Metropol dat 14

Page 20

20

«

Librari

E hënë 14 maj 2012 •

Lumturia aristoteliane në njohjen e vetvetes - Duke lexuar veprën “Shqiptarët dhe problemi pellazgjik” të filologut të shquar Spiro N. Konda -

N

ë retorikën e Aristotelit flitet dhe për lumturinë dhe përbërësit e saj. Sipas tij, një nga ata elementë të natyrës së lumturisë është dhe fisi i mirë (Eugjeneia). “Fisnikëri është për një komb ose për një qytet, kur të parët edhe prijësit e tyre janë autoktonë ose shumë të vjetër dhe kanë rrjedhur prej tyre shumë njerëz, që janë për t’u pasur zili...”. Tani, në vitin e 100 të themelimit të shtetit modern shqiptar, një shekull pavarësi, sigurisht është e natyrshme të rritet interesi dhe kërkimi në këtë drejtim, njohja e së shkuarës, që na bën të shohim më larg në të ardhmen. Është sugjestionues, por dhe një mbushje me dije, shfletimi i librit “Shqiptarët dhe problemi pellazgjik”, me autor filologun historian Spiro N. Konda, i botuar rishtas me një teknikë të lartë nga botuesi UEGEN, i shkruar gjysmë shekulli më parë. Autori i shquar, i harruari dhe i paharruari Spiro N. Konda, pyet: Ne që quhemi shqipëtarë a i kemi cilësitë e Lumturisë, jemi d.m.th. autoktonë dhe të vjetër? Banojmë këtu ku jemi sot prej kohësh parahistorike, prej kohësh që s’mbahen mend, apo kemi ardhur në kohët historike si bullgarët, serbët etj.? Vallë kemi pasur burra të shquar që kanë bërë vepra të admirueshme, vepra që t’u kesh zili?... Ai që do të marrë përsipër të shkruajë historinë e kombit shqiptar, - porosit qysh në krye të këtij librit të tij të madh autori, - që nga kohët parahistorike dhe gjer në ditët e Gjergj Kastriotit ose Skënderbeut, duhet medoemos të ketë këto cilësi: Të jetë: 1. Filolog helenist 2. Filolog latinist 3. Gjuhëtar (glosolog) 4. Indolog. Dhe 5. Gjuhën shqipe ta ketë shumë amtare dhe ta zotërojë shkencërisht. Këtë përgatitje dhe të pesë ato virtyte shkencore të nevojshme i kishte Spiro N. Konda, shqiptari nga Korça, nga fshati Dardhë që u laurua në Athinë për Filologji në Fakultetin Filozofik dhe me veprën e tij “Shqiptarët dhe problemi pellazgjik”, të cilën e shkroi po vetë dhe në greqisht, e ndau në dysh Akademinë Greke, në pro dhe kundër tezave të tij. Madje u dënua dhe me vdekje, por ai u kthye në atdhe, këtu mbylli sytë dhe prehet në varrezat e vendlindjes. Pak shkruhet për të, edhe fjalorët enciklopedikë e harrojnë(?!), por ai mbetet i veçantë si studiues, imponues për nga dija e gjërë dhe e thellë, ku përzihen historia, etimologjia, njohja e gjuhëve të vjetra dhe arkeologjia e gjuhësisë. Porosia e tij e pestë - e të paturit gjuhë amtare shqipen për ata që do të duan të shkruajnë historinë e kombit shqiptar, - mbetet dhe si apel që ne duhet të guxojmë të flasim për veten, duke qenë të armatosur me dijet e duhura. “...Edhe studimi dhe kërkimi ynë mbështetet mbi dy burime: Mbi shkrimtarët e vjetër grekë dhe latinë dhe mbi gjuhën shqipe, që është kyçi i zgjidhjes së këtyre çështjeve” – thotë studiuesi ynë. Kurse botuesi i UEGEN-it, historiani dhe shkrimtari Xhevair Lleshi shton se libri i Spiro N. Kondas është si një bibël për shqiptarët. Shumë shkrimtarëve dhe veprave të historianëve të kohëve të lashta u bëhet referimi në këtë vepër madhore. Spiro N. Konda merret me gjuhën e shqiptarëve, në ç’degë të gjuhëve hyn, origjina e saj dhe e atyre që flasin, e shqiptarëve.

Ai është mbështetur në të dhënat e veprave të mëdha nga autorë të rëndësishëm: Homeri, Hesiodi, Demokrit Abderiti, Skylaks Karyanieus, Theokriti, Herodoti, Thuqididi, Ksenofoni, Aristofani, Eskili, Euripidi, Pindari, Platoni, Aristoteli, Dikaiarku, Polibi, Dionis Alikarnasi, Skymni prej Hios, Straboni, Diodor Sikelioti, Tit Livi, Plutarku, Arriani, Apoloni, Dionis Periegeti, Markiani, Virgjili, duke numëruar rreth 130 autorë dhe vepra të mëdha. Gjuha shqipe futet në grupin japetik, dhe sipas studiuesit, të parët e shqiptarëve janë

pellasgët dhe trualli i parë i tyre është i gjërë, perandorak. Por ai e nis me historinë e fjalëve parake. Popujt që kanë fjalët Pater, Matars dhe Bhratr janë të një grupi e të një fisi në mes tyre. Dhe bën krahasimin e shqipes me gjuhën mëmë, japetike dhe me gjuhët e tjera motra e me fis të njëjtë. Autori jep në vepër elemente qytetërimi të të parëve të lashtë të shqiptarëve të sotëm. Dhe përfshin këtu katër takime shqiptarësh dhe pellasgësh. Kurse në pjesën e dytë merret me gjurmët e shqiptarëve të vjetër domethënë të pellasgëve. Këtij qëllimi i shërbejnë toponimitë, homonimitë që gjenden në Greqinë e re dhe gjetiu, etimologjia dhe shpjegimi i të cilave bëhet me anën e gjuhës shqipe. A) Toponimi që kanë për bazë fjalën shqipe gur (greq. Petra) B) Toponimi që kanë për bazë fjalën shqipe mal (greq. Oros)

C) Toponimi që kanë për bazë fjalën shqipe pyll (greq. Dhasos) Ç) Toponimi që kanë për bazë fjalën shqipe shur (greq. Ammos) D) Toponimi që kanë për bazë fjalë të tjera të ndryshme të gjuhës shqipe. Kombësia e parë e fjalës gur i përket popullit që e fliste. Dhe jep toponimi dhe emra të tjera në Greqinë e vjetër me rrënjë fjalën shqipe gur, mal, etj., dhe vendet ku gjenden. Autori i kushton rëndësi edhe ishujve (pellasgjikë) duke dhënë në mënyrë kronologjike dhe gjenealogjike shpjegimet përkatëse, por edhe dinastinë e mbretërve të Kretës (familja mbretërore e së cilës ishte pellasgjike) që prej Deukalionit të parë gjer te Idomeneu që luftoi në luftën trojane. Në librin e tij të nëntë autori përshkruan: Pellasgë në Attikë, Pellasgë në Beoti, Pellasgë në Orkomeno, Pellasgë në Thesali, Pellasgë në Thrakë dhe Samothrakë, Pellasgë në Mikenë, Pellasgë në Tirynth, Pellasgë në Argos. Në librin e dhjetë merret me Etrustkët. Ndërkaq dijetari Spiro N. Konda rendit se çfarë ishte thënë mbi këtë çështje prej historianëve dhe gjuhëtarëve të kohrave të ndryshme. Profesori Panajot Kupitori nga Hydra, në veprën e tij “Studime shqiptare”: trajtim historik dhe filologjik mbi gjuhën dhe mbi kombin e shqiptarëve, Athinë, (viti i botimit 1879) dhe historianët bizantinë të shekujve XIV, XV dhe XVI shqiptarët i quajnë “Arvanitas, Alvanus, Ilirius, Trivallus, Skithas, Misus, Kroatius, Polanius dhe Sarmatas” (faqe 6-7). Vetëm Kalkokondili thotë se “shqiptarët numërohen më tepër për maqedonas, se sa për ndonjë tjetër komb të botës” Iibid., f.7. Nga historianët e rinj, Leibnitzi (Opera philologica edit. Geneva 1768, vol. VI, pjesë II) thotë: “shqiptarët janë keltë nga origjina dhe gjuha e tyre është fis me gjermanishten dhe frëngjishten”. (Ibid. , f. 7-8) Thummanni, profesor në Laipcig në gjurmimet e tij “Mbi historinë e Kombeve të Europës Lindore” (1774) shqiptarët i quan pasardhës të drejtpërdrejtë të ilirëve të Gencit, të Teutës dhe të Pirros. (Ib. F. 8) Malte Bruni në veprën e tij “Annales des voyages” V. III, Paris 1808, si edhe në “Gjeografinë e tij të përbotëshme” (libër 118) thotë se shqiptarët janë pasardhës të ilirëve. (Ib. F. 9) Englezi W. M. Leake (1814) që udhëtoi në disa pjesë të Shqipërisë thotë se shqiptarët janë ilirët e vjetër (Ib. f.10) Konsulli francez Pouqueville që qëndroi dhjetë vjet në mes të shqiptarëve dhe studioi gjuhën, karakterin, veprat dhe jetën e popullit si dhe të prijësve të tij, shqiptarët i konsideron skithas, të cilët nga Albania e Kaukazit u shpërngulën në kohë shumë të lashta dhe erdhën në Albaninë e Europës ku banojnë sot. (Ib. F. 11-12)

Fallmerayeri, që shkroi historinë e shqiptarëve (Mynhem 1857-1860) që prej çfaqjes së tyre të parë në histori e gjer në pushtimin e tyre prej turqëve, pas vdekjes së Skënderbeut, thotë: “Gjuha shqipe s’ngjet fare as me greqishten, as me turqishten as me dialektet sllave që fliten sot në vende në jugë të Danubit. Jani Vretua kundërshton mendimet e “Neologos” duke shpjeguar se shqiptarët janë pasardhësit e pellazgëve... Historiani Konstantin Paparigopillos thotë se kombet iliriane, me kalimin e kohës pjesërisht u zhdukën, pjesërisht u përzien me kombe të një origjine tjetër dhe nga më të shumtit gjurmues të kohëve të reja vetëm shqiptarët konsiderohen si pasardhësit e rracës së ilirëve. (Shih, “Enhiridion Gjenikis Istorias”, - Athinë 1849). Jakov Thomopuli në veprën e tij voluminoze me titullin “Pelasgjika” duke krahasuar fjalë pellasgjike me fjalë shqipe, mundohet të provojë se shqiptarët e sotmë janë pasardhësit e vërtetë të pellasgëve. Duke u mbështetur dhe në studimin e gjuhëtarit Eqerem Çabej “Elemente të gjuhësisë e të literaturës shqipe”, sipas studiuesit Konda, dalin tre teori mbi origjinën hipotetike të gjuhës shqipe: TEORIA E PARË: Gjuha shqipe rrjedh nga ilirishtja. Përfaqësonjës të kësaj theorie janë: 1) Gustav Meyeri, albanollog. 2) Leibnitz, filozof. 3) Thumann, historian. 4) Diefenbach, historian. 5) Falmerayer, historian. 6) Hahn, historian. 7) Neibuhr, historian. 8) Benfey, filolog. 9) Miclosich, filolog. 10) Paul Kretshmer, profesor i gjuhësisë krahasuese në Vjenë. 11) Francesco Ribezzo, gjuhëtar. TEORI E DYTË: Gjuha shqipe rrjedh nga Thrakishtja. Përfaqësonjës të kësaj teorie janë: 1) Potti 2) Tomascheku 3) Vasmer 4) Herman Hirt, profesor në Universitetin e Giesenit në Gjermani. 5) Whatmough, gjuhëtar amerikan. 6) Gustav Veigand, profesor në Leipsig të Gjermanisë. 7) Schuchardt 8) Hasdeu Teori e tretë: Gjuha shqipe është përzjerje e ilirishtes dhe thrakishtes. Përfaqësues të kësaj teorie janë: 1) Arboi De Jubainville, historian. 2) Carl Patsch, historian. 3) Baron Nopcsa, albanolog hungarez. 4) Norbert Jokl, albanolog, profesor në Vjenë. Vepra është një enciklopedi dhe një udhërrëfyes, ku mëtohet shkencërisht se shqiptarët gjenden me mijëvjeçarë në truallin e tyre dhe gjuha shqipe ka gjurmë përtej këtij trualli, një arkeologji e përhapur perandorake e saj. Pellasgët, ku fshihet zanafilla e shqiptarëve, që nga kohët parahistorike, ishin ngulur kudo, në Azinë Vogël, në Thrakë, Maqedoni, në Epir, në gjithë Greqinë, në ishujt e detit të Mesdheut, në Itali, në Egjipt, në bregdetin e Libisë, Etiopisë dhe në Spanjë, etj, dhe zhvilluan qysh nga mijëvjeçari i pestë para Krishtit një qytetërim të çmuar, nga ku rrodhën kulturat e mëpastajme helene e romake, etj. Pra le t’i kthehemi besimit të njohjes së vetvetes, gjë për të cilën na ndihmon shumë dhe kjo vepër, si një lumturi aristoteliane. Visar ZHITI


Issuu converts static files into: digital portfolios, online yearbooks, online catalogs, digital photo albums and more. Sign up and create your flipbook.