisht që nuki ishte pak dhe nga dita në ditë, me punën time të pastër, e njeja se po fitoja në sytë e të gjithëve, disa prej të cilëve tanimë edhe pse unë isha me arsim të mesëm, nisën të më trajtonin si koleg e shef. U afrova më shumë me Avniun, një djalë pak ezmer, i cili midis gjithë punonjësve të institutit, ishte më punëtori. E nëqoftëse disa prej dashamirëve filluan të ma shprehnin dëshirën që edhe mua të më shihnin me shkollë të lartë, Avniu u impenjua një më një në plotësimin e dokumentave për të vazhduar Universitetin e Tiranës me korrespondencë dhe dy herë në javë nuk përtonte të vinte në shtëpinë time e të më bënte një kurs anglishteje. Hë për hë kjo lidhje mes nesh nuk shkaktoi asnjë reagim, po më vonë do të shihej me një lloj xhelozie të paspjegueshme, me një hije dyshimi. Këto që theksova më lart ishin më të domosdoshme për t’ua thënë, pasi pa to nuk do të kuptohet as drama ime e dashurisë me Dean. Për këdo, ky emër është si gjithë emrat e vajzave të botës, kurse për mua është emër i përveçëm i dashurisë. Për mua Dea ishte e sotmja, e nesërmja, ishte gazi e hareja. Gjithçka shkëlqente në jetën time e kishte emrin Dea! Ajo i dha kuptim jetës, asaj jete që deri atë ditë që u takuam, qe gri. Në fakt atë ditë zëvendësdrejtori hyri si pa u njerë në kthinën time të daktilografisë dhe teksa unë ngrita kokën nga tasta e makinës, sytë e mij u kryqëzuan me një palë sy gjithë jetë e dritë të një vajze. O zot! Sy të tillë e dritë të tillë nuk kisha parë kurrë! Tani që kanë kaluar kaq vjet, nuk kam si të kujtoj saktë se çfarë tha zëvendësdrejtori, as se me vajzën u dashurova sa e pashë, por se diçka trokiti atë çast në portat e shpirtit tim e se kjo ishte ajo që e kish emrin dashuri, këtë e them me sinqeritet. Ajo ishte vajza e shokut të zëvendësdrejtorit, i cili punonte 50


në një ministri dhe, ngaqë nuk i kishte ecur në fakultet, kishte vendosur të mësonte makinën e shkrimit e disa të fshehta të punës së sekretarisë, pasi, së shpejti, kishte gjasë të punonte diku në institutet e shumta kërkimore që po krijoheshin ato vite. Fjalët e tjera të zëvendësdrejtorit se ne (unë tek kjo “ne” asokohe kuptoja udhëheqien e partisë në institut) që po ta sjellim vajzën e shokut tonë këtu, kemi besim tek ti, tek aftësia e ndershmëria jote, sikur më vrisnin pak, por gjëra të tilla isha mësuar t’i kapërdija aty për aty dhe t’i sillja ndërmend në dhomën time në shtëpi, derisa më zinte gjumi. Kur u largua zëvendësdrejtori mbetëm si ngushtë, pasi as dorën s’ia kishim dhënë njëri tjetrit, po rrinim si guakë e të drojtur, sikur të mos ishim në mes të Tiranës, po diku në ndonjë zyrë të humbur në Veri. -Spartak Drishti, - u prezantova dhe në atë çast dora ime sikur shtërngoi një dorë të butë, të butë si prej pupulash. -Dea, - tha thjeshtë ajo dhe me atë zë sikur në dhomë u shpraz një jehonë e ëmbël tingujsh të padëgjuar kurrë më parë. Unë gjithnjë në raste të tilla, kur njihesha me ndonjë vajzë, e humbja pusullën, fjalët më ngatrroheshin dhe ia kisha zili një shokut tim të gjimnazit, Maksit, që sapo njihej me çdo vajzë, i priste gjuha si brisk dhe shihej se kishte sukses. Ndofta në atë çast, duke kujtuar këto, goja m’u lidh edhe me keq, aq sa u desh që fjalët t’i përsëris dy a tri herë që Dea ta kuptonte se unë po e ftoja të pinim diçka në klubin tonë. Klubi, në të vërtetë nuk ishte yni, po ngaqë ai zinte një pjesë të bodrumit të godinës së institucionit tonë, të gjithë kur vinin këtu thonin se po shkonin në klubin e institutit. Klubi kishte gjithnjë klientë, ngaqë aty vinin edhe punonjësit e dy drejtorive që mirreshin me import-eksportet, në përgjithësi njerëz të kamur e që secili kishte “ngrënë” me shërbime disa rrugë jashtë shteti. Sigurisht që edhe prej tyre kisha zënë ndonjë mik, nga ata më të rinjtë në moshë, edhe pse nuk e kisha trashuar me asnjërin shoqërinë ashtu si me Avniun. Gjithsesi e shihja se ata më respektonin e unë, si “kavalier” nuk kisha ngurruar asnjëherë t’u daktilografoja informacione e raporte të shkurta edhe tinës eprorëve të mij. 51


Bufetierja, Lumja, sa herë pija kafe apo haja diçka në këmbë, më shërbente me buzë në gaz dhe dukesh se më diferenconte nga të tjerët. Këtë unë e lidhja ngaqë muajin kur pata nisur punën në institut, ajo më kërkoi ta ndihmoja me disa karbona, pasi i duheshin për faturat dhe, kur unë i dërgova jo pesë copë, por dhjetë, edhe ajo më tha se gjithnjë do të më shërbente dy herë më mirë se të tjerët, duke lënë pas një vështrim enigmatik në sytë e saj të mëdhenj e të bukur. Pra, e para që më ngacmoi ishte Lumja. Vala e parë e njerëzve që dyndeshin në shtatë kishte rënë edhe në pauzën që krijohej deri të fillonte batica e dytë e nëspunësve, rreth orës nëntë, Lumja kishte kohë të mirrej me klientët, sigurisht jo me shefat e drejtorët. Kështu, sapo shkela në bufe me Dean, Lumja sikur u hutua dhe ajo buzëqeshja e zakonshme që më falte mëngjes më mëngjes, i ngriu në buzë. -Mirëmëngjesi, Lume! – e përshëndeta unë. Nuk e kujtoj mirë nëse ma ktheu apo jo përshëndetjen, por që Lumja nuk ishte ajo e përditshmja, këtë e mësova në çast. Ajo kishte një mënyrë të veten komunikimi me njerëzit në lokal. Ngaqë në rini thoshte se kishte lexuar shumë letërsi artistike, nje pjesë të klientëve me të cilët kishte afinitet, i thërriste me emrat e përsonazheve që i kishin pëlqyer. Ndër të vetmit që nuk thirrej nga ajo me një emër tjetër isha unë. Pak a shumë në këtë lokal hynin ato personazhe të veprave të njohura të klasikëve europianë që ishin ekranizuar dhe ec e gjeje nëse Lumja vërtetë i kishte lexuar veprat e përkthyera në shqip apo thjesht i kishte parë në film! Por gjithsesi ajo kishte një aftësi të çuditëshme për të bërë një lidhje vizuale të admirueshme të këtyre personazheve me punonjësit që hynin e dil;nin aty gjithë ditën. Shpesh kjo përqasje krijonte një lloj humori të këndshëm, në mënyrë të veçantë kur vinin punonjës të rinj e kur në mes të klientëve veteranë e të Lumës fillonte një garë se kush e kush ta pagëzonte me emrin më adapt të porsaardhurin. U thashë se ajo sikur u hutua kur unë hyra në klub sëbashku me Dean. -Dëshironi një kafe apo... 52


-Unë nuk pi kafe kurrë, - dëgjova të më përgjigjej një zë i ëmbël, melodioz e i shtruar. – Po pat, po pi kakao... -Lume, gladiatorit një kafe dhe shoqes një kakao, - iu drejtova bufetieres, jo vetëm për të krijuar mes nesh ndonjë situatë humori, por për të thyer disi heshtjen që ra sapo ne shkelëm në lokal. Dea vuri buzën në gaz dhe unë, i vetquajturi gladiator, e ndjeja vehten se në arenën e syve të saj, isha i mundur. Mbase edhe ky mendim që më erdhi si shkriptimë rrufeje, më bëri që gjuha të më lidhej edhe më keq. Po ndërsa mundoja vehten me memecllëkun tim, pashë se Dea erdh e u çel si gonxhja në mëngjes fletët e saj dhe sheshit dukej se ajo donte të më thoshte diçka që e mendonte e që s’donte ta mbante përbrenda, çka më fliste mua se kisha përpara një shpirt të pastërt. -Nuk e di, po sa u prezantuam, sa më the ti emrin tënd Spartak, përnjëheresh m’u kujtuan gladiatorët. Tek fliste Dea, edhe mua erdh e m’u çel shpirti e m’u zgjidh gjuha, ndofta nisa të bëhem pak llafazan. Tek prisnim porosinë, nisa t’i tregoj Deas lojën që bëhej në lokal nga Lumja me personazhet e njohura dhe se ndryshe nga gjithë të tjerët, vetëm mua vazhdonte të më thërriste me emrin tim e me gjithë ngacmimet që i bëja duke e quajtur vehten gladiator, ajo nuk ishte dakord, përderisa unë e kisha në të vërtetë emrin e një personazhi të shquar historik e letrar. Dea më dëgjonte me vëmendje, me buzë në gaz, hera-herës qeshte e sigurisht që me mendjen e saj krijonte imazhin e gjithë asaj që thuhej. -Urdhëroni, urdhëroni Zhan Valzhan, - u dëgjua zëri i Lumes dhe ndërkaq, mbase dhe duke dalë jashtë vehtes së saj, Dea ktheu kokën prapa që të shihte të gjallë personazhin e njohur të Hygoit. Taman siç e kishte krijuar përfytyrimin e saj figura e Zhan Gabenit. E nëse artisti nga dy Zhanë krijoi një Zhan Valzhan të papërsëritshëm, Lumja, një bufeteiere e thjeshtë, me dy sy të mëdhenj e të bukur, e vetmja e ve të papërsëritshëm, Lumja, një bufeteiere e thjeshtë, me dy sy të mëdhenj e të bukur, e vetmja e veçantë e saj, kishte krijuar një Zhan Valzhan tjetër, me profesionin 53


kaldaist në institut. Noka ose Zhan Valzhan punonte vetëm gjashtë muaj në kaldajë, që nga nëntori deri në prill, po kohë pas kohe vinte të na shihte e sigurisht “zyra” që na takonte ishte bufeja. Shkurt në këtë lokal takoheshin përditë personazhe të penave e kohëve të ndryshme, të cilët, mbase askund tjetër nuk mund të takoheshin si këtu. Shpesh edhe mirreshin vesh fare mirë me njëritjetrin, edhe pse në vepra kishin qenë kundërshtarë për vdekje. Kështu Zhan Valzhan kur donte të kthente një gotë fërnet, këtë e kthente me Zhaverin, llogaritarin e institutit tonë. Ndërsa Dea po shikonte me vëmendje atë që bufetierja e quajti Zhan Valzhan, unë mendova se me cilin personazh do ta krahasonte Dean. Megjithatë, për atë aereolë me të cilën unë rrethova Dean, do të doja që Lumja sot, sapo të na servirte filxhanët e kafesë, ta thërriste, fjala vjen, Desdemona apo... Ndërsa unë meditoja kështu, Lumja kishte dalë nga nënbanaku dhe po sillte tabakanë. Kështu ajo servirte vetëm kur në lokal binte bumi i njerëzve dhe kur me drejtorët vinin shokë të rëndësishëm të dikastereve. Në të gjitha rastet e tjera, klientët e mirrnin vetë porosinë. -Lume, kjo shoqja... -Është kursantja e re që ka ardhur tek ne, - nxitoi ajo të bënte prezantimin dhe zgjatja para Deas e filxhanit të kakaos mbase zëvendësoi edhe shtërngimin e duarve midis tyre. Po gjithsesi unë e ndjeva se Lumja sikur desh ta ulte pak Dean para meje, pasi aty tani s’ish askush, meqë edhe Zhan Valzhani ishte larguar pa u ndjerë, sigurisht në kërkim të Zhaverit të tij. Po megjithatë ky qe veç që çast dhe, ngaqë për Lumen nuk kisha menduar kurrë keq, nuk desha të besoj se në atë prezantim të parë ajo të kishte ndonjë keqdashje...Sigurisht që gjithçka mendoja tani vinte nga se dikush tjetër po hynte në mendimet e mia, në zërin tim, gjithkund, në çdo pore të shpirtit tim. Lumja ishte larguar si pa u ndjerë dhe ndërkaq erdha në vehte. -Mirë se erdhe! – e urova Dean dhe teksa ajo po ma kthente përshëndetjen, unë do të doja ta vazhdoja urimin. T’i thoja mirë se erdhe në jetën time, në botën time, në ndjenjat e mia!? Unë vërtetë 54


isha 24 vjeç, kisha parë shumë e shumë vajza, për disa prej të cilave edhe kisha ëndërruar t’i kisha në krahë e njërën edhe shoqe jete, po kështu si me Dean nuk më kishte ndodhur kurrë. As atëhere kur në hyrjen e pallatit pata puthur ashtu shpejt një shoqe të klasës kur po e përcillja pas provave të grupit teatral. As atëhere kur në plazh u pata njohur me një durrsake aq lozanjare. Po ç’prrallisja të tilla budallallëqe! U bëra edhe unë si gjithë ëndërrimtarët e dashurisë. Me të tilla ëndërra ata kapërcejnë detra e oqeane, ngrenë, sa hap e mbyll sytë, si në përralla, ura e pallate, thajnë liqene e këneta, mjafton që të bëjnë të tyren atë për të cilën edhe sakrifikimi i jetës është pak; gjithnjë një e i sapodashuruar është kalorës e kurrë këmbësor! Një surb dhe sytë tanë u takuan. Nuk mund të thoja se sy të tillë nuk kisha parë kurrë, por të buronte kështu drita prej tyre, me një shkëlqim e përpur të veçantë, këtë mund ta pohoja pa droje; ai sy më fliste më shumë se çdo gjë, kur puliste qepallat sikur fshihte e shfaqte sakaq një mrekulli të dritshme që nuk e kisha parë tjetërkund. Tani që e kisha aq pranë, rrekesha të fiksoja bukurinë e saj, të zbuloja atë magnet që më thithte pas çdo sekonde. Dhe kë, unë që mburresha se isha gladiator, tash e ndjeja vehten një skllav i vërtetë. -Meqë e keni emrin Spartak, ajo ju quan gladiator? – më pyeti ajo, ndofta jo dhe aq për të mësuar të vërtetën, se sa për të thyer atë akull që zakonisht shtreson kur dy njerëz sapo njihen e mbeten vetëm. Gjithçka mund të besoja, gjithçka, edhe rastësisë i besoja, por gjithashtu s’kisha përse të mos besoja se ajo ma kishte lexuar mendimin. E kuptova se bëri mirë që e theu heshtjen, se unë do ta kisha pirë kafenë pa e ditur se ç’bisedë të hapja. Me buzë në gaz i spjegova se bëja përjashtim, mbase nga emri që kisha. Dhe teksa nisa të isha më i shpenguar në komunikimin me Dean, sytë se si përnjëheresh se si më shkuan nga Lumja. M’u duk që nuk e desh vehten që e zura duke më parë me vëmendje. Zhan Valzhani hyri me Zhaverin dhe Lumja që ua njihte mirë 55


huqet, u vuri përpara nga një gotë fërnet. Ndërkaq unë e Dea kishim boshatosur filxhanët dhe ndërsa po i paguaja Lumes të hollat, ndjeva, për herë të parë, gishtërinjtë e saj në të mijtë. Ndofta edhe herë të tjera kishte ngjarë kështru kur i kisha paguar, ndoshta kështu më dukej sot... Dolëm nga lokali dhe që të dy sikur e ndjemë vehten më të lirshëm. Por meqë mes nesh nuk ishin vendosur ato ura aq të domosdoshme midis dy kolegëve, mungesa e pranisë së të tjerëve sikur na vinte në siklet. Mendimi se tani unë e Dea ishim kolegë, sikur nuk më pëlqeu. E ndjenja thellë në shpirt se gjithçka mes nesh do të vendosej shpejt, se ajo do ta kuptonte se tek unë do të gjente një njeri që quhet më shumë se mik, më shumë se shok. Dhe nëse ecëm të heshtur rrugës nga bufeja deri në zyrë, isha i bindur se edhe ajo do të mendonte diçka të bukur për marrëdhëniet tona që ende quheshin asgjëja e marrdhënieve. Së pari do të fillonte punën me mësimin e përdorimit të makinës së shkrimit. Ajo u ul në një karrike pranë meje, në krahun e djathtë. Për një çast ndjeva se gjuri i saj e preku timin dhe sakaq u largua. Nëse do të më kërkonte ndjesë për atë takim, sigurisht nuk do ta mirrja për mirë. Djalë isha e dihet fort mirë se edhe djemtë i kanë disa trille e paragjykime që, edhe pse të tilla, jo gjithmonë janë të gabuara. Një “më fal” e saj në çast sikur shprehte një provokim, një mënyrë aspak të ndershme për të hyrë në ato lidhje intime që pastaj s’dihet se ku përfundonin. E mbaj mend se e pata vënë me kujdes letrën e bardhë në karel, me atë lehtësi e çpengim që i fal gjithkujt ushtrimi për shumë vjet i të njëjtit profesion. Nisa t’i shpjegoja tastën. Përqëndrimi i saj i admirueshëm sikur nisi të më ngjallte respekt dhe tani, ngaqë nisa të punoj në tastë e të lëviz me krahë, bëja kujdes që të mos e takoja në trup e sidomos në gjoksin e saj që fshihej pas një fustani lil, i cili i shkonte aq shumë. Shkrova fjali të ndryshme. Shkrova emrin tim. Pastaj të sajin, Dea. Dhe sa e lexoi, në fillim vuri buzën në gaz, pastaj erdh e u skuq, me një të skuqur të bukur që i shkonte aq shumë fustanit e 56


flokëve ngjyrë gruri. U ngrita nga karrika dhe i thashë Deas të ulej në vendin tim. U skuq prap. Ndofta atë çast desh të thoshte që të më shihte edhe pak tek punoja, se nga shkathtësia ime mbi tastë për të isha një virtuoz, por duke u ngritur nga karrika sikur i imponova atë që s’ia desh zemra e për këtë në çast ndjeva pendim. Po gjithsesi tani karriket i kishim ndrruar dhe ajo nisi ta shohë tastën me një lloj frike, por edhe pasigurie që të bënte të qeshje, pasi dihet se “të fshehtat” e makinës së shkrimit, me pak kujdes, edhe brenda një dite nuk përbëjnë më të fshehta. -Çfarë të shkruaj? – se si më pyeti. Nuk e prisja se do të pyeste. Besova se do të shtypte një germë çfarëdo. Çfarë t’i thoja? Gjuha sikur më ishte lidhur. -Shkruaj emrin tënd, - i thashë. Sytë e saj rrëshqitën me kujdes mbi tastë dhe më në fund, me gishtin tregues shtypi germën e parë. Sigurisht që një fillestare si ajo do të shtypte d-në e vogël dhe kur e pa gabimin, sytë e saj u kthyen nga unë si të kërkonin ndihmë, pasi ia kisha spjeguar butonin që mbahej i ulur kur bëhej kalimi nga gërma e vogël tek e madhja. E ndërsa ajo nhisi të formojë sërish emrin e saj, mua diçka më fliste në shpirt, sikur më thoshte se me atë emër do të fillonte për mua ajo që njeriu e jeton vetëm një herë e që quhet dashuri, se në germat e atij emri do të shkrihej shpirti im, pasionet e ëndërrat e mija, ato dëshira që i vlojnë në shpirt çdo djali të ri. Ndryshe nga herët e tjera kur isha njohur me vajza në shkollë apo në punë, kësaj here, si me magji, një dorë e padukshme m’i kishte larguar të gjitha pikëpyetjet që rrethojnë marrëdhëniet e sapo krijuara midis dy të rinjve si fjala vjen “a është e fejuar”, “a ka ndonjë shok apo të dashur” e të tjera pyetje të kësaj natyre që të mundojnë e të frenojnë të hedhësh një hap përpara. Unë sikur me Dean isha i bindur ploptësisht se as ishte e fejuar, e as donte ndonjë djalë. Pikëpyetjet sikur m’i hiqte jo dora e padukshme, por syri i saj i kthjellët, zëri i saj i pastër, çdo veprim që ngjante krejt i veçantë, çdo mendim që hsfaqte e që ishte kaq i sinqertë. Duke e ndihmuar e kontrolluar në tastë, në një çast gjuri im u takua sërish me atë të Deas. Ndaqë isha i pushtuar nga njëmijë 57


mendime, atë takim e konstatova pas disa çastesh dhe sikur ndjeva një afsh të ngrohtë. E largova me kujdes gjurin që të mos i lija keqkuptim dhe ndërkaq sytë e saj u ngritën tek të mijtë. Mbase desh të më falnderonte, mbase desh të më thoshte se ajo prekje e lehtë e imja ishte pa vetëdije e këtë e kishte kuptuar. Këto mesazhe tani unë i ndjenja, ashtu siç ndjeja gjithnjë një dëshirë që ajo ditë të mos kishte fund. A keni parë gishtërinj vajzash në një mëngjes tek mbledhin lule? A nuk u janë dukur sikur i lëmojnë, sikur lulja i flet lules me gjuhën që veç ato e dijnë e pak kush arrin t’i deshifrojë?! Kështu më dukej edhe mua me Dean, me gishtërinjtë e saj mbi tastë. Ashtu të drojtur, ato gishtërinj më ngjanin se nuk donin të shtypnin thjeshtë një germë për të formuuar një fjalë, po sikur shtypnin një buton për të hyrë në portat e shpirtit tim. Emri i saj Dea, Dea, Dea, gjithsesi i shkruar prej saj në atë faqe të bardhë, për mua rrezatonte një dritë që më hynte thellë në shpirt. Tani kisha harruar ta shihja edhe orën për t’i çuar drejtorit dosjen me shkresat e ditës, të cilëm, zakonisht, ia përcillja në zyrë në orën dhjetë; kisha harruar të regjistroja shkresat që kishin ardhur e korrespondencën që do të nisej atë ditë, pa lë pastaj të filloja e të daktilografoja një kumtesë që do të mbahej pas një jave në një sesion shkencor. Për një çast Dea, në rreshtin e ri ku u ul me droje me karel, shkroi një emër tjetër, Dardan. Diçka ndjeva në shpirt. Sikur një çekan me goditi fort, fort, pa mëshirë. Madje më shumë, më shumë se ç’mund ta imagjinoni. Ai emër aq i bukur, Dardan, erdh e m’u shfytyrua e m’u bë si një bajloz i zi. “Sigurisht emri i të dashurit të saj”, mendova përnjëheresh, kur zemra më dëshironte të kundërtën, që ai emër të ishte i të vëllait, i nipit, i...Do të jepja gjithçka, gjithçka, veç të ishte kështu e jo ndryshe. -Emër i bukur, - tha ndërkaq dhe jam i bindur se e hetoi turbullimin tim. “Përse e bëri ajo këtë? Se të ishte i vëllai, do të thoshte së paku shpirti i motrës apo diçka të përafërt me këtë. Jo, ai duhej të ishte emri i shokut të saj”. Trokiti dera. 58


Zëvendësdrejtori hyri në zyrë. Seç kishte diçka të shtirur në veprimet e tij, po këtë me sinqeritet ua them se unë atëhere nuk e kisha vënë re menjëherë. Për mua ajo përkujdesje e tij naj deas ishte një lloj obligimi që ai mund të kishte për babain e Deas që quhej Viktor. Dhe kjo ishte thjesht njerëzore. -Sapo e mora shokun Viktor në telefon dhe i tregova se e fillove normalisht punën... Kaq tha ai e unë pashë se si fytyra e saj mori një të kuq të lehtë. E ndjeva se diçka desh të thoshte, po s’e tha dot. Sigurisht që ajo s’ish e vogël që dikush të përkujdesej për të si vajzë mamake. Shpirti i saj rebel në këtë rast me fliste për një karakter të admirueshëm. Ky reagim i heshtur i Deas siç duket u pa për mirë nga ana e zëvendësdrejtorit. Atë që kishte nisur, ai do ta çonte deri në fund, pasi, mesa e kisha njohur deri atëhere, nuk ishte tip që i linte gjërat për gjysmë. -Tani hajde të të jap një kafe, - tha ai dhe me shkathtaësinë që e karakterizonte, shtoi: -I lëmë kohë edhe Spartakut të kryej dosjen e drejtorit… Me siguri një vajzë tjetër do të shfaqte qoftë edhe një rezistencë të vogël, të thoshte se sapo kishyim qenë së bashku në bufe, por jo. Ndofta ajo pulitje qepallash qe gjithçka. Zëvendësdrejtori e mori me vehte Dean dhe tek doli nga zyra e pashë se për herë të dytë ajo e ndjeu vehten ngushtë. Isha i bindur se ajo do të më ftonte mua të më qeraste ose së paku zëvendësdrejtori të tregohej xhentil e të mos më ndante mua, pavarësisht se edhe ndonjë punë rutinë zyre mund të kisha. Po, si të thuash, turpin e tij e bajti vetë Dea e askush më mirë se unë nuk mund ta lexonte këtë në sytë e saj. Shkurt kjo ishte dita e parë, ajo ditë që kishte një emër, Dea, ajo ditë e papërsëritshme për mua. Aty nga dymbëdhjeta i thashë Deas të bëhej gati e të shkonte në shtëpi. -Pse? – më pyeti. -Se kështu tha edhe zëvendësdrejtori, - iu përgjigja. Më pa në sy. Para tyre unë perendova… 59


Ajo pasdreke...S’më kishte ndodhur kurrë më parë të ecja në rrugë e të më dukej se fluturoja, që gjithçka, edhe gjërat më të rëndomta të jetës e ato që deri dje mbase edhe më bezdisnin, tani më dukeshin se kishin një kuptim, sepse një kuptim tash e tutje do të kishte vetë jeta ime. A ishin të gjitha iluzione? Edhe sikur të ishin të tilla, prap më kishin bërë ta jetoja rininë time, pasi vetëm ai që dashuron arrin ta jetojë rininë e tij. Bisedoja atë pasdreke me shokët e më dukej se në ato vinte e hynte edhe ndonjë mendim i saj, i shfaqur ashtu lirshëm. Bisedoja me nënën në mbrëmje e se si më dukej se në krah të saj vinte e mbështetej edhe Dea. Shihja në mbrëmje qiellin e tek çdo yll shihja fytyrën e saj. Pastaj erdh e nesërmja, e pasnesërmja. Gishtërinjtë e saj në tastë po shkruanin më lirshëm, ndërsa në shpirtin tim që ditën kur e pashë u shkrua vetëm emri i saj, Dea! Dea ishte mëngjesi, Dea ishte mesdita, ishte mbrëmja nepër rrugët e Tiranës. E ëndërroja vehten të dilja e të shetisja me të nepër ato rrugë të mrekullueshme që mbuloheshin si kurorë nga drurët e që çuditërisht nuk ishin dhe aq të preferuara për shetitje, të hyja tek “Flora” e të hanim një akullore, të shkonim në kinema... Ndërtoja, ndërtoja e vetëm ndërtoja kështjella lumturie. Nën pushtetin e dashurisë unë çuditërisht e ndjeja vehten të fortë, magjinë e fortë e provoja në çdo pore të shpirtit. Nga asgjë, dashuria të bën gjithçka. Të tillë më bëri edhe mua, më bëri të guxoj. Kështu në ato ditë të para sa e sa herë u mata t’i propozoja të takoheshim diku pasdrekeve, a thua se gjithë ditën në zyrë nuk ishim vetëm për vetëm, natyrisht me derën e zyrës të hapur, pasi edhe zagushia e verës ende nuk kishte ikur. Biseda me të hapej e mbyllej si fletë trëndafili. Diskutonim për një film që shfaqej tek kinema “Partizani” dhe sapo bëhesha gati t’i thoja që të takoheshim e ta shihnim së bashku, ajo me një lehtësi marramandëse, sikur të ma lexonte në ballë propozimin tim, hidhej në një bisedë tjetër apo më pyese se si veproja me këtë apo atë shkresë. E ky takim erdhi një ditë rastësisht. 60


Me Avniun, pasi kryem seancën e anglishtes, u nisëm drejt kinemasë. E vendosëm se nëse nuk do të gjenim bileta, t’i blinim edhe me të shtrenjtë. Në ato vite kur lidhja e vetme vizuale me botën ishte kinemaja, sikur kishte një garë të heshtur mes të rinjvë se kush e kush të shihte në fillim të javës filmin e ri të vetëm që shfaqej ne kryeqytet, pra në ditët e para e jo në fund, pasi jeta kulturore ishte aq e vakët sa të mos e shihje filmin në ditët e para të javës do të thoje të hyje e të shihje thjeshtë lojën e aktorëve, pasi gjatë bisedave të shumta e diskutimeve pa fund, mësoje, jo vetëm subjektin, por edhe dialogjet. Tek kinemaja vërtetë kishte njerëz në radhë për bileta, por jo aq shumë dhe kje na habiti ca. shpejt e morëm vesh se paralel asaj seance kishte një ndeshje futbolli në stadium. Ndjemë një ndjenjë të mirë që filmin do ta shinim të qetë, larg halabakëve që i kishte thithur topi. Hyra në radhë pas një burri që e hiqte duhanin me llullë dhe ngaqë s’po e duroja dot tymin, me marifet i thashë se nëse kishte për të marrë një biletë, atë po ia mirrja unë, pasi, si rregull, nuk shiteshin më shumë se tri bileta për një qytetar, duke i prerë kështu rrugën matrapazëve të biletave. Ndërsa burri me llullë më lëshoi radhën dhe me dha njëzet lekëshin në dorë, ia behu Dea. Nuk e dij se si t’ua spjegoj se ç’ndjeva atë moment. Gjithçka mendoja. Padyshim që Dea me të më parë do të më drejtohej mua e askujt tjetër. Po ndërkaq, pas saj pashë një vajzë tjetër, tepër lozanjare, pak më të vogël në moshë se ajo. Dhe ashtu ngjau, Dea sa më pa erdh e u çel në fytyrë, lëshoi një “uuuaaa, Spartaku!” dhe sakaq më zgjati një njëqind lekësh. -Jam me një shoqen time, - tha dhe sakaq u tërhoq, pasi në radhë zunë të shtyhen dy tipa aspak të këndshëm muskulozë, sa edhe unë, po të mos isha pak më i vëmendshëm, mund ta shihja vehten jashtë radhe. E sa më shumë i afrohesha sportelit, aq më shumë e ndjenja tundimin se biletashitësja s’do të më jepte më shumë se tri bileta e mua s’do të më mbetej rrugë tjetër: ose të hyja edhe njëherë në radhë, ose t’i blija me të shtrenjtë biletat. Ndërkaq do provoja të mirrja 5 bileta. Sigurisht që unë nuk 61


kisha aspak fytyrë matrapazi biletash e mbase biletashitësja do të bënte një lëshim. Do t’i thoja se ishim një grup shokësh. Madje mendova edhe për një bakshish të vogël. Pesë boleta bënin plot 100 lekë, unë do t’i fusja në mes një 50-tshe dhe... U bë ashtu siç ma desh zemra. Biletashitësja më përpara i mori paratë dhe më dha pesë bileta. Sikur ç’gjë të çmuar më dha! Tek po dilja nga radha i hëngra nja dy shkëlma të mirë nga një djalë çapraz që përpiqej të hynte pa radhë, po ato as i ndjeva fare. As doja t’ja dija se këmisha më ishte zhubrosur keq e më ishte bërë qull në djersë. I dhashë burrit me llullë biletën dhe sakaq Dea më njohu me lozanjaren. Kuptohet se edhe unë i njoha me Avniun e ndërsa duhej edhe një gjysmë ore të fillonte filmi, iu afruam një shitësi ambulant dhe morëm nga një akullore. Afria me të cilën komunikonte Dea me mua i bëri shumë përshtypje Avniut. Se si gjatë mësimit të anglishtes ra fjala për “atë vajzën që kishte ardhur në sekretari për t’u praktikuar” dhe unë afër mendsh t’i tregoja se ç’tallaze ishin ngritur në shpirtin tim e çfarë ndjeja për Dean, edhe për faktin se ai zjarr që më digjej në shpirt, mua më ish ndezur flakada që në ditët e para sa askush nuk mund të ma besonte një gjë të tillë. Pra, as Avniut nuk i kisha thënë gjë... Lozanjarja ishte maturante. Nuk fliste, po çuçuriste. Sa e mori vesh se unë isha “mësuesi” i Deas, ia dha gazit sa na e ngjiti ashtu kot të gjithëve të qeshurën e saj. -Të kam thënë Dea se ti je me fat. Se edhe unë po të isha tek A-ja, s’do të kisha mësues fizike plakushin me syze, po kingun që ka kryer vjet universitetin, - tha ajo dhe na krijoi një atmosferë të këndshme. Ajo kishte një aftësi të çuditëshme, krijonte menjëherë intimitet, ishte tepër e lirshme në komunkim dhe me siguri që çdo i ri do të kishte dëshirë që të hynte në shoqërinë e saj. Në kinema Dean dhe lozanjaren i futëm në mes. Luante një film policesk, i cili më interesoi aq sa të nesërmen edhe titullin ia kisha harruar. Dy a tri herë këmbyem fjalë me Dean, pasi kishim prapa një maniak që na ishte afruar aq pranë dhe mbante qëndrim 62


me “ahe” e “uhe” sa herë që dialogonin personazhet. E ndërsa në ekranin e kinemasë ndrroheshin pamjet, në ekranin e kujtesës sime shpaloseshin të tjera pamje të dritshme. Do të doja kështu, shpesh e më shpesh të vinim në kinema, jo tek “Partizani”, që ishte në qendër të Tiranës, po mbase edhe në kinematë e tjera, të kishim vendin tonë e mundësisht të ishim në radhën e fundit ku të mos kishim askënd mbrapa. Të na njihnin e t’i njihnim portierët, sigurisht pas ndonjë bakshishi të vogël që mund t’u jepnim. Ta përcillja, diku në ndonjë rrugë me shelqe lotues. -Isha i bindur se ky është vrasësi, - dëgjova tek veshi zërin e maniakut. Dea ktheu kokën nga unë e ashtu në gjysmë errësirë pashë se syri i saj edhe në terr kishte një dritë të veçantë. Qytetari pas nesh ishte bërë i bezdisshëm edhe për të, po për mirësjellje e edukatë dinte të sundonte vehten, ndërsa unë si më i papërmbajtur, e kisha shfaqur vehten të tillë me ndonjë lëvizje që shprehte mosmiratim për çka ai thoshte tash e parë. Ndezja e dritave në sallë, ndryshe nga herët e tjera, më zgjoi një ndjenjë kënaqësie, kur kisha menduar të kundërtën. Ndërsa spektatorët diskutonin për fundin e papritur të filmit dhe po dilnin normalisht, një grup të rinjsh u zunë me njëri-tjetrin kushedi për çfarë dhe njerëzit u shtynë aq shumë sa Dea, që ishte duke ecur para meje, erdh e u ngjit fare pranë gjoksit tim. Era e saj e mirë, si myshk, më pushtoi të tërin. E në atë çast, nuk e di se si, po edhe dora e saj erdh e u bashkua me timen. E ky zgjati sa një shkreptimë rrufeje, se më pas, kur e kam menduar më thellë, kam arritur në përfundimin se një “incident” i tillë kund të jetë i frutshëm për ndonjë tip tjetër, fjala vjen, siç ishte shoku im i shkollës, Maksi, e jo për mua. Do të thoni ju se ti ishe ai që pate puthur një vajzë tek e përcillje pas provave të teatrit. E vërtetë, po ajo puthje nuk u bë kurrë magnet për mua, përkundrazi, as pata bërë ndonjë hap tjetër të forcoja lidhjet me të, edhe për faktin se kur nisa ta njoh më mirë gjatë provave që bënim, erdh e m’u ftoh. Ndofta edhe pse iu qepën të tjerë më të zot se unë... Kur dolëm jashtë kinemasë kishte rënë muzgu dhe njerëzit mbushnin shetitoret. 63


U patëm propozuar me Avniun t’i përcillnim dhe me këtë rast mësuam se me lozanjaren Dea banonte në një vilë italiane poshtë Lanës. Lozanjarja nisi të fliste në anglisht me Avniun. Me sa i tha Avniu, kuptova se e vlerësoi, ndërsa ajo iu përgjigj shqip se “ai rrota im asnjëherë s’më ka vënë dhjetë”. Avniu qeshi, qesha edhe unë, ndërsa Dea e shikoi edhe me inat, po edhe me buzë në gaz, pasi sigurisht që në fjalorin e saj zhargone të tilla as ekzistonin e që në atë kohë ishin bërë aq masive, sidomos në gojën e të rinjve të trotuareve. Pasi i përcollëm, unë e Avniu nisëm të shetisnim më kot nëpër rrugët e Tiranës. Më se fundi diçka i thashë, duke i spjeguar se ajo që ndjeja unë për Dean ishte më shumë simpati se sa dashuri, sepse po t’i pohoja këtë të fundit, mbase ai për mua nuk do të mendonte mirë, pasi koha e njohjes me Dean ishte tepër e shkurtër sa ai të mos besonte se zemra ime rrihte për të e vetëm për të. Me Dean e lozanjaren dolëm edhe nja dy herë të tjera. Natyrisht pa Avniun që kishte telashe me disertacionin që po përgatiste e që s’e kishte ngenë të bariste pas fluturakëve si ne. Edhe shumë e kishte anglishten time. E në këto takime, lozanjarjalozanjare! Bënte ç’bënte e na linte vetëm me Dean. Derë takohej me një shoqe e herë me një shok. Të gjithë linin kokën për të. Në fillim nuk kuptova gjë, po më pas, kur këto ikje u shpeshtuan, e mora vesh se këtë ajo e bënte për ne dhe, që në atë çast, më hyri edhe më shumë në zemër. E si për çudi, sa herë që lozanjarja largohej duke na kërkuar të falur për një minutë që bëhej dhjetë, mua më lidhej gjuha, nuk gjeja dot një bisedë për të qenë.

Dea hyri kështu plotësisht në jetën time. Koha që na ndante deri në mëngjesin e ditës së nesërme kur takoheshim në zyrë, erdh e u bë e gjatë, tepër e gjatë. Gjumi m’u vodh. Deri pranë mëngjesit kur më rëndonin qepallat, mendoja veç për Dean. Prandaj dhe më vinte turp që deri nga ora nëntë, tash e parë më hapej goja në zyrë. 64


Isha i bindur se edhe Dea më ndjente se sa herë duhej të largohesha nga instituti për të çuar ndonjë material të rëndësishëm diku rrotull dikastereve, syri i saj më thoshte se përse isha vonuar aq shumë. Po kështu pyetjen e saj e ndjeja edhe në ditën që ndaja rrogat për personelin e institutit, pasi s’kishim arkëtar e më ishte ngarkuar mua një detyrë e tillë, që më mbante të gozhduar në një zyrë pranë arshivës. Pa lë njëherë kur më morën tri ditë në zborin ushtarak, ajo s’un di ta fshehë dot vetvehten dhe tha se diçka duhej bërë që unë të mos shkoja më në zbor! Gjoja këtë desh ta mbulojë më një bllokim të makinës së shkrimit, po unë e kuptova se ajo s’rronte dot pa mua. Dhe ishte rasti i parë që ajo e përmendi babain e saj e si ai mund të na ndihmonte. Nuk kishte veç dy muaj që Dea kishte ardhur në institut, taman në të hyrë të vjeshtës dhe në jetën time unë e kisha ndjerë se kishte ardhur pranvera. Dhe kur jeta ka veç një stinë, pranverën, atëhere ajo e ka emrin dashuri. Dashuria është pushteti më i madh që ka njohur njerëzimi. Dashurinë e vërtetë nuk ka asnjë pushtet që ta mposhtë. E ky pushtet bën që të harrosh shumë e shumë gjëra të tjera. Ashtu si njeriut kur midis maleve më të larta sytë i mbeten në majën e malit më të lartë, edhe dashuria për Dean më kish bërë të shihja atë e vetëm atë. Tronditja që më pat shkaktuar emri Dardan shumë shpejt ishte fashitur, sa një ditë, tek po shetisnim, në një dyqan të vogël, ajo bleu disa tollumbace për t’ia çuar Dardanit. Në atë moment ju nuk më keni parë, por po të ndodheshit përballë meje, shpejt do të kishit hetuar një gëzim të beftë, një dritë të re që mori gjithçka, një lehtësim në shpirt që më dukej në çdo tipar të fytyrës. Pra, Dardani nuk ishte askush tjetër veç një fëmijë i vogël që teze Dea i çonte një tollumbace... Tani me Dean kisha krijuar një afinitet e një mirëbesim sa do të më dukej se një prekje e dorës së saj, një përkëdhelje që mund t’i bëja flokëve të saj e aq më shumë t’i shprehja atë që ndjenja në zemër, do të ishte si një lloj tradhëtie e vogël. Po a kisha arritur unë deri aty sa ta njihja Dean? Po ajo mua? Sytë tanë thuajse i kishin thënë të gjitha ç’kishin patur për t’i thënë, kur dihet se më shumë se ç’thotë syri në të tilla raste s’arrin ta thotë goja. Por gjithsesi prapo mbetej dhe diçka që në 65


natyrën e dashurisë shqiptare sikur e ka vendin e vet. Ne që të dy vinim nga dy familje të ndryshme. Kush ishte familja e saj, po familja ime? Në ditët e para, në javët e para kur unë nisa të jetoj vetëm për të, as i vura në kandar këto pyetje, por tani që unë e ndjeja tërësisht qënien time në të sajën, këto dy pyetje sikur nisën të më trazonin. Babai i saj, drejtor i një drejtorie në ministrinë e komunikacioneve, sikur më trembte pa ndonjë shkak për të qenë, kur mund të ishte njerëzor e tepër paqsor. Por dija gjithashtu për nënën e Deas që ishte bibliotekare në një lagje të Tiranës. Dea fliste pak, sidomos për babain e saj dhe kjo sikur e lartësonte atë si njeri. Gjatë ditës, për aq orë sa punonte dhe në të rrallë ndonjë pasdreke kur takoheshim së bashku me të e me lozanjaren për të shkuar në kinema, unë me Dean jetoja realen, ndërsa sa vinte mbrëmja, idealen. Ëndërroja, ëndërroja e vetëm ëndërroja. Dhe ato më zgjonin një ndjesi të paprovuar më parë. Çdo buzëqeshje e saj, çdo fjalë, çdo prekje dore kur takoheshim e ndaheshim, sikur më mbetej e bëhej pjesë e trupit tim. Tanimë më Dean isha lidhur me fije të pazgjidhshme shpirtërore. Më pëlqente sinqeriteti i saj, naiviteti për të kuptuar jetën e njerëzit. Për të, të gjithë njerëzit ishin të mirë, shumë e shumë më të mirë se ajo, pa lë më ato që ishin të moshuar. E mbrujtur me një edukatë të admirueshme, ajo besonte për çdo gjë. Besonte e jetonte me ato që njerëzit i kishin besuar e pranuar si të mirëqëna. I zgjonte ndjesi të mirë loja që bënte për shembull Lumja me personazhet e veprave letrare dhe do të donte që edhe ajo të kishte një emër të tillë. Sidoqoftë kjo mbase ishte më shumë një dëshirë e imja, pasi dea po të kishte menduar kështu, edhe do të ma kishte shprehur, pasi si natyrë atë që mendonte ajo s’dinte ta mbante të fshehur. Siç ua thashë, s’kishin kaluar as dy muaj që isha njohur me Dean dhe çdo orë, çdo minutë provoja se s’do të kishte forcë në botë që të më ndante prej saj. Aq sa netëve fillova të shkruaj poezi për të, vetëm për të, një dëshirë kjo e kahershmja e imja, të cilën qysh në maturë e kisha lënë pas dore. As dy muaj pranë Deas e turra e vjershave u bë aq e madhe sa të filloje t’i lexoje 66


sot, do t’i mbaroje nesër. Më fliste zemra. Çdo ditë më sillte diçka të re, çdo orë zbuloja një visar të ri në shpirtin e saj, çdo minutë më thoshte se ajo do të ishte e imja e vetëm e imja. Në punët e sekretarisë Dea kishte përparuar kaq shumë sa dikujt tjetër do t’i duhej mbase edhe një vit. Po kjo kishte e s’kishte aq fort rëndësi. Edhe pse gati të shkëputur nga punonjësit e tjerë të institutit, ajo me mirësjelljen e saj e jo vetëm me të, erdhi e u hyri të gjithëve në zemër, sa, t’u them me sinqeritet, nisa të bëhem xheloz. Në mënyrë të veçantë më shqetësonte sa herë vinte për të daktilografuar Don Zhuani, një punonjës shkencor, për të cilin përflitej se ishte më i i afti, por që kishte një cen të madh në karakter: s’jetonte dot me një grua, edhe pse, siç kisha dëgjuar, të dyja gratë që kishte ndarë apo më saktë që e kishin ndarë, kishin qenë njëra më simpatike se tjetra. Madje kur ishte ndarë nga gruaja e dytë, kolektivi e pat dënuar dhe për një vit punoi punëtor në fermën e Kamzës, derisa, siç thoshte Zhaveri, me ndërhyrjen e një kushëriri të tij nga lart, e kishin kthyer në institut, ku dukej se ia kishin nevojën. E ndjeja syrin e tij lakmitar sa herë që vinte në sekretari jo vetëm kur ngulej mbi Dean, por edhe kur binte shkarazi mbi mua, sikur më thoshte “gomar!”. Po duhet të pohoj se Don Zhuani ishte më i hapur se gacat e mbuluara të institutit, madje njëherë kisha mundur të kap edhe një vështrim tinzar e epshndjellës të zëvendësdrejtorit, që hiqej si shok për kokë i shokut Viktor, babait të Deas. Kjo natyrisht që ishte një këmbanë për mua dhe këmbanat bien për t’u dëgjuar. Kisha ditë që vendosja e çvendosja t’i thoja se e doja, se e doja marrëzhisht, se për mua ajo do të ishte e askush tjetër në botë. Po gjithnjë do të dilte diçka që të ma rrëzonte vendimin që mirrja, ndofta një buzëqeshje e saj më stepte, një fjalë e saj e ëmbël sikur më thoshte të mos e hidhja atë hap, të mos e nxirrja dot atë fjalë, pasi druhesha se një refuzim apo hezitim i saj do të shembte gjithë atë kështjellë lumturie që kisha ngritur. Po a mund të rroja unë më dot kështu, veç në krahët e fantazisë, pa mundur ta pushtoja në krahët e mi, pa thithur dot nektarin e buzëve të saj? Po sytë e njerëzve për rreth? Ua lexoja të gjithëve mendimet. 67


E kuptoja se të gjithë më kishin zili dhe sipas tyre unë isha njeriu më fatlum në atë godinë. Po lexoja edhe një nëntekst, që më vriste thellë në shpirt, se unë s’do ta gëzoja dot, sepse...Askush s’ma kishte thënë, po unë tashmë e dija se babai i saj kishte një post shtetëror, se vajza e tij me gjithë ato nure mund të mirrte djalin e ndonjë kuadri me peshë. Me bukurinë e saj ajo... Isha vënë përpara pasqyrës në shtëpi e më dukej se nuk isha aspak i shëmtuar, madje në shoqëri shpesh më vlerësonin si simpatik. Veçse e shihja se këto kohët e fundit sikur isha hequr ca, në mëngjes në se e haja një kafshatë bukë këtë e bëja se shoqëroja në bufe Dean, ndërsa në darkë një e dy kafe sa i kisha rënë në sy edhe nënës. Jo, s’mund e s’duhet të prisja më. Tashmë unë e njihja Dean, njihja shpirtin e saj të bardhë. Besoja, po, po, besoja si i marrë se edhe ajo më donte mua. T’i shfaqja dashurinë aty, në zyrë, se si më dukej, si diçka prozaike, pa shpirt, se zyrat zakonisht marrin jetë prej shkresave dhe unë kurrsesi nuk e doja një gjë të tillë. Prandaj dhe vendosa t’i propozoja që të dilnim një pasdreke në shetitje e të bënim një xhiro nga kodrat e liqenit artificial. Koha mbante ende mirë e s’kishte gjë më të bukur të ecje nën gjethet e pemëve që binin e binin pafundësisht. A do të pranonte? Se si kisha një bindje se ajo jo se nuk donte, po një mentalitet, një psikologji, një hije atërore apo një këshillë tjetër familjare e bënte që të dimte në shoqërinë me mua gjithnjë vet e dytë, me lozanjaren, e cila në rastin konkret ishte shndrruar në një ombrellë për të mbuluar atë që s’mund ta bënte vetëm. Pra, shkurt, lozanjarja sakrifikonte për ne. Jo, s’do ta hidhja atë hap. Do ta lija ujin të rridhte i qetë në shtratin e tij. Po sakaq që mirrja një vendim të tillë, niste e më trazonte një mendim tjetër. Dea më bëhej ajr e më rrethonte të tërin. Çdo ditë e më shumë e kuptoja se pa dashurinë e saj jeta ime deri atëhere kishte qenë boshësi. Po si do të ishte nesër, si? A ndjente edhe ajo së paku një të mijtën e asaj që ndjeja unë për të? Oh, do të bësha trim, po, po, do të bëhesha trim, po, po, do të bëhesha trim e t’i thoja “Të dua!”. T’i thoja se pa dashurinë e saj jeta ime nuk kishte asnjë vlerë. Po, po, që nesër, asnjë ditë më vonë... 68


Të nesërmen...O Zot! Si rrallë herë ajo kishte dalë më heret se unë në zyrë dhe buzëqeshjes sime të përditshme iu përgjigjen të tjerë sy. Se si ndjeva në çast se si dikush ua kish marrë shkëlqimin atyre, ato gati edhe do të gurgullonin lotë. Unë e ndjeja nga gjoksi që i hidhej si dallgë, nga frymëmarrja e shpejtuar, nga duart që i lëvizte mbi tavolinë pa e ditur se ku t’i çonte. Një trazim që nuk fshihej dot e kishte pushtuar të tërën dhe ndofta priste rastin që të shpërthente në ngashërime. Gjithë kjo gjendje e trazuar më ngrysi edhe mua në shpirt. Përderisa ajo nuk më kishte thënë asnjë fjalë, s’dija se çfarë t’i thoja. Më dukej vetja si i tepërt. Po a isha i tepërt unë për të? Kuptohej qartë se kjo gjendje e saj kishte të bënte me diçka jashtë institutit, ndofta edhe në rruhë një skenë e pakëndshme me një djalë që të zë rrugën e s’të lë të bësh asnjë çap përpara derisa të thotë disa fraza dashurie të mësuara përmendësh, ndofta një qortim i rreptë i babait, ndofta një propozim i ardhur nga kushedi ç’shkes për fejesë. Gjithçka më sillej ndërmend në ato sekonda, që për mua qenë të rënda, tepër të rënda. Nuk e gjeja me vend t’i slisja. Veç më në fund ngrita sytë drejt syve të saj. Takimi në mes tyre e hodhi Dean në një ngashërimë... -Dea... S’dija se ç’ti thoja. Një dert i madh e një shkul stërkalash dëshpërimi po ngrihej nga shpirti i saj e po vinte drejt meje. Ajo e kishte të nevojshme t’ia hapte zemrën dikujt, t’i thoshte se çfarë e mundonte, po mbase edhe të qante e të shfrente. E ndërsa prisja që të thosha diçka që ta lehtësonte vehten, por edhe mua, ajo sikur u step, fshiu lotët e tha. _Jo, Taku, një diçka pa vlerë... Taku! Ishte hera e parë që ajo më thërriste kështu, që edhe në atë det të egërsuar të ndjenjave të saj gjente një liman për mua. Dea, Dea, Dea! Doja edhe unë t’i thërrisja fort sa të tundeshin muret e institutit, por...një hap që ecte nepër koridor, një mirëmëngjes në ecje, një punonjës shkencor që sillte diçka për të daktilografuar, një shkresë që duhej përcjellë, pastaj një zbritje në bufe tek Lumja. Dhe syri i deas erdhi e u qetësua si deti pas një furtune në një natë të errët. 69


Po sidoqoftë atë mëngjes unë nuk kisha se si ta harroja. Ndofta edhe për një arsye tjetër krejt të rëndomtë, por që do të linte aq gjurmë në kujtimet e mija... Kishte ardhur nëntori. Si çdo nëntor, po mbase ai i atij viti, seç kish diçka më të paqtë. Ende mbante ngrohtë, nuk ishin veshur pardesytë, ditët në Tiranë sikur kishin jetë, vlonin nga gjimnazistët që çdo ditë bënin prova në stadium për një manifestim që do të bëhej në ditën e çlirimit të atdheut. Veç t’i shihje rrugët se si gumëzhinin. Vajzat të veshura me minifunde me disa pala sikur sfidonin gjithë atë propagandë që bëhej për t’u veshur thjeshtë e bukur, pa maksi e mini. Këtë paradoks nuk e kam kuptuar atëhere, s’arrij ta kuptoj as tani. Të vishej një vajzë ashtu e të dilte në punë, në shkollë apo thjeshtë për shtetitje, me siguri që të nesërmen do t’i etiketohej çdo gjë në mbledhjen e organizatës së rinisë ku bënte pjesë, ndërsa kështu, me komandë...S’arrija ta kuptoja! Po një gjë e kisha të qartë: gjithsesi ishte bukur dhe askujt s’ia thoshta goja e as mendja se qoftë njëra prej atyre vajzave gjimnaziste ishte e degjeneruar. Si të thuash, kjo ishte pranvera e atij nëntori. Gjithnjë kur vinte festa e çlirimit, nëna sikur gjallërohej. Gjithnjë priste. E jo vetëm ajo. Një popull i lodhur priste të ulkej ndonjë çmim...ndërsa kësaj radhe flitej se do të kishte edhe një amnisti për të burgosurit. E nëna ime, si asnjëherë, kur vinte emisioni i lajmeve, linte çdo punë që kishte në dorë e afrohej pranë radios se mos ishte e vërtetë ajo gjysmë fjale që qarkullonte e t’i faleshin vitet e mbetura nga dënimi dajës Ahmet. Kështu kalonin si pa u ndjerë ditët e atij nëntori e po afronte festa. Lokalet që kishte Tirana çdo pasdreke ishin të zëna nga kolektivat punonjëse që organizonin mbrëmje vallzimi. Sigurisht që instituti ynë afërmendsh se mund të organizonte një mbrëmje të tillë, edhe se nuk ishim shumë, edhe se jeta shoqërore këtu ishte shumë e vakët, edhe se gjysma e më shumë e kolektivit ishin plakushë. Madje ne sikur na kishin fshirë nga lista për shumë e shumë gjëra: në aksionet që bëheshin çdo të djelë kërkujt s’i shkonte mendja për ne, kur vinte vera të harruar ishim për çka mund të na takonte, për ndonjë fletë kampi a kabinë plazhi, edhe pse nepër rrugët që unë s’i dija shefat se si rregulloheshin e 70


plazhiteshin në Durrës e Sarandë për shtatë palë qejfe. E në këtë shkretëtirë harrese, në këto ditë në prag të festës, tek dezhuri dikush kishte lënë tri ftesa. Në fillim ato i mora pa kurrëfarë interesi, por kur shkova në zyrë dhe desh i futa tok me shkresat e tjera në dosjen e drejtorit të institutit, se si më zuri syri fjalët “mbrëmje rinore” dhe vetëm atëhere i mora dhe i lexova. Ajo ftesë aq e thjeshtë, madje me një paraqitje grafike të admirueshme, erdh e m’u bë si pëllumb në duar. Kisha kohë, qysh në maturë, që nuk kisha marrë pjesë në ndonjë mbrëmje vallzimi. Dhe sa do të doja që këtë ftesë ta pranonte edhe Dea! Po a do ta linin të familjes? Që diçka nga e qara e asaj dite ishte e lidhur me ndonjë problem familjar, këtë tashmë e kisha kuptuar, po sa bëhesha gati ta hapja, Dea me një aftësi të çuditëshme dinte ta mbyllte dhe s’më linte asnjë shteg për atë bisedë... Ishin tri festa. Unë dhe Dea bëheshim dy. Ta hidhja në kosh të tretën? Përnjëherësh më vajti mendja tek Avniu. Nga të gjithë punonjësit shkencorë ai ishte më i riu, madje pak kush e besonte që në atë moshë të ishte punonjës shkencor. Sigurisht që s’kishte përse ta refuzonte, madje do të ndjente kënaqësi të çdavaritej njëherë nga studimet. Po ndërsa po bëhesha gati të dilja nga zyra e të shkoja ta takoja, ra zilja e telefonit tim sekondar. Ishte Don Zhuani. Tregoi se e kishte marrë në telefon drejtori dhe kishte lënë porosi për mua të njoftoja Avniun që të paraqitej menjëherë në punë, pasi e kishin caktuar përkthyes të një grupi marksist-leninist nga Anglia, që kishte ardhur i ftuar për festat e nëntorit. Njoftimi për Avniun m’i prishi të gjitha planet. Ishte e natyrshme që Dea e kishte të vështirë të vinte e vetme... Po ndërsa kisha mbetur ashtu si guak në mes të zyrës, përnjëherësh më erdhi parasysh lozanjarja. Kjo rreze gëzimi i ra në sy Deas sapo erdhi atë mëngjes në zyrë. Nuk e dija se si t’ia filloja bisedës me të, se si t’i thoja. Kisha një bindje të brendshme se s’kishte përse ta refuzonte. Aq më shumë që me mosardhjen e Avniut, u hap rruga për lozanjaren... 71


U bëra si fëmijë. -E di se çfarë janë këto? – e pyeta dhe ndërkaq vetja më dukej si karagjoz. -Duket që janë ftesa, - tha ajo krejt natyrshëm. -Për kë? Pas kësaj pyetjeje të beftë e të shkurtër, ajo u step. -Për mua, Taku? Vura buzën në gaz dhe m’u duk se u shkri ai trishtim i lehtë që e mbuloi. -Edhe po, edhe jo, - iu përgjigja. -Sot s’po të kuptoj. -Janë tri ftesa nga rinia. Për një mbrëmje vallzimi. Është e para herë që na kujtojnë... Teksa flisja ajo prap se si m’u duk se u përhumb, kur mendoja se mezi çdo të priste të mirrte vesh se kur bëhej, pasi një ditë, se si ra biseda e më tregoi për mbrëmjet aq të bukura që organizonin në gjimnaz. -S’të lënë të vish? Ndofta nuk e priste një pyetje të tillë, ndofta vetë ajo mbartëte një lloj fyerje edhe për të, edhe për prindërit e saj. -Ah, jo, - shqiptoi, - po diçka tjetër më erdh ndërmend dhe... Ai gjysmë pohim i saj sikur më ngrohu, më erdh si një fllad i ngrohtë. -Them të ftojmë edhe Valin, - nxitova unë të them, - pasi Avniu është i zënë me një delegacion si përkthyes. Përmendja e emrit të lozanjares e çeli në fytyrë e ndërkaq më vështroi drejt e në sy. Se si më dukej se atë çast po mirrej një vendim. -Po, po, do të vij, - tha prerë dhe ndërkaq unë do të desha ta mirrja në krahë e ta sillja në zyrë. Isha i bindur se ajo më kishte besuar!

Kur dolëm nga zyra, e lamë që unë do i prisja në orën gjashtë tek stacioni i autobuzëve, tek xhamia e Etëhem Beut, në qendër 72


të Tiranës. Ndjenja një gëzim të papërshkruar. Akrepat e orës më dukej se qëndronin në vend, se nuk ecnin si në ditët e tjera. Aq sa tash e parë shikoja orën e dorës, pastaj orën e murit. Ndërkaq nisi të bubullojë e të rigojë shi. Dreq, o punë! Shkoi humbur hekurosja e pantallonave, lustra që u pata dhënë këpucëve! U kujtova për çadrën, një tel të së cilës e kisha të këputur. Nxitova ta marr për ta rregulluar, ndërkaq që akrepat e orës më dukeshin se ecnin më shpejt. Kur dola në rrugë, shiu kishte krijuar aty-këtu pellgje dhe duhej t’u shmangesha që të mos më stërpiknin makinat. Tek stacionet e urbanit, si zakonisht kur binte shi, kishte njerëz më shumë se herët e tjera. Ja, ardhi një urban, zgjatesha mbi kokat e njërëzve të shihja se mos vinte Dea me lozanjaren, por jo. As urbani i dytë, as i treti nuk e solli. Ora po i afrohej gjashtës. Ndofta s’arrinin të hipnin në stacionet e tjera nga kallaballeku. E kur shqetësimi sa vinte e më rritej, nga urbani i pestë apo i gjashtë zbriti lozanjarja e para, duke u hapur rrugë Deas, e cila ishte aq e drojtur. Ashtu shpejt, sikur të na ikte treni, morëm andej nga shtëpia e kulturës ku do të bëhej mbrëmja rinore. Seç biseduam rrugës nuk e mbaj mend mirë, mbase nga nxitimi e droja se do të mbyllej dera e sallës e ne do të mbeteshim me gisht në gojë. Në hyrje të shtëpisë së vjetër të kulturës ku do të bëhej mbrëmja qëndronin tre-katër të rinj, sigurisht për të kontrolluar ftesat dhe tre-katër të tjerë, mes të cilëve njëri ishte më i pjakur në moshë, i cili na përshëndeti ëmbël me kokë. -Është sekretari i parë i rajonit, çun zëvendësministri, - tha një vajzë simpatike para nesh, ndërkohë që ne po bënim pas të tjerëve për në sallë. -Vjet jepte mësim në shkollën tonë, - shtoi lozanjarja, sikur ne të ishim të interesuar, kur po e përcillnim me një indiferencë të plotë qënien apo mosqënien e sekretarit të rajonit kështu apo ashtu. Kur hymë në sallë ajo ishte e mbushur plot e pëplot dhe organizatorët ndjeheshin të shqetësuar për mosllogaritjen mirë të të ftuarve. Por këtë shqetësim ne nuk e kishim fare. S’kishim ardhur për t’u ulur, por për të vallzuar, për të dëgjuar këngëtarët e ftuar. 73


Më së fundi edhe mbrëmja filloi. Si zakonisht, me një fjalë rasti. Fjalët që tha sekretari i rajonit duhet t’i kenë dëgjuar vetëm ata që ishin pranë tij, pasi në të gjithë atë tollovi të rinjsh, s’e mirrte vesh i pari të dytin. Po ortatori siç dukej ia kish marrë dorën gjërave të tilla dhe e shkurtoi fjalën duke kërkuar një duartrokitje nga salla, e cila nuk mungoi. Dhe në çast në sallë shpërtheu muzika. Siç dukej, në atë mbrëmje, do të prishej çdo etikë, s’kish kohë as kavalieri të vinte drejt damës që ta mirrte, sepse ndërkohë dikush tjetër ngrihej para teje dhe e ftonte për vallzim. Kështu, në çast, çiftet nisen të rrotullohen nën ritmet e muzikës dhe unë e Dea se si e ndjemë vehten në krahët e njëritjetrit. Në vallzim më dukej se u bë edhe më shumë gjullurdi, ndofta ngaqë edhe ata që ishin koridoreve i ftoi aty muzika. Çfarë vallzimi ishte? Askush nuk e mirrte vesh. Mbahej veç një ritëm i lehtë, vendnumro, sa asnjëherë nuk kishte ndodhur një gjë e tillë, që të rinjtë të qëndronin aq ngjitur me njëri-tjetrin. E ashtu si të tjerët, edhe unë me Dean ishim bërë një. Në fillim fytyra e saj u bë e gjitha purpur e sigurisht që ashtu duhej të isha bërë edhe unë. Nuk kishte fare vend t’i kërkoja të falur se këmba ime ishte në mes të të sajave, se gjoksi i ulej e i ngrihej në gjoksin tim, ndërsa poshtë gunga po më rritej mbi të sajin. Aq sa për një çast e patëm harruar lozanjaren, po ajo, që s’ishte nga ato që e harronte vehten sado ta harronin të tjerët dhe ta humbte torruan, e kishte gjetur një kavalier e sigurisht që ndjehej ngushtë si të gjitha vajzat e tjera. Po a mund të qëndroja si memec kështu, pa thënë qoftë edhe një fjalë, tani që ajo ishte në krahët e mij e që penisi kishte nisur rebelimin? Ndërkohë dikush u përplas pas shpinës së saj dhe unë e tërhoqa Dean edhe më fort pas vehtes. Ajo ofshani një herë lehtë, desh një herë ta shkëpuste dorën nga e imja mbase për ta vënë përpara, por nga trysnia e të tjerëve përreth, veprime të tilla ishin të pamundura! Një ishin bërë të gjithë! Një isha bërë me një vajzë si kurrë më parë në jetën time! Shpirti më ngjante me një strehë nga ky ngriheshin e uleshin me mijëra pëllumba. Një këngëtare përcillte këngë shumë të njohura të muzikës së lehtë. Nuk ngopesha nga era e saj, syri i kaltërt i Deas më fundoste 74


në thellësi të paimagjinueshme, frymëmarrja e saj më ngrinte si pupël e më bënte re. -Dea! S’kisha mundur më të heshtja. Me siguri që nuk më fliste goja, por shpirti, tallazet e të cilit tani rrihnin në brigjet e shpirtit të saj. Sytë e Deas puthën sytë e mij me një afsh të patreguar. Sikur më thoshte se fjalët e tjera që do të thosha nuk kishin me asnjë vlerë, se të gjitha ishin thënë e stërthënë. -Dea, s’mund të fshihem më, s’mund të hesht më, të dua! E ndjeva gjithë trupin e saj që u drodh si një gjethe, gishtërinjtë e saj u gërshetuan me të mijtë, edhe ato me atë shtërngim të ëmbël donin të më thonin “Edhe unë, edhe unë!”. Jetoja një diçka që s’dija se ç’emër t’i vija, më dukej se jo vetëm ajo, por e gjithë bota ishte e imja. Ndërkohë muzika kishte pushuar e unë as e kisha mendjen. Kushedi se në ç’planet të dashurisë fluturoja. Por siç duket çiftet s’kishin të ngopur me dy vallzime dhe nuk po shqiteshin e kjo më ndihmoi edhe mua të jetoja lumturinë time. Dikush nga organizatorët, i shqetësuar sa s’ka nga ajo dyndje e madhe në sallë e puthitje e çifteve tej çdo standardi të kohës, i kishte marrë mikrofonin solistes dhe po njoftonte se bri sallës së madhe ishte bërë gati edhe një sallë tjetër. Po mua pak më interesonte se çfarë thoshte ai. Unë prisja një fjalë nga Dea. Muzika nisi sërish dhe pakush vazhdoi në sallën përbri. -Dalim në sallën tjetër, Dea! – se si m’u shkrep, ndofta edhe nga bindja se atje do të ishim më të qetë. Dhe ashtu, duke vallzuar, tok me tre-katër çifte të tjera, përshkuam koridorin dhe hymë në sallën tjetër ku gjetëm jo pak të rinj, të cilët më shumë çuçurisnin me njëri-tjetrin se sa vallzonin. Organizatorët, nga ana e tyre, nisën të mirrnin masa, të sillnin me ngut disa karrike e stola. A ishte kjo dita më e lumtur për mua? Po për Dean? Ndofta isha i gabuar, po më ngjante se tek syri e shpirti i saj që gjithnjë ishte një qiell i kaltër, po ngrihej një re e zezë. Çfarë të kishte? Kaq shumë e kishte tronidtur pohimi i dashurisë sime? -Dea! 75


-Taku! -Më thuaj një fjalë! Qoftë edhe s’të dua! -Taku! M’u afrua edhe më pranë. O Zot! Ajo ishte e imja, vetëm e imja! Muzika nga salla kryesore pushoi dhe dëgjohej se dikush po lexonte disa emra e organizata rinie që nderoheshin me flamuj. Zumë një stol. Dora ime ende përkëdhelte dorën e saj. -Që ditën që erdhe në institut, çdo mëngjes, çdo mbrëmje, çdo sekondë kam jetuar me ty. Ndofta po bëhesha pak llafazan, po nuk e frenoja gjuhën. Isha i bindur se nuk fliste ajo, po zemra. -Taku, unë kam frikë! -Frikë?! Frikë nga kush?! Nga dashuria? Ndërkohë dikush u dha tek dera e sallës së vogël ku kishim hyrë dhe murmurima e çifteve sikur u fashit. Kishte ardhur sekretari i rinisë së rajonit me dy të tjerë që e ndiqnin nga pas. Sigurisht që ceremoniali i dorëzimit të flamujve kishte mabruar dhe tani do të kishte prap muzikë. Se si ndjeva dorën e Deas të largohej për një çast nga e imja. Epo nuk ishte serioze që para një titullari të qëndronim, ashtu të zënë dorë më dorë, sikur të ishim të fejuar. Sekretari po ua jepte dorën me radhë të rinjve, ndërkohë kur erdhi para nesh filloi muzika dhe ai i kërkoi leje Deas që të vallzonte me të, duke më lëshuar mua një vështrim jo aq miqsor. Sakaq ia behu lozanjarja. Që ishte tip e dija fort mirë. Më mori përdore dhe në çast e ndjeva se diçka kishte për të më thënë. -Çfarë ke? – e pyes. -Hiçgjë, po ky sekretari i rajonit qënka lapanjoz i vërtetë... -Kush? -Hë, pra, ky që po vallzon me Dean. Dhe na bëjnë moral ne shkollarëve që të njihemi me njëri-tjetrin, që të lidhemi me dashuri e ku di se çfarë, kurse ky... -Ka dërguar shkes tek Dea? -Ta ka treguar? -Jo. -Po si? 76


-Si? Ja, kështu: fjalët e tua. Vetë Dea një ditë erdhi në zyrë shumë e tronditur dhe e stresuar. -Shkes nuk ishte tamam, tamam, ishte një ndërmjetës, epror i babait të Deas. Pastaj ky palo sekretar rajoni e futi Dean në një ekip rinie që e drejtonte vetë... M’u kujtua gjithashtu koha kur Dea qe shkëputur tri ditë dhe fill pasi erdh në punë, sikur kishte pësuar një goditje të fuqishme. -Atje ai i propozoi për martesë. I tha se mund ta dërgonin në një ambasadë në vendet nordike, po më përpara për këtë duhej të vinte kurorë, pasi në ambasada nuk dërgokan beqarë... -Paska qenë propozim me vlerë... -Numra bën ti, Taku? – më pyeti sakaq lozanjarja dhe se si nisi të më udhëheqë mua në vallzim e të më drejtojë nga dera ku bëhej lidhja me sallën kryesore. Çoç mërmëriti me tre-katër djem dhe në çast nisi një zhurmë bezditëse, u krijua përshtypja se disa të rinj po ziheshin si rëndom nepër mbrëmje të vallzimit dhe sakaq sekretarit të rajonit ia donte detyra që të ndërpriste vallzimin. Ndërkaq Dea na kish parë dhe u drejtua drejt nesh. -Ti e organizove rrëmujën matanë? – iu drejtua ajo lozanjares. -Mos na çaj kokën ti, guguçe, - ia priti ajo. -Megjithatë unë çfarë kisha për t’ia thënë, ia thashë, - tha Dea dhe ndjeva dorën e saj në timen. -Po muzika? – thashë unë, duke e shikuar drejt e në sy. Zhurma e krijuar qe fashitur dhe në sallë, nën jonet e një muzike të lehtë, unë sillesha me Dean në krahë, ndërsa lozanjarja se ku kish ikur me grupin e shokëve të saj.

Kur dolëm nga mbrëmja e vallzimit, ora donte edhe pak të binte dhjetë. Pas shiut, koha ishte hapur dhe ne, ashtu nëm fenerët e dobët të dritave të rrugës përpiqeshim të mos binim në pellgjet e ujit që ishin krijuar aty-këtu nepër rrugë. Megjithatë njerëzit nxitonin t’i shpëtonin ndonjë rrebeshi, pasi diku, jo fort larg, andej nga kodrat e Selitës së Vogël, vetëtinte e bubullonte. Sigurisht që lozanjaren e kishim humbur. Isha i bindur se e vetmja që do të “humbnim” do të ishte lozanjarja. Dea, si të ma 77


kishte kuptuar mendimin, më tregoi se ajo ishte bërë me disa shoqe e shokë të maturës së saj e do të përcillnin nepër shtëpi njëritjetrin. Kisha në krah atë që mund ta bëja shoqe jete. Pa mbrritur tek Hotel “Dajti” ia dha furtuna, ne nxituam t’u shpëtonim pikave të shiut nën krahët e një pishe, po ishte diçka e pamundur. Atëhere hoqa xhaketën dhe ia hodha në kokë Deas e vehtes dhe ashtu nisëm të ecnim nën shiun që binte si me rrëshekë. Ashtu si tek vallzonim, edhe tani e ndjeja trupin e saj, erën e saj, fytyra e saj ish puthur me timen, ndërsa dora ime e djathtë e kish pushtuar për beli. Morëm poshtë nga pallatet e stadiumit “Dinamo”. -Të fusim kokën diku, - i propozova unë, edhe për faktin se ashtu siç e kishim nisur, do të arrinim për dy minuta në shtëpinë e saj. Nuk doja që kjo mbrëmje të kishte mbarim. Ajo nuk tha as po e as jo, po mori andej nga e drejtova unë, nga një hyrje pallati të sapondërtuar. Edhe pse tani rrëbeshi i shiut nuk na rrihte, vazhdonim të qëndronim nën xhaketën time. Dora ime kaloi lehtë-lehtë nepër flokët e saj, zbriti mbi sytë, në faqet, në buzët e fryra e të kuqe si qershi, nën mjekër dhe ndërkohë ndjeva një puthje të zjarrtë që ajo më dha. Buzët e saj derdhnin lëngun e jetës në buzët e mia, trupi i saj në atë natë fundvjeshte me shi shprazte pranverën. -Taku të dua, të dua shumë! Nuk gjeja dot fjalë. Çfarë t’i thoja më shumë se më thoshte ajo me ato puthje që nuk kishin të mbaruar, gjithë afshe jete? -Në fillim kisha disi frikë, se zakonisht djemtë mezi ç’presin t’u jepet një rast e të jenë vetëm dhe...ne ishim vetëm që ditën e parë dhe...habitesha me korrektesën tënde...E kuptoja se më doje... Tanimë ne nuk mund të bisedonim gjatë. Gjithçka i ngjante një bisede fragmentare. Pasi puthjeve të saj unë u isha përgjegjur me qindrave të tjera. Furtuna shpirtërore na kishte hutuar, ndërsa ajo në natyrë qe fashitur dhe në rrugë u ndjenë zëra njerëzish. -Prit edhe pak, - iu luta unë. 78


Pranë nesh dy veta po hynin në pallat, ne hoqëm xhaketën nga koka dhe ata u trembën pak, por kur panë një çift, burri diçka turfulloi nepër dhëmbë dhe bëri lart shkallëve. Nga pallati përballë dikush i ngriti zërin radios. Jepeshin lajmet e orës së fundit. Sigurisht që kjo as më kish interesuar e as më interesonte. Për mua më shumë se kurrë çdo gjë do të kishte emrin Dea. -Të bëri presion? – e pyeta unë. -Përse të bisedojmë sonte për të, Taku? – tha ajo dhe më puthi me një afsh të patreguar. -Edhe unë të kam psikologjisur kur erdhe nga ekipi i rinisë, edhe lozanjarja... -E poshtra! – tha për të duke qeshur e më puthi në maje të hundës, ndërsa dorën e mbante në mes të kofshëve si për të më thënë se ai kufi ishte heret, shumë heret për t’u kaluar. Megjithatë qemë kapërthyer keq. Ia ndjeja zemrën si i hovte e ashtu, sigurisht, ma ndjente edhe ajo timen. Radioja e ngriti edhe më shumë volumin....Po ajo bezdija e saj erdh e u zhduk në çast...Amnistia...karakteri human i socializmit...dita e çlirimit dhe gjaku i dëshmorëve...përfitojnë të gjithë ata që u kanë mbetur pa shlyer edhe tri vitet e fundit të dënimit...lufta e klasave...fitore e madhe e... Në trup ndjeva një drithërimë. Tronditja ime sigurisht që s’kishte qenë e vogël, përderisa atë e ndjeu edhe Dea. -Ç’pate, Taku? Hiç, asgjë – gënjeva unë dhe e mbështeta kokën time në gjoksin e saj. “Emisionet tona të mbrëmjes, mbaruan. Dëgjues të dashur, natën e mirë!” “Daja Ahmet qënka liruar” – thashë me vehte, e teksa e puthja dhe e puthja Dean, ndjeja një shqetësim të cilin nuk e sundoja dot. Nuk isha buf që të mos e mirrja vesh shumë e shumë gjëra, se qënia ime nip i tij mund të më rrezikonte edhe dashurinë time me Dean. Ashtu, të përqafuar, dolëm nga hyrja dhe morëm nga shtëpia e Deas. Dhe sa iu afruam hyrjes së pallatit, u përplasëm me një 79


befasi të këndshme. Lozanjarja me gjithë grupin e maturantëve kishin qëndruar të fshehur dhe sa u afruam, shpërthyen në një “urra” si të ishin partizanët nepër filma. Vërtetë ishte ca vonë, po kur ishte fjala për veprimtari të tilla, prindërit sikur nuk e bënin qejfin qeder dhe e dinin se të rinjtë shkonin duke përcjellë njëri-tjetrin. Mes kësaj alegrie, u ndava atë natë me Dean, lozanjaren e shokët e saj dhe ndjehesha njeriu më i lumtur në botë. Ecja nepër rrugë dhe sa më shumë që i afrohesha shtëpisë, aq më shumë më rritej tundimi. E kisha menduar se edhe nënës mund t’ia tregoja për nusen që kisha zgjedhur dhe ajo do të shendohej si rrallë herë, po kur t’i tregoja edhe për amnistinë për dajën Ahmet... Ishte një përziërje shapi e sheqeri. Si vetë jeta. Vdekja e papritur e babait tim dhe më pas dënimi i dajos, ia shkatërruan jetën nënës sime. Me atë gjysmë shëndeti që kishte ajo punoi dhe e fitoi jetën me thonjtë e duarve. Në konviktin e një shkolle profesionale punonte asokohe si ndihmës kuzhiniere, kishte rënë në një kolektiv të mirë dhe shoqet e shokët e saj, duke ia ditur fatkeqsinë që i kishte ndodhur në familje, e hatronin dhe ngaqë ishte grua e ndershme dhe e pa fjalë, i bsedonin në çdo gjë. Ishin ata që e ndihmonin fshehurazi me sheqer, djath kaçkavall e ndonjë produkt tjetër ushqimor që nuk prishej, të cilat ajo i paketonte një herë në muaj dhe ia dërgonte dajos në burg. Ngaqë një tezja ime ishte e martuar në një familje komunistësh në Durrës dhe s’mund të shkonte ta takonte vëllain e saj, nëna ime ishte e vetmja lidhje që i kishte mbetur atij me botën përtej telave me gjëmba. Sa ishte në burg ai, kishin vdekur njëri pas tjetrit nëna dhe babai i tij dhe shtëpinë e vjetër ime më ishte detyruar që ta shiste aty nga vitet pesëdhjetë, për ta mbajtur dajën në burg e për të mbuluar disi të zezat që i kishin rënë mbi kokë. Po gjithsesi nëna ime, siç mendonte për mua, mendonte edhe për të. Në raftin tonë të rrobave priste një kostum për dajën, një këmbishë e bardhë bilur dhe një krevatë me pika, dy palë këpucë, një pardesy e veshje të tjera që i duhen çdo njeriu. Disa herë e kisha parë nënën t’ua hiqte pluhurat, t’u hidhte ilaçin kundër tejës, 80


e kisha parë t’i lëmonte sa herë e mirrte malli për të. Mua, sa qeshë pa hyrë në gjimnaz, nëna më pat marrë me vehte ta shihja në burg, por kur u rrita, ajo tha se daja vetë e kishte porositur që të mos shkoja më, pasi dikush mund të më skedonte dhe fundi atyre punëve nuk u dihej. Kështu nuk ruaja gjë tjetër në kujtesë vetëm vetullat e tij të trasha e të zeza dhe një palë sy të qeshur, një ballë të hapur si ballë dijetari. Tani edhe nëna ishte e lodhur, qe kërrusyr nga vitet dhe nuk mund të shkonte ta shihte më në burg veç një herë në dy muaj. Po më tepër atë e lodhi dhe e kërrusi ridënimi që i ishte bërë në burg. Nëna, kur e mori vesh nga një i sapodalë nga burgu, qau aq shumë sa thashë se i shterri loti. Po zemra e nënës sime paska qenë e fortë. Edhe më e fortë se guri. Ajo kurrë nuk e humbi shpresën se një ditë do ta shihte të vëllain të lirë, se një ditë do t’i zgjidhte një nuse e do ta bënte dhëndër, se një ditë do të vinte në prehër fëmijët e tij. Dhe ajo harronte se ishte arrestuar maturant dhe tani ishte afro të dyzetave, se jeta nepër qeli e burgje i kishte hedhur përgjithnjë muzgun e saj. Po aniçka. Nëna besonte e besonte se kështu do të ndodhte. Madje disa herë edhe më kishte thënë se me t’u liruar daja, do ta mirrnim në shtëpi e do t’i rregullonim dhomën ku linim disa rraqe të vjetra. Vuajtja e shqetësimi për të vëllain në burg, sikur e kishin bërë edhe më të vogël nënën time, edhe më të heshtur se më parë. Ecte nepër shtëpi e nuk ndjehej fare. Çdo ditë sikur mbyllej më shumë. E shihja edhe tek hante. Veç dy kafshata. Nuk ma thoshte, por e dija se kafshatën e tretë e kursente për të vëllain. Po rrallë e më rrallë e përmendte atë vuajtje që hiqte. E këtë e bënte për mua, që të mos ma zymtonte jetën. Veç nganjëherë kur gatuante ndonjë gjë të mirë, si fjala vjen mish viçi apo ëmbëlsirë, e tradhtonte vehten dhe e përmendte dajën Ahmet. Dhe menjëherë, ngrihej nga tavolina e bukës, shkonte në të ndarën që shërbente si aneks i kuzhinës e qante. T’u them të vërtetën edhe mua më pikonte në zemër, ligshtohesha, po prap i thoja vehtes se po bëhesha burrë e përpiqesha që në sy të saj të mos derdhja lot. Po 81


në kthinën time nja dy herë kam qarë me ngashërimë dhe pastaj kam shkruar një poezi kushtuar dajës, të cilën më vonë e pata mësuar përmendësh dhe e pata grisur. Fshehja e njerëzve të afërt që vuanin burgjet politike ishte praktikuar nga shumë njerëz, madje disa kishin përdorur edhe ndrrimin e vendbanimit që t’u shmangeshin sa më shumë atyre që i njihnin e sidomos të gjenin të fusnin kokën në Tiranë, ku edhe përbërja ishte më heterogjene. Po unë gjithsesi, si natyrë më e ndjeshme, provoja në shpirt diçka të kundërt që më jepte një shtysë të fortë, një si rrymë nën sipërfaqen e shpirtit më përshkonte të tërin e më jepte një tundim të fortë: unë mohoja atë që doja. Po ishte kafshata e gojës, ishte e ardhmja ime, fliste goja e nuk fliste zemra. Instituti ku unë punoja ishte shkencor e megjithatë, duke qenë përditë në kontakt me drejtuesit, e shija mirë se më shumë bëhej politikë se sa shkencë dhe të mirrej vesh se dajua im ishte i dënuar politik, kjo përbënte kaq rrezik për mua sa s’kish guxim askush të të dilte për zot, pasi kushdo ta provonte një gjë të tillë, e pësonte vetë si zbutës i luftës së klasave. Siç thashë nëna shkonte ta shihte vëllain e saj në burg rrallë e më rrallë. Sigurisht që gjendja jo e mirë shëndetësore e saj i kishte rënë në sy edhe dajës Ahmet, i cili, herën e fundit, këtu e dy vjet më parë, para se të hyja në institut, i kishte thënë që të vinte edhe më rrallë. Ndërsa kur nëna, në takimin me të i kishte treguar për punën time të re, ai e kishte porositur që tani e tutje të isha shumë i kujdessshëm dhe askund të mos më përmendte. U detyrova t’u tregoja gjithçka më lidhte mua me dajën, që të përligjja sadopak ardhjen e beftë të nënës në institut. Qe data 26 nëntor. Dita ende vinte me diell, po ngaqë temperatura kishte rënë, më të moshuarit i kishin hedhur në supe perdesytë e ndonjë triko të leshtë. Por ardhja e nënën time në institut, veç befasisë, më shkaktoi në çast edhe një lloj frikë e shqetësimi të përzier bashkë. Tek zbrisja shkallët për ta takuar në katin e parë, gjëja e parë që m’u përshkua ndërmend ishte se diçka e keqe, shumë e keqe duhet t’i kishte ndodhur dajës. Sikur kisha një parandjenjë se dajua i gjallë nuk do ta nxirrte kokën që 82


andej. Ridënimi i tij në burg, para meje e ngrinte atë si njeri që nuk nënshtrohej para asnjë çmimi. Pastaj të tjerat i kam menduar më vonë, si psh përse nëna nuk më mori në telefon, siç më kish marrë dy herë të tjera nga një fqinji ynë që ishte drejtor shkolle apo thjeshtë se nuk mund të mirrte në telefon pasi do të përmendej emri i dajës e kjo nuk do të më bënte mirë mua. Po nuk ishte ashtu siç e kisha menduar unë. Këtë e lexoja në sytë e nënës. O Zot! Tashti unë lexoja në sy. Në sy e lexova shqetesimin e beftë tek Dea sa më thanë se më kërkonte nëna tek dezhuri, në sytë e nënës e lexoja se daja Ahmet duhej të ishte liruar nga burgu. Po, po, daja ishte liruar. Nëna më tregonte aq ngadalë kur ai kishte trokitur në derë, se si e kishte marrë hopa dhe e kishte ngritur deri në çardak, pastaj si i kishte pjekur kafenë dhe si i kishte vënë ujin të ngrohej që të bënte një banjo. Duhej të mirrja leje, duke nxjerrë ndonjë sebep si psh se më kishte ardhur një mik nga Saranda. Po ngaqë as drejtori e as zëvendës drejtori nuk ndodheshin në institut, u mjaftova t’i thoja vetëm Deas. Tanimë ajo ia kishte marrë dorën punës dhe s’kishte frikë të vepronte e vetme. I dhashë një të puthur të shpejtë në buzë, çelësat e zyrës dhe fluturova jashtë. U ndala tek bufeja. Lumja e la një gotë që po fshinte me një pecetë të bardhë dhe si e pa se isha vetëm, pra pa Dean, sytë sikur i ndritën. “Po kjo, ç’dreqin ka që gëzohet kështu?”, pyeta vehten, po dot përgjigje nuk pata marrë. Kujtoj vetëm se i kërkova një shishe konjak “Skenderbeg” dhe Lumja më sqaroi se në klub konjaku kushtonte gati sa dyfishi i dyqaneve të ushqimores, megjithatë unë e pata marrë shishen dhe tek po i paguaja të hollat, ndjeva gishtërinjtë e Lumes që dridheshin në gishtërinjtë e mij. Nuk dua të tregoj ç’provova kur me dajën iu hodhëm në krahë njëri-tjetrit, kur shihja nënën që s’i ndalte dot lotët që rridhnin faqeve te saj të fishkura, kur nisëm të bisedonim, t’i tregoja për punën, për jetën e për disa gjëra që për të mund të ishin krejt të parëndësishme. Megjithatë mbaj mend se ai më dëgjonte më vëmendje shumë të madhe, sikur përpinte çdo fjalë. Ndërsa për vehte, për vuajtjet në burgje, në takimin e parë ai nuk pat folur 83


asnjë fjalë... Tanimë, në jetën time, veç Deas, hyri edhe daja Ahmet. E ndonëse nuk kishte kaluar as një javë që ta njihja nga afër, e kuptova se ai nuk ishte si shumica e njerëzve që kisha njohur në jetë, por disi i veçantë. Gati-gati në natyrë i heshtur si nëna, por kur flisja e ndjeja se çdo fjalë i kishte peshë e të fuste në mendime. Kishte dëshirë t’i kundërshtoje edhe për problemet nga më të parëndësishmet, por ai, si të dëgjonte me shumë vëmendje, me logjikën e maturinë e tij në të folur, të shpartallonte e të bënte të ngrije pa mëdyshje flamurin e bardhë të kapitullimit. Por edhe në këto raste ai dinte ta fshihte triumfatorin. Përpiqej të më trajtonte si të barabartë. E kjo e rriste edhe më shumë para syve të mij. Dea dhe daja Ahmet nga njëra anë dhe nëna nga ana tjetër kishin tashmë secili vendin e tyre në shpirtin tim. Madje më dukej se asnjëri nuk i kish zënë vend njëri-tjetrit, po secili kish hyrë e ish ulur në vendin e tij. Nëna, si çdo nënë, ishte ajo që më kishte dhënë jetën, Dea ma kish bërë kaq të bukur atë dhe daja Ahmet më tregonte se si të ecja në këtë jetë, ku të lija një gjurmë. Por nuk ishte e thënë se lumturia ime ta kishte jetën e gjatë. Dhjetori erdhi me shira. Nga që me Dean shtëpitë i kishim në krah të kundërt të qytetit, në institut na takonte vetëm ora 7 e mëngjesit. Gjithnjë e prisja unë, pasi dilja më heret. Tanimë sikur të gjithë e dinin se unë e Dea nuk ishim thjeshtë kolegë...

Atë ditë Dea nuk doli në punë dhe unë e ndjeva vehten të pushtuar nga një shqetësim që sa vinte e më rritej. Mungesa e saj atë mëngjes dhjetori erdh e u shndrrua në një ankth që rritej si orteku. Gjithfarë mendimesh më pushtonin. Vallë, ç’ti kishte ngjarë? Të ishte e sëmurë? Po përse nuk më mirrte në telefon? Si t’ia bëja që të mësoja të vërtetën? Ndërkohë një nga nëpunësit e bibliotekës së institutit më njoftoi se më kërkon zëvendës drejtori. Mendja më shkoi për keq, kushedi se mos ai dinte diçka dhe në gjoks provova një shtërngim. Mbylla ashtu shpejt zyrën dhe me dy hapa iu afrova zyrës së tij. Trokita në derë. Asnjë përgjigje. Trokita përsëri dhe pas pak, 84


mbytyr, dëgjova një zë “hyrë”. Se si m’u duk zëvendës drejtori, si tjetër njeri. O Zot! Diçka i kishte ndodhur deas patjetër! Dhe as mendoja tjetër gjë. Para meje ishte një zyrtar i ftohtë, tejet i ftohtë. Mbaj mend se më pat thënë “ulu” dhe si zhubriti dy a tri shkresa mbi tavolinë, më tha diçka të tillë se në insititut ka disa rregulla, por që nëpunësit e parregullt i neglizhojnë, siç kishte neglizhuar ai i kuadrit, i cili, nga që nuk ishte funksionar, s’më kishte kërkuar të plotësoja autobiografinë kur isha marrë në punë. O Zot! Ai më thoshte një diçka burokratike, pra asgjë, asgjë e keqe nuk i kishte ndodhur Deas. Një fllad i ngrohtë më pushtoi të tërin, aq sa m’u duk se trupin ma mbuloi era e saj e mirë. Dhe sa naiv që isha! Dashuria për Dean më kish bërë fëmijë dhe as e mendova aty për aty më gjatë se përse zëvendës drejtori ma kërkonte tani autobiografinë. Vetëm kur dola nga zyra e tij, erdha në vehte e sikur gjërat zunë të viheshin në vendin e tyre. Autobiografia dhe daja im! Se si ato krijuan një lidhje të menjëhershme e ashtu, si në sfumaturë, më kujtohej edhe ajo porosia e komshisë fjalëmirë kur ma pat futur kokën në institut që të bëja kujdes e të fshihja qënien e dajës në burg. E veç këtyre, edhe vetë daja sa erdhi, më porositi që të tregohesha i kujdesshëm e të mos e bisedoja as me shokët më të ngushtë lirimin e tij nga burgu. Dhe unë me askënd nuk e kisha biseduar. As me Dean, edhe pse në ndërgjegje nuk ndjehesha i qetë, më dukej se duke mos i treguar, e gënjeja e duke e gënjyer atë, së pari gënjeja vehten time. Po i kisha dhënë fjalën dajës Ahmet dhe s’kisha si të veproja ndryshe. E atëhere ndërgjegja do të më rëndonte edhe më shumë. Po ç’qe kjo kërkesë e beftë për autobiografinë time? Po ajo ftohtësi e zëvendës drejtorit? Ai që gjithnjë përpiqej të ishte buzagaz me njerëzit?! Pastaj përse ky nxitim? A nuk mund të pritej edhe pak ditë sa të kthehej nga leja e zakonshme Ismaili, një punonjës shkencor pa asnjë veprimtari shkencore që mbulonte punën e kuadrit e të kryhej kjo punë? 85


Mezi ç’prita të mbaronte orari zyrtar e të nisesha për në shtëpi. Më dukej se mes autobiografisë, ardhjes së dajës Ahmet në shtëpinë time dhe mosardhjes së Deas në zyrë atë ditë, kishte një lidhje. T’u them ndershmërisht një si ankth po më pushtonte të tërin, njerëzit në rrugë më dukeshin si njolla që çvendoseshin turbull dhe unë si somnambul. O sa do të doja të isha në një si ëndërr, në një gjumë të thellë. Ora e vendosur në murin e zyres, me tik-taket e saj nuk ndjehej më. Ndjehej vetëm zemra ime që donte të dilte nga krahërori. S’kaloi asnjë minutë qëkur hyra në zyrë dhe ia behu drejtori. Bëra t’a përshëndesja si zakonisht, po ai veçsa tundi kokën dhe më kërkoi dosjen e tij. Pastaj doli sërish që andej. Mendova se mos kish ndodhur diçka që nuk e dija. Mbase...Po gjithsesi tani unë mendoja për dy gjëra: për Dean që ende s’po bëhej e gjallë në telefton dhe për autobiografinë që duhej ta dorëzoja të nesërmen në mëngjes. Telefoni, mbi tavolinë, që ishte sekondar me të drejtorit, as pipëtinte. Ashtu i zi, me kordonin e përdredhur, më ngjante me një bollë që shullahej mbi një rrasë guri. U mata e u çmata ta ngrija receptorin. E ngrita dhe e ula prap. Dea s’kishte se si të heshtëte kështu. Po unë a duhet të heshtja? E ngrita sërish receptorin dhe formova numrin e familjes së saj...Por drejtori, që s’e bënte kurrë një gjë të tillë, e kish kthyer telefonin nga zyra e tij dhe...

Pa kryer orari zyrtar e mbylla zyrën dhe dola. Kisha sa kujtime në atë zyrë që po ia ktheja krahët, aty ende ish era e Deas, buzëqeshja e saj. Ecja nepër rrugë. Shpirtin ma kish pushtuar zymtia. Mendoja se si t’ua japja atë lajm, pra kërkesën për autobiografi nënës dhe dajës Ahmet. Isha i bindur se nëna nuk do ta përballonte dot, pasi për mua tani gjithçka ishte e lexueshme. Nëna më pikasi sa ma çeli derën. -Çfarë të ka ngjarë, Taku? 86


Nuk kisha pse t’ua sillja rrotull. Nëna, që degjonte e ulur në minder, u drodh e nisi të qajë. -Unë duhet të largohem prej jush, sa më parë, që sot, - tha daja ahmet dhe ndërkaq sytë e tij, ata sy të bukur që nuk e kishin humbur rininë, më pushtuan të tërin. -Mirë me dajën, po me ty çfarë kanë? – pyeti më shumë vehten nëna se sa mua. Para asaj që tha daja Ahmet nuk ishte as e ndershme e as burrërore që të heshtja. -Daja Ahmet, ti s’do të largohesh. Është njëlloj edhe të qëndrosh, edhe të largohesh. Ti je daja im! Nuk ma kish marrë mendja kurrë që fjala ime t’i shkaktonte një trubullim të tillë, ta bënte edhe krenar, edhe ta mposhtëte. Ai që nuk i ishte nënshtruar vdekjes, të cilën kushedi sa herë e kishte parë në sy, para fjalës sime erdh e u bë fëmijë, madje për herë të parë unë pashë lot në sytë e tij. Nuk e lozte as topi. Tanimë ata dinin gjithçka për mua e për dajën tim dhe ajo e ashtuquajtura autobiografi nuk ishte gjë tjetër veçse një akt formular i largimit tim nga instituti. Edhe të isha i sinqertë në thënien time autobiografike, pra ta pronoja dajën tim, edhe të isha i “pasinqertë”, të përpiqesha ta fshihja atë, njëlloj do të ishte. Lufta e klasave më kishte futur edhe mua në vorbullat e saj. Fatkeq kishte qenë daja ime, fatkeqe nëna, fatkeq do të isha edhe unë. Ky ishte një ligj i pashkruar i të gjithë atyre që qoftë edhe njëherë të vetme kishin thënë “jo”. Po s’paska qenë e thënë ta gazoja jetën time, ta gëzoja Dean, atë që më fali të vetmet ditë të vërteta në jetën time. Daja ishte ngritur në këmbë, sikur atë çast ai kishte marrë një vendim të prerë e të padiskutueshëm. E për këtë fliste tërë qënia e tij. Ndërsa nëna, oh e mjera! Ishte bërë gur. Tash edhe loti sikur i ishte ngrirë në mollëzat e fishkura të faqeve të saj. -Do ta plotësosh autobiografinë dhe do të deklarosh se dajën që u lirua nga burgu e përzura nga shtëpia, pasi më mua nuk të lidh asgjë... Kaq tha daja im dhe kjo qe e mjaftueshme që nëna të lëshonte një piskamë që do të ligshtonte edhe burrin më të fortë. Syri i saj 87


i trembur lëvizte pa pra, sikur një llahtarë e padëgjuar më parë do të ndodhte në atë moment. Në mendjen e saj, në zemrën e saj, ajo që propozonte daja që ta zbonim nga shtëpia, vinte e mirrte trajtën e së vërtetës dhe kjo trajtë kishte vetëm një emër: turp! -Kurrë! – thashë unë me vendosmëri. Daja, duke parë syrin e çartur të nënës e trupin që i dridhej si një gjethe e tharë, i ishte afruar, e kishte marrë ndrykë dhe përpiqej ta qetësonte. Po tani edhe daja Ahmet qante. E me lotët e tyre u bashkua edhe loti im. Tre veta. Të nëmur e të qyquar. Qanim vehten, qanim njëritjetrin, në heshtje, pa zë. Po ai lot që na shkonte rrëkajë fliste, fliste kaq shumë. Fliste për fatin tonë të zi si korbi, për jetën tonë që s’pat kurrë të nesërme, një fije rreze shprese, për buzën tonë që nuk njohu gaz. Në lotin e nënës unë shihja ëndrra të vrara. Ëndrra të vrara edhe në lotin e nënës, ëndrra të vrara edhe në lotin tim. E mes këtyre ëndrrave, ashtu turbull, përmes lotëve që më shkonin rrëkajë, shihja Dean. Vallë, a do ta shihja më? E ndjeja dorën e dajës Ahmet në supet e mija. Edhe ajo dridhej. E kisha menduar më burrë. -Do të vijë edhe për ne një ditë e bardhë, Taku! – tha dikur ai. Gjithnjë kur nëna më fliste për dajën, unë e imagjinoja në buzë të një honi dhe atje një palë duar të pista i jepnin të shtyrën dhe e rroposnin në humnerë. Po daja Ahmet kishte luftuar në emër të një ideali, ndërsa unë...Unë ç’kisha bërë? Përse donin të më dënonin edhe mua? Përse donin ta dënonin edhe dashurinë time të sapo lindur? Ishim tre veta në atë dhomë të vogël. Ishim tri jetë. Dhe këto tri jetë dukeshin se nuk ishin në një dhomë, por në një varkë që dallgët e detit e kishin hedhur si cingël në shpinën e tyre. Qielli mbi ne vinte e mbyllej, bubullonte e shkrepëtinte për hata. Ku ishte bregu, ku?! “Do të vijë edhe për ne një ditë e bardhë, Taku!” Kuptoja dhe nuk kuptoja shumë gjëra ende. Por disa syresh i kisha të qarta. Gjërat minutë pas minute, orë pas ore, vinin e më ndriçoheshin. Më fliste edhe daja, më fliste edhe heshtja. Zëvendës 88


drejtori i institutit më bëhej se mirrte në telefon babain e Deas si shok që e kishte dhe t’i thoshte që hë për hë të mos e sillte vajzën në punë, derisa të sqarohej një problem biografik i kolegut të saj të zyrës, dikush tjetër interesohej të zgjonte edhe njëherë nga gjumi kërkesën e sekretarit të rinisë së rajonit për dorën e Deas... Ndjeja një dhimbje të papërshkruar në shpirt. E megjithatë diçka duhet të bëja. - Po dal, - thashë, dhe as nëna, as daja, nuk reaguan. Mbase e kuptonin se duhet të dilja patjetër. – Do të takoj një shok, shtova unë dhe sakaq u gjënda tek praku i derës. Edhe pse rigëtinte shi, s’doja t’ia dija. Ashtu zbuluar e bëra rrugën deri tek PT-ja e lagjes, që ishte jo dhe aq afër nga shtëpia ime. Tek formoja numrin e telefonit të shtëpisë së Deas, zemra më rrihte fort. -Alo! -Alo- nga ana tjetër. -Dea, më dëgjo...Ne duhet të bisedojmë... Ndjeva ngashërimin e saj. -S’të kam gënjyer kurrë, s’do të gënjeja përsëri...Të jesh e bindur se shpejt do të dije gjithçka rreth meje e familjes sime, pavarësisht nga çmimi që do të paguaja... Ndjeva sërish ngashërimin e saj. Pastaj telefoni u mbyll, “pipi-pi”. Ula receptrorin dhe mbeta aty si kukuth. Atë natë në shtëpinë time e kaluam zgjuar. Nuk kishte përse të dorëzoja autobiografinë. Gjithsesi do të më tregohej dera. Gjëja më e arsyeshme ishte të bëja dorëzimet e t’i jepja dorën kujt të ma zgjaste. Nuk duhet të harroja t’i jepja edhe Lumes në bufe një kanë uji që ia kisha marrë borxh, edhe Zhaverit t’i ktheja tamponin e vulës. Po kujt do ia bëja dorëzimet e zyrës sime? O Zot, ata në vendin tim mund të emëronin Dean! Çfarë t’u përshkruaj më kur ju mund të keni marrë me mend edhe shumë prej tyre. T’u përshkruaj përsëri fytyrën e ftohtë si mermeri të zëvendës drejtorit të institutit, keqardhjen e rezervat 89


që shihja në sytë e punonjësve të tjerë, Zhaverin që sa e mori vesh se po më zbonin u vodh nga zyra e tij dhe pa Zhan Valzhanin e ktheu me fund një gotë fërnet. Ndërsa lumja...s’desh ta besonte se po largohesha, syri i saj i madh erdh e u errësua dhe kana e ujit që i ktheva i rrëshqiti nga duart e ajo nuk bëri as përpjekjen më të vogël që ta shpëtonte pa u thyer. Dea nuk erdhi për të marrë zyrën në ngarkim, as pas dy ditësh kur më thanë që të shkoja. Atëhere iu dha urdhëri që provizorisht ta mirrte në ngarkim Zhaveri.

Kanë kaluar vite. Molla, degët e së cilës mbulonin të vetmen dritare të zyrës sime, pasi lulëzuan disa vite, ishin tharë e megjithatë askush nuk ishte kujtuar për ta zhgulur që andej. Ajo ashtu, pa një bulë, i ngjiste dashurisë sime të pa jetë. Dhe ishte interesant, që në atë pak kopësht që binte pas hyrjes së institutit kishte edhe disa pemë të tjera të thara, shkurre e ferra, që askush nuk kujdesej për t’i hequr. -Shumë ujë ka rrjedhur që atëhere, Taku, - më foli Avniu që s’më tradhtoi kurrë. – Ata që kishin për të dalë në pension kanë dalë, Zhaveri ka vdekur, ndërsa Zhan Valzhani s’është bërë i gjallë. Mbase ka vdekur edhe ai se e kishte do moshë, ndërsa Lumja është ndarë nga i shoqi, por është martuar sërish me një shofer urbani, ndërsa zëvendës drejtori është bërë zëvendës ministër... Po Dea? Kuptohet se ajo fillimisht punoi sekretare në institut, derisa u martua me sekretarin e rinisë së rajonit, se pastaj kreu me korrespondencë universitetin dhe e rregulluan aty, punonjëse shkencore. Po unë dhe daja im, Ahmeti? Me dajën në fillim punuam në fermën e Kamzës, më vonë arritëm ta fusnim kokën në ndërmarrje të Tiranës. Unë elektricist, ai karpantier. Ngaqë isha i rregjistruar me korrespondencë në universitet, e vazhdova rregullisht dhe si pak kush, me nota shumë të larta. E siç them shpesh, një pjesë e diplomës sime i takon edhe Avniut, pasi ai s’mu nda për asnjë çast, as për të më siguruar 90


leksione e libra nga më të rrallët, edhe duke më vazhduar kursin e anglishtes, të cilin ma ndërpreu vetëm kur u bind se s’kishte se çfarë të mësonte më. E ashtu, si njeri kërkues, ma futi edhe mua në gjak punën shkencore. Veçse unë punoja në heshtje, me shpresë se një ditë hulumtimet e mia do të shinin dritën e botimit. Pas një heshtjeje të gjatë, unë pranova të martohesha. Këtë e bëra më shumë për hatër të nënës, as tri vjet para se ajo të vdiste. Po me atë jetë të shkatërruar, një ditë edhe do ta përxillnim në banesën e fundit. Dhe vdekja i pat ardhë, siç mund të vijë një vdekje e ëmbël. Ime bijë, as një vjeçe, qante në shtratin e saj dhe ajo aty në divan ia kishte kërkuar gruas që t’ia çonte në prehër. Kishte vdekur duke ia lëmuar flokët e praruar, duke thënë si me këngë: “dea e nënës, Dea e nënës!...”

Ecja drejt institutit. Nga dera e tij hapeshin dy rrugë, një në të djathtë, një në të majtë. Se si më shkuan sytë nga rruga tjetër. Njoha Dean nga larg. Ecte me kokën e ulur, duke shkelur mbi gjethet e asaj vjeshte. Ndofta e kishte marrë vesh se unë po filloja aty punën dhe...mbase në atë rrugë nuk do të shkelte më kurrë... Se s’kishte si të ndodhte ndryshe.

Shkodër, 1994-97.

91


SHKRETËTIRA E SHPIRTIT Shtëpia e Korabit ose e Korbit, si i thërrisnim të gjithë, ngrihej buzë liqenit dhe unë e disa shokë të tjerë, me të kryer mësimet, mirrnim vrapin për nga ajo. Ndoshta ishte kjo arsyeja, ndofta edhe pse nëna e tij na gostiste me ç'ti gjëndej në shtëpi, se kishte shpirtin, po edhe gjëndjen e mirë. Babai i Korbit punonte peshkatar në ndërmarrjen e peshkimit; punonte shumë, po edhe fitonte shumë. Kishte raste, sidomos kur zihej gjuhca, që ai mirrte në muaj aq tq holla sa ç'mirrte njëheresh aq të holla sa ç'mirrte im atë gjatë gjithë vitit. E gjithmonë na qeraste edhe ne, shokëve të të birit, na jepte të holla të shkonim në kinema, të blinim gurabije apo pasta dhe njëheresh nuk harronte të na blinte edhe një top futbolli. Ndryshe nga prindërit tanë, ne, shokët e tij, e shihnim mirë se nëna e babai i Korbit, si të thuash, bënin kryq pas tij. Ishte djalë i vetëm në pesë motra dhe ia plotësonin çdo dëshirë. Ndofta, duke përfituar nga kjo, ai qe llastuar disi në jetë. Po sidoqoftë, shpirtin e kishte të mirë, për shokët linte kokën dhe unë këtë e dalloja qartë, sidomos në marrëdhëniet me mua. Ndofta se na pat lidhur edhe një ngjarje që pat ndodhur kur ishim në vitin e dytë të gjimnazit... Njëra nga motrat e tij, Suzi, e vogla, ishte në maturë. Qe me sy të bukur, sikur burimi i liqenit e kish amën aty. Po ja që ata sy të kaltër kishin turbulluar një student nga Tropoja, i cili, ngaqë Suzi nuk i ish ndalur në rrugë, kish guxuar ta zinte me përdhunë për dore. Dikush e kish parë e me një frymë tek Korbi. Kështu e 92


kështu. Ai qe ndezur prudh në fytyrë, se të gjithë kemi gjak shqiptari dhe e dijmë se sa e rëndë është të vijë tjetri e të thotë se dikush të ka cënuar në nder. Ngaqë tropojani qe një halabak aspak i këndshëm, Korbi vrap e në shtëpinë time. Unë, që në atë moshë nuk ia përtoja të zihesha e aq më shumë për nderin e familjes të një shokut tim, u tregova më kavalier se duhej dhe o burra, drejt "duelit". Kështu, pa kaluar as dhjetë minuta dhe u vumë përballë halabakut. Ai, sa njohu vëllain e Suzit, u bë si meit, e humbi pusullën, ndofta edhe pse e donte me mënyrën e tij motrën e Korbit, dhe grushtat e parë që i vinin si breshër prej nesh i përballoi i bërë kulaç. Pastaj, siç dukej, kur i thirri mendjes se ne të dy s'ishim fizikisht as sa gjysma e tij, qe vonë, në rrugë erdhën e u mblodhën ca njerëz që na hynë në mes dhe mbaj mend se vetëm unë pata ngrënë një grusht prej tij që ma çau vetullën e syrit të djathtë dhe këmisha e bardhë m'u bë me gjak... Po e gjitha kjo i takonte asaj periudhe të artë e të paharruar që quhet adoleshencë. Tashti më rrallë shkoj në shtëpinë e Korbit, sigurisht që jemi rritur e s'na mbledh një top në një rrugicë, as romantika e liqenit, as ai grushti me kullana që na jepte nëna e tij e mirë. Jeta na ndau për do kohë. Unë ndoqa universitetin, më pas shërbeva mësues në një fshat dhe vetëm kur botova librin e parë me poezi, u gjet një shkrimtar me emër që të ndërhynte në zyrat e shtetit dhe të më transferonin në qytet. Ndërsa Korbit nuk i pat ecur në mësime dhe rrapa-shkrup mezi e hodhi maturën. E pëlqente shumë letërsinë, ai dhe unë ishim "kampionët" e klasës në leximin e librave artistike dhe po aq e "urrente" trigonometrinë dhe algjebrën. Mësuesi i letërsisë linte kokën për ne të dy dhe ishte zënë keq me mësuesin e matematikës, i cili kishte guxuar të hidhte në tavolinën e këshillit pedagogjik mendimin për të mos përfshirë në provimet e pjekurisë Korbin. Po gjithçka shkoi si jo më mirë, Korbit në provim të trigonometrisë e të algjebrës i dhamë kopje sa për të hedhur lumin. Më pas punoi me të atin peshkatar, u mërzit dhe hyri në një ndërmarrje. Sidoqoftë kur takoheshim, ndjeheshim mirë me njëri-tjetrin. Nëse unë kisha arritur një shkallë më lart se ai në formimin 93


shkencor e kulturor, ai me leximet e vazhdueshme, s'kish mbetur dhe aq prapa sa ç'mund të mendohej. Mbi të gjitha më lidhte jeta e fëminisë dhe e gjimnazit. Korbi vazhdonte të më quante shokun e tij më të ngushtë. Ndofta edhe nga kjo më pat ftuar në dasmat e motrave të tij e që të më diferenconte nga shokët e tjerë që mbushnin një tavolinë të gjatë, më pat marrë edhe krushk. Kish mbetur pa u fejuar vetëm Suzi, e cila, ndryshe nga motrat e tjera, mësoi mirë, kreu studimet për mjeksi e si punoi ca kohë në një fshat, vazhdonte specializimin në Tiranë.

Atë ditë ndjehesha i gëzuar, mbase më i gëzuar se asnjëherë: nga ndërmarrja e botimeve më pat ardhur përgjigja që do të ma botonin romanin që u pata dërguar. Sa s'fluturoja nga gëzimi. Nxitova t'u tregoja njerëzve të shtëpisë e sidomos nënës, e cila shqetësohej për shëndetin tim, pasi më ish bërë një zakon që të shkruaja vetëm natën. Shpesh më qëllonte që pasi mbushja dhjetra fletë të bardha e qëndroja gjithë natën me cigare e kafe, në mësim më hapej goja, derisa nxënësit, në grupin e estradës, më patën imituar. Nëna, si gjithë nënat, u gëzua sa s'ka. -Tashti edhe nusen! – uroi ajo. -Beni, sot tri herë ka ardhur Korbi, - më tha Vera, ime motër. -Çfarë tha? -S'tha gjë, po dukej i shqetësuar. Të pret tek Kafja e Vogël. Nuk e di, po sa e mora përgjigjen për romanin, mendja më pat vajtur tek Korbi. Kisha kapur një nga majat e krijimtarisë sime e doja ta festoja. Po si gjithnjë isha lehtë me të holla. Edhe pse rrogën e kisha të mira, ç'më tepronte i blija gjithë libra artistikë e fjalorë. E atë ditë, tek shkoja në shtëpi me gëzimin në shpirt, mendova t'i kërkoja Verës një borxh të vogël, sa të kthenim me shokët ndonjë gotë. -Vera! Vera punonte në ndërmarrjen artistike, shpirtin e kish të ndjeshëm dhe asnjëherë nuk m'i mirrte lekët që m'i huante. Kështuqë nuk pata nevojë t'i thoja se sa lekë doja, më futi 94


një kartmonedhë në dorë që më bëri trim dhe ashtu, turravrap iu afrova Kafes së Vogël. Kafja e Vogël ish bërë si një qendër e shkrimtarëve dhe artistëve të qytetit. Çmimin e kish pak më të kripur se të lokaleve të tjera, po gjene mirë, kishim gjetur rehati nga bisedat e rëndomta e klithjet në lokalet e tjera ku rakia tregtohej më lirë e mezetë ishin më popullore. Në shoqëri me ta vinin edhe njerëz të shtresave të ndryshme shoqërore, shpesh nga ata që inamoroheshin pas shkrimtarëve e artistëve, piktorë-dizeniatorë të ndërrmarrjeve e korrespondentë vullnetarë të gazetës e radios lokale. Klientela pra ishte e njohur dhe e zgjedhur, aq sa banakieri e kamarieri e dinin nëse unë e pija me pak apo me shumë, konjakun e doja të Shkodrës apo të Korçës, cigaret i pija "DS" apo "Gent". E në këtë rreth ish futur edhe Korbi, i cili, ndryshe nga të tjerët, shquhej si kavalier që nuk linte kënd për të paguar në tavolinë, si djali i Hasan peshkatarit. Hyra me një frymë dhe Korbin e gjeta në një tavolinë andej nga qoshja e Kafesë së Vogël. Përnjëheresh më bënë përshtypje sytë e tij të skuqur dhe një si hije e verdhë që i kishte rënë. Po më shumë mbeta i befasuar nga dy gota të zbrazura dhe nga një e mbushur me konjak. Kjo edhe për faktin se Korbi nuk pinte kurrë më shumë se një dopjo. Pa u ulur mirë dëgjova se bëri porosinë dhe më zgjati karriken. -Ku dreqin e gjete sot të zhdukeshe! Kam dy orë që po të pres! -Isha në kursin e anglishtes. -Kisha harruar se sot është e mërkurë. E ngatrrova me të enjten. Gjithçka është ngatrruar dhe bërë lëmsh. Edhe nga këto fjalë e nuk ishte e vështirë të kuptoje se diçka kishte ndodhur, një diçka që e kishte trazuar jetën e paqtë të Korbit. -Po ti, pse hyre vetëm?! – se si e pyeta unë. -Po ku të shkoja? -Si ku të shkoje? Të shkoje në shtëpi. -Te kush? Mora gotën që më solli kamarieri me një sy pyetës për Korbin, e ceka me të dhe rrëklleva një hurm, kur Korbi e ktheu me fund. 95


-Pse, nuk e ke nënën në shtëpi? – pyeta unë, ngaqë e dija se i ati vazhdonte të gjuante me ditë të tëra në liqe e të flinte me ditë të tëra tek shtëpia e peshkatarëve në bregun matanë. -Nënën? Dora e tij shtërngoi gotën sa desh e theu. -Nënën? Po cilën nënë? -Korb? Ç'flet kështu? -Kam pirë tri dopjo. Tani do të pij edhe të katërtën, më pas të pestën, të gjashtën, po nuk jam dejshëm. Jam i pirë, po jo i dehur. -Ndize një! – i thashë. E vërejta në fytyrë. Edhe pse jashtë bënte ftohtë e frynte një erë si brisk, në ballë i shndrisnin disa sumbulla djerse. -Nëna më vdiq, Beni! Edhe babai. Edhe motrat e martuara. Edhe Suzi. Edhe dajat, edhe hallat, edhe xhaxhallarët, edhe tezet, të gjithë, të gjithë. Më ke mbetur vetëm ti dhe kjo gotë me helm. -Hajde, mos na çaj kokën! – iu solla unë, i bindur se gjithçka thoshte ishte nën efektet e alkoolit. -Ti je shkrimtar, Beni dhe kjo që më ndodhi mua mund të të shërbejë si tragjedi. -S'po marr vesh asgjë, Korb, - thashë, tani i bindur se gjithsa tha mund të ishte produkt i ndonjë zënke në familje, të ndonjë zënke që i kishte kapërcyer caqet e pranueshme dhe, më pas, edhe i efekteve të konjakut. E shikova në sy. Ata ishin gjithë lotë. Gjoksi i hidhej dhe dora, tashmë e mësuar me punë fizike, i dridhej si ajo e një gjimnazisti mbi dorën e shoqes së klasës. Dora e tij zuri dorën time. Nga ajo ndjeva rrahjet e pulsit të tij. -Vetëm ti më ke mbetur i vërteti, Beni. Të gjithë të tjerët janë të gënjeshtërt, kallp. Sozia e nënës, sozia e babait, sozitë e motrave, të tezeve, dajave, xhaxhallarëve... E ngrita një hurm konjak dhe e ndjeva trishtimin e pafund të shokut. -Korbi, nuk bën kështu, - moralizova unë. – Të gjithë grindemi në shtëpi herë për një problem e herë për një tjetër. Unë vërtetë vetëm një motër kam në shtëpi, Verën, po sa herë jemi grindur, aq 96


të mira paçim, - gënjeva unë, si të të dashur t'ia largoja të keqen që e kish zënë, edhe pse e dinte se pak kush shkonte si unë e Vera. -Nuk është punë grindjeje, - tha më në fund ai dhe u shkreh në vaj, aq sa tërhoqi vëmendjen e dy tavolinave pranë, të një poeti harrakat me dy adimrues të tij, të redaktorit të radios lokale dhe të dy veteranëve të futbollit. I shtërngova dorën, i mbushur edhe unë në djersë, më shumë nga turpi që më zuri për të e nga shqetësimi që u sollëm tavolinave të tjera. -Hajde, mos bëj si fëmijë, Korb, nuk bën burri kështu... -Po kam një javë që përplasem me vehten, Beni, plot një javë që nuk flë, që nuk dal në punë, që pi si shtazë klubeve të periferisë. Çdo sekondë që kalonte e kuptoja se ai vërtetë kish një hall të fortë dhe më shumë se gjithçka mendja më shkoi te motra e tij, Suzi. M'u kujtua përleshja e dikurshme me halabakun që e kishte gërga Suzin, vetulla ime e çarë e këmisha e gjakosur, përshtypja që pat bërë tek të gjithë ky akt i lartë "trimërie" i imi e sidomos tek babai i Korbit, i cili, si çdo peshkatar, e pat të zhvilluar ndjenjën e solidaritetit e të shoqërisë pa interes. -Tani ne jemi burra, - se si më doli mua kjo shprehje, i bindur se ai do të më kërkonte sërish ndihmë për Suzin. -Sado burrë të jesh bëhesh fëmijë para asaj që do të tregoj, Beni. Desh ta ngrinte edhe njëherë gotën, po unë nuk e lashë. -Më jep një cigare, - tha dhe unë vërejta sërish dorën që i dridhej. Pasi e ndezi, e thithi fort dhe në shëllungat e tymit të cigares që u lartuan në formë spiraleje unë enda ëndërrimin tim sërish për Suzin, sikur ajo mbase kishte mbetur shtatzënë dhe ua kish lënë kopilin tek dera e, për qytete si ky i yni, një veprim i tillë ish vdekje e shkuar vdekjes për një familje e një fis të tërë si ai i peshkatarëve. Po ndërkaq hamendësinë time ma rrëzoi logjika më e thjeshtë se një mjeke e re aq e zonja si Suzi nuk kish se si të mbetej ashtu, papandehur me barrë. 97


I hodha edhe njëherë shikimin Korbit dhe e ndjenja se ai donte të shfrente me dikë, t'i hapte zemrën, të lehtësohej e të kërkonte mendim, po diçka, një si ngërç e kish kapërthyer të tërin, nuk kish forcë ta hidhte atë hap e ta hapte atë bisedë. Atëhere unë, si për të dashur ta ndihmoja, e pyeta, i bindur se ujin do ta vija në brazdë që ai të rridhte i lirë. -Nga Suzi a keni marrë vesh? Kështu e pyesja gjithnjë, duke e konsideruar edhe unë Suzin si një motër të madhe. Dhe t'ua them sinqerisht ia kisha zili Korbit me një motër të tillë aq të bukur e tani edhe mjeke të zonjën. Më shikoi me një palë sy që më gozhduan të tërin. -Nuk është puna tek Suzi, Beni! – tha ai me një logjikë që i kapërcente parashikimet e mia e bindjen se kisha përpara një Korb të dehur. -Po atëhere, çfarë ka ndodhur, se po më çmend edhe mua?! Korbi ofshani sërish thellë, sikur donte të thithte gjithë ajrin e asaj dite. -Ajo që s'i ka ndodhur askujt në qytet, Beni. E kuptova se kishte ardhur çasti që ai të ma hapte zemrën. -Para një jave vdiq baca Fetahu, - tha qetë ai, po me një lloj indiferentizimi ende të paspjegueshëm për mua, sikur të fliste për një njeri të rëndomtë e jo për një nga njerëzit më të respektuar të qytetit e mikun më të ngushtë të familjes së tij. -E di, - iu përgjigja. -Para një viti ti ke shkruar një baladë për të, që është botuar tek revista "Ylli". -Ishte një nga veteranët më të njohur të qytetit. I dy luftrave. Korbi më shikoi me sytë e tij zhbirues. -Po ka një luftë më të madhe se të përgjakshmet, Beni, është lufta për të qenë njeri gjithë jetën e jetës. E shihja se lëmshi i ngjarjeve sa vinte e bëhej më intrigues. Se pas Suzit, vinte e shfaqej ashtu si papritmas, veterani më i nderuar i qytetit tonë. -Një natë para se të vdiste erdhi dhe më kërkoi tek porta e ndërmarrjes nipi i baca Fetahut. E dija se babai kishte miqësi me baca Fetahun, ose më mirë gjyshi im kishte qenë krah i djathtë i tij 98


në të dy luftrat. Nuk kishte gëzim a hidhërim në shtëpinë tonë që në krye të vendit të mos ishte baca. Më bëri përshtypje se përse ai nuk erdhi të më takonte në shtëpi, por atë çast nuk i kushtova asnjë rëndësi. Mbase, mendova, i ka rënë rruga andej dhe më kërkoi. Mora leje në punë dhe shkova me nxitim pas nipit të tij. Në shtëpinë e bacës ish një heshtje mortore, edhe pse s'kish kërkund shenjë vdekjeje. Kur unë hyra në dhomën ku shtrihej ai, nipi doli që andej si duke u vjedhur e duke mbyllur derën nga pas. -Ulu! – më tha baca. Kisha dëgjuar shumë nga babai të flitej për të, kisha lexuar edhe balëdën tënde. Para meje ai ishte një hero dhe nuk e kuptoja dot se për ç'amanet të tij bëhej fjalë, pasi tek vinim drejt shtëpisë, nipi i baca Fetahut më tha se gjyshi kishte një amanet për të më lënë mua. I putha dorën me respekt dhe u ula mbi një postiqe. -Sa vjeç je? – më pyeti. -Njëzet e katër! – iu përgjigja. -Tamam burrë! – tha ai me një ton autoritar që të bënte për vehte, duke e shkoqitur mirë çdo rrokje e duke i dhënë një timbër krejt karakteristik, tamam si burrat qëmoti. Unë se si vura buzën në gaz. -Përse qesh? – më pyeti. -Burra kanë qenë përpara, bacë... Ai më shikoi dhe unë sikur u çarmatosa. -Edhe nëse nuk e ndjen vehten taman burrë, vjen një çast në jetë që duhet të bëhesh i tillë... Nuk e di, po sërish u stepa. Edhe unë tek e ndjeja Korbin, sikur isha stepur e bindesha se ai vërtetë nuk ishte aspak i dehur. -Jam me një këmbë në varr, more bir, - e zu sërish baca fillin e bisedës. – Kam do kohë që nuk flë. Edhe mosha po se po, por edhe se nuk mund të shkoj kështu, siç shkojnë të gjithë tek të shumtit me një të fshehtë që po më përvëlon. Nuk po kuptoja Beni asgjë. Më dukej se ajo dhomë, që ish karakteristike jo vetëm si ndërtim, po edhe me çfarë mbante brenda, fshihte një mister. 99


E shikova në fytyrë baca Fetahun, si për t'i parë më nga afër atë që e kish bërë hero, plagën e shpatës së jeniçerit që mbante përgjatë fytyrës, dhe ai, si të ma lexonte dëshirën time, vazhdoi: -Atë plagë ma dha në mes të qytetit një jeniçer. Isha i ri, kaq sa ti. Më gjetën një flamur. Më rrahën në mes të qytetit, se nuk pranova ta shkelja me këmbë. Më quajtën kaurr, pjellë të shejtanit. Jeniçeri, ashtu siç isha i shkrramë në pluhur e pa ndjenja, desh të më bënte një kryq në ballë. Po shpata nuk i mori për mirë e ndofta pse pas vizatjes së parë, fytyra ime lëvizi. Ai bëri një pauzë, ose mbase dhe nga që nuk ish i përgatitur ta risillte në kujtesë atë që e kish bërë aq të përmendur. -Sigurisht që këtë histori ti e ke dëgjuar me qindra herë. Pra, është një plagë që më la shenjë, një plagë që u mbyll shpejt. Nuk po e kuptoja ende se ku donte të dilte baca Fetahu. -Po ti? – më pyeti. – A ke ndonjë plagë në trup? -Jo, - iu përgjigja unë. -Sigurisht që njerëzit që nuk kanë marrë pjesë në luftra nuk ka përse t'u kërkosh plagë dhe ata që i tregojnë plagët pas luftrave nuk janë patriotë. Më shikoi e ma zgjati kutinë e tij të duhanit. -Nuk e pi, - i thashë unë, edhe pse ndonjë e ndez me ty, - m'u drejtua Korbi mua, - po më shumë nga respekti që kisha për të. -Pije, se duhet ta pish! -E mora një cigare të dredhur nga të kutisë dhe si për çudi edhe kafenë që kish sjellë i nipi, ndryshe nga tradita që në të gjitha rastet i sillnin gratë apo vajzat e shtëpisë. -Kështu, pra, biri im, sot që jam me një këmbë në varrë thashë të të thërras njëherë e të të rrëfej ty e askujt tjetër një të fshehtë...një të fshehtë që s'e di askush veç meje, se edhe ajo që e dinte ka dhjetë vjet që kallet nën dhé. Korbi mori frymë thellë. -Kaq tha baca Fetahu, Beni, dhe unë seç ndjeja në shpirt, një si trysni ndjenjash që i ngjanin dallgëve të liqenit që kreshpohen e kreshpohen në pafundësi. Asgjë s'po mirrja vesh: në ato sekonda plot tension e dramacitet mendja me shkonte në vitet e luftës për liri, pasi baca Fetahun unë gjithnjë e lidhja me turkun e fashistin. 100


Po tek përmendi edhe një grua apo vajzë që e dinte atë të fshehtë dhe kish vdekur, fantazia ime erdh e u vyshk. Sigurisht që atë të fshehtë duhet ta ketë ditur gruaja e tij. Korbi ndezi edhe një cigare tjetër dhe duke e thithut me afsh, vazhdoi rrëfimin: -Ndofta do më mallkosh, o bir, ndofta edhe do të më falësh, po gjithsesi unë këtë të fshehtë që po më djeg thellë në shpirt s'mund ta marr me vehte, - përsëriti baca. Sigurisht që ai diçka priste nga unë, ndofta që t'i jepja fjalën e burrit se sido të ishte e fshehta unë po si burrë do ta përballoja. Asgjë s'po mirrja vesh e tashti asgjë nuk mund të imagjinoja. Kisha hyrë edhe unë në vorbullën e tregimit të Korbit. Sigurisht që nuk kisha atë gjendje të rëndë tensioni si ai, po gjithsesi e ndjeja se edhe unë cigaret po i ndizja njërën pas tjetrës dhe dopjos së konjakut i kisha dhënë fund sikur të ishte ujë. -I kujt je? – pyeti beftë baca dhe unë shtanga. Shtanga pasi deri atë çast mendimet i kishte të kthellta, si gjithmonë dhe tashti më bënte një pyetje si prej të rrjedhuri. Jo unë, po ai më kishte thirrur përmes nipit të tij. Pra e dinte fort mirë se i kujt isha. -Baca Fetah, po unë jam djali i Hasan Peshkatarit, nipi i Oso Peshkatarit, shokut tënd më të ngushtë, - iu përgjigja me naivitet. -I Oso Peshkatarit, - pëshpëriti si i përhumbur. Eh, ç'burrë njëqind derhemësh ka qenë ai! E kisha vërtetë shok kryekreje! Edhe vllezër gjaku! Bashkë në gëzime e në luftë...Po ç'e do! Vika një ditë, vika një çast në jetë e gjithë ajo ç'ke bërë i ngjet asaj lope qumështore që e mbush kovën plot pas së mjeli dhe i fut në fund një shkelm e të lumshin krahët!, - tha ai e unë ndjeva një dhimbje për vuajtjen e tij. E shihja se çdo fjalë kalonte përmes një stërmundimi që ai plak i kahershëm, si një rrap shekullor, nxirrte para meje, stërnipit të tij. -Baca Fetah! – ndërhyra unë më së fundi, si të desha ta lehtësoja – thashë se jam burrë dhe çfarëdo të jetë do ta pres si burrat, - u zotova, i bindur se një e fshehtë që ai donte të ma besonte lidhej me gjyshin tim, Oso Peshkatarin...Ndofta një pasuri që kushedi se në ç'guvë të liqenit fshihej... "Ka plot vjet që eci me tri këmbë, o bir, që një qytet e një 101


Shqipëri me nderon e më puth dorën dhe unë sikur u mësove me të gjitha ato ndere që më bëheshin...Po a i kam merituar ndonjëherë?", pyeti ai dhe ashtu, mes rrudhave të thella të fytyrës së tij unë pashë një kristal loti të rrëkëllehesh teposhtë faqeve të zbehta..."Se unë, o bir, duke dashur të bëj mirë, kam bërë një krim..." Se si ndjeva një tronditje në brendësi të shpirtit, sikur diçka atje rrokollisej me rropamë. Tashmë isha i bindur se baca Fetahu do të më rrëfente ndonjë histori, që domosdo lidhej me gjyshin tim. Më kish pushtuar duart e mija në të tijat, si dy rrënjça lisi që dridheshin. 'Jam plak e s'e përballoj dot, po ti që je i ri e burrë duhet të më japësh forcë e kurajo të ta them atë të fshehtë që po më djeg tash 24 vjet, bash qysh atë ditë që ti erdhe në jetë", - tha ai dhe gjoksi i dridhej. Tashti sikur gjërat po vinin duke u kthjelluar dhe në vorbullën e parë e largoheshin të tjerët dhe dilja unë. Unë dhe e fshehta e tij 24-vjeçare. "Oso Peshkatarin e kisha vëlla e shkuar vëllait. Edhe jetën e jepja për të. Po edhe ai për mua. Jeta i kish ardhur mbarë, punuan sa kohë me të birin e vunë ca para mënjanë, se zanati i peshkatarit ua kalonte zanateve të tjera. Pa edhe shtëpinë e re e bënë në breg të liqenit, aty ku e kanë tani". Gjatë atyre fjalëve sikur parandjenja një stuhi që afrohej. Një si re e zezë erdh e u shfaq në horizont...Shtëpinë aty ku e kanë tani...Sikur unë të mos isha i peshkatarëve... "Gjithçka i erdhi për mbarë, gjithçka Osos, sa edhe mua më pat ndihmuar, besa shpesh edhe me të holla, se vërtetë pushteti më nderonte e më respektonte, po ama pensioni aq më mbeti sa ç'e pata e dy djemtë muratorë mezi e përballonin jetën. Po shyqyr zotit që vathën e patën plot me vasha e me djem...Kurse i biri i Oso Peshkatarit po digjej për një djalë...Vajzat i jetonin, i kish topçe, si shega devedishe, kurse djemtë i vdisnin sa dilnin në jetë...E shihja Oson si po tretej, se ti që ke aq vjet në atë shtëpi e di se ç'do të thotë që një peshkatar të mos ketë djalë...Është njësoj si t'i 102


thahet liqeni ku ka peshkuar një jetë të tërë..." Baca fliste dhe unë e ndjeja se edhe mua po më shterronte baseni i liqenit..."Se ti ke plot 24 vjet në atë shtëpi"...Ai më fliste sikur unë të mos isha bir i asaj shtëpie, sikur të isha një qiraxhi... Korbi ofshani thellë. Vorbulla e asaj ngjarjeje po më përfshinte edhe mua. Dikush hyri në klub dhe harroi derën çelë. -Mbylle, Bushi, - iu drejtua njëra tavolinë kritikut të estradës dhe tjetri, si në përshëndeti, bëri një prapaktheu në formë piruete dhe mbylli derën. -E marrim edhe nga një kafe, - propozova unë. -Mirë, - tha Korbi dhe rrëklleu ç'i kish mbetur në gotën e konjakut. -Urime për romanin, Beni! – u dëgjua zëri i Pjetër Shkodranit, shkrimtarit humorist të qytetit, që shquhej nga të gjithë të tjerët për lidhjet e ngushta që mbante në Tiranë me redaksitë e gazetave e shtëpive botuese. -Falemnderit! – ia ktheva unë. -Epo, urime Beni! – ia priti edhe një tavolinë tjetër. Ishin nja shtatë veta në klub. Porosita kafetë dhe nga një teke konjak për ta. -Ishalla fiton edhe në konkursin kombëtar! – uroi një tjetër, teksa një i tretë plotësoi se çmimet, si gjithnjë, nuk udhëtojnë dot as në Shkodër e as në Korçë, se ftohen rrugës dhe kështu kanë vendosur edhe sivjet të qëndrojnë në Tiranë. Dikush ia dha gazit pas humorit që u bë dhe ndofta kjo na shërbeu edhe mua e Korbit për t'u qetësuar disi. -Tani Beni, - vazhdoi pa ndërprerje Korbi, - diçka po dalloja në rrëfimin e plakut. Se në atë ngjarje katër veta ishin protagonistë, siç i thoni ju shkrimtarët, ai, gjyshi, Oso Peshkatari, gruaja që kish vdekur dhjetë vjet më parë dhe unë... Ndexa sërish një cigare. Baca sikur po vinte duke e shkarkuar barrën që kishte dhe tani nuk ofshante si më parë. "Nuk e di se me ç'sebep, po pata shkuar për vizitë tek Osoja...Më pritën siç dijnë të presin ata...Po buza nuk u qeshta e 103


rrinin si ndër grepa...Nusja e të birit sillej nepër odë si një kosh dhe zemra e Osos sikur qante... Po ti je burrë, bre Oso, e këta janë punët e Zotit, nuk rregullohen të gjitha me dorë... E jap një krah, jap gjithçka, ofshante Osoja, veç im bir ta ketë një djalë, thoshte ai. Denbabaden kemi pasur djem...Edhe zanatin e kemi trashiguar, edhe pushkën ka pasur kush ta shkrehë... Më trego kur të shtoheni, Oso, se i i thashë. Po kam qejf që nipit tënd t'ia vë unë emrin...A e mban mend atë partizanin që e kishte emrin Korab, atë që u vra në Prishtik? Ishte djalë trim. Korab Peshkatari, pat thirrë Osoja dhe sytë i përshkënditën". Ndërkohë që po bisedonim, diku pas shtratit të tij u ndje zilja e telefonit. Ai e mori receptorin me mundim. Një redaktor i radios kërkonte t'i mirrte një intervistë. E kuptoja se sa të vështirë e pat t'i thosh gazetarit se ishte i zënë e nuk kishte tani kohë ta priste... "U ktheva atë natë me pezm në shtëpi, - vazhdoi rrëfimin e tij baca. Ndofta edhe nga që im bir me grua e fëmijë kishin shkuar tek i vjehrri në Lezhë e shtëpia m'u duk shkret. Kështu, mendova, ka për t'iu shkretuar edhe Oso Peshkatarit shtëpia, se mbesat do t'i martojë një e nga një dhe... Se si më shkrepi diçka në kokë. Në qytetin tonë kush nuk e njihte maminë e vjetër, Marien. Me Frederikun, të shoqin, ruaja një miqësi të hershme. Hynim e dilnim tek njëri-tjetri për festa, në gëzime e hidhërime. Ai mbahej mirë dhe shpesh vinte dhe më shihte e pinte kafe me mua...Po si gjithnjë, me xhentilencën që e karakterizonte, para se të vinte, i binte njëherë telefonit... U ngrita dhe e kërkova në telefon...Dhe si të më dilte bash në shteg, m'u përgjigj Maria që gjindej rrallë në shtëpi. Më prit, i them, se po vi të pij një kafe...Zërr-zërr i bie prap telefonit e marr një kushëri në telefon që është drejtor dhe ai nuk vonon e më çon makinën e tij. Jo për t'u kapardisur si disa veteranë veturave, po se me shtëpinë e maries jemi skaj më skaj të qytetit. Shkurt, si piva kafenë që më bëri Maria, i them: "Dua një nder prej teje". Asaj sikur i ndritën sytë që më së fundi do të më shërbente. 104


Më dëgjoi ç'i thashë. Në fillim e ndjeva turbullimin që pësoi, pastaj sikur e mori vehten. "Baca Fetah, më tha, ajo që më kërkon zotëria juaj edhe mund të bëhet, po nëse na kombinohet që të lindin dy-tri gra njëheresh e të kenë djem fëmijët e parë". Pra, unë i propozova Maries që nëse nusja e Peshkatarëve lindëte sërish vajzë, pa dijtur gjë askush në botë veç meje e Maries, fëmija t'i ndrrohej dhe, në vend të vajzës, t'i vihej në prehër djali. Ika nga shtëpia e Maries dhe që nga ai moment e deri më sot ndjeva një peshë të rëndë, po herë-herë edhe një boshllëk që më krijohej në gjoks. Më dukej se isha çbërë. Se duke dashur t'i bëja një të mirë Oso Peshkatarit, po bëja një krim. Më dukej se jo unë, po brenda meje një tjetër njeri më kish urdhëruar të veproja ashtu. Dy-tri herë iu pata drejtuar telefonit me mendimin që t'i thoja Maries që ta linte atë punë, po më vinte turp nga vetja e nga ajo. Në fund të fundit, arsyetoja, kishte plot nëna me djem që kërkonin vajza...Kështu, duke më therrur fort shpirti kaloi ajo natë, kaloi edhe një tjetër disi më e lehtë... Pas tri ditësh, pa zbardhur mirë e më troket dera. Ç'të shoh? Oso Peshkatarin. Pa hë? – e pyes. Atje është, më përgjigjet. E shtruan në mesnatë. Po s'më zuri shtëpia e thashë të vij tek ti. Ngaqë të mijtë ishin në Lezhë, i bëra një kafe të fortë. Të shkoj atje tek materniteti më vinte turp, tha ai. Po ti ke telefon në shtëpi e t'i pyesim për nusen prej këndej. Pije njëherë kafenë, i them. Pa atë punë e kryej unë çëkfëk. Më ka jetën në dorë nusja e djalit, Fetah. Në më lindtë Korabin, ma ka zgjatur jetën, në lindtë prap vajzë, s'e kam të gjatë as një mot... Mo, he burrë, i them si për ta ngushëlluar, zemra më ndjell për mirë...e nusja ka për të shendue me një djalë... Nusen e kam për zemër, Fetah. Edhe mbesat më duan e më hatrojnë. Po ka dhjetë vjet që s'kris diçka në shtëpi, që s'thyhet një xham, që s'bërtet dikush, që s'përplaset një derë, që s'vjen një djalë komshie të luaj në oborrin e shtëpisë... 105


E kuptoja shqetësimin e shokut tim. Ai burrë që s'e kish mposhtur një jeta e vështirë në liqe, ish tkurrë e bërë si një ferishte. Pa hë, më tha pas nja dy-tri minutave, merre një herë telefonin, se për të madhin Zot bakshish mbi bakshish po merr kush të dalë në anën tjetër të telit e të na japë haberin e djalit... E ngrita receptorin dhe kërkova drejtorin e maternitetit, i bindur se ai nuk gjëndej në atë orë në zyrë. Ai ishte me shërbim në Tiranë dhe me mirësjellje dezhuri më spjegoi se në atë ças në maternitetit nuk kishte dalë ende personeli dhe në shërbim ishte vetëm Maria, pasi ua kish lënë me porosi që kur të vinte për lindje një grua me mbiemrin Peshkatari, t'i bënin zë edhe në mesnatë qoftë...Po Maria ishte e zënë tani pasi priste dy gra të lindnin njëheresh...Më premtoi se do të më mirrte vetë në telefon sapo të lirohej... Po nusja e Peshkatarëve a ka lindur, e pyeta taksa shihja fytyrën e Osos që ish ngurrosë. Jo, deri tashti nuk ka asnjë lindje, baca Fetah, më thotë dezhuri, por po të lindë të marr unë në telefon. Kështu që disi e vumë punën në vijë. -Pijmë edhe një kafe tjetër, - i thashë unë, i bindur se Osos edhe një gjym me kafe t'i vije, ai do ta pinte pa e dijtur se ishte ujë apo ç'ishte tjetër. Nuk zgjati as pesë minuta dhe zilja e telefonit ngurrosi sa s'ka Oson. Maria edhe në zë dukej tepër e shqetësuar. "Baca Fetah, - më tha, - të lutem të më kuptosh, po kam një rast vdekjeje. Një grua nga malsia që sapo lindi më vdiq në duar. Ishte e sëmurë nga zemra dhe nuk e përballoi dot lindjen e parë...Po për nusen e Peshkatarëve kujdesem unë...shpejt do të marr në telefon...". Osoja ishte ngritur e më ishte afruar tel telefoni dhe sa mori vesh për vdekjen e një gruaje, erdh e u zverdh. Ka edhe më keq se të lindë prap vajzë, - tha ai dhe shtoi: Më mbush një gotë raki, bvacë! Ai pinte e duart i dridheshin. E dija se mendjen e kishte tek nusja e tij, ndërsa unë tek nusja e vdekur e malësorit. Fëmija jetonte apo jo dhe nëse po, çfarë ishte, djqlë? Sigurisht që djalë do të 106


ishte, përderisa Maria nuk e tha në telefon...Sikur ndjehesha më i lehtësuar, më i sigurt se Osoja do të gëzohej sa s'ka... Dhe ja, më së fundi ra telefoni. U ngritëm që të dy në këmbë, si të ishim djem të rinj. "Djalë!", u dëgjua zëri i Maries dhe Oso Peshkatari erdh e u këput në gjunjë. O Zot! – tha, - Korab Peshkatari! Sa bukur tinglloka, Fetah! Korab Peshkatari!...Tashti le të vdes...

...Korbi mori frymë thellë dhe unë ndjeva se ai e përjetonte deri në fijet më të holla të shpirtit gjithë atë ngjarje ku gërshetohej njerëzorja me krimin. E thithi thellë cigaren. -Mua më lindi ajo gruaja malësore që vdiq, Beni, dhe vajzën që lindi gruaja e Peshkatarëve, ajo që unë kam 24 vjet që i thgem nënë, ia dhanë malësorit bashkë me kufomën e nuses së re. Mbi ne qëndronin spiralet e tymit të duhanit dhe shpesh një si heshtje mortore na shtypte të dyve si tokmak. -Edhe njëqind jetë të ketë njeriu, vështirë ta përballojë një ngjarje të tillë, - tha ai. – Ishte më shumë se një plagë. Ai burrë që quhej bacë e që për një qytet ish bërë si një gjysmë perendi për një shekull të tërë, para meje erdh e u çbë. E fsheta që e përvëlonte Korbin erdh e u shndrrua në një llavë edhe në gjoksin tim. "Në daç më fal, në daç më vrit, - tha rëndë plaku, - po ajo që kam bërë nuk çbëhet më...I çbërë jam unë..." Duhanin plaku e thithte thellë dhe duart i dridheshin. Sikur ishim ngurrosur që të dy. Baca vazhdoi: "Më vonë, përmes Maries, jam interesuar se si quhej nusja që vdiq, se nga ç'derë e malësisë vinte...Ishte nga Shkreli...Po si të thuash, s'ka një të mirë pa një të keqe...Ti jo vetëm që do të rriteshe jetim, pa nënë, po edhe jetim me baba gjallë, pasi babai yt i vërtetë u përlye me një grup që desh të prishte kooperativën dhe hëngri disa vite të mira burg...". -Jo, i them, - jo! "Është e rëndë, o bir, e kuptoj, po unë për këtë të kam 107


thirrur...Që atë që mbaj këtu, të ndryrë në gjoks, të ta them ty...E di se plagë të rëndë të çela në shpirt, po..." -Ai fliste, Beni, dhe unë shihja se ai njeri para meje vinte e bëhej i vogël, tepër i vogël. Ndofta për ty ai mbetet ende një hero... Ishte tepër e vështirë ta besoja se baca kishte mbetur ai që kishte qenë në përfytyrimin tim poetik, heroi i baladës sime që recitohej përvjetor më përvjetor të Pavarësisë nga një aktor i teatrit dramatik. -Isha si në mes të dy zjarreve. Ngado më përzhisnin flakët e së vërtetës. Për 24 vjet jetë kisha njohur një nënë, një nënë që më donte me gjithë shpirt, që edhe njëqind jetë të kishte, të gjitha i jepte për mua. Kisha njohur një baba që bënte e ç'bënte e gjithçka e lidhte me jetën time. Kisha pesë motra, dhëndurë, plot nipa e mbesa...Një fis degëshumë që përgjërohej për mua. Dhe diku përtej, në një varrezë fshati, shtrihej ajo që s'e kisha njohur kurrë: nëna ime e vërtetë. Një baba, me grua e fëmijë të tjerë, dhe një vajzë nga gruaja e parë... Ai që më ngjiti emrin Korab, Korb, baca Fetah, një ditë po ai më shndrroi në korb. Një një korb të zi, që krrakëllin mbi një varr gruaje, që është nëna e tij, që krrakëllin mbi ditët e tija të shprishura. Ka një javë, Beni, që s'mblidhem në shtëpi si dikur, që s'më qesh më buza, pasi ajo që thirra nënë një jetë të tërë nuk është nëna ime, se ai që i thirra baba, nuk është babai im, dhe që të dy të pastër si qelibari, pa kurrfarë faji. Më thuaj, Beni, se po çmendem, më thuaj si ta mbyll këtë plagë, të cilën ditët që kalojnë ma hapin edhe më shumë? Ti je shkrimtar, romancier. A s'më thua, i ngjaj apo s'i ngjaj një shkretëtire? Çdo fjalë që unë t'i thoja Korbit më ngjante me një moralizim të pa vlerë. -Shkretëtira e shpirtit! Hodha një sy nga banaku i Kafesë së Vogël. Banakieri dhe kamarieri merreshin me diçka dhe në klub nuk kishte asnjë njeri. Jashtë pelerina e natës mbulonte gjithçka. Ia kisha rrethuar duart Korbit dhe ia fërkoja. -Çdo të bësh nesër? – se si e pyeta pa vetëdije, ndofta për t'i treguar edhe atë që kisha menduar më parë, që të mos e lijha 108


vetëm do të shkoja e të mirrja një raport mjeksor e të dilja sëbashku me të. -Nesër? – pyeti ai ndofta më shumë vehten e tij se mua. – Nesër do të nisem për në Shkrel. Diku është varri i nënës sime. E dij fort mirë se ai është i mbuluar nga bari e shkurret. Po shkoj ta pastroj. Nuk mund të bëj më shumë. -Shkojmë bashkëm, - i them. Më shikoi drejt e në sy, si të donte të më falnderonte. -Jo, Beni, do të shkoj vetëm. Njeriu ka nevojë edhe për vetmi. Kur dolëm nga Kafja e Vogël ishte natë e thellë dhe rrugët qenë boshatisur krejt. Frynte një erë dhe diku tej vetëtinte. -Sonte fli nga unë, - i thashë, ngaqë shtëpia e tij ishte larg. Ai më kishte hedhur krahun në qafë. -Jo, Beni, do të shkoj sado vonë. Nëna dhe babai, ti e di, më presin. Një shllungë jetë erdh e m'u ngjit kurmit të trupit. Ia hodha edhe unë dorën në qafë. Trupi i tij dridhej si një gjethe. E ndjeva në shpirt, thellë në shpirt, se ai do ta kapërcente vetminë e tij. Pasi i thamë njëri-tjetrit natën e mirë, ktheva kokën ta shihja edhe njëherë Korbin tek largohej. Asaj nate krejt të veçantë pashë se ai ndërsa humbte në errësirë në rrugët e qytetit me do fenerë të mekur, më zmadhohej e më zmadhohej dhe mirrte trajtën e njeriut.

Shkodër, maj 1999 – dhjetor 2000

109


PASQYRA E LËNDËS 1.Ballo në mbrëmjen e maturës........................................5 2.S'kishte si të ndodhte ndryshe......................................47 3.Shkretëtira e shpirtit...................................................92

110


111


Issuu converts static files into: digital portfolios, online yearbooks, online catalogs, digital photo albums and more. Sign up and create your flipbook.