A book for children

Page 1


Hyrje

Kjo është një përmbledhje përrallash të krijuara me dashuri për

Trevin, djalin e vogël plot jetë, buzëqeshje dhe ëndrra të mëdha. Çdo faqe e këtij libri është një aventurë magjike, ku qielli bëhet mik, era flet dhe çdo hap i vogël hap dyer drejt botëve të reja.

Këto histori janë një dhuratë për ty Trev, për të të shoqëruar në netët e ëmbla të fëmijërisë, për të të frymëzuar të besosh në magjinë e botës dhe për të të kujtuar se gjithçka është e mundur kur ke zemrën plot dashuri dhe imagjinatë.

Le të nisim udhëtimin!

KUSH ËSHTË TREVI?

Një djalosh i vogël plot jetë, që buzëqesh aq shumë sa edhe dielli ndalon për ta parë! Me sytë e tij të shkëlqyeshëm dhe duart gjithmonë gati për të zbuluar botën, ai është një EKSPLORUES i lindur.

Ky libër është për të një udhëtim në botën magjike të imagjinatës së tij. Gati për aventurat? Trevi tashmë është!

Trevi dhe Pufi

Një mëngjes me diell, Trevi po luante në kopsht kur ngriti kokën dhe pa një re të vogël që fluturonte lehtë në qiell. - Përshëndetje, re e vogël! Çfarë po bën aty lart? - i tha Trevi.

Reja, emri i së cilës ishte Pufi, u përgjigj: -Dua të zbres dhe të luaj me ty, por jam shumë e vogël dhe e lehtë për të qëndruar në tokë.

Mesazhi: Miqësia mund të vijë nga vendet më të papritura, mjafton të kemi një zemër të hapur.

Trevi pati një ide. - Unë mund të të ndihmoj, Pufi! Ndoshta mund të fluturojmë bashkë, - tha ai

Puffi buzëqeshi dhe pranoi. Trevi shtriu duart e tij dhe si me magji, ai u ngrit në ajër, duke fluturuar mbi një erë të butë. Era i çoi ata mbi male të larta, lumenj që shkëlqenin dhe livadhe me ngjyra. Trevi dhe Pufi qeshnin, duke fluturuar në qiell, derisa papritur, Pufi filloi të ndjehej pak më i rëndë.

Mesazhi: Kur besojmë tek magjia e mundësive, mund të arrijmë lartësi të reja.

Kur ata u kthyen në tokë, Pufi ndjeu kaq shumë gëzim saqë filloi të derdhë shi të butë mbi kopsht. Trevi qeshi dhe vallëzoi në shi, duke ndjerë pikëzat e freskëta mbi fytyrën e tij. Fëmijët e lagjes iu bashkuan dhe luajtën në pellgje. Pufi kuptoi se, me ndihmën e Trevit, ai mund të sillte gëzim në botë, duke qenë pjesë e lojës së tyre.

Mesazhi: Edhe ndryshimet më të vogla mund të sjellin gëzim dhe bukuri në botë!

Një yll ra nga qielli

Një natë të qetë me yje, Trevi po shikonte qiellin nga dritarja. Papritur, një dritë e vogël ra butësisht në kopshtin e tij. Me kureshtje, ai vrapoi jashtë dhe pa një yll të vogël që vezullonte me drojë.

- Përshëndetje, vogëlush! Pse je këtu? - pyeti Trevi.

-Më humbi rruga! Nuk e di si të kthehem në qiell.- u përgjigj ylli me zë të butë.

Mesazhi: Kureshtja na ndihmon të zbulojmë gjëra të reja dhe të bëjmë miq të veçantë.

Trevi mendoi me dorën në mjekër. Ai donte shumë ta ndihmonte yllin. Papritur, syçkat iu ndriçuan!

-E gjeta! Presim pak! - tha ai dhe vrapoi brenda në shtëpi.

Kur u kthye, mbante një tullumbace të madhe të verdhë.

Me kujdes, e lidhi me yllin dhe filloi të frynte fort duke qenë pjesë e lojës së tyre.

Mesazhi: Çdo problem ka një zgjidhje, mjafton të përdorim kreativitetin dhe zemrën.

Ngadalë, tullumbacja nisi të ngjitej, duke e ngritur yllin lart e më lart.

- Po ngjitem! Po ngjitem! -tha ylli i emocionuar.

- Mirupafshim mik i vogël! Do të më mungosh! - thirri Trevi, duke ia bërë me dorë.

- Faleminderit Trev! Sonte do të ndriçoj më shumë për ty! - tha ylli dhe u bashkua me vëllezërit e tij në qiell.

Trevi u shtri në shtrat me një buzëqeshje të madhe, duke ditur se kishte bërë një vepër të mirë.

Mesazhi: Ndihma që i japim të tjerëve kthehet gjithmonë në dritë për ne!

Kërpudha këngëtarja

Një mëngjes, Trevi po shëtiste në pyll kur dëgjoi një tingull të çuditshëm:

-La la laaa!

Ai vështroi përreth dhe vuri re një kërpudhë të madhe të kuqe që po lëkundej paksa. - Kërpudhat nuk këndojnë! - mendoi ai me habi dhe iu afrua ngadalë.

Përshëndetje! - tha Trevi.

Kërpudha pushoi së kënduari dhe u hap një gojë e vogël në mes të saj! "Oh! Më pe? - pyeti ajo me zë të butë.

Mesazhi: Gjërat më të bukura ndonjëherë ndodhin kur nuk i pret!

Trevi u ul pranë kërpudhës dhe tha: - Ke një zë të bukur! Pse nuk këndon për të gjithë?

Kërpudha uli kapakun e saj të kuq. -Kam frikë se do të qeshin me mua - tha ajo.

Trevi buzëqeshi. - Nuk ka rëndësi çfarë thonë të tjerët. Nëse diçka të bën të lumtur, duhet ta bësh!

Mesazhi: Mos ki frikë të tregosh talentin tënd!

Trevi kishte një ide. Ai thirri miqtë e tij, disa ketrushë, një zog dhe një lepur. -Ejani të dëgjoni diçka të veçantë! - tha ai

Kërpudha filloi të këndonte sërish, dhe këtë herë, nuk ndaloi. Pylli u mbush me muzikë të bukur, dhe të gjithë kafshët filluan të kërcejnë.

E shikon? - tha Trevi. "Të gjithë e dashuruan këngën tënde!

Që nga ajo ditë, kërpudha nuk kishte më frikë të këndonte. Madje, çdo mëngjes, pylli zgjohej me këngën e saj të gëzueshme.

Mesazhi: Gëzimi është më i bukur kur e ndan me të tjerët!

Lepuri që Hante Ngjyrat

Një mëngjes të bukur, Trevi doli në livadh për të luajtur, por ndaloi menjëherë. Diçka nuk ishte në rregull.

Gjithçka rreth tij, bari, lulet, qielli ishte bardh e zi!

-Ku janë ngjyrat?! - pyeti ai i çuditur.

Ai filloi të vraponte nëpër fushë, derisa vuri re një lepur të vogël me mustaqe shumëngjyrëshe, që po mbante në gojë një copë portokalli të ndritshëm. Ai ishte i vetmi vend me ngjyrë!

Trevi u ul pranë tij dhe e pa me kureshtje. A mos vallë ai e dinte çfarë kishte ndodhur?

Mesazhi: Kur diçka ndryshon, gjithmonë ka një arsye pas saj!

Trevi iu afrua butësisht lepurit dhe e pyeti: - Pse po ha ngjyrat?

Lepuri psherëtiu dhe uli kokën. -Nuk dua të dëmtoj askënd, por më duhen ngjyrat për të ushqyer furçën time magjike! Unë pikturoj ëndrrat e fëmijëve, por më janë mbaruar ngjyrat.

Trevi e kuptoi menjëherë që ky lepur nuk ishte një lepur i zakonshëm! Ai ishte një artist magjik!

Trevi e mendoi me kujdes dhe pastaj buzëqeshi. Ai nxori një kuti me bojëra nga xhepi, ai gjithmonë i mbante me vete për të vizatuar botën siç e shikonte me sytë e tij të vegjël plot fantazi!

-Ja, merr sa të duash! -i tha ai.

Mesazhi: Sa më shumë japim, aq më shumë kemi!

Lepuri i magjishëm mori bojërat dhe nisi të vizatonte me furçën e tij magjike.

Me një lëvizje të lehtë, bari u kthye në të gjelbër të ndritshëm. Lulet filluan të lulëzonin me petale të kuqe, rozë dhe vjollcë. Qielli u mbush me blu të thellë dhe re të bardha si pambuk.

Trevi hapi sytë me mahnitje. - Tani bota duket si një ëndërr! - tha ai duke qeshur.

Lepuri e pa me dashamirësi dhe u zhduk ngadalë mes ngjyrave që ai vetë kishte rikthyer. Por një mustaqe e vogël shumëngjyrëshe mbeti në dorën e

Trevit, një kujtim i vogël nga një miqësi magjike.

Mesazhi: E bukura kthehet gjithmonë, kur ndihmojmë njëri-tjetrin!

Pema e sekreteve

Një pasdite, Trevi po vraponte në një pyll të gjelbër, kur papritur u ndal para një peme të madhe dhe të vjetër. Trungu i saj kishte dritëza të arta që ndriçonin butë dhe në mes të tij kishte një derë të vogël druri. Kur Trevi e shtyu lehtë, dera u hap me një kërcitje të lehtë dhe një zë i ëmbël pëshpëriti: Hyr brenda, unë mbaj sekrete!

Trevi u afrua me kureshtje. Si mund të fliste një pemë? Çfarë sekretesh mund të mbante ajo?

Mesazhi: Sekretet më të bukura fshihen aty ku nuk i pret,duhet vetëm të dëgjosh me zemër!

Sapo hyri, Trevi u gjend brenda një dhome magjike të ndritshme, ku gjethet e pemës vareshin si perde dhe rrënjët e saj lëviznin butësisht, si duar që shkruanin histori në ajër.

Pema nisi të tregojë sekretet që kishte ruajtur për vite:

- Dëgjo, vogëlush! Yjet më pëshpërisin histori çdo natë... - dhe gjethet e saj u mbushën me shkëlqim të artë.

-Zogjtë më tregojnë ëndrrat e tyre - dhe u dëgjuan cicërima të buta.

- Lumi më rrëfen përralla për udhëtimet e tij të gjata...dhe nga rrënjët filloi të rridhte ujë i pastër si kristali.

Trevi dëgjonte me sy të hapur nga habia. Ishte si një botë magjike brenda një peme!

Por papritur, pema u trishtua, dhe dritëzat e saj filluan të zbehen.

-Çfarë ke? - pyeti Trevi i shqetësuar.

Pema psherëtiu lehtë: -Të gjithë më tregojnë sekretet e tyre, por askush nuk më pyet për timen. Askush nuk dëshiron të më dëgjojë mua.

Mesazhi: Një zemër që dëgjon është një mik i vërtetë!

Trevi mendoi për një moment, pastaj buzëqeshi dhe u ul pranë trungut të madh. Ai e përqafoi pemën fort dhe i pëshpëriti:

-Tani më trego historinë tënde! Dua të dëgjoj çdo gjë për ty.

Pema u ndriçua përsëri dhe nisi të tregonte:

Ajo foli për kohët kur ishte një filiz i vogël dhe shiu e ledhatonte çdo ditë.

Tregoi për miqtë e saj të parë - një iriq të vogël dhe një ketër gazmor.

Rrëfeu për stuhitë që kishte përballuar dhe për diellin që e kishte ngrohur gjithmonë.

Sa më shumë tregonte, aq më e lumtur bëhej. Trevi dëgjoi me vëmendje, dhe në fund tha:

-Historia jote është më e bukura që kam dëgjuar ndonjëherë!

Pema e ndjeu për herë të parë se dikush nuk e shihte vetëm si mbajtëse sekretesh, por si një mike të vërtetë.

Mesazhi: Miqësia bëhet më e fortë kur ndajmë kohë, histori dhe dashuri me njëritjetrin!

Fund, por jo mbarim...

Përrallat mbarojnë, por magjia e tyre jeton gjithmonë në zemrat tona. Trevi ka udhëtuar mes ëndrrave, dritës dhe miqësisë. Ky është vetëm fillimi!

Sepse çdo natë, kur yjet ndriçojnë dhe zemra buzëqesh, një përrallë e re pret të lindë...

Mirupafshim, deri në aventurën tjetër!

Të duam shumë!

Turn static files into dynamic content formats.

Create a flipbook
Issuu converts static files into: digital portfolios, online yearbooks, online catalogs, digital photo albums and more. Sign up and create your flipbook.