Qendra për Zhvillim të Karrierës e Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” ka lansuar më 11 maj 2020 numrin e parë të revistës “Karriera”, e cila synon informimin, orientimin dhe edukimin në karrierë. Revista në fjalë ka për qëllim të informojë studentët dhe të diplomuarit e UP-së me informacionet e nevojshme në rrugëtimin drejt punësimit, trendet në zhvillimin e profesioneve të caktuara dhe kriteret e tregut të punës. Revista «Karriera» përfshin artikuj nga studentët rreth planifikimit të karrierës dhe këshillave mbi përgatitjen për tregun e punës, artikuj nga punëdhënësit rreth ndërlidhjes së tregut të punës e universitetit si dhe trendet e kriteret e tregut të punës, intervista të punëdhënësve, statistika të hulumtimeve të QZhK-së, arritjet në UP etj. Revista publikohet dy herë në vit.