SHQIPTARËT NË MAQEDONI 1969-2001 1. Pozita e shqiptarëve në Maqedoni 1969-2001 Pas demonstratave të vitit 1968, në Kosovë filloi një avancim i përshpejtuar i shqiptarëve në të gjitha drejtimet. Për rrjedhojë, në vitin 1972 u themelua Universiteti i Prishtinës, ndërsa në vitin 1974, statusi i Kosovës për herë të parë pas Luftës së Dytë Botërore mori njëfarë forme të shtetësisë, përkatësisht me Kushtetutën e re të Jugosllavisë së atëhershme komuniste, Kosova bëhet njësi e Federatës me të drejta të plota dhe pjesëmarrje të barabartë në të gjitha organet e saja, si ato ligjdhënëse, ekzekutive ashtu dhe gjyqësore. Me këto ndryshime ajo fitoi edhe një pavarësi ekonomike, shëndetësore dhe shkencore. Paralel me themelimin e universitetit, u themeluan edhe shumë institucione të rëndësishme, si: Instituti Albanologjik, Instituti Historik dhe institute të tjera. Me rëndësi të posaçme është themelimi i Akademisë së Shkencave e Arteve të Kosovës. Duhet të vëmë në dukje, se me ndryshimet kushtetuese të vitit 1974, shqiptarët në Maqedoni, krahas maqedonasve u bënë element konstituiv i shtetit. Këtë e garantonte Neni 1 i Kushtetutës së re të RS të Maqedonisë, në të cilin shprehimisht thuhej: “Republika Socialiste e Maqedonisë është shtet nacional i kombit maqedonas dhe shtet i kombësisë shqiptare dhe turke në të, bazuar mbi sovranitetin e popullit dhe mbi pushtetin dhe vetëqeverisjen e klasës punëtore dhe të gjithë njerëzve punëtorë, dhe bashkësi socialiste demokratike vetëqeverisëse të njerëzve punëtorë dhe qytetarëve, të kombit maqedonas dhe të barabartit me të kombësitë 139