Revista Mapo

Page 29

zakonisht kur është çështje ekonomie dhe matematike, dhe jo kur bëhet fjalë për tifozllëk dhe patriotizëm. Po të mos e mendosh gjatë, rezultati i INSTAT, sado i pasaktë qoftë ky, se numri i banorëve të Shqipërisë në momentin e regjistrimit kishte rënë diku te 2.8 milion, dhe t’i bashkëngjitësh deklaratën e AK se është bërë një ulje e qëllimshme, mund të të duket vërtet një skandal. Kyçi në fakt qëndron në togfjalëshin “në momentin e regjistrimit”. Regjistrimi nuk merr përsipër të nxjerrë sa shtetas shqiptarë ka (4.2 milion sipas regjistrit të gjendjes civile) dhe as edhe sa njerëz kanë kombësinë shqiptare (diku mes 8 dhe 10 milion), por thjesht numrin e banorëve që jetojnë brenda kufijve të Shqipërisë në një kohë të caktuar (koha e regjistrimit). Kjo e bën deklaratën e AK të duket blof pasi INSTAT jo vetëm se ka ulur numrin (pa marrë parasysh pasaktësitë dhe problemet në regjistrim), por ka gjasa ta ketë rritur atë duke shënuar shtetas të huaj me qëndrim të përhershëm në Shqipëri. Sigurisht nuk duhen përjashtuar vlerat që pati fushata e ndërgjegjësimit kundër ndryshimit të kombësisë për para dhe zbulimi me këtë rast edhe i një sërë problematikash të tjera përfshi vendime gjykatash (për të cilat Spahiu në një farë mase është përgjegjës si nënkryetar i KLD-së) që i jepnin njërit vëlla kombësi greke dhe linin tjetrin me kombësi shqiptare. Ndërkohë mund të thuhet se AK apo PDIU dhe faktorë të tjerë që u përfshinë në këtë proces, dolën praktikisht të fituar. Zor se rezultatet e regjistrimit për etninë dhe fenë do të jenë të besueshme, për më shumë ka një vendim të Gjykatës Kushtetuese që me shumë gjasa i bën ato të paligjshme, megjithëse fitorja e vërtetë qëndron diku tjetër dhe mund të quhet faktorizim. ...Faktorizimi dhe spektakli PDIU dhe Vetëvendosje e kanë kaluar më herët këtë situatë. E para duket se e pati më të lehtë me dy deputetë të zgjedhur, njëri në partinë e vjetër çame që u shkri me PDIU dhe tjetri nga PS. Ajo qe, edhe për shkak të sistemit elektoral, e përfaqësuar mjaftueshëm në parlament për të ngritur zërin edhe për të amenduar nene të ligjit për regjistrimin apo detyruar Ministrinë e Jashtme të mbajë qëndrim dhe të ushtrojë presion ndaj persekutimit të çamëve që kërkonin të kalonin në Greqi pas liberalizimit të vizave. Nga ana tjetër pati një fushatë të fortë mediatike. Një rifokusim të programit që tashmë përfshin përveç çështjes çame edhe një sërë përpjekjesh të tjera, gjerësisht të përkrahura, si bashkimi i tregut me Kosovën, unifikim të sistemit arsimor e mjaft lëvizje dhe fushata që duket se e ndihmuan të fitonte pikë, ndoshta edhe përtej pritshmërive të veta në zgjedhjet lokale të vitit që shkoi. Vetëvendosje nga ana e saj kaloi përmes një prove zjarri. Asaj iu desh të luftonte si organizatë joqeveritare, të shponte goma makinash dhe të godiste me vezë zyrtarë të lartë. Aksioni, kundërshtimi dhe denoncimi ishin armët e vetme që pati. Një organizatë që, sipas Kurtit, filloi me 20 vetë dhe që tani ka 14 deputetë dhe një elektorat të lakmueshëm dhe që la pas parti më të vjetra në politikën e Kosovës. Për shumë kënd që mendonte se ajo do të transformohej pas përfshirjes në jetën politike zyrtare, 14 janari është prova e të kundërtës. Vetëvendosja nuk ka ndërmend të ndryshojë, siç nuk po ndryshojnë që prej vizatimit prej saj ngjyrat e semaforëve në Prishtinë: E kuqja “Jo Negociata” e

jeshilja “Vetëvendosje”. Keq apo mirë, mungesa e dëshirës për të bërë kompromis me të tretët deri tani i ka dhënë fryte Vetëvendosjes. Aleanca Kuq e Zi është ende në rrugën e faktorizimit. Ajo në fakt ka marrë disa dacka nga politika zyrtare në Tiranë dhe në Prishtinë, çka do të thotë se të dyja e kanë në konsideratë “aleancën faqezi” siç e kanë quajtur kryeministrat, i pari Berisha dhe i dyti Thaçi duke kopjuar të parin (por për motive të paqarta). Ajo u bë e famshme prej fushatës dhe thirrjes për të mos ndryshuar, shitur kombësinë dhe angazhoi në të emra popullorë si futbollisti i kombëtares Lorik Cana. Por kjo fushatë mbaroi dhe AK i duhet të gjejë motiv për të ekzistuar qoftë si lëvizje, qoftë si formacion politik, siç ka gjasa të shndërrohet shpejt. Si do të bëjë këtë? Përndryshe nga Vetëvendosja dhe PDIU, ajo ka zgjedhur rrugën e deklaratave dhe spektaklit. Flamuj të madhej e të vegjël që shpalosen dhe poezi patriotike të rilindjes të cilat recituesit kryesisht liderë të kësaj lëvizje, në tentativë për t’ia përshtatur AK, i deformojnë. Lotë në skenë, shtrëngime duarsh jo formale, gjestikulacione që ndonjëherë të japin përshtypjen e shenjave të lojtarëve të bejsbollit amerikan, deklarata të mbushura plot patos dhe përshëndetje unike “me flamur” dhe mjaft të tjera si këto, janë mënyrat se si AK po përpiqet të fitoj përkrahjen e shqiptarëve. Ka njerëz që mendojnë se mjaft prej këtyre gjesteve janë skenare hipokrite të parapërgatitura, që i shtohen retorikës patriotike të aleancës në faqen zyrtare të sëcilës nuk mund të mos të të bjerë në sy përdorimi i tepruar i termave anglisht si “advokoj” apo “kompromentoj”. Dikush duhet tu thotë që përdorimi i kësaj gjuhe nuk iu shkon atdhetarëve. Aleanca ende nuk ka provuar veten në asnjë aksion, përjashto atë për regjistrimin e popullsisë, ndërsa aktiviteti më i fundit është mbulimi me flamur më 17 janar i kalasë së Krujës. A është kjo pjesë spektakli për të cilin flet Kurti në intervistën e tij? Në të vërtetë asnjë nga lëvizjet patriotike nuk mund t’i shpëtojë spektaklit. Në fund Patriotizmi në vetvetet ushqehet nga patosi, deklaratat plot me romantizëm prej rilindësi nuk janë ekskluzivitet i Spahiut, pasi edhe figurat e tjera shpesh bëjnë të njëjtën lojë. Por duket se gjithë kjo histori ka funksionuar mirë. Politika zyrtare është “trembur” në njëfarë mënyre nga nxehja e gjuhës patriotike. Drejtuesit e partive politike kryesore përgjithësisht i kanë anashkaluar në heshtje këto lëvizje, janë përpjekur t’i mbajnë ato larg faktorizimit, por sëfundmi kryeministrat në Shqipëri dhe Kosovë kanë vendosur të reagojnë kundër tyre i kanë quajtur “faqezij dhe vetëfundosje”. A janë bërë vërtetë aq të rëndësishme lëvizjet nacionaliste sa të rrezikojnë statusin e politikanëve prej kohësh të afirmuar, të cilët nga ana e tyre nuk se kanë hequr dorë nga përdorimi i nacionalizmit për politikë? Ndoshta po. Pjesëmarrja në parlament e dy forcave apo një numër jo i vogël njerëzish që ndjek pas lëvizjet e tjera dhe fakti që retorika e këtyre lëvizjeve gjithmonë arrin të kapë një vend në lajme i bën ato rivalë seriozë politikë. Ajo që mbetet të shohim është nëse këto lëvizje apo parti do t’ia mbërrijnë qëllimit që i kanë vënë vetes, të imponojnë apo jo programet e tyre në politikën shqiptare apo do të mbesin te manifestimet me flamuj, retorika nacionaliste, përshëndetjet me shqiponjë apo patriotizmin me brilantinë.

29


Issuu converts static files into: digital portfolios, online yearbooks, online catalogs, digital photo albums and more. Sign up and create your flipbook.