TRANS magazine 1.0
Përmbajtja Hyrje Disforia gjinore Lendi Drafti ligjor Blerti Psikologia Guida terapi hormonale Keli Jovani Qerkica Durimi Svetlana LGBT në Art Filma dhe dokumentarë Kontakte
Të dashur lexues! Kemi kënaqësinë të ndajmë me ju numrin e dytë të revistës "TransMagazine", e vetmja revistë online në Shqipëri dedikuar komunitetit transgjinor. Duke qenë se vizibiliteti i këtij komuniteti është shumë i ulët në median shqiptare, ndiejmë dyfish më shumë nevojën dhe detyrimin për t`i dhënë hapësirën e munguar këtij komuniteti. Në serinë e parë u fokusuam në histori nga komuniteti transgjinor i lokalizuar në Shqipëri, kurse këtë vit menduam të tejkalonim kufijtë gjeografikë e të sillnim për publikun histori të guximshme të aktivistëve transgjinorë nga Kosova, Maqedonia, Mali i Zi dhe Turqia. Revista sjell ekskluzivisht intervista nga persona që kanë realizuar tranzicionin gjinor, aktivistë nismëtarë të daljeve të para publike si pjesë e komunitetit Trans në një vend si Kosova; betejën ligjore mbi njohjen e identitetit gjinor; emocionet dhe ankthin që shoqërojnë procesin e tranzicionit, si dhe plot artikuj informues dhe edukativë. Duke qenë se një pjesë e madhe e personave transgjinorë kërkojnë të nisin tranzicionin, një pjesë e revistës i dedikohet terapisë hormonale, duke qenë se informacioni lidhur me të shpesh mungon. Edukimi rreth kësaj terapie merr një rëndësi vitale, në momentin që ndeshim persona, të cilët e nisin atë pa një rekomandim mjekësor dhe duke mos qenë në dijeni të efekteve anësore të pakthyeshme, të cilat mund të rrezikojnë krejt procesin e tranzicionit. Në brendësi të revistës do të gjeni artikuj mbi ndërthurjen e artit me lëvizjen historike të komunitetit transgjinor si dhe plot sugjerime filmash për të gjithë adhuruesit e Queer Cinema. Shijojeni! Lexim të mbarë! Stafi i "Pro-LGBT-së"
Disforia Gjinore Një nga shqetësimet më të mëdha që personat e komunitetit transgjinor ndeshin në ditët e sotme, është padyshim stigma dhe frika që ata kanë për të pranuar vetveten. Ndjesia që personat transgjinorë përjetojnë dhe që i bën ata të mendojnë se diçka nuk shkon me veten e tyre njihet me termin disfori gjinore (gender dysphoria). Disforia gjinore është shqetësimi që përjetohet kur seksi biologjik, që u është atribuar këtyre personave në lindje dhe gjinia e lidhur me të sipas normave shoqërore nuk përkon me gjininë me të cilën ata identifikojnë veten. Personat me disfori gjinore ndjehen gjithmonë të parehatshëm e të shqetësuar. Këto shqetësime nisin zakonisht gjatë moshës së pubertetit, kur dhe shfaqen ndryshimet e para fizike. Një tjetër problem për këta individë është pranimi i roleve gjinore që imponon shoqëria. Këtyre individëve mund t’ju lindin të tjera probleme gjatë përditshmërisë së tyre për shkak të konfliktit të përhershëm në të cilin ato/ata gjenden, mes perceptimit që shoqëria ka mbi ta dhe asaj që ndihen realisht. Konfliktet e brendshme gjinore ndikojnë dhe në sjelljen sociale të këtyre individëve dhe padyshim në imazhin e tyre. Disa prej individëve transgjinorë zgjedhin të vishen si persona të gjinisë me të cilën ata identifikojnë veten, disa të tjerë ndërmarrin një tranzicion shoqëror e deklarohen si persona të gjinisë tjetër dhe në shumë raste ndodh që këta individë dhe t’i nënshtrohen ndë-
rhyrjeve hormonale e mjekësore për ndërrimin e gjinisë. Për vite me radhë, disforia gjinore konsiderohej si një çrregullim mendor, por ndërgjegjësimi dhe studimet për këtë fenomen shtynë Organizatën Botërore të Shëndetësisë, që në qershor të këtij viti ta deklasifikonte disforinë gjinore nga lista e çregullimeve mendore e t`a klasifikonte atë si një çrregullim të identitetit gjinor. Pavarësisht se nuk konsiderohet më si sëmundje mendore, ende dhe po njësoj disforia mund të shkaktojë ankth, depresion dhe probleme të tjera të zhvillimit te personat e prekur. Studimet tregojnë se rreth 71% e individëve të prekur nga disforia gjinore vuajnë nga probleme të shëndetit mendor. Këta individë kanë të nevojshëm këshillimin nga specialistë të trajnuar e të përgatitur për problemet e identitetit gjinor, të cilët i shoqërojnë gjatë gjithë procesit të tranzicionit gjinor, që nga trajtimi psikologjik e deri tek ai hormonal, përmes ofrimit të informacionit të duhur dhe deri në realizimin e ndërhyrjes mjekësore për ndërrimin e gjinisë. Këta specialistë janë të domosdoshëm për mirëqenien e personave që ndiejnë disfori gjinore dhe së bashku me mbështetjen e shoqërisë dhe me përshtatjen e mekanizmave ligjorë, mund t'i ndihmojnë personat transgjinorë në procesin e vështirë të pranimit të vetes së tyre dhe përqafimit të identitetit gjinor me të cilin duan të identifikohen. Përgatiti: Kevin Jasini
REFERENCA:
·What is gender dysphoria?, American Psychiatric Association, www.psychiatry.org/patients-families/gender-dysphoria/what-is-gender-dysphoria ·Gender Dysphoria, Psychology Today, www.psychologytoday.com/us/conditions/gender-dysphoria ·The WHO will no longer classify gender dysphoria as a mental illnes, Bustle, www.bustle.com/p/the-world-health-organization-will-no-longer-classify-gender-dysphoria-as-a-mental-illness-9557139
Intervista Lendi Nëse pyet për emrin e Lendit dikë nga komuniteti LGBTI+ nga Kosova, buzëqeshja që formohet në fytyrë është e paevitueshme. Ai është personi i parë që ka dalë hapur duke bërë "coming out" si transgjinor përmes një interviste televizive. Në këtë intervistë Lendi rrëfen për momentin kur vendosi të dalë hapur për frikën dhe ndrydhjen që ka pasur në luftën me veten, rëndësinë që aktivizmi ka në jetën e tij si dhe mesazhin që vet Lendi ka për çdo person transgjinor në Kosovë. 1.Lendi, ti je personi i parë transgjinor që ka bërë "coming-out" publikisht. Çfarë të shtyu të merrje guximin për një hap të tillë? -Për të dalë hapur si person transgjinor, më shtyu nevoja që kam pasur në të kaluarën për të dëgjuar dikë të fliste për këto çështje. Fakti që gjithmonë jam ndjerë si i vetmi në Kosovë, edhe pse nuk isha i vetmi, më ka bërë të mendoj për të gjithë personat e tjerë që kanë nevojë të dinë që nuk janë vetëm. Përveç kësaj, arsye tjetër ka qenë çlirimi shpirtëror, mllefi që ishte mbledhur gjatë gjithë viteve që isha i fshehur që nga fëmijëria, nevoja për të qenë i lirë dhe vetvetja. Kur ke nevojë për një model në jetë e nuk mundesh ta gjesh, unë besoj fuqishëm që duhet të shndërrosh veten në atë person.
2.Ti tashmë ke filluar tranzicionin. Cfarë ka ndryshuar tek ti fizikisht dhe emocionalisht? -Tranzicionin me terapi hormonale kam gati 10 muaj që e kam filluar tashmë. Fillimi i tranzicionit fizik ka qenë dhe është revolucioni më i madh në jetën time si emocionalisht, shpirtërisht po ashtu edhe fizikisht. Fizikisht sa kanë filluar ndryshimet. Ndryshimet më të dukshme deri tani janë zëri, pak qime në fytyrë, por edhe konstrukti i trupit ka ndryshuar jashtëzakonisht shumë. Ndryshimet fizike nuk krahasohen me ato emocionale si në aspektin pozitiv ashtu edhe në atë negativ. Para se të filloja tranzicionin, kam qenë i informuar që do të kem luhatje emocionale, por pritshmëritë e mia nuk ishin edhe aq të sakta. Ky tranzicion ka disa luhatje, të cilat nuk i kisha paramenduar… Ndonjëherë të bën të mendosh, se ke hequr dorë vetë prej lumturisë, fillojnë dyshimet dhe frika që emocionet e tua tashmë të definojnë ty edhe nuk sheh shumë dritë në aspektin që do të jetë sërish e mundur të të rikthehet lumturia dhe rehatia. Por sigurisht, që pasi qetësohem më kujtohet arsyeja pse e kam filluar këtë proces dhe se si më në fund mundem të jem autentik, i përmbushur dhe në një të ardhme edhe stabël. 3.Mund të na japësh një informacion të përgjithshëm mbi hapat e tranzicionit dhe se si ndjehesh në secilin prej tyre? -Për të filluar tranzicionin ka pasur disa “faza” që duheshin kaluar për të filluar procesin me terapi hormonale. Në fillim ka qenë e nevojshme të shikoja gjendjen emocionale e psikike te psiko-
logu dhe nëse jam i përgatitur mendërisht për këtë proces, gjë në të cilën një herë dështova. Nuk isha gati emocionalisht sepse gjithçka ndodhi shumë shpejtë dhe u bllokova. Duke marrë parasysh që shumë gjëra të tjera ishin duke ndryshuar në jetën time, në ato momente, “dështimi” për të marrë rekomandimin nga psikologu më ka shtyrë të punoj shumë me veten dhe të reflektoj. Kam punuar me veten aq shumë, sa që edhe tani jam mirënjohës sepse jam pjekur si individ. Pas dy muajsh, shkova sërish të testohesha dhe rezultati i testit prej psikologut kishte diferencë shumë të madhe. Ky për mua ishte një moment krenarie se si arrita të përmirësohem për një periudhë aq të shkurtër e në një moment m`u kujtua se sa e rëndësishme është kjo që po bëj dhe se sa shumë kam luftuar për këtë moment. Pasi e mora rekomandimin nga psikologu, menjëherë caktova takimin në Shkup, në spitalin "Sistina" ku u takova me endokrinologun e biseduam pak në lidhje me tranzicionin. Çuditërisht atë datë që kisha takimin, askush nga familja apo shoqëria nuk ishte i lirë e fillova të frikësohesha pak… Fillova të mendoja që në tranzicion do të jem i vetëm dhe m`u duk sikur jo të gjithë në rrethin tim e kanë marrë seriozisht tranzicionin. Këto mendime më lindën vetëm si pasojë e frikës se do të jem vetëm në këtë rrugëtim. Një shoqe, të cilën e vlerësoj shumë si person, njeri që gjithmonë më ka kuptuar kur ka qenë nevoja, vendosi të vijë me mua në momentin e fundit (një natë para nisjes). Genta ka qenë personi i vetëm prezent kur ëndrra ime u realizua. Nuk kam për ta harruar kurrë. U ktheva në Prishtinë dhe fillova të reflektoj, duke i kujtuar vetes që këto gjëra po ndodhin dhe jam duke i përjetuar. Pas dy ditësh, shkova te mjeku i familjes (publik) për të bërë injeksionin e parë dhe prej sikletit harrova edhe rekomandimin e dokumentet e doktorit. U ktheva në shtëpi, i mora dhe u ktheva me vrap në Ambulancë me plot entuziazëm. Aty filloi tranzicioni im dhe jeta ime mori drejtim tjetër. 4.Si kanë reaguar të tjerët ndaj tranzicionit tënd (familja dhe shoqëria)? -Kur fillova tranzicionin, në fillim të gjithë ishin thjesht kuriozë se çfarë ndryshimesh do të më ndodhnin. Familjarët kishin një reagim krejt tjetër
nga shoqëria. Në shtëpi, motrat dhe mami nuk e dinin se ndryshimet mund të ndodhnin brenda disa muajve, ndërsa shoqëria mezi priste të shihte ndryshimet ose tregohej entuziaste kur u tregoja për ato që vija re. Ama, familja gjithmonë ka qenë përkrahëse e sidomos tani, që emocionalisht po kaloj disa vështirësi. Për sa i përket shoqërise, nuk di se si t`i falënderoj... Sa herë që kam pasur kriza emocionale, pa qenë i vetëdijshëm, i kam lënduar. Tani vonë kam reflektuar, e kam vënë re që për shkak të ndryshimeve hormonale, kam qenë negativ e kam reaguar keq ndaj miqve edhe për gjërat më të vogla, e në fund i kam fajësuar me pa të drejtë. Të kalosh një proces të tillë nuk është aspak e lehtë. Ndryshimet që ndodhin brenda teje janë pothuajse të pamundura të kontrollohen. Shpresoj që kur gjithcka të stabilizohet, këto gjëra do të falen e harrohen sepse frika më e madhe e imja para se të filloja tranzicionin, ishte të humbisja të dashurit e mi për shkak të ndryshimeve. 5.Kur e ke kuptuar fillimisht identitetin tënd gjinor? -i fëmijë 6-vjeçar e kam vënë re se diçka “nuk po përshtatet” dhe se njerëzit po më shohin ndryshe. Unë as që e dija se çfarë ishte gjinia saktësisht. Mendoja se kur të rritesha do të fillonte të më krijohej një penis… dhe se djemtë që kanë lindur me të, janë vetëm disa raste. Kur u rrita pak, rreth 13-14 vjeç, fillova të lexoj në lidhje me këto çështje në internet dhe gjërat filluan të kishin kuptim. Mendoja se mund të isha lezbike dhe se do të ishte më e lehtë në atë mënyrë (sepse unë e ndjeja veten djalë), por nuk u ndjeva kurrë rehat kur identifikohesha si vajzë. Duke lexuar e duke takuar njerëz, zbulova që jam person transgjinor. 6.Si e shprehje fillimisht identitetin tënd gjinor? -Në atë kohë, vetëm flokët i prisja të shkurtra. Kur mbusha 15 vjeç fillova të ndihesha shumë më rehat edhe pse veshja ime gjithmonë ka qenë “mashkullore” dhe kam marrë një rol mashkullor në shoqëri. 7.Si e sheh Lendi të ardhmen e tij si person dhe si aktivist? - Siç kam ëndërruar gjithmonë dhe vazhdoj të ëndërroj, e ardhmja ime nuk do të jetë e ndarë si person dhe si aktivist. Unë në të ardhmen do të vazhdoj të jem një person aktivist dhe do të sigurohem që jeta ime e përditshme të kontribuojë për të drejtat e komunitetit LGBTI+…
Kjo që po bëj tani është vetëm një shkallë për të arritur suksesin që unë dua, pra është vetëm fillimi. Jam një person me ëndrra të mëdha dhe punoj për to çdo ditë. Ndoshta nuk do të jem aktivist i “llojit” të njëjtë, por do të jem aty për të gjitha komunitetet LGBTI+, deri sa të mos kem më forcë (gjë që dyshoj se do të ndodhë deri sa te plakem). Ëndrra ime është të pasuroj kulturën "Queer" në Kosovë, t`i jap forcë personave LGBTI+, sepse shumë prej tyre kanë talente, por pak mundësi e vullnet t`i përdorin. Jo të gjithë, por shumë prej tyre. Dua t`i shtyj këta persona të përdorin forcën e tyre e të bëhen njerëz të mëdhenj, sepse kanë potencial dhe e meritojnë. 8.Cfare mesazhi ka Lendi për ata persona, të cilët për arsye të ndryshme nuk munden të jenë vetvetja? -Të mos jesh vetvetja, ose të humbasësh veten për mua është një proces i nevojshëm në jetë. Të mos jesh vetja për një kohë, nuk do të thotë që do të mbetesh ashtu. Njerëzit kanë nevojë ta humbin veten që të krijojnë një “personazh” më të mirë. Kështu shkon drejt krijimit më të mirë të vetes. Por, nëse po dilni nga vetja për të përmbushur imazhin që shoqëria kërkon nga ju, atëhere rimendojeni se sa vlerë ka. Në fund, në një moment kur ju jeni krejtësisht vetëm dhe askush nuk është aty për t’ju gjykuar po as për t’ju ngushëlluar, atëherë do ta kuptoni vlerën tuaj si person. Do ta kuptoni që nuk ia vlen të shtiresh si dikush. Është më mirë të rrezikosh, të bërtasësh si ai person që je, të humbasësh njerëz. Pas kësaj, vet shpirti do t’ju drejtojë te njerëzit e duhur. Nëse ti je i/e sinqertë me veten, kurrë nuk do të përfundosh keq. Mos humbni kohë duke bërë sikur jeni dikush tjetër. Jeni duke nënvlerësuar sa të mirë jeni në të vërtetë. Ngadalë, pa presion, është në rregull të humbasësh veten, por mos e detyro veten të ndihet rehat në atë pozitë. Shfrytëzoje atë moment që të krijosh veten. Kontakte:
Ndiqni tranzicionin gjinor të Lendit përmes video-ve në kanalin e tij në Youtube: https://www.youtube.com/channel/UCLze3hsMQkSnjKSNxHRYBvw
Përgatiti: Alba Ahmetaj
Drafti ligjor
mbi njohjen e identitetit gjinor që "fle" në sirtar Në realitetin legjislativ Shqiptar, trajtimi i identitetit gjinor dhe komponentëve të tij në kuadër të një baze ligjore korrekte dhe që mundëson realizimin e të drejtave themelore për personat transgjinorë, mungon. Vetëm në vitin 2013, u ndërmor një iniciativë nga ekspertet ligjore Arta Mandro dhe Aurela Anastasi, të cilat hartuan një draft-ligj për njohjen e identitetit gjinor, me mbështetjen e Këshillit të Evropës,. Drafti i përgatitur, bazohet në parimin e barazisë e të mosdiskriminimit, baza1 për Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe instrumentat e tjera ndërkombëtare të ratifikuara nga vendi ynë.
Në preambulën e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, nënvizohet garantimi i të drejtave dhe lirive themelore të njeriut dhe zotimi për mbrojtjen e dinjitetit dhe të personalitetit njerëzor. Sipas nenit 3, veç të tjerave, dinjiteti i njeriut, të drejtat dhe liritë e tij, janë bazat e shtetit, i cili ka për detyrë t’i respektojë dhe t’i mbrojë ato. Në rendin juridik shqiptar, parashikimet e Konventës Evropiane për të drejtat e njeriut lidhur me nivelin e kufizimit të këtyre të drejtave, prevalojnë ndaj ligjeve vendase dhe u njihet një nivel kushteues2. Në nenin 8 të saj, kjo Konventë sanksion-
on garancinë për respektimin e jetës private dhe familjare, kurse në nenin 14 sanksionohet ndalimi i diskriminimit. Është pjesë e padiskutueshme e detyrimeve pozitive të shtetit tonë garantimi i ekzistencës së një legjislacioni të përshtatshëm për mbrojtjen e këtyre të drejtave dhe lirive. Në vitin 2015, Komiteti i Ministrave i Këshillit të Evropës, vjen me një rekomandim3 në masat ndaj luftës kundër diskriminimit për shkak të orientimit seksual ose identitetit gjinor. Ky rekomandim, udhëzon shtetet anëtare të marrin masat e nevojshme për të garantuar njohjen e plotë ligjore të
ndryshimit të gjinisë së një personi, duke ndikuar të gjitha fushat e jetës dhe specifikisht duke bërë të mundur ndryshimin e emrit e të gjinisë në dokumentet zyrtare në mënyrë të shpejtë, transparente dhe të aksesueshme. Edhe Konventa e të Drejtave të Fëmijëve e OKB-së, një instrument i ratifikuar nga Shqipëria prej vitesh, thekson respektimin e identitetit të fëmijëve pa dallim dhe thekson detyrimin pozitiv të shtetit në marrjen e të gjitha masave, me qëllim që çdo fëmijë të jetë efektivisht i mbrojtur nga të gjitha format e diskriminimit apo ndëshkimit për një listë shteruese shkaqesh, ku përfshihet pozita e tyre aktuale, qoftë ajo sociale apo ligjore. Në një pozitë ambigue, disi problematike qëndron Ligji "Për Gjendjen Civile"4, aktualisht në fuqi (in vigorem) në Republikën e Shqipërisë. Në nenin 6/15 të ligjit, gjinia renditet si një nga përbërësit e gjendjes civile të individëve dhe si e tillë si pjesë e identitetit të çdo personi. Sipas nenit 86 të Ligjit "Për gjendjen civile", gjinia është një komponent që mund të ndryshojë, por ndërkohë, në vijim të ligjit konstatohet, se nuk ka rregullime lidhur me ndryshimin e gjinisë, rregullime këto që i mungojnë në tërësi kontekstit juridik shqiptar. Komponenti "gjini", sipas Ligjit "Për Gjendjen Civile", është pjesë integrale e aktit të lindjes dhe sikurse parashikohet në vijim në nenin 447, një mundësi e ndryshimit të të dhënave të aktit të lindjes, në fakt njihet. Megjithatë jemi përballë një vakumi ligjor (vacatio legis), pasi ky ligj nuk flet për një procedurë të ndryshimit të gjinisë. Nisur nga kjo bazë ligjore, mund të konkludojmë se, Ligji "Për Gjendjen Civile" në një kontekst të ngushtë, krijon mundësinë e realizimit të njohjes së identitetit të ndryshuar gjinor dhe çfarë mungon është një ligj specifik (lex specialis) apo disa ndryshime të inkorporuara në vetë Ligjin "Për Gjendjen Civile". Qëllimi i draft-ligjit të vitit 2013, "Për njohjen e Identitetit
Gjinor", është sigurimi i një procedurë adekuate ligjore përmes së cilës personat transgjinorë të realizojnë njohjen e identitetit të tyre gjinor dhe të pajisen me certifikatën personale e me çdo dokumentacion tjetër zyrtar, që pasqyron me saktësi identitetin gjinor të deklaruar nga personi direkt i interesuar. Kështu, individët transgjinorë do të kenë si pjesë integrale e të njehsuar të çdo dokumenti, identitetin e saktë gjinor. Vlen të theksojmë, se dhe në rast se ligji "Mbi njohjen e identitetit gjinor" hyn në fuqi,do të nevojiten ndërhyrje e përmirësime edhe në disa ligje të tjera në fuqi, në mënyrë që individët transgjinorëtë të mund të realizojnë të gjitha të drejtat e tyre. Statistikat tregojnë se mospërputhjet mes identitetit gjinor të pasqyruar në dokumentet zyrtare dhe gjendjes faktike të personave transgjinorë, rezultojnë në diskriminim, ngacmim e persekutim dhe madje edhe në dhunë me fokus në këtë komunitet. Aktualisht, ambiguiteti, kundërthëniet dhe mungesat në legjislacion, të cilat sjellin pamundësinë e njohjes së identitetit gjinor mbi çdo bazë ligjore për personat transgjinorë, mund të konsiderohet absolutisht si një shkelje e hapur në të drejtat dhe liritë themelore të njeriut.
Përgatiti: Dea Nini
Referenca: [1] Recommended Principles and Guidelines on Human Rights and Human Trafficking; f. 24; United Nations Publications; UN; 2010. [2] "Kufizime të të drejtave dhe lirive të parashikuara në këtë Kushtetutë mund të vendosen vetëm me ligj për një interes publik ose për mbrojtjen e të drejtave të të tjerëve. Kufizimi duhet të jetë në përpjesëtim me gjendjen që e ka diktuar atë. Këto kufizime nuk mund të cenojnë thelbin e lirive dhe të të drejtave dhe në asnjë rast nuk mund të tejkalojnë kufizimet e parashikuara në Konventën Europiane për të Drejtat e Njeriut". [3] Rekomandimi [CM/Rek] i Komitetit të Ministrave për shtetet anëtare për masat në luftën kundër diskriminimit për shkak të orientimit seksual ose identitetit gjinor; 2010. [4] Ligji nr.10 129/11.5.2009, “Për Gjendjen Civile”, ndryshuar në vitin 2013. [5] "Përbërësit dhe veçoritë e gjendjes civile të shtetasve: 1. Përbërësit e gjendjes civile janë: emri e mbiemri, numri i identitetit, datëlindja, vendlindja, gjinia, shtetësia, raportet e atësisë e amësisë, gjendja civile, kombësia, vdekja, shpallja i/e zhdukur, vendbanimi, vendqëndrimi dhe fakte të tjera, të parashikuara me ligj. 3. Elementet përbërëse në dokumentet e shërbimit të gjendjes civile kanë përparësi ndaj të njëjtave elemente të çdo akti tjetër, shtetëror ose privat dhe janë të detyrueshme të respektohen". [6] "Veçoritë e disa përbërësve të gjendjes civile: Lindja, gjinia, emri e mbiemri, raportet e atësisë, amësisë dhe shtetësia njihen e mund të hiqen, të shuhen, të ndryshojnë ose t’u kalojnë të tjerëve vetëm në rastet e në mënyrën e përcaktuar shprehimisht në këtë ligj apo në çdo ligj tjetër të veçantë". [7]"Ndryshimi i të dhënës së aktit të lindjes: Përmbajtja e aktit të lindjes, e pasqyruar në Regjistrin Kombëtar, mund të ndryshohet vetëm në rastet e përcaktuara shprehimisht në këtë ligj".
Blerti
Një nga zërat më të guximshëm në Kosovë.
Ai është një nga zërat më të guximshëm të komunitetit transgjinor në Kosovë. I pari që nisi tranzicionin gjinor duke dalë hapur kundër heteronormativitetit në shoqërinë kosovare, si dhe rasti i parë që apelon për ndryshimin ligjor të gjinisë dhe të emrit në dokumentet zyrtare, duke hapur udhën për gjithë komunitetin transgjinor në Kosovë. Njihuni me historinë e aktivistit Blert Morina, njëkohësisht drejtor ekzekutiv i organizatës jo-qeveritare CEL, tashmë pjesë e rëndësishme e lëvizjes LGBTI+ në Kosovë. Në këtë intervistë, Blerti rrëfen për rrugëtimin plot me surpriza për të gjetur kontaktet e mjekëve dhe për të nisur terapinë hormonale, paradoksin e ligjeve në Kosovë pas refuzimit të kërkesës për ndryshimin e gjinisë, si dhe plot sfida të tjera që ai ka kaluar për një qëllim: për të qenë vetvetja.
Rreth cilës moshë e ke kuptuar për identitetin tënd gjinor? Që kur kam qenë fëmijë, e kam perceptuar veten si djalë. Mosha kur e kam ndjerë më shumë që identiteti im nuk përputhet me seksin biologjik, ka qenë periudha e pubertetit kur kanë nisur dhe ndryshimet fizike.
Kur ke bërë "coming out" për herë të parë dhe a ke pasur mbështetje më pas? Realisht e kam marrë gjithnjë për të mirëqenë që jam djalë. Por ka qenë një pikë e jetës sime, kur nisa të informohem më shumë rreth komunitetit transgjinor dhe aty e kuptova se ka dhe persona të tjerë si puna ime. Të parëve që u kam folur për këtë gjë, kanë qenë persona nga familja ime. Familjes iu rrëfeva para 5 vitesh dhe jam çuditur që përkrahja ka qenë aq e madhe, gjë që më ka surprizuar realisht shumë. Unë mendoja se nuk do të kisha mbështetjen e tyre, dhe për këtë arsye, para se t`u tregoja, bëra valixhen me rroba gati nga frika se mos do të më nxirrnin jashtë shtëpie. Por reagimi ka qenë aq normal, saqë një prej motrave më ka thënë "Ah, shyqyr që tregove, pasi gjithnjë kemi dyshuar". Pas atij momenti, kam qenë shumë më komod për t'ju prezantuar të tjerëve si Blerti, pra si djalë, duke mos hezituar më ta shpreh identitetin tim gjinor.
Sa e rëndësishme është mbështetja familjare për personat transgjinorë? Definitivisht shumë!
Mendoj se nuk do të kisha qenë asnjëherë në pikën ku jam sot, pa përkrahjen familjare. Suporti familjar e motivon individin për të qenë më i fortë në përballimin e refuzimeve që mund të ketë nga shoqëria, duke u motivuar për të nisur procesin e tranzicionit gjinor.
Tanimë që je një figurë publike në shoqërinë kosovare dhe ke dalë hapur si transgjinor, a ke ndeshur raste të bullizmit? Sigurisht që bullizëm, kërcënime, dhunë verbale ka gjithmonë. Në momentin që nuk i përshtatesh heteronormativitetit i cili është mjaft i ngulitur në shoqëritë tona, ti hasesh me forma të ndryshme të dhunës. Deri më tani nuk kam pasur ndonjë incident fizik, por shpesherë duhet t`ia rikujtoj vetes se kur ke dalë publikisht, duhet të jesh dyfish më i kujdesshëm ndaj sulmeve. Sidomos gjatë aktivitetit të paradës ose në aktivitete të tjera ku vizibiliteti i komunitetit LGBTI+ është më i lartë, marrim gjithnjë masa ndaj sulmeve të pritshme. Kur zhvillohen aktivitete për komunitetin, kërcënimet dhe dhuna verbale intensifikohen dhe është si një interval kohor gjatë vitit, ku sulmet dhe dhuna verbale ndaj komunitetit është shumë e lartë.
Personalisht gjatë muajit shkurt, kur dhe e kam filluar procesin gjyqësor për ndryshimin e emrit dhe gjinisë në dokumentet zyrtare, kam marrë shumë kërcënime përmes rrjeteve sociale, por edhe në rastet kur jap një intervistë në televizion, shpesh pasi intervista përfundon marr shumë kërcënime dhe ofendime.
Ti je personi i parë transgjinor që ka nisur tranzicionin gjinor në Kosovë. Si nisi ky rrugëtim për ty, për më tepër në një vend si Kosova ku shërbimet mungojnë? Realisht ka qenë një rrugëtim shumë i gjatë. E gjitha nisi në qershor të vitit të kaluar, kur unë
dhe Lendi vendosëm të nisim procedurat e nevojshme për tranzicionin gjinor. Prej qershorit deri në nëntor, ne kemi qenë në kontakt me aktivistë të Malit të Zi për të nisur terapinë hormonale, pasi realisht kostoja për këtë shërbim ka qenë më e ulët në Mal të Zi, krahasuar me Beogradin. Pas bisedimeve të shumta me aktivistët, doli në pah se gjuha përbënte barrierë për të shkuar në Mal të Zi e për të bërë konsulencën psikologjike. Aktivistët malazezë na rekomanduan një psikolog kosovar, por unë dhe Lendi mbetëm shumë të zhgënjyer prej tij, pasi psikologu në fjalë nuk kishte as informacionin bazik për komunitetin transgjinor. Gjithsesi me insistimin nga ana ime, arrita të marr rekomandimin prej tij dhe e kalova testin e parë psikologjik. Meqenëse Beogradi mbetej alternativa e vetme, kam kontaktuar atje një klinikë për të përcaktuar një takim për këshillimin psikologjik, pa përfshirë analizat. Pasi mora përgjigje nga Beogradi pashë se kostoja financiare ka qenë e papërballueshme për mua. Por pavarësisht kësaj vendosa të nisesha për në Beograd së bashku me disa mikesha të miat, të cilat dëshironin të xhironin një dokumentar për tranzicionin gjinor. Por rastësia e donte që atë ditë një politikan serb të vritej në Kosovë, ndaj udhëtimi për në Serbi do të ndërlikohej për shkak të trazirave politike. Kështu që nuk u nisa, por gjatë mbrëmjes duke diskutuar me një shoqe, marr vesh që në Maqedoni vitin e kaluar një person kishte kryer tranzicionin e plotë gjinor. Fillimisht shokohem nga fakti që një gjë e tillë ndodh në Maqedoni, ndaj kontaktova një aktivist vendas për të marrë më shumë informacion. Aktivisti më dha informacione të mëtejshme për mjekun dhe spitalin. Kontaktova dhe përcaktova një takim në spital. Nata para se të shkoja në Maqedoni për takimin, ka qenë nata më e gjatë e jetës time. Mendime të ndryshme më vinin në kokë dhe parashikova, se do të ishte thjesht një takim informues e asgjë më shumë. Gjithashtu i frikësohesha pjesës se rekomandimi i lëshuar nga psikologu kosovar nuk do të merrej në konsideratë. Çfarë ndodhi në takimin në Maqedoni? Të nesërmen shkova në Maqedoni dhe u takova me endokrinologun. Ai më shkruan diçka në një
letër dhe më drejton diku për të realizuar disa analiza. Pas një pritjeje, mora rezultatet dhe m`u komunikua se isha gati për tranzicionin si dhe më përcaktuan edhe dozën e testosteronit që do më duhej të merrja për tri muajt e ardhshëm. Çdo gjë m`u duk e pabesueshme! Pas kësaj jam kthyer në Kosovë, kam informuar Lendin dhe ky i fundit e ka nisur tranzicionin pas dy muajsh. Si arrite t`i aksesosh hormonet? Në fakt në Kosovë jo se mungojnë këto hormone, por endokrinologët kosovarë refuzojnë të na e japin recetën ne të komunitetit Trans. Ndaj jemi detyruar fillimisht të marrim në Maqedoni recetën e mjekut për të blerë këto hormone në depot më të mëdhaja të barnatoreve në Kosovë. Pavarësisht kësaj unë preferoj t`i blej hormonet në Maqedoni.
A je në dijeni të ndonjë rasti në Kosovë, ku persona transgjinorë i marrin këto hormone pa recetën mjekësore? Në informacionin tim si aktivist, në Kosovë ka shumë pak persona që kanë nisur terapinë hormonale dhe ata pak janë të ekspozuar në opinionin publik dhe kanë dalë hapur për këtë gjë, sikurse unë dhe Lendi. Mendoj se kushdo që e bën këtë gjë nga komuniteti trans, e bën si pasojë e kostos së lartë të analizave dhe vizitës mjekësore. Gjithsesi këta persona duhet të vihen në dijeni, se marrja e këtyre hormoneve pa
vizitën tek mjeku mund të ketë pasoja të rënda në shëndet. Si ka qenë ecuria e terapisë hormonale? Doza e hormoneve ndryshon vazhdimisht dhe ka nevojë për monitorim të vazhdueshëm përmes analizave. Psikologjikisht është një proces mjaft delikat dhe shpeshherë harrohet për kujdesin emocional që terapia kërkon. Rekomandohet që gjithë tranzicioni të shoqërohet nga seanca psikologjike në mënyrë konstante. Doza e testosteronit që unë marr, sjell një lloj agresiviteti në personin që i merr dhe kjo ka ndikuar pak tek unë, duke marrë në konsideratë natyrën e qetë që unë kam. Pas terapisë hormonale, a planifikon t`a vijosh tranzicionin gjinor edhe me realizimin e "sex reassignment surgery"? Unë mendoj se në momentin që do të kem të gjitha mjetet financiare do të arrij t`a përfundoj plotësisht tranzicionin gjinor. Sa i përket aspektit ligjor, kam dëgjuar se legjislacioni kosovar është goxha në avantazh me të drejtat e komunitetit LGBTI+. Pyetja ime
është: "A ka mundësi një person transgjinor të ndryshojë emrin dhe gjininë në dokumentet zyrtare?" Është e vërtetë që Kosova konsiderohet si një nga vendet me legjislacionin më të zhvilluar në rajon sa i përket të drejtave të komunitetit LGBTI+. Përshembull, në ligjin për barazi gjinore specifikohet se çfarë quhet komunitet transgjinor. Logjikisht, kjo të bën të mendosh se emri dhe shënjuesi i gjinisë mund të ndryshohet shumë lehtë. Mirëpo ka një vakum ligjor sa i përket procedurave administrative për mënyrën se si mund të ndryshohet gjinia ose emri në dokumentet zyrtare. Gjithashtu një interpretim i ligjit tregon, se tranzicioni gjinor, pra ndryshimi i seksit nuk përbën kusht për të ndryshuar shënjuesin e gjinisë në dokumentet zyrtare. Pra nuk mundesh t`a kushtëzosh dikë që të përfundojë tranzicionin gjinor në mënyrë që të ndryshojë shënuesin e gjinisë, pasi Kosova as nuk i ka kushtet për të realizuar tranzicionin. Personalisht në mars e kam dorëzuar kërkesën në komunën e Gjakovës për ndryshimin e emrit dhe gjinisë. Pas një muaji jam njoftuar se kërkesa është refuzuar. Unë u befasova që edhe kërkesa për
emrin më është refuzuar, pasi mendoj se e drejta për të ndryshuar emrin është një e drejtë e të gjithëve. Pas refuzimit e kemi ankimuar vendimin dhe kemi pyetur se pse nuk na është dhënë një arsyetim për refuzimin e kërkesës. Në ankimimin e parashtruar kam treguar se emri aktual më pengon në integrimin në shoqëri. Përgjigjia e dhënë ka qenë absurde, pasi na është komunikuar pas ankimimit se duhet dëshmi me fotografi që emri pengon në integrimin në shoqëri... Pas kësaj, e kemi dërguar rastin në Gjykatën e Apelit. Pas raportit të lëshuar prej Avokatit të Popullit, raste të tilla mund të marrin përgjigje pas 3-8 vitesh. Duke qenë se rasti im është i paprecedentë, besoj se përgjigjia do të vijë shumë vonë, ndaj për këtë arsye i jemi drejtuar Gjykatës Kushtetuese, meqenëse gjykatat e shkallës më të ulët marrin shumë kohë si dhe mungon ekspertiza e duhur për të trajtuar rastin tim. Deri tani po presim përgjigje prej Gjykatës Kushtetuese dhe çfarë më bën optimist është rekomandimi i Avokatit të Popullit, i cili është shprehur se rastin tim duhet t`a marrë përsipër Gjykata Kushtetuese. Nëse marr përgjigje pozitive, besoj se kjo ka për të qenë një kthesë e fuqishme për komunitetin LGBTI+ në Kosovë.
Çmimi për Demokraci 2018 të është atribuar ty për këtë vit. Çfarë rëndësie merr ky çmim për komunitetin transgjinor në Kosovë? Gjatë fjalimit, pasi kam marrë çmimin, jam shprehur se mesazhi që ky çmim transmeton tek komuniteti transgjinor është shumë i madh dhe motivues. Në momentin që një person transgjinor merr një çmim nga një fondacion si KCSF, i gjithë komuniteti trans inkurajohet, fuqizohet dhe rritet vizibiliteti.
Përgatiti: Kristina Millona Kontakte website: www.cel-ks.org/about-us Facebook: www.facebook.com/cel.kosovo/ Foto: Marrë nga llogaria personale e Facebook
Shërbimi psikologjik i ofruar nga "Aleanca LGBT". Flet psikologia mbi problematikat e komunitetit Trans Quhem A.I. dhe jam psikologe pranë qendrës komunitare, Aleanca LGBT+. Kam përfunduar studimet për psikologji klinike. Kam rreth 7-8 muaj që jam në kontakt me komunitetin, por punën zyrtarisht e kam nisur pak më vonë. Pavarësisht ekspertizës sime ,në fillim është vështirë kur nuk e njeh komunitetin, ndaj duhet të lexosh e të hulumtosh rreth komunitetit për ta kuptuar më mirë. Kështu veprova dhe prej kohësh jam e angazhuar me problemet brenda këtij komuniteti. Mendoj se me komunitetin LGBTI+ duhet punuar ngushtësisht, pasi është një grup që ka shumë nevoja. Një ndër më baziket është nevoja për t`u ndjerë të pranuar. Disforia gjinore Nuk ka një moshë apo fazë fikse kur persona të komunitetit trans vetëdijësohen për këtë gjë. Ka persona që pohojnë se e kanë ndjerë disforinë gjinore që në moshë të vogël, ndërkohë të tjerë mendojnë se gjatë pubertetit vihet më shumë re. Ka edhe persona që tregojnë se e kanë ndjerë disforinë gjinore në një moshë madhore. Fillimisht personat shohin gjininë përkatëse që kanë si dhe rolet gjinore që u janë përcaktuar dhe kuptojnë që nuk përshtaten me çfarë u është paracaktuar. Marrim rastin e një djali, pra seksi mashkull, vëmë re se nuk ndihet si djalë, nuk i pëlqejnë karakteristikat dytësore seksuale që ka. Kjo gjë përkthehet në ankth, pasi e kupton se në fakt nuk është ai që shoqëria apo familja i imponon. Faza tjetër është ajo eksploruese, ku personat nisin të kërkojnë informacione për komunitetin trans dhe e kuptojnë se të qënurit transgjinor nuk përbën një çrregullim mendor, nuk është diçka anormale dhe se ka shumë persona të tjerë si
ata/ato. Më pas vjen lufta me veten, mes të qenurit ajo çfarë familja dhe shoqëria imponon dhe mënyrës se si ndihesh përbrenda. Do kohë që personi transgjinor të pranojë veten dhe ky proces është i gjatë e jo i papritur. Pasi ka fituar "luftën" me veten, individi përballet me problematika të tjera si: përjashtimi nga familja, bullizmi në shkollë etj. Male-to-Female apo Female-to-Male Këtu tek Aleanca rasteve më të shumta që u është ofruar shërbimi psikologjik janë ato Female-to-Male. Deri tani është vetëm një rast Female-to-Male, që ka ardhur pranë Aleancës me të cilin jemi në kontakt të vazhdueshëm. Nuk e di pse kemi këtë lloj raporti, mbase për arsyen se Aleanca frekuentohet nga shumë vajza transgjinore, dhe jo transgjinorë. Momentalisht është një fushë për të cilën po punojmë. Përjashtimi nga familja dhe "coming out" Përjashtimi nga familja është një nga çështjet me të cilat përballet komuniteti LGBTI+. Përpara se të ndodhë përjashtimi nga familja, personat përballen me dhunë fizike. Ka raste kur personat bëjnë "coming out" te familja dhe si pasojë familjarët nuk duan t`i mbajnë më në shtëpi. Përjashtimi ndikohet nga disa faktorë, ndër të cilët edukimi i
familjes, mentaliteti etj. Ky fakt sjell pasoja të tjera, pasi nëse personat LGBTI+ të përjashtuar nga familja ndjekin shkollën, atëhere ata detyrohen ta ndërpresin atë. Gjërat lidhen zinxhir, pasi nëse një person ndërpret shkollimin dhe nuk mbështetet as ekonomikisht nga familja, kërkon të punësohet. Për shkak të identitetit gjinor dhe mungesës së lirisë për t`a shprehur atë, personat transgjinorë ndeshin në barriera për të gjetur punë. Në më të shumtën e rasteve nuk u jepet mundësia as për punësim. Dëbimi nga shtëpia, mungesa e edukimit dhe e punësimit rrit tendencën e sjelljeve të rrezikshme te personat transgjinorë, si abuzimi me substancat, depresioni i shoqëruar me vetëvrasje, izolimi social etj. Mbështetja familjare Ka pasur edhe raste kur familja ka qenë pranuese sepse mund ta kenë kuptuar që më parë identitetin gjinor të personit. Një gjë që do doja të theksoja është se në momentin kur personi po realizon tranzicionin gjinor, njëherazi me fëmijën edhe prindërit pësojnë tranzicion. Në momentin që fëmija ua thotë hapur se ndjehet si gjinia tjetër, praktikisht prindërve po u komunikon se ka humbur fëmija që kanë njohur deri më tani dhe po u prezanton një fëmijë tjetër. Është normale që prindi t`a përjetojë në mënyrat e veta këtë situatë. E rëndësishme është që prindi të jetë prezent dhe mbështetës, pasi fazat dhe sfidat me të cilat fëmija do të përballet janë të mëdha. Mbështetja nga familja është shumë e rëndësishme, pasi e lehtëson individin në përballjen me sfidat e tjera. Nevoja për të qenë i pranuar është nevoja më e madhe që komuniteti transgjinor ka. Prindërit kur të vënë re ndryshime te fëmija, duhet të kërkojnë ndihmë psikologjike apo informim të mëtejshëm. Deri tani nuk kemi pasur raste të ndonjë prindi që ka kërkuar këshillim psikologjik pranë Aleancës. Nga çfarë kam dëgjuar e kam parë, di se edhe nëse marrin këshillim psikologjik, preferojnë t`a marrin përmes terapistit privat, por edhe këto janë raste mjaft të izoluara.
Dhuna (verbale dhe fizike) Në rastin e komunitetit trans edhe kur personi nuk ka dalë hapur për identitetin gjinor, dhunohet fizikisht për shkak të sjelljes, tonit të zërit, veshjes etj. Ka dhe raste të tjera më të rralla, ku këta individë hasin në dhunë seksuale nga familjarët. Forma e dhunës më e shprehur është ajo psikologjike. Kjo formë dhune është kaq e brendësuar, saqë vetë personi nuk arrin më të kuptojë se po dhunohet. Kjo dhunë nuk qëndron më vetëm në kontekstin e familjes, por edhe në shoqëri, në klasë, në rrugë... Gjithë kjo luftë me veten për t`u pranuar,e në fund vjen një person i jashtëm që e ndërpret këtë cikël...
Ndjesia komunitare tek Aleanca Përmes shërbimeve që Aleanca ka ofruar prej vitesh, ka bërë të mundur që persona të komunitetit trans të krijojnë vetiu midis tyre ndjesinë komunitare, duke kuptuar se ka dhe persona të tjerë që po kalojnë të njëjtën gjë. Mendoj se përkatësia ndaj një komuniteti është nevojë e çdo personi. Nëse një person vjen për të marrë shërbimin psikologjik, atëhere ka një lloj besimi tek Aleanca. Supozoj se nëse do të shkonte te një terapist tjetër privat, do të duhej kohë derisa të fitohej besimi. Shërbimet e ofruara nga Aleanca janë të ndryshme e përveç shërbimit psikologjik, ofrohet dhe ndihmë ligjore për t`i referuar rastet në institucionet përkatëse; informimi; këshillim mes linjës së këshillimit SOS LGBTI+ etj.
Emigracioni Në momentin që personat transgjinorë kanë pranuar veten, gjëja që kërkojnë në të shumtën e rasteve është të realizojnë tranzicionin gjinor. Kërkesat për t`u larguar jashtë shtetit kanë qenë në rritje brenda komunitetit trans, jo vetëm për shkak të tranzicionit gjinor por edhe për të siguruar të ardhura financiare. Këta persona për shkak të pamundësisë ekonomike gjejnë si formë për të mbijetuar punën si punonjës seksi. Me sa kam kuptuar, ata që zgjedhin këtë punë e bëjnë për dy arsye, së pari për të pasur mundësi ekonomike. Së dyti, ka të bëjë mënyra se si mund t`a shprehin veten (raste Male-to-Female) dhe nëse ndihen të dëshiruara nga klientët e tyre gjatë ushtrimit të profesionit si punonjëse seksi. Shumë persona transgjinorë largohen nga shteti shqiptar dhe kërkojnë azil, pasi kanë të dokumentuar dhunën fizike të ushtruar mbi ta. Terapia hormonale Shumë persona trasngjinorë largohen nga Shqipëria sepse e shohin si mundësi për të nisur terapinë hormonale, pasi këtu në vend nuk ka një specialist që mund të ndjekë një person që do të nisi tranzicionin. Ndërkohë, kemi raste të personave nga komuniteti që kanë aksesuar në farmaci medikamente për të nisur terapinë hormonale, por pa recetë mjekësore. Këto medikamente kanë efekte anësore në organe të tjera të trupit, prandaj është e nevojshme që një person që nis terapinë hormonale të ndiqet nga një mjek specialist dhe të realizojë analizat para se të veprojë. Personat që nisin të marrin këto medikamente, nuk kanë informim të plotë për rreziqet që mbart ky proces. Këta persona marrin thjesht një informacion sipërfaqësor nga rrjetet sociale. Atyre rasteve që kemi ndeshur tek Aleanca, i kemi ofruar informacion më të
plotë. Mungesa e një specialisti mjekësor e bën të vështirë për ne që t`i referojmë diku tjetër, ndaj po përpiqemi të vihemi në kontakt me aktivistët jashtë shtetit, të cilët i kanë këto shërbime.
Përgatiti: Kristina Millona Foto: Marrë nga interneti
Keli Unë jam 17 vjeç dhe jam transgjinore. Nuk besoj se ka një fazë të caktuar kur arrin të kuptosh se i përket një trupi të gabuar, por rreth moshës 12 vjeçare kam nisur të ndihem jo rehat me trupin tim. Pas dy vitesh, nisa të lexoj më shumë në Internet rreth komunitetit Trans dhe kuptova se kishte dhe persona të tjerë si unë. Sapo nisa të lexoj për këtë, menjëherë i tregova një mikeshës sime, të cilën e kisha të ngushtë asokohe. Ajo ishte shumë mbështetëse ndaj meje. Tani jam ftohur pak me të, por nuk kam frikë nga fakti se ajo mund t`i tregojë të tjerëve për këtë gjë. Sa u përket prindërve, vetëm mamasë i kam treguar, pasi prindërit i kam të divorcuar dhe me mamanë kam lidhje më të fortë. Ajo ka pasur një reagim pozitiv. Edhe pse jam rritur në një familje le të themi konservatore, mamaja më tregoi se gjithnjë kishte pasur dyshime për identitetin tim gjinor. A flet shpesh me mamanë për identitetin gjinor? Po, flasim goxha bashkë. Tani kur bisedoj me mamanë ajo është e besimit që kjo është thjesht një fazë kalimtare, por nuk ka ushtruar trysni ndaj meje asnjëherë. Mamaja më ka dërguar tek një psikolog që unë të këshillohem, por asnjëherë me tendencën për të më imponuar mendimin e saj. Përveç psikologut privat, unë ndjek dhe shërbimin psikologjik pranë qendrës komunitare "Aleanca LGBT". Me ndihmën e psikologes tek Aleanca, kam kuptuar se sa i rëndësishëm është pranimi i vetes dhe më pas tranzicioni gjinor, pasi unë dëshiroj t`a nis atë.
A i ke treguar mamasë që dëshiron të nisësh tranzicionin gjinor? Po, i kam treguar edhe për këtë gjë. Ajo shprehet se nëse është diçka që unë e dua, atëhere nuk ka pse të kundërshtojë, por nuk do të më mbështesë financiarisht (qesh). Duke qenë se një nga problematikat që has komuniteti trans është bullizmi dhe diskriminimi, ti vetë a ke ndeshur në raste bullizmi? Fatmirësisht nuk kam pasur raste bullizmi apo diskriminimi. Kam qenë një nxënëse shembullore, e devotshme dhe kam nota të larta. Përpos kësaj, jam socializuar gati me të gjithë në klasë. Sigurisht gjeste, të qeshura nën dhëmbë kam hasur, sikurse çdo gjimnazist. Kush e di tjetër për identitetin tënd gjinor? Unë i kam treguar për këtë gjë shoqërisë sime dhe të gjithë më mbështesin. Jam e lumtur që nuk kam humbur asnjë shok apo shoqe për shkak të identitetit tim gjinor. Ata më respektojnë, duke më thirrur në emrin që unë dëshiroj. Pak përpara se të nisnim intervistën më tregove për ndërhyrësit hormonalë që ke nisur të marrësh në shërbim të terapisë hormonale më pas. Si u informeve për to dhe si ke arritur t`i aksesosh? Që në moshën 14 vjeçare, kur kam rënë në kontakt me termin transgjinor e deri tani vetëm kam lexuar për terapinë hormonale, duke studiuar çdo term mjekësor. Në momentin që kam nisur të përdor T-Blockers, kam pasur një informacion shumë të madh. Këta ndërhyrës i mora pa rekomandimin e mjekut sepse e dija që s'do të kishin efekt negativ mbi shëndetin tim. Po farmacistes si ia kërkove ndërhyrësit hormonalë? A kishte ajo ndonjë reagim kundërshtues? Unë shkova në farmaci dhe kërkova këto medikamente, duke i treguar farmacistes emrin që më duhej. Farmacistja m`i dha pa kurrfarë problemi dhe pa rekomandim mjeku. Unë i përdora ndërhyrësit hormonalë për rreth dy muaj.
A ke kontakte me organizatat që lobojnë për të drejtat LGBT+ në Tiranë? Përmes miqve të mi kam rënë në kontakt me Aleancën LGBT. Tani e frekuentoj shpesh dhe kam akses në shërbimet që Qendra ofron, përmes konsulencës psikologjike që zhvillojnë. Cilat janë disa prej hobeve të tua? Më pëlqen shumë dizenjimi i veshjeve dhe arti, çdo gjë që lidhet me artin praktikisht. Gjithashtu merrem dhe me skenografi duke trajtuar subjekte abstrakte. Cili është një mesazh që do ti jepje komunitetit transgjinor në Shqipëri? Një mesazh për komunitetin transgjinor që ia rikujtoj dhe vetes, është që këtë jetë që kemi ta jetojmë siç duam dhe që asgjë nuk është e pamundur. Ndaj duhet ta pranojmë veten ashtu siç jemi.
Përgatiti: Kristina Millona Foto: Marrë nga interneti
Jovani Në ndryshim nga aktivistët e tjerë transgjinorë, intervista e radhës prezanton Jovanin, një anëtar të komunitetit transgjinor nga Mali i Zi që e ka realizuar plotësisht tranzicionin gjinor. Ai është drejtor ekzekutiv i organizatës "Spektra", e vetmja organizatë që lobon për të drejtat e komunitetit transgjinor në Mal të Zi. Përmes kësaj interviste, shumë prej jush mund të shuajnë kurreshtjen për tranzicionin gjinor dhe efektin psikologjik që sjell tek personi që vendos ta realizojë atë. Jovani përcjell edhe mesazhe inkurajuese për të gjithë ata që janë ende "in the closet".
Rreth cilës moshë e ke kuptuar për identitetin tënd gjinor? Mendoj se historia e jetës sime është pak stereotipike. E kam kuptuar që ndihem "ndryshe" që kur isha i vogël, por nuk isha i vetëdijshëm që isha transgjinor. Kur shkolla nisi, m`u desh të përshtatesha në identitetin që shoqëria perceptonte rreth meje. Pra, në mendjen time thjesht ndihesha ndryshe dhe mendoja se kjo ishtë çështje fati. Në moshën 18 vjeçare e kuptova që i përkas komunitetit transgjinor përmes njohjes me historinë e një transgjinori, të cilën e lexova në një gazetë këtu në Mal të Zi. Përmes asaj gazete e kuptova se çfarë do të thotë transgjinor. Çfarë ndodhi pas këtij momenti të vetë-pranimit? Tri vitet që pasuan janë të mbushura me frikën nga diskriminimi, frikën nga braktisja prej të afërmve dhe miqve të mi për shkak të identitetit gjinor. Kanë ndodhur shumë gjëra, të cilat më shtynë të dilja hapur për atë se çfarë ndihesha në të vërtetë. I vetmi person që e dinte për mua ishte partnerja ime. Nga aty nisi rrugëtimi im për të gjetur zërin e brendshëm e të dalurit hapur për atë që jam. Pas këtij rrugëtimi të gjatë të eksplorimit të vetvetes, kur u tregove prindërve se je transgjinor? Rreth moshës 21 vjeçare bëra "coming out" te familja ime dhe te miqtë. Nuk mund të them se ishte e lehtë. Mamaja ime ishte shumë e frikësuar dhe qau pasi ia thashë, kurse reagimi i babait ishte akoma dhe më i rëndë, pasi ai ushtroi dhunë fizike mbi mua. Vitet që pasuan ishin të mbushura me zënka të vazhdueshme, por ishte insistimi im që i bëri ata të
kuptojnë, se unë nuk do të hiqja dorë nga vetvetja dhe se nuk do të bëja asnjë kompromis. Më kujtohet, se në fillim më thonin që mund të dilja me vajza, të isha lezbike, por nuk mund të toleronin faktin që do të ndryshoja gjininë. Ishte një proces i gjatë që zgjati për tri vite, derisa ata më pranuan. Ditën kur unë iu nënshtrova kirurgjisë, gjyshja erdhi së bashku me babanë për të më qëndruar afër. Mamaja nuk më shoqëroi dot, pasi nuk arriti të shkëputej prej punës. Unë u ktheva pas dy javësh në shtëpi. Sa u përket miqve të mi, disa prej tyre më pranuan, kurse disa miq të tjerë i humba vetëm për shkak të asaj çfarë unë jam. Kjo është një nga gjërat që e bën të dhimbshëm tranzicionin. Edhe pse humba shumë miq rrugës, arrita në fund të gjeja vetveten. Një gjë për të cilën mendoj se duhet folur më shumë kur vjen puna tek komuniteti transgjinor, është pjesa e tranzicionit gjinor. Të gjithë mendojnë, se kur nis tranzicioni çdo gjë do të shkojë mirë, por në fakt ky është një proces shumë delikat nga ana psikologjike dhe emocionale. Ti përbrenda mbart dilemën nëse do arrish të përshtatesh në këtë identitet gjinor e në të njëjtën kohë të duhet të procesosh të gjitha traumat që ke kaluar përpara se të nisësh tranzicionin gjinor. Prandaj është e rëndësishme që të angazhohesh me komunitetin transgjinor, edhe pasi tranzicioni yt gjinor ka përfunduar. Dhe kjo pasi të qenurit transgjinor përmbledh kalvarin e vuajtjeve dhe të dilemave të brendshme që ke mbartur ndër vite për shkak të presionit që shoqëria ka ushtruar mbi ty. Çdo person transgjinor duhet të mësojë, se si ta transformojë dhimbjen në forcë për vetë-pranim. Në cilin shtet e ke realizuar tranzicionin gjinor? Kur unë e nisa terapinë hormonale, asokohe nuk
mund të aksesoja hormonet në vendin tim, ndaj shkova në Beogad në fillim të 2014-ës. E gjithë terapia zgjati për një vit. Në fund të 2014-ës mora të gjitha dokumentet e siguracionit shëndetësor që do të më mbulonin operacionet. Ato janë të aksesueshme sot në sajë të aktivizmit dhe lobimit të vazhdueshëm që kemi bërë. Në shkurt in e 2015-ës unë shkova në Beograd për të realizuar kirurgjinë "top surgery"dhe pas një viti shkova sërish në Beograd për ta korrigjuar këtë kirurgji, e cila nuk ishte mirërealizuar, herën e parë. Mendoj se tranzicioni gjinor është një proces shumë delikat që kërkon një regjim të shëndetshëm dhe ndjekje të vazhduar nga psikologu gjatë gjithë procesit. Unë kur nisa terapinë hormonale, ndoqa dhe këshillimin psikologjik, në mënyrë që tranzicioni të ishte sa më i lehtë. Sot besoj se kjo gjë më ndihmoi shumë. Sado që kisha mbështetjen e familjarëve gjatë këtij procesi, ishte e nevojshme të kisha asistencën e një personi me ekspertizë. Për mua, eksperienca e ndryshimeve mentale ishte shumë më e vështirë se sa rekuperimi fizik pas operacioneve. Sa i avancuar është legjislacioni malazez kur vjen puna për të drejtat e komunitetit transgjinor? Legjislacioni është pjesërisht suportues ndaj të drejtave dhe çështjeve që lidhen me komunitetin transgjinor në Mal të Zi. Siguracioni shëndetësor i mbulon kostet e shërbimeve mjekësore në masën 80%, gjë që u bë e mundur përmes miratimit të një ligji në vitin 2012. Pavarësisht këtij fakti, realiteti paraqitet ndryshe, pasi ka shumë diskriminim në strukturën shëndetësore dhe forma të transfobisë. Megjithatë, sot jemi në kontakt me disa profesionistë mjekësorë që janë shumë miqësorë ndaj komunitetit tonë. Njëri prej tyre është një endokrinolog, i cili ka një përqasje depatologjizuese kundrejt personave transgjinorë, një gjë e rrallë kjo për vendet e Ballkanit. Për shembull, për të nisur terapinë hormonale, ne nuk kemi nevojë për vizitën te psikiatri, por vetëm për një takim te psikologu, më shumë në formën e një takimi informues. Më pas vjen takimi me endokrinologun. Një sfidë
aktuale për ne është mungesa e hormoneve femërore dhe po punojmë për t`a zgjidhur. Sa i përket njohjes ligjore të identitetit gjinor, nuk kemi asgjë. Për t`a realizuar ndryshimin e gjinisë në dokumente, nevojitet realizimi i sterilizimit. Kjo është një gjë tjetër me të cilën po merremi, pra advokimi për njohjen ligjore të identitetit gjinor. Ndërkohë, ligji për mbrojtjen nga diskriminimi është shumë i avancuar, pasi përfshin jo vetëm identitetin gjinor, por edhe karakteristikat seksuale. I mëshoj megjithatë pjesës,që praktika tregon se ka ende diskriminim pavarësisht ligjeve.
Ajo çfarë po bëjmë ne si aktivistë, është që të vendosim në një linjë paralele praktikën me ligjet progresive dhe kjo realizohet përmes të punuarit ngushtësisht me stafin mjekësor dhe me punonjësit e administratës.
Përgatiti: Kristina Millona Foto: Marrë nga interneti Kontakte: www.facebook.com/t ransbalkan/ Facebook hWebsite tp:/ w w.transbalkan.org/?fbclid=IwAR1z8_a5yjVMfNJQSPyWcy Qyo29lopKE_9XKAe6fOSBySeNPCcRIh2XEIg www.facebook.com/asoci jacija.spektra/ Facebook
w w.asocWebsite ijacijaspektra.org/?fbclid=IwAR25 fBKM4pvO78IAnlhznjuWs8dBO0Ztrf0OKaEJ0PAV2mETi1kMci_Q6g
Njihuni me Qerkicën, transgjinoren që u martua para 25 vitesh në Pejë Gjatë javës së krenarisë në Kosovë, u njohëm me aktivistë të ndryshëm, me situatën e komunitetit LGBTI+ në Kosovë dhe folëm për mënyrat se si mund të rrisim bashkëpunimin mes organizatave në nivel rajonal. Surpriza më e bukur ishte takimi me Qerkicën, një nga transgjinoret e para që kanë dalë hapur në Kosovën e pasluftës. Ajo rrëfen historinë e jetës, e cila për shumë persona mund të tingëllojë e pabesueshme. Gjithnjë jam ndjerë vajzë. Kam pasur një shoqe, Luljetën, e cila më ftoi një ditë te halla e saj në Pejë. "Do shkojmë atje e do të kënaqemi", - më tha shoqja ime. Kur shkuam atje, halla e saj më mori për vajzë. Vetëm shoqja ime e dinte për identitetin tim gjinor. Të gjithëve në Pejë iu prezantova si Valentina. Aty qëndrova tri muaj, pasi isha shumë e lidhur me Luljetën, e cila më konsideronte si motrën e saj. Gjatë qëndrimit tim në Pejë një djalë (fqinj) u dashurua pas meje dhe i tha një ditë Lules, se do të martohej me mua me se sbën. Luljeta i tregoi hallës se unë isha në të vërtetë mashkull, por ajo vijoi të mos e besonte këtë fakt. Një ditë edhe asaj i tregova për identitetim tim të vërtetë. U shokua në fillim, nisi të qajë, por më pas më premtoi se nuk do t`i tregonte njeriu për këtë gjë. E gjitha kjo ka ndodhur para 25 vitesh... Menjëherë vendosëm të martoheshim, meqenëse edhe familja na pranoi. Ashtu bëmë. Asnjë në mëhallë (lagje) nuk e kuptoi se unë isha mashkull në të vërtetë. Qëndrova e martuar për 9 muaj dhe e ndava shtëpinë me tri kunetër dhe dy kunata. Tri ditët e para të martesës, ashtu sikurse e kërkonte tradita, kam qëndruar e veshur si nuse. Pas 9 muajsh ika dhe i dhashë fund martesës. I dhashë fund, pasi ashtu erdhën rrethanat në jetën time. E di që tingëllon e pabesueshme, por kjo është historia e jetës sime...
Përgatiti: Kristina Millona Foto: Të marra nga transgjinorja Qerkica
Një projekt interesant i krijuar së fundi për t`i dhënë fund mungesës së informacionit rreth komunitetit transgjinor është dhe Wiki-Projekti LGBTI+. Ky projekt ka si qëllim shkrimin e artikujve rreth temave mbi komunitetin LGBTI+ dhe lindi si nevojë pasi në Wikipedian në gjuhën shqipe kemi mungesë të theksuar të artikujve rreth këtyre temave. Ky projekt synon të përmirësojë këtë gjendje. Një pjesë e projektit i kushtohet edhe komunitetit Trans, duke pasur në gjuhën shqipe biografi të disa prej figurave kryesore nga lëvizja historike e komunitetit transgjinor. Ky është një prej projekteve të shumta që komuniteti "Wikimedians of Albanian language UG" ka iniciuar. Nëse dëshironi të kontribuoni për kauzën në Wikipedian shqip, më poshtë gjeni kontaktet:
Projekti: https://sq.wikipedia.org/wiki/Wikipedia:WikiProjekti_LGBT Komuniteti: https://meta.wikimedia.org/wiki/Wikimedians_of_Albanian_Language_User_Group www.twitter.com/SQWikimediansUG Twitter www.facebook.com/SQWikimediansUG/ Facebook
Përgatiti: Kristina Millona Foto: Të marra nga transgjinorja Qerkica
Durimi Kur vjen puna te respektimi i të drejtave të komunitetit LGBTI+, perspektiva në Maqedoni nuk duket edhe aq pozitive. Bazuar në raportin e publikuar nga "ILGA-Europe", për vitin 2018 Maqedonia u rendit në vendin e 41-të, nga 49 shtete në Evropë, renditur sipas nivelit të respektimit të të drejtave të komunitetit LGBTI+. Për këtë arsye redaksia e "Pro-LGBT", vendosi t`i kushtojë këtë hapësirë komunitetit transgjinor në Maqedoni. Më poshtë mund të lexoni intervistën e plotë me një transgjinore nga Tetova.
Kur e ke kuptuar për herë të parë për identitetin tënd gjinor? Kur isha 12-13 vjeçare fillova të ndjehem ndryshe nga të tjerët, nuk e dija se çfarë po ndodhte me mua. Thjesht po ndjehesha në një trup të gabuar. Ishte tepër e vështirë për mua sepse kisha lindur mashkull, por nuk ndjehesha ashtu. Ndjeja që i përkisja një identiteti tjetër. Kujt i ke treguar për herë të parë se je transgjinore? Nuk kisha guxim t`i tregoja askujt deri sa erdhi një moment kur daja më pyeti se çfarë po ndodhte me mua, por unë në ate moment prapë ndjehesha e pasigurtë për t`i treguar. Mendoja se po t`i tregoja se si ndjehem, ai nuk do më pranonte kurrë. Por ndodhi e papritura dhe ndryshe nga të gjitha parashikimet e mia, ai më tha se mund të flisja lirshëm me të. "Çfarëdolloj problemi që të kesh, unë jam këtu për ty", - më tha ai. Në moment më ndryshoi gjendja emocionale dhe në atë moment i thashë të vërtetën që e ruaja me aq fanatizëm: "Unë ndjehem vajzë", - dhe fillova të qaj. Ai më përqafoi fort dhe më tha se më përkrah për atë çfarë unë isha dhe se do të kisha mbështetjen e tij. Prej asaj dite ndjej një barrë më pak. A ke pasur raste të bullizmit për shkak të identitetit gjinor? Po ndonjë incident fizik? Fatmirësisht nuk kam pasur ndonjë rast bullizmi sepse nuk e ka ditur askush përveç dajës, disa kushërirave dhe shoqërisë. Në shkollë nuk kam dashur askujt t`i tregoj për identitetin tim sepse e dija se shumica do të ishin kundër e do të më binin në qafë. A je e angazhuar në ndonjë organizatë apo iniciativë në Tetovë për të drejtat LGBT+? Aktualisht jam koordinatore e grupit për përkrahje të personave transgjinor pranë Shoqatës "LGBT
Junajted Tetovë". Ky grup ka për qëllim fuqizimin e komunitetit transgjinor në Tetovë. Si e kalon kohën e lirë në Tetovë? Kohën e lirë më së shumti e kaloj jashtë Tetovës, duke takuar shokë, shoqe. Frekuentoj shumë dhe klubet e natës. Çfarë aspiratash ke për të ardhmen? Dëshiron të largohesh nga Tetova? Tetova është qyteti ku kam kaluar fëmijërinë time. Kam njerëzit më të dashur këtu ndaj përgjigjja ime është jo. Definitivisht nuk largohem nga qyteti im. Aspiratat e mia për të ardhmen janë që të vazhdoj të merrem me aktivizëm për të drejtat e personave transgjinorë dhe të bëhem zëri i tyre. Po sa i përket tranzicionit gjinor, ke menduar ta nisësh në të ardhmen? Në momentin kur unë do ndjehem e gatshme që ta bëj, do e nis edhe tranzicionin, por për momentin nuk e kam në plan.
Intervistë me Svetlanën, transgjinoren nga Turqia
Meqënëse jemi fokusuar më së shumti në rajonin e Ballkanit, këtë herë vendosëm të shkonim përtej tij. Takuam Svetlanën! Ajo është një aktiviste transgjinore nga Turqia, një feministe e flaktë që ka zgjedhur të ndajë me ne se si vetë arriti të përqafojë identitetin e vërtetë gjinor. Kur morëm vesh se është nga Turqia, menduam se një pjesë e mirë e intervistës do të bazohej në sfidat që ajo ndesh në të jetuarit si transgjinore aty. Mirëpo, u surprizuam kur pamë se sa miqësore ishte lagjja ku ajo jetone, shkolla dhe rrethi i ngushtë i miqve në lidhje me identitetin e saj gjinor. Me plot gojën mund të themi, se ajo jeton lirshëm si transgjinore në Stamboll. Për më tepër detaje, ndiqni intervistën e mëposhtme:
Kur e ke kuptuar për herë të parë që je transgjinore? Svetlana është një emër që e kam krijuar kur iu bashkova shfaqjeve si “drag queen”. Kjo ka ndodhur dy vite më parë. Në të njëjtën kohë që bëja “drag”, nisa të vë në pikëpyetje gjininë time dhe arrita të kuptoja brenda vetes sime, se Svetlana nuk ishtë thjesht një emër, por ajo çfarë unë doja të isha çdo ditë dhe në çdo moment. Për këtë arsye luftoj që çdo ditë të jem më shumë Svetlana sesa Serkan. Këtë verë kuptova, se kush isha unë në të vërtetë dhe menjëherë nisa të merrja hormone. Si arrite t`i marrësh këto hormone? Ke nisur një terapi pas vizitës mjekësore? Jo, nuk kam shkuar për vizitë te ndonjë mjek për shkak të transfobisë, por edhe sepse mjekët përpiqen gjithnjë të të bindin se nuk je transgjinore. Ndaj po i marr hormonet pa recetë mjekësore. Këtu mund t`i aksesoj në çdo farmaci. Jam e ndërgjegjshme që do të ishte shumë më mirë të bëja vizitën tek mjeku si fillim, por vendosa të ndjek këtë rrugë edhe pse ekzistojnë disa mjekë që janë miqësorë ndaj komunitetit LGBTI+.
A është në dijeni familja për identitetitin tënd gjinor? Jo, ata nuk e dinë për këtë gjë. Unë nuk jetoj me ta dhe i vizitoj vetëm dy herë në vit. Nuk u kam treguar dhe nuk besoj se do të reagonin pozitivisht nëse do t`ua thoja. Mbase do t`u përqasem në një moment tjetër të tranzicionit tim gjinor, kur të realizoj kirurgjinë e ndryshimit të seksit. Po sa i përket jetës në universitet, a ndihesh e lirë të shprehësh identitetin tënd gjinor? Nëse po, a ke hasur në bullizëm? Unë studioj në një universitet progresiv në Turqi. Mjedisi atje është shumë miqësor ndaj komunitetit transgjinor. Unë shkoj në leksione me paruken të veshur, me tualet…Gjithashtu jetoj në kampus. Asnjëherë nuk jam ballafaquar me ngacmime nga profesorët, studentët etj. Ekziston një komitet për parandalimin e ngacmimeve seksuale brenda universitetit, por edhe në zonën përreth. Komiteti ofron shërbim ligjor falas, konsulencë psikologjike, hapësirë për të bërë telefonata emergjence etj.
A ke marrë pjesë në ndonjë manifestim, protestë a paradë për të drejtat LGBTI+ në Turqi? Për shkak të ultimatumit të vënë në Turqi ndaj paradave të krenarisë, ne zakonisht si komunitet i bashkohemi Paradës së Grave, duke u rreshtuar në radhën e aleatëve “queer”. Ne marshojmë së bashku, por vendosim gjatë një konkursi veror se kush do të jetë personi transgjinor që do të jetë në rreshtin e parë të kësaj radhe aleatësh. Vitin tjetër mund të jem unë, ku i dihet…
Përgatiti: Kristina Millona Burime të fotos: Marrë nga arkiva personale.
Komuniteti LGBTI+ në Art Të jesh pjesë e komunitetit LGBTI+ nuk është një “trend” i viteve të fundit, përkundrazi, marrëdhëniet mes personave të seksit të njëjtë kanë shoqëruar njerëzimin që në fillesat e tij dhe të qytetërimeve të hershme. Arti është dëshmia më e qartë e ekzistencës së marrëdhënieve brenda gjinisë, që përpara se shoqëria e sotme bashkëkohore të pranonte personat LGBTI+ si një realitet social të pamohueshëm. Grekët e lashtë ishin të parët që trajtuan temat gej në artin e tyre. Në ndryshim nga kulturat e hershme antike, grekët e lashtë konsideronin tërheqjen seksuale midis meshkujve si diçka krejt normale dhe të natyrshme. Ata madje përkrahnin dhe lidhjet midis djemve adoleshentë të pjekur seksualisht me meshkuj më të rritur, si një ritual i kalimit nga adoleshenca në burrëri. Këto lidhje homoerotike paraqiten përveçse në artin viziv edhe në atë të shkruar përmes poezisë. Në ditët e sotme, kemi me dhjetëra vazo të lashta greke, ku paraqiten skena erotike mes individëve meshkuj, të cilat na shërbejnë si dëshmi e një kohe kur marrëdhëniet brenda së njëjtës gjini jo vetëm ishin të pranuara, por madje edhe promovoheshin e ishin pjesë e së bukurës të paraqitur përmes artit. Momenti tjetër kyç në art, ku rifillojnë të mbizotërojnë skenat e romancës mes çifteve të gjinisë së njëjtë, ishin vitet 50’ dhe 60’ kryesisht në perëndim. Në dekadat që më pas u quajtën si Revolucioni Seksual në SHBA, letërsia rozë u mbush me tregime e novela me përmbajtje homoerotike. Ishte pikërisht ky art, frymëzues i lëvizjeve liberale, që nxiti frymën e pranimit në shoqëri për individët LGBTI+. Më populloret ishin novelat ku personazhet kryesore ishin gra dhe tema kryesore ishte romanca midis tyre. Këto botime shoqëroheshin me koperti-
na shumëngjyrëshe, ku paraqiteshin pa ngurrim nudo vajzash e grash, por edhe burrash, të cilët përfaqësonin një botë fantazie të mbushur me cliché absurde, poza joshëse dhe meshkuj me fizik perfekt. Këtu ishin dhe fillesat e Pop Culture (Kulturës popullore), rryma artistike dhe kulturore që përfaqësonte dhe vazhdon ende të përfaqësojë një pjesë të mirë të gejve dhe lezbikeve si dhe individëve të tjerë të komunitetit LGBTI+.
Komuniteti LGBTI+ dhe lidhja e ngushtë me Pop Art-in Ikona e Pop Art-it, është padyshim artisti, regjisori dhe dizajneri grafik Andy Warhol. Ai hoqi kufijtë që ekzistonin mes artit dhe reklamës. Gjithmonë krenar për orientimin e tij seksual, Warhol ishte nga të parët që përdori nudon në fotografi. Veprat e tij artistike ishin tërësisht të frymëzuara nga kultura e nëndheshme queer. Imazhet e tij të ikonave të atëhershme të bukurisë si Marilyn Monroe, Elizabeth Taylor, Elvis Presley por edhe “pikturat-reklamë” si e famshmja me kanaçet e supës Campbell, shënuan fillimin e lëvizjes së artit të thjeshtë, shpesherë naiv, të kuptueshëm e të pëlqyer nga të gjitha masat, artit pop (popullor).
Shprehja më e famshme e Andy-t ishte: “Në të ardhmen, të gjithë do të bëhën të famshëm për 15 minuta”. Gjatë viteve 1960 – 1970 ai krijoi një kolektiv artistësh, modelësh dhe individësh të komunitetit LGBTI+, të cilët i quante “Yjet e Warholit”. Kultura Drag sapo kishte filluar të lulëzonte në këto vite dhe New York-u kishte filluar të mbushej me teatro dhe lokale ku shfaqeshin performanca nga mbretëreshat drag të kohës. Meshkuj të veshur si gra, me tualet të ekzagjeruar dhe forma trupore të nxjerra në pah, po bëheshin një realitet i përditshëm i New York-ut.
Andy u magjeps nga dëshira e tyre për të dalë jashtë kornizave të normales dhe nga thjeshtësia e asaj që ata ofronin për publikun. Nuk kishin pse të dukeshin perfekte, ndonjëhere dukeshin qëllimisht të ekzagjeruara për të ndryshuar perceptimin e masave për normalen dhe të bukurën, njëjtë siç dukeshin dhe veprat e tij. Shumë prej këtyre mbretëreshave drag, në jetën e tyre të përditshme ishin dhe persona transgjinorë. Andy ishte personi i parë publik në New York, por dhe nga të parët në botë, që pranoi transgjinorët si një vlerë e shtuar e shoqërisë. Këta persona luftonin të ndryshonin realitetin dyngjyrësh bardhë e zi, ata sillnin ngjyra e gëzim dhe pavarësisht përballjes me shoqërinë, në fund të ditës ishin personat më të vërtetë e të guximshëm në rrugët e New York-ut. Persona shumëngjyrësh e lehtësisht
të kuptueshëm, njëjtë si pikturat e Andy-t. Dy nga ikonat transgjinore të veprave kinematografike të Andy Warhol ishin Holly Woodlawn dhe Candy Darling. Andy i njohu ato në studion e tij kinematografike të quajtur “Fabrika”. Filmat e tij ku Woodlawn dhe Darling aktronin u bënë filma shumë të famshëm në komunitetin e varfër dhe të nëndheshëm të New York-ut. Shumë personazhe që nisën karrierën e tyre në Fabrikën e Warhol, u kthyen në sensacion të jetës së natës dhe iu bashkuan trupave teatrore apo kabareve të qytetit. Andy Warhol ishte i pari artist që jetën dhe artin e tij ja kushtoi një kauze dhe komunitetit LGBTI+.
Disa vite më vonë, në një kohë kur stigma dhe mungesa e informacionit ndaj HIV/AIDS ishte ende shumë e madhe, pati artistë të guximshëm si Keith Haring që artin e tyre e vunë në shërbim të kauzave sociale dhe veçanërisht në mbështetje të personave të prekur nga HIV-i. Në vitet 1980 – 1985 Haring pikturonte në stendat boshe të reklamave në metronë e New York-ut. Ai përfshinte në krijimin e veprave të tij të artit dhe pasagjerë të metrosë e kalimtarë të rastit. Në vitin 1986, ai hapi dyqanin e parë “pop” në lagjen Soho të qytetit, ku
filloi të shiste veshje, postera, spila, magnetë, madje edhe lodra në të cilat pikturonte dhe pasqyronte veprat e tij të artit. Kritikët e kohës e cilësonin Haring si shumë komercial për shkak të çmimeve të produkteve, por mbështetjen më të madhe Haring e pati padyshim nga miku dhe mentori i tij, Andy Warhol. Pas diagnostikimit me virusin HIV, ai vendosi të krijojë një fondacion, pikërisht për t’u ardhur në ndihmë personave të prekur nga virusi dhe veçanërisht personave të komunitetit LGBTI+, të cilët ishin ende shumë të paragjykuar nga shoqëria. Ai i kushtoi dy vitet e fundit të jetës tërësisht komunitetit, duke ndihmuar e fuqizuar ata që ishin më në nevojë. Veprat e tij shumëngjyrëshe, provokuese dhe të “vetëdijshme” hodhën themele të rëndësishme në simbolikat e komunitetit. Sot Haring është një nga ikonat e artit “pop” por dhe të komunitetit queer.
David Wojnarowicz
Përgatiti: Kevin Jasini Burimi: A brief history of Gay Art and symbolism, Seattle Artist League, https://seattleartistleague.com/2017/06/23/brief-history-gay-art-symbolism/
Warhol Queens, Gayletter, http://gayletter.com/warhols-queens/
Të tjerë artistë pop, njëkohësisht dhe indivitë të komunitetit LGBTI+ që patën ndikim të madh në hapjen e shoqërisë amerikane ndaj transgjinorëve, gejve, lezbikeve e biseksualëve ishin Annie Leibowitz, fotografe e portreteve intime, kartonisti Alison Bechdel, kolektivi artistik Gran Fury, piktori dhe fotografi David Wojnarowicz si dhe artistët e DAM (Dyke Action Machine).
10 filma LGBTI+ që nuk duhen humbur 1.Call me by your name Filmi fitues i dhjetëra çmimeve ndërkombëtare, flet për historinë e Elios, një i ri 17 vjeçar dhe studentit të të atit të tij, të cilët takohen në vilën e familjes së Elios në Lombardi. Emocionet e përjetuara në verën e vitit 1983, do të ndryshonin përgjithmonë jetët e tyre. 2.Moonlight Filmi fitues i 3 çmimeve Oscar, paraqet jetën e Chiron, një djali gej me ngjyrë, i cili përballet me vështirësitë e jetës në një lagje të varfër të Majemit. Moonlight konsiderohet si një film historik për komunitetin LGBTI+, pasi është i pari film fitues i Oscar-it që trajton këtë temë. 3.Rafiki I prezantuar këtë vit në Festivalin e Kanës, Rafiki flet për historinë e dashurisë mes dy vajzave të reja në Kenia dhe për sfidat e tyre ndaj homofobisë që ndeshin në realitetin konservator familjar. Vajzat detyrohen të zgjedhin midis jetës së qetë dhe dashurisë së tyre. 4.A kid like Jake Ky film flet për një familje të re amerikane, në të cilën fëmija i vogël i familjes po mbështetet nga prindërit në rrugëtimin drejt zbulimit të identitetit gjinor. Filmi trajton një çështje që po bëhet shumë aktuale në perëndim, me ndryshimin e normave të shoqërisë dhe konceptit social mbi identitetin gjinor. 5.Bohemian Rhapsody Një biografi mbresëlënëse e këngëtarit legjendar të grupit “Queen”, Freddy Mercury. Filmi trajton aspekte të ndryshme të jetës së tij; fillimet e karrierës, sukseset e zhgënjimet si dhe jetën romantike të këngëtarit. 6.Girl Filmi flet për historinë e një balerinë transgjinore dhe shpalos vështirësitë e saj në ndjekjen e ëndrrës për t`u bërë balerinë, ndërkohë që po i nënshtrohet dhe trajtimit hormonal për ndryshimin e gjinisë.
7.Boy Erased Prindërit konservatorë të një 19 vjeçari zbulojnë orientimin seksual të djalit të tyre, i cili përballet me një zgjedhje të vështirë, të largohet nga familja ose të nisi terapinë e tranzicionit. 8.Love, Simon Një paraqitje e jetës së përditshme të adoleshentëve LGBTI+, të cilët kanë frikë të shfaqin hapur orientimin e tyre seksual. Simon, në vitin e fundit të shkollës së mesme, përjeton një shoqëri virtuale me një tjetër djalë, i cili e mban të fshehur orientimin e tij seksual. Në ditë të gjithë zbulojnë të vërtetën e Simon dhe ai duhet të përballet me një realitet krejtësisht të ri. 9.The Miseducation of Cameron Post Një tjetër dramë e dhimbshme mbi përpjekjet për të konvertuar në heteroseksualë cisgjinorë të rinjtë LGBTI+. Protagonistja e filmit dërgohet nga kujdestarët e saj në një kamp konvertimi, të quajtur “Premtimi i Zotit”, ku takohet me shumë të rinj të tjerë që pretedojnë se po kurohen ndërkohe që presin të lirohen nga kampi. 10.Vita and Virginia Filmi trajton lidhjen e ngushtë romantike mes shkrimtareve Virgina Woolf dhe Vita Sackville-West, një raport që frymëzoi novelën e shkruar prej Woolf, “Orlando”.
Përgatiti: Kevin Jasini Burimi i informacionit dhe imazheve: IMDB
KONTAKTE: Kristina Millona Kryeredaktore Historia ime email: christinamillona@gmail.com Alba Ahmetaj Drejtoreshe e programit te grave LBT email: ahmetajalba@gmail.com Kevin Jasini Gazetar Historia Ime email: jasini.kevin@gmail.com Dea Nini Koordinatore PRO LGBT email: deanini97@gmail.com
Partnerët:
Mbështetur nga: