Skip to main content

Secret Magazine - Botimi 8

Page 1


IMPRESSUM

BOTUES: RAFTI MAGJIK

Revista botohet nga stafi i redaksisë:

Kryeredaktor: Ekrem A. Kryeziu

Dizajn Grafik: Amalthea

Dizajn Web Grafik: Era Bosi

Marketing:

Valineta Bosi

E-mail: secretmagazine@gmail.com www.thepowergate.com

Si te vendosim plane dhe qëllime të reja Strategji dhe shembuj të thjeshtë!

1. Krijoni një Plan të Qartë dhe të Arsyeshëm

Strategjia:

Për të arritur sukses në çdo aspekt, është e domosdoshme të keni një plan të qartë dhe të detajuar. Kjo përfshin përcaktimin e qëllimeve të qarta dhe ndarjen e tyre në hapa të vegjël dhe të matshëm. Plani juaj duhet të jetë i bazuar në realitet dhe të arritshëm.

Si ta zbatoni në praktikë:

- Kalendari dhe Aplikacione: Përdorni një kalendar fizik ose një aplikacion për menaxhimin e detyrave si Trello ose Asana për të ndjekur progresin tuaj dhe për të menaxhuar afatet.

- Kontrolli dhe Rishikimi: Caktoni rishikime të rregullta për të vlerësuar progresin dhe për të bërë ndryshime në planin tuaj nëse është e nevojshme.

Afirmime:

- “Unë kam një plan të qartë dhe të realizueshëm që do të më ndihmojë të arrij qëllimet e mia.”

- “Çdo hap i vogël që bëj më afrohet më shumë drejt suksesit të madh.”

2. Rishikoni dhe Analizoni Performancën e Kaluar

Strategjia:

Analizimi i performancës së kaluar është thelbësor për të identifikuar forcën dhe dobësitë tuaja. Kjo do t’ju ndihmojë të kuptoni se cilat strategji kanë funksionuar dhe cilat kanë nevojë për përmirësim.

Klisman Meti Power Gate

Nuk ka sëmundje të pashërueshme – ka pacientë të pashërueshëm.

Të dashur lexues, duke pasur parasysh se jemi në muajin e ndërgjegjësimit të parandalimit dhe të luftimit të kancerit të gjirit, ne si shoqëri duhet t’i thërrasim mendjes dhe ta kuptojmë se sëmundjet vijnë te ne vetëm kur e gjejnë derën të hapur dhe kur ne u dorëzohemi atyre.

Sëmundjet shkaktohen kur qelizat nuk kuptohen mes vete. E pse nuk kuptohen? Për shkak të energjisë së paharmonizuar. Kur energjia vjen valë-valë, e paharmonizuar, nga streset, shqetësimet etj., sjellin sëmundjen. Ndërkaq kur energjia është në harmoni, atëherë qelizat merren vesh shumë mirë mes vete dhe sëmundja nuk ekziston. Mjeku i mençur gjendet në trupin tonë dhe për çdo sëmundje trupi e ka mjekun e vet dhe ajo çfarë na duhet neve që ta shporrim çdo lloj sëmundjeje është të kemi komunikim të përhershëm me mjekun tonë të brendshëm.

Sëmundja është mjeshtri ynë dhe do të jetë për gjithë jetën. Ajo shfaqet për të na treguar se çfarë nuk është në rregull me ne dhe për të na detyruar ta zgjidhim problemin. Ndonjëherë shfaqet pa na paralajmëruar, por gjithmonë në momentin e duhur për të gjithë.

Sëmuremi sepse sillemi në mënyrë jo të natyrshme; sëmundja na detyron ta rishikojmë formën e gabuar të ekzistencës dhe na shoqëron drejt arritjes së ekuilibrit.

Dera nga e cila hyn sëmundja është edhe dera nga e cila duhet të dalë ajo. Komunikimi Trup-Shpirt-Mendje është gardiani më i suksesshëm i shëndetit tonë fizik dhe mental. Kur mungon ky komunikim, mundësitë e sëmundjeve të depërtojnë kurdo dhe kudo janë shumë të mëdha. Andaj zgjidheni alternativën e parandalimit.

Shërim të shpejtë dhe të suksesshëm motrave dhe nënave tona që janë prekur nga kjo sëmundje!

Me respekt, Ekrem A. Kryeziu

Kryeredaktor i “Secret Magazine”

RAFTI BOTIME
AMALTHEA

NUK KA SËMUNDJE TË PASHËRUESHME, KA VETËM

PACIENTË TË PASHËRUESHËM

Si e mposhta kancerin e gjirit!

SELVIJE KRYEZIU

Isha 40 vjeçe kur, nga një vizitë e zakonshme tek obstetri, kuptova se në pjesën e poshtme të gjirit të majtë ishte formuar një, le të themi, gungë e vogël e cila nuk është se më kishte shkaktuar dhimbje ose se e kisha vërejtur me sy ose prekje. Obstetri më rekomandoi që të bëja disa incizime, në mënyrë që të hiqeshin dyshimet e tij për një tumor në fazë të hershme dhe frika ime për një tumor malinj. Pasi bëra disa incizime të thella dhe analiza, mora dy lajme: një të hidhur dhe një, le të themi për ato rrethana, të gëzuar. I hidhuri ishte se në trupin tim ishte formuar një kancer në madhësinë e një kokrre lajthie dhe i gëzuari ishte se kanceri ishte në fazën fillestare dhe se shërimi, në atë kohë, flitej se ishte i mundur. Ashtu edhe doja të besoja!

Kisha tre fëmijë, djalin Labinotin 18 vjeç, vajzën e madhe Vjosën 14 vjeçe dhe vajzën e vogël, Djellëzen 11 vjeçe. Ende i kisha dhimbjet e freskëta nga humbja e bashkëshortit tri vite më parë, i cili vdiq nga arresti kardiak (sulmi në zemër) dhe tani jeta po më godiste edhe me sëmundje të rëndë. Në popull e quanim “Sëmundje e keqe”. Deri atë ditë po e vuaja mungesën e bashkëshortit tim dhe të babait të tre fëmijëve të mi të njomë. Ai ishte jo vetëm partneri im i jetës, por edhe miku më i ngushtë, shtylla e forcës dhe burimi i dashurisë pa kushte. Për çdo ditë të përbashkët, ne ndamë gëzime, sfida dhe momente të vogla që do të mbeten përjetë në zemrën dhe

kujtesën time.

Tani që fëmijëve të mi iu vdiq babai, mua më kishin nënë dhe baba. Unë duhej të kujdesesha për rritën, dashurinë, shkollimin dhe zhvillimin e tyre. Përkrahja dhe mbështetja e pandërprerë nga familja ime dhe nga familja e burrit nuk më ka munguar asnjëherë. Vdekja e burrit tronditi shumë edhe babain tim, i cili vdiq 6 muaj pas bashkëshortit tim. Ai nuk pajtohej assesi me humbjen e burrit tim.

Tanimë që jeta po më sfidonte edhe me dhimbjet e radhës - kancerin e gjirit, ne filluam t’i harrojmë dhimbjet e mëparshme. Ajo çfarë nuk mund ta ktheja

prapa dhe nuk mund ta ndryshoja, nuk e meritonte më energjinë time. Tani duhej ta kanalizoja gjithë energjinë te fëmijët dhe te sëmundja ime. Fëmijët e mi kishin nevojë për një nënë të shëndoshë, të fortë dhe të guximshme. Nuk doja që fëmijët e mi të mbeteshin edhe pa nënë.

Asokohe punoja në një mikrobankë dhe po jetoja në një fshat afër familjes sime. Aty edhe po shkolloheshin fëmijët e mi.

Në fillim më rrëzoi përtokë sëmundja por erdhi një moment dhe i thashë vetes NDAL! E dija që Zoti nuk m’i kishte mbyllur të gjitha rrugët. Çdo mëngjes që zgjohesha, e kuptoja që kisha edhe një ditë më shumë dhuratë. Thonë se “kur Zoti ta mbyllë një derë, t’i hapë disa të tjera”. Unë po vrapoja pas dyerve të hapura sepse kisha nevojë për dritë, për oksigjen, për shëndet e për liri shpirtërore.

Mes dorëzimit dhe luftimit zgjodha këtë të dytin. I shpalla luftë kancerit. I shpalla luftë sepse besova në vete se jam më e fortë sesa ai. Një vullnet i pashpjegueshëm dhe një guxim i paarsyetueshëm më shtynë që të luftoja deri në atomin e fundit të energjisë. Isha e bindur se do ta mposhtja armikun e vogël dhe se do të triumfoja mbi të, sepse ai kishte ardhur si i paftuar dhe do ta shporrja pa asnjë paralajmërim.

Pasi u diagnostikova me kancer në gji, iu nënshtrova një operacioni për largimin e atij trupi të huaj që po rritej në trupin tim. Operacioni zgjati disa orë dhe më në fund u largua kanceri nga gjiri im. Meqë kanceri ishte malinjë, ishte e domosdoshme t’u nënshtrohesha disa seancave kimioterapie dhe rrezatimeve periodike. Harrova kancerin, harrova operimin... tani kimioterapitë po më mundonin së tepërmi. Njerëzit filluan të më shihnin si viktimë dhe të kishin mëshirë për mua. Mendonin se unë i kisha ditët të numëruara dhe se donin të kalonin edhe “disa” ditë me mua, por ata nuk e shihnin dhe nuk e vërenin forcën time të brendshme, guximin për të jetuar dhe ballafaquar me çdo sfidë e vështirësi të jetës. Nuk ma shinin qëndrimin tim të pamposhtur. Dëshira për të jetuar gjithnjë ishte më e madhe sesa frika për të vdekur.

Mbarova seancat e kimioterapive dhe të rrezatimeve. Frika dhe rreziku ende nuk kishin kaluar. Duhej pritur disa muaj që të bëja edhe disa fotografime radiologjike për të parë nëse ajo që kisha hequr nga gjiri, mund të kishte lënë gjurmë në trupin tim. kirurgu që më operoi më siguroi që nuk kishte vend për shqetësim dhe se gjithçka po shkonte drejt normalizimit. Dhe ashtu ngjau. Pas vizitave dhe kontrolleve të përvitshme, mjekët më siguruan se kanceri përfundimisht ishte çrrënjosur dhe se tanimë, gjithë ato dhimbje, frika e vuajtje i takonin së kaluarës. Ndonëse ishte vështirë e besueshme, por e vërtetë: Unë e mposhta kancerin. E mposhta sepse emocionalisht, shpirtërisht, fizikisht dhe vendosmërisht isha më e fortë sesa ai. Dhe kur ne jemi më të fortë se gjërat që na shkaktojnë dhimbje e vuajtje, ne triumfojmë gjithnjë mbi to. Kjo sëmundje më dha mësim jete, se asgjë nuk është e pamundur nëse kemi vullnet, guxim, forcë e durim!

Tani jetoj lumtur e punoj në Gjermani me fëmijët e mi dhe këto ditë jam bërë gjyshe për së dyti herë. Pra, jo vetëm se e mposhta armikun i cili ma mbolli frikën nëse do të mund t’i rrisja fëmijët e mi, por tani po përkund e rris edhe nipër e mbesa. Jeta është për guximtarët. Asnjëherë nuk duhet t’u nënshtrohemi pengesave gjatë jetës, sepse ato nuk janë për të na ndaluar, por për të gjetur forcë e mundësi për t’i kapërcyer.

Këshilla ime për gratë të cilat janë diagnostikuar me kancer gjiri, në cilëndo fazë qoftë, është që të mos dorëzohen për asnjë moment e për asnjë rrethanë.

Ne jemi më të forta se sëmundjet tona. Sëmundja fiton pushtet mbi ne kur ne parapërgatitemi për të hequr dorë nga jeta e nga ballafaqimi me sëmundjen. Dorëzimi nuk duhet të jetë asnjëherë opsion. Vetëm qyqarët dorëzohen. Ne në jetë kemi shumë gjëra ta bukura të bëjmë e t’i ndjejmë. Nuk kemi ardhur kot në këtë dimension të quajtur jetë. Sado që mjekësia ka përparuar, ku tashmë i ka zbuluar edhe vaksinat për disa lloje kancerësh, mjekësia më e fortë dhe më e sofistikuar e të gjitha kohërave është brenda nesh, në trupin tonë.

DEPRESIONI

Çfarë është Depresioni?

Depresioni është një sëmundje mjaft e përhapur e shëndetit mendor në mbarë botën që ndikon negativisht në mënyrën se si njerëzit ndihen brenda vetes, mendojnë dhe si veprojnë. Depresioni shkakton ndjenja trishtimi dhe humbje interesi për aktivitetet që janë përjetuar më parë. Shpesh njerëzit kur përjetojnë ndjenja dhe emocione të tilla, përpiqen të ndihmojnë veten duke përdorur stimulues si kafeina, pije energjike, shtim të sheqerit për t’i bërë ata që të ndihen më mirë. Gjatë kësaj kohe qelizat e trupit priren të dërgojnë mesazhe duke na treguar se trupi ynë nuk është mirë, nuk ka dëshirë të bëjë gjëra që i ka pas bërë më përpara. Çdo gjë duket se është më e vështirë për t’u realizuar dhe e gjithë bota duket e zymtë para nesh.

Simptomat e depresionit

• Ndjenja trishtimi

• Humbja e interesit ose e kënaqësisë

• Ndryshimet në oreks

• Pagjumësi

• Lodhje

• Ndjenja pavlefshmërie ndaj vetes

• Vështirësi në të menduar, përqendrim ose marrje vendimesh në jetë

• Mendimet për kryerjen e veprimeve të rënda si vetëvrasja, vdekja.

Shkaqet fizike dhe kimike të depresionit

Shumë njerëz në mosha të ndryshme mund të përfshihen në depresion një herë gjatë jetës së tyre. Ende shumë prej nesh nuk e dinë që shpesh një nga shkaqet kryesore të shfaqjes së depresionit është zhbalancimi i nivelit të mineraleve në trupin

tonë, duke na çuar në një rritje të lodhjes, stresit, çrregullime të humorit, mënyrës së të menduarit, pagjumësisë etj. Në këtë gjendje trupi ynë shpesh me ekzaminimet e kryera ndodhet në atë që quhet Faza e Rraskapitjes së Adrenalinës.

Kjo ndodh kur organizmi ynë ka shteruar nivelet e tij të energjisë në një përpjekje për të frenuar stresin. Në këtë fazë, trupi nuk ka më rezervat e nevojshme të energjisë për t’i rezistuar ose për të frenuar stresin dhe tani është në përpjekje për të parandaluar një rënie të mëtejshme të shëndetit. Simptomat mund të përfshijnë lodhje, depresion, apati,

dëshpërim,kapsllëk, lëkurë dhe flokë të thatë, lodhje të veshkave dhe zvogëlim të aktivitetit të Tiroidës. Kjo është faza më e zakonshme e stresit te të rriturit sot.

Gjëndrat mbiveshkore janë gjëndra të vogla në formë trekëndore të vendosura në pjesën e sipërme të të dy veshkave. Ato prodhojnë hormone që

ndihmojnë në rregullimin e metabolizmit, sistemin imunitar, presionin e gjakut, reagimin ndaj stresit dhe funksione të tjera thelbësore.

Çfarë hormonesh prodhojnë gjëndrat mbiveshkore?

• ADRENALINË

• KORTIZOL

• ALDOSTERON

• DHEA

• TESTOSTERON

Adrenalina (Epinefrina) është një hormon që gjëndrat mbiveshkore e dërgojnë përmes qarkullimit të gjakut në të gjithë trupin. Këto gjëndra luajnë një rol vendimtar në përgjigjen e trupit ndaj stresit. Kjo njihet si përgjigjja “lufto ose ik”.

Kur ju jeni të frikësuar ose duke përjetuar një gjendje stresi të lartë, adrenalina çlirohet shpejt në trup dhe e bën atë të reagoj, për të luftuar ose për t’i shpëtuar rrezikut.

Kortizoli

Kortizoli kryen shumë funksione të tjera:(1)duke ndikuar në metabolizmin tuaj (mënyrën sesi trupi

juaj e përdor energjinë (2)duke ndryshuar nivelet e sheqerit në gjak,(3)duke ulur inflamacionin në trup,(4) ndihmon për të kontrolluar presionin e gjakut dhe rrahjet e zemrës.

Aldosteroni

Aldosteroni gjithashtu luan një rol në kontrollin e presionit të gjakut dhe ndihmon në kontrollin e ekuilibrit të ujit dhe kripërave në veshka duke mbajtur natriumin brenda dhe duke çliruar kaliumin nga trupi.

Gjëndrat mbiveshkore prodhojnë gjithashtu edhe një hormon të quajtur Dehidroepiandrosteron (DHEA) i cili ndihmon në prodhimin e hormoneve të tjera, siç është Testosteroni tek meshkujt dhe Estrogjeni tek femrat.

Lidhja e fortë që ekziston midis mineraleve dhe depresionit

1. Kalciumi dhe magneziumi i lartë në inde. Analizat minerale të flokut tek personat që vuajnë nga depresioni zakonisht zbulojnë nivele të larta të kalciumit dhe magnezit që mund t’ju bëj ju të ndiheni në depresion.

2. Depresioni, natriumi dhe kaliumi

Një raport i ulët i natriumit ndaj kaliumit në inde lidhet me shumë ndryshime emocionale duke përfshirë depresionin. Kjo gjendje tregon një vitalitet të reduktuar dhe ekuilibër elektrik të dëmtuar brenda qelizave. Natriumi është një element jashtëqelizor ndërsa kaliumi brenda qelizor. Një rënie në raport tregon një humbje të kaliumit në hapësirat intersticiale ndërsa qelizat shkatërrohen. Ky raport i ulët shpesh lidhet me lodhjen e veshkave, infeksionet dhe tolerancën e sheqerit dhe karbohidratet të dëmtuara.

3. Toksiciteti i bakrit.

Një çekuilibrim mineral shumë i zakonshëm i lidhur me ndjenjat e depresionit është ngritja e nivelit të bakrit. Kjo gjë është shumë e zakonshme sot, për

shkak të mungesës së zinkut në trup,pranisë së bakrit në mjedis, dietave vegjetariane, përdorimit të barnave steroide dhe pilulave të kontrollit të lindjes, dhe për shkak të gjëndrave mbiveshkore të rraskapitura. Ky lloj depresioni shpesh shoqërohet me emocione të tepërta të tilla si zemërimi, zhgënjimi dhe të tjera.

4. Depresioni dhe Hipotiroidizmi

Një rritje e kalciumit në krahasim me kaliumin shoqërohet me Hipotiroidizëm. Hipotiroidizmi (ulja e funksionit të gjëndrës tiroide) ndodh atëherë kur gjëndra tiroide nuk prodhon mjaftueshëm hormone. Hipotiroidizmi prek më tepër gratë krahasuar me meshkujt, por kjo patologji mund të haset në çdo moshë.

5. Toksiciteti i nikelit.

Toksiciteti me nikelin shoqërohet shumë me një lloj depresioni të rëndë, zakonisht të shoqëruar me zemërim dhe mendime vetëvrasëse. Çuditërisht, kur nikeli hiqet nga trupi, i cili mund të ndodhë brenda pak muajsh në një program zhvillimi të hartuar siç duhet, papritmas, mendimet depresive dhe vetëvrasëse thjesht largohen, edhe kur jeta e dikujt nuk ka ndryshuar në mënyra të tjera.

6. Kadmiumi dhe metalet e tjera toksike.

Metalet e tjera toksike duke përfshirë kadmiumin, plumbin dhe arsenikun gjithashtu zakonisht,

shkaktojnë plogështi mendore, mjegullim të trurit dhe depresion. Nga studimet e viteve të fundit është vërejtur një nivel i lartë i pranisë së këtyre metaleve në fëmijët e sapo lindur. Metalet toksike mund të ndërhyjnë në prodhimin e energjisë, të ndryshojnë nivelet e neurotransmetuesve dhe mund të ndikojnë në të gjitha sistemet e trupit. Bakri i tepërt, merkuri, kadmiumi, plumbi dhe alumini gjenden shpesh në testet minerale të personave me depresion.

7. Mungesa e mineraleve/vitaminave

Mungesa e mineraleve,vitaminave,aminoacideve dhe lëndëve të tjera ushqyese të rëndësishme është një tjetër shkak kritik i depresionit në miliona njerëz sot. Një Analizë e matjes së nivelit të mineraleve në indet e flokut mund të zbulojë praninë e këtyre metaleve toksike dhe të parandalojë sëmundjet në trupat tanë.

Pse flokët? Flokët grumbullojnë metale toksike, sepse janë një ind ekskretues. Trupi ynë shpesh i shkarkon helmet/toksinat duke i depozituar ato në flokë dhe lëkurë. Testi mineral i flokëve është gjithashtu unik në atë që është një test Biopsie që jep një përshkrim të thellë të funksionit të qelizave në brendësi të trupit tonë. Ky test analizon nivelin e më shumë se 20 mineraleve dhe të metaleve toksike të pranishëm në flokë.

EDUKIMI USHQIMOR

1. Çfarë rëndësie ka edukimi ushqimor për pacientët dhe si e ofroni këtë në Spitalin Salus?

Edukimi ushqimor është një pjesë e pandashme e trajtimit të çdo pacienti, sepse shumë prej tyre nuk janë të ndërgjegjshëm për ndikimin që ushqimi mund të ketë në sëmundjen e tyre dhe shëndetin e përgjithshëm. Në Spitalin Salus, ofrojmë edukim të vazhdueshëm përmes konsultimeve individuale, broshurave edukative dhe leksioneve që u mësojnë pacientëve bazat e një diete të shëndetshme. Pjesë e këtij edukimi janë informacionet mbi përzgjedhjen e ushqimeve të duhura, kuptimin e etiketave ushqimore, si dhe përgatitjen e ushqimeve në mënyrë që të jenë sa më ushqyese. Gjithashtu, ne inkurajojmë pacientët të marrin pjesë në grupe mbështetëse ku ndajnë përvojat e tyre dhe përfitojnë nga këshillat profesionale për të ruajtur një dietë të ekuilibruar edhe pasi të kenë përfunduar trajtimin në spital.

2. Si funksionon shërbimi i dietologjisë në

Spitalin Salus dhe cilat janë hapat e para që ndiqni për të vlerësuar nevojat dietike të pacientëve?

Shërbimi i dietologjisë në Spitalin Salus ka një qasje të mirëstrukturuar dhe të personalizuar ndaj çdo pacienti. Fillimisht, kur një pacient pranohet, bëhet një vlerësim i hollësishëm i gjendjes së tij shëndetësore përmes testeve laboratorike, analizave mjekësore dhe një intervistë të hollësishme për historikun e tij ushqimor. Ky vlerësim përfshin faktorë si pesha, gjatësia, raporti i yndyrave trupore, si dhe nivelet e mineraleve dhe vitaminave në trup. Një tjetër hap i rëndësishëm është analiza e sëmundjeve të mundshme të bashkëshoqëruara, si diabeti, hipertensioni, çrregullimet metabolike, ose ndonjë gjendje tjetër që mund të kërkojë një plan të veçantë ushqimor. Pas kësaj, ndërtohet një plan ushqimor specifik që përmbush nevojat individuale të pacientit, duke marrë parasysh gjithashtu edhe preferencat personale për ushqim dhe mënyrën e jetesës.

3. Cili është roli juaj kryesor në trajtimin e pacientëve dhe si bashkëpunoni me ekipin e mjekëve të tjerë?

Roli im kryesor si dietologe është të siguroj që çdo pacient të marrë trajtimin ushqimor më të përshtatshëm, i cili mbështet në mënyrë të drejtpërdrejtë planin mjekësor të ndjekur për sëmundjen ose gjendjen e tij specifike. Për të arritur këtë, unë punoj ngushtësisht me mjekët e tjerë të spitalit, veçanërisht me specialistët si endokrinologët, kardiologët, gastroenterologët, dhe mjekët e përgjithshëm. Ky bashkëpunim është esencial për një qasje të integruar ndaj kujdesit shëndetësor. Mjekët më referojnë pacientët e tyre, dhe bashkërisht diskutojmë për diagnozën dhe trajtimin më të përshtatshëm nga aspekti i ushqimit. Për shembull, për një pacient me diabet, unë konsultohem me endokrinologun apo mjeket Internist për të përcaktuar saktësisht se si dieta duhet të jetë në përputhje me terapinë medikamentoze. E rëndësishme është që trajtimi dietologjik të mos jetë një zgjidhje e izoluar, por të jetë pjesë e një strategjie të plotë trajtimi.

4. Si i ndihmoni pacientët të kuptojnë se si dieta e tyre mund të ndikojë në procesin e rikuperimit?

Për pacientët që vijnë në Spitalin Salus për trajtim, një nga përgjegjësitë e mia kryesore është të sigurohem që ata të kuptojnë se dieta që ndjekin ka një ndikim të drejtpërdrejtë në procesin e rikuperimit të tyre. Përdor shembuj praktikë dhe ilustrime për të treguar sesi ushqimi që konsumojnë ndikon në ndërtimin e indeve, rigjenerimin e qelizave, dhe forcimin e sistemit imunitar. Për shembull, u tregoj pacientëve që ushqimet e pasura me proteina si peshku, mishi i bardhë dhe bishtajoret ndihmojnë në riparimin e indeve pas operacioneve. Po ashtu, përmes shembujve të thjeshtë, i edukoj ata mbi përfitimet e marrjes së vitaminave dhe mineraleve si vitamina C dhe zinku për shërimin më të shpejtë.

5. Si e përshtatni planin e dietës për pacientët me sëmundje kronike si diabeti ose hipertensioni?

Përshtatja e planit të dietës për pacientët me sëmundje kronike është një proces kompleks që kërkon një vlerësim të detajuar dhe vazhdueshëm. Në rastin e pacientëve me diabet, është thelbësore të kontrollohen me kujdes nivelet e karbohidrateve që ata konsumojnë, për të mbajtur stabilitetin e glukozës në gjak. Kjo arrihet përmes një përzgjedhjeje të ushqimeve me indeks glicemik të ulët, si dhe me një balancim të përshtatshëm të proteinave dhe yndyrave të shëndetshme. Për hipertensionin, plani dietik fokusohet në reduktimin e natriumit, duke inkurajuar konsumimin e ushqimeve të pasura me kalium, magnez dhe fibra, që ndihmojnë në uljen e presionit të gjakut. Në të dyja rastet, unë gjithashtu promovoj përfshirjen e ushqimeve anti-inflamatore dhe përdorimin e teknologjive të avancuara për të monitoruar përparimin e pacientëve, duke përditësuar rregullisht planin dietik sipas nevojave të tyre specifike.

6. A mund të na tregoni ndonjë rast të veçantë ku ndërhyrja juaj dietologjike ka ndihmuar në përmirësimin e shëndetit të një pacienti?

Një nga rastet që më ka bërë shumë përshtypje ishte ai i një pacienti me obezitet të rëndë dhe komplikacione nga diabeti i tipit 2. Ky pacient ishte në prag të zhvillimit të komplikacioneve më serioze si neuropatia dhe problemet me veshkat. Gjatë konsultave tona, zhvillova një plan ushqimor rigoroz që synonte uljen e peshës dhe stabilizimin e sheqerit në gjak përmes ushqimeve me përmbajtje të ulët karbohidrate. Pacienti arriti të humbiste një sasi të konsiderueshme kilogramësh dhe përmirësoi ndjeshëm parametrat e tij shëndetësorë, duke shmangur komplikacionet e mëtejshme. Ky rast është një dëshmi e qartë e fuqisë që ka ushqimi i duhur në përmirësimin e shëndetit të përgjithshëm dhe në menaxhimin e sëmundjeve kronike. Një tjetër rast që më ka lënë shumë përshtypje ishte ai i një pacienti me obezitet të shkallës së dytë, uricemi të lartë, diabet të tipit 2 dhe hipertension arterial (HTA). Ky pacient kishte shumë sfida të ndërlidhura me peshën e tepërt dhe me nivelet e

larta të acidit urik, që shkaktonin kriza të shpeshta të dhimbjes së kyçeve (guta), si dhe përkeqësim të kontrollit të sheqerit në gjak dhe presionit të gjakut. Kur pacienti erdhi për konsultim, ai vuante nga lodhje e vazhdueshme, dhimbje të kyçeve dhe shpesh përjetonte kriza hipertensive.

Fillimisht, bëra një vlerësim të detajuar të parametrave të tij shëndetësorë, duke përfshirë analizat biokimike që tregonin nivele të larta të sheqerit, acidit urik dhe kolesterolit. Duke marrë parasysh këto probleme, zhvillova një plan dietik që synonte jo vetëm uljen e peshës, por edhe reduktimin e uricemisë dhe përmirësimin e menaxhimit të diabetit dhe hipertensionit. Ky plan përfshinte:

- Kufizimin e ushqimeve të pasura me purina, të cilat ndihmojnë në uljen e niveleve të acidit urik, si mishrat e kuq dhe ushqimet e përpunuara.

- Shtimin e burimeve bimore të proteinave, si bishtajoret dhe qumështi i fermentuar si kefiri, për të mbështetur një shëndet më të mirë të metabolizmit dhe uljen e inflamacionit.

- Balancimin e karbohidrateve, duke përzgjedhur ushqime me indeks të ulët glicemik për menaxhimin e glukozës në gjak, si tërshëra, orizi integral dhe perimet e freskëta.

- Fokusin te ushqimet që ndihmojnë në kontrollin e presionit të gjakut, përfshirë perimet e pasura me kalium si spinaqi, brokoli dhe avokado, si dhe ushqimet e pasura me magnez dhe fibra.

- Rritjen e hidratimit të rregullt, duke e inkurajuar të konsumonte ujë të bollshëm dhe çajra bimore për të përmirësuar funksionin e veshkave dhe për të ndihmuar në eliminimin e acidit urik.

Pas disa muajsh të ndjekjes së këtij plani të personalizuar, pacienti arriti të humbiste një sasi të konsiderueshme peshe, duke ulur në mënyrë të dukshme yndyrën trupore dhe përmirësuar parametrat e tij biokimikë. Nivelet e acidit urik u stabilizuan, dhe krizat e gutës u reduktuan në mënyrë të konsiderueshme. Gjithashtu, përmirësimi i kontrollit të sheqerit në gjak e ndihmoi në uljen e nevojës për medikamente, dhe presioni i tij i gjakut u normalizua pa kriza të mëtejshme hipertensive. Ky

rast është një shembull i qartë i ndikimit pozitiv që një plan ushqimor i mirëstrukturuar mund të ketë në trajtimin e gjendjeve komplekse kronike dhe të shumëfishta, duke përmirësuar ndjeshëm cilësinë e jetës së pacientit.

7. Cilat janë sfidat më të zakonshme që hasni në punën tuaj me pacientët dhe si i adresoni ato?

Një nga sfidat më të zakonshme që përballem është mungesa e përkushtimit të disa pacientëve për të ndjekur planin ushqimor të rekomanduar. Shpeshherë, pacientët kanë zakone të vjetra ushqimore që janë të vështira për t'u ndryshuar, dhe për këtë arsye ata ndjejnë se ndjekja e një diete të re mund të jetë sfiduese. Për ta zbutur këtë sfidë, unë fokusohem në komunikimin efektiv dhe mbështetjen e vazhdueshme. U jap pacientëve mundësi të ndërmjetme që përfshijnë hapa të vegjël për ndryshim, në vend që të kërkoj ndryshime të menjëhershme. Një tjetër sfidë e zakonshme është mungesa e edukimit mbi ushqimin, kështu që unë përpiqem t'i edukoj për zgjedhjet e shëndetshme

dhe t'i inkurajoj që të bëjnë pyetje për të ndihmuar në ndërtimin e një mirëkuptimi më të thellë mbi përfitimet e ushqimit të ekuilibruar.

8. Si e shihni të ardhmen e dietologjisë në sistemin shëndetësor?

E ardhmja e dietologjisë në sistemin shëndetësor është shumë premtuese. Me rritjen e ndërgjegjësimit për lidhjen e ngushtë mes ushqimit dhe parandalimit të sëmundjeve, dietologjia po bëhet një pjesë gjithnjë e më e rëndësishme e kujdesit shëndetësor. Teknologjia po luan gjithashtu një rol të madh, duke përfshirë aplikacionet për ndjekjen e ushqimit dhe personalizimin e planeve dietike për pacientët në kohë reale. Në të ardhmen, dietologjia do të bëhet një shtyllë kryesore në trajtimin preventiv të shumë sëmundjeve kronike, duke ulur nevojën për medikamente dhe ndërhyrje kirurgjikale. Po ashtu, unë besoj se dietologët do të kenë një rol më aktiv në ekipe multidisiplinare për trajtimin e pacientëve, duke ndihmuar në krijimin e programeve të personalizuara që promovojnë një shëndet optimal.

Lexuesit pyesin, SECRET MAGAZINE përgjigjet...

Përshëndetje redaksia e Secret Magazine! Kam një pyetje: Ka disa muaj që vuaj nga një gabim që e kam bërë disa vite më parë. Po përpiqem ta harroj por s’po mundem.

Si më këshilloni të veproj?

Klodiana 34, Tiranë

E nderuara Klodiana, edhe pse në pyetjen tuaj ne nuk e kuptuam gabimin nga i cili vuani, gjithsesi ju themi se nuk jeni personi i vetëm që keni bërë gabime dhe që keni mbetur peng i gabimeve të së kaluarës. Gabime bëjnë të gjithë njerëzit dhe ne ndërtohemi nga gabimet. Gabimet na japin mësime dhe nga mësimet e gabimeve ne zhvillohemi e ngrihemi një, dy ose disa shkallë më lart. Fakti që ju tashmë keni reflektuar ndaj atij gabimi, domethënë se ju jeni në rrugën e duhur të zhvillimit personal. E kaluara nuk ndryshohet më, por ajo që mund të bëjmë është ta ndryshojmë perceptimin ndaj së kaluarës sonë.

Nuk jam e lumtur, më ndihmoni dot si ta kthej lumturinë që kisha?

Fabiola 27, Berat

Ka disa muaj që jemi ndarë me të dashurin dhe tani po e vuaj ndarjen! Si ta përballoj më lehtë? Faleminderit paraprakisht.

Antoneta 22, Cyrih E nderuara Antoneta,liria jonë e vërtetë arrihet dhe përjetohet atëherë kur ta kuptojmë se askush dhe asgjë nuk na përket dhe askujt e asgjëje nuk i përkasim. Partnerët tanë nuk janë pronë e jona. Ata janë vetëm personat me të cilët jemi lidhur për një kohë të caktuar ose për të krijuar familje me ta. Kaq! Lidhja emocionale është e pritshme, por prapa çdo emocioni gjithnjë duhet të qëndrojë një vetëdije e lartë e cila i menaxhon emocionet. Ndarja nga i dashuri/e dashura nuk është fundi i botës. Zoti për një arsye na sjellë njerëz në jetën tonë, dhe për një arsye edhe më të mira i largon ata nga jeta jonë. Zoti ka parë diçka më shumë që nuk e ke parë ti dhe ka dëgjuar më shumë atë që nuk e ke dëgjuar ti. Zoti ka bërë gjënë e duhur për ty.

Përshëndetje e nderuara Fabila. Ajo çfarë duhet të bësh është ta gjesh fillimisht arsyen e palumturisë sate. T’i kapërcesh pengesat që të çojnë tek arsyeja, sepse të vetmet pengesa dhe mure që ekzistojnë janë ato që i ke ndërtuar në mendjen tënde të pavetëdijshme. Ti meriton të jesh e lumtur. E si t’i gjesh? Fillimisht të jesh vetvetja, si hap i parë drejt ndryshimit e përndritjes.

Shumica e njerëzve jetojnë të palumtur jo sepse duan por sepse nuk dinë të jetojnë të lumtur. Disa njerëz jetojnë të palumtur, duke menduar se jetojnë të lumtur. Disa jetojnë të palumtur duke e kërkuar lumturinë. Duke kërkuar aty ku nuk gjendet ajo, aty nuk ekziston ajo, aty ku s’e ka gjetur askush, aty ku s’mund ta gjejë askush. Aty ku s’mund ta gjesh as ti!

Nuk kanë rëndësi gjërat që na ndodhin në jetë, rëndësi ka peshën dhe fokusin që ua japim atyre gjërave. Mos e ushqe palumturinë tënde!

Përshëndetje stafit të Sekret Magazine. Kam pasur një

sekret që e kam mbajtur për një kohë të gjatë, dhe tash së voni atë sekret ia kam zbuluar mikes sime, por ajo ma ka keqpërdor besimin dhe ma ka zbuluar sekretin. Më thoni si të veproj.

Mirjeta 18, Pejë

E dashura Mirjeta, në momentin që dikujt ia tregon një fshehtësi, një sekret, ai mund të jetë gjithçka tjetër, vetëm sekret jo. Sekret është kur e di vetëm ti. Në momentin që e ndan me të tjerët, qoftë edhe nëse ke besim shumë në ta, ti ke zbuluar paraprakisht sekretin tënd. T’ia besosh dikujt sekretin është njësoj sikur t’ia japësh armën tënde, me të cilën mund të të vrasë kur të dojë e si të dojë. Parimin e zbulimit të sekretit e ke thyer ti fillimisht, dhe është naive të presësh nga dikush të ta ruajë sekretin tënd, kur fillimisht ti s’ke mundur vetë ta ruash dhe ta mbash për vete. Gjithsesi ky duhet të jetë një mësim i mirë për ty në të ardhmen. Jeta është e gjatë dhe ti tashmë je në fillet e saj. Kujdes me sekrete, ato janë sekrete vetëm kur i di një person. Nëse nuk je në gjendje ta mbash një sekret, nuk do të jesh në gjendje të mbash edhe shumë premtime tjera.

Përshëndetje redaksi e nderuar, jam ndjekës i rregullt i revistës dhe shtëpisë motivuese Power Gate. Ajo pyetja ime për këtë radhë është pak interesante: Ajo që shoh në pasqyrë, a jam unë?

Agroni 34, Shkup

Përshëndetje, jam lexues i rregullt i revistës suaj dhe trajtoni tema shumë të rëndësishme për zhvillim personal. A mund ta di kur fillon zhvillimi personal, ose kur mund ta di që unë jam në rrugën e duhur të zhvillimit personal. Paraprakisht faleminderit për përgjigje.

Njomza 29, Kamenicë

E dashura Njomza, gjithçka në këtë dimension të quajtur jetë, dhe jashtë këtij, ka një fillim. Edhe maratona 42 kilometërshe fillon me një hap. Njësoj vlen edhe për zhvillimin personal. Nëse doni të dini se kur fillon tek ju zhvillimi personal, unë ju them se ai tashmë ka filluar. Në momentin që ju keni bërë pyetje për zhvillim personal, ju keni bërë hapin e parë dhe jeni në drejtimin duhur. Vetëdijesimi për të pavetëdijshme është celula e parë e zhvillimit personal, pastaj pason ngritja lart e më lart. Nuk ka pikë ndalese që e ndal zhvillimin personal. Të thuash se jam zhvilluar mjaftueshëm dhe të ndalesh së mësuari, është njësoj sikur ta presësh degën në të cilën je hipur.

Në gjithë historinë e njerëzimit kemi menduar se pasqyra jep pamjen reale të objektit i cili gjendet përballë saj. Ashtu kemi menduar e mbase vazhdojmë të mendojmë se edhe kur jemi stepur para pasqyrës ne përballë kemi pamjen reale të fytyrës sonë. Në fakt është e kundërta! Pasqyra nuk jep pamjen reale – jep anën e kundërt të pamjes reale. Nëse ne kemi një nishan në anën e majtë të fytyrës, pasqyra do të na japë atë në anën e djathtë dhe anasjelltas. Pra është kjo pasqyra që i kemi besuar që nga fëmijëria, që kur kemi filluar të shikohemi në pasqyrë. Është kjo pasqyra që edhe në makinë gjatë ngasjes na jep pamjen e kundërt nga ajo që shohim me sy. Prandaj ne nuk jemi pasqyra jonë, ose pasqyra jonë nuk është ne.

Përshëndetje redaksi, faleminderit që po na jepni hapësirë të bëjmë pyetje. Pyetja ime është: si ta menaxhoj kohën, më ikën fluturimthi dhe nuk arrij dot të bëj gjërat e duhura në kohë të duhur.

Artoni 30, Prizren

I nderuari Arton, koha, përveçse është jetë, është pasuria më e madhe që e kemi secili. Koha është burim i pashtershëm i të gjitha të mirave që na vijnë në jetë. Po e trajtuam mirë, do të na sjellë gjithë të mirat e botës, po s’e trajtuam mirë, do të na ikë si vetëtimë dhe s’do të mund ta administrojmë. Koha është pasuria që na dhurohet çdo ditë, pas çdo zgjimi, para çdo gjumi, para e pas çdo ngjarjeje të rëndësishme në jetën tonë. Koha është diamant dhe si të tillë duhet çmuar e organizuar. Një jetë pa kohë të organizuar, është jetë e shthurur me plot vështirësi, gabime e ndëshkime. Ai që nuk ka kohë, s’ka asgjë. Ai që jep kohën si vlerë për gjëra të pavlera, ai, krejt çfarë do të fitojë, janë ato pak gjëra. Kush e injoron kohën, nuk do të shkojë gjatë, e do ta ndëshkojë koha. Sepse koha ka ligjet e veta të Kapagabueshme. dy mundësi; ose do të jesh ti që do ta drejtosh ditën tënde, ose do të jetë dita që do të të drejtojë ty. Është një çështje që ti vendos se kush kë do ta drejtojë.

E nderuara redaksi, ka disa javë që nuk vë gjumë në sy dhe tani kam filluar edhe të dobësohem e madje as ushqimi nuk më hahet. A mund të më ndihmoni si ta kaloj këtë pagjumësi?

Gresa 28, Prishtinë

E nderuara Gresa, pagjumësia (ose insomnia) është një çrregullim i gjumit që karakterizohet nga vështirësia për të fjetur, për të qëndruar në gjumë ose nga zgjimi i hershëm dhe paaftësia për t’u kthyer në gjumë. Ajo mund të ndikojë negativisht në cilësinë e jetës dhe shëndetin e përgjithshëm të një individi. Arsyet që ju kanë sjellë në këtë situatë, më mirë se ju nuk mund t’i dijë askush. Ajo çfarë ju rekomandojmë është që kur të shkoni në shtrat duhet të shkarkoheni dhe liroheni nga të gjithat emocionet ditore dhe të jeni në zero mendime e kujtime. Gjumi është shumë i rëndësishëm për jetën e njeriut dhe pa gjumë ne nuk do të jetonim më gjatë se disa ditë. Ngarkesat para gjumit përcaktojnë cilësinë e gjumit dhe emocionin e zgjimit për ditën që pason.

E nderuara redaksi, kam frikë nga errësira. Sa herë që udhëtoj natën, duhet të jem i shoqëruar nga një person tjetër. Si mund ta shporrë një herë e përgjithmonë këtë frikë?

Sandri 30, Gjirokastër

Fillimisht ju themi se errësira nuk ekziston, ajo është vetëm mungesë drite. Dhe sapo të shfaqet drita, errësira zhduket. Ju nuk keni frikë nga errësira, sepse ju edhe në mesditë mund t’i mbyllni sytë dhe të krijoni errësirë, por kjo nuk ju shkakton frikë. Ju keni frikë nga errësira e natës. Dhe kjo frikë nuk shkaktohet nga errësira, por nga imagjinata juaj që ndërton imazhe të frikshme se çfarë mund të fshihet në atë errësirë. Pra është imagjinata juaj që po ju frikëson dhe jo errësira. Frika nga errësira është frikë imagjinare. Si hap të parë ju rekomandojmë që ta provoni të rrini vetëm në gjysmerrësirë pastaj duke e ushtruar mendjen dhe trupin, hap pas hapi, ju nuk do të keni më frikë. Mund të improvizoni edhe gjatë ditës me sy mbyllë dhe të imagjinoni se jeni në mesnatë dhe, po ashtu, të jeni në mesnatë dhe të imagjinoni se jeni në mesditë. Pra përpiquni ta çorientoni frikën nga errësira. Frika mposhtet duke e luftuar atë dhe jo duke ikur nga ajo.

Mos ji peng i së kaluarës!

Shkëputja nga e kaluara e hidhur mund të jetë një proces i vështirë, jo i pamundur, por i domosdoshëm për të pasur paqe mendore dhe për të ecur përpara në jetë. Ne nuk jemi fajtorë për të kaluarën tonë, ciladoqoftë ajo. Nëse kemi bërë gabime, ato tashmë kanë ndodhur dhe duhet t’i pranojmë si të tilla. Ato (gabimet) nuk na kanë ardhur rastësisht e pa arsye. Gjithçka në jetën tonë, vjen për një arsye, rri për një arsye dhe ikën, po ashtu, për një arsye. Ne ndërtohemi nga gabimet, pa të cilat nuk do të ishim NE. Rruga e vetme e ecjes para është pranimi i së kaluarës sonë, dhe marrja mësime nga ajo e kaluar. Ajo çfarë ka ndodhur – ka ndodhur dhe i takon së kaluarës. Tani e kaluara nuk ekziston më, dhe diçka që nuk ekziston, s’mund ta ndryshojmë, por janë disa hapa që mund t’i tejkalojmë emocionet negative për një të kaluar tonë jo të mirë. Kur them jo të mirë, e kam fjalën sepse, ne, tani jemi në një stad më të lartë të zhvillimit personal dhe tani atë që dikur na dukej e mirë, po e konsiderojmë se nuk i ishte e tillë. Pra ne, në vend se të vuajmë për atë që e konsiderojmë si jo të mirë, tashmë duhet t’i gëzohemi faktit të zhvillimit tonë dhe ngritjes sonë personale, e cila po na mundëson t’i dallojmë veprimet tona të dikurshme, pra ta dallojmë të mirën nga e keqja, ose siç thotë populli, shapin nga sheqeri. Dhe ne, mbi ët gjitha duhet t’i gëzohemi këtij fakti.

Ne duhet ta pranojmë të kaluarën tonë e cila është pjesë e jetës sonë dhe nuk mund të ndryshohet. Shpesh, përballja me realitetin na ndihmon për t’i zbutur ndjenjat negative dhe për të kuptuar se ajo që ka ndodhur është e pakthyeshme. Pra duhet ta shmangim mohimin e asaj që ka ndodhur dhe të përpiqemi ta gjejmë paqen e brendshme.

Si ta largojmë vetëfajësimin?

Ne nuk duhet ta fajësojmë veten ose të tjerët, e aq më pak rrethanat që na kanë çuar tek ajo që na ka ndodhur në të kaluarën. Fajësimi mund të na mbajë të bllokuar në ciklin e negativitetit dhe të na pengojë ne rrugën e shërimit shpirtëror. Ndonjëherë, ne bëjmë gabime ose përjetojmë dhimbje që nuk janë nën kontrollin tonë. pranda, ne duhet ta pranojmë dhe ta kuptojmë këtë se është pjesë e pandashme e jona.

A mund të mësojmë nga e kaluara?

Sigurisht që po. Nga e ardhmja nuk mund të mësojmë askush, sepse nuk e dimë të ardhmen, madje nuk e dimë as nëse do ta përjetojmë të ardhme. E ardhmja është një imagjinatë. Mësuesja më e mirë e jona është e kaluara jonë, me të gjitha ato të mira e gabime. Gjëja më e mrekullueshme që mund t’i ndodhë njeriu t janë gabimet, nga të cilat ndërtohet. Sa më të mëdha gabime, aq më të mëdha janë ndëshkimet, por edhe shpërblimet. Asgjë nuk ndodh pa ndëshkim e pa shpërblim. Ndëshkimi i paraprinë shpërblimit. Nuk duhet të shikojmë nga e kaluara vetëm si burim dhimbjeje, por edhe si mësim.

Duhet ta pyesim veten çfarë mund të mësojmë nga e kaluara dhe nga ato që kemi përjetuar? Si mund të rritemi dhe të përmirësohemi si person. Pra, ta ndryshojmë perspektivën duke parë sfidat si mundësi për zhvillim personal dhe forcim të karakterit.

A duhet ta falim veten dhe të tjerët për të kaluarën?

Sigurisht që po, përndryshe do të jemi robër të asaj mosfaljeje. Duhet të mësojmë dhe praktikojmë të falim veten që bëmë gabime dhe të tjerët që na kanë lënduar ose shkaktuan vuajtje. Falja nuk është një

akt që justifikon veprimin e dikujt, por na çliron nga zinxhirët emocionalë që lidhen me të kaluarën. Falja është një hap i fuqishëm drejt paqes së brendshme dhe lejimit të shërimit.

A duhet t’i shprehim ndjenjat?

Nuk është e shëndetshme t’i mbajmë emocionet tona të shtypura. Duhet të gjejmë një mënyrë të sigurt për t’i shprehur ato, qoftë përmes të shkruarit, bisedave me miq, apo me një terapist. Bisedat me dikë që mund të na kuptojë dhe të na ofrojë mbështetje mund të jenë shumë çliruese dhe të na ndihmojnë për t’i parë situatat me një perspektivë të re.

Ta ndërtojmë një mendësi pozitive

Ajo që na ka ndodhur - ka ndodhur dhe ka ikur. Nuk është më e pranishme në jetën tonë. Jeta jonë nuk ka filluar me ato dhe nuk mbaron me to. Ne duhet të ndërtojmë një mendësi krejt ndryshe. Ta varrosim mendësinë e mëparshme që na ka shkaktuar probleme e vuajtje dhe ta ndërtojmë një të re, të pastër dhe të shëndetshme. Mendimet e së kaluarës duhet t’i lëmë pas të, cilat na mbajnë të bllokuar. Një mendësi pozitive do të na ndihmojë të shohim mundësit të reja dhe të ecim përpara me optimizëm. Praktikimi i mirënjohjes për gjërat e mira që kemi në jetën e tanishme, sado të vogla të duken ato, është më se i domosdoshëm.

Të vendosim kufij emocionalë

Ndonjëherë, e kaluara mund të përfshijë njerëz që kanë ndikuar negativisht në jetën tonë. Vendosja e kufijve me këta njerëz është e rëndësishme për shëndetin tonë mendor dhe emocional. Ne duhet t’i distancojmë ose të distancohemi nga njerëzit ose situatat ose që na sjellin dhimbje dhe të përqendrohemi në marrëdhëniet e shëndetshme dhe mbështetëse.

Të fokusohemi në qëllimet dhe ëndrrat tona

Duke pasur një qëllim të qartë dhe ëndrra për të ardhmen, do të kemi diçka ku të përqendrohemi që na motivon për ta lënë pas atë që na ka mbajtur të lidhur me të kaluarën. Rrugë më e mirë është të vendosim qëllime të arritshme dhe të fillojmë të ndërtojmë hapa të vegjël drejt tyre. Ky përqendrim na ndihmon të përjetojmë një ndjenjë kontrolli dhe optimizmi për jetën tonë.

Procesi i shkëputjes nga e kaluara e hidhur kërkon kohë dhe durim, por me përkushtim, është i mundur. Duke u përqendruar në rritjen personale dhe shërimin e brendshëm, mund të ndërtojmë një jetë të re, të lirë nga dhimbja e kaluar.

Çfarë janë çakrat dhe çfarë roli luajnë ato në trupin tonë?

FIQIRIJE GAGICA

Sa herë që ulem të shkruaj për këto tema, trupi im me rrëqethet sepse e ndjej një gëzim në mua që në si gjeneratë kemi arritur të marrim informacione të tilla. Është më se e dhimbshme që në si njerëz nuk mësojmë diçka të tillë në shkollë sepse këto informacione janë më se të dobishme për jetën tonë. Dhe unë ndjehem e lumtur për mundësinë që e jam që këto njohuri t’i ndaj me ju të dashur lexues.

Vetë fjala Çakra do të thotë rrota e dritës që vjen nga sanskritishtja.

Ky sistem ndodhet në çdo trup të njeriut i cili gjarpëron nga fundi i shtyllës së boshtit kurrizor deri të kurora e kokës, përndryshe këto unë i quaj pika emocionale ose janë bateritë tona që përmes energjisë dhe dritës së Zotit ato furnizojnë trupin tonë me energji.

Çfarë bëjnë çakrat në trupin tonë?

Këto vorbulla energjie, siç e tregon emri, janë prej drite. Çdo dritë ose çakër sjell frekuencën dhe vibrimin e vet, çdo çakër është gjithashtu një temë e ndryshme e jetës. Në varësi të karakterit të individit dhe përvojës së jetës, këto qendra energjie ndikohen nga jashtë dhe brenda dhe na sugjerojnë energji në përputhje me të ose e pengojnë atë.

Sistemi i çakrave dhe tingujt

Nëpërmjet tingujve të përshtatshëm, meditimeve dhe teknikave të mendjelehtësisë, këto ndikohen dhe vihen në ekuilibër në mënyrë efektive. Sepse këto shtatë qendra të energjisë janë të lidhura me njëra-tjetrën. Nëse ndonjë prej këtyre është jashtë ekuilibrit, kjo ndikon edhe tek të tjerat. Meqë çakrat reagojnë shumë mirë ndaj vibrimeve, ato mund të stimulohen dhe harmonizohen lehtë nga tingujt.

Pamja e përgjithshme e renditur më poshtë ka për qëllim t’jua japë një vështrim të vogël në temat përkatëse të shtate çakrave kryesore.

1. Çakra rrënjë / Muladhra

Ngjyra: e kuqe.

Vendndodhja: në fund të boshtit kurrizor

Tema: Siguria, familja, stabiliteti, rënia në tokë, frika, nevojat bazë.

2. Çakra sakrale / Swadhisthana

Ngjyra: Portokalli

Vendndodhja: Poshtë barkut

Temat: Emocionet, fëmijëria, pasioni, kreativiteti, gëzimi, trishtimi.

3. Pleksus çakra diellore / Manipura

Ngjyra: e verdhë

Vendndodhja: te pjesa e lukthit

Temat: Vetëbesimi, egoizmi, forca, optimizmi.

4. Çakra e zemrës / Anahata

Ngjyra: e gjelbër

Vendndodhja: në pjesë të gjoksit, zemrës

Temat: Dhembshuri, shërim, sinqeritet, keqardhje

5. Çakra e fytit / Vishudda

Ngjyra: e kaltër e çiltër

Vendndodhja: te gropa e fytit

Temat: e vërteta, komunikimi, vetëshprehja, mendimi i vet.

6. Çakra e ballit, syrit të tretë / Ajna

Ngjyra. E kaltër e errët

Vendndodhja: mes vetullave

Temat: Ëndrrat, meditimi, perceptimit, idetë.

7. Çakra e kurorës / Sahasrara

Ngjyra: vjollcë, Violetë

Vendndodhja: një pëllëmbë dore nën kurorën e ballit

Cila nga këto është më e fuqishmja?

Më të fuqishmet janë; të rrënjës, e sakral dhe e solarpleksusit.

Si e vërejmë që janë të bllokuara?

Sinjalet e trupit janë: psh. e fytit, inflamacione të herëpashershme të fytit të hundës por edhe të gjëndrës tiroide në formë të mbifunkisonimit ose të ndrfunksionimit të tyre.

Pra, në bazë të simptomave të trupit, ne mund të kuptojmë se cila është e bllokuar.

Në cilën çakër ndodhet shpirti?

Në çakrën e gjashtë / syrit të tretë, është selia e pranisë së shpirtit dhe ndërgjegjes.

Çfarë ndodh nëse të gjitha çakrat janë të balancuara?

Rrjedhje e përmirësuar e energjisë. Pra trupi është më energjik, rigjallëron të gjithe sistemin dhe rrit vitalitetin. Mund ta rritë gjithashtu kreativitetin, produktivitetin dhe motivimin.

Si mund t’i hapim çakrat?

Çakrat hapen me ndihmën e meditimit, jogës, tingujve dhe aromave të ndryshme, dalje në natyrë, tokëzim.

Tetori rozë, muaji i ndërgjegjësimit mbi kancerin e gjirit!!!

JONA PRIFTI

Në Shqipëri, kanceri i gjirit është kanceri që haset më shpesh te gratë me rreth 900 - 1000 të reja në vit. Fatkeqësisht, në vendin tonë kjo sëmundje ende diagnostikohet në stade të avancuara, ndoshta si pasojë e kontrolleve të rralla, mosinformimit të popullatës për këtë sëmundje, por ndoshta edhe stigmës që ekziston rreth sëmundjeve malinje. Parandalimi i kanceri të gjirit mbetet mënyra më efektive për të zvogëluar barrën e kësaj sëmundjeje në shoqëri.

Pse kemi një rritje të numrit të grave të reja të diagnostikuara me kancer gjiri?

Në vitet e fundit është vënë re një rritje drastike e numrit të rasteve të reja. Duke qenë se në gratë e reja nën 40 vjeç nuk rekomandohet kryerja e testeve depistuese, diagnostikimi i lezioneve malinje në këto mosha ndodh në stade më të avancuara të sëmundjes.

Rritja e mbipeshës dhe obezititetit mund të jetë një ndër faktorët që ndikojnë në rritjen e rasteve të reja në këto mosha. Shumë studime kanë konfirmuar

korrelacionin e BMI së rritur me stad më të avancuar të kancerit të gjirit. Përveç mbipeshës, faktorë të tjerë si ndotja mjedisore dhe ekspozimi ndaj toksinave dhe hormonevemund të ndikojnë në rritjen e rasteve të reja. Megjithatë, këto mbeten ende hipoteza që kërkojnë më shumë studime e hulumtime për t'u konfirmuar.

Sipas statistikave, rritja e rasteve të reja prek më së shumti stadin I dhe IV të sëmundjes, ndërsa stadet II dhe III nuk kanë treguar rritje të ngjashme. Ky informacion është i rëndësishëm, pasi numri në rritje i tumorëve të diagnostikuar në stadin I sugjeron rëndësinë e implementimit të politikave depistuese për një diagnostikimin të hershëm të rasteve.

Kur duhet të nisi kontrolli i gjirit?

Në popullatë, rekomandohet që depistimi për kancer të gjirit të fillojë nga mosha 40 vjecare nëpërmjet kontrollove vjetore me mamografi. Mirëpo, në faktorët që ndikojnë në vendimmarrjen mbi metodat depistuese të kancerit të gjirit lidhen me moshën, historikun mjekësor të mëparshëm dhe historikun familjar.

Kuptohet që hapi i parë është vetë-ekzaminimi i gjirit nga gruaja, në mënyrë që të detektojë ndryshime të tij. Nëse ekzaminimi fizik është negativ në një individ asimptomatik (pa ankesa), hapi i radhës varet nga stratifikimi i shkallës së riskut. Stratifikimi nënkupton ndarjen në dy kategori: risk mesatar dhe risk i lartë për të zhvilluar kancer gjiri. Ky stratifikim rekomandohet që të bëhet që në moshën 25 vjecare, ku gruaja duhet të konsultohet në lidhje me risqet e benefitet potenciale dhe kufizimet që kanë testet depistuese në lidhje me grupin e riskut të tyre. Mund të jetë tunduese për një grua që të mos e kryejë kontrollin vjetor me mamografi, sidomos nëse ato ndihen të shëndetshme ose nuk konstatojnë asnjë ndryshim në trupin e tyre. Megjithatë, të qënurit diligjent në kontroll është thelbësore për

gratë n.q.se kujtojmë sesi mamografia mund të detektojnë ndryshimë fare minimale që mund të kenë ndodhur në gjirin tuaj në 12 muajt e fundit.

Cilat janë testet depistuese për kancerin e gjirit?

Mamografia – Nga të gjitha ekzaminimet imazherike, mbetet testi më i rëndësishëm dhe i vetmi që ka treguar një ulje të vdekshmërisë. Fatkeqsisht prania e një gjiri me ind dens, ul sensitivitetin e mamografisë për shkak të errësimit ose “maskimit” të kancerit në shtresat indore dense të gjirit. Gjithashtu, evidentimi në mamografi i një indi mamar dens njihet si një faktor i rëndësishëm risku për të zhvilluar kancer të gjirit. Gati gjysma e grave në moshë depistimi kanë ind mamar dens që përshkruhet si “densitet heterogjen” ose “tepër dens” sipas klasifikimit ACR të sistemit BIRADS të radiologjisë së gjirit. Vlen të thuhet se një ind mamar dens nuk është “anormal” dhe mund të ndryshojë densiteti i tij me kalimin e kohës. Për shkak të kufizimeve të testimit depistues me mamografi, vecanërisht tek gratë me gjinj dens, mund

të përdoren ekzaminime imazherike alternative si ekografia. Ekografia është një ekzaminim i cili përdoret më së shumti në kuadrin diagnostik, jo depistues dhe përdoret në vecanti në ndjekjen e masave të dyshimta të para gjatë vizitës klinike ose mamografisë.

Në gratë me mutacion gjenetik të njohur ose nëse kanë një familjar të linjës së parë mbartës të një mutacioni, ose kanë histori mjekësore me ekspozim të indit mamar ndaj rrezatimit në moshat 10-30 vjec ose nëse kanë një risk ≥20% për të zhvilluar kancer gjiri sipas modeleve BRCAPRO, Tyrer-Cuzick, ose BOADICEA/CanRisk, ekspertët rekomandojnë që krahas mamografisë të kryhen kontrolle vjetore me MRI (rezonancë magnetike) të gjirit me/pa kontrast.

Si ta kuptoj përgjigjien e ekzaminimit

imazherik që kam kryer?

Kuptohet që pasi të kryeni një ekzaminim imazherik të gjirit (mamografi, ekografi, rezonancë) ju do të merrni një përgjigjie, për të cilën do ju rekomandohet një konsultë me një mjek senolog. Në ekzaminimin e kryer ju duhet të gjeni informacion mbi: krahasimin me ekzaminimet e mëparshme, densitetin e gjirit, formacione të mundshme dhe shkallën BI-RADS të këtyre formacioneve.

Shkalla BI-RADS është një sistem pikëzimi i përdorur nga radiologët për të klasifikuar rezultatet e gjetura në gji.

BI-RADS 1: negative; pa prani kanceri.

BI-RADS 2: negative; mund të jenë prezente disa lezione beninje (jo-kanceroze) si kiste apo fibroadenoma, të cilat rekomandohen të mbahen në ndjekje.

BI-RADS 3: probabilisht rezultat negativ; megjithatë mund të jetë një shans fare i vogël (2%) prani mase tumorale për të cilën do ju rekomandohet kontroll i afërt imazherik ose ekzaminime shtesë.

BI-RADS 4: pozitive për prani të një masë anormale, për të cilën rekomandohet biopsia për të gjykuar mbi natyrën.

BI-RADS 5: pozitive për prani të një masë me probabilitet 95% për të qënë malinje dhe

rekomandohet biopsia për konfirmim.

BI-RADS 6: kjo shkallë është për gratë me kancer gjiri të konfirmuar me biopsi, për të cilat ky ekzaminim ka për synim të vlerësojë përgjigjien ndaj trajtimit.

Nga cilat pjesë të gjirit mund të zhvillohet tumori?

Masat tumorale në gji mund të fillojnë nga duktuset e qumështit, lobulat e gjirit ose nga indi lidhor. Duktuset e qumështit janë struktura që transportojnë qumështin nga lobulat në thithkë, dhe kjo është gjithashtu zona më e zakonshme për zhvillimin e tumorëve. Kur tumori është i kufizuar brenda duktuseve, ai njihet si Karcinoma Duktale “in situ”. Nëse kalon barrierën e duktuseve, njihet si Karcinoma Duktale Infiltrative.

Lobulat e gjirit janë ato struktura ku prodhohet qumështi. Nëse tumori është i kufizuar në lobul, njihet si Karcinoma Lobulare “in situ”. Ndërsa, nëse kalon kufijtë e lobulës, njihet si Karcinoma Lobulare Infiltrative.

Origjina nga indi lidhor, si muskujt, indi dhjamor ose enët e gjakut, është më e rrallë. Kanceri që ka këto origjina njihet si Sarkoma (p.sh., tumoret Phyllodes ose angiosarkomat).

Si kryhet një biopsi e gjirit?

Biopsia e gjirit është një procedurë gjatë së cilës merret një mostër indi nga gjiri dhe dërgohet për analizë në një laborator anatomo-patologjik. Ajo rekomandohet nga mjeku senolog ose onkolog në rast se mamografia, ekografia ose rezonanca e gjirit tregojnë një formacion të dyshimtë për kancer, ose nëse ka ndryshime të dukshme në gjirin, thithin ose areolën që sugjerojnë prani të kancerit, siç janë lëkura e portokallit, retraksioni i thithit ose sekrecione nga thithi.

Me anë të biopsisë përcaktohet tipi histologjik dhe karakteristikat molekulare të tumorit. Biopsia mund të shkaktojë dhimbje ose ënjtje në zonën ku është kryer procedura. Në disa raste, mund të ndodhin infeksione dhe gjakosje në vendin e biopsisë, por ajo nuk shkakton përhapje të qelizave tumorale.

Cilat janë metodat më të shpeshta të marrjes së biopsisë?

Biopsia me age të hollë (FNA – Citologji) - Citologjia është lloji më i thjeshtë i biopsisë së gjirit. Gjatë kësaj procedure, mjeku me anë të një age të hollë merr një mostër nga formacioni në gji. Mostra e qelizave grumbullohet në shiringë dhe më pas fiksohet në lama për tu dërguar në laborator.

Biopsia Tru-Cut - Është një lloj biopsie e cila merret me anë të një ageje me diametër më të madh se ajo e përdorur për kryerjen e citologjisë. Kjo lloj ageje mundëson marrjen e një mostre më të madhe krahasimisht asaj me FNA dhe kryhet zakonisht me ndihmën e ekografisë.

Biopsia kirurgjikale - Gjatë një biopsie kirurgjikale, mund të merren për ekzaminim një pjesë e formacionit (biospi incizionale) ose formacioni i plotë (biopsi ekcizionale). Biopsia kirurgjikale kryhet në një sallë operatore nën anestezi.

Si trajtohet kanceri i gjirit?

Disa lloje tumoresh të gjirit janë të ndjeshëm ndaj hormoneve femërore si estrogjeni dhe progesteroni. Qelizat kanceroze të gjirit kanë receptorë në membranën qelizore, të cilat ndërveprojnë me hormonet që qarkullojnë në trup. Për të përcaktuar nëse qelizat tumorale përmbajnë ose jo këta receptorë, krahas biopsisë, nevojitet nje ekzaminim shtesë i quajtur imunohistokimi (IHC).

Në IHC e gjirit ju do të gjeni informacion mbi statusin e receptorëve hormonalë (ER, PgR), indeksin e proliferimit qelizor (ki67) dhe statusin HER2. HER2, i njohur si receptori i faktorit të rritjes epidermale, është një proteinë e sipërfaqes qelizore qe ndihmon në rritjen dhe ndarjen e qelizës. Në rastet kur gjeni HER2 është i amplifikuar, ndodh një mbishprehje e proteinës HER2 dhe si rrjedhojë një nxitje e rritjes agresive tumorale.

Për të vendosur mbi mënyrën e trajtimi të kancerit të gjirit është e rëndësishme të kryhet si fillim diagnostikimi bazuar në biopsi, imunohistokimia dhe teste molekulare. Në varësi të rezultatit të këtyre testeve dhe stadifikimit imazherik të sëmundjes, përcakohet plani i duhur i trajtimit.

Mungesa e komunikimit

Në ditët e sotme ndjenja e vetmisë dhe depresioni që për jetohet si rrjedhojë e ndjenjës së vetmisë janë shumë më të përhapura në krahasim me njëqind vjet më parë. E shfrytëzojmë deri në pikën e fundit oqeanin e komunikimit; flasim në telefon gjatë gjithë ditës, dërgojmë mesazhe, me anë të kompjuterit bëjmë chat për orë të tëra me persona që as nuk i njohim, por në mesin e këtij popullacioni global përsëri ndjehemi të vetmuar në mes të oqeanit brenda barkës tonë prej lëvozhgës së arrës. Me që ra fjala, përdorimi i ilaçeve antidepresantë po rritet në nivele të frikshme.

Se di pse, por sa herë që përmendet fjala komunikim, gjëja e parë që na vjen në mend është: komunikimi që ndërtohet me anë të disa aparaturave të tilla si telefoni, televizori, radio, komp juteri, letrat (pavarësisht se në kohët e fundit u ka humbur goxha rëndësia apo telegrafi të cilin besoj se nuk e përdor më askush)... Pandehim se komunikimi është i ndërlidhur me transportimin diku të një ngjarje apo një mendimi. Madje as nëpër fjalorë nuk gjendet një përkufizim tjetër përveç këtij.

Duke qenë situata e tillë, te shumica e njerëzve fjala “komu nikim” sjell ndërmend domethënie mekanike. Brenda mbretërisë së teknologjisë që e kemi krijuar me duart tona, sa më shumë që shndërrohemi në njerëzmekanikë, aq më të vështirë e kemi ta dallojmë se problemi kryesor i epokës së komunikimit është (mungesa e) komunikimi(t). Ajo që është më shumë për të ardhur keq, është se nuk e dimë që nuk dimë të komunikojmë. E mohojmë faktin që nuk dimë të komunikojmë, më pas ankohemi shpesh se keqkuptohemi.

Bllokimet në rrugët e komunikimit mund të shkaktojnë furtunë nga momenti në moment. Mungesa e komunikimit në botën e biznesit ndikon në performancën e punonjësve dhe kompanive, shumë më tepër nga sa pandehet.

Mungesa e komunikimit në marrëdhëniet femër mashkul i konsumon shumë palët, i shkëput nga njëritjetri, dhe mbjel me dorën e vet farën e zemërimit.

Mungesa e komunikimit në jetën sociale, është si një shkëmb gjigant që na del përpara e na bllokon rrugën e mundësisë per t kohën e duhur dhe për me njerëzit e duhur; na ndëshkon me vetmi.

Po komunikimi me veten tonë? Në fakt, më së shumti (mungesën e) komunikim(it) e kemi me veten tonë, duke qenë vetë armiku më i pamëshirshëm, kritikuesi më i ashpër, e gjykatë si më i padrejtë i vetes sonë! Mungesa e komunikimit me veten tonë, na bën ta shohim veten si një të huaj; nuk arrijmë t’i njohim ndjenjat tona.

Pavarësisht kësaj, nuk është se shfaqim ndonjë dëshirë për të përmirësuar mënyrën e komunikimit me veten tonë apo me të tjerët. Shpesh zgjedhim rrugën e “lehtë”; ose shtypim ndjenjat ose përjetojmë shpërthime emocionale.

Mendojmë se shkaku i konflikteve të komunikimit janë mendimet e ndryshme sepse ato që dalin në plan të parë në komu nikim janë mendimet. Ndërkohë që burimi kryesor i konflikteve të komunikimit janë ato që ngelen në plan të dytë janë ndjenjat që nuk na tërheqin vëmendjen. Arsyeja që bëheni person reaktiv, madje edhe kur jeni duke diskutuar mbi tema të rëndomta, është se futeni brenda ndjenjave të tilla si inati, dëshpërimi, humbja e shpresës apo zemërimi. Në këtë rast zvarritja drejt konfliktit të ko munikimit është pothuajse e pashmangshme. Për sa kohë që nuk krijojnë ndonjë ndjenjë në prapaskenë, mendimet e ndryshme nuk krijojnë ndonjë problem; mund të bini në kompromis ose jo, por një gjë është e sigurt, nuk do të futeni në konflikt me personin përballë.

Aksidentet e komunikimit ngjajnë shumë me aksidentet rrugore dhe jini të bindur, aksidenti thotë gjithmonë “Po vij!” Nëse nuk e dini se si t’i shprehni në mënyrë të shëndetshme nd jenjat tuaja, e çka është edhe më e rëndësishme, nëse nuk dini t’i komandoni

ndjenjat tuaja, është shumë e mundshme që në kthesën tjetër të marrëdhënies t’ju pres një aksident komunikimi.

Sado shofer i kujdesshëm e me përvojë të jemi, vjen një mo ment i tillë që nuk i shmangemi dot gabimit të atyre që na vijnë përballë. E pranoj. Por, kjo nuk e ndryshon faktin se ne kemi af tësinë dhe vullnetin për t’ i ulur në minimum aksidentet që mund të na ndodhin dhe t’i kapërcejmë ato me sa më pak dëmtime. Në komunikimet që krijojmë me të tjerët, mund ta hamendësojmë që në fillim se cili reagim i joni lind nga cili provokim dhe çfarë rezultatesh sjell në marrëdhënien tonë.

Në një ambient ku të gjithë drejtuesit e makinave i respek tojnë rregullat e qarkullimit, nuk do të ishim të detyruar të bënim shumë manovra në mënyrë që të “mos pësojmë aksident”, apo jo? Po ashtu edhe në një ambient ku të gjithë i respektojnë rregullat e komunikimit nuk do të ishte e nevojshme të “stërmundoheshim” që të tjerët të na kuptojnë.

Nuk jetojmë në një botë të tillë. Por, duke filluar nga ky moment, mund të fillojmë ta ndërtojmë një botë të tillë.

Qoftë në trafik, qoftë në komunikim, të bësh zero gabime është e vështirë, por nuk është e pamundur. Jemi njerëz, prandaj ndodh që të provokohemi nga të tjerët, e pavarësisht se e kup tojmë që është gabim mund t’i shkelim rregullat e të bëhemi shkak aksidenti. Mund të provokohemi nga një veprim apo një fjalë e personit që kemi përballë e të reagojmë emocionalisht e në këtë mënyrë të dëmtojmë marrëdhënien tonë. Aksidente të lehta komunikimi nuk ka sjellin tronditje të ndjeshme në jetën tonë, por sa më i madh të jetë aksidenti aq më e madhe është fatura që paguajmë; ndonjëherë gabimet mund të jenë aq të mëdha sa na kushtojnë me humbjen e një punë, një miku apo humbjen e të dashurës. Të pendohesh më vonë, të vajtosh “ah sikur të isha treguar më i kujdesshëm e të mos e kisha bërë atë gabim”, nuk ta kthen mbrapsht atë që ke humbur.

Nëse nuk gaboj, gjatë një seminari mbi vetëbesimin, një pjesëmarrës rrëfeu një ngjarje që i kishte ndodhur e që mua më la shumë mbresa. Teksa kishte qenë duke udhëtuar me makinë në qytetin e tij, kishte goditur një burrë të moshuar, por për arsye se kishte arritur ta shkelte frenin në kohë, nuk e kishte dëmtuar shumë. I moshuari e kishte kapërcyer aksidentin me disa gërvishtje të lehta. Edhe vetë kishte shkuar më pas në shtëpinë e të moshuarit për t’u siguruar për shëndetin e tij. Ishte prekur shumë nga një fjalë që i kishte thënë i moshuari në atë kohë:

“Të ecësh me shpejtësi në trafik është diçka që lehtësisht mund ta bëjnë të gjithë, e vështira është të shkosh me ngadalë. Ti bëhu ndryshe nga të tjerët, dilja mbanë të bësh gjënë e vështirë.”

Në pamje të parë të duket si një shprehje e rëndomtë apo jo? Por megjithatë, “Të mos jesh pjesë e kopesë nuk është asnjëherë diçka e rëndomtë. Aq shumë ndikuan te unë fjalët që kishte thënë i moshuari saqë edhe sot kur jam në trafik dhe e kuptoj

se po i bashkohem kopesë, e kuptoj se ka filluar të më kapë eksitimi dhe jam gati të tejkaloj limitin e shpejtësisë. Më kujtohen këto fjalë dhe menjëherë e mbledh veten.

Nganjëherë, një fjalë që në pamje të parë na duket tepër e thjeshtë, mund të na ndryshojë jetën. Kjo është e lidhur drejt përdrejtë me mënyrën se si e perceptojmë dhe si e jetojmë jetën. Nëse shohim në mënyrë sipërfaqësore, atëherë edhe jetojmë në mënyrë sipërfaqësore dhe kur dëgjojmë fjalë të ngjashme me ato si të atij burri të moshuar, ndikimi i tyre te ne mbetet sipërfaqësor, e për rrjedhojë edhe shlyhen shpejt. Sa më thellë që të arrijmë të perceptojmë pasurinë e jetës, botën e brendshme të njerëzve, urtësinë e fjalëve, aq më i thellë dhe i qëndrueshëm është ndikimi që shkaktojnë tek ne.

Synimi im me anë të këtij libri është që të arrini të shihni thelbin te vetja juaj, tek të gjithë të tjerët e tek çdo gjë që secila ngjarje që përjetoni t’ju lë një shenjë pozitive, t’ju kthehet në për vojë. Ashtu si edhe në shembullin e personit që tregova më sipër edhe nga ngjarjet negative mund të nxirrni përfundime që do ta ndryshojnë pozitivisht rrjedhën e jetës suaj. Me fjalë të tjera ky libër synon t’ju vendosë përballë dy zgjedhjeve: Ose të vazhdoni të bëni aksidente në komunikim e të thyeni këmbën apo dorën, më fal, të lëndoni gruan apo mikun, e të jetoni një jetë të pamotivuar, të trishtë, të parealizuar e sipërfaqësorë, ose të bëheni një person që e ka kuptuar qëllimin e jetës dhe është i dobishëm për veten dhe për shoqërinë.

marrë nga libri “TA ZOTËROSH KOMUNIKIMIN”

Eni Mullameti Universit Marketing Galaktik

Magjia e Ndërveprimit

Të Mendosh si Një Historian? Po Pse?
Rrugëtimi Vazhdon

Turn static files into dynamic content formats.

Create a flipbook