Page 1

KALI I SHALËS Theodhoraq Ciko ROMAN

0


Theodhoraq Ciko Roman.

VARGMALI I NJE ROMANI

Ishte vargmali i një jete ku nuk mungonte asgjë. Atje ngriheshin të gjitha: zgjime e muzgje me zëra burrash e bëlbëzime fëmijësh, natyrë e blertë shtuar bukuri nazike vashash, shtegëtime resh, zogjsh e vllehësh, maja nga mund të puthje buzët e Hënës. Se si dhe ato, erdhi një ditë vjeshte, t'i përkasin nostalgjisë. Jeta vllahe ngrin, si në një përrallë. Atje nis dhe romani i shkrimtarit vllah Theodhoraq Ciko. Si mal i minosur, libri ka së toku dramat rrënuese dhe pikat e larta gjeometrike të patundura (referuese), rreth të cilave orientohet një alpinist (studiues) për të hedhur këmbën (penën) e tij. Nga gjithë ato lëndina të ngarkuara me lule e të papritura, nga blegërima tufash të bardha e vikama baladash, nga gjithë ato shira mbi supet e tyre, unë zgjodha kulmet për t'i pagëzuar. a) "Kali i Shalës". Ashtu siç e ka quajtur autori. Eshtë një dialog me një kalë, një bashkëbisedim i panjohur deri sot, paçka se është zhvilluar më shumë se gjysmë shekulli më parë. Dialogu nuk është i zakonshëm. Ai ngre dhimbjen e njeriut të zbritur nga kali në mënyrë banditeske. Një pritë rebelësh të errësirës i presin rrugën. Nuk i kërkojnë shumë: pronën e jetës së tij, vetë jetën. Pikërisht kjo pritë shkatërruese, një nga goditjet më të mëdha të diktaturës së kuqe dhënë popullit shqiptar, me të cilën nisi tmerret gjysëm shekullore, u shkrua së prapthi nga çensura mbi penën.Tregimi dhe përshkrimi te kjo vepër epike janë harmonizuar. Për të ndërtuar karakteret e figurave kryesore, operohet me kujdes me gjuhën e një komuniteti plot halle, që di të vuajë, por nuk di të vrasë: ka lindur për të mbijetuar mes punës që jep fryt dhe dinjitet. Hapësira dhe koha janë të shkrira në një, si në mendësinë mitike legjendare. Mali këtu është i hymnizuar, madje e ndjen se është perëndi. A nuk ishte një domosdoshmëri të thuhej e vërteta? Thuhet dhe thuhet shumë saktë nga një penë vllahe e kualiduar mirë. Jeta shtegtare merr pamjen e Kapedanit të stanit, i cili, në këtë hapësirë të mjegullt në një udhëkryq pa një shënjë drejtimi, shkund çibukun në pëllëmbë të dorës për ta rimbushur. E mbush dhe e rimbush duke tymosur në heshtje kurthet, intrigat, të cilat venë në mëdyshje nderin e tij. Sikur kjo të ishte pak, i shtohet dhe dialogu me kalin që nuk mund ta hipë më, që e heq për dore si krenari e një të shkuare të largët, të humbur. Ai tani është një hidalgo, nuk i ka më hije këmba në yzengji. Duket se tok me Kapedanin, autori nuk mund ta heqë nga mendja atë të shkuar të blertë, atë dialog ngjethës që i dikton një shpirt i plagosur për vdekje. Para nesh hapen përmasat e një drame prekëse, që shpesh merr klithmat e tragjedisë së pashkruar, mjaft tronditëse. Eshtë një dëbim nga jeta. Dëbim monstruoz, vrasës. Dëbim i verbër ku dielli vonoi shumë. Ndërsa djemtë matnin me njëri tjetrin forcën, ndërsa deshinjtë e shkuar në hej rridhnin shijën e kripur mbi prush, ndërsa vashëzat vllahe matnin bukurinë në një pasarelë në sallonet e çaireve të virgjëra, ndërsa matnin tjerrjen e fillit të leshtë mbi furkat e qëndisura, vijnë kanibalët e kuq dhe u këputin jetën. Romanin e përshkon metafora befasuese.

1


b) "Nderi i përfolur". Përgojohet Kapedan Toli, emri i të cilit lidhet me krenarinë vllahe, me zgjuarsinë, me burrërinë, me nderin. Ai preket atje ku jeta e stanit ka pikën e saj më të vyer. Një kalli bari nga buzët e botës, i kalon për t'i ngelur në grykë. Nuk mund ta gëlltitë dhe as ta nxjerrë jashtë. Në kurriz të tij thurret një intrigë përdhunimi. Këtu romani merr nota të veçanta gozhduese. Ky burrë i njohur ndër burrat, ky reliev i ashpër mali, vjen e kthehet në një kokulje, që nuk ka më dëshirë të jetojë. Dhe nuk zgjedh rrugën e qenit të goditur, i cili me angullime fshihet pas një shkurreje pak më tej për të lëpirë plagën. Mandej, kur i vjen çasti delikat, çast ku ai mund të hakmerret me intrigën, bën të kundërtën. Mbyll përgojimin në një mënyrë tragjike, që predikon pendimin tek intrigantët. c) "Akuza". Një jetë e ndërtuar me zemër e krahë, një zë i lirë që kumbon nëpër qiell e shtigje baladash, një shtëgtim ndërshekullor me shi e mjegull nëpër grindjet e vjeshtës, por dhe nëpër rreze e lëndina maji, pritet në mes. Vllehët, këta nikoqirë të mëdhenj të pronës e të fjalës, këta ndërtues veprash e shtetesh në Ballkan e më tej, akuzohen për shfrytëzues. Pika të kuqve! Nga fluturimi mbi kuaj me shalë, nga çelnikë, nga zotërinj të nderuar nëpër maja malesh e oda ballkanike, ata u gjendën më këmbë në shokë të vegjel, që kalonin pa u vënë re. U kthyen në hije. Akuza e tyre merr forma nga më të ndryshmet, herë duke kundërshtuar, herë duke heshtur dhe herë duke puthur atë dorë, që nuk mund ta kafshonin. Igrasia e qelive dhe frymës qelbashe, kanceroze komuniste, grin dhe përtyp vazhdimisht kockat e tyre. c) "Vllehët". Ata janë personazhet tipike të romanit. Janë një majë tjetër e kapur me njohje të vërtetë të monopateve vllahe nga autori. Paçka se në pamje të gurtë, ata janë të lexueshëm, të mirë, të dialogut, vetë mençuria e dhimbja. Padyshim që Toli Kapedani të bëhet mik, por edhe Janulla e bukur nuk të ndahet me bukurinë gjarpërore. Të ngjitet aq sa dhe të shtyhet. Ndërsa Loni katrigari, qeni dembel i stanit, tek i cili, e bredhura shkolluese ka ndikuar për keq, të bën t'i pështysh të lehurat. Në të kundërt, te poeti popullor Xhimo, mëshirohet më së miri talenti vllah. Ai është një figurë karakteristike, i cili, me vargjet e tij, kap që në ajër çdo lëvizje vetulle të stanit. Tepër domethënës fundi i tij krijues. Qyshsa jeta vllahe goditet brinjë më brinjë e mbetet në rrugë e papërkrahur, ai hesht. Edhe këngët plagosen. e) "Pena Ciko". Ndoshta këtë emërim duhej ta vija në rreshtin e parë. Kjo, nuk është një penë kalimtare në jetën vllahe, ashtu siç kanë bërë shumë të tjerë për ta anashkaluar atë. Cikoja ka shtegëtuar me stanet vllahe i ngjitur pas shigunës palë-palë të gjyshes, ose mbi vithe të mushkës, apo në mes të hararëve të karvanit, apo pas hapit të bardhë të gjyshit nëpër shtigje. Duke qënë një vllah i thekur për rrënjët e tij, temë shumë e preferuar e të njëjtit, e përshkruan këtë jetë ashtu siç mund ta përshkruajë vetëm ai. Tepër origjinal. Jo vetëm vllehët, por të gjithë ballkanasit e më tej, duhet të njihen me këtë roman interesant ku rrjedh një jetë e çuditshme. E vrullshme si një përrua malor. Libri i Cikos të sjell para syve një stan të vërtetë vllah, ku nuk mungon gjalpi i mikpritjes, nuk mungon fjala e befasuar që të mban frymën. Romani "Kali i Shalës", ka trokun e tij në revanin mjeshtëror të letërsisë së mirëfilltë shqiptare. Ziko Ll. Kapurani. Selanik, Shkurt 2010.

2


KALI I SHALËS

Nga qafa e malit, aty ku pylli ishte i dendur dhe ahet e moçëm zgjasnin degët, kush e kush të dilte mbi shokë, këtë mëngjes pa një re në horizont, dielli i lëshoi rrezet përmbi stan. Ai ngjasonte me një lëmsh të kuqërremtë zjarri, që dukej i tillë po t‟i pulitje sytë lehtë dhe qepallat t‟i mbaje gjysmë të mbyllura. Lëndina avullonte ngadalë. Prej zemrës së saj, po daravitej drejt atij syri gjigant, që sapo ishte shfaqur si një shpëtim, një tis i artë mjegulle mëngjesi, i cili bashkohej me ato rreze duke u përzjerë edhe me lodrat e fëmijëve, si në një korr parajse . Pylli, me fëshfërimën karakteristike pëshpëriste nga ai fllad i lehtë ere, gjethet e ahut e të lajthishtave në anën e majtë si dhe pishat që gjëmonin fort në anën tjetër, krijonin një harmoni gjithandej, e cila të zhyste në përrallë. Po ashtu edhe shkëmbinjtë e thepisur që qëndronin ballëpërballë, edhe përroi që guduliste me ujin e kristaltë degët, shkurret, stenat dhe guralecët e vegjël, plotësonin më së miri këtë peisazh. Dy ditë më parë, shiu dukej sikur nuk do pushonte kurrë. Gjëmimet dhe shkreptimat, pasi kishin bërë punën e vet gjatë javës kishin ndalur. Kurse rëmënët e stanit, strukur nëpër kasollet e tyre, pëshpërisnin ngadalë: qeralejson, qeralejson (ruajna zot). Ata mendonin se gjithë ai rrebesh trokiste dhe paralajmëronte ardhjen e dimrit. “Gusht e gunë” thotë populli, prandaj disa masa duheshin marrë me shpejtësi. Stani ishte vendosur në jug perëndim të luginës. Kasollet ishin në rresht njëra pas tjetrës, në mes të një lëndine të madhe, ku era nuk të rrihte.Vetëm kasollja e Dhaskalit, Kosta Raftit, rrinte mënjanë tyre. Dhaskali i ndiqte Rëmënët në dimër dhe në verë. Sakrifikonte Dhaskali për ti shkolluar Rëmënët adhe aty në mal. U mësonte shqip dhe rëmeneshti. Ajo kasolle ishte e shenjtë për rëmënët. Lëndina ishte aq e madhe sa mund të strehonte rreth shtatëdhjetë familje. Përfund lëndinës qëndronte burimi, pa të cilin, as mund të bëhej fjalë për një stan rëmënësh. Burimi, i cili quhej kështu, vetëm në dimër, në pranverë, kur ktheheshin stanarët e rregullonin dhe e kthenin në çezmë me një gjethe spinxhi(shpendër), e uji rridhte qelibar i ftohtë. Po të pije aty, nuk ngopeshe kurrë. Me pak fjalë, në këtë ambjent, bëhej për çdo vit edhe festa e fundkullotës së malit. Lëndina skuqte nga çorgat e shtruara. Pleqtë ulur në krye të këndit, kurse djemuria dhe gratë, secili në vendin e vet. Vetëm fëmijët i gjeje ngado, duke vrapuar gjithë zhurmë në drejtim të pyllit dhe duke tërhequr zvarrë shkarpa e degë ahu të thata, për zjarret që do të ndizeshin menjëherë ende pa filluar mirë festa. Pleqtë, të veshur me rrobat më të mira, pothuaj të gjithë me pantallona shajaku të bardha dhe gratë me tё gjitha stolitë, që nga qostekët e ndryshëm e deri te florinjtë që i kishin me shumicë, të varur në shamitë e bardha dëborë. Edhe fëmijët mezi e prisnin ditën e festës, që edhe ata të visheshin me rroba të reja. Të gjithë pothuaj të veshur me rroba leshi. Pas asaj maratone verore, me peripecitë e gëzimet, me lodhjen dhe mundimet që herë pas here të lumturonin, duhej edhe një çlodhje. Atë vit, vera ishte e lagësht dhe bagëtia kishte

3


dalë mirë. Kullota ishte e begatë, trёndelina dhe tërfili harbohej pas çdo shiu apo dhe ndonjë vese mëngjesi. Edhe ujku nuk kish bërë zarar si vite më parë. Atë ditë, tufat e deleve u mbajtën në stan brenda në shtrungë. Pjesëmarrja në garën e fundkullotës duhej të ishte e plotë. Po cila ishte në të vërtetë kjo festë dhe si festohej nga rëmënët? Sheshi gumëzhinte nga pjesëmarrja e të gjithëve. I madh e i vogël, ishin kurreshtarë se kush do ta fitonte garën që do të zhvillohej, se në të vërtetë festa kurorëzohej me një garë ku shfaqej bukuria, forca dhe hijeshia. Për femrat, një tufë leshi në furkë dhe kush do e tirrte e para. Gjithmonë pjesëmarrja ishte e kushtëzuar, bëhej fjalë për vajzat e reja dhe djemtë e rinj. Për djemtë e rinj, ishin ngritur tre trekëmbsha ku pritej të zhvillohej edhe procedura e garës. Tre deshinj pothuaj aty/ aty në peshë, prisnin thikat e mprehura të të rinjve mustaqe pa dirsur, ashtu si i quanin ata më pleqtë.Me ato thika mund edhe të rruheshe fare lehtë, kaq të mprehura ishin. Një vit më parë, garën e meshkujve e kishte fituar Nesti, i biri i Tolit. Kurse garën e femrave, Lena e Sofës. Para se të fillonte gara, dëgjoheshin të thirrurat e fëmijëve që mblidhnin drutë dhe shkarpat në pyll. Duhej të ndizej njëherë zjarri e të bëhej prush, pastaj fillonte gara. Tre zjarre u ndezën dhe flaka gjarpëronte përpjetë qiellit. Gjithçka ishte ndezur, zjarret, sedra e djemve të rinj për një fitore të mundshme, krenaria e vajzave dhe brohoritjet e fëmijëve. Pesë vajza dolën në shesh, të veshura me fustane feste të reja, kadife lloj/lloj ngjyrash, nga e kuqja, që ishte dominuese, deri te bluja dhe jeshilja. Balli i tyre llamburiste nga napolonat e floririt dhe gjoksi si asnjëherë, stolisur me qostekë argjendi lloj-lloj formash. Gërshetat, të gjitha pa përjashtim, deri në fund të belit. E para në rresht ishte Dhimitra, pas saj vinte Vali dhe me rradhë Janulla , Maria dhe Krisa. Të pesta, me furkat e leshit ngulur në ripin e mesit, prisnin gjithë ankth fillimin e garës. Njëra më e bukur se tjetra, me faqe të kuqe si shega e hapur, belholla dhe shtatlarta. Zora, bashkë me fituesen e një viti më parë për dore, Lenën e Sofës, u afrua pranë vajzave. Çdo vit, këtë garë e drejtonte Zora, një plakë topolake rreth të tetëdhjetave pa një rrudhë në fytyrë dhe mjaft e shkathët për moshën e saj. Edhe në rininë e saj, ajo e kishte fituar njëherë këtë garë dhe ruante kujtime të ëmbla. Ajo garë i kishte sjellë fat në jetë duke e lidhur me bashkëshortin e saj, me të cilin lindi njëmbëdhjetë fëmijë, të gjithë të shëndetshëm e punëtorë. Zora mbante në dorë një beze të bardhë. I porositi vajzat të bënin kujdes, që gjatë punës në garë të kishin parasysh edhe cilësinë e punimit, se do të fitonte vetëm ajo që do e tirrte leshin më shpejt dhe më mirë. - Nuk dua colla-mbolla! - kjo shprehje përdorej kur punët bëheshin me nxitim dhe shkel e shko, të themi shqip. - Gati, filloni! - tha ajo duke ulur flamurin që mbante ngritur lart. Fëmijët që rrinin grumbulluar rreth zjarrit brohorisnin me të madhe. Në qendër të sheshit rrinin gjithë burrat dhe pleqtë ulur nëpër çorga. Nesti, fituesi i garës së vjetshme, ndiqte me kurreshtje lëvizjet e shpejta të vajzave, por shikimi gjithmonë i ngulitej vetëm te njëra. Dhe kjo ishte ajo, më e bukura, Janulla. Në atë stan shumë syresh, thoshin se kjo vajzë me atë bukuri do të bënte që djemtë të vriteshin për të dhe nuk kish si ndodhte ndryshe. Pleqtë mbushnin çibukët me duhan dhe indiferentë ndaj garës, për hesap të tyre, thithnin duhanin e krijonin shtëllunga tymi që merrnin përpjetë dhe kujtonin rininë e tyre duke filluar bisedat, për hallet dhe jetën e vështirë që kishin kaluar.

4


- Jam i lumtur, megjithatë ! – foli më plaku i rëmënëve. – I mbusha njëqind e jam si një lis. Nuk më dhemb asgjë, punova si mushkë dhe jetën e pata bereqet, një tufë fëmijësh dhe gjënë e gjallë e shtova çdo vit, njëri pas tjetrit. Këtë do t‟i uroja këtyre të rinjve sot, që kanë hyrë në garë me njëri-tjetrin. Të bëhen punëtorë dhe të jenë të nderuar për gjithë jetën. - Të drejtë ke more xha Foto, por kësaj punës sonë më duket se po i vjen fundi. – Toli nuk donte ta zemëronte plakun, megjithatë ai e tha fjalën e keqe. Por nuk vazhdoi më tej. – Të shohim kush e fitoi garën e vajzave, – ndërroi Toli kokën muhabetit duke menduar se nuk ishte e udhës që ta mërziste xha Foton më tej. Dhe vërtet në përfundim të garës doli e para Janulla dhe jo vetëm që doli e para, por nxorri një fill të tillë, sikur ta kish nxjerrë makina. Zora u afrua në qendër ku tirrnin vajzat dhe veçoi Janullën nga të pesta. Një gjerdan argjendi i ri fringo u var në gjoksin e vajzës. Të gjithë brohorisnin pa ndërprerje. Ato përqafoheshin sikur të ishin motra dhe jo konkurrente me njëra-tjetrën. Më plakat, bashkë me Zorën që drejtonte garën, i morën vajzat dhe me një thëngjill të zi u shenjuan në ballë nga një kryq si për të mos u marrë sysh. - Ejani këtej dhe fshihuni në tendë, se do t‟iu përpijë syri i lig. – i tërhoqi mënjanë të pesta vajzat Kati. Vetëm Dhoksi qorrja rinte në hyrje të tendës së saj, me syrin e hapur, se njërin e kishte të mbyllur fare, shikonte gjithë ngjarjet. Dhoksia ishte qorruar që e vogël aty në lëndinë dhe ky ishte dhe shkaku që kishte ngelur pa martuar. Për këtë, kishin faj edhe prindërit që nuk u përpoqën ti gjenin një burrë. Vrrazhdësia e saj, këtë kishte si shkak. Ajo i shihte me përçmim të gjitha vajzat që dolën në shesh atë ditë. Pasi u larguan nga sheshi vajzat dhe një pjesë e grave, aty erdhën deshinjtë. Xha Panua po përgatitej që të fillonte garën e djemve. Ai, si më i vjetri dhe organizatori i garës për djemtë, hyri direkt e në temë. -Gara fillon me therrjen e dashit, rrjepjen, vendosjen në sullë ( hell), lidhjen dhe shpënien mbi bigaçe te zjarri. Deshinjtë janë të gjithë të barabartë në peshë dhe në majmëri. Duhet pastërti në të rrjepur, rregull dhe rradhë pune. Gati ? Të tre djemtë me thikat vendosur në gojë prisnin urdhërin e fillimit të garës. Në garë ishin Mihallaqi, Vasili dhe Petroja. Të tre me llërët përveshur e këmbë të hapura mbanin për brirësh deshinjtë. -Një , dy, tre – tha xha Panua. – Filloni! Djemtë morën thikat me shpejtësi nga goja, prenë litarët me të cilët kishin lidhur këmbët e deshinjve, pasi nuk ishte mirë që të therrej një kafshë me këmbë të lidhura dhe me shkathtësi të madhe e ngulën në gurmas të deshinjve. Gjaku fërshëlleu si pizgë përpjetë. Për dy minuta deshinjtë u gjendën të varur nëpër trekëmbsha. Vasili përparoi më shumë në fryrje dhe në zbulimin e këmbëve të mbrapme. Pylli oshëtinte nga brohoritjet. Të gjithë, pa përjashtim kishin simpatizantët e tyre. Fëmijët ishin në kulmin e haresë dhe gëzimit.Më shumë tifozë kishte Mihallaqi.Në garën e mundjes atij nuk i kish dalë burrë që ta vinte përdhe. Zorrët e para dolën jashtë, pikërisht ato të dashit të Mihallaqit. Ai i mblodhi “këruni”(turrë) me shpejtësi. Xha Panua, i cili ndiqte garën me kërshëri, u afrua te dashi i Mihallaqit dhe i rrëmbeu shpretkën duke e përtypur nëpër dhëmbë e duke u gjakosur në mjekër e mustaqe. Rrallë gjeje rëmën që kur therrte delen apo shqerën, të mos e hante shpretkën të gjallë. -“Dëju ntrorë! Dëju ntrorë ”(bjeri shpejt!)- thërrisnin gjithandej.

5


Ishte një ditë e freskët shtatori me diell dhe megjithëse frynte pak erë, asnjeri nuk e vinte re. Hareja e festës ishte në kulmin e saj. Mihallaqi vendosi thikën në gojë dhe mori qëndrim gatitu. Ishte ai fituesi i garës. Të brëndshmet e deshinjve i rrëmbyen vajzat për t‟i larë dhe pastruar te përroi që më pas të thureshin nëpë hej per kukurec.. Xha Panua vuri gishtërinjtë në gojë dhe fërshëlleu. Gara kishte mbaruar. Ai ngriti dorën e Mihallaqit dhe deklaroi më zë të lartë: - Gara u fitua nga Mihallaqi, pasuar nga Vasili dhe i treti Petroja.Të tre janë djem të shkathët, bravo djema! – e mbylli ligjëratën xha Panua.Gara të kësaj natyre bëheshin dhe ditën e pashkës përvit me të vetmin ndryshim se atë ditë skuqte vendi nga çorgat, vezët e kuqe dhe zjareve rradhë që skuqnin mishin nëpër hej. Dy vajza të veshura spicë me kadife të kuqe dhe stoli në gjoks, me një tepsi bakri në duar, ku ish vendosur një kurorë bari, kryesisht trendelinë, po afroheshin drejt Dhaskalit. Dhaskali merr kurorën nga tepsia e bakrit dhe bashkë me xha Panon afrohen drejt djemve. - Këtë kurorë për sivjet, në mbylljen e kullotës verore, e meriton më i forti, më i shkathëti dhe më i pastri: Mihallaqi. - Dhe mes brohoritjeve i vendos kurorën djalit në kokë. Mihallaqi mes entuziazmit, sa s‟fluturonte nga gëzimi. Me kurorë në kokë i dukej vetja si një shenjtor. Me sytë jeshil, flokët e kuqërremtë në bjond, shpatullat e gjera, që i theksoheshin boll nga këmisha e bardhë mëngë përveshur, pantallona shajaku të zeza, qillota me gjashtë kopsa nga gjuri e poshtë, deri te këpucët e reja prej meshini me filiqka e tokëz. Nuk mungonte as orkestra. Aty në shesh oshëtiu edhe klarineta e gajdja. Rrethi i valltarëve u bë aq i madh, sa në krahun tjetër të shikuesve mbetën fare pak vetë, vetëm ata më pleqtë. Mesoburrat si Toli kapedani, xha Fotoja, Dhimoja, Piloja dhe xha Jorgji e ndonje plakë si Zora, Kati ,Qeraca e Sofa mbetën jashtë. Nesti, fituesi i trofeut të garës së vitit të kaluar, buzëqeshte dhe ndihej ende krenar për fitoren, ashtu si Mihallaqi po ndihej në ato momente. Po e përjetonte atë ndjesi edhe njëherë. Atë ditë kish trokitur zemra e tij dy herë fort, si për fitimin e kurorës, edhe për atë vajzë që i buzëqeshi e i dha shenjë se e dëshironte. Ajo vajzë sot kish fituar garën e femrave në tjerrje. Ishte Janulla. Kish kaluar një vit që Nesti e admironte, por vetëm dy herë ishte takuar me të vetëm për vetëm. Ende nuk i kishin shprehur ndjenjat njëri-tjetrit, pavarësisht nga fakti se të dy e kuptonin që mes tyre dashuria ekzistonte. Nguronte Nesti, po ashtu nguronte edhe Janulla. E ndërsa ishte duke shijuar me emocione rezultatin e garës, Janulla qëndronte për karshi tendës së familjes së saj, më e bukur se kurrë. Nesti nuk mund ta hiqte shikimin prej andej dhe si shkëmbim po merrte buzëqeshjet e saj të ëmbla. Ai i përgjigjej po me buzëqeshje dhe e përshendeste me kokë. Në gjithë atë hare, turma nuk i vinte re shenjat e tyre. Ato humbisnin në gjithë atë zallamahi. Nestit i kishte ardhur thirrja për ushtar. Ia kishin gjetur adresën. Se shumë të tjerë i kishin shpëtuar ushtrisë duke ngritur më lart moshën ose duke mos u regjistruar fare në regjistrat e gjendjes civile dhe forma të tjera. Nesti kishte sytë e zinj që i shkrepëtinin, vinte rrumbullak, faqekuq me nofulla të gjera e mustaqe spicë të holla, dorë të madhe dhe llërrët gjithë lesh, sikur perëndia ta kishte ngjyer në burrëri. Deshinjtë vërtiteshin nëpër hej për tu pjekur , kurse fëmijët harbonin në lozhurr. Lozhurri ishte një rrodhan fare i thjeshtë, i përbërë nga një dru me majë i ngulur mirë në tokë e një tjetër mbi të horizontal, rreth pesë metra i gjatë. Në qendër të tij ishte hapur një e thelluar e lëmpitur mirë dhe e lyer me gjalpë e thëngjill druri, që të humbte fërkimin me hurin e ngulur në tokë, i cili i vendosej sipër mbi majuckën e tij. Në të dyja anët e drurit hipnin

6


fëmijët dhe rrotulloheshin për shtatë palë qejfe. Por në më të shumtat e rasteve fëmijët lidheshin në njërin krah të lozhurit e në krahun tjetër një i rritur i sillte vërdallë duke i kënaqur të gjithë. Për çudi, kur druri vështirësohej në të rrotulluar, kuptohej fare lehtë se ndryshonte edhe atë zhurmë shumë të këndshme që krijonte. Kur gjalpi ishte i mjaftushëm të gjithë pa përjashtim e dëshironin atë zhurmë. Lojë tjetër e preferuar për fëmijët, ishte edhe kurkulitu (shilarës) që ishte improvizuar aty në mes të sheshit, me dru ahu në formë trekëndëshi. Fëmijët nuk luanin vetëm në këto ditë festash, aty pothuaj përditë do të gjeje fëmijë duke luajtur, jo vetëm me lozhurr ose kurkulit, por do të luanin edhe me kuaj të bërë me purteka lajthie, duke i ngarkuar me dru dhe duke i hipur njëherë njëri e një herë tjetri. E bija e Thanasit dhe e Frosës, Janulla sapo kish mbushur të shtatëmbëdhjetat. Familja e tyre nga gjendja ekonomike ishte me hararët gjysmë të mbushur, as në majë dhe as në bisht.. Janulla ishte fëmija i parë, pas saj vinin dy motra më të vogla, pasi Thanasit dhe Frosës i kishin vdekur dy fëmijë pas lindjes së Janullës. Aleksandra, e dyta, ishte dhjetë vjet pas saj, dy vjet më e vogël vinte Lica dhe së fundi vëllai më i vogёl, i përkëdheluri i familjes, Mitika. Janullës sonë, nuk ishte vetëm Nesti që po i vardisej dhe e donte, por kishte dhe shumë të tjerë. Pikërisht njëri syresh, që ia kish vënë syrin dhe e dëshironte, ishte Loni. Loni hararë mbushur, rridhte nga një familje e pasur, le të themi një nga më të pasurat e stanit të rëmënëve aty në Lenie. I biri i Qeracës dhe i Dhimos. Loni ishte i vetmi në stan që nuk zinte punë me dorë dhe rrinte gjithmonë i veshur me rroba të reja. Ai bënte komandë vetëm te argatët e tij. Dilte shpesh në qytet dhe kur vinte, mbante gjithë si një gjel që fryn pëndët fjalime me orë të tëra, duke i sqaruar rëmënët për çka ai shihte e dëgjonte andej. Edhe Loni ashtu si Nesti ,me Janullën shkëmbente buzëqeshje. Kish avancuar më shumë se Nesti në këtë drejtim. Janulla nuk i kishte premtuar asgjë, megjithëse e takonte shpesh dhe nuk ia kthente asnjëherë fjalën. Zakoni aty në mal ishte i rreptë dhe njerëzit, si i thonë fjalës, ishin me cipë. Rrallë dëgjoje ndonjë rast ku një vajzë të turpëronte prindin apo edhe një djalë që mos e dëgjonte të atin. Loni i bëri me shenjë Janullës dhe u tërhoq drejt përroit ku gurgullonte uji i turbullt i lumit që ende nuk ishte qetësuar nga rrebeshi i ditëve të shkuara. Jonulla, me marifet të madh, i humbi nga sytë Nestit , i cili nuk po i shqitej në këtë ditë feste. Përmes tendave e më pas në krahun e djathtë ku lodronin fëmijët , u ul drejtim përroit në gjurmë të Lonit. Loni i doli papritur nga një kup ahu dhe asaj sa s‟i pushoi zemra. -Më trembe, pёr pak sa nuk vdiqa nga frika. Përse më deshe që ma bëre me shenjë ? - Ashtu kot, thashë ta provoj, nëse do vije apo jo. Janulla u bë flakë në fytyrë. Ishte hera e parë që ajo i shkonte pas një djali. Loni si për ta qetësuar, i preku pak gërshetin e gjatë duke i folur përsëri: -Janulla, ne po e zgjasim shumë këtë muhabet. Unë nuk jam si barinjtë e tjerë këtu në stan, unë jam i dalё i gjezdisur, kam gjithë atë pasuri, s‟jam bari, por pronar delesh, me argatë, mall e katandi. Kam qëllime të sinqerta, nuk tallem, kam plane të tjera në mendje. Nuk do rrimë në mal për gjithë jetën. Po fryn erë e re kohët e fundit dhe të gjitha kanë për të ndryshuar në malet tona. Janulla, e përkëdhelur në sedër për ato që po dëgjonte, nuk dinte çfarë t‟i thoshte e sa s‟fluturonte nga gëzimi.Vetëm një fjalë shqiptoi dhe u pendua më pas që e tha. - Mua më duket sikur të gjithë që më shohin kur kaloj rrugës, flasin për mua. -E çfarë thonë sipas teje? –pyeti Loni shpejt e shpejt. - Nuk e di.

7


- Eshtë stan i vogël moj zemër e ty të duket sikur flasin vetëm për ty. Për të gjithë ne flasin, nuk kanë ç‟bëjnë. Sot flasin për ty, nesër për mua e kështu me rradhë, nuk mund të rijë pa folur kursesi Dhoksi qorrja - Janulla nuk e kishte fjalën vetëm aty, ajo kërkonte të thoshte se e folura ishte për të dhe lidhjen e saj të fshehtë. Për asgjë nuk ishte e sigurt, një gjë të tillë nuk mund ta thoshte. “Fshati që dukej nuk desh kallauz”. Iu kujtua kjo shprehje pikërisht në këto momente, që në asnjë mënyrë ajo nuk do e dëshironte. Ajo, edhe ardhjen e saj këtu në përrua, kurrën e kurrës nuk do e donte, por ja që erdhi. “Të shpie zemra ku nuk e mendon”, kish dëgjuar Janulla aty në lëndinë, kur të shtunave mblidheshin gjithë gratë me furka, qëndisma për pajë dhe çorape në duar duke biseduar për hallet dhe vajzat e reja që ishin në prag të martesës. Për herë të parë, Janulla po rrinte kaq pranë një mashkulli e për të zemra i kish trokitur disa herë. Nga kjo afërsi, Loni levendi, si e thërrisnin me nofkë aty në mal ( sigurisht me ironi), veç për punë nuk ia thosh e s‟mund të quhej levend kursesi. Levend mund t‟i thoje një njeriu që e gjeje nga mëngjesi deri në darkë vonë në punë, si puna e Mihallaqit, të cilin nuk e shihje një ditë pushim. E, se e kishim fjalën te levendi ynë, duke përfituar nga kjo afërsi me Janullën, i jep një të puthur në vetull. Për këto lloj punësh mbase ishte levend Loni. Kishte përvojë nga qyteti. Më shumë në qytet rrinte se sa në mal. E puthura në vetull aty në mal tregonte se ai që të puthte, të kërkonte e të dëshironte për jetë. Puthja në buzë nuk ish gjë përpara kësaj puthjeje. Janulla nuk e priste këtë gjë dhe u drodh e tëra, por Loni nuk e la të dridhej me tej, e pushtoi me krahët e tij të fuqishëm dhe më pas e puthi edhe në buzë. E si për të kurorëzuar këtë ngjarje bërtiti, por jo shumë fort: -Do t‟i vras të gjithë ata që do më ngatërrohen nëpër këmbë në jetën time. Janulla menjëherë e çoi mendjen te Nesti, i cili si puna e Lonit kishte kohë që po i vardisej dhe që e përkëdhelte me shikime e buzëqeshje. “ Patjetër që e ka fjalën për Nestin, ku mund të na ketë parë vallë ne të dy Loni. Unë asnjëherë nuk jam zbuluar që të kuptojnë të tjerët. Mos vallë sot aty në festë më ka parë kur i hidhja shikime Nestit?! Nuk është e mundur. Ai ia fut kot, kjo po që mund të jetë”. I hipën të dridhurat përsëri dhe u mundua të shkëputej nga krahët e tij. Tridhjetepesë familje ishin në stan dhe do të ishte e vështirë ta fshihje diçka të tillë. Duke parë që Loni nuk po e linte që të largohej, Janulla nxorri një psherëtimë si piskamë ketri. - Si the ? – pyeti Loni. - Kam frikë. - Dëgjo Janulla! Unë nuk jam si Zoi. Atij me nder zmenët (brekët) i kanë ngelur. Më shumë se unë nuk ka njeri mall dhe gjë të gjallë, por do i kthej në flori të gjitha, se së shpejti do na i marrin. Kam dëgjuar se flitet e pëshpëritet për një gjë të tillë e nuk do të pres unë që të më vjelin komunistat. Pastaj do të shkojmë në qytet dhe do të rrojmë si pashallarë. - Do shesësh bagëtitë? – e çuditur Janulla e ndërpreu me këtë pyetje që sigurisht Lonit i tingëlloi tepër naive . “ Nuk ka faj vajza e gjorë”, mendoi Loni. - Të gjitha. Dhe prindërit do i marr aty në Korçë ku do të vendosemi. - Po iki se u bëra vonë. – Janullën nuk po e mbante vendi. - Nuk më the se kur do tё takohemi prapë?- nxitoi Loni t‟i rrëmbejë një përgjigje. Por Janulla fluturoi pa i lënë as edhe një premtim. Rrugës ajo po këndonte, në kulmin e haresë dhe lumturisë, një këngë që e kish mësuar aty në lëndinë nga gratë që punonin me shtiza ose në çikrik.

8


Ollë dumuxë kurbane Njis aram a dishtëptatë Napërti ako pi xjanë Acell xhoni mjar bëshatë Njis u saram fërëdialltë Ci u skëftam mini pi xjanë Ma durnjam ako to umbrë! Sh’buxëli tora njard pirë? Buxëli sh’qeptu ruzvit Njis aram a dishtëptatë Njis u s’aram fërëdialltë Sh’nu vroj vër ta s’mi zhdëtaptë. Shqip Tu bëfsha kurban o zot Në ëndërr isha apo zgjuar? Aty lart në atë sop Trimi më ka puthur mua?. Në ëndërr do kem qenë patjetër Në atë sop unë s‟kisha punë Në hije mbase duke fjetur! Por buzët janë duke u djegur. Buzët dhe gjoksi shkalafitur Në ëndërr, apo isha zgjuar Në ëndërr do kem qenë patjetër Dhe njeri të më zgjojë, nuk dua..

***** Tej në pyll kundërmonte era e mishit të pjekur në hell. Festa ishte në kulmin e saj. Toli rëmbeu pulltarën (shpatullën) nga tepsia e mishit dhe ia zgjati Xha Fotos. -Xhaxha ja ku e ke shpatullën. Pasi ta hash mishin hidhi pak një sy, se patjetër që diçka do të ketë sivjet. Kohë të vështira na presin. -Kam një jetë more djem dhe nuk më ka gënjyer një e shkretë. Ne rëmënët nuk kemi pasur nevojë që dikush të na mësonte se si do të ngjiste në të ardhmen. Ne këtë gjë na i kanë sqaruar vetë bagëtia dhe bimët. Nuk e keni vënë re sivjet sa të ngarkuara ishin lajthitë dhe goricat. E pra, do kemi dimër të madh dhe të ftohtë. Bimët si dhe bagëtitë e ndjejnë dhe marin masa. Ia u ka dhënë zoti këtë veti.Përshëmbull lajthia, prodhon shumë kokrra një vit më parë që sa do i gjatë të jetë dimri prapëseprapë ajo të mbijetojë me kokrrat e saj që lëshon përdhe. Dimri kurrë nuk i eliminon të gjitha. Kemi zotin në mes për gjithçka. Si i thonë asaj fjale që : “Arra e ruan farën”

9


-Po këtë gjë Xha Foto nuk e dinë të gjithë. Nuk di kushdo që të lexojë shpatullën. -Shpatulla more djem do pak vjetërsi. Ajo lexohet fare thjesht po qe se përvit e shikon me vëmendje. Do dhe pak talent që të bësh krahasimin nga viti në vit, do durim të madh shpatulla more djem. Jeta more djem është e gjatë dhe shumë e vështirë. Pa daleni se kam për ta vëzhguar me kujdes. Ja këtu është një njollë e zezë që kurrë më parë nuk më kishte bërë vaki. Prit, këtu rreth e rreth kemi rrugë. Ne një jetë në rrugë jemi, por kjo nuk më pëlqen. Kjo rrugë më duket pa krye. Nuk kam se ç‟tju them më more djema, kaq di plaku i gjorë. – Të gjithë ngelën të habitur. Sidomos Toli që e dinte fare mire se si do rridhnin ngjarjet. Poeti i stanit Xhimo, duke ngritur dolli për Xha Foton dhe duke iu drejtuar Dhaskalit, i sajoi disa vargje. “Tomna sh’përmvjara, përkali Ku kërvënjli, noj shi nali Sh’kënd z’dëkërka t’u kunaqi T’i apë u s’nixja diparti Feti i m’a m’vesti nali Ku vurjelili kërkati Olili plini turmënë Sh’ku sëdori t’u surati.” Shqip “Vjeshtë dhe verë rrugëtim Karvanarë , të reja, të rinj Kur ndalonin, ngrinin konak Vajzat për ujë shkonin larg Vajza dhe nuse të reja Ngarkuar plot me bucela Me sopllake plot ndër duar Dhe në ballë djersa pikuar.” Dhaskali nxirte bllokun e shënimit dhe i shkruante vjershat e poetit. Xhimo dinte tri gjuhë, dy me të shkruar të cilat ishin: greqishtja, shqipja dhe rëmëneshten ,me të cilën ai recitonte gjith krijimtarinë e poetit. E kish gjuhën e mëmës. Nuk përjashtohej ndonjë rast kur ai shkruante dhe shqip, për arsyen e thjeshtë se ndodhej vetëm dhe kishte frikë se mos i humbiste ajo që krijonte. **** Loni hyri në shtëpi në mbrëmje vonë. Qeni i Thomait si gjithmonë e priti me të lehura, sepse ai gjithmonë e godiste sa herë kalonte. Qeni nuk harron kurrë. Nuk ishte qen stani, vinte i imët si një finkë; i kuq me ca pulla të bardha mbi kurriz dhe gjithë potere, thua se ai ishte i vetmi në stan tё cilit nuk i trembej syri. “Leh nga frika langoja” thonin të gjithë dhe për çudi asnjë nga qentë e stanit nuk i kthente përgjigje. Dihej se një e lehur qeni, natën aty në mal, do të thotё se ujku ishte afër dhe të gjithë qentë e tjerë do ta pasonin lehjen si thirrje për të zotët e tyre që t‟i lëshonin nga zinxhiri për të ndjekur ujkun. Qentë e stanit ishin si gomerë nga boja, të urtë dhe të zgjuar në ndjekjen e bishës.

10


“Vetëm për të trembur është ky qen, do ta vras fare ndonjë ditë malukatin. Përse i duhet malit ky qen fushe, ky langua qaraman. Qeni i Pilos ishte qen me nam, dy ujqër çau pa ngordhi. Po nuk kishte ç‟të bënte i ziu se iu sulën një lukuni ujqish. Atë natë Piloja e harroi zgidhur e kur afër stanit u afrua lukunia e ujqërve dhe të lehurat e qenëve oshëtinin në pyll si kushtrim, Gudoja që ishte zgjidhur i ndoqi thellë në pyll. Të nesërmen gjetën gjurrmët e tij deri në thellësi të pyllit dhe dy ujqër të ngordhur. Dalloheshin dhëmbët e tij në grykat e ujqërve, gjetën edhe qaforen e metalit që mbante në qafë. Nuk kishte qen në stan pa qafore të tillë. Qaforet ishin në dy rreshta dhe të mprehura si thika me majucka. Për ujqërit tregohej një histori sa e çuditshme dhe aq domethënëse. Njëzet barinj aty në stan, në kohën e drekës, ishin duke ngrënë përsheshin e qumështit. Në vathë hyri ujku. Qentë nuk e kishin pikasur, kurse barinjtë po e shihnin të gjithë ngjarjen dhe asnjëri prej tyre nuk bëri zë që t‟i ndërsente qentë, pasi të njëzet barinjtë po hanin tё gjithё me një lugë dhe gojën e kishin të zënë me përsheshin e qumështit. Kjo histori tregohej sa herë që rëmënët mburreshin për punën e tyre dhe për shpejtësinë që ata kishin në ngrënien e ushqimit, pasi gjëja e gjallë nuk priste që të haje me ngadalë. Të riturit ia tregonin si përrallë ndonjë të riu që fillonte e mbllaçitej ngadalë. E tillё ishte puna, kёrkonte shpejtësi. Ujku e rrëmbeu delen dhe barinjtë nga shpejtësia e madhe në të ngrënë, këtë rradhë u shkoi për ters, pasi nuk rastisi asnjëri me gojën bosh që të mund tё ndillte qenjtë, megjithëse po hanin me një lugë të njëzetë. Njëzetë barinj, duket sikur ёshtё numёr tepër i ekzagjeruar, por kishte edhe persona që tregonin se ishin dyzet barinj. ” Loni hyri në dhomën e tij, u shtri në krevat dhe kandilin e la ndezur. Po vështronte lart këllënxhukun.(kulmin). Shtëpia e Lonit dhe e disa rëmënëve të tjerë ishin të ndërtuara me këllënxhuk , shqip me kulm, me ndarje të dhomave dhe me gjerësi sa për të nxënë gjithë katandinë dhe frymёt e shtëpisë. Në shtëpi tё tilla, sajoheshin edhe oxhaqe për zjarr,kuzhina e patot që mbanin shakujt e djathit. Në çdo dhomë do të gjeje të varura nëpër kostat e ahut ndonjë kusi të re ose ndonjë krabë të re, ndonjë furkë, çikrik, apo vegël avëlmëndi e papërdorur ende, lugë druri të qëndisura, tespie dhe këndeska për shishe rakie. Bucelat zinin vendin e parë nga orenditë e shtëpisë, të qëndisura me lloj lloj pёrmasash, si ato që mbanin më shumë se njëzet litra ujë, tё cilat quheshin vurjela, deri tek ato më të voglat që mund të mbanin gjysëm litri. Varur në mur,vula e liturgjisë me iniciale greqisht, tё cilave vetëm Xhimo mund t‟u jepte shpjegim. Pasi soditi nga dritarja e drunjtë për një kohë të gjatë qiellin, Loni u shtri në krevatin e tij si një perandor. Po, po ai edhe krevatin e kishte me sustë dhe nuk flinte në krevat druri mbushur me fier. Disa pleq e qortonin shpesh po dhe i ati i fliste vazhdimisht se ai krevat nuk ishte i përshtatshëm për të fjetur, se rrezikonte të shtrembëronte shtyllёn kurrizore. Por ai ngushëllohej me mendimin se ata e kishin zili, pёr vetё faktin se vetëm ai në stan kishte krevat të tillë dhe salltaneti i tij, nga të tjerët merrej për zili. Të flije në krevat druri mbuluar me një pëllëmbë fier sipër dhe dy çorga mbi të, të zinte gjumi menjëherë dhe ishe kaluar perandorit. Dhe vërtet, ndërsa po bluante në mendje punën e krevatit nuk po e zinte gjumi. U përpëlit disa herë sa në një krah në tjetrin, sikur me gjithё mend t‟ia kish fajin krevati. Pastaj u ngrit dhe u mbështet te dritarja. Fajin nuk e kishte krevati, e kishte ajo ditë, që për të ishte një ditë e rrallë. Kishte puthur një vajzë, një vajzë të cilёn edhe vetë nuk i besohej se e kish puthur. Mos vallë ishte bërë shkak fitimi i garës prej saj në atë ditë feste dhe hareje. Edhe ajo garë kishte peshën e saj që e ndihmoi Lonin të vepronte. Filloi si gjithmonë të numërojë yjet. Kushedi sa herë e ëma, Qeraca e kishte porositur për një gjë të tillë, se i ndillte tersllëk, por ai si për inat të saj dhe të

11


kokëfortësisë së tij nuk desh që ta besonte këtë gjë dhe vazhdonte të numёronte pa pushim. Lonit kurrë nuk i pëlqente që t‟i jepnin këshilla dhe nuk dëgjonte asnjeri. Ndihej i lumtur dhe i fuqishëm si asnjëherë. Në mëngjes u çua vonë dhe të ëmës i foli ashpër. Kish vendosur që të shkonte njëherë te punëtorët e qymyrit. - Nënë- u çua rrëmbyer nga krevati - pse s‟më ngrite më herët moj nënë, nuk të thashë se do të shkoja te qymyrxhinjtë sot. - Nuk më the more djalë , kur erdhe mbrëmë unë po flija, nuk di gjë nëna e gjorë për qymyrxhinjtë. - Po samarët do t‟i ketë rregulluar Jorgji? - Nuk e di more bir. Të gjithë rëmënët pothuaj i rregullonin vetë samarёt. Si doktorët që mbajnё veglat e tyre të punës nё njё baule, ata mbanin veglat për rregullimin e samarit dhe të mbathjes së hajvanëve. Por nuk mund tё përjashtoheshin asnjёherё rastet e dembelizmit qё ekzistojnё kudo, ashtu si Loni apo ndonjë tjetёr që nuk kish kohë për t‟i rregulluar. Samarxhiu bënte edhe punën e nallbatit. Jorgji e bënte për bukuri këtë punë. I biri, Raqi kulloste një tufë me dhi, tё cilat ishin nё pronёsi të Lonit. Ishin një familje me nam jo të mirë aty në mal. Edhe dora u trazonte. Pasuria e tyre ishte vetëm kompleti i veglave të samarit dhe e nallbatit. Një kokër dhie nuk kishin , dele jo e jo. “- Kënd li përcëm ahëtënt n’i këxu”,thonë rëmënët.- Kur i ndamë kaq na ranë.- shqip. Edhe plaka Panajë që i kishte kaluar të shtatëdhjetat, tmerr u kish kallur të gjithëve në dorë dhe në llafe. Si fallxhore qё ishte, të hiqte kokërdhokun të hiqte. Poeti rëmën Xhimo jau kishte ngritur këngën, që në atë kohë e këndonin të gjithë në stan. Do të rendis disa nga vargjet e poezisë satirike, se poezia ishte shumë e gjatë. “Jorgji Samara mik Të birin kish me dhit‟ Bashkë me të kushërit‟ Me sëpatë thernin dhit‟ Jorgji Samara lugatë Hante mish natë për natë O Raqi të paça uratë Nesër mbrëma sillna prapë Veç të jetë më e majmë Kështu thanë edhe gratë. Nëna sot punoi mjaftë S‟mund të hajë dhallë thartë Se ajo e pret në barkë. Hani mish e mos u ndjeni Dhe askujt mos i rrëfeni Thotë Raqi gojë ndyrë Jorgji shtrig e zemërgurrë Bën samarë me lëkurë. Fëmijët, sa shikonin ndonjë pjestar të familjes së Jorgjit, fillonin dhe e këndonin këngën deri në fund. Në stan nuk kish njeri që poezitë e Xhimos të mos i dinte përmendësh të

12


gjitha. Raqi, bashkë me kushërinjtë Nashon dhe Pilon, i çonin dhitë shumë larg në kullotë që të humbnin gjurrmët e këtij avazi. U ngulnin thikën në zverk dhe kërciste helli gjithë ditën. Pastaj dihej, një nishan nga lëkura e dhisë dhe dhia justifikohej si e ngrënë nga ujku ose sikur kishte rënë nga shkëmbi në greminë. Pasi hanin sa s‟u mbante barku, një pjesë e çonin në shtëpi dhe një pjesë e varnin majë aheve të lartë, që kushedi sa herë bëhej pre e galave dhe skifterëve. Njëherë Jorgji e pati pisk me disa fshatarë që erdhën me pushkë krahut. Si dukej ata kishin rënë në gjurmë të hajdutit por edhe këtë radhë si mjeshtër i fshehjes ia kish hedhur për bukuri. Fëmijët vrapuan për të dhënë sihariqin se po vinin fshatarët me armë ngjeshur. Viçi i vjedhur dhe i therur qëndronte në mes të kasolles. Sa morën lajmin se po vinin të zotët e viçit Jorgji mblodhi disa gra me shpejtësi dhe i vuri të qanin përmbi viçin e mbuluar me çorga. Reth e rrotull ndezi qirinjtë dhe pasi kontrolluan gjithë stanin të zotët e viçit shkuan dhe te kasollja e fundit e Jorgjit, këtë radhë jo për kontroll por për të pirë kafenë e ngushëllimit. I ngjashëm me këtë rast ishte dhe një ngjarje e vjetër që qarkullonte shpesh në male. Beut të fshatit i vdiq gruaja dhe nga që ishte i lig dhe nuk gëzonte respekt në fshat asnjeri nuk i shkoi për ngushëllim. Nuk kishte dhe njeri që ta qante gruan e tij. U kujtua të pajtojë disa rëmënë duke i paguar që të sillnin gratë e tyre të qanin gruan e tij. Por dhe rëmënët e dinin fare mirë se ç‟surat ishte beu. Gratë shkuan dhe e forta se më të shumtat nuk dinin asnjë fjalë shqip, vendosën që ta qajnë në gjuhën e tyre. Beu pak i nervozuar nga kjo histori pranoi. -Qani si të doni njëlloj është, më mirë se pa qarë fare do të jetë.- Gratë ia nisën kujen: Ci arëmasi, sno rëmënë Sh’i domnu allantë stëmënë Kë e këni di këcau Di nës së skapë dynjau. Shqip: Kush ngeli mos ngeltë Edhe beu javës tjetër Se është qen e bir qeni Të shpëtojë gjithë mileti. Por një histori të trishtë dhe njëkohësisht interesante, e cila shpaloste disa vlera të rëmënëve, e tregonte Gjyshi i Tolit kur ai ishte ende i vogël. Ndonёse i vogёl ai i kuptonte dhe me kalimin e kohës u bënte një analizë të mirë, e cila patjetёr ndikonte nё qëndrimet qё ai mbante ndaj veseve të tilla, siç ishte vjedhja. Këtë radhë ishin ata që e kishin zanat vjedhjen. Ja tregimi i tij: “Na erdhën një vit aty në stan një grup myslimanësh nga një fshat afër stanit. Atë kohë isha i ri dhe nuk kisha vrimë në vesh. Qëllimi i tyre ishte që të vidhnin një tufë shqerash. Ajo tufë mbahej larg deleve që mos dëgjonin blegërimën e njëra-tjetrës, ashtu si delet e shqerat e porsa ndara nga gjiri. Ata kujtuan se aty nuk do kishte njeri. Por u gabuan rëndë dhe për këtë lanë dy vetё të vdekur pas pёrleshjes që bëra unë me ta. Kisha një dyfek me tytë të gjatë dhe të rëndë që nuk gabonte kurrë. Unë qëllova, pasi gjysma e tufës kishte dalë jashtë shtrungës. Edhe hajdutët qëlluan, por unë isha fshehur mirë dhe gjuaja prej aty herë pas here. Së fundi, kur pashë që ata ishin dorëzuar dhe kërkonin të merrnin të vrarët, u thirra nga llogorja ku rrija.

13


- Në besë jeni bre burra, kthehuni dhe merrini njerëzit tuaj, nuk qëlloj më.- Ata u kthyen dhe i morën dy të vrarët. Por historia nuk mbaron këtu more bir. Pasi kaluan disa muaj, aty pranë stanit, erdhën dy fshatarë të reckosur dhe kërkonin lëmoshë. Unë, me pushkën në krah, ju dola përpara. Ata ishin të afërm të atyre dy të vrarëve, e po luanin me ne, pasi i kishin marë të gjitha të dhënat pёr ndodhinё e asaj nate e ishin nё dijeni tё personit qё i kish vrarё. Luanin rolin e lypsarëve kur u takuan me mua e kishin studiuar çdo gjё. Kishin vendosur të më vrisnin, por jo aty në mes të stanit, se prej aty nuk mund të shpëtonin të gjallë pas veprimit. Më pyetën se ku ndodhej burimi. Unë u ofrova t‟i udhёzoja dhe ata filluan të ecnin bri meje. Para se t‟i afroheshim pyllit të dendur, u thashë që të kalonin përpara. - Kalo ti përpara – më thanë. Nuk u binda. Gjatë kësaj kohe, pushkën e kisha hequr nga krahu dhe e mbaja në dorë. Ecën para meje deri te burimi dhe në momentin që unë do largohesha, më ndaluan. - Prit ore çoban, se nuk ёshtё e mundur të të vrasim zotrote. Paske qënë trim me gjithë mend. - Po pse, për të lypur keni ardhur këtyre anëve apo për të vrarë?- i pyes. - Për të të vrarë ty ishim nisur, po tani ndërruam mendje. Ne e kemi zakon që po nuk e ha dot me tjetrin, bёje mik e shok. Nuk e dimё, po pas asaj që bëmë rradhën e parë dhe pas kësaj që kërkonim të bënim sot, a do ta pranoje more çoban miqësinë tonë? - Ende jeni në besën e malit dhe times, por, po qe se kërkoni me ndershmëri e sinqeritet miqësinë time atë e keni. Unë ende, pushkën e mbaja përpara në duar. Kurse ata i nxorrën koburet nga poshtë petkave që kishin veshur e morën drejtim stanit. Atë ditë poqëm një shqerë që mund të ishte rreth pesëmbëdhjetë kile. Pimë deri vonë dhe i përcollëm miqtë e rinj deri në fshat. Prandaj vjedhja more bir nuk duhet të dëgjohet këtyre anëve, ku secili punon për hesap të vet.” Gjyshi i Tolit, herë pas here tregonte nga një histori që e kënaqte Tolin nё atë kohё. Por tani që ai nuk ish më , Toli i kujtonte shpesh dhe mësonte prej tyre. E veçantë ishte dhe ajo historia e gjyshes së gjyshit të Tolit. Ishte e rrallë dhe Toli mburej gjithandej me të. E tregonte shpesh dhe të gjithë që e dëgjonin habiteshin me ngjarjen që përcillte aq emocion. Gjyshja e gjyshit të Tolit mbante në brez dy kobure. Që kur i vdiq burri ajo ishte më shumë se një burrë dhe të gjithë e respektonin dhe e vlerësonin për mençurinë e saj dhe trimërinë. Ajo kishte tre djem dhe pikërisht vrasja e më të voglit Sotës nëntëmbëdhjetë vjeçar përbënte në thelb ngjarjen që gjyshi i Tolit tregonte shpesh. Ishte verë dhe aty në mal duke kullotur delet dy të rinjtë u grindën me njëri tjetrin. Edhe Leonidha protagonist i ngjarjes ishte djalë i ri. Disa dele të Sotës u ngatërruan me delet e Leonidhës. Ishte dashi ai që e solli këtë grindje pasi ndiqte delet për t‟i ndërzyer. Ishte koha e ndërzimit dhe megjithëse delet ishin në mërzim, pesë kokë bashkë me dashin shkuan në tufën e Leonidhës. Leonidha e ofendoi Sotën menjëherë dhe ata të dy u kacafytën njëri me tjetrin. Kërciti grushti dhe pulanu (stapi ). Të dy i shëmtuan turinjtë dhe asnjëri nuk dorëzohej të ndalonte. Aty kaloi një i moshuar që i ndau. Por sheri nuk ishte mbyllur ende. Në mëndjet e dy të rinjve hakmarja dhe inati nuk shuhej. Si Sota dhe Leonidha mbanin me vete koburet dhe kishin vendosur që në rastin më të parë t‟ia drejtonin tjetrit. Nuk shkoi më shumë se dy javë dhe Leonidha ndërsa Sota ishte duke u freskuar te një burim aty në përrua, ai e qëllon . Plumbi i depërtoi direkt e në zemër.U derdh gjaku lumë dhe Leonidha i frikësuar largohet duke lënë dhe delet në mëshirë të

14


fatit. Një muaj nuk ia mësoi adresën kush. Në shtëpinë e gjyshes së gjyshit të Tolit ra zia. Dy vëllezërit e Sotës pas varrimit, dy ditë resht lyen me bojë të zezë gjithë tufën e deleve. Reth njëmijëepesëqind kokë. Zakoni e desh, që kur vritej një i ri në moshë, zi duhet të mbanin dhe bagëtia. Djemtë dyzet ditë me shirit të zi në krah. Maria quhej nëna e Sotës. Atë vit veronim në zonën e Mokrës. Gjyshe Maria e varosi djalin me të gjitha sa përmbante një ceremoni e tillë dhe para se t‟a kallnin në dhe ajo lëshoi një përbetim. Ja se si ajo e renditi këtë përbetim: “Para se të kallet në dhe dhëndri im i vogël, djali im i zemrës, dua o njerrëz fajtorin; që për mua është gishti tregues. Ai gisht që shkrepi mbi trupin e njomë të tij, të ma sillni këtu dhe djali të shohë punën e tij. Atij nuk i ve faj, se edhe im bir, kohët e fundit para se të ndodhte gjëma, mbante dhe ai kobure. Sot mund të ishte ai në vendin e tij. Por fati bën të tijin. Faj për këtë gjëmë ka mosha e tyre e re. Unë, dua e theksoj dhe njëherë, gishtin që qëlloi djalin tim”. Kjo histori bëri bujë në male në atë kohë. Të gjithë diskutonin rreth ngjarjes dhe fjalët e plakës në ceremoninë e varrimit i komentonin sipas qejfit. Disa thonin se ajo në njëfarë mënyre kishte të drejtë kurse të tjerë se e kishte shumë gabim që nuk kërkonte të merte hak për të birin. Këta të fundit dyshonin se plaka nuk ishte aq e fortë sa ishte treguar duke mbajtur dhe dy kobure në brez. “E përse i duheshin tanimë asaj dy koburet kur gjakësorin e kishte falur. Po ç‟ishte ajo kërkesa e saj kaq e pakuptimtë që bëri aty te varri duke kërkuar gishtin që shtiu mbi të birin. Vërtet ashtu ndodhi. Pa i ndarë gjashtë muajt e Sotës në shtëpinë e Maries erdhi gishti tregues i Leonidhës. Gishtin e solli vetë i zoti, dora vetë Leonidha. Ajo me lot në sy e puthi në ballë dhe gishtin e mbante fort në duar. Në ditën e ndarjes së gjashtë muajve të të birit ajo urrdhëroi; të porositnin një arkivol të vogël dhe të hapej një gropë pranë varrit të Sotës. Ishte diçka që nuk kish ndodhur deri në atë kohë jo vetëm në male por askund nuk ish dëgjuar një gjë e tillë. I futur në arkivol, gishti i Leonidhës do të varrosej pranë varrit të djalit të saj. Në ceremoninë e varrimit dhe njëkohësisht në përkujtimin e gjashtëmujorit të Sotës do të mernin pjesë edhe të afërmit e Leonidhës. Varrimi dhe përkujtimi u kthye në një ceremoni vëllamërie. Të gjithë i dhanë dorën njëri tjetrit dhe uruan që mos kenë kurrë ngjarje të tilla. Kurse nënë Maria nxori nga brezi të dyja koburet dhe njëherësh duke shtënë me të dyja në ajër flet: “Dëgjoni miqtë e mi. Qoftë kjo ngjarje dita e fundit e hasmërive tona, unë nuk kam ç‟i dua koburet më në brez, se deri tani kujtoja që më duheshin, por jo, kur mu deshën nuk munda që t‟i shkreh. Prandaj, po i flak dhe ato, aty bashkë me gishtin e Leonidhës. Jo se jam grua, por ne jemi vëllezër dhe sa më pak varre të hapen, më mirë do të jenë malet tona”. Të gjithë pjesëmarësit ngelën të shtangur. Gjesti i saj, duke flakur koburet në varr, nuk besohej ende, megjithëse po e shihnin gjithë ngjarjen me sytë e tyre. Si ka mundësi që nënë Maria nga një burrneshë me dy kobure bëhet një grua e thjeshtë dhe frikacake. Por babai i Leonidhës nuk e lë me kaq. Ai, mori fjalën pas saj dhe pikërisht, nxori nga goja e tij, këtë vlerësim, që gjithkush do e kishte zili që t‟ia thoshte : “Nënë Maria me dy kobure ishte një zonjë e vërtetë e nderuar dhe trimëreshë. Tani që nuk ka kobure, ajo është dy herë burrë”. Tani le të hidhemi te Loni ynë që u ngrit si nga një ëndërr që skish mbarim. - Po të më kishe thënë more bir, nëna do të të kish zgjuar që herët. Po edhe po të të zgjonte nëna kaq herët, nuk do të shkoje ti jo, se je dembel zotrote. - Mirë moj nënë mirё, nxito tani se do më zërë nata rrugës.- e ëma Qeraca i mblodhi shpejt e shpejt një torbë leshi mbushur me djathë, bukë dhe një pulltari (shpatull) mish

15


shqere. Loni kapërdiu me shpejtësi qumështin me një gisht ajkë sipër, që ajo ia kish zjerë taze. Doli përjashta dhe pasi e zgidhi kalin, e kalishoi dhe bëri tutje nga kasollja e Jorgjit. Jorgji, sa dëgjoi këmbët e kalit me shpejtësi, doli nga kasollja. - Mirëmëngjes Afendiko - e përshëndet gjithё temena. Vetëm ai e thërriste nё kёtё mёnyrё në stan. Loni zbriti nga kali dhe i kthen përshëndetjen. - Mirëmëngjes xha Jorgji.- Plaku Jorgji me shpejtësi i solli dy samarët që kish rregulluar e stolisur për bukuri. - I ujdisa që dje të tutë. Një kemi të parë në stan zotrote, nuk janë të gjithë njëlloj, kupton.- Jorgji nuk po ndalonte së lajkatuari, po të mos e ndërpriste Loni. - Më thuaj sa të bën puna xha Jorgji? – Lonit pa dyshim që sedra i ishte përkëdhelur dhe nuk do t‟ia bënte dysh fjalën plakut. - Merre këtë monedhë - dhe i hodhi një monedhë gjysëm floriri sikur i hedh bukën një qeni. Plaku e kapi si një xhongler dhe duke e falenderuar njëmijë herë, përkulej deri në tokë. Mustaqet e kuqe, të gjata si kashta e thekrës që u vinte samarëve nën atë hundë tërë lesh si çomangë dhe vetullat e trasha e të thinjura që dukeshin si streha e çatisë së kasolles së tij, e bënin më qesharak se sa ish në të vërtetë. Lonit ju kujtua kënga e Xhimos për një moment dhe qeshi. Kurse Jorgji, duke e shtrёnguar monedhën në duar fort, nxitoi dhe i tha Lonit. - I ke shumë afendiko – një javë do të punonte Jorgji që të fitonte atë gjysëm floriri. - Merri dhe kidu (mbylle) - i tha Loni, pasi plaku kish ngarkuar samarёt. Xha Jorgji, pasi u largua Loni, nxorri gjysmën e napolonës, e puthi sikur të ishte një fëmijë dhe me shpejtësi e fshehu përsëri nën petkat e tij. Loni bëri tutje monopatit të malit. Deri te qymyrxhinjtë duheshin e pakta pesë orë rrugë. Edhe qymyrxhinjtë ishin në muajin e fundit të punës, pasi dhe ata bëheshin gati të shtegëtonin për në myzeqe bashkë me të tjerët. Bari nëpër sheshe dhe korije ende jeshilonte, sikur e kish ngritur kokën pas shirave të ditëve të fundit. Pas dy orëve rrugë Loni mendoi se kalit i duhej një çlodhje, po edhe vetë do e hante një kafshatë, se vetëm një gotë qumësht kish pirë në mëngjes. Kishte ndaluar në një lëndinë të madhe që të jepte përshtypjen sikur ishte luadh. Aty afër ishte dhe burimi. Në mal, kishte burime të tillë gjithandej. Barinjtë merakçinj i rregullonin me gjethe spinxhi e ata rridhnin gjith ëmbëlsi, me një zhurrmë që s‟kish njeri në botë mos e pëlqente. Në mes të lëndinës ishin dy gorrica të mëdha që beharit shërbenin për të mërzyer delet. Loni vuri re goricat plot e përplot me kokrra qё nuk ishin pjekur ende, por ai ia dinte marifetin asaj pune. Shkoi e kontrolloi nëpër bar, nën hijen e tyre dhe gjeti mbi dhjetë kokrra të nxirra, fica si i thonin goricave të tilla. Ishin të ëmbla mjaltë. Me goricat në duar, Loni u afrua te burimi e ndezi zjarrin me disa ashkla dhe boçe pishe. Bëri shpejt e shpejt një cupulikë (hell tё vogёl) me thikё e vuri në të mishin për ta ngrohur në zjarr. Hante dhe nuk ngopej me zhurmën e ujit që binte në pellg, me atë zhurmë karakteristike që nuk mund ta hasje kurkund. Hëngri dhe gorica fica. Pastaj u ngrit, u freskua dhe piu ujë te burimi. Ndihej i lumtur dhe këtë lumturi nuk e kish patur kurrë si atë ditë. Nga mendja nuk i shqitej gërrsheti i saj, sytë e saj dhe ajo e puthur që i dha aty te përroi. Ende nuk e besonte që e kish bërë një gjë të tillë. “Mos vallë ajo mendon vetëm për pasurinë time dhe nuk më do si e dua unë. Po ç‟them dhe unë, ku di ajo tani se ç‟është pasuria” Sa herë e shihte, zemra i rihte fort dhe kjo quhej dashuri, ia thosh zemra këtë. “Shejtanka, sikur të ishte dhe ajo e pasur nuk më dilte njeri përpara. Do shkoja ta kërkoja që sot”. “Në stan ka dhe vajza të tjera, si për shembull Ollga e Tolit. Edhe ajo qene është e mirë dhe ka gjithё atë pasuri, por vjen pak

16


si e shëndoshë dreqi. Kurse Janulla se ç‟ka ca naze që të çmend. Do nge kjo punë dhe patjetër që është me fat, duhet të të ndjekë edhe fati. Pastaj mua nuk më ka ikur mosha që të nxitohem. Këtë punë do e marr shtruar”. Me këto mendime në kokë Loni po bëhej gati të merrte përsëri rrugën, kur vuri re se në drejtim te tij po vinte një plak që tërhiqte për dore mushkën e vet. - Tungjatjeta - përshëndeti plaku. - Tungjatjeta xhaxha - përgjigjet Loni dhe vazhdoi - nga vjen dhe për ku shkon xhaxha? - Nga pazari more djalë. Nuk e di a jam në rrugë të mirë, jam nisur pёr te qymyrxhinjtë. Pazar, rëmënët i thonin qytetit të Korçës kur ndodheshin rreth rrethinave të saj. Qyteti për ta nuk shërbente për gjë tjetër,vetëm për të bërë pazar. Shisnin bulmetin, leshin, mishin dhe merrnin bukën , miellin, kripën, sheqerin, gozhdën, kallaisnin enët e bakrit, merrnin fanellatë për këmishët. E vetmja rrobё kjo si dhe kadifja që ata e blinin, se çdo gjё tjetër e kishin prej leshi, tё cilin e përgatisnin vetë . Që nga xhamadanët e leshtë dhe pantallonat e shajakut të bardha, të zeza e blu shumë të erët, që kryesisht i përdornin të rinjtë, malinat dhe jelekët e grave, deri te gunat, malotat (guna të vogla për të vegjlit), sazmat (byrdet e mushkave), tendat që i bënin me lesh dhie si gunat, të ngjeshura, ku s‟mund tё hynte as dhe një pikë shiu brenda. - Ndonjë të re nga pazari xhaxha – e pyet Loni. - Plot - përgjigjet plaku – plot. - Dhe pasi e vështron djalin me kureshtje e duke hedhur vështrimin herё pas here nga kali që kulloste në lëndinë me mëgojëza të hequra,vazhdoi: - Më dukesh i kamur zotrote, ke kalë me shalë. - Kalë me shalë kanë më shumë se gjysma e rëmënëve more xhaxha, çfarë thua. - E di more bir, por nuk do i kenë përgjithmonë. Shumë shpejt do afrohet ajo ditë kur do t‟ua marin kuajt e shalës. - Nuk po të kuptoj more xhaxha. - Kjo pёrgjigje nuk ishte as padituri, as kërshëri për Lonin. Ai kërkonte të zbërthente plakun komplet, deri ku e kish informimin. “Unë vërtet nuk do të kem kalë me shalë, se do të largohem në qytet por kjo s‟do të thotë që asnjë rëmën nuk do ketë kalë shale”. - Kiço Biçakun e qethën këtë javë që kaloi, - plaku ngjeshi duhanin në çibuk dhe nxorri masatin me një fije eshke të thatë. E ndezi me goditjen e parë dhe e vendosi eshkën e ndezur mbi duhanin e çibukut, pastaj e thithi me endje sikur po thithte mendimin për muhabetin që kish lënë përgjysëm. - E qethën - përsëriti plaku dhe thithi prapё çibukun, pasi vuri re se duhani ende nuk ish ndezur i gjithi. - E qethën! – shprehu habinë Loni. - Po more djalë, e qethën me dhen e me dhi dhe me katandi e flori. Po mirë ia bënë qenit, se ishte i pangopur. Kiçoja ishte i pari në Voskopojë qё kishte më shumë bagëti se të gjithë, pesëdhjetë argatë i kishte vetëm barinj. Dërstilje kishte dy, dyqane dhe tokë, tre raftë që qepnin shajakёt e ç‟të të them more bir. Ja morën të gjitha, naaa ja bënë. – plaku rrahu njërën dorë me tjetrën me forcë. - E njohim Kiçon xhaxha, po nuk mё the se ku ishte arsyeja? - Qeveria more bir, qeveria. Atë që të bën ajo s‟ta bën as perëndia, thoshin në kohën e Zogut. Po tani, qënka ç‟qënka kjo. Nuk të pyet fare kush je zotrote. - Po pse? – pyet përsëri Loni. - Kiçoja dhe disa të tjerë ishin bërë grup dhe bënin falsifikime me dekumentat e qeverisë. Kur bënin dorëzimet nëpёr istitucione, u jepnin nga një kupon ku shkruhej shifra e lekëve

17


që do të merrnin në bankë, sipas mallit që dorëzonin. Po këta qafira shiko çfarë bënin. Kuponat ishin në disa fletushka si prej allvaxhiu, shkruhej vetëm me shifra dhe zotërinjtë u shtonin nga një zero mbrapa dhe në vend që të merrnin përshëmbull dymijë lekë merrnin njëzetmijë. Ja, këtë bënin. Po fati i Kiços qё nuk e futën në burg si ata të tjerët, se pagoi kushedi sa napolona flori për gjykatësit e avokatët. Unë punoja bari në një nga tufat e tij dhe tani ngela pa punë, prandaj jam nisur për te qymyrxhinjtë që të nxjerr ndonjë lek pa u afruar dimri. Kështu e ka kjo botë more bir, nga i thati digjet dhe i njomi, i thonë fjalës. - Po pse nuk shkove pas bagëtive more xhaxha, aty nё shtet? Edhe aty do të kenë nevojë për barinj, se nuk kullosin vetë bagëtia. Pastaj qymyrxhinjtë dhe dy javë dhe ata zbresin poshtë. - Të them të drejtën, nuk ma mbajti të shkoja. Po mendja më vajti e dëgjova që edhe ata kërkuan barinj. - Eja se e kemi rrugën bashkë xhaxha. Do të tё marr unë në punë të bësh qymyr aty në mal, se jam nisur pёr aty, te punëtorët e mi. - Bëfsh hajër more bir, të kam gjetur si me porosi. - Ngrihu tani pa u vonuar se kemi dhe shumë rrugë për të bërë. – u duk sikur e urdhëroi Loni. Gatitën kalin dhe mushkën dhe u nisën pyllit. Për një copë rrugë plaku nuk foli fare. Loni priste që të fillonte përsëri, duke konstatuar se ai plak ishte me gjith mend llafazan. Dhe nuk kaloi shumë, plaku nisi muhabetin përsëri. Loni e dëgjonte veresie, sa për të shtyrë rrugën. - Ke dëgjuar për tërmetin që po afron për ne rëmënët? Kemi rrojtur gjithë jetën me djersën e ballit, në majë të shkëmbit dhe mbi dëllinjë, kemi ngritur shtëpinë në samar të mushkës, por asnjeriu nuk i kemi rënë më qafë. Tani, pse na bie në qafë ky qafir dhe nuk na le të jetojmë të lirë në hallet tona? Ne jemi racë e pastër. Kurrë nuk i kemi ndehur dorën njeriu, as kemi vjedhur, as kemi vrarë për t‟i rëmbyer gjënë tjetrit. Ne jemi të lirë si vetë malet ku jemi rritur dhe kemi jetuar gjithë jetën dhe qeveria tani kërkon të na vёrë tërmetin, duke na e marrë gjithё gjënë e gjallë e duke na mbledhur të gjithëve tok. Po si ka mundësi të jetojmë ne, të gjithë bashkë, nëpër kolkoze dhe kooperativa ashtu si flitet. Do kullosim delet bashkë në një stan ne dhe jevgjit?! Po bëhet bari jevgu? Ja dha qeveria tokën fshatarit pas çlirimit, po tani naa, ia mori prapë. E si do ta ngrysë fshatari tani me një rrip tokë që i la në kopshtin personal. Nga Rusia vinë të gjitha këto more bir. Po ç‟kemi tё bёjmё ne me Rusinë? Të tjerë njerëz ne, të tjerë njerëz ata. Do hamë me lugë prej floriri, na thosh ai rëmëni që doli partizan kur kaloi në stanin tonë. Ja mbushëm mushkën ding me djathë e mish. Kishte lezet ta dëgjoje kur fliste. Po tani, do doja ta kisha nga ndonjë anë pёrballё e t‟i thosha, ku ёshtё ajo lugë floriri, pёr tё cilёn na broçkolliti aq shumё. As me lugën e drunjtë që kemi s‟po na lёnë të hamë. Loni dëgjonte, po mendja i rrihte tjetërkund. “Duhet kthyer malli, sa më parë të jetë e mundur nё flori. Vetëm atij nuk i humbet vlera. Zogu nuk ishte budalla që e mblodhi gjithë floririn dhe ia mbathi. Do nxituar kjo punë. E, ikën ato kohë kur gjyshi im dhe babai i çuan njëzet kokë dele në dasëm Ahmet Zogut”. Me fshikullën që mbante në dorë i binte pa pushim kalit pa vetëdije, saqё nisi të shkrofëtijë e të bëjë lëvizje si asnjëherë tjetër. - Ouu Roku – e qetësoi Loni kalin, sikur të ish zgjuar nga një ëndërr e keqe.

18


Në mesditë, arritën te qymyrxhinjtë. Në një korie ku pylli ish djegur dy vjet më parë, punëtorët prisnin cungjet e drurëve, që nga larg dukeshin si një varrezë e madhe muhamedanësh. Poshtë te sheshet, të mbyste tymi i kaminave të qymyrit. Qymyrxhinjtë e Lonit nuk dalloheshin nga fytyra. Të nxirrë e të rraskapitur si ishin, u mblodhën rreth të zotit e shikonin të porsaardhurin me habi. Përveç punëtorëve të Lonit, kishte edhe nga ata që punonin për hesap të vet. Loni gjithë pllajën e kishte blerë vetë. Kurse ata punonin më tutje zonës së tij. - Si jeni bre trima, a u lodhët nga pak – përshëndeti Loni. - Mirё se na erdhe zoti Loni – përshëndetën tre punëtorët e Lonit, Manoli, Spiroja dhe Cilja. - Si e kaluat këtë javë djema? Mushkat mirë i kini? Po me planin si dukeni, sa shkoi këtë javë? Samarët jua solla. Mi sillni dokumentet ti shoh . Manoli, si më i vogli, vrapoi drejt kasolles për të marrë dokumentet e dorëzimeve të qymyrit. Ai erdhi me një frymë dhe ia zgjati Lonit. - Merri, zoti Loni ! - Manoli ia dha kartat dhe të tre prisnin reagimin e Lonit. Pa lexuar mirë dekumentet Loni u hodhi një sy mushkave. - I paskeni dobësuar shumë mushkat këtë javë. Mos u mbarua tagjia apo i keni zbathur? - Pardje i mbathëm zoti Loni, nga këmbët i kemi top fare. – Cilja fliste dhe shikonte si do reagonte Loni, pasi kish filluar të lexonte faturat e qymyrit. - Gjashtëmbëdhjetë kuintal, trembëdhjetë, njëzëtenjë, shtatëmbëdhjetë etj. – Lexoi Loni me zë dhe fytyra, vetvetiu i mori pamje serioze, tamam si prej afendikoi, pavarësisht moshës së re që kish. - Keni rreth njëzet kuintal më pak se javën e kaluar. Si shpjegohet kjo more Vasil? Muajin e parë u ankuat për vonesën e parave, mos vallë sot kërkoni ngritje të rrogës? Po kështu ngrihet rroga, duke ulur prodhimin? - Dëgjo, zoti Loni! – këtë rradhë e mori fjalën Spiroja – Kaçubat sa vjen dhe largohen, koha pastaj këtë javë ishte me shi dhe mushkat lёviznin nëpër baltë. Këto, zoti Loni, i harron ti. - Po na mban nё punё Zotrote, në rregull. Ndryshe ikim ne, po asnjëherë nuk i kemi bërë bisht punës.- Manoli e shkrepi që në ajër. - Mua po më zjen koka dhe ju më flisni nё kёtё mёnyrё. Unë kam njëqind punë. Nuk bëj vetëm qymyr si puna juaj, kёshtu qё rrini urtë dhe mos bëni shamatë. E shikoni këtë plakun, ka ngelur pa punë dhe do të bëjë qymyr bashkë me ju. Iku puna, do të ngeleni me gisht në gojë ndonjë ditë edhe ju. Këtë ju them unë. Nga Voskopoja vjen xhaxhai pyeteni, se këtu do e keni për këtë javë. - Po ne nuk na zjen koka, zoti Loni? Larg familjes, një muaj pa larë dhe pa ndërruar. Po të na shohin fëmijët, nuk besoj se na njohin. Loni filloi të tërhiqet me lezet: -Pas kësaj jave do t‟ua bëj me normë dhe kush do të rrijë, le të rrijë. Loni u numëroi paret të tre qymyrxhinjve dhe kalishoi Rokun përsëri. - Shihemi pёrsёri pas një jave djema dhe ma kini kujdes xhaxhanë. Hajde mirëupafshim. Pasi iku afendiko Loni, Spiroja ishte vrenjtur e bёrё tym dhe kish mbetur pa lёvizur, me shikimin ngulitur nё njё pikё. - Mblidhe veten bre burrë. U shastise fare. Tani që na pagoi, do e lagim me ndonjë gotë këtë gurmaz, se na është tharë e tymosur nga qymyri. Do na e bëjë edhe me normё afendikoi.

19


- E di budalla Lonin ti? Ne dhe një javë punë kemi, se pastaj fillon dëbora dhe do të ikim poshtë. - Ore, mirë e ke ti. Si nuk na vajti mendja më parë - tha Manoli . - Ja, më vajti mua. Dhe pastaj, kemi nga t‟ia mbajmë? - Hiç mos luani djema, se do bëhet keq për punë kohët e fundit. Tërmet i madh ka për të ardhur për ne rëmënët. Në Voskopojë, Kiço Biçakun e qethën tullë, nuk i lanë as edhe një kokër dele. Besoj e njihni Kiçon, një nga më të pasurit e Voskopojës. Xhaxhai nisi tu tregojë fije e për pe qymyrxhinjve, se si qëndronte puna me reformat e reja që do të merrte pёrsipёr qeveria. Spiroja pas tij, vazhdoi të tregojë sa kish dëgjuar për të aty në Pazar. -Do na e qelbë malin ky malukat. Këtë ua them unë dhe nuk e luan topi. Kur zbrita në qytet për të shitur shajakun dhe pasi i mbusha tësagat me fasule e kripë, u ula me Lefterin aty te hani i mullirit, për të pirë një gotë dhe dëgjova disa pëshpërima për të. Në han ka disa femra dhe Loni ynë aty e kalon kohën me to e nё kumar. Është lidhur me disa djem harramë dhe një ditë ka për ta lënë me gisht në gojë Dhimon e gjorë. Dhimoja mburret me të, se e ka të shkathët dhe ia ka marrë dorën si drejtimit të punës, por edhe me pazarin thotë, se Loni ka krijuar një shoqëri dhe i njeh deri lart në qeveri. Me zarbat është lidhur dhe do tё bëhet një ditë gazi i malit. Keni për ta parë bre vëllezër, po nuk i doli tymi atij zjarri me bajga që po bën ai në qytet, dembelana, nuk shikon sot, se po u mblidhet laku nga lart. Po shikon të livadhisi ashtu si nuk i ka hije një rëmëni mali. Një ditë kishte nxjerrë koburen në një sherr që kish plasur aty në han. Punë paresh në kumar. E kishin gënjyer dhe së fundi kish shkuar muhabeti deri te arma. Po Dhimoja i shkretë nuk di gjë. Ai veç mburret me të. Mburru o Dhimo vëllai, po djali yt ka për tё të turpëruar jo vetëm ty, por gjithë malin. -Vetë e ka fajin bre Spiro – u hodh Manoli – s‟duhet ta lerë ashtu të lirë dhe pa kontroll. Ka mali plot çelnikë dhe të kamur, tё cilёt i qëndrojnë deles dhe gjësë së gjallë ditë e natë më këmbë. - Ke të drejtë more bir – foli plaku i porsaardhur – edhe Kiçoja takëm si ky Loni juaj ishte dhe e patë vetё ku përfundoi. Pastaj, me këtë tërmet që do të bjerë tani afër në male, ashtu si Loni do të përfundojnë të gjithë. Do bëhemi kaçamak, me soj e sorrollop aty në ndërmarrje e nё kooperativë. - Po kush ishte ai që i ngjiti nofkën Levend atij dembeli, qё po na sjell këtu në mal zakonet e atyre të fushës. Ai koqe dembeli, tё cilit i pëlqen dhe vetja. - Parvjet, dy herë e bleu kullotën. Se si e gënjeu të atin, asnjeri nuk e mori vesh. E kishin lёnё me duar nё xhepa në kumar. Po, më thuaj me kë rri e të të them se cili je. - Dëgjo Spiro, e lëmë muhabetin e Lonit, se ai është kaluar pa vepron ashtu. Le të flasim për hallet tona. - Po jo more Manol, nuk është vetëm ai këtu në mal që është kaluar. Janë gjithë ata rëmënë. Asnjёri nuk rri e bën sehir, po punon më shumë se argati që ka punësuar. Thua se po na sjell të ligën lart. - Ah, more djem – u hodh plaku – e liga tani do jetë mes nesh. Do apo nuk do ti, te ajo ke për të shkuar, si e thashë në kooperativë dhe ndёrmarrje. Lereni me kaq, se do e ketë mbytur lemza të gjorin tani që e përfolëm, hajt bëfshi gjumë të ëmbël.

*****

20


Toli po ashtu, në hallet e veta me dy vajzat, Ollgën, Sofën dhe katër djemtë, Nestin, Mitin, Piton dhe Dhorin. Tole kapedani, e thërrisnin të gjithë në stan. Ishte burrë me rr të fortë. Ende nuk i kish mbushur të pesëdhjetat, po tregonte sikur tё ishte shtatëdhjetë vjet nga puna dhe hallet. Fëmijët i kishte akoma të vegjël dhe ende nuk i ishin bërë krahë pune. Nesti, më i madhi i fëmijëve, i cili e ndihmonte në punë, tani po gatitej të shkonte ushtar. Toli i kishte rritur fёmijёt me mundime dhe në stan, përsëri qëndronte më lart se të tjerët nga gjëja e gjallë.Të gjitha me djersën e ballit. Vetëm familja e Lonit qëndronte para tij. Po Loni i kishte gjetur të gjitha gati që nga gjyshi i tij. Toli mbante mend kur nisi për herë të parë punё, argat te gjyshi i Lonit. Filloi si barì, me tufën e kecave. Tani i vinte këçulla (kapelja) vërdallë. Bënte ekonomi dhe tërvaçun (shakull i vogël) nuk e ndante prej kurrizit nën gunë. Pёr babanё e tij tregonin shumë histori trimërie, njёra nga tё cilat u bë edhe shkaku i vdekjes së tij, dyluftimi me ariun. I ati i Tolit quhej Andon dhe njëherë i kish humbur mushka dhe nuk ndalonte së kërkuari ditë e natë, pёr ta gjetur. Në një nga kёto netё me hёnё, kur ishte duke e kërkuar në mes të pyllit pa pasur frikë fare, dalloi mushkën e tij shtrirё nё lёndinё. Ajo vinte e murme në sivë dhe ishte shtrirë sa gjerë e gjatë. “Po fle për shtatë palë qejfe dhe unë kam pesë ditë që të kërkoj.Ta tregoj unë tani moj mushka ime, që më lodhe e më sfilite ” dhe ngriti çomagën e thanës dhe me sa fuqi që kish ia vërviti vitheve. Mushka u çua menjёherё nga vendi dhe me një piskamë lebetitëse, bëri që të oshëtijë i gjithë pylli. Nuk ishte mushka, por një ari i madh sa një mushkë që çuditërisht i ngjante mushkës së tij. Ariu, me një shpejtësi të madhe, e rrëmbeu Andonin dhe e flaku tutje rreth pesë metra. Andoni u çua përsëri më këmbë, megjithëse kockat po i therrnin dhe kur pa se e kish ende çomagёn, e gatiti përsëri për luftë. Ariu nuk po i ndahej. U kacafyt me orë të tëra me tё, derisa ai e flaku edhe njëherë tutje e u largua gjithë qetësi, sa kaloi lëndinën. Kur hyri në pyll, i gjithë pylli oshëtiu nga vrapi i tij. Andonin e kishin gjetur të nesërmen aty në shesh, gjithë kocka thyer. E kishin çuar menjëherë te doktor Polena në Korçë. Doktori nuk i dha shërim, sa e pa. - Do të mundohemi me ndihmën e zotit – tha ai – por hija e rrëndë që ka ariu e gjithë këto plagё, nuk besoj se do t‟ia hedhë. Pastaj ka edhe njё frakturim në kokë. Pas dy muajsh qëndrimi në spital, Andoni dha shpirt. Kjo histori, në male tregohej gjithandej dhe ashtu si e tregonte njëri, nuk e tregonte tjetri. Dikush thonte se Andoni e kish vrarё ariun me atë stapin e thanës, të tjerë ekzagjeronin duke thёnё se ariu e kishte hedhur atë dyzet metra larg si një leckë. E vërteta ishte kjo. Ai ish ndeshur me të pas asaj të qëlluare që i kish bërë me gjithë forcën dhe ariu nuk i ndahej, derisa e shfryhu dufin e ia mbathi. Toli u ngrit herët atë mëngjes dhe bëri gati doriun. Veshur me pantallona shajaku të bardha, xhamadanin e ri pa mëngë në ngjyrë të zezë, këmishën e bardhë dhe tësagën (hebe) prej leshi me kuadrate të bardha e gri, po zbriste pёr në Pazar. Nё hanin e mullirit, te klubi, gjithmonё do të bënin nga një çlodhje rëmënët, duke pirë dhe ndonjë teke raki. E lidhi doriun, pasi vuri re se aty ishin mjaft rëmënë të tjerë, tё cilёt kishin lidhur dhe kuajt e shalës te dera e hanit. Në një tavolinë kërciste muhabeti dhe rakia, kurse te një tjetёr më tutje, rrinte vetёm Dhimoja. Dhimo Gjato, i ati i Lonit. - Urdhëro, ulu Toli kapedani ! Njëherë nuk jemi pjekur vetëm për vetëm more burrë.

21


- Si e ke pasur shëndetin o Dhimo vëllai, fëmijët e gjënë e gjallë? - Mirë, të faleminderit o Toli. Po ti si ia ke kaluar sivjet me fëmijë e me katandi? - Raki do të pish Toli? Qumështi na ka zbardhur, se kemi një jetë me të. - Raki, se më është tharë ky i shkretë gurmaz. Kam një muaj që nuk kam zbritur fare poshtë. Pastaj, ai qumësht na ka ruajtur dhe nderin. Duke punuar me djersën tonë, nuk i kemi rënë më qafë tjetrit. - Edhe unë o Toli si ty, nuk mbaj mend që kur nuk kam zbritur. Nuk më lë rradhë Loni, se tani ia mori dorën pazarit e punëve dhe nuk më lё të vras mendjen fare për asgjë. Është prerë për të komanduar ai djalë. -Raki të lutem – i foli Dhimoja dyqanxhiut- dopio i bëj. Do ta pimë nga një dopio more Tole vëllai, se të them të drejtën, me ty ma ka ënda të pi. - Edhe mua nuk më hahet muhabeti me këdo, por me ty patjetёr qё ma do zemra - ia ktheu Toli. Erdhën rakitë dhe Dhimoja e Toli i tokën fort. - Gëzuar Toli. - Gëzuar Dhimo - rufitën rakinë pa të keq dhe u panë të dy sy më sy. I pari e nisi bisedën Dhimo: - Më vjen zorr o Dhimo kur i kreh mustaqet në mëngjes dhe më shikon gruaja. Gratë i kemi nikoqire e kur na shohin duke krehur mustaqet, na japin ndonjë mallkim me gjuhën e madhe. Kurse me të voglën, tё cilёn e kanë dhe më pranë zemrës diçka u lëvrin në gjoks dhe mburren me ne. Po ti vёsh re në këto ditë që na mallkojnë, punojnë më shumë se ditët e tjera. Mburren se na kanë ende të fortë dhe sqimёtarë. - E the bukur o Toli. Xhimoja edhe në këngë e ka qëndisur këtë gjë. Besoj që ti e di patjetër. Një strofë më ka pëlqyer më shumë dhe po ta citoj edhe ty: Kënd isham pi xjanë Uj didjam a flerru U shëdjam njihjamë U s’qëptënam perru Sënëtatja bunë Surratja ka merru Shi noptja pi llunë Vidjam ku kutia Ta s’cinam videra Kum avjam tinjia. Shqip: Kur dilnim në kodër Me këmbë do i binim gjembit Do çlodheshim pak E do krihnim flokun Shëndetin e mirë Fytyrën si mollë Dhe natën në hënë Shihshim në pasqyrë

22


Që të mbanim veten Si kishim dhe nderë. Qeshën një copë herë që të dy dhe përsëri fytyrat e tyre morën seriozitet. - Ikën ato kohë o vëlla, tani po vjen një kohë tjetër. - Ashtu është o Dhimo, kohë të liga na presin. - Toli kapedani, na u rritën fëmijët. Ai imi është në vaht tani, po edhe ti Ollgën nuk e ke të vogël. Marshalla, është vajza më e mirë e stanit. Shkurt muhabeti vëlla, dua me gjithё zemër të të kem në sofër.Sot, këtu po të duash t‟ia bëjmë bam. Të shpallim fejesën e për dasëm shohim e bëjmë. Puna është të lidhim këtë krushqi sot. - Më zure ngushtë o Dhimo vëllai. As që e kisha në mendje këtë punë, pasi po përgatitesha të fejoja djalin më parё, Nestin. Për dy muaj më ikën ushtar dhe gruaja mundohet tё mё mbushё mendjen që ta fejoj e ta martoj para se tё ikё. - Nuk thua or burrë të bëhen dy gëzime njëherësh. - Nuk ia kam ngenë asaj pune Dhimo vëllai. - Mua më jep fjalën, të pimë rakinë si burrat dhe të tjerat pastaj bëji si di vetë ti. Unë pres sa të duash, asgjë nuk më shtyn. Ama, di që kam krushk Toli kapedanin. Toli po përtypej e nuk po vendoste dot që t‟ia jepte fjalën. Ishte zënë ngushtë. Nuk e kish planifikuar një gjë të tillë. Të gjitha fejesat këtë natyrë kishin. Nëpër klube e diku atje tej në ndonjë lëndinë të bukur apo në ndonjë sebep ose festë, kur dy burra piqeshin tok e zemra u thosh se ishin të një rangu, ata e hapnin gojën duke ditur se nuk do u shkonte huq. Tolit i erdhën në mendje fjalët e këngës së Xhimos për këtë punë: “Mintja esti umpllutë Mileti pëstritë Llora a llor shi darra Mulltë mintuitë”

Shqip: “Mendja u është mbushur Popullsi e pastër E marra dhe e dhëna Thellë e menduar” Rrallë ndodhte që një i sërrës tjetër të merrte guximin dhe të kërkonte atje ku nuk i takonte. Kishte dhe raste kur të rinjtë vendosnin vetë, pa i shoshitur thellë këto punë, kur pëlqeheshin me njëri tjetrin dhe dashuroheshin. Dhe rasti i paqelisë si dhe rasti i Donikës që nuk i deshën burrat që prindërit u kishin dhënë që në vogëli po këtë shkak kishin. Dashurinë te Donika dhe shëmtia e djalit te Paqelia. Historia e Donikës ishte shumë më e fisme se ajo e Paqelisë. Vëllai i të fejuarit të saj Lluka shkoi dhe e rrëmbeu Donikën. Ajo i kafshoi veshin por Lluka e porositi që të rinte urtë se nuk kish nderment që të ndynte majën e thikës me gjak të pastër femre. Vajza u tremb dhe i lëshoi veshin. Llukës i rrithte veshi çurk, por ai nuk u ndal derisa e shpuri Donikën larg stanit të saj në mes të pyllit. E lidhi pas një ahu dhe me sëpatën që mbante varrur në brez filloi të presë degë ahu.

23


Ndërtoi një kolibe aty në mes të sheshit. Nuk ishte shumë larg stanit të tij. Me vrap shkoi dhe i thiri të vëllait. E futi bashkë me Donikën në kolibe dhe u largua. Pa kaluar dy ditë Vasili me gjthë Donikën erdhën në stan natën që mos i shihte njeri. Lluka u befasua se si kaq shpejt i erdhi vëllai në shtëpi. Ai e kish porositur që ta ruante mos i ikte dhe t‟a mbante aty për një javë resht. -Mere vëlla dhe çoe te prindërit e saj, nuk do të bëhet gruaja ime një grua që nuk më do. Jo vëlla, me zorr nuk martohem unë. Ajo do një burrë tjetër dhe unë mendoj se kjo mjafton që ta lejojmë. Lluka nuk foli fare por gatiti mushkën dhe e çoi te prindërit e saj. - Mereni vajzën tuaj dhe lereni të bëjë jetën e saj me atë që i do zemra. - Kurrën e kurrës - bërtiti sa kishte në kokë e jëma e Donikës. Tani që e morrët, iu qoftë për hajër. - Ajo nuk u bë kurrë gruaja e vëllait tim, prandaj na qoftë miqësia e bardhë e secili të shohë punën e vet. -E vërtetë është moj bijë? -Po moj nënë si kokrra e mollës jam. Ata ishin njerrës të mirë. - Pas këtij pohimi babai i vajzës shkëputi dorën nga koburja që e mbante në jelekun e xhamadanit. Hidhemi aty ku e lamë. Kurrë nuk ndodhte që të mernin ne soj, as në vëllamëri. Nuk kishte bërë vaki një gjë e tillë. Dhe për më tepër kjo traditë ndiqej dhe për bagëtitë. Kur vinte koha e nderzimit, ndëroheshin deshinjtë që delet mos ishin të një gjaku dhe ato. Të jap dhjetë deshinj, më jep dhjetë vetëm sa për periudhën e nderzimit. Dhe shqerat dilnin të shëndetshme dhe pa një cen e sëmundje. Toli e ngriti gotën dhe duke kryqëzuar krahët me Dhimon uroi: - Të na trashëgohen Dhimo vëllai, edhe zemra ma thotë këtë urim, jo vetëm goja. Tolit i shkrepëtinë sytë nga rakia që rrufiti me fund. Edhe Dhimo e piu me fund dhe uroi me gjithё shpirt. - Të na trashëgohen dhe u dëgjofsh gjithmonë të mira. Na qoftë për hajër dhe jam shumë i lumtur që krushqinë e parë o Toli, e nisa me një njeri si ty. - Edhe unë o Dhimo, me zemër ta dhashë fjalën dhe ndjej gjithashtu gëzim. Hajd gëzuar.E pinë e nga një dopio tjetër tё shoqёruar me meze dhe në mbrëmje vonë u kthyen për në stan. *****

Një natë më vonë Dhimoja i thotë Lonit për fejesën. -Si kështu more baba, nuk më pyete fare, sikur tё isha fëmijё?! Akoma me të vjetrën ju? - Pse, ku ke parë këtu në mal ti, tё bёhen fejesa me të renë! Unë nuk kam dëgjuar asnjё qё t‟ia ketё prishur tё atit për fejesën që i ka bërë. Nuk shkel babai në dërrasë të kalbur, këtë ta dish. Më të mirin e rëmënëve zgjodha për krushk, Tole kapedanin, trim dhe me një okë mend. - Baba, nuk them se nuk është i mirë ai, familja e tij apo vajza që më zgjodhe për nuse , por po të më pyesje mirë do tё bëje. -As që e kisha në plan këtë gjë more bir, po Toli më erdhi si cjapi te kasapi. Dhe mendova, sa të më ikte nga dora kjo krushqi, ia bëra forra. - Po sikur unë mos dua dhe të të them se dua një tjetër, si i bëhet hallit baba?

24


- Pastaj do them se nuk je djali im dhe Tolit nuk kam për t‟i dalë para sa të jem gjallë . - E shikon se ke gabuar baba. - Loni kalonte nëpër mendje Janullën. Kujtesa e çoi te puthja që shkёmbyen aty te përroi e te fjalët që i tha. Nga ajo dashuri do të ishte e vështirë të ndahej . Po si do t‟ia bënte të atit me këtë ngatërresë nё tё cilёn e kish futur fejesa e tij. Ai nuk donte të ndahej nga Janulla. S‟mund t‟i harronte ato nazet dhe shikimet e saj magjiplotë. Por Loni, mendonte edhe pёr Ollgën. “Eshtë e bukur edhe Ollga, vjen pak më e mbushur se Janulla, por ja vlen. Është familje më e sojme, me pasuri e katandi dhe një nga familjet më të fisme në mal”. Kjo logjikë e tij, e cila e vendoste mes dy joshjeve do t‟ia bënte të vështirë për të zgjedhur. Kjo për të do të ishte me shumë pasoja; pasoja tё cilat as që i kalonte nëpër mend. Mali kishte rregulla dhe rastet kur këto rregulla ishin shkelur, kishin përfunduar keq. - Nuk je dakord me Ollgën, vajzën e Tolit? Më e mira në stan është. Ku do gjesh vajzë më të mirë se ajo ti more bir? Tani babai e ka dhënë fjalën dhe nuk diskutohet ajo punë. – Qeraca, e ëma e Lonit, e cila deri nё atё moment vetёm po dёgjonte, ishte habitur se si djali i saj po rrefuzonte këtë rast e tha: - Eh more burrë, se tallet djali. Ajo është si perëndi e kush nuk do e dëshironte për nuse. - Nuk tallem moj nënë, se nuk bëhen këto punë pa pyetur fare. Unë nuk e shaj Ollgën, e mirë është, po ja që…. - Loni nuk e mbaroi fjalën dhe e ëma filloi të tjerrë përsëri në çikrik, tё cilin Dhimo e kish sajuar me duart e tij. Një kryq druri, i mbështjellë me lëkurë dhie të fortë, në formë zigzage, i cili kur punonte lëshonte atë zhurrmën karakteristike qё i ngjante asaj të lozhurit ku luanin fëmijët. Herë pas here, Qeraca i hidhte nga pak vaj ulliri që zhurrma të dobësohej. Ndërsa Loni hyri në të thella. Po krahasonte rastin e tij me rastin e Leksës dhe Nashos. Leksa dhe Nashoja kishin një histori sa të trishtë aq edhe të bukur e romantike.Familjet e tyre ndodheshin larg e larg, po ata të dy ishin njohur në një dasëm e takoheshin fshehurazi sa herë që ajo e shkretë dashuri ua digjte kraharorin. Dy orë rrugë bënte i gjori Nasho që të takonte në fshehtësi Leksën. E donte sa më s‟ka. Edhe Leksa linte mendjen për djalin. Lidhja e tyre zgjati pothuaj një vit dhe anjeri nuk i pa njëherë bashkë. Takimet i bënin gjithmonë natën dhe të dy ishin në dilemë se si do i shkonte filli dashurisë së tyre. As njëri dhe as tjetri nuk guxonte t‟u thoshte prindërve. Vetëm një gjë theksonin vazhdimisht të dy ,faktin qё ata nuk kishin për t‟u ndarë kurrën e kurrës. Por, fatit tё njeriut nuk i dihet kurrë, thotë populli. Një mëngjes, pasi ishte kthyer nga pazari vonё, i ati i Nashos i jep sihariqin familjes : - Të fejova more bir. Dje në pazar jam takuar me një burrë esnaf , i cili më pëlqeu shumë. Më tha se kishte vajzën në moshë për ta martuar dhe unë e shfrytëzova këtë rast menjëherë. Ishte xhanan burrë dhe s‟kisha si të mos e bëja krushk - Pa më pyetur mua baba? - Po ti duhet ta dish more djalё, se këto punë në malet tona kёshtu bëhen. Rrallë ndodh tё bёhen ndryshe, se gjahu njëherë të vjen në shteg. - Të bukur gjah more baba. Unë nuk martohem me atë që më fejove zotrote, unë njoh një vajzë tjetёr dhe do të martohem me të . - Gjë që s‟bëhet ajo punë tani more bir. Të më kishe thënë më parë që doje një vajzë, nuk vinte puna deri këtu. Po nuk na the se e kujt ёshtё ajo vajza që do? -Nuk ia njoh të atin dhe mbiemrin nuk ia di, vetёm di që e quajnë Leksa.

25


- Si the more? Nuk ia di as mbiemrin dhe e do për nuse! Nuk e dija, por paskam djalë budalla, shkon si qorr, hyn dhe ngatërrohet me një vajzë që nuk e di as e kujt është. Po sikur të jetë vajza e ndonjë kotherexhiu argat e kaluar argatit, si i bëhet mor tutkun? - Le të jetë e kujt të dojë. Unë e kam njohur në një dasëm dhe e dua më shumë se veten, prandaj baba merr masa dhe prishe fejesën time . - Kurrën e kurrës – bërtiti këtë rradhë i ati i Nashos.- do të bëhet ashtu si them unë dhe pikë. - Mirë o baba, ashtu le të bëhet si thua ti. – bëri sikur aprovoi të atin Nashoja dhe u largua me mendje tjetër nga shtëpia. Nuk dinte si të vepronte. Po e brente aty në zemër kur mendonte se do ndahej nga Leksa. Duhej lajmëruar edhe ajo. Si do e priste vajza lajmin ogurzi. Patjetër që dhe ajo nuk do të ishte dakord. Pas disa ditësh punë të rënda, të cilat i ati ia ngarkoi si për ta dënuar, për atë kundërshtim që i bëri për herë të parë në jetën e tij, Një gjë e tillë aty në mal ishte tabu dhe nuk diskutohej. Nashoja e gjeti kohën dhe shkoi të takojë Leksën. Ka pritur më shumë se dy orë te vendi i takimit, derisa Leksa erdhi. E gjora vajzë dilte çdo natë te vendi i tyre i takimit, por mungesa e tij e gjatë e kish lodhur dhe atë natë kishte një parandjenjë që do të vinte, megjithëse ishte me vonesë. Edhe Nashoja nuk po largohej. Nëpër mendje po i kalonin lloj lloj mendimesh të tmerrshme, deri edhe te më i kobshmi se mos vallë ajo kishte vdekur dhe ai e priste më kot. Nuk kishte kë tё pyeste. Kishte frikë nga të gjithë . Por ja, nga larg dukej Leksa, e cila shkau drejtim asaj zgavre që ndodhej në hyrje të pyllit ku rruga ishte në një largësi të madhe prej aty dhe nuk kish mundësi t‟i shikonte kush. U përqafuan e për një moment, të dyve iu duk sikur kish kaluar një muaj, secili në mendimet e veta e me po të njëjtin hall: të dy të fejuar pa dëshirën e tyre. Leksa nuk po fliste ende, jo si zakonisht që e mbyste e para me pyetje nga më të ndryshmet. Po, si nuk e kishin pyetur njёri-tjetrin ndonjëherë se të kujt ishin, që nё prani tё tё atit Nashoja mos kish mbetur ashtu si guhak. Sipas tij, ai nuk dinte kë dashuronte dhe e bija e kujt ishte. Dhe ai vёrtet nuk e dinte, ashtu si edhe Leksa qё nuk e kish bërë asnjëherë këtë pyetje, por e donte dhe vdiste për të. Për ta, nuk ishin tё nevojshme fjalët dhe biografitë, por vetёm dashuria e madhe që ekzistonte mes tyre e qё i lumturonte pa masë. I bёnte tё fluturonin e tё lodronin si fёmijё, po dhe tё diskutonin çdo gjё pёr jetёn. Ja qё ky detaj u kishte shpёtuar. Mbase pёr ta ishte veç njё detaj, po pёr njerёzit e kohёn nё tё cilёn jetonin ishte gjёja e parё qё duhej ditur. I pari e theu heshtjen Nashoja. Si fillim i këndoi këngën e tij, tё cilёn ia kёndonte sa herë që takoheshin. E kishte krijuar vetë. Ja vargjet e këngës:

Sufurcjau ka mëgor Kuretili pi qept Dëninti ishaj tu korr Mini vram ta s’krep Mëna sus shamea allbë Sh’ku arësu ngurë Lloku sh’padja ju këllkaj Trendëlinë vaj sëmnaj Oqu llaj, pjana apunatë

26


Nu vraj s’mi vidiaj Nu u shti o lla mushatë Xhoku unorë va s’këpsjastë Ka tini olla liluçë Pënë azë nom vixutë Ashë kum strax acell korr Vre ta s’mi hjix ntrog. Shqip: Vetullën gajtan Gërrshetat mbi gjoks E para hiqje vallen Unë desha të plas. Dorën lart, shaminë e bardhë Të qeshurën në gojë Sheshi,lëndina ku ti shkelje Trёndelinë do të çelje Syri i zi, qerpiku ulur Nuk deshe të më shihje Nuk e dije o moj e bukur, Vallja njëherë do të ndalte. Si ty o moj lule Deri më sot nuk kisha parë Ashtu si heq atë valle Në dhe kërkon të më vesh të gjallë. Hezitoi pёr njё kohё të gjatë që mos ia thoshte gjëmën, po pikërisht për këtë kish ardhur e duhej t‟i tregonte për fejesën e tij. Duhej t‟i fliste për planin qё kish bluar nё kokё pёr t‟iu shmangur kësaj fejese dhe kish marrё vendimin e prerё që me tё, nuk kish pёr t‟u ndarё sa tё ishte bota. - Pse rri si e tulatur dhe nuk më thua asnjë fjalë? Ka ndodhur gjё në familjen tënde, se andej nga unё u bё gjёmё . - Gjëmë , po si .. kush? - Nuk ka vdekur njeri, po akoma mё keq. Babai më fejoi pa më pyetur fare. - Ti ke dëgjuar diçka për mua dhe tallesh? -Për kokën tënde që nuk tallem. Më fejoi. E unë i thashë qё nuk e dua atë qё po mё jepte pёr nuse, se dua një tjetër. Më pyeti se e kujt ishe ti dhe unë iu përgjigja qё s‟e dija e kujt ishe. Me kёtё kundёrshtim, u hakërrua babai dhe më dënoi të kryeja punë të vështira, prandaj dhe nuk kam ardhur të të takoj. Po unë vetëm ty të dua dhe nuk do tё të lë kurrë. - Kjo është e çuditshme. Edhe babai im më fejoi dhe unë të them të drejtën nuk pata guxim t‟i thoja se të doja ty. Po mendja e zemra mё thonё se dua ta kaloj jetёn vetёm me ty dhe nuk do ndahemi, sikur ta di se do vdes.

27


- Tani po tallesh ti! – tha Nashoja – Me gjthë mend të kanë fejuar dhe ty? Po këta prindërit tanë, sikur ta kishin bërë me fjalë e prapëseprapë nuk do ishte ujdisur kaq shpejt, brenda një jave. Po ty me kë të fejuan dhe i cilit stan ёshtё? - Unë e dëgjova edhe emrin e prindërve tё tij, po nuk ia vura veshin fare, se e kisha mendjen te ti. Kam gjithë këto netё që kam dalë përditë e nuk kam vënë gjumë në sy as edhe një natë. Qaja në heshtje dhe përveç mamasë, e cila më shihte me sy tё buhavitur, nuk më pa njeri tjetër. Mamaja kujtonte se qaja për arsyen se më fejuan nё moshё të vogël dhe disa herë më thoshte se edhe ajo shtatëmbëdhjetë vjeçe ishte martuar. Mundohej tё mё qetësonte e më tregonte plot histori tё ndryshme për këtё gjё. Nuk e dinte e shkreta mama, se unë qaja për ty. E nga ta dinte ajo. - Po tani, si do i vejë filli kësaj punës sonë?- Nashoja përtypej dhe e vështronte Leksën në bebe të syrit. Leksa ngriti supet dhe priste që ai tё reagonte nё njё mёnyrё, apo tё gjente ndonjë zgjidhje. Po a kishte zgjidhje rasti i tyre? Vetëm një ekzistonte: Të largoheshin për një kohë të shkurtër tё dy bashkё, sa të qetësoheshin të dyja palët e më pas, do ishte koha ajo që do t‟i jepte zgjidhje problemit. - Të shkojmë në Voskopojë dhe të vendosemi te një shok i babait, Janaq e ka emrin. Ai më njeh fare mirë mua dhe më ka shumë qejf, nuk besoj të mos më strehojë për njëfarë kohe. - Të ikim nga shtëpia pa u thënë prindërve? Kjo nuk ka ndodhur asnjëherë këtu në mal dhe po e bëra një gjë të tillë, do më vrasë babai. - Nuk të vret jo, se të ka çupë të vetme dhe tani shko e merr ndonjë rrobë dhe eja shpejt si furtuna, ndryshe më thuaj që edhe unë të shkoj të shikoj të fejuarën e babait. - Ti më do mua apo tallesh? - Pikërisht, nuk po marr parasysh asgjë dhe po të marr që sot me vehte, se të dua aq shumë saqë edhe po mos duash të vish do të të rrëmbej me zorr e nuk do pyes njeri në këtë botë. Kaq pra, kaq shumë të dua. - Leksa mbeti e shastisur në mes të zgavrës ku ishin futur dhe nuk i bënin këmbët që të nisej e të gatitej për t‟u larguar me të. Nashoja e shtrëngoi fort e duke e përkëdhelur, i fshiu asaj lotët që filluan t‟i pikonin çurk nëpër faqe dhe mundohej t‟i jepte zemër që të bëhej e fortë në këtë sipërmarrje. - Do të ketë vallë lumë që ta lajë këtë turp që po bëjme ne? - Vetëm këto fjalë tha Leksa dhe u ngrit të bëhej trime. - E vendose më në fund. Të lumtë, asgjë të keqe nuk po bëjmë vetëm se duhemi dhe kemi të drejtë të duhemi e të mendojmë për veten tonë. Vrapo tani dhe merr ç‟të mundësh. Të pres gjithë ankth. E puthi edhe njëherë, sikur të ishte duke e puthur për herë të fundit. I dukej të gjorit djalë sikur nuk do e shikonte më që nga ai çast, me gjithë besimin që kishte te ajo vajzë. Por, ç‟sjell koha nuk e sjell as moti, thonë të moshuarit. Nuk kaloi as një çerek ore dhe Leksa u gjet përsëri në krahët e Nashos. Të dy, në kulm të lumturisë së tyre dhe të frikës njëkohësisht, vrapuan tatëpjetë përroit për të dalë në rrugën kryesore. Loni e kujtonte këtë histori për të bërë paralelizmin e fejesës së tyre me të tijën. Po në të vërtetë, nuk kishin ngjashmëri. Nuk ndodhi ajo që do të donte Loni. “Romeoja ynë i malit dhe Zhuljeta kaluan shumë peripeci derisa mbërritën në Voskopojë.” Kaloi një javë dhe në mbarim të javës së dytë, të rregulluar në shtëpinë e Janaqit, po jetonin në fshehtësi të plotë në muajin e tyre të mjaltit të themi, se nuk dilnin nga shtëpia fare dhe nuk bënin as edhe një punë. Vetëm Leksa merrej me ndonjë punë shtëpie apo gatuante sipas rastit. Ishin familjarizuar me shtëpinë dhe ia kalonin për bukuri

28


me gjithë pjesëtarët e familjes së Janaqit. Por, nuk shtyheshin ditët ashtu dhe pa marrë ndonjë lajm nga të afërmit e tyre. Janaqi u tregonte çdo ditë nga ato që dëgjonte jashtë, se prindërit po i kërkonin dhe nuk kishin lënë gurë pa lëvizur. E pra, në mbarim të javës së dytë, në shtëpinë e Janaqit erdhi një kurbatkë e lezetshme me dy vajza të vogla që e ndihmonin me trastat dhe ushqimet që ajo kish mbledhur. Kurbatka u ul këmbëkryq në oborrin e shtëpisë së tij, sikur kish ardhur që të çlodhej dhe nuk po shqitej prej andej. - Po nuk dëshironi t‟iu hedh fall, dëgjoni një histori të lezetshme që ka ndodhur kohët e fundit, këtej nga anët tuaja. Është një histori, të cilën po e tregoj gjithandej dhe është mjaft e lezetshme dhe prekëse. Thonë se dy të dashuruar janë mbytur në lumë, si Romi edhe Zhuli. Romi ka qënë nga soji ynë, po dhe Zhuli kurbatkë ka qënë. Po më e forta qëndron te fakti se ata të dy i kishin fejuar me njëri - tjetrin dhe ata nuk dinin gjë, ashtu edhe prindërit që i fejuan, nuk dinin që fëmijët e tyre ishin të lidhur bashkë më parë. Domethënë, kjo ishte historia e dhimbshme e dy dashnorëve tanë. Edhe ne romët dashurohemi që të vegjël, po nuk kemi zakone kaq të forta sa që prindërit të na dëbojnë nga shtëpia apo të mbytemi në ndonjë lumë apo liqen - Leksa e dëgjoi gjithë historinë dhe nuk deshi ta besojë. Në fillim mendoi se kjo kurbatkë mund të ishte e paguar nga prindërit e tyre dhe duke ditur se ata njiheshin, me këtë marifetin e Romit dhe të Zhulit kërkonin t‟i gënjenin që të binin në kurthin e prindërve e kështu ata mund të vinin te shtëpia e Janaqit. Megjithatë, hyri me vrap në dhomën ku ndodhej Nashoja dhe ia tregoi historinë me një frymë. Pastaj, dolën të dy jashtë me nxitim dhe e rrethuan kurbatkën e fëmijët e saj sikur të ishin një familje . - Pa na e trego edhe njëherë atë historinë e Romit - i thotë Nashoja gjithë kurreshtje e nxitoi të kërkojë sqarime. – kur ka ngjarë ajo histori dhe ku? - Romi ka qindra vjet që ka vdekur, por ky Romi ynë i historisë këtej rrotull në mal, nuk ka as dhjetë ditë që është zhdukur dhe nuk besoj se ka për të dalë ndonjë ditë. Ka ditur dhe ka dashur me gjith shpirt e zemër kaqoli. - Po si e kishte emrin ai i malit, se mbase e ke dëgjuar? Diçka ke dëgjuar besoj? Kurbatka po çuditej tani me pyetjet e tyre. Kurreshtja e tyre ishte me gjithë mend jo si te të tjerët ku ajo e kish treguar. -Po mos e dijë Gurija, kush tjetër do ta dijë? Gurija hyn edhe atje ku nuk e qasin. Juve nuk donit t‟iu hidhja fall në filxhan, po zanati i Guries ky është që të hyjë dhe të nxjerrë ndonjë kafshatë, edhe atje ku nuk e qasin. Tre ditë më parë isha te stani i rëmënëve aty në mal e zura një dorë të mirë me lekë. Ua hedh atyre unë, se kanë parà dhe nuk e kursejnë, pastaj bojën që u çoj e duan kualitet të parë, se ngjyejnë çorga dhe shajakë. U marr lekë, po u jap mall të mirë. Deri më sot nuk më është qarë asnjë çobankë mali. I kam myshterinjtë më të mirë në punën time. - Kurbatka me emrin Gurie, emër që dhe Leksa dhe Nashoja diku e kishin dëgjuar, nuk po pushonte së dërdëllisuri, kur ata të dy kërkonin të dinin sa më shpejt për fatin e tyre. Ende nuk kishin qartësuar asgjë nga sa u tha Gurija. Ankthi dhe padurimi për të mësuar rreth historisë së tyre, nuk po i linte të dëgjonin e të kuptonin se ku rrihte fjalimi i gjatë i kurbatkës. Me pak fjalë, ajo i kishte sqaruar, por si Leksa dhe Nashoja ende ishin turbull dhe kërkonin sqarime më të hollësishme. Gurija filloi përsëri. - Një djalë asgan me emrin Nasho dhe Zhulieta e famshme me emrin Leksa më duket. Të dy të dashuruar dhe njëkohësisht të fejuar nga prindërit pa dijeninë e tyre, që humbën e morën arratinë, pa mësuar njëherë se me kë ishin fejuar, si Nashoja edhe Leksa. Po nuk kishin faj ata të dy. Fajin e kishte dashuria, e cila ua merr mendjen fare të rinjve dhe nuk

29


dinë ç‟bëjnë pastaj. Dashuri e tillë, nuk besoj të ketë ndodhur as nëpër qytete e jo më në male. Ja, unë që jam e bredhur, më pyesni nëse kam parë të tillë dashuri; jo do u them, kurrën e kurrës. Leksa iu hodh në qafë kurbatkës dhe e shtërngoi aq fort sa nuk po e lëshonte. Dy vajzat e saj të vogla u shqetësuan dhe filluan të qajnë e Gurija, pasi shpëtoi nga përqafimi i Leksës i qetësoi ato. Leksa përqafoi fort dhe Nashon e të dy nuk po u besonin veshëve. - Unë jam Nashoja moj Gurie dhe kjo këtu është Leksa ime, ajo Zhuli që the zotrote. - Qenkeni gjallë atëherë. Sa mirë, ju bekoftë zoti! Tani do të jeni dy herë të lumtur. - Dy herë thua?! Njëmijë herë dhe ty të paçim sa malet e t‟u bëftë dita njëmijë, se na solle këtë lajm të mirë, lajmin më të gëzueshëm që mund të prisnim! Dhe unë budallaçka kisha frikë të të fusja në oborr. –ia ktheu Leksa. -Gurie, është e vërtetë që na kanë fejuar me njëri-tjetrin, apo na gënjen? -Gurija nuk ka gënjyer kurrën e kurrës dhe nuk punon Gurija për bukën e gojës apo ndonjë fall që shtie, po është zakon ky që ne e kemi trashëguar nga të parët dhe e bëj për sevap. Unë furnizoj shumë njerëz me bojë në këto anë dhe kësaj i them tregëti e pastërti që nuk të lë asnjëherë pa bukë. Nuk lyp Gurija, jo. E pse më shikoni ashtu? Nuk më besoni akoma? Vraponi o të uruar për te familjet tuaja, se u presin prindërit! - Po si nuk erdhën njëherë këtu, te shtëpia e Janaqit ata prindërit tanë – tha Nasho . - Deri dje, ne kishim frikë mos na vinin, kurse tani thua pse nuk erdhën. Pastaj, ne Janaqin e kishim porositur që derisa të ftoheshin gjakrat, nuk do të tregonte. Leksa e pushtoi edhe njëherë kurbatkën, hoqi nga qafa varësen e floririt ngadalë dhe ia vari në qafë vajzës së vogël të Guries. - Do të jem kumbarja e vajzës sate, që sot e tutje moj Gurie. Pas këtij lajmi që na dhe, na lumturove për gjithë jetën, si e quajnë vajzën? -Dritë e quajnë. Ka emër të ri vajza, se tani në qytet filluan të vënë emra të rinj – Guria mbeti e shastisur dhe duke e falenderuar me gjithë shpirt Leksën, i uroi jetë të lumtur. Eh, tjerrja e kësaj historie në mendjen e Lonit nuk bëhej pa qëllim. Do dëshironte shumë të ishte edhe fejesa e tij e kësaj natyre. Të ishte Janulla me nazet e saj dhe jo Ollga! E megjithëse nuk ishte aspak ashtu, ai përsëri e pranoi realitetin. Ollga nuk ishte vajzë e keqe dhe ia kishte ënda që dhe vjehëri i tij të ishte Toli, i pari i stanarëve aty në mal. “Nuk them se nuk e dua qenen, nuk qëndron poshtë të tjerave, për të mos thënë se është më e mirë dhe më punëtore nga të gjitha. Po Janullës , si ka për t‟i shkuar filli? Nuk e di si do e presë ajo këtë fejesë? Mu ngatërruan të gjitha e mu bënë lëmsh me historinë e Nashos. I lumi Nasho thuaj. Tani ka tetë fëmijë, njërin më të bukur se tjetrin”. Po ngjarjet e malit nuk kishin të sosur. Njëra që bëri bujë përsëri, ishte dhe fejesa e Janullës me Nestin, të birin e Tolit. E pra, si u rrokullisën ngjarjet. Kunati i Lonit, Nesti tani ishte fejuar me Janullën e tij, të cilën Loni e donte dhe e adhuronte aq shumë. Edhe kjo fejesë ndodhi ashtu papritur në një dasëm. Në pije e sipër, Thanasi, i ati i Janullës, i cili ndodhej përballë Tolit, i kërkoi të lidhnin krushqi. - Po unë e fejova vajzën more Thanas, s‟ka një javë ky muhabet. - Unë dua të të jap vajzën time Janullën për djalin tënd, Nestin. - Fol or burrë se më ke dalë në shteg, e kam menduar shumë herë vajzën tënde. Vetëm me një kusht or mik, se djali më ikën ushtar dhe dua ta martoj menjëherë. Nuk dua të martohet mbas ushtrisë.

30


- Të pijmë njëherë këto gota që kemi përpara, pastaj bisedojmë për kushte. Kemi kohë për ato punë. Hajde gëzuar pra e të na trashëgohen – uroi i pari Thanasi. - Gëzuar e i dëgjofsh zërin e mirë vajzës - tha Toli. E kush nuk desh të bënte krushqi me Tolin. Të gjithë rëmënët e donin dhe e respektonin. Ai i kishte shokët të rrallë aty në mal. Vetëm Loni ishte tkurrur kur dëgjoi se Janulla u fejua me Nestin, kunatin e tij. “Si për inat ma bënë. Nuk pritën as edhe një muaj e tak-fap” . Por dasma e Lonit nuk ishte caktuar akoma. Do të shtyhej për më vonë, pasi në fillim e me ngut po përgatitej dasma e Nestit për arsyen e ushtrisë . Nuk ishte rasti i parë që djemtë martoheshin para se të shkonin ushtar, për të lënë në shtëpi një krah pune, ose për ta zëvendësuar. Loni, fajtor për këtë fejesë sigurisht që bënte Tolin, vjehrin e tij. “Nuk iu durua xhanëm, por tak fap e shkrepi menjëherë. Nuk priti të martohesha unë e pastaj të fejonte të birin. Për këtë që bëre more vjehër ke për të ma paguar”. Këto mendime Loni i kaloi nëpër mend, në valën e hidhërimit që ndjente për fejesën e së të dashurës së tij, Janullës. Toli caktoi ditën e dasmës. Gjithçka po kryhej me shpejtësi. Edhe dy javë dhe Nesti ikte ushtar. Që të enjte u përgatit kutaru(tendë e madhe), vendi ku do të zhvillohej dasma. Në mes të lëndinës, një tendë rreth tridhjetë metra e gjatë, e mbuluar dhe me pato druri e stola në mes, ishte gati për të shtunën dhe të djelën mbrëma. Kur nusja dhe dhëndri ishin nga i njëjti stan, dasma bëhej të shtunën për vajzën, në po të njëjtin vend dhe të dielën për djalin. U therrën rreth tridhjetë dele dhe shqera për secilën palë, duke mos përfshirë dhe ato që sillnin dhuratë dasmorët e ftuar. Ishte zakon që në dasëm pa një nimaj (krerë) hedhur supit nuk shkonte njeri. Kishte dhe nga ata si Jorgji që nuk kishin katandi e çonin lekë, ose ndonjë monedhë floriri. Të premte që në mëngjes, lëndina u mbush me zjarre, ku vërtiteshin sullat (hell) e mishit dhe kundërmonte gjithandej në gjithë pyllin ajo aromë e dasmave rëmëne, që rrallë mund ta hasje diku tjetër. Në këto dasma, rakia ishte pija kryesore dhe e vetme, pasi gratë nuk bënte vaki që të pinin. Edhe orkestra që të enjte, gjëmonte me lojën e saj. Klarinetën e qante Qaniu, në violinë si gjithmonë ishte i madhi Sulkë, kurse me daulle Rizai e gajden e kish Bastriu. U shtruan mezetë, që nga mishi me bollëk e deri te perimet si speca, kastraveca, fasule pllaqi dhe djathi që nuk mungonte kurrë. U pinë dollitë me rradhë, nga ajo e çiftit si fillim e më pas e krushkut, e fëmijëve të krushkut dhe deri te dollia e bagëtive. Rregulli në këto dasma ishte absolut. Fillohej nga dollibashët deri te më i vogli i ulur në stol. Pihej gjatë gjithë natës dhe nuk lëvizte kush nga vendi, se po të çohej do të ishte përbuzje për të gjithë. Konsiderohej burrë që nuk është i zoti të durojë dhe që e shfaq hapur dobësinë e tij. Në mëngjes shtrohej sofra e fëmijëve me paçe, kukurec, tasqebab në kazan e plot ëmbëlsira, të cilat gratë i përgatisnin në këto raste. Në mesditë, nën ritmin e orkestrës që nuk pushonte, sipas zakonit doli nusja e veshur me fustanin e kuq deri në fund të këmbëve, gjoksin mbuluar me qostekë argjendi dhe shaminë e bardhë që mbulonte fytyrën, mbushur me napolona floriri. Doli nga dera e shtëpisë dhe me këmbë rrëzoi, sipas zakonit, ollën me ujë. Rrokullisi dhe kulaçin nëpër lëndinë, të cilin e ndoqën fëmijët me potere dhe më pas hipi në kalin e bardhë që priste pesë metra më tutje. Dhjetë metra rrugë do të bënte nusja, por zakoni e donte të hipur në kalë. Një proverb thuhej në stane, kur donin të mallkonin ndonjë vajzë: -“Mos të hipshin në kalë ishalla!” Prandaj, ky rit zbatohej edhe kur dhëndri e kishte shtëpinë ngjitur me nusen. Karshi, nusen e priste vjehra Kati, e cila e puthi si fillim në ballë. Më pas, me

31


dorën të lyer me thëngjill, i bën një shenjë po në ballë. I vendos pak gjalpë në dorë e me dorën e nuses në të sajën, i mëson të prekë trarin e sipërm të hyrjes së kasolles. E kështu fillonin dhe vallet e këngët në krahun tjetër, gjatë gjithë natës me iso dhe me shëndete të urdhëruara. Në këto raste këndohej një këngë nga gratë.: Nu ku salltaneti, nu ku perifanjë Nu ku kapu sus, apunu nijamë Kënd esh tu mejdani, tish ka vërë llunë Fiçorjë lla stani, mash ku tini ngurë Kënd esh lla portë, kutia turmënë Ti mutresht pi stranjë, s’noj vër per di llënë Polla qëndësitë, mutu di dininti Kë ti ved fiçorjë shi xhokë di minti Shamea di sirmë, mutu di digushë Kë ti ved fiçorjë sh’ti fak shëllëndrrushë Mëgor di asimi , skoti di sëmsorë Kë ti ved fiçorjë, sh’ti vreri va s’morrë Dali fëcli a tëli, dau meri rroshi N’jis ti ved fiçorjë, njaxënopc pi steli. Shqip Jo me salltanet, jo me krenari Jo me kokën lart, ule pak tani Kur del në mejdan, je porsi një hënë Djemtë aty në stan, ty të përgojojnë Kur del në derë, me pasqyrë në dorë Shikon robat të pastra të jenë Përparëse qëndisur, hiqe me të shpejtë Se të shohin djemtë dhe ikin nga mëntë Shaminë sërmaje, hiqe ti nga qafa Se të shohin djemtë dhe të gjen belaja Qëndisma argjëndi, hiqi ti nga gjoksi Se të shohin djemtë, e për ty do plasin Dy faqet e tua, si dy kokrra molle Në ëndër djemtë të shohin, natën nëpër yje. Po nuk rreshtnin dhe këngët e burrave. Gjatë gjithë natës pihej me shëndete të plota. Po të pihej dikush, kapej menjëherë dhe nxirrej jashtë ose e shoqëronin në kasollen e tij. Loni ishte i vetmi që nuk piu në dasëm e nuk vuri asgjë në gojë. Kur shikonte Janullën të veshur nuse, nuk u besonte syve. Një dasëm e tillë nuk ishte parë në ato anë, si nga shpenzimet ashtu edhe ngutja për tu bërë. Hall i madh ky, për të përkëdhelurin tonë, Lonin. Nuk mundi ta mendonte se si do t‟i dilte para Janullës si kunat i të shoqit. U bënë një shtëpi dhe zemra u rrihte përsëri si dikur, kur shkëmbenin shikime e buzëqeshje të ngrohta. Vetëm Dhoksi qorrja si e thërisnin të gjithë aty në stan nuk u pa gjëkundi ditët e dasmës.

32


Mbaroi dasma dhe rëmënët po përgatiteshin të shtegëtonin në myzeqe. Puna më e vështirë për ta gjatë gjithë jetës, ishte dita kur merrnin rrugën për shtegëtim. Delet duheshin mjelë dhe mushkat ngarkoheshin me veshjet e orenditë e tjera. Edhe fëmijët e vegjël ngarkoheshin në ato mushka, të cilat ishin zgjedhur të urta që të evitohej ndonjë rast rënie të tyre. Ndaheshin punët për secilin, rregulloheshin qentë dhe më pas karvani merrte rrugën. Të gjithë me rradhë në kolonë, familje me burra, gra, fëmijë e pleq, me kuç e me maç. Ja si shkruante poeti Xhimo për këtë rast: Kërvënjli undupollantë, okëca kala zinxhirr Sprusta muntili ku ntrorë, shuputir di shuputir Apa ci nu sbëga ngurrë, pit aumbërë di janurë Ti qërollu ci tërkurë, amintarë shi qërurë Pidhisic ej bana tutë, vindja eftënë shllo skumpë Zënati ti nësh ma vrutë. Shqip: Karvanët njëri pas tjetrit, e zinin rrugën zinxhir Malit merrnin të përpjetë, burim më burim Uji nuk vihej në gojë, nënë hijen e ahishtes Për kohën që kishte ikur, herë fituar e herë humbur Të lodhur një jetë të tërë, shisnin lirë e blinin shtrenjtë Zanati për ta, më i dashuri. Udhëtonin dhe njëkohësisht kullosnin gjënë e gjallë gjatë rrugës. Kur i zinte nata, pranë ndonjë burimi e ku kishte edhe vend boll, ngrinin tendat e leshit që përdoreshin vetëm për këto raste, pasi ishin mjaft të volitshme për t‟u ngritur shpejt. Përbërja e tyre me lesh dhie dhe i rrahur fort në vegël, i bënte të qëndrueshme edhe ndaj ndonjë shiu të mundshëm. Ato kishin një punim të ngjashëm me gunat, por pak më të holla për efekt përdorimi. Si milingonat që nuk ngatërrohen ndonjëherë, secili bënte punën e tij. Dikush mblidhte dru për zjarrin, një tjetër priste purteka të sajonte një pato portative për të vendosur shakujt e djathit. Më të rriturit milnin delet e gratë me bucelat në duar shkonin për ujë. Ato më të moshuarat nxirrnin kërpëtorun (jastragaçin) e vinin në përdorim qërqellun(saçin) për të bërë gati darkën dhe deri në mesnatë gjithçka kthehej në qetësi të plotë, e gjumi bëhej me një sy hapur e një mbyllur. Që herët në mëngjes, prish e ngarko mbi mushkë dhe karvani nisej përsëri. Por Tolit i tregonte gjyshi për një ngjaje jo dhe aq të zakontë që në atë kohë u kish ndodhur gjatë një udhëtimi të tillë nga mali për në myzeqe. “Ishim duke zbritur me kullotë malin e Tomorit dhe në mesditë afër një fshati në një luginë qentë të lebetitur lehnin afër një ferre. Ne kujtuam në fillim se mos ishte ndonjë lepur fshehur aty. Por nuk ishte lehje lepuri ajo e qenve, as lehje për ndonjë ujk a kafshë tjetër pylli. Tjetër gjë i shqetësonte qentë tanë. Gratë të ngarkuara po ecnin njëra pas tjetrës dhe kuajt e mushkat gjithashtu ishim vargosur. Qentë kishin rrethuar ferrën dhe lehnin me të madhe sikur kërkonin ndihmë. Dhe vërtet aty ishte fjala për të ndihmuar një qënie njerrëzore që ishte braktisur kushedi se nga kush. Një vajzë e vogël mes ritmit të lehjeve dhe frikësimit prej tyre kishte vënë kujën. Ishte shumë e vogël, e mbështjellë me një batanie dhe me një

33


kapuç në kokë. Unë shkova i pari aty dhe si fillim largova qentë. E mora në krahë dhe e tunda derisa vajza pushoi së qari. Gratë u mblodhën rreth meje dhe e para gruaja ime duke ma rëmbyer nga dora thotë. -E paçim me ymër o burrë, të na rojë e të bëhet nuse. Të gjithë shtangën në vend. Ne kishim pesë fëmijë, vajza ishte e gjashta dhe tre të tjerë pas saj më dhuroi gruaja ime. E ritëm me pekule dhe e quajtëm Ngjelica. Ngjelica nuk e mori vesh kurrë që ishte një vajzë e braktisur prej prindërve të saj. I bëmë pajë dhe e martuam si gjithë vajzat e tjera. Ajo nuk mësoi asnjë gjuhë përveç gjuhës rëmëne. Ngjelica pati një fat të mirë dhe burri i saj u plak me të duke e mbushur shtëpinë me vajza, djem nipër dhe mbesa plot. Vetëm nga barku i Ngjelicës duke llogaritur dhe dhëndurët dhe stërnipërit e saj bëheshin reth njëqind frymë. Në dasmën e vajzës së vogël të saj stani gjëmonte nga zhaurima e stërnipërve të saj. Ne krenoheshim me të dhe për faktin se ajo nuk e mori vesh kurrë se ishte një jetime e gjorë”. ***** Do të ishte një ditë e pazakontë dhe e paimagjinueshme, dita kur Loni me Janullën do të takoheshin ballë-përballë. Secili kishte përfytyruar një lloj takimi më vete. Loni përfytyronte: “Një ditë e diel në kasolle, kur në shtëpi nuk ndodhet këmbë njeriu e prezenca e tij aty e tremb Janullën. Ajo i flet ashpër dhe e përzë me një kërrabë thane në dorë.” Edhe ajo, nuk kish ditë që mos e kalonte nëpër mend takimin që mendonte se do të ndodhte një ditë. Ja si e përfytyronte Janulla: “Të dy në kasolle, pasi Toli nisej me dhentë e Kati shkonte për të shitur shajakun në Korçë, fëmijët e tjerë duke luajtur në shesh. Të dy vetëm për vetëm. Ndërsa Janulla rrinte e mërzitur, Loni e pushtonte me të shpejtë në krahët e tij. Pas veprimit të tij, ajo dorëzohej menjëherë dhe ndihej e kënaqur nga ajo që po ndodhte.” Por nuk ndodhi asgjë nga ajo që mendonin. Atë mëngjes, kur Loni kishte hyrë në shtëpinë e tyre si dhëndri i parë i familjes, kasollja të themi e jo shtëpia iu duk shumë e vogël, pasi brenda përveç Nestit që mungonte, të gjithë pa përjashtim ishin aty. Sytë e tyre nuk po gjenin kohë për të shkëmbyer një shikim. Janulla shërbente e nuk e ngrinte kokën lart. Ishte nuse e re dhe zakoni e donte të vepronte ashtu. Jo vetëm zakoni, por dhe prezenca e Lonit ia vështirësonte këtë qëndrim. Të gjorës vajzë ,i dukej sikur të gjithë e dinin lidhjen e tyre para martese. Nga ana tjetër dhe Loni ndihej keq, njëherë skuqej e njëherë i dilnin djersë të ftohta. Siklet të tillë ai nuk kish ndjerë ndonjëherë. Do ishte turpëruar Loni, po mos kish folur Kati dhe mendimet e tij të përqëndroheshin te pyetja e saj. - Krushkun si e kemi, krushkën e atë gjënë e gjallë? - Të faleminderit, mirë janë të gjithë, edhe bagëtia për bukuri. Loni u shkëput plotësisht nga Janulla dhe sikleti i mëparshëm iu largua, kur në kasolle hyri Ollga, e fejuara e tij. Ajo shkëlqente si një llunjinë(dritë). Ishte veshur me rroba të reja, kadife në ngjyrë blu dhe me një shami në kokë, të qëndisur me shumë ruaza të bukura po në ngjyrë blu. Ollga foli, por nuk i dha as dorën Lonit. Qëndronte në këmbë si e hekurosur. E gjora vajzë, i dridhej trupi nga turpi. E kishte për herë të parë që shihte të fejuarin në shtëpinë e saj dhe para të gjithëve, të atit, të ëmës dhe motrave e vëllezërve të vegjël. Heshtjen e krijuar pas ardhjes së Ollgës, e theu Toli.

34


-Dëgjova se do i shisni delet dhe gjithë gjënë e gjallë. Po çuditem, se deri tani nuk kemi dëgjuar asnjë që të ketë marrë një vendim të tillë. - Njëri duhet ta marrë këtë vendim, se dita kur do na i marrin të gjitha po afron. - E di more djalë, po kjo duhej bërë më parë, se tani nuk ka budallenj që blejnë. Tani, të gjithë duan të shesin, se po vërtitet tërmeti. - Nuk i dihet. Ka edhe nga ata që nuk dinë gjë e nuk i besojnë këto pëshpëritje. Të dielën, gjithë kopenë do e nxjerrim në Pazar. Rreth katërqind i kemi të porositura e të shitura e tani, na kanë ngelur dhe njëmijë e shtatëqind. - Mbarë ua bëftë Zoti more djalë. Megjithëse e vështirë kjo punë, prapë them edhe unë që nuk i dihet, mund të ketë edhe njerëz që blejnë. - Ne do e provojmë sa s‟është vonë këtë punë dhe do të vendosemi në Korçë. Kjo erë që fryn, them se do na dalë për mirë aty. - Asgjë nuk është e sigurt. Tani e tutje mor djalë, asgjë nuk do kemi të garantuar. E mori në dorë fukarai dhe deri sa të bëhet i pasur ai, të gjithë kanë për të vuajtur e s‟kanë për të ngritur kokë. Pas rakisë që solli Janulla, tani kafenë e solli Ollga. Si Loni edhe Toli, rufisnin kafenë në heshtje. U ishin mbaruar të gjitha fjalët dhe as njëri e as tjetri nuk kishte në mendje diçka për të thënë. - Unë po çohem se kam punë - tha Toli dhe u ngrit duke përshëndetur Lonin e duke rrëmbyer nga kosta varur, torbën e bukës. – I thuaj babait të vijë e të fjalosemi se kam diçka për t‟i thënë. Loni aprovoi me kokë. Tani që u largua ai, si do t‟ia bënte hallit që aty më këmbë qëndronte akoma Janulla, e cila e shqetësonte dhe e sikletoste pa masë! I çoi sytë me marifet dhe e vështroi në një moment, kur Ollga nuk po shihte drejtim tij. Janulla kishte kohë që ia kish ngulur sytë dhe nuk ia shqiste. Shikimet e tyre, përsëri si dikur, u bashkuan dhe ajo dalloi pafajësinë e tyre që e shprehnin fare lehtë e ajo buzëqeshje, që asaj nuk iu duk aspak e shtirur. Po ashtu, edhe Loni dalloi një ëmbëlsi në atë shikim. Situata sa vinte e rrëndohej për Lonin. Ai vendosi të çohej e të largohej. Ndonjë punë nuk kish, por ai siklet e detyroi të ikte prej andej sa më parë, se nuk i dihej ç‟ndodhte. - Unë po largohem, mirupafshim- i takoi të gjithë me rradhë edhe Ollgën, e cila pas largimit të të atit, nuk pati turp t‟i jepte dorën të fejuarit të saj. U ndje e lumtur dhe kuqërimi i fytyrës e shprehu më së miri atë që ndjeu. Edhe Loni u skuq në fytyrë kur takoi Ollgën, por një skuqje të lehtë e mori edhe në praninë e Janullës, që askush nuk e vuri re përveç saj. I përzihej miqësia, dashuria e krushqia. Gjithçka dukej e dyzuar, e dytrajtshme në kokën e tij. Bluante i gjori djalë, nëse do të vazhdonte ta donte Janullën akoma apo jo dhe a do të hiqte dorë ndonjëherë nga Ollga, të cilën e dëshironte pothuaj sa Janullën. Kjo dashuri e dyfishtë, të cilën e ndjente për të dyja nuk ishte ogur i mirë. Por ngushëllohej me faktin, se asgjë nuk bënte me vetëdijë. Ishte zemra ajo që vepronte e nuk i linte vend asaj që do të dëshironte ai. ***** Nuk kaloi shumë dhe zemra e çoi Lonin atje te përroi i fshehur në një gëmushë ahu. Dy herë kaloi Janulla, bashkë me Ollgën për të mbushur ujë, por ai nuk lëvizte vendit. Për herë të tretë, Janulla ishte vetëm fare. Kur e pa nga larg, atij nuk po i besohej që një gjë e tillë po ndodhte. Nuk dinte si të vepronte. Të dilte dhe të bisedonte me të, kishte frikë se

35


mos e shihnin. “Do ta vështroj dhe do ngopem me fytyrën e saj që vezullon si drita, se që këtu nga thellësia e gëmushës, nuk kam guximin t‟i dal përpara”. Po mendonte këto, kur ndërkohë Janulla ishte afruar te gëmusha e tij dhe brofi prej andej si një lepur që trembet prej zagarit. Zemra e kish futur në bela. Janulla u hodh përpjetë, por nuk lëshoi zë fare. - Më tromakse, më iku zemra fare, më pushoi - dhe u përkul sikur po i binte të fikët. Loni e priti në krahët e tij dhe po e qetësonte si një shqerë manare me fjalë të ëmbla. Ai ishte i sprovuar në kësi punësh. - Mos u frikëso, jam unë që mos qofsha! Kursesi nuk doja të të takoja dhe kushedi sa herë kam menduar që mos të të bie në qafë, por nuk më lë kjo e uruar që kam këtu në kraharor. Ajo më turpëron sa herë që të shikoj dhe ndonjë ditë ka për të më ngrënë kokën. Janulla dëgjonte dhe ende bënte sikur nuk ishte zgjuar nga ai mankth. Dëgjonte fjalët e bukura të Lonit, të cilat sa vinte dhe i pëlqenin më shumë. Mbeti varur në krahët e tij dhe nuk dinte ç‟të bënte. Loni nuk priti që ajo të largohej, por e çoi në mes të kupit të ahishtes dhe e vendosi për tokë. Janulla u përpëlit disa herë duke e kundërshtuar dhe u përpoq të shkëputej nga krahët e tij, por ishte e pamundur. Ai tashmë e kish futur nën këmbë si një dele kur qethet. - Maskara, më le vetëm. Nuk bëre asgjë që të më mbroje dhe të më merrje me vete, ashtu si më thoje dikur. Tani unë mbeta vetëm fare dhe nuk e di si do më vejë filli. Loni e përqafoi fort dhe filloi ta përkëdhelë e ta puthë. Ajo përpëlitej dhe njëkohësisht, ia kthente ndonjë puthje. Edhe donte e gjora vajzë, edhe s‟donte. Puthjet e tyre vazhduan gjatë, e aq gjatë, sa ata harruan që nuk ishin burrë e grua. Janulla u shtri në kupin e ahishtes dhe ai ia ngriti fustanin kadife përpjetë. Në pak kohë, edhe këmbët e saj u bënë bigaçe dhe të dy ishin në kulmin e zjarrmisë e nuk po komandonin asgjë. Loni i fliste ngadalë dhe ajo, përveç rrënkimit, nuk i ktheu asnjë përgjigje. - Dëgjo Janulla, duhet të rruhemi. S‟duhet të na ndodhë ajo, që edhe kur e kaloj nëpër mend, më dridhet trupi. Ti i di zakonet e malit. Nesti është djalë i mirë dhe familja ku kemi hyrë unë dhe ti bashkë, është shumë e mirë. Ne duhet të takohemi rrallë, që mos biem në sy . - Si the? Na qenka familje e mirë! Me mua ta ka qejfi, po nuk mendon të gjesh një zgjidhje që t‟ia mbathim? Shkojmë në Korçë ose në Greqi. Ku u zhdukën ato fjalët e bukura që më thoje dikur, aty te përroi? Fluturuan. Faj nuk ke ti more djalë, se fajin e kam vetë që të besova dhe më e keqja tani, vij këtu e ti bën me mua atë që do. - Po unë vetëm ty të dua, moj Janulla. Gjithë jetën do të të dua, ashtu si ditën e parë kur u njohëm. - Po pse, dashuri është kjo këtu në mes të pyllit dhe në mes të kaçubave? Ik tani dhe s‟dua të shikoj të më ndjekësh nga pas. Kjo ngjarje, po të pikasej nga njeri, do të bëhej hataja. Nuk po i llogarisnin pasojat fare. Loni nuk po e besonte që ishte duke e bërë me nusen e kunatit të tij. Kurse Janullës, e cila ishte djegur nga dashuria për të, nuk po i bëhej vonë. U ndanë në mbrëmje dhe secili u largua në punë të vet, me ndjesinë dhe frikën e thellë në shpirt, se kjo do të ishte hera e fundit që ata shkonin bashkë dhe nuk do të përsëritej kurrë më. ***** Rëmënët u mblodhën në mes të sheshit me lëkurët e kriposura që kishin grumbulluar gjatë muajit. Kishte ardhur “Evgjiti”. Asnjëri nuk ia mësoi emrin mbledhësit të lëkurëve.

36


Të gjithë e thërrisnin Evgjit. I zi dhe bukurosh me flokë të dredhura përpjetë, evgjiti kishte prezencë dhe sa herë shkonte në mal, do të kishte ndonjë lajm të ri që ende nuk ish dëgjuar nga rëmënët. Fluturonte Evgjiti, kur merrte vesh se lajmi që sillte ende nuk kish depërtuar në ato anë. Në lëndinë kullosnin tri mushkat e tij. Të treja me kapistaj të stolisur gjithë xhufka dhe lulka të kuqe e të verdha mbi kaptellin e samarit. - Kemi ndonjë të re nga pazari?- e pyeti Dhimoja. - Dëgjoni o çobenj të malit! Flitet se shumë shpejt, do të shpronësohen të gjithë të pasurit. Do t‟iu merret gjëja e gjallë dhe toka përsëri. Do të krijohen ndërmarrje shtetërore dhe kooperativa bujqësore. Në Rusi, kjo punë është bërë dhe rezultoi me sukses. Ne që andej i marrim të gjitha. Kur të bashkohen të gjitha bagëtitë dhe toka të jetë e të gjithëve, të gjithë pa përjashtim do të punojnë në ndërmarrje e në kooperativë dhe do të bëhen të gjithë njëlloj, si i pasuri edhe fukarai. Flitet se do të bëhen njëlloj e kushdo ka për të ngrënë me lugë prej floriri. Evgjiti po u bënte politikë të mirëfilltë rëmënëve dhe as po mendonte të mblidhte lëkurët dhe t‟ia mbathte. Kishte lëkurë boll këtë muaj, se rëmënët kishin pasur shumë dasma. Derisa vinte evgjiti për t‟i marrë, rëmënët i thanin lëkurët në diell. I kriposnin dhe i palosnin njëra mbi tjetrën. Po i hanin brirët të ziut evgjit. Gazeta kishte muaj që fliste për reformën që po ndërmerte qeveria në drejtim të grrumbullimit të bagëtive dhe në hapjen e kooperativave dhe ndërmarjeve shtetërore. Dhe rëmënët aty në mal i dinin të gjitha. Kurse evgjiti kërkonte ti mësonte. - Do të bëhemi njëlloj të gjithë na the, zotrote Evgjit efendi, – i thotë Toli – këtë ne e dinim para teje, por harron një gjë zotëria jote. Ti nuk di që kur të bëhemi të gjithë njëlloj, nuk do të jemi ashtu si jemi ne, por ashtu si jeni ju, të gjithë evgjitër pa gjë e pa katandi. Edhe brekët do na grisen e s‟do ketë ku të na kafshojë më as qeni pastaj. Dëgjo more fukara, mblidh ato lëkurë sa të jemi ne, se edhe ti do të mbetesh pa punë po na i morën bagëtitë. Mblidhi dhe mbathja! Mos u mundo të na mësosh ne, se dimë çdo gjë para teje, e shumë të tjera që ty s‟mund të të kalojnë nëpër mend kurrë. Evgjiti e mbylli dhe filloi grumbullimin e lëkurëve. - Ke parë ti, të vjen evgjiti dhe të mëson se si ka për të ndodhur. Nuk të vjen të plasësh pastaj? – Dhimoja ishte nxehur dhe pasi i dorëzoi lëkurët evgjitit, u ul aty në shesh afër Tolit dhe xha Panos. Më pas u bashkuan me ta edhe disa të moshuar të tjerë, të cilët u shtruan këmbëkryq në lëndinë. - Dëgjon i ziu pëshpërima dhe i merr për të vërteta. Mirë e the ti more Dhimo, vjen e të mëson evgjiti. Po çfarë pret tani e tutje, ai zotrote dhe të tjerë si puna e tij, do të na komandojnë e të na mësojnë si të kullosim delet apo si të mjelim. - Mirë e the more Toli kapedani, – foli xha Panua - do na komandojnë zmenë (brekë) grisurit tani e tutje. Një plak rreth të njëqindave, dëgjonte dhe ende nuk po e kuptonte fillin e bisedës, megjithëse dëgjimin dhe shikimin i kishte për mbrekulli. Ai quhej Foto. - Nuk po marr vesh fare more djem, përse e kishit fjalën? Ç‟janë këta evgjitë që do na komandojnë? – pyeti plaku i çuditur, duke thithur çibukun e tij të bukur me qëndisma e duke i lëshuar lart shtëllungat e tymit, një nga një. Plaku i kishte mustaqet të vërdha, për shkak të atij çibuku, i cili nuk i ishte ndarë ndonjëherë gjatë gjithë jetës. Nga shtati dhe duart tregonte mjaft i ri, me pak rrudha në ballë dhe me një hundë pothuaj të zhytur në mustaqe. - Do ndryshojnë kohët more xhaxha e lum si ti që nuk ke për t‟i parë.- i tha Toli.

37


Ky ishte një sqarim i thatë, që nuk e bindi fort plakun. Toli, duke parë vështrimin e tij, filloi t‟ia shpjegonte më thjesht: - Dëgjo mor xhaxha, të gjitha delet dhe gjëja e gjallë do të grumbullohen nëpër kooperativa dhe ndërmarrje shtetërore. Do i marrë shteti dhe ne do të punojmë barinj te tufat e shtetit. - Po qumështin kush do e marrë more bir, qeveria? - Po xhaxha, qeveria. Po do e ndajë njëlloj te të gjithë. - Gjë që s‟bëhet ajo more bir. Ti e ke mallin tënd dhe ndonjëherë të mërzitet, imagjino pastaj të jetë malli i askujt apo i të gjithëve si the zotrote. - E dimë o xhaxha që nuk ka për t‟u bërë, prandaj jemi të shqetësuar. Na vjen keq të na ikin nga duart të gjitha sa kemi. - Keni për të vuajtur more bir, vdeksha unë dhe mos e pafsha këtë mënxyrë – mallkoi veten plaku. Të gjithë thithnin çibukët e mendimet rreth asaj çështjeje u shtjelloheshin. Me tymin që nxirrnin pa pushim nga goja, bashkohej edhe një psherëtimë, si aprovim i asaj gjëme për të cilën plaku mallkoi veten. Ka të drejtë i gjori xha Foto, një jetë të tërë njëqind vjet dhe një gjë e tillë nuk i kish ndodhur më parë. Kish kaluar plot peripeci dhe gjëma, po kjo që po dëgjonte ishte e pabesueshme për të. Evgjiti ngarkoi mushkat mirë e mirë me lëkurë dhe u la shëndenë. ***** Miho pagëzonte djalin e në stan kishte ardhur edhe Papa Xhoxhi, prifti i rëmënëve, i cili ishte i vetmi prift, që nuk linte rast pagëzimi, dasme apo vdekjeje të rëmënëve pa shkuar. Nun (kumbar) ishte Zoi. Djali mbushi një vit dhe duhet t‟i vihej emri sipas zakonit. Zoi e kishte zgjedhur emrin me kohë. Kishte pothuaj një vit që djalit i thërrisnin me emrin, me të cilin ai e thirri ditën kur e pranuan si nun të djalit. Jorgji, i ati i Raqit tregonte një histori, e cila i kish mërzitur në njëfarë mënyre të gjithë, se e tregonte në çdo pagëzim. Nallbati dhe samarxhiu ynë Jorgji, megjithëse e tregonte shpesh, kishte edhe nga ata që dëshironin ta dëgjonin përsëri. “Një rëmën – tregonte Jorgji – pasi e kishin akuzuar kot së koti për një vrasje, i ndodhur në burg para se të varej, kërkonte takim me mbretin. Fjala i shkoi në vesh mbretit dhe mbreti ia plotësoi dëshirën duke shkuar vetë në burg një ditë para varjes. Pasi e takoi, dëgjoi dëshirën e tij. - Më kërkove dhe ja ku erdha. Më trego hallin që ke dhe unë do gjykoj pas kësaj. E çove punën deri tek unë dhe besoj do të kesh një arsye të mjaftueshme. - Përderisa ju e dëgjuat lutjen time për t‟iu takuar, kjo tregon se jeni mbret i vërtetë dhe pa dyshim do ta plotësoni edhe dëshirën time para se të varem. - Fol, se po të dëgjoj me interes e respekt. Nuk po i besohej të burgosurit tonë që mbreti t‟i fliste me atë gjuhë dhe me aq dashamirësi. Ai e kishte sharë gjatë gjithë kohës që ndodhej në burg. Konsideronte fajtor mbretin në mënyrë indirekte, se ai e drejtonte gjithë shtetin. Nga kjo sjellje e mbretit, rëmënit tonë po i shtohej shpresa se do i plotësohej dëshira e fundit. - Fol pra, cila është dëshira jote para varjes? - Madhëria juaj, kam një hall të madh. Nuk më vjen keq që do të vdes, pavarësisht se jam i pafajshëm dhe nuk kam fuqi e forcë që ta vërtetoj këtë pafajësi. Problemi nuk qëndron te unë, por te një fëmijë i vogël. I kam dhënë fjalën se do ta pagëzoja dhe ditën që i bleva rrobat për ta veshur, nuk arrita ta vesh, pasi më arrestuan dhe më mbeti djali lakuriq. Çdo

38


natë, shoh të njëjtën ëndërr. Tridhjetenëntë fëmijët e tjerë që kam pagëzuar, më dalin në ëndërr të veshur e të gëzuar, kurse ky i fundit që nuk arrita ta vesh, më del aty në cep të rrugës lakuriq e më duket, si një lypsar që ka ndehur dorën përpara. Ne rëmënët madhëri, e kemi të shenjtë pagëzimin dhe veshjen e atij që pagëzojmë. Bëhemi prindër të dytë për ata që kemi pagëzuar. Po pati mundësi lartmadhëri, më lejoni ta kryej atë rit me prift dhe u jap fjalën se do të kthehem e do të më varni sipas urdhërit që tashmë është vendosur. Nuk do më tretë dheu madhëri, po nuk ma plotësuat këtë dëshirë. Gjynah për atë fëmijë, i cili pret nunin e tij ashtu, lakuriq.” - Jorgji e tregonte bukur, dhe nga njëri tregim në tjetrin, sa vinte dhe e zbukuronte më shumë. “-Ti ke pagëzuar dyzet fëmijë dhe ne kemi vendosur të të varim? Është hera e parë që po e dëgjoj për një njeri, i cili ka bërë kaq shumë për të tjerët. Të them të drejtën, edhe unë që jam mbret dhe më dëgjohet fjala kudo, në mbretëri nuk kam bërë kaq shumë sa ke bërë ti zotrote. Ti, jo vetëm që nuk je për t‟u varur, por do të shpërblehesh dyzetë herë, aq sa janë pagëzimet që ke bërë. Që tani do të jap urdhër të të lirojnë dhe shko e pagëzo djalin tënd. Për gjithë të tjerët, do të marrësh nga një peshqesh, si dhuratë prej mbretit. I dënuari me varje nuk po u besonte veshëve”. -Prandaj edhe ti Zoi, që do të pagëzosh sot djalin e Mihos, duhet ta dish se je njeriu më i nderuar i kësaj dite për të gjithë dhe në veçanti për familjen e Mihos. Paç dorën e mbarë dhe në dasmën e tij vënç kurrorë! Pas tregimit të Jorgjit e mori fjalën Papa Xhoxhi me rregullat e tij të pagëzimit. E zhveshi lakuriq Sotiraqin e vogël dhe e zhyti të gjithin në vaj. -Në emër të atit, të birit dhe të shpirtit të shenjtë, të ngjyej në vaj dhe ti shenjtërohesh e lartësohesh, lumturohesh e bëhesh i krishterë në jetë të jetëve, amin. Pas tij, Zoi e veshi me rrobat e reja dhe në qafë i vari një monedhë floriri, të varur në një fije mëndafshi të hollë e të bukur. Në pagëzim ishte i pranishëm edhe djali i vogël njëvjeçar Kosta, vëllami i Sotiraqit të vogël. Të dy ishin bërë vëllamë që në barkun e nënës. Arsyeja e thjeshtë që u bënë vëllamë, ishte se të dy ishin meshkuj. Ndryshe sipas zakonit, po të lindnin me seks të kundërt, do t‟i fejonin me njëri-tjetrin. Kur dy rëmënë i kishin gratë shtatzëna në të njëjtën kohë dhe nëse e dëshironin me gjithë zemër lidhjen midis tyre, jepnin fjalën që të lidheshin përjetë, o me krushqi, o me miqësi si rasti i Sotiraqit me Kostan. Mihoja e lidhi këtë miqësi me të atin e Kostës, Vangjelin, vitin, kur ata punuan bashkë në trasportimin e qerestesë që bënë gjatë gjithë verës në Lenie. Ngryseshin e gdhiheshin bashkë dhe mundësitë që të miqësoheshin i kishin të mëdha. I dhanë fjalën njëri tjetrit, se po të lindnin njëri vajzë e tjetri djalë, do ti martonin. Në të kundërt përsëri miqësia do të ishte e njëjtë, do të bëheshin vëllamë dhe do të duheshin si të tillë, gjatë gjithë jetës. Po të lindnin femra, do të ishin surër (motra). Vëllami është shoqëruesi kryesor në evenimentet e jetës, sidomos në ditën e martesës. E kështu forcoheshin miqësitë dhe zgjerohej rrethi i lidhjeve me njëri-tjetrin. Por, kishte lidhje vëllamërie edhe me persona të feve të ndryshme, si të krishterë me myslimanë. Tolit, i kishte treguar gjyshi për vëllamin e tij Meleqin e Protopapës. Përveç kësaj, i kishte treguar edhe një histori për shenjtërinë që kishte delja, si bagëtia e zgjedhur e Perëndisë dhe këtë e lidhte dhe e konkretizonte me ngjarjen e tij më vëllamin. Kishin pirë gjakun e njëri-tjetrit, pasi i sheshuan mosmarrëveshjet që kishin me disa fshatarë të Protopapës, për arsye kullote. Meleqi njihej si kryeplak në fshat dhe i kish dhënë të drejtë gjyshit të Tolit. Pas një jave, pinë gjakun dhe u bënë vëllamë. Mbas kësaj ngjarje, gjyshi i dërgoi Meleqit pesë dele që pillnin nga dy shqera në vit dhe jepnin nga

39


dy litra qumësht. “Merri dhe do të bekojë perëndia vëlla. Nuk të jep gjë bujqësia, shtoi dhe ke për të ndryshuar.” Pas pesë vjetësh, Meleqi i bëri mbi tridhjetë kokë dhe vjen një ditë te stani i vëllamit të tij. I qeshte fytyra dhe plot gëzim, pasi u shtruan në konak, filloi të tregojë për delet: -Vitin e parë kur mora delet e tua vëlla, çdo natë shihja të njëjtën ëndërr. Më ishte bërë fiksim se do të bëhesha i pasur menjëherë, si më the zotrote. E në ëndërr më dilte fukarallëku dhe më përqeshte. Gajasej me mua e më thoshte, se nuk isha unë për atë punë. Zgjohesha i frikësuar se mos më rrëmbente delet, por pastaj dëgjoja blegërimat e më ngatërroheshin blegërimat me ëndrrën vazhdimisht. Kjo vazhdoi gjatë, derisa delet pollën. Kurse këtë vit, pas një kohe të gjatë, më doli përsëri ajo e flamosur varfëri, gjithë rrecka dhe zgjyrrë nga fytyra. E di ç‟më tha, more vëllai im i shtrenjtë : -Po ndahem nga ty njëherë e përgjithmonë. E hidhte lotin sa një kokërr arre. Po shkoj te ndonjë dembel që ende merret me lërimin e tokës dhe mbjell misër, atje ku nuk ka as ujë dhe pret nga Perëndia me rona-rona-peperona, që ti dërgojë shi. Iku vëlla dhe e gjitha falë teje. Të kam vëlla shkuar vëllezërve të mi. Gjyshi ia ktheu me marifet: -Dëgjo i dashur vëlla Meleq, ti tregove një histori që rrallë kush e beson dhe të duket si një përrallë, por delja me gjithë mend është e bekuar nga Perëndia. - Mua mu mbush shtëpia me lesh dhe bulmet që atë vit kur më hynë delet në shtëpi. Ngrije gotën vëlla dhe le ti harrojmë ato që kaluan. Hajd gëzuar dhe tu shtofshin ishalla. Aty në mal të gjithë kishin lidhje miqësie, krushqie, apo vëllamërie dhe për këtë arsye, të gjithë ishin të pranishëm në çdo sebep për mirë ose për keq. Do të ishte e nevojshme që edhe Loni, i cili ishte prezent në këtë pagëzim, të kishte të paktën një lidhje të tillë. I kaloi fluturimthi nëpër mendje, një histori tjetër me lidhje para lindjes. “Është fjala për Paqelinë dhe Vason. Kjo histori ishte sa e trishtë dhe e dhimbshme. Jo gjithmonë lidhje të tilla përfundonin mirë, por ishin të rralla. Prandaj tregoheshin si përralla, me qëllim që kush do të donte të bënte në të ardhmen një lidhje të tillë, të kishte kujdes në zgjedhjen e partnerit, për miqësi apo krushqi. Paqelia, e fejuar që pa lindur, ishte një vajzë ëngjëllore dhe e bukur, me sytë jeshilë e vetull mëgor(tegel i zi). Gërrshetat deri te beli. Punëtore dhe nikoqire që s‟e kishte shoqen. Kurse Vasoja, nuk ngjau as nga i ati e as nga e ëma, të cilët ishin të bukur dhe të gjatë si lisi. Vaso ishte i shkurtër dhe vinte i zi në fytyrë, si një evgjit. Flokët kaçurrela, hundën e gjerë dhe leshtor në gjoks e llërë. I kish ngjarë të gjyshit, thonin rëmënët. Gishtërinjtë e duarve i kishte aq të shkurtra, sa të jepnin datën. Lidhja e tyre vazhdoi deri në moshën gjashtëmbëdhjetë vjeç dhe më pas, u prish nga ana e vajzës. Megjithë ngulmimin e përhershëm të prindërve, që ajo lidhje të mos prishej, vajza nuk i dëgjoi. Arsyetimi për këtë rast ishte i thjeshtë e tregohej si proverb në male. Ishte një histori, të cilën e tregonin të gjithë kur bënin një fejesë. Një aksh, po fejonte vajzën dhe i kishin bërë një pyetje, në e njihte djalin me të cilin e fejoi vajzën apo jo. E ai ishte përgjigjur, se njihte të atin dhe nuk kish punë me të birin. Por dhëndri, me të cilin vajza e tij do të kalonte gjithë jetën, do të ishte pikërisht djali. I thanë se djali ishte shumë i shëmtuar. Dhe akshi ua kthen: - Sa bytha e të atit nuk do jetë! Po qe sa bytha e tij, fëmijët do i nxjerrë të mirë. Po kjo histori, nuk e ndaloi Paqelinë edhe pse e kish dëgjuar disa herë. Ajo ishte e vendosur që me Vason nuk do të martohej sikur të vdiste. Sa herë që ai vinte, ajo nuk mundi t‟i dilte

40


para kurrë dhe e shikonte përmes kostave të kasolles. I vinte pështirë prej tij vajzës së gjorë. Ishin munduar shumë vetë t‟i ndryshonin mendje, duke e mburrur se ishte djalë për së mbari, punëtor dhe i respektueshëm, me të gjitha të mirat, përveç pamjes. I ati, për ta mbyllur këtë histori, e fejoi dhe e martoi shpejt e shpejt diku larg dhe asnjeri nuk e mësoi se ku. Vasoja nuk e donte më veten. Filloi të ligështohej dhe në punë nuk shkonte rregullisht. Sa herë dilte në shesh aty mes rëmënëve, i dukej vetja si njeriu më i përbuzur dhe më i turpëruar nga të gjithë. Shikimet e njerëzve nuk i duronte dot e kishte një mal mbi shpinë i gjori djalë. Kështu nuk mund të jetonte i qetë dhe vendosi të dalë kaçak mali. Stan më stan, bashkë me një shok tjetër, i cili kishte dhe ai arsyet e tij për të lënë jetën, kishin dalë kaçakë. Të dy bujtnin nëpër stane e ku të mundnin. Stan më stan e me të pyetur Vasoja ra në gjurmë të Paqelisë së tij të shtrenjtë. Ai kishte krijuar një mendim për të , e vlerësonte dhe nuk e pranonte kursesi mundësinë që ajo të ishte bërë pronë e dikujt tjetër. Nuk do ta besonte kurrën e kurrës. Mjekra iu rrit dhe ishte shëmtuar edhe më shumë. I tmerronte të gjithë njerëzit që takonte, pavarësisht se u fliste me dashamirësi. Në një fshat të humbur në zonën jugore të Gjirokastrës, në periferi të fshatit e veçuar nga të tjerat, ndodhej shtëpia e Paqelisë. Tri ditë dhe tri netë ndenji Vasoja në mes të shelgjishteve afër përroit, duke pritur që Paqelia të dilte njëherë jashtë, por më kot. Ajo ishte në muajin e nëntë të barës dhe nuk lëvizte nga shtrati. Të gjitha punët i bënte e vjehra. Njëherë, ai vendosi të hynte brenda në shtëpi dhe ta vriste aty në shtrat, natën në gjumë që mos e shihte kush. Por, shoku i tij nuk e lejoi ta kryente një veprim të tillë. Pritën edhe dy ditë të tjera të fshehur mes shelgjishteve dhe natën e pestë Paqelia doli në oborr. Ishte si një engjëll që lëvizte e nuk linte gjurmë. Hëna e ndriçonte dhe Vasoja mbeti i shastisur kur e pa dhe lotët filluan t‟i turbullonin shikimin. - Qëllo, ç‟pret? Përse ke ardhur deri këtu? - Nuk mundem, nuk mundem ta vras. Ajo ka qenë ëndrra ime për një kohë të gjatë dhe e kam të vështirë të shkëputem prej saj. - Jeta jote nuk ka kuptim pas kësaj që ndodhi. S‟mund të kthehesh në stan si një dështak , si një frikacak që nuk diti të veprojë në momentin e duhur. Kur e doje aq shumë, pse dole kaçak? Të rrije më mirë në vend e ta haje turpin me bukë. - Mbylle gojën pash zotin, se do të t‟i hedh trutë në erë ty në vend të saj – iu hakërrua shokut me armë në dorë. - Mirë, po e mbyll. Po nëse nuk e vret, të largohemi atëherë. - Mbylle të thashë dhe rri e shiko, nuk ke të drejtë të më japësh udhëzime. Shikoje atë perëndi, tek vozit në këtë natë me hënë plot magji. Si një flutur më duket. Megjithëse barra ka bërë të sajën, ajo prapë ndriçon. Po, a vritet gjithë ajo bukuri? A mundet guximi im ta mposhtë këtë ndjenjë, e cila më ka pushtuar që kur kam qenë i vogël? I bënte këto pyetje vetes dhe lotët nuk i pushonin. Paqelia hyri brenda si një shtojzovalle pa dëgjuar gjë. Zagushia që ndjente përbrenda në muajin e nëntë të barrës, e detyronte të dilte e të freskohej jashtë në oborr, në këtë orë të vonë të natës. “Qenka e rëndë dhe shumë shpejt do të lindë. Do të bëhet me fëmijë, një kopil. Një fëmijë, i cili nuk do të jetë i imi. Po atëherë, unë përse duhet të jetoj? Që të dëgjoj sa i lumtur do jetë ai, burri i saj, me djalin dhe gruan e bukur si drita, pasi ma mori nga krahët përgjithmonë?” - Pse nuk e qëllove ti në vendin tim, more kaqol – iu hakërua shokut - Ti e dije përbetimin tim, se nuk do kthehesha i gjallë në stan pa e vrarë më parë. - Të thashë ta qëlloje, po ti më qaje si kalama. Ta ka bërë mirë që të la, se qenke me gjithë mend një frikacak e burracak.

41


Vaso nuk foli kësaj radhe e filloi të fshijë lotët. Mëndja filloi të tjerë kujtime të largëta. Ajo ngjarja e rrëmbimit nuk po i ndahej për asnjë çast. Ia kishte treguar Xhaxhai i tij që tani më nuk ronte e ishte bërë për rrahmet. Ishin dy vëllezër dhe për shkak të fukarallëkut që po i mbyste nuk i begeniste njeri për nuse. I kaluan të tridhjetat dhe të gjithë i tregonin me gisht. Por ata ishin fukarenj, por jo frikacakë. Një natë vere të dy i zunë derën një rëmëni që kishte shtatë vajza. Nga një thes me vete, hynë në kasollen e tjetrit pas mesnate. Rëmbyen nga një vajzë duke i futur në thes dhe me vrap morën pyllit tatëpjetë. Atë natë në atë stan nuk ndodhej asnjë burrë edhe qentë ishin larg stanit ku veronin bagëtitë per një periudhë kohe të shkurtër. Në fillim ulërinin të dyja më pas njëra pushoi, kurse tjetra vazhdonte të bërtiste. Ai që kishte vajzën që bërtiste në kuriz i thotë vëllait tjetër “Shiko se mos ke rrëmbyer ndonjë djalë dhe na mori lumi pastaj. Mos u merakos vëlla i thotë tjetri, se këtu në qafë më godasin dy gjyle të rënda, jam i sigurt se është femër.” Të dy qeshën me të madhe dhe nga ai çast edhe tjetra ndaloi britmën. “Edhe unë kështu të kisha vepruar. Tani në barkun e saj nuk do të ishte ai kopili por fëmija im. Kjo kokë do shtypur ja se çfarë do tani” Priti edhe dy ditë të tjera në pusinë e tij, që të dilte Paqelia dhe vërtet, ajo doli prapë si një zanë mali e lëvizte lehtë lehtë, që mos zgjonte as qenin që flinte lidhur në koliben e tij. Një krismë u dëgjua dhe qetësia e natës fluturoi. Kishte qëlluar shoku i tij. Një thirrje e lehtë për jetë dhe ajo, bashkë me fëmijën që kishte në bark, ra sa gjerë e gjatë.Vaso dhe shoku i tij kaçak vrapuan pothuaj deri në të gdhirë. Asnjë lajm nuk erdhi e s‟u mor vesh gjë për Vason. Dikush supozonte se kish shkuar në Greqi dhe atje mbase kishte filluar një jetë të re. Të tjerë, që ia njihnin karakterin dhe duke ditur sa fort e deshte Paqelinë supozonin që, pasi kish vrarë edhe shokun që kishte qëlluar mbi të, me patjetër kishte vrarë edhe veten.” Loni nuk po kuptonte, përse kjo histori po e ngacmonte në një ditë kaq të gëzueshme. Në mes të lëndinës, të gjithë të ulur mbi çorgat e kuqe, festonin emrin e ri që mori Sotiraqi i vogël prej kumbarit të tij, Zoit. Shqerat ende vërtiteshin mbi furka dhe ishin në fazën e fundit, kur u zbulohej kocka e këmbëve të prapme.( E linin të ftohej plotësisht që mishi të quhej i pjekur ). Atë ditë, një vajzë që kish mbushur të trembëdhjetat kërkonte sipas zakonit të vjetër, që të shenjohej në ballë me kryqin e fesë së saj dhe të betohej për krishterimin në prezencë të priftit. Por papa Xhoxhi nuk e kreu këtë rit, pasi kishte vite që nuk kryhej më. Ky rit mbas rënies së perandorisë Turke filloi të humbë. Turqit mblidhnin shumë vajza të reja, nëpër ato zona ku nuk paguheshin, as haraçi dhe as detyrimet ndaj Perandorisë dhe ia çonin sulltanit. Kurse rëmënët i plotësonin këto detyrime, por kishin merak se rrëmbenin vajzat e tyre. Për këtë situatë, vetë sulltani u sugjeroi rëmënëve, që vajzave mbi moshë trembëdhjetë vjeçare, t‟u tatuohej një kryq në ballë, për t‟u dalluar nga pjesa tjetër e popullsisë. Ekziston edhe një version tjetër për këtë kryq, që vajzat kishin në ballë. Rëmënët ishin mbrojtësit kryesorë të krishterimit dhe këtë e tregon fakti që ata nuk i ndërruan kurrë emrat e tyre në emra myslimanë. Disa vajza dolën në shesh e filluan të kërcenin vallen e voskopojës. Ishin të gjitha të veshura me rroba të reja dhe secila, njëra më e bukur e më lozonjare se tjetra. Më pas u shtrua mishi dhe dollia me raki kumbulle e raki thane, e cila u ngrohu krahërorin të gjithë burrave. Loni qëndronte si mbi gjemba dhe nuk i fliste askujt. Ceremonia e pagëzimit vazhdoi deri në mbrëmje vonë. Dhoksi qorrja shikonte gjith pezm nga dritarja gjysëm e mbyllur e tendës së saj. A nuk kishte dhe ajo të drejtën e Perëndisë që të ishte martuar dhe të lindëte fëmijë si gjith të tjerët, ti pagëzonte dhe ajo me emrat që nuni i saj do

42


dëshironte t‟u vinte. Dhoksia ishte e vetmja grua në stan që mosha i kish ikur dhe ende nuk gjente një burrë të kallëpit të saj. Gjithshka i dukej e neveritshme të gjorës grua që nuk u bë e tillë asnjëherë. Pothuaj të gjithë aty në stan ajo i urrente, sidomos, prindërit e saj që kishin rënë pas punës dhe e lanë në hallin e saj vetëm. Poeti Xhimo nuk harroi të recitojë vargjet e tij. Llaj rëmënj voj di pi tendi Plinj di çorx shë di vilenxi Ma ti kënd li ashtërat mpadi Tuti nali shi mushati Pi mullër nxjanë arukati Ku funj di llënë lëgati. Shqip; O ju rëmënj nëpër tënda Plot me çorga dhe velenxa Kur i shtronit në lëndinë Shumë e shtonin bukurinë Përmbi mushka hedhur sipër Me litarë leshi lidhur. *****

Me nxitim u bë edhe dasma e Lonit me Ollgën. Një zakon ky, që për rëmënët ishte përgjithësues. Përveç rasteve kur fëmijët i fejonin që në djep, fejesat e tjera nuk zgjasnin më shumë se një vit. Sa ishte kthyer nga pazari, me një tufë delesh që i ktheu përsëri mbrapsht, Toli i sistemoi delet në vathë e pa zgjuar njeri, hyri në tendë si një hije. Nuk i hiqej mendja nga pazari. Kush blinte, i donte për badjava fare dhe pazari ishte deng. Atij i vinte keq t‟i dorëzonte delet e tij për t‟u therur te kasapët e Korçës, se jepnin nga një litër e gjysëm qumësht secila. “Më mirë t‟i marrë qeveria – mendoi – se sa të theren .” Të shoqen e gjeti në gjumë. Gratë e rëmënëve flinin shpejt zakonisht, por mëngjesi i zinte me një barrë punë të mbaruara. Zgjoheshin që në orën një ose dy të natës, ndiznin kandilin dhe fillonin të tirrnin, të punonin qilima në vegël, të bënin çorape ose fanella leshi, të cilat rëmënët, i vishnin si në dimër dhe në verë. - Po fle moj – i foli shkurt gruas, ashtu si e kishte zakon Toli t‟i fliste. Gjatë gjithë jetës së tij që kur ishte martuar, asnjëherë nuk i kish folur me emër. Nuk kishte rëmën që i fliste me emër gruas së vet, sidomos në sy të njerëzve. Kati u përpëlit dhe u çua menjëherë për t‟i përgatitur kafenë. Toli e kapi nga krahu dhe e ndaloi për një moment. - Nuk dua kafe moj grua, por dëgjo ç‟do të të them. Vendosa të bëjmë edhe dasmën e Ollgës, sa s‟ka rënë mirë tërmeti i bagëtive. - Kaq shpejt more burrë? Ne ende nuk e kemi marrë veten nga dasma e djalit! - Të dielën, lajmëro të gjithë të afërmit e miqtë, se Dhimon, krushkun e lajmërova në pazar. Ishte bashkë me dhëndrin e kështu ramë dakord të tre.

43


Dhe me nxitim përsëri, u mblodhën të gjithë për dasëm. Filloi përsëri therrja e deleve dhe shqerrave, por këtë radhë pa kursyer fare, se dihej që do vinte qeveria t‟i grumbullonte për t‟i çuar nëpër kooperativa. Tani gjithçka ishte e qartë për ta. Dihej tashmë nga të gjithë, se ishte fundi. Për çudi, kjo dasëm nuk zgjati më shumë se tri ditë, shumë më pak se gjithë dasmat e tjera, pavarësisht se mishi ishte me shumicë, si asnjëherë tjetër. Orkestra, si gjithmonë me Qaniun në klarinetë, Sulkën në violinë, Rizain në daulle e të madhin Bastri në gajde, buçiste pa pushim. Në mesditën e së dielës, para se të vinte dhëndri për të marrë nusen, orkestra ishte në kulmin e saj. Po luhej një valle, të cilën dikush e quante “vallja e shpatave” e dikush tjetër “vallja e besës”. Kishte edhe persona që e kërcenin vetë vallen e në momentin kur e porosisnin te sazexhinjtë, u thoshin të luanin për ta: “Vallen e burrit” Kjo për vetë faktin se luhej nga burrat dhe tregonte aq thjesht trimërinë e tyre për të dashurën e zemrës. S‟ka se si mos vritej një rëmën mali për nder dhe vallja e pasqyronte mirë këtë fakt. Kjo valle i nxehu kërcimtarët e dukej sikur po luhej për Vason dhe Paqelinë. Vetëm se në valle nuk vritej nusja, por kundërshtari i dhëndrit. Më shumë i shkonte për shtat Lonit tonë, që sot do të merrte nuse Ollgën. Vallja luhej nga tre vetë e të tre meshkuj, vetëm njëri i veshur si femër, në rolin e nuses. Dhe pikërisht femrën e luante i talentuari Zoi. Fëmijët nuk e dallonin dot, se Zoi e luante bukur rolin e nuses. Dy të tjerët ishin Mihallaqi dhe Petroja, të cilët ishin më të rinj se Zoi në moshë. Të dy mbanin në dorë nga një hanxhar të madh, si në vend të shpatës dhe i përplasnin nën rritmin e daulles, duke kërcyer me duar e me këmbë. Në mes tyre, Zoi si femër mundohej t‟i ndante duke kërcyer gjithë naze. Bënin kërcim nën ritmin e muzikës dhe aktrim në të njëjtën kohë, me gjeste sa qesharake, aq edhe domethënëse. Në përfundim të valles, Petroja vret Mihallaqin duke treguar burrërinë e tij dhe pas këtij gjesti i hap gjoksin dhe ia çan gjoja me thikë, për t‟i nxjerrë të brendshmet. Tek fëmijët u përjetua thellë kjo skenë, edhe me lotë në sy. Në barkun e Mihallaqit ishte lidhur një litar i hollë, që para kërcimit, që të tregonte zorrët e brendshme. Si në kohën e garës së deshinjve, kur Petroja i mbështolli zorrët e dashit, ashtu e bëri dhe me litarin. E mblodhi këruni, sikur të ishin me gjithë mend zorrë. Nën ritmin e muzikës, finalja u mbyll me rrëmbimin e vajzës në krahë dhe vendosjen e thikës në gojë. Zoi ishte vënë në rolin e nuses, pasi ishte edhe i lehtë si një pendë. Në fund duke qarë, ai heq vellon nga koka e fustanin prej kadifeje dhe ky ishte momenti kur të gjithë fëmijët u çliruan pas gjithë atij ankthi. Mihallaqi çohet më këmbë dhe mes duartrokitjesh largohen të tre nga vallja. Gajdexhiut sa nuk iu ça gajdja, kur në sfond u dëgjuan krismat e pushkëve, të cilat po lajmëronin ardhjen e krushqve. Pasi i rehatuan krushqit në kutar, në valle dolën të gjitha vajzat e pafejuara, njëra më e bukur se tjetra. Të gjitha belkëputura e me gërsheta dhe të stolisura me qostekë argjendi. Ishin të dlira, të freskëta e të ngopura nga ajri i freskët i malit dhe të lara në ujin e ftohtë të burimit. Mbase në këto valle e kishte gjetur frymëzimin dhe poeti Xhimo. Ja si shkruante ai për to : “Mvishtera o vja mulltë grau Ku malinili di llënë Kaj cido ci li vëdja Xicja vëxuj në rëmënë Shkënd fuxja ka mintuiti Totëna ku lluk turmënë.

44


Dhe në shqip: Të veshurën kishin të rëndë Me malina gjithë lesh Thotë: Pashë një rëmënë Kushdo që ato i sheh. Në rrugëtim të menduara Gjithmonë me punë në duar.

Loni, edhe në dasmën e tij e gjeti momentin, që një shikim të ëmbël t‟ia dhuronte dhe Janullës. Edhe ajo i buzëqeshi dhe për çudinë e të gjithëve, kjo nuk i shpëtoi Tolit pa e kapur. Toli ishte mjaft i mprehtë e i zgjuar dhe një shikim të tillë dinte si ta përkthente. Kishte vënë re edhe ardhjet e tij herë pas here në shtëpi, vend e pa vend dhe intuita e një njeriu si Toli, mosbesuese e dyshyese, e detyroi edhe për këtë gjë që ta shpejtonte martesën. Por, asnjeriu nuk i kishte treguar për dyshimet e tij. “Maskarai, edhe sot në ditën e dasmës së tij hedh shikime provokuese. Asnjëherë nuk e kishte pëlqyer atë djalë dhe më e keqja, e kishte cilësuar si dembelin e stanit. Po s‟donte t‟ia prishte krushkut, i cili ishte një burrë me një barrë mend, se po të ishte për të, as që bëhej fjalë të hynte në derën e tij” Toli nuk gabonte kurrë. Dyshimet e tij nuk ishin pa vend. Edhe Nesti ishte në dasëm. Katër ditë lejë kishte marrë dhe nuk pati kohë të çmallej me njeri, pasi e mbytën punët e shumta të dasmës. Që nga rrjepjet dhe pjekja e mishit, përgatitja e kutarut dhe të gjitha punët e tjera që ishin për burrat. Në mbrëmje vonë, pasi iku Ollga dhe punët e pas dasmës kishin mbaruar, Toli po bisedonte me Nestin. Biseda nuk po bëhej për ushtrinë e as për bagëtinë si gjithmonë, por në një plan tjetër. - Ke edhe një vit e gjysëm ushtri more djalë, larg familjes e larg gruas. - Si të gjithë more Baba, është detyrë që duhet kryer patjetër. E di që ke shumë punë tani që u largova unë, por bëj si të bësh edhe këtë kohë që do të mungoj. Toli nuk foli për një kohë të gjatë dhe çibukun e ndezi për herë të tretë. - Po, u farmakose more Baba. Ç‟bën ashtu, harron që e kishe ndezur edhe më parë? Paf puf me atë çibuk. - Farmak e kam shpirtin, more bir. Bagëtitë do na i marrin shumë shpejt, po më mirë të më vrasin, para se të na i marrin. Unë nuk do të jem në gjendje të përshtatem me jetën e re, si thonë ata. - Mëngjes për mëngjes Baba, në orë politike dhe në leximin e gazetës në ushtri, vetëm për këtë punën e tokave e të bagëtive, për ndërmarrjet shtetërore dhe kooperativat na flasin. I mësuam përmendësh, prandaj le të mos flasim për këto gjëra sot, në këtë gëzim. Tolit nuk i hapej goja për tjetër gjë. Dhe sikur të mos e kishte kritikuar i biri për çibukun, ai e mbushi përsëri. - Më thuaj Baba, mos ke ndonjë hall? E shoh që diçka ke, prandaj ma thuaj si burri burrit. - E di more bir që je burrë, por ka edhe disa gjëra që nuk thuhen e mbështillen këtu në gjoks për gjithë jetën. Nuk duan që të dalin, nuk mund të dalin. - Mos ka të bëjë me nusen time Baba edhe ti ma fsheh e nuk ma thua dot. Më trego, e që sot kam për ta çuar tek i ati nëse ka diçka. - Këtë muhabet lere me kaq, se të sqarova dhe mos prit më shumë nga yt atë. - Vetëm, më thuaj nëse është për nusen time dhe e mbyllim këtë muhabet.

45


Toli heshtte dhe thithte çibukun rrëndë. Nesti e njihte fare mirë Babanë e tij dhe e kuptonte që nga shprehjet e fytyrës. Toli nuk i sqaroi asgjë dhe e mbylli fjalën me një psherëtimë të thellë. -Jo more bir, nuk është ashtu si mendon. Je ende i vogël more bir dhe nuk mund t‟i dish të gjitha. Po Nesti nuk e besoi dhe një shkëmb i madh iu formua aty në gjoks me shpejtësi. Nuk i durohej sa të vinte mbrëmja, që të sqaronte gjithçka me Janullën. Nusja e tij doli nga tenda me kafetë në tabaka dhe u ul deri poshtë për t‟i bërë temenanë vjerrit dhe të shoqit. Ajo rrezatonte hijeshi dhe jetë. Nesti, megjithë sa dëgjoi nga i ati nuk po i ngopej nuses së tij, duke e kundruar dhe e përpirë me shikim. Ajo u përkul përsëri, gjithmonë duke ecur mbrapsht për të respektuar ata, hyri përsëri në tendë. Erdhi nata dhe Nesti hyri të çlodhej në kasolle. U shtri në krevat dhe priste që të vinte dhe Janulla. Por, ajo po dëgjonte ende zhurmë në dhomat e tjera të kasolles dhe priti që ata të pushonin dhe pastaj sipas zakonit të shtrihej e fundit. Nusja e re në shtëpi, derisa të vinte nusja e dytë, flinte e fundit dhe duhet të zgjohej e para. Nesti u çua dhe i shkoi pranë. I hodhi dorën në sup dhe e afroi pranë vetes. - Eja të flemë, se të gjithë kanë rënë dhe askush nuk ka nevojë për diçka. Në mendje i oshëtinin akoma ato fjalë të të atit: “Je i vogël more bir dhe disa gjëra nuk mund t‟i dish”. E ç‟ishin ato gjëra, të cilat ai ende nuk mund t‟i dinte? Pikërisht për këtë arsye, ai e pyet më në fund Janullën nëse dinte diçka. Po edhe sikur të dinte, ajo nuk kishte për t‟ia treguar kurrë atë që kërkonte të dinte ai. Para se ta pyeste, ashtu nën dritën e kandilit, ai po e kundronte dhe po mahnitej nga bukuria e saj. Kjo krijesë kaq e brishtë, kaq e ylltë, kaq e bukur e naze madhe, të bëhej shkaku i prishjes së ëndrrave të tij! Jo, kurrën e kurrës nuk do ta besonte një gjë të tillë. - Më thuaj grua, si shkojnë punët këtej që kur unë ika ushtar, se kam dëgjuar shumë gjëra, të cilat nuk mi nxë as goja t‟i them . Nesti mendoi të përdorë dinakërinë, duke e shndërruar në fakt të kryer atë që po mendonte, se donte të shihte reagimin e saj. - Mirë janë gjërat, edhe pse s‟e di ku e ke fjalën, në lidhje me ato që ke dëgjuar! – Janulla u mblodh kruspull, megjithëse gojën e kishte bilbil. - Dëgjo! Mua nuk më gënjen dot, po fillo e fol e sa s‟është vonë dhe mos qoftë dita e fundit për ty , kjo sot. Gurin e fundit përdori Nesti, që të shikonte reagimin e gruas së tij. - Unë të them aq sa di, por asnjeri nuk të beson sot. Mua nuk më dëgjohet fjala, se jam nuse e re në shtëpi dhe nuk duhet të flas fare. - Sot, o do flasësh tani, o do heshtësh njëherë e mirë! Unë, edhe Babanë nuk e kisha parë kurrë kaq të mërzitur sa sot, në dasmën e vajzës së tij. Në vend që të ishte i gëzuar, ishte pikë e vrer. Ajo ndërkohë mendonte -“Diçka i ka llomotitur im vjehër patjetër, ndryshe nuk shpjegohet gjithë ajo mvrenjtësi në sytë e tij, ditë pas dite. Të ketë zbuluar ndonjë gjë në lidhje me Lonin?! Edhe ai maskara nuk më lë të qetë. As burrë nuk doli që të më merrte me vete dhe tani më ngacmon. Fati im është këtu me Nestin. Nesti kishte kohë që më shihte dhe më deshi njëlloj si ai. Unë e kam fajin për të gjitha, iu dhashë edhe aty te përroi. Tani, mirë të më bëhet në këtë qorrsokak ku kam hyrë vetë. E si të dal tani? A ka një përgjigje për këto që po më kërkon në këto momente Nesti? Më duket sikur dhe ai nuk di çfarë kërkon. Unë jam e bindur që asnjë nuk më ka parë me Lonin te përroi..

46


Prandaj, duhet patjetër një gënjeshtër që sot të shpëtoj nga ndonjë thikë, apo diçka të tillë. Nuk di ç‟të sajoj, duhet të shpëtoj. Padurimi i tij po më tremb dhe më duket, sikur sonte ështe dita e fundit e jetës sime”. Gjatë kohës që Janulla po kalonte në mendje të gjitha këto, Nesti po mendonte gjithashtu“Po hyj në hak. E trondita gruan time duke e akuzuar se më fsheh diçka dhe e gjitha është hamëndje. Vetëm e vetëm që ta tremb? Në qoftë se ajo do të dinte diçka, do ta kishte treguar menjëherë, se e di zëmëratën e një rëmëni pastaj. Nuk është e mundur që Janulla të ketë diçka. Atë e kanë zili të gjithë”. Janulla nuk kishte nga t‟ia mbante dhe me vete vazhdonte të pohonte, se me gjithë mend asnjeri nuk e kishte pikasur lidhjen e saj me Lonin, por fjala e Nestit, të cilin kurrë nuk e kish parë në atë gjendje, po e shqetësonte pa masë dhe nuk dinte ç‟të sajonte për të shpëtuar nga ai kërcënim. “Thua ta ketë me gjithë mend atë që tha, se do të më vrasë po nuk i tregova sa ai di. Mbase dhe Loni do të jetë zbuluar diku. Po ç‟them edhe unë, më duket sikur frika po më çon te ky hamendësim. Sa për Lonin, sot të vdes dhe nuk tregoj gjë. Po tregova do të bëhet katrahurë. Ollga do të ndahet nga Loni, do të vriten të gjithë bashkë me tim shoq. Le të vdes dhe kjo të mbetet mes nesh. Me Lonin, betohem se nuk kam për t‟ia parë surratin kurrë. Po ç‟të them, që mos jetë me shumë zarar. Nesti e do pa masë të atin, e kush nuk e do atë në stan. Do t‟i them se ai më shikon ndryshe, jo si vjehër, por si një burrë.” - Dëgjo … - fjalën burrë, Janulla ende nuk e kish shqiptuar që kur ishte martuar e jo më emrin, të cilin as që bëhej fjalë fare ta përmendte - mua më kanë zili të gjithë dhe këtu në stan i kam shoqet e rralla. Nga zilia mbase flasin për mua, por unë nuk di përse flasin! – sikur t‟i kish blerë mendimin Nestit. - Dëgjo, leri zilitë dhe trego sa di, se për atë Shën Mëri, ajo që rri varur aty në mur, do të jetë dëshmitare për sa do bëj sonte. Mos më detyro të bëj atë që nuk dua kursesi ta bëj. Më trego dhe asgjë nuk ka për të ndodhur, qoftë edhe diçka e rëndë. Janulla nuk po e kuptonte nëse dinte vërtet për lidhjen e saj me Lonin, apo kishte vënë re vetëm atë vrenjtësi të fytyrës së të atit, Tolit, që i kishte shfaqur këto ditë e s‟kishte baza për ta akuzuar? “Po më mërzit shumë ky vjehri im. E quajnë edhe kapedan këtu në mal. Tani, ia rregulloj unë atij dhe sido të vejë puna, kjo që më erdhi në mendje tani do t‟iu vërë kapak të gjithave dhe unë kam për të shpëtuar sonte nga kjo egërsi që e ka zënë burrin tim.” - Të them të drejtën, mua nuk ma nxë goja ta them atë që di, se tjetër gjë nuk kam dëgjuar, por edhe këtë që di nuk mund ta besoja kurrë, prandaj nuk desha ta them. - Thuaje se më plase, të plastë cipa! – iu hakërrua përsëri Nesti. - Nuk ma nxë goja, të thashë! Unë nuk mund ta besoja kurrë që Babai yt, domethënë vjehri im, mund të më ngacmonte me shikime. – “më në fund pasi nxorra këto fjalë, mendova se shpëtova, por më duket se Nesti po më vështron sikur do të më vrasë në çast”. Kjo ishte një dredhë e menduar në çast prej saj dhe e nxorri thjesht nga kthetrat e zëmërimit të burrit të saj. Vërtet, Nesti nuk po fliste dhe kishte rënë në mendime, po kursesi nuk do ta besonte që i ati i tij të bënte një gjë të tillë. Ai, i cili ishte ajka, mendja e rëmënëve aty në mal dhe të gjithë mësonin prej tij, si mund ta kalonte nëpër mend një gjë të tillë për të? Nesti nuk po reagonte dhe ende mendimet nuk i kish të qarta. “Mbase i dukej asaj ashtu, po si shpjegohet ajo që më tha Babai, se unë desha dhe një vit e gjysëm ushtar?” Të gjitha i kishte turbull. Nuk dinte nga t‟ia mbante . Ajo, si për t‟i vënë kapak gjithë asaj që nxorri nga goja, u afrua pranë tij dhe u mbështoll krruspull, sikur të

47


kërkonte në atë mënyrë ndihmë nga ai, i cili pak minuta më parë e kishte kërcënuar se do e vriste po të mos tregonte. - Mos më gënje! Po më gënjeve, do të vras me duart e mia. - Nesti i hodhi duart në fyt dhe me gjunjë po e shtrëngonte te beli. – Do të ta marr shpirtin, po më ke gënjyer. - Më mbyt më mirë, më mbyt me duart e tua, kështu do të shpëtosh veten dhe tët atë. Unë jam e ndershme dhe kurrën e kurrës nuk do të shkoja me babanë tënd. Të gjitha janë fjalë, nëse ti ke dëgjuar gjë. Fjalët e fundit të saj ishin melhem për të, pasi krijoi bindjen se gruaja e tij ishte e pafajshme, por edhe për babanë e tij, këtë gjë nuk mund ta besonte kurrë. Të shkonte me nusen e djalit! Ai i largoi duart nga qafa e saj dhe duke u dridhur i tëri për atë që kish bërë, e afroi pranë vetes duke mos i thënë asnjë fjalë ngushëlluese, apo t‟i kërkonte të falur për sjelljen e tij mizore. Vetëm veproi, që ajo të kuptonte se ai po i kërkonte falje, në të vetmen mënyrë, në të cilën e kërkojnë burrat. Filloi ta përkëdhelë e t‟i fshijë lotët, që për Janullën mbase ishin lotë hidhërimi dhe gëzimi bashkë. Të nesërmen herët u nis për në repart. E përcolli Toli deri te përroi. Ai nuk kishte guxim t‟i thonte asnjë fjalë të atit. As Toli nuk i foli fare. Ai thithte çibukun dhe e përqafoi në heshtje. - Baba, mos e lër shtëpinë tonë ta mbulojë turpi, ji kapedan ashtu si të thërrasin! Toli përsëri nuk foli dhe me vete mendoi; “Po nuk të ka rënë këllënxhuku mbi kokë dhe të kesh tre fëmijë tëndit, nuk quhesh i pjekur more bir, po ty kushedi ç‟të ka përrallisur mbrëmë ajo zuska ndaj fluturon. Nuk thonë kot, që gruaja e fut shejtanin në shishe.” ***** Njerëzit e qeverisë, të mbledhur në grup prej pesëmbëdhjetë vetësh, përfshirë dhe barinjtë e rinj që kishin marrë me vete, për të bërë zap delet që do të grumbullonin aty në Lenie, hynë në stan. Mes disave me fshikuj dhe të tjerëve me armë në dorë, dallohej ai që ishte komandanti i gjithë grupit. I veshur me pantallona oficeri, si pantallonat e shajakut të rëmënëve, qillota, me një xheke meshini bolshevike dhe po me një kapele meshini. Ai quhej Kasëm Shkoza. Një burrë i shkurtër rrumbullak dhe me vetulla të trasha, si mustaqet e xha Jorgjit. Nuk po zbriste nga kali ende, kur të gjithë kishin kohë që i tërhiqnin për dore kuajt dhe po rrinin në shesh duke pritur stanarët. Sekretari i tij, një djalë i ri me emrin Lytfi, i cili mbante në kokë dhe ai një kapele meshini e një xhup jeshil ushtarak me gëzof, kishte hedhur krahëqafë një çantë oficeri me dekumenta. Të dy me kobure në brez. Disa policë, me pushkët krahut, rrinin bri barinjve me fshikuj në duar e rëmënëve u dukej sikur kishin ardhur evgjitët për të mbledhur shelgjishte për shporta, e jo për të mbledhur delet. Së fundi zbriti nga kali dhe Kasëmi, kryetari i grupit. Stanarët nuk ishin të lajmëruar për dorëzimin e deleve. Në të gjitha stanet ku vinin, nuk lajmëronin. Shkonin që me natë, që ti kapnin në befasi dhe mos kishin kohë të fshihnin numrin e deleve. Kishin marrë që më parë informata për çdo stan, nga njerëz të brendshëm. Të gjithë stanarët, pasi mësuan lajmin, u mblodhën në shesh. Lytfiu, sekretari i grupit, mori çantën dhe nxorri përpara dekumentat. Rëmënët i përshëndetën njëri pas tjetrit dhe qëndronin si të ngurrosur para tyre.. - Mirë se na ardhët o njerëz të qeverisë. – i përshëndeti Toli, i cili ishte duke mbajtur në dorë një gobellë me dhallë. Filloi të hedhë dhallë në një kanaçe dhe të parit ia zgjati Kasëmit. - Pini nga një gotë dhallë o burra, se keni bërrë gjithë atë rrugë mali me natë.

48


- Të faleminderit more çoban – foli Kasoja dhe e piu i pari dhallën, duke mos bërë asnjë urim. “Njëlloj si partizanët po më duken, të cilët vinin dikur në kohën e luftës për të marrë furnizime. Foli (shakuj) me djathë, çorape e qillota leshi, çorga, guna, mish të pjekur, kripë dhe sheqer. Atë vit m‟i morën të gjashta mushkat dhe pas gjashtë muajsh më kthyen katër, të cilat sipas tyre u kishin ngordhur. Dhe cilat? Ato më të mirat dhe më të urtat. Nuk u thashë asnjë fjalë, se i kisha dhënë me gjithë zemër e doja që të mbaronte lufta sa më parë të ishte e mundur dhe të shporrej i huaji. Xha Fotoja, i cili ishte më i madhi në stan njëherë kur ardhën partizanët atyre anëve tha: Këta lepura do ta çlirojnë Shqipërinë? Pse, nuk ka burra më të mëdhenj Shqipëria. – Të mëdhenjtë janë të zënë me punë. -i tha dikush aty në stan. Nuk e shikon Hariton tonë? Edhe ai është partizan. Atë vit nuk gjeti tufë të kulloste dhe iku partizan. Tolit iu kujtua ai partizani i vogël, që erdhi atë vit në mal me disa shokë t tjerëë dhe kur ai i kish zgjatur dhallën për të pirë, i vogli partizan, pa kurrë djallëzie e njohurie, me gjithë zemër uroi para se ta pinte dhallën. -T‟u shtofshin more çoban, t‟u bëfshin njëmijë. E ku kish parë njëmijë ai partizan i vogël! Ai, sikur edhe njëzet të kish, nuk do të kishte kohë të dilte partizan. Por Toli ia ktheu në gjuhën rëmëne: Mëkë, mëkë dhallë! -që do të thotë ha, ha dhallë! Ai kishte dymijë dhe partizani e uronte që t‟i bëheshin njëmijë. Dhe ja, erdhi ajo ditë, kur ai urim që dha partizani, po bëhej realitet. Bukur fort. Të shohim sot, sa kokë do na lënë e sa do na marrin. - I pari që do vijë të firmosë është Pilo Zgurro. - sekretar Lytfiu hapi defterin dhe lexoi numrin e bagëtive që do t‟i dorëzonte qeverisë. Pasi pa shifrën e shkruar në defter foli. -Gjashtëqind kokë dele të takon të dorëzosh dhe do të shkëputen nga tufa jote pa u zgjedhur. Pastaj, dy mushka, njëqindepesëdhjetë dhi dhe sigurisht kalin e shalës, të cilin nuk bëhet fjalë ta mbajë kush, pasi urdhëri nga lart është që kuajt e shalës do të merren. - Kjo është padrejtësi, i dashur sekretar. Me një të firmosur, ju kërkoni të na shkatërroni për gjithë jetën kështu. Unë nuk jam dakord dhe s‟kanë kuptim këto shifra deri në këtë shkallë. Pse nuk thoni të më vrisni më mirë, se sa të më lini me gisht në gojë. Ata kalamaj që kam, edhe me këto sa kam e nuk i ushqej dot, jo më pas kësaj që po dëgjoj. Gratë vunë kujën dhe llahtarisën edhe fëmijët, të cilët u mblodhën me të shpejtë aty në shesh. Një nuse e re, me foshnjën në gji, doli te dera e kasolles. Kati i bërtiti të hynte menjëherë brenda. - Do tromaksësh djalin moj e gjorë, po hyr brenda në kasolle. Nusja e re nuk e bëri dysh fjalën e Katerinës dhe bashkë me fëmijën, hyri me shpejtësi në kasolle. Vuri të birin në surmunicë(djep) dhe si për ironi të fatit që tashmë kish trokitur për rëmënët filloi të këndojë një ninullë që këndohej shpesh në male fëmijëve të vegjël kur donin që ti vinin në gjumë. Ja teksti i këngës: “Nani , nani Jij kurbani Dada lagënë T’u surmunicë Saj në tiji Saj në fati S’fac kupii Suti sh’njijë

49


S’fac kërvani Ku nishani S’aj në mirë Tas t’i apërë Saj kësmeti Ni duvleti Embur mari Tu pëzari Sh’numë bunë Pënë Sërunë Nani , nani Allbë mënjli Sesht om mari Ka Aleksandër Sa mpulusesht Ti rëmënj. Shqip Nani nani Biri im Gjyshja të tund Në djep Të kesh shpresë Të kesh fat Të shtosh tufë Qindra dhe mijra Bëfsh karvanin Me nishan Paç një mirë Të të mbrojë Të kesh kësmet Në mbretëri Çelnik i madh Në qytet Dhe emër të mirë Gjer Selanik Nani nani Duar të barrdha Qofsh i madh Si Aleksandri Të luftosh Për Rëmënët.

50


Gruaja e re me këngën e saj e largoi të voglin nga ajo llahtari që atë ditë po ndodhte. Pas pak fëmijën e zuri gjumi dhe gruaja doli përsëri jashtë tendës. Fjalët e këngës si për çudi flisnin për të kundërtën e asaj që po ndodhte atë ditë aty në mal. Ajo ditë në stan ishte e veçantë për të gjithë. Ishte më keq se të sulmonte i huaji. Të gjithë të tmerruar, të mëdhenj e të vegjël. Po u ikte nga duart malli e gjëja, jeta e tyre. Bagëtitë ishin trishtim i gjallë. “ -Mendon edhe delja-thoshte shpesh herë xha Fotoja – Delja, sa të shikon në bebe të syrit, ta ka thithur mendimin. E kupton ajo, në kërkon ta mjelësh apo kërkon ta qethësh. Kur do ta qethësh nuk të bezdis shumë, kurse kur e mjel, mundohet me nxitim si e si të të shpëtojë nga duart, ndaj edhe duhen duar të forta për ta mjelur, që mos e cfilitësh duke ia bërë gjirin copë. Një mjelës të mirë, delja jo vetëm që nuk e bezdis, por i shkon vetë afër për ta mjelë dhe pa qenë nevoja e shtrungës.” Disa deshinj të tufës së Pilos, ishin shtangur në vend. Dukej sikur kërkonin shpjegim nëse tani e tutje, do të komandonin tufën apo do t‟u merrej këmbora, të cilën e mbanin në qafë prej aq kohësh. Në sytë e tyre dalloje fare lehtë, jo vetëm kureshtja për atë që po ndodhte, por edhe dilema nëse do të quheshin apo jo më përçorë të tufës. Më tutje, disa dhi qanin dhe rëketë e lotëve, i lëpinin me gjuhë si të zëna në faj. Nuk shihje asnjë gjë të gjallë të përtypej si zakonisht. Tufa e rrurëzave nuk gjente derman nga blegërimat. Ishin trembur dhe stanarët mezi po i mbanin në shtrungë. Kishte ndaluar edhe për to koha, për një moment. Me mijëra vjet, nuk ishte dëgjuar një gjë e tillë, të rrëmbehej bagëtia e t‟i dorëzohej dikujt tjetër. Bagëtia ishte mësuar me erën e të zotit e me zërin e tij që e dallonte prej së largu. - Dëgjo ti çoban mali! Nuk kemi ardhur këtu që të vrasim njeri, por po zbatojmë pikë për pikë orientimet e partisë dhe të qeverisë për këtë problem. Partia dhe shoku Enver nuk duan të keqen e popullit. Ata e kanë menduar mirë këtë punë dhe nuk është nevoja tani, të filloj të të sqaroj ty, gjithë të mirat që vijnë nga ky vendim. Ka njerëz zotrote, të cilët nuk kanë bukë të hanë në shtëpi dhe janë familje dëshmori. Kanë luftuar e kanë derdhur gjak ata, për këtë ditë që ne po gëzojmë sot. Dhe ti na broçkollit me dëngla. Kjo ligjëratë e gjatë e Kryetarit të bagëtimbledhësve, shokut Kaso, ashtu si e thërrisnin ata shkurt, i bëri rëmënët që të stepen. Por Piloja, si kokë mushkë që ishte, vazhdoi në të tijën: - Unë nuk i dorëzoj. - Me urdhërin tim personal, që sot. Shkruaj Lytfi! - iu drejtua sekretarit - Pilos do t‟i merren të gjitha bagëtitë dhe po të dojë, që mos i mbeten fëmijët pa bukë, të vijë e të bëhet bari që sot te tufat e qeverisë. Në të kundërt, do të arrestohet. Të gjithë shprehën habinë dhe nuk guxonin as të pëshpërisnin me njëri-tjetrin. Pasi mbaruan punë me Pilon, duke mos i lënë asgjë të gjallë, rradhën e kishte Toli. Sekretari nxorri përsëri të dhënat paraprake që kishte në defter. - Toli Billo, ke njëmijë e dyqind kokë dele, treqind e pesëdhjetë kokë dhi, gjashtë mushka, dy pela, dy kuaj samari dhe kalin e shalës. Toli u përtyp njëherë dhe për momentin mendoi se ata po bënin shaka, ose po e provokonin që të shihnin reagimin e tij. Në fakt, ata i kishin marrë këto informata nga spiunët që paguanin. Po ç‟ishte kjo gjëmë që po ndodhte? Si do i vinte filli kësaj historie, e cila servirej si një gjë e mirë dhe rëmënët po ua dorëzonin bagëtitë vetë, me dëshirën e tyre . - Gaboheni shokë të qeverisë! Nuk janë shifra të sakta ato që thatë, zotrote.

51


- Së pari, fjalët zotëri dhe zotrote mos t‟i dëgjoj më dhe dije se, që sot e tutje, nuk do të ketë zonja dhe zotërinj, por vetëm shokë dhe shoqe. Zot i të gjithave, do të jetë Partia dhe qeveria demokratike e Enver Hoxhës. Po nuk të pëlqeu as ty shifra dhe fjala e qeverisë, edhe për ty do të marrim masa, që mos dish ku ta futësh kokën pastaj. - Më keqkuptuat z.. shoku Kaso, doja të thoja se unë kam më shumë se sa më thatë ju. Unë kam mbi njëmijë e pesëqind kokë dele, pa llogaritur deshinjtë. Pastaj edhe dhi, kam rreth katërqind. - Si, si? Keni më shumë se sa ju thamë ne?! - u mblodh kruspull Kasoja dhe duke biseduar me zë të ulët me Lytfiun vazhdoi - Do të na falësh more çoban, se qenke njeri i besës dhe i mirë. Të kujtuam si ky Piloja. Tani, me ty që po tregohesh kaq i pastër, ne do të fjalosemi ndryshe. Ne jemi të dërguarit dhe ne i njohim ligjet e urdhëresat. Kemi ditë, që po e bëjmë me përkushtim këtë punë që na ka ngarkuar partia dhe qeveria, po të themi të drejtën shoku Toli, të gjithëve këtu u dhimbsen ca të shkreta. Kanë jetuar me to gjithë jetën, po ata nuk e dinë mirë këtë strategji që po ndjek partia. Kudo ku kemi shkuar kemi pasur raste të fshehjes, por që të tregonte kush të kundërtën, ti je rasti i parë dhe për këtë, do të kesh më shumë nga të gjithë favore e lëshime. - Nuk dua asnjë favor shokë grumbulluesa. Si të gjithë dua të trajtohem edhe unë. - Jo vetëm të zgjedhësh në tufë delet që do, por do të shkelim dhe një urdhëresë të Partisë për kalin e shalës. Kali i shalës me urdhër të Partisë dhe të qeverisë do t‟u merret të gjithëve, por ne, ty Toli do të ta lëmë kalin, se je burrë i veçantë. Toli bëlbëzoi me gjuhën e vogël, në gjuhën e nënës “si me kalë, si pa kalë, kjo punë tani ka marrë fund.” Pas tij, vazhduan me Dhimon. Me Dhimon patën kontradikta, se ai kishte shitur më shumë se gjysmën e deleve. - Dhimo Gjato, nuk e kemi punën mirë bashkë – foli ashpër Kaso Shkoza. - Dëgjoni shpjegimin tim dhe pastaj, mos më jepni të drejtë. Ne kemi dëgjuar për masat dhe thirrjen që po bën qeveria, që të lëmë malin dhe të bashkohemi me fshatin apo qytetin, për të punuar krah për krah me shokët e tjerë kooperativistë dhe me punëtorët në qytet. Kemi dëgjuar se do të bëhen edhe ferma blegtorale aty në qytet, kështu që i shitëm delet që të vendoseshim aty. Thirrja e qeverisë ishte që të shkonim aty ku dëshironim. - Të kuptova shoku Dhimo Gjato, por sa para more nga ato dele që shite? E dije se do të t‟i merrnin dhe vendose ti shesësh e të fshihesh diku, ashtu si the, në qytet. Detyrohesh, shoku Dhimo, të paguash në qeveri edhe dyqind napolona flori, përveç deleve që do të merren. - E ku t‟i gjej unë dyqind napolonat shoku Kaso? Më të shumtat i shitëm fare lirë te kasapët. Të gjithë kanë dashur të shesin dhe normal që askush nuk do të blinte në këto rrethana. - Ne nuk lëvizim nga rregullat e qeverisë. Detyrimi është detyrim dhe do të zbatohet menjëherë. Urdhri i tyre ishte i padiskutueshëm dhe mbas një hezitimi të gjatë, Dhimoja dhe Loni i dorëzuan të gjitha delet dhe njëqind napolona flori në dorë. Toli u hodhi edhe nga një gotë dhallë bagëtimarrësve. - Gëzuar dhe për mirë u qoftë - ishte ky, një urim i ftohtë dhe i thatë i Kasos, një urim përgjysëm. Ishte kjo detyra e tyre, të përgjysmonin e të katërgjysmonin jetën e rëmënëve aty në mal. Po fakti që u morën kuajt e shalës, nuk tregon rrëmbim të krenarisë së malit? Ishte një goditje psikologjike për ta. Ua hoqën përfundimisht “ atë fodullëkun” që kishin

52


rëmënët, sa herë shfaqeshin në qytet e kudo, majë kuajve të shalës, të stolisur dhe të veshur spicë, me mustaqe një pëllëmbë e kapardisur majë kuajve. Vërtet ata visheshin pastër e bukur kur shkonin në Pazar, por nuk visheshin as për fodullëk, as për t‟u dukur. Ajo ishte veshja e tyre. Pantallona shajaku të bardha, xhamadanë leshi me dy xhepa përpara, ku në njërin xhep mbanin çibukun dhe eshkën me strallin e masatin (ose mënarë dhe sturnari me jaskën) dhe në tjetrin mbanin orën e xhepit me zinxhir floriri. Kapelet e vogla prej leshi, të punuara bukur dhe stolisja e kalit ishin nga më të veçantat. Edhe shala e re dhe amfëru i ri fringo, sazma që i hidhej kalit prapa, punuar e dendur me lesh dhie.Të gjithë kalimtarët pa përjashtim, kur kalonin rëmënët rrugës, kthenin kokën i shikonin dhe nuk ngopeshin nga ajo bukuri dhe hijeshi. Dhe ajo vjen e ia rrëmben të gjitha, e zhvesh komplet. Një jetë i duhet njeriut, që të fitojë krenarinë e humbur”.. E përse duhet të uronte ai pas masave që po ndërmerrte? A kishte urim që mund t‟i ngushëllonte rëmënët? U dëgjua një britmë gruaje, e cila po vinte nga kasollja e më plakut të stanit. Kishte vdekur xha Fotoja. Plaku njëqind vjeçar, pasi kishte parë gjithë katrahurën që ndodhi në mesditë, shkoi në kasolle dhe u shtri përmbys. U shtri dhe nuk bëri më zë. Nuk ndryshoi pozicion, derisa e morën vesh se kishte vdekur. Ai kishte uruar të vdiste para se të ndodhte një gjë e tillë, por fati nuk e kishte ndihmuar që mos e shihte gjithë këtë llahtar. Burrat vrapuan për te kasollja e plakut, ndërsa grumbulluesit i vunë bagëtitë përpara, me fshikuj nëpër duar. Toli po i ndiqte me shikim dhe iu mbushën sytë me lot. “Do të ngordhin gjysmat deri sa të mbërrijnë në destinacion. Nuk marrkan vesh këta nga delet.”-tha me vete. Rrëmbyesit, një tufë lamashësh që nuk dinin ç‟ishte delja, bënë tutje . Tolit nuk iu durua, se po i vinte keq dhe thirri: - Ej. Shokë të qeverisë, ndaloni pak! Ndaloni! Kasëmi dhe Lytfiu u bënë shenjë që të ndalonin dhe të dëgjonin rëmënin. - Po ku shkoni more vëllezër? E dini, jeni duke bërë një krim të vërtetë. Gjynah nga Perëndia. Do ta përgjysmojnë qumështin menjëherë delet, po nuk i molët pas një ose dy orësh. Ju keni për të bërë edhe më shumë se dhjetë orë rrugë, derisa të mbërrini në fshat. Një gobellë nuk u pashë me vete! Një kazan, apo bidon. Ndaloni të merrni dhjetë teneqe , dy kazanë dhe tridhjetë napa për të bërë djathin, bashkë me dy kile mullë që ta zini djathin. Prisni, se do të vijnë me ju dhe dy djem që t‟iu ndihmojnë, ndryshe bëhen të gjitha për te kasapi pastaj. Toli, megjithëse në shpirt e dinte se sa po vuante, prapëseprapë zemrën dhe gjithë qënien e tij, e kishte ende te delet. I dhimbseshin të shkretat, edhe tani që nuk ishin më në dorën e tij. - Ke të drejtë more çoban i malit. Qenke kapedan e kaluar kapedanit. - i tha pa rezerva Kasoja, kurse Lytfiut i pëshpëriti në vesh (ky nuk e nis preshin nga bishti dhe nuk e ha kilon për okë) - Do të bëj propozim që ti të drejtosh një ndërmarrje blegtorale. Sa të mbërrij në qendër, do ta bëj. - Të faleminderit more shoku Kaso, por nuk jam unë më për të tilla punë. Shkoi vapa me gushtin, themi ne nga këto anë . - Edhe ne ashtu themi, por ti nuk do të punosh. Vetëm do të komandosh të tjerët dhe ata do të punojnë . - Delja nuk do komandë more Kaso, po do që të jesh me të, ditë e natë. Këtë do ajo.Mihallaqi dhe Petroja u bënë gati që të shkonin me delet. Toli u dha të gjitha takëmet që u duheshin dhe i përcolli deri te bregu, ku fillonte rruga që zbriste tatëpjetë përroit. Toli u

53


ul në mes të lëndinës dhe filloi të qante pothuaj me zë, si një fëmijë. “Do t‟i marrin të gjitha pak nga pak dhe do të vijë dita, kur do të na marrë malli për një këmborë, apo zile cjapi.” Pasi përcolli rrëmbyesit e deleve, u kthye te kasollja e plakut që ndërroi jetë. Ishte pikërisht dita, kur ai nuk do të donte kurrë të ndodhte ajo vdekje. -Vdiq vetë, - pëshpërisnin më vonë stanarët- vendosi kokën mbi jastëk dhe vendosi të vdesë, pas asaj që pa atë ditë. Dhe perëndia e dëgjoi dhe e mori, që mos jetonte më, as edhe një ditë mbas rrëmbimit të deleve. Afër burimit ishin varret e verës. Kush vdiste në verë, aty varrosej. Kurse ata të dimrit, varroseshin nëpër fshatrat e myzeqesë e ku i zinte vdekja. Rëmënët e malit, vetëm ata kishin dy palë varre. Dhe megjithëse ishin gjithmonë të bashkuar si asnjë tjetër sa ishin gjallë në vdekje rinin veç, ashtu si i zinte vdekja, në dimër ose në verë. Dy djem të rinj kishin filluar të hapnin varrin. Për gjithë stanarët, ajo ditë ishte dita më e errët e zisë. Marrja e bagëtive dhe vdekja e kryestanarit të tyre. Xha Fotoja, kurrë në jetën e tij nuk kish pirë një aspirinë e as nuk ishte ankuar nga ndonjë dhimbje fizike. Ishte si lis i gjatë dhe i moçëm. Dhe sot, kishte ardhur dita që lisi të binte dhe të mos ngrihej kurrë. Kështu dhe për të tjerët, jeta ishte këputur si lisi, njëherë e mirë. Të gjithë përjetuan veç zi në shpirtin e tyre. Atë ditë, edhe retë kishin zbritur shumë poshtë, megjithë bardhësinë e tyre. Dukeshin sikur do të lidhnin pakt me pyllin, që mos dorëzoheshin e të flaknin trishtimin tutje. Ahet e mëdhenj, pishat e larta, murizat, goricat dhe lajthitë kishin ndalur fëshfëritjen. Dashuria e tyre, era ishte zhdukur pa adresë. Bari në lëndinë flinte dhe rrezet e diellit ishin fshehur pas reve.Vetëm lehjet e qenëve tregonin se jeta vazhdonte ende. Disa dele nuk e ndalnin blegërimën, nuk kishin për tu takuar më me shoqet e tyre, që morën tatëpjetën drejtim kooperativës. Një hije e zezë, e cila u krijua pas largimit të komisionit të grumbullimit të bagëtive, ishte shtrirë mbi gjithë lëndinën dhe hyri në çdo kasolle. Hyri mes çorgave dhe velenxave të rëmënëve, e mbuloi gjithë pyllin dhe nxiu gjithë peisazhin anë e kënd. Dëgjohej e qara e ndonjë fëmije, se edhe në djep kish hyrë kjo gjëmë. Për ta nuk do të kishte në të ardhmen, as zile cjapi, as këmborë. (Atë ditë sipas zakonit të malit u hoqën dhe ato pak këmborë e zile për të mbajtur zi për Xha Foton.) Tingulli i tyre do të dëgjohet vetëm si në ëndërr, një ëndërr që duket shumë e largët, si mjegull, e paplotë, e pakohë. Pse vallë, kjo ëndërr e frikshme për ta, që në djep? Plakat dhe gratë që vazhdonin të qanin xha Foton, ulën shamitë e zeza edhe dy gishta më poshtë. Në lëndinë, ato ngjanin si qoka në kërkim të misrit, për misrin e humbur të jetës. Mallkimi i tyre nuk ndalte, ndërkohë që shkulnin faqet me thonj. Mali i tërë kishte vdekur. Sa çudi! Edhe zogjtë nuk dëgjoheshin. “Hije të rrëndë kishe ore Kaso, e ndale jetën brenda një dite. Tu shoftë emri ishalla, ty dhe qeverisë tënde” – këto fjalë dolën me gulç nga gjoksi dhe goja e Zorës, asaj plake tetëdhjetë vjeçare, e cila veç mjaltë kish nxjerrë nga goja, gjatë gjithë jetës. Por, asnjë nuk e dëgjoi. Ndoshta e dëgjoi mali, lëndina, retë, zogjtë e delet që blegërinin ende. Ajo ditë do të mbetej gjatë në kujtesën e rëmënëve dhe ajo lëndinë do të tregonte për Kaso grumbulluesin. Poeti Xhimo e ngriti këngën: Zboru sus di qivërii Ojli tuti ni kupii Përmvjarë llaja përmvjarë Përmvjarë s’nu jinj alltorë Tuti shkretili li llorë

54


Shqip Urdhër lart i qeverisë Delet të bëhen një tufë Pranverë e zezë pranverë Pranverë mos ardhsh tjetër herë Të shkretat të gjitha i muarë. Të nesërmen, Xha Fotos iu bënë nderimet, si asnjë rëmëni tjetër. Mbi varr u vendosën kurora dhe disa rëmënë folën për të, para se ta fusnin në dhe. Dy fjalë i tha dhe Toli kapedani: - Vëllezër, sot jemi duke përjetuar varrimin e më të moçmit të rëmënëve dhe një pjesë të shpirtit tonë, po e hedhim në këtë gropë e po e mbulojmë me dhe, në këtë ditë kaq të dhimbshme. Lisi ra me gjithë hijen e tij. – Lotë dhe kujë gjithandej, pas fjalëve të thëna me aq ndjenjë nga Toli. Pas varrimit, hëngrën drekën e lamtumirës dhe dita u mbyll në qetësi, sikur për ta të ishte dita e fundit aty në mal. Por nuk mjaftonte marja e bagëtive për Rëmënët. Gazetat filluan të shkruanin për ta.Cilësoheshin njëlloj me kulakët dhe piketoheshin për më të madhen gjëmë. Armiq të popullit fukara. Bashkëpunëtorë me Grekun. Fushata për të gjunjëzuar me ç‟do kusht këtë komunitet sa po kishte filluar. ***** Aty në mes të lëndinës, Toli kapedani, bashkë me kalin e tij për dore, ecte kuturu. Filloi të flasë me kalin. “Mos prit të të kalishoj që sot e tutje! Nuk kam surrat unë më, që të hip mbi shalën tënde. Boll je mburur me mua në kurriz. Tani e tutje, do të të vë samar dhe do të mbash dërrasa ose dru mali. Kaq ishte edhe puna jote. Do të ta heq mëgojzën që tani dhe do kullosësh në lëndinë. Iku koha kur ty të kishte hije shala dhe mua fjala. Fol pra! Nuk ke gojë të thuash një fjalë, apo nuk të vjen mirë? S‟ka më tagji e salltanete. E di, të vjen turp të dalësh para shokëve me samar të mbushur me kashtë thekri, me kashtën e samarin e Xha Jorgjit. Xhimo, tani ka për të ngritur këngë për ty dhe për mua. Prit kur ta këndojë pas disa ditësh! Mbase do të jetë kënga e fundit e tij. Nuk të prishet terezia fare ty, po do të na këndojë gjithë stani më pas. Do na ndjekë me vargjet e saj, kudo që të shkojmë. Do isha kurioz të dija, se si do e thurrte laneti këngën tonë. Mbase do thotë, se më mirë do të ishte mos e kisha pranuar ofertën e tyre për të të mbajtur ty, ashtu si burrë i mirë që isha. Po më vinte keq more hedepsëz, të të lija vetëm. Nuk më ndahej shpirti nga shikimi yt dhe bukuria jote. Ja, prandaj nuk të lashë të ikje. Nuk e beson që të dua kaq shumë? Po unë të kam rritur me thërrime, që kur dole në jetë. Ishe kërthi dhe nuk e dije që kishe lindur i privilegjuar. Nuk ishe si të tjerët, ndaj u bëre më i miri kalë në gjithë stanin. E pra dije, se që sot e tutje, nuk kam për të hipur mbi shalën tënde. Nuk jam më ai Toli i parë zotrote, të cilin e çoje kudo dhe i jepje emër me trokun tënd dhe qëndrueshmërinë tënde. Nuk e beson këtë që po të them? Edhe unë nuk e besoja, se një ditë do të vinte i famshmi Kaso të më rrëmbente bagëtitë dhe të më linte kështu si një mëz, të cilin pela nuk e afron për të pirë, që kur e sjell në jetë.” Toli mbushi çibukun dhe pa u ngutur, nxorri nga xhamadani eshkën bashkë me masatin. I ra eshkës me masat dhe ajo u ndez. E vendosi mbi duhan dhe filloi ta thithë me ëndje. Kali kulloste në lëndinë e herë pas here, ngrinte kokën drejtim të zotit dhe të jepte

55


përshtypjen se dëgjonte dhe aprovonte çdo gjë që i thoje. Herë-herë shkrofëtinte dhe shikimin e hidhte tej, në drejtim të pyllit. “Mos u mërzit i dashur, se të dy jemi në një hall. Nuk të lë unë, se mbetem vetë pastaj. Po edhe ti, mos u merakos se nuk do të hipi më. Janë disa gjëra që ti nuk i kupton dot. Shkurt muhabeti, po ta bëja atë gabim e të të kalishoja ndonjë ditë, do të dukesha si këndezi majë plehut dhe do më tallnin të gjithë. Xhimo, pa frikë mund të më thoshte: O Toli kapedani, Kalin pse s‟e lë të ikë? A mos vallë ta do xhani, Çelnik të jesh dhe njëçikë? Dhe do kishte të drejtë po të ma këndonte, aty në mes të stanit. Prandaj, mos u merakos, se nuk kam për të të hipur. Por dije, se as samar nuk kam për të të vënë ndonjëherë. Nuk mundem të të vë samar tani, se kam një jetë me ty. Nuk mundem.” Zbrazi çibukun në pëllëmbë të dorës dhe e mbushi përsëri me duhan. Disa fëmijë u afruan duke lodruar aty rrotull dhe ia larguan fillin e mendimit. - Foto, Mitika, afrohuni te xhaxhi! – u foli Toli fëmijëve. Ata vrapuan drejt tij të gëzuar dhe iu hodhën sipër duke e përqafuar. Toli i puthi dhe i përkëdheli, si dy shqera manare. - Ku e keni kalin, me të cilin po luanit dje? – e kishte fjalën për një kalë prej duri, me të cilin fëmijët luanin në lëndinë, çdo ditë. - Kalin na e morën ata të qeverisë dhe nuk do të luajmë më me kuaj. Kështu na tha nëna: Tani e tutje, mos ju shikoj me kuaj! Kuajt nuk na i lë qeveria. - Keni të drejtë more djem, kuajt na i morën. - Po pse ty nuk t‟a morën kalin, xhaxhi? Toli nuk dinte si t‟u përgjigjej fëmijëve. Dy pika loti i rrodhën në faqe dhe i mbërritën deri te mustaqet. Të dy djemtë u larguan të trembur dhe Toli mbeti përsëri në mes të lëndinës, bashkë me kalin e tij. “I dëgjove fëmijët? Pse nuk u the që ishe këtu e nuk shkove me shokët, se nuk të la yt zot? I dëgjove ç‟më thanë? Nuk dija si t‟u thoja. Fëmijë janë, por një përgjigje e duan. Bën mirë që nuk flet ti, se më ke mua. Nuk mjaftoi lufta e parë botërore dhe ajo e dyta që na shkatëruan katandinë, si Italianët, Grekët dhe Gjermanët, na tani dhe këta partizanët dhe komunista si e quajnë veten. Duan të na i marin dhe lëkurët fare. Edhe unë me kë bëj politikë, ku mer vesh ti nga ajo. Ti nuk e di se këta komunistat edhe ndërtimin e quajnë luftë. Dhe nga lufta, vetëm ne që kemi mall e gjë të gjallë dëmtohemi, medemek do ndërtojmë socializmin dhe do shpëtojmë fukarenjtë dhe varfanjakët. Po ç‟kusur kemi ne dhe malli jonë”. Kati doli nga tenda duke thirrur: - S’feci pitëronja, ma aproqëti, kë arëceshti dapoja! ( U bë lakrori, po afrohu, se ftohet pastaj!) ***** Pa kaluar mirë java, Loni ngarkoi mushkat dhe u transferua në Korçë. Bleu një shtëpi dykatëshe dhe u rregullua për bukuri. Në Voskopojë, Pandi ngriti pushkë ndaj qeverisë dhe për këtë e morën dhe e futën në burg. Vetëm disa nga Janejtë shpëtuan nga qeveria, se ata që mbetën brenda kufirit, e paguan shtrenjtë nga pushteti i popullit. Ata ia mbathën në Greqi me gjithë dele. Janejtë ishin më të pasurit e gjithë rëmënëve, saqë edhe numrin

56


nuk ua dinin tufave të bagëtive. Disa shkuan në qytet, disa largoheshin për në Greqi e të tjerë nëpër fshatrat e rrëzës së malit të Moravës, që të ishin afër me qytetin e Korçës. Kështu pra, u prish çarku i tyre. Shumica e rëmënëve u sistemuan barinj në tufat e kooperativave dhe të ndërmarrjeve shtetërore. Disa u bënë edhe drejtues, si Ziso në Gjirokastër. Loni filloi punë si brigadier në delet e ushtrisë, kurse i ati rrinte në shtëpi. E megjithëse larg, ai mendonte çdo ditë për Janullën. “Më mirë që jam larg e nuk takohem me të, se do të ndodhte ndonjë gjëmë aty në mal”. E megjithëse mendonte kështu, fytyra e saj dhe ato puthje që i kish rrëmbyer aty te përroi, nuk i hiqeshin nga kujtesa. Larg saj, nuk qëndroi as dhe një muaj, se diçka po e digjte përbrenda. Një mëngjes, vendosi të bëjë një vizitë te shtëpia e vjehrit, bashkë me Ollgën. -Do të shkojmë tek yt atë.- i tha gruas së tij - Mendoj se të ka marrë malli. Ollga fluturoi nga gëzimi. Ishte ai që e shprehu dëshirën për të shkuar dhe jo Ollga. Atë e digjte malli për Janullën. Toli, bashkë me disa stanarë të tjerë, vazhdonte jetën e malit. Gjashtëdhjetë dele, dymbëdhjetë dhi, një mushkë dhe kalin e shalës kishte tashmë. Loni me Ollgën arritën në të ngrysur. Të gjithë u habitën nga kjo e papritur. Nuk po u besonin syve. Kati, e ëma e Ollgës, fluturoi nga gëzimi dhe e përqafoi vajzën fort, kurse Toli i takoi ngadalë dhe gjithë seriozitet. - Erdhëm t‟u shihnim njëherë dhe të çmallemi, se ishte e vështirë për ne shkëputja nga mali. - Ti more djalë e hodhe lumin, se vure disa lek mënjanë, po ne thuaj, që ngelëm kothere. - Asnjë qindarkë nuk na ka mbetur, se një dorë të mirë na i mori shtëpia e re që blemë. Pastaj, një dorë e mirë na iku dhe për punën që filluam . - Fillove punë? – shprehu habinë Toli. - Po, punoj brigadier blektorie në ushtri. - Ruaju, se janë punë me zarar punët e qeverisë! Nuk janë si puna jote, që e bëje sipas qejfit. - Jam mirë. Kam edhe disa barinj rëmënë që kullosin delet atje. Po ju këtej, si ia çoni? Çfarë keni ndërmend të bëni? - Unë nuk kam asnjë plan në kokë dhe do të ngelem gjithmonë këtu në mal. - Duhet bërë një lëvizje, nuk rrihet duke bërë sehir. - Që kur kështu, dhëndri im filloi të më mësojë ç‟duhet të bëj e ç‟nuk duhet të bëj? - Nuk dua të them se ju nuk dini, por duhet lëvizur. Në mal, sa vjen dhe ngushtohet laku. Edhe kullota do të jetë e gjitha e qeverisë dhe nuk do keni vend ku të kullosni më pas. - Kanaleve do ti kullos e nuk kam për të lëvizur, sa të jem gjallë. Gjithçka thonë ata është një gënjeshtër, e cila ka për t‟i dhënë rezultatet e saj, herët a vonë. Loni ngulmonte në të tijën, kurse Toli nuk shihte dritë të bardhë në horizont, pas asaj që kishte ndodhur. E kishte të tiposur në kokë që bagëtia, po hyri në dorën e fukarait dhe më e keqja, po të mos jetë e dikujt ose e të gjithëve, ka për të ngordhur. Të gjithë do ta duan qumështin dhe leshin prej bagëtive, por kullotjes së tyre, të gjithë kanë për ti bërë bisht. E mbyllën muhabetin e deleve dhe Toli u largua për te shtrunga, që të milte edhe ato pak dele që i kishin mbetur. Loni e gjeti rastin, për t‟u ndodhur vetëm për vetëm me Janullën. Ajo ishte ligur pak, por në sytë e tij ajo shkëlqente ende si më parë. Nuk po dallonte atë rezatim dhe atë buzëqeshje, që vetëm ajo e kishte për të. Në errësirë të plotë aty afër tendës, Janulla iu drejtua Lonit me një zë kërcënues: - Je një maskara. Ke guximin të vish e të na prishësh qetësinë të gjithëve.

57


- Të them të drejtën, më kishte marë malli për ty, ndaj erdha. - Unë ditëzeza, mendova se vuajtjet e mia dhe të familjes sime këtu ku jam martuar, do të mbaronin me largimin tënd. Ti qenke një njeri i poshtër dhe pa pikë turpi më thua se të kishte marë malli! Unë u betova se nuk do të gaboja më dhe se nuk do të shihja më kurrë, por ja që nuk ishte e thënë të ndodhte një gjë e tillë, se dhe po mos kishe ardhur do ta gjeja një lajmës që të të lajmëroja. - Më do ende? E dija që më doje akoma. - Të të dua ty? Ti më shkatërrove jetën e më le me fëmijë në bark. - Si the moj, me fëmijë? Po luan me mua tani? Nuk është e vërtetë që je shtatzënë dhe më keq akoma, kur thua se e ke me mua. - Maskara. Njëherë kam gabuar në jetë dhe ishte ditën kur t‟u dhashë ty. U tregova fëmijë, po me njeri tjetër nuk kam shkuar kurrë. Atëherë, e bëra se nuk e dija që do më lije në baltë dhe shpresoja se do më merrje të largoheshim bashkë në Greqi, ashtu si më the. Kurse tani, në barkun tim ke kopilin. Bëji derman, se unë një gjë do e bëj. Nuk më dhimbset më jeta ime, sa më dhimbset familja ku kam hyrë dhe burri që kam. Loni u tremb shumë nga ky rrëfim i Janullës dhe nuk dinte nga t‟ia mbante. - Janullë më dëgjo! Mos më luaj ndonjë rreng e mos u tall me mua! Me gjithë mend e ke se je shtatzënë? - Në muajin e katërt i bie, tamam që nga ajo ditë aty te përroi. - Po mund të jesh me barrë me burrin tënd dhe këtë ti nuk e vërteton dot. - Unë e di që burri im nuk më ka lënë me barrë. Ai ka qënë i kujdeshshëm dhe asnjëherë nuk kemi bërë bashkë atë që bëmë të dy. Po e mori vesh që jam me barrë, më vret në vend. Unë do të tregoj po e pashë pisk, se njëherë shpëtova për bukuri. - As kur erdhi në dasmën e Ollgës nuk fjeti me ty? - Fjeti, por atëherë unë isha dymuajshe. - Po tani, si do e zgjidhim këtë gjë? - Atë gjeje ti! Ti je babai i fëmijës. - Dëgjo, është ende herët dhe duhet të veprojmë sa më parë. - Pa hë, më thuaj! Si do të veprojmë, se unë nuk di ndonjë rrugëdalje. - Ka rrugëdalje sa të duash. E para, duhet hequr fëmija sa s‟është vonë. Njoh unë një doktor grash aty në Korçë. - Të heqim fëmijën tonë? Ta vrasim? Ti qenke katil dhe unë betohesha për ty. Si guxon ta thuash këtë gjë kaq lehtë dhe kaq lirshëm? - Nuk ka zgjidhje tjetër. Ndryshe, do na pijë e zeza ty dhe mua bashkë. Do të shkatërrohen të gjitha. Më kupton apo jo? Jemi të mbaruar, po nuk e morëm këtë masë. - Nuk dua kursesi ta heq fëmijën tim. Kam frikë se do të vdes pas kësaj. Kemi dëgjuar shumë raste të tilla e kanë vdekur vërtet këtu në mal. - Po jo moj Janulla, ato kanë vdekur se nuk kanë shkuar te doktori nga turpi dhe janë munduar me gra, nëpër stane dhe shtëpi, që i ndihmonin pa një dije apo specializim për atë punë. Doktori të jep garanci dhe përgjigjet me kokë për punën e tij. - Kam frikë Loni. Po të largohem nga stani, çfarë preteksti do të sajoj tani? - Ti ke kushërinjtë e tu në Voskopojë . Kërko të shkosh disa ditë uspec( me lejë) atje dhe pastaj do të vij unë dhe e mbarojmë këtë punë, brenda ditës. - Kaq e lehtë të duket? E kush më jep mua lejë të shkoj te kushërinjtë? Mua më ruajnë ngado që shkoj, sidomos vjehri. Ai më shikon me ca sy, sikur kërkon të më vrasë. Gjithmonë, më duket sikur ai e di fare mirë lidhjen që kemi pasur. Dhe më e keqja, unë

58


kam bërë një gabim që nuk më falet. Në rrethana, në të cilat nuk do të dëshiroja kurrë të gjendesha përsëri, apo t‟i ndodhnin dikujt tjetër, nën kthetrat e burrit tim, u detyrova të gënjeja, që të të mbroja ty. Po jo, nuk e bëra për ty, por për familjen me të cilën ne jemi lidhur. Gënjeva, duke thënë se më shikonte me sy të dyshimtë vjehri, për të fshehur lidhjen tonë. Vetëm në këtë mënyrë, arrita të shpëtoja atë natë nga duart e Nestit, të cilat mi kishte ngulur në fyt. Mbase i kishte thënë ndonjë gjë Toli, nuk e di. Po unë gënjeva që të shpëtoja veten dhe të gjithë. Nuk e di pse dhe si më erdhi një gënjeshtër e tillë. - Ti paske qenë një aktore e shkëlqyer. - Unë nuk e di kujt i thonë aktore. - Ja pra, ti je një aktore, që e ke luajtur rolin aq bukur dhe na ke shpëtuar të gjithëve. Po Nesti, për sa muaj lirohet? - Për gjashtë muaj. - Vetëm një zgjidhje ka, nuk ka tjetër. Kur të shkosh atje, më lajmëro menjëherë, ose eja direkt në Korçë dhe më gjej në adresën time. Tani do të jap adresën dhe kështu e mbyllim këtë punë. Në stan Loni takoi aty në lëndinë Dhoksi qorren, të cilën e kish bërë Perëndia të tillë, që në vogëli. Ajo merrej me thashetheme dhe për këtë paguhej në çdo rast. Loni e hasi rrugës dhe i shkoi mendja ta shfrytëzojë. - Dhoksi, dëgjo! Dua të bësh diçka për mua. Vetëm disa fjalë dhe do të marrësh shumë napolona floriri. - Pa hë zotrote, që kur qenke bërë dorëlëshuar ti dhe ne nuk e dinim! Ke ndonjë hall të madh zotrote, prandaj e zgidhe qesen. - Urdhëro! Merri këto dhe të tjerat do t‟i marrësh pasi ta kesh kryer punën. - Po hë, cila është puna? Ma thuaj para se t‟i fus paratë në xhep, se duhet ta di nëse do e bëj apo jo. - E bën, e bën. Një fjalë do të thuash. Thuaja ndonjë gruaje që i ka fjalët qejf, një fjalë të vetme - “Toli kapedani nuk largohet nga mali, se do të rrijë me nusen e djalit, derisa t‟i kthehet djali nga ushtria.” -Kur të bindem se kjo fjalë do jetë përhapur mirë këtu në mal, atëherë do të marrësh edhe një shumë tjetër. Lonit i kishte hyrë frika në bark dhe e shfrytëzoi më tej gënjeshtrën që Janulla kish nxjerrë nga goja. Atë gënjeshtër e dinte vetëm Nesti, por tani do të merrte dhenë aty në mal. Loni nuk hyri në të thella dhe ta mendonte mirë, se donte vetëm të largonte nga vetja atë histori. Ai parashikonte dhe më të keqen, fëmijën që kishte në bark Janulla. Në qoftëse shkonte puna keq t‟ia faturonte të vjehrit. - Nuk e bëj dot. – i tha Dhoksia, duke e vështruar me syrin që dukej sikur nuk e mbyllte kurrë, pasi tjetrin e kishte të vulosur fare – Nuk e bëj dot, se Toli është burrë i ndershëm dhe nuk do më besojë askush. Dora i mbeti në ajër, bashkë me paratë që kërkonte t‟ia kthente të zotit. - Do ta bësh patjetër, edhe po nuk të besoi kush! Aq më mirë atëherë. E joshur nga qesja me florinj dhe pa folur më tej, Dhoksia e mblodhi dorën dhe e futi qesen nën malinë. Vrapoi tutje dhe për dy minuta u zhduk nga shikimi i Lonit, i cili po pëshpëriste nën zë - “Sido që të venë punët, le të jetë larg bythës sime.” Disi e lehtësuar, Janulla hyri në tendë dhe për t‟u çliruar krejtësisht, filloi të qajë me kujë, por jo me zë të lartë. Kati kishte vënë qërqellun dhe po përgatiste byrekun për dhëndrin

59


dhe Ollgën. Motrat e vogla të Ollgës po luanin në lëndinë me fërfalla pishe e me varka, të gjitha të gdhendura nga Toli. Toli dhe kali i tij i shalës, të dy si dy fakirë, të cilët edhe koha i kishte nxjerrë jashtë loje, bridhnin ende maleve, pa u interesuar askush për ta dhe pa një plan për të ardhmen. Ja si mendonte Toli për veten dhe kalin: “O Toli ynë mendjendritur, o burrë mali dhe trim, ku i ke delet e tua? Ku i ke mushkat, dhitë dhe gjënë e gjallë? Kapardisesh mbi atë kalë po aq gjynahqarë sa ti.” Toli mendonte kështu dhe që kur i morën delet, nuk e hipi kurrë kalin e tij. E tërhiqte për dore duke shëtitur dhe kokën e mbante gjithmonë ulur. Kali, sikur ta kishte kuptuar gjendjen e tij shpirtërore, nuk hingëlliu asnjëherë dhe nuk bënte as naze kur ai e tërhiqte për dore. Ai nuk e lëshonte prej duarve, sepse mendonte që kishte ende diçka, që deri diku e kishte ngritur lart emrin dhe famën e tij. Kali ishte për të, një pjesë e asaj të shkuare që ende e mbante gjallë dhe nuk e mposhtte përfundimisht. Herë pas here, ai mendonte edhe të kundërtën, kur shkëmbehej me ndonjë dhe i jepte vahtin. “E shikoni atë burrë? Ai është Toli kapedani, burrë i zgjuar dhe një nga çelnikët e malit, njeri punëtor dhe gojëëmbël. Akoma e mban kalin e shalës, por nuk e hipi asnjëherë. Ai nuk e di se do të ishte më mirë pa kalë, sesa me të. Duket si dështak, i cili ende shpreson te ajo që ka ekzistuar. Ende beson se në një të ardhme do të jetohet si më parë dhe nuk e shikon realitetin si është. As nuk mundohet ta pranojë.” Por, më e keqja nuk ishte ajo që mendonte ai për veten dhe për qëndrimin e të tjerëve ndaj tij, por fjalët që Loni kish kurdisur me Dhoksinë, atë qorren e dreqit, të cilat tashmë kishin marrë dhenë aty në mal dhe Toli nuk mund ta shpjegonte dot qëndrimin e bashkëstanarëve të tij. Nuk e shihnin më si më parë dhe përshëndetja që i bënin ishte e thatë. Toli nuk e shpjegonte dot kursesi një gjë të tillë. Asnjë njeri nuk do të guxonte t‟i tregonte hapur, se flitej për një lidhje të tij, me të renë e djalit që kishte ushtar. Janulla i kishte marrë vesh të gjitha nga gratë që flisnin, edhe për atë që e kishte hapur atë thashethem. Qorrja i doli një ditë përballë Janullës dhe duke buzëqeshur si triumfatore, nuk e bëri qejfin qeder. Janulla, e cila dinte tashmë çdo gjë, e mallkoi nga pas: -S’frënx zverka a ta, dumuxale (thyefsh qafën, o zot ishalla). Janulla, kursesi s‟mund ta kalonte nëpër mend, se një gjë e tillë mund ta kishte zanafillën te Nesti. Nesti nuk do të kishte folur kurrë me të atin, as do të guxonte ta bënte ndonjëherë një gjë të tillë. Ishte e pamundur. Por, që të mendonte, se për të gjitha këto fajtor ishte Loni, as që bëhej fjalë fare. ***** Janulla, sipas porosisë së Lonit dhe zgjidhjes së vetme që kishte për fëmijën e saj e të tijin, u nis për në Voskopojë. Dhori, djali i vogël i Tolit e kunati i saj, e shoqëroi me mushkë. Të nesërmen u gjend në Korçë. Pyeti për adresën e Lonit, të cilën e gjeti shpejt, por nuk po gjente Lonin. Qëndroi më shumë se një orë afër derës së shtëpisë së tij, derisa u kthye nga puna, me një trastë meshini si ato të Lytfiut dhe Kasos. Kur e pa, doli nga kthina ku kishte hyrë dhe iu afrua. Loni i foli: - Si kështu, vendose të vish? Mos të ka parë njeri dhe na fike? - Jo, mos ki merak, se nuk më pa njeri. Kisha edhe diçka tjetër për të të thënë. Ti nuk e di, por aty në mal, po bëhet hataja. Të gjithë kanë filluar të flasin për një lidhje mes meje dhe vjehrit. Kjo po i vë kapakun të gjithave. Vetëm Toli nuk di gjë dhe e shoqja, Kati.

60


- Mos u merakos, se nuk ka asgjë në këtë mes. Fjalët vijnë e shkojnë. Vetëm Nesti s‟duhet ta marrë vesh këtë gjë. - Nesti ka për ta marrë vesh, edhe pleqtë do e marrin. Po mua, po më çudit fakti si koincidojnë gjërat kaq bukur. Si shkoi kjo punë kështu? Ajo që vetëm unë, ti dhe Nesti e dinim, tani u bë tërkuzë në stan. Shyqyr që nuk janë gjithë stanarët këtë vit. Po prapë, për mua njëlloj është, si ta dinë shumë e si dy vetë. Ajo, nervoze si ishte, lëvizte me gjeste pa kuptim përballë Lonit dhe shihte herë pas here fytyrën e tij, sikur priste të gjente tek ai, shpëtimin prej asaj që po ndodhte. Por Loni, i cili e dinte fare mirë atë punë që e kish tjerrë me dorën e tij, nuk fliste, mundohej të fshihej e të mos zbulohej. Rrebeshi që do të pasonte në të kundërt, nga ana e saj, do të ishte me pasoja. Loni e vështronte me një ëmbëlsi që herë pas here e përdorte për ta ngushëlluar. Por ishte thjesht një shtirje, të cilën një e re si Janulla e në hallin që e kish zënë, nuk do e merrte kursesi si të tillë. Për herë të parë, Loni ndjeu keqardhje për të, se ishte ai që kishte prishur gjithçka me dorën e vet. Frika e detyroi të gabojë edhe tani që po përpiqej të humbte gjurmët e fajit, por e kuptoi se ishte një përpjekje e kotë, pas asaj që kurdisi me Dhoksinë. Megjithatë, njeriu ecën para edhe kur e di se shtegu është i zënë. E çoi te doktori dhe ajo punë u krye me sukses, sigurisht duke paguar, aq sa një njeriu në atë kohë, do t‟i duhej të punonte dy muaj që të fitonte atë shumë. E përcolli për në Voskopojë, duke e porositur të kishte kujdes dhe sido që të shkonin punët, ai nuk hynte fare në atë mes, ndryshe pasojat do të ishin më të rënda edhe për të. - Tani e kalove lumin Loni Gjato dhe i fshive duart pas krimit që bëre. Ishte edhe fëmija yt e nuk pate një pikë mëshire. Unë e gjora nuk kisha nga t‟ia mbaja, e ndodhur mes dy zjarresh. U mundova të digjem te zjarri më i vogël. Por tani, nuk e di ç‟zjarr tjetër më pret aty në mal. - Nuk kisha si veproja ndryshe Janulla. Nuk kishim zgjidhje tjetër. Faji ynë i vetëm, ishte se jemi dashur që në fillim dhe rrugët na u ndanë papritur. Nuk duhet të ngatëroheshim pas fejesës tënde. Tani, të gjitha kaluan dhe s‟ka për të ndodhur asgjë pas kësaj. Loni i jepte kurajo dhe e ngushëllonte me fjalë, ndërkohë që mendonte se ajo ngjarje kishte marrë për ters. U ndanë duke u puthur edhe njëherë, si për herë të fundit. ***** Mëngjesi i asaj dite ishte i tymtë. Toli ishte zgjuar herët dhe pasi kishte rregulluar delet me mjeljen, ishte ulur mbi stivën e druve karshi kasolles së tij. Nuk kishte asnjë plan në kokë. Kishte dëgjuar ditët e fundit, se të gjithë ata që ishin argatë te rëmënët dhe që ishin sistemuar në qytet, ishin shumë më mirë se ata që ishin mbështetur rrëzë Moravës. Me ato pak dele që kishin dhe ende pa u regjistruar në kooperativë, po vuanin për bukën e gojës. “Nuk keni të drejtë të furnizoheni me bukë, pa u regjistruar në kooperativë.”- u thonin. Kurse Janejtë që kishin mbetur këtej kufirit, i futën me detyrim në kooperativë e u dhanë kazmën. Ishte si një dënim për ta. Por ata që ishin të zotë e të mençur edhe po t‟iu jepje kazmën mbanë do ia dilnin. Të gjithë punonin në kooperativë, i madh a i vogël. Fshatarët e tjerë nuk ngopeshin duke i parë rëmënët të punonin me kazmë dhe shatë. Por, kur erdhi dita e ndarjes së prodhimit, i cili ndahej sipas normave që kishte secili në arë, gjysma i takoi atyre pak Janejve që ishin në fshat dhe gjysma tjetër, gjithë fshatit. “Me rëmënët nuk u haka kush!”- pëshpërisnin fshatarët -“Dënoi sa të duash! Këta e kanë ngritur shtëpinë mbi samar të mushkës e në dëllinjë dhe nuk pyesin për të tjera.”

61


Pesëdhjetë dele për të gjithë, ishin një katastrofë e vërtetë. Në Korçë, dimri ishte i gjatë dhe as që bëhej fjalë të sigurohej zajreja e bagëtive. E pra, edhe atyre që ndodheshin në fshat, veç bukës që ishte problem, do t‟u duhej të shtegëtonin ende për në myzeqe. Shtegëtimi kishte të tjera sakrifica pastaj. Familja nuk mund të mbahej kurrë me pesëdhjetë dele. Toli nxorri nga jeleku stërnarën, mënarën dhe një copë eshkë të thatë, duke e bërë fije të holla, mbushi mirë çibukun me duhan tërvaçi, duhan dumreje dhe e ndezi me një të goditur të masatit. E thithi disa herë rresht, sikur po thithte hallet që e kishin zënë dhe donte t‟i kapërdinte në shpirt. “Kjo murtajë që ra mbi ne, nuk ishte parë e dëgjuar më parë e ne mbajmë ende mustaqe nën hundë dhe akoma e quajmë veten burra. Dhe unë Toli Billo, Toli kapedani, tërheq pas dore doriun, kalin tim të shalës. Edhe ky kalë qyqar e ka kuptuar gjëmën. Kafshët kanë tru dhe janë të zgjuara. Patjetër që e ka kuptuar kali, sepse unë nuk e kam hipur gjatë gjithë kësaj kohe, patjetër, patjetër. Ato të shkreta dele, e kuptuan që atë ditë, prandaj blegërinin e kërkonin ndihmë pa pushim. Me fshikuj në duar ata debila. Po delja nuk do fshikuj e ferra, as rrodhe more qenër. Delja është e pastër dhe do një fërshëllimë të ëmbël e një të folur, ashtu si dimë ne t‟u flasim. Dhe ajo bëhet më e butë dhe më e qetë se sa duket. Ashtu si ka zënë kjo punë, do të na zhduken zakonet, edhe gjuha ka për të humbur, kjo gjuhë, e cila vjen që në kohët e lashta, kaq e pastër e kaq e ëmbël. Do të punojmë me kazëm gjithë jetën. Po kush ka nxjerrë gjë me kazëm? Në qoftë se kazma do të ishte kryesorja, ne patjetër që do ta kishim përdorur më parë. Kazma është një vegël, e cila përdoret për të prishur diçka, ose për të hapur varrin e dikujt. Nuk është kazma për punë. Ata të Voskopojës u treguan me mend, në kohën kur u dogj Voskopoja herën e fundit. Shumica e tyre u largua e u vendos në Korçë, krijuan një lagje më vete dhe ke qejf ta shohësh tani, pastërtinë dhe komandimin që i bëjnë gjithë qytetit. T‟i shohësh nga jashtë, nuk dallon një që të të duket si rëmën, se asnjëherë nuk i dëgjon të flasin në gjuhën e tyre. Kurse në shtëpi, jo vetëm që flasin në gjuhën rëmëne, por e shkruajnë dhe e mësojnë atë. Madje ata më pleqtë, po të dëgjuan në shtëpi të flasësh shqip, të mallkojnë. Ata hapën shkollat e para rëmëne në Korçë, pas iradesë që firmosi Sulltani në maj të 1905-ës. Ne të malit jemi të vonuar në këtë drejtim dhe kjo që po na bëhet sot, është pa dyshim një gjymtim i dytë, pas djegies së Voskopojës. Nuk besoj se do ta çojmë kokën pas kësaj traume. Djegia e dytë e Voskopojës i shpërndau edhe njëherë rëmënët. Një pjesë e mirë e rëmënëve, pas një qëndrese mëse një-vjeçare me ndihmën e gjithë rëmënëve që banonin përreth, u larguan e u shpërndanë në shumë drejtime, në Ohër, Resnë, Përlep, Krushovë, Rusi, Poloni, Rumani, Hungari e Kroaci. Në kohën e rënies së Voskopojës, ranë edhe disa vendbanime të tjera, të dallushme për një qytetërim, si Nikolica, Shipska, Vithkuqi, Vrina, Rrogozhina, Gramozi, Grabova dhe Plasa. Një pjesë e vogël preferoi të qëndronte maleve, për t‟u shkëputur nga qendra e tyre njëherë e përgjithmonë. Djegia e tretë dhe e fundit, i detyroi Voskopojarët që kishin mbetur, të zhvendoseshin pothuaj të gjithë në Korçë. Por përsëri, një pjesë e tyre zunë vend në Voskopojë dhe e rimëkëmbën si fshat tashmë dhe jo si qendra e një qytetërimi. Gjithmonë mundohej të ma shpjegonte Xhimoja, pse ne nuk ishim afruar e nuk ishim ngulur aty ku kemi gjithë historinë tonë. Tani nuk ia vlen të shkojmë, se do të fillojnë ato të flamosura kooperativa. Isha i vogël kur filluan regjistrimet e para të rëmënëve, si të atyre të Voskopojës, edhe atyre të malit. Ne të malit ishim një pakicë, rreth pesë përqind të të gjithë rëmënëve që ka

62


vendi. Nga regjistrimet që u bënë në atë kohë, në fillim thuhej se ishin rreth dyqind mijë rëmënë në gjithë Shqipërinë, por edhe në veri kishte rëmënë. Nuk dinin si t‟i vendosnin mbiemrat. Ishte problem puna e mbiemrit. Ne gjithmonë njiheshim me nofka e kryesisht me emrat e prindërve. Ata të Voskopojës e patën më të lehtë për mbiemrat, se dikush kishte propozuar t‟i regjistronin me mbiemra, të formuluara sipas zanatit që kishte secili. Dhe ashtu u bë, ata që bënin qirinj, u quajtën Qirinxhinj, ata që piqnin në furrë, Furxhinj, e kështu me radhë Kallajxhinj, Teneqexhinj, Samarxhinj, ose Rafti, Kazanxhiu, Bakërxhiu, Xhambazi, Piperi etj. Për ne të malit ishte e vështirë të bëhej kjo gjë, se të gjithë një punë bënin e s‟mund të quheshin të gjithë barinj ose çobenj, nga greqishtja kjo. U menduan gjatë dhe e gjetën. Do t‟iu vihej sipas nofkës, vetive ose veseve të secilit fis. Për shembull, për ata që ishin të gjetë në shtat, u vendos mbiemri Gjata, ata që ishin të shëndoshë si fis, morën mbiemrin Trrasha e me radhë ,Kapurani, Disho, Shkurti, Hanxhara, Levendi, Samara, Bello etj. Është për t‟u çuditur kjo puna jonë. Ne nuk kemi qenë pa mbiemra, por njëqind vitet e fundit, në këtë vend ku nuk duhej as emri e jo më mbiemri, nuk u përdor asgjë. Do ta dija si do e kisha unë mbiemrin, vetëm dyqind vjet më parë. Po ç‟rëndësi ka kjo? Pa emër nuk kemi ngelur dhe kurrë nuk i kemi kthyer as me turkun e as me sllavin.” Toli e mbushi përsëri çibukun me duhan dumreje. Ishte i fortë i shkreti duhan i asaj zone, ashtu si do e dëshironte një burrë i vërtetë mali. Ulur mbi stivën e druve, po kuvendonte me vete. Më tutje, kulloste Doriu i tij pa mëgojëz. Toli i kishte vënë një kapistall me tre gishta rruaza thurrur, i cili shkonte aq shumë me ngjyrën e tij të lëkurës. “Ndodhem në mes të katër rrugëve e në qiell të hapur. Për herë të parë në jetën time, ndihem i pafuqishëm, pafuqi, të cilën as unë nuk e kuptoj nga më vjen. Nuk varet nga unë asgjë dhe nuk më hapet një shteg ku mund të veproj. E ç‟duhet të bëj? Në qytet apo në fshat nuk më vihet. Janejtë arritën të merrnin gjysmën e prodhimit në kooperativë, po ata e dinë se ç‟hoqën me kazëm e shatë, gjatë gjithë verës. Unë jam Toli kapedani dhe sot betohem, se nuk do të punoj në shtet apo në kooperativë asnjëherë, sikur ta di se do të kalbem në burg. Po Mitron që e arrestuan! Nuk ia bënë dysh fakirit, se kishte një tufë me fëmijë të vegjël. Ashtu si Dhimoja, krushku im, i cili shiti të gjitha delet edhe Mitroja u vendos në Drenovë të Korçës. Ia gjetën adresën dhe i kishin shkuar drejt e në shtëpi. Këtë rradhë nuk ishte Kasoja, por një hetues me emrin Flamur, të cilin e ndiqnin pas gjashtë policë. I hodhën hekurat në oborr të shtëpisë, se kërkonin floririn e fshehur. I gjori kishte fshehur me gjithë mend, por nuk tregoi. Të dy me gruan ishin betuar se nuk do të tregonin dhe mund t‟ia hidhnin për bukuri, por nuk ndodhi ashtu si e kishin parashikuar ata. Në prezencën e tij, të gruas dhe fëmijëve, filluan kontrollin në gjithë shtëpinë. Vetëm dhjetë copë napolona i gjetën. Por ata ishin të informur, se Mitroja kishte pasur shumë dele dhe i kishte shitur shumë kohë më parë, pa rënë vlera e tyre. -Vetëm ato kemi zoti hetues, m‟i lini se kam fëmijët e vegjël. Nuk jemi sistemuar akoma as me shtëpinë, e cila një copë plevicë e uruar është. Gjithë rëmënët që u mbështetën rrëzë Moravës, si fillim morën të gjithë plevica dhe i sajdisën si shtëpi me dhoma, sa për të futur kokën. E ku të gjenin shtëpi të vërteta! Pas fjalëve të tij, ata e hipën në makinë dhe e rrasën brenda. Hajdhulla, e shoqja ulërinte, por ata nuk e bënë qejfin qeder. Katër muaj në burg me tortura dhe me pesë lekë bukë e katërqind gram ujë. U bë fakiri, që mos e njihje dot me sy dhe nuk tregoi për floririn. Por, në momentin kur ai u bind se kishte fituar e ia kishte hedhur njerëzve të qeverisë, ndodhi më e papritura. Flamuri ishte zanatçi në atë punë, megjithëse ishte me katër klasë shkollë.

63


Ai zagar, nuk u thye e shpresonte se do ia dilte mbanë. Ndoqi një taktikë tjetër. E la dhjetë ditë pa bukë fare, që kur ta çonte para gruas e fëmijëve, ata të tromaksur të tregonin ku i kishin fshehur florinjtë. Mitroja nuk qëndronte më këmbë dhe ishte ligur e dobësuar, saqë do të ishte vështirë ta njihnin ata të shtëpisë. Fytyra dhe duart, si një limon, i dalloheshin vetëm damarët e kockat. E mblodhën në një batanije ushtarake dhe e hodhën në karocerinë e makinës, sikur të ishte send e jo njeri që merrte frymë akoma. Ai, as gjuhën nuk e komandonte dot. Vetëm një pikë loti i shpëtoi para fëmijëve dhe gruas. Po i fliste gruas së vet, vetëm me ata lotë. Mos trego, i thoshte loti, se unë ende nuk kam treguar! Por gruaja mbeti e shastisur dhe nuk e njohu fare, jo më të lexonte në sytë e tij lotin. - E pra, gruaja e Mitros, më thuaj në e njeh këtë birbon? Hajdhulla u afrua dhe duke e vështruar mirë nga afër, pasi ai kishte mënjanuar kokën, dalloi nishanin e tij në qafë, në krahun e djathtë. Për çudi, ai nishan iu duk shumë i madh. Harroi Hajdhulla që ishte zvogëluar Mitroja, ndaj dhe nishani po i dukej ashtu. Ajo s‟e kishte parë që ditën që e morën. Nuk i kishin dhënë asnjë adresë dhe e trembnin sa herë i kërkonin të tregonte për floririn.. - Korba unë! - ulëriti - si e paskeni katandisur kështu burrin tim? Nuk u erdhi pak gjynah nga Perëndia, more katila. Mallkuar qofshi ishalla! Me kujë, dolën nga shtëpia edhe fëmijët. Flamuri shikonte me bisht të syrit lëvizjet e tyre. Ai kishte vendosur ta thyente këtë rëmëne. Vetëm Ilia nuk qante, kurse fëmijët e tjerë vajtonin rreth së ëmës, kapur pas fustanit. - Tregoni dhe do e lëshojmë Mitron. Ndryshe, e dini se si do përfundojë. Lica, vajza e vogël, filloi t‟i lutej të ëmës që të tregonte. E tërhiqte nga fustani dhe më pas filluan edhe të tjerët të bërtasin pothuaj në korr, që ajo të tregonte. - Ne e dimë ku është fshehur, se Mitroja na tregoi, por duam ta dëgjojmë dhe nga ju. Mitroja nxori edhe një pikë loti tjetër dhe Hajdhulla këtë herë, kuptoi se ai po qante pikërish për faktin se nuk kish mundur të rezistonte më shumë. - Ejani, që mos arrifshi t‟i merrni! Ja ku i kam, aty në mes të bashtës. Ilia merr një kazëm dhe fillo e gërmo! - Nuk ka nevojë të gërmojë djali, gërmojnë djemtë – tha Flamuri. Filluan të gërmojnë, derisa doli teneqeja. E hapën dhe filluan ti numërojnë një e nga një. -Njëqind copë janë - u tha Hajdhulla . Por Flamuri ngulmoi se kishin edhe të tjera. Ai bënte llogari, sipas të dhënave që kishte për krerët e bagëtive të Mitros. Mendonte se duke i shitur shumë kohë më parë se shokët, duhej t‟i kish shitur shumë shtrenjtë. Në këto e sipër, Mitros i ra të fikët dhe Ilia u turr me shpejtësi brenda në shtëpi. Solli një bucelë me ujë dhe ia hodhi të atit në fytyrë. Pasi erdhi në vetë Mitroja, Flamuri komandoi vartësit që ta mernin përsëri.. -Hipeni në makinë. Do të japë llogari para gjyqit popullor, për mashtrimin që i bëri qeverisë dhe popullit. E dënuan të ziun edhe me gjashtë muaj të tjerë burg dhe kur u kthye në Drenovë, nuk ishte veçse një plak, megjithëse ende nuk i kish mbushur të dyzetat.” Prandaj them unë, që nuk dua të punoj për këta qenër. Le të flitet për mua dhe për këtë që do të bëj. Nuk dua të punoj për të tjerët, apo për të dobëtit. “Poeti Xhimo tregonte për përpjekjet që kishin bërë rëmënët gjatë gjithë historisë. Tregonte për gjuhën dhe mundësitë për krijimin e shtetit të tyre, por asnjëherë nuk ia dolën mbanë. Vitet 1900 – 1910 ishin vitet më vendimtare për ta. U mor iradea për

64


hapjen e shkollave rëmëne nga sulltani, u bënë disa kongrese në vitet 1909 – 1910. Por, reprezaljet dhe dhuna që u ushtrua nga Turqia më pas, ishte e tepërt. Shpallja e pavarësisë dhe zgjedhja e drejtuesve u shtyp nga turqit me dhunë. E kësaj natyre ishte dhe djegia e Voskopojës, apo eliminimi i delegacionit të rëmënëve në Londër, në kohën kur do të vendoseshin kufijtë. Si do të ishim, po të kishim formuar shtetin tonë që në atë kohë? Eh, nuk ishte e thënë të kishim një shtet. ” Sa herë që kulloste delet bashkë me poetin Xhimo, Toli dëgjonte histori, të cilat tregoheshin si legjenda në atë kohë ose si përralla, por që përbënin një nder për rëmënët. Edhe Dhaskali tregonte njëlloj si Xhimoja. Më tutje kulloste Doriu, i cili filloi të lëvizte bishtin. Mbase e kishte shqetësuar ndonjë mizë e madhe. “Po ti si mendon? – iu drejtua kalit - Nuk jemi të dy vetëm në këtë botë? Ty të rroftë freri e shala që të ndrit! Si nuk e mendova mirë që atë ditë, këtë punën tënde. Do të shkoje në kooperativë dhe do të të kalëronte kryetari ose përgjegjësi, Kasoja, Lytfiu. Do të ndiheshe i lumtur gjithsesi, se dikush do të kapardisej mbi kurrizin tënd. Dhe ti rri e kullot, pa bërë një punë. Je bërë një dembel që s‟e ke shokun. Në Pazar nuk të marr. Të tërheq për dore si një çilimi, që ende nuk ka mësuar rrugën. Më dhimbsesh o i shkretë dhe është kjo dhimbsuria ime që të torturon edhe ty. Njëlloj jemi të dy, mos u merakos për këtë! Urdhëro! Si the? Dëshiron të të çoj në kooperativë? Të pëlqen të mbrehesh me një buall, apo me një gomar dhe të lërrosh arrën? Jo? Epo këtë më thuaj që nuk ta mban andej, se këtu ke gjetur shtëpinë e priftit. Do të ngarkoj ndonjë ditë e të shkojmë në mulli, që ta bluajmë atë pak misër që kemi. Si, si? Nuk e di ç‟është mulliri? Ke të drejtë, se atë punë e bënin mushkat. Atje i dashur, çojmë misrin dhe guri i mullirit fërkohet me të duke e shtypur, për të bërë miellin. Pastaj, veçojmë me sitë nga ajo përbërje krrundet, të cilat zotrote i njeh, se i ke ngrënë gjithmonë dhe pjesa tjetër është mielli. Krrundet janë ato që të ushqenim zotrote, kurse me miellin ushqehemi ne. Si the? Pse nuk rrinë krrundet bashkë me miellin? Ah more i gjorë, nuk e shikon që tani u bashkuan krrundet me miellin. Sita e jetës kërkon mijëra vjet që të mund t‟i veçojë të gjitha krrundet nga mielli, kurse këta që na morën delet, i bashkuan ato. Krrundet do të dalin fitimtare sigurisht, por mielli do të jetë i zgërlaqur dhe nuk do të shërbejë as edhe për një lakror të paqmë. Po kujt i flas edhe unë, për krrunde dhe miell! Bëj kurrizin gati, se do të nisemi për në mulli dhe mjaft me pyetje. Mos pyet, kur nuk e merr vesh përgjigjen. Ah more evgjit lëkurëmbledhës, që na paralajmërove zotrote, se do të bëheshim të gjithë njëlloj. Po ne, nuk mund ta dinim? Harrove more evgjit, që nuk ta mësoi emrin kush. Po ç‟them edhe unë? Përse i duhej emri evgjitit? Harrove që, për fatin tënd të keq, apo të mirë, nuk dije se do të bëheshim njëlloj të gjithë, por si puna jote, pa emër.” Doriu ngriti kokën duke vështruar të zotin, sikur t‟i kishte kuptuar të gjitha sa tha ai. Toli fliste me zë dhe doriu ngrinte herë pas here kokën. Kujtonte se i zoti e kërkonte dhe ndaj i fliste. “The gjë? Jo. Epo mirë, më thuaj një fjalë doriu im, mos më shiko ashtu qortueshëm! Ne të dy nuk jemi për të qarë hallin? Po të ishe larguar me grumbulluesit e bagëtive, do të ndiheshe më mirë. Duke lëruar me ndonjë veshgjatë, të dy të mprehur në parmëndë, ashtu do të ishe, kupton? Po për mua, nuk do të vinte keq të më lije vetëm? Si do t‟i shtyja ditët unë pa ty? Me kë do të bisedoja kaq shtruar unë? Ti thua se ne nuk vlejmë më, as edhe një grosh? Ke të drejtë. Ty, nuk ka burrë që të të kalërojë pas kësaj, ndërsa unë duhet të heq edhe mustaqet. Jemi njëlloj mendon, zotrote? Jo, unë jam më keq se ty. Djalin e kam ende fëmijë dhe nuk është kthyer nga ushtria, kurse të tjerët janë ende të vegjël dhe duhen

65


ushqyer. Nuk them se s‟jam i zoti t‟i ushqej, por shpirtin e kam të vrarë dy herë. Mos u çudit se thashë dy herë. E para, kur më morën delet dhe hera e dytë,.... e kam shpirtin të vrarë, nuk ta them. Jam betuar se nuk do t‟ia tregoj kujt dhe do e marr me vete në varr. Ti shullëresh gjithë ditën, lëndinë më lëndinë. Mirë, të dy njëlloj jemi, por mos fillo tani të hingëllish, këtu në mes të sheshit, që të na dëgjojnë të gjithë. Mos do të ta heq kapistrën dhe të bësh tutje pyllit! Jo, se ujqërit janë shtuar kaq shumë kohët e fundit, sikur të donin të zëvendësonin bagëtitë e humbura dhe do të të çanin më dysh, që natën e parë. Dëgjo, do të rrimë bashkë deri në fund. Të paktën do të kemi njëri- tjetrin. Në kooperativë nuk të çoj sa të jem gjallë. Ky ishte fati im dhe fati yt njëkohësisht. Do na detyrojnë thua ti? E di atë thënien : “Atë që të bën qeveria, s‟ta bën as perëndia.” ? Por , unë do të di si të veproj, që të mos bie në grackën e tyre.” As vetë, nuk i kuptoi fjalët e fundit dhe nuk ishte i qartë se ku rrihnin ato. Kali jo e jo që s‟e kuptoi. U çua nga stiva e druve, duke thithur pa pushim çibukun dhe kur vuri re se ai ishte shuar, e shkundi në pëllëmbë të dorës me inat. U drejtua për te kasollja me këmbët e mpira dhe mendjen e turbullt. Para kasolles, ndodhej Janulla me fshesën në dorë dhe Kati që po përgatiste mëngjesin. Hyri në kasolle dhe vështroi gjithë fëmijët e tij, të cilët flinin të qetë e të mbuluar me çorgat e kuqe. Si për çudi, kasollja po i dukej e vogël. Hararët e leshit, të vendosur në krye të kokave të fëmijëve dhe të mbushur me rroba e lesh, i shëmbëllenin si qenie të gjalla. “Të vetmit dëshmitarë do të jeni ju o hararë të bukur, se nuk ka për të thurrur Kati më hararë të tillë dhe nuk do të ketë arsye që të duhen më. Edhe aq sa jeni, jeni shumë.” U ul pranë vatrës dhe përsëri mbushi çibukun, të cilin e kishte qëndisur me duart e tij, nga një degë plisku (bushi). I ishte bërë si gjymtyrë e pa të, nuk jetonte dot, sidomos tani që hallet po e mbysnin. E ndezi duhanin e Dumresë dhe e thithi me endje. Lëshoi shtëllungat në ajër dhe duke vështruar fëmijët, që flinin të vënë në rresht, bëlbëzoi: “Kushedi sa ëndrra po shohin! Gjyshi më tregonte që ëndrrat i shohim gjithmonë në mëngjes.” Një pikë loti iu rrokullis në faqen e djathtë dhe i mbërriti deri te mustaqet. *****

- E ke parë nusen moj? Të është ligur që kur erdhi nga Voskopoja. Ishte si një shegë kur u largua. - Toli e tori një orë nëpër mendje atë që i tha të shoqes. - Nuk të kuptoj more burrë, ku e ke fjalën? - Më mirë që nuk e kupton, më mirë. - Po përse ma thua, kur na qenka më mirë që unë s‟e kuptoj! Diçka unë di dhe isha betuar që ty mos të tregoja, por e shoh se po vuan dhe s‟po vë gjumë në sy. - Më mirë mos më trego, se boll kam ato që di vetë. Më mjaftojnë ato. - Nuk ma nxë goja atë që di e kam dëgjuar more burrë, është shumë e rëndë. Ajo qorrja e djallit, ka hapur fjalë në stan se ti ke ngacmuar nusen e djalit tënd. Mos e zëntë viti ishalla. Kësaj gjëme që na zuri tani, nuk i gjendet ilaçi more burrë. Nuk dal dot jashtë kasolles. - Deri këtu ka arritur puna, që të dyshojnë për mua. Prandaj më shohin me përçmim të gjithë këtu në stan. Po kujt i intereson kjo gjë moj grua, a s‟më thua? Të jetë nusja e djalit, ajo të cilës mund t‟i interesojë kjo, nuk e besoj kurrë. Kam frikë se.- Toli nuk e mbaroi fjalën dhe duke thithur çibukun ra në mendime. “Kjo që po më ndodh nuk mban

66


erë të mirë dhe diçka e pazakontë do të ngjasë në këto male. U mblodhën të gjitha njëherësh. Nuk mjaftoi gjithë ajo që hoqëm me bagëtitë, po tani edhe kjo, që u vë kapak të gjithave.” - Burrë, në këtë mes do të ketë ndonjë person që nuk na do, prandaj na i bën të gjitha këto. Po kush do të jetë ai djall që nuk na do? Ne nuk kemi pasur kurrë hasmëri me njeri. - Grua, të thashë mos e përmendësh më këtë punë, se nuk jam në gjendje të duroj akoma. Më mirë hesht dhe ndiq ngjarjet si do të venë më pas. – as vetë Toli nuk po e ndiqte kuptimin e fjalëve që tha. Mori çibukun dhe e mbushi me duhan. Kali dhe çibuku ishin të vetmit që përbënin të paktën një ngushëllim, për të e të gjithë hallet që po e zinin. Dimrin e shkuar në myzeqe, si për inat, pati gëlbazë dhe nga njëqindepesëdhjetë që kishte, Tolit i mbetën vetëm gjashtëdhjetë dele. Ngordhnin një nga një duke u fryrë dhe nuk u gjet një ilaç kundër gëlbazës. Ishte viti më ters i gjithë jetës rëmëne. Delet e fryra i hidhnin në lumë, se mishi ishte me sëmundje e nuk mund të hahej. Nuk mjaftoi marja e bagëtive. Me një vendim që tashmë e kish marrë, Toli përgatiti Doriun dhe mushkën dhe, pasi përkëdheli për disa minuta fëmijët në gjumë e pas një vështrimi që i hodhi gruas sikur ta shihte për herë të fundit, u nis për në Pazar. Sipas fjalës që vendosën në mbrëmje, me të do të shkonte edhe Janulla. Se ku ishte qëllimi i tij në këtë ditë pazari, askush nuk mund ta dinte. Mos vallë do ta çonte nusen e djalit diku larg, ku asnjeri nuk mund ta shikonte apo ta takonte! Askush nuk dinte gjë në këtë drejtim. Vendimi i tij ishte i beftë dhe i menjëhershëm. Me kalin për dore dhe mushkën e lidhur në kocaqe të kalit, të dy morën rrugën drejt qytetit. Janulla nuk fliste dhe herë pas here, pyeste veten se si ishte e mundur të ndodhte një gjë e tillë. Që ditën kur ishte martuar, me vjehrin e saj nuk kish shkëmbyer as edhe një fjalë. Zbatonte ato që i thoshte ai ose e vjehra, në heshtje e me një shpejtësi të madhe. Ishte çuditur kur Kati i kish thënë të gatitej për në pazar. Ishte hera e parë që shkonte në pazar me vjehrin. ndaj ishte e trembur dhe e frikësuar, se dikush mund t‟i shikonte bashkë. Ec e gjeje një vend aty në stan, ku të fshihesh pastaj. Për çudi, rruga nuk kishte këmbë njeriu dhe një monopat, të cilin ishin duke e zbritur, i lodhi pa masë. Toli mbante për dore Doriun, kurse ajo, as që bëhej fjalë të hipte para vjehrit. Zbritën në një lëndinë të bukur, rrethuar nga të gjitha anët me lajthi, të cilat tashmë ishin në përfundim të pjekjes. Gjarpëruan nëpër rrugica të ngushta, mes përmes pyllit të lajthishtës, ku dëgjohej vetëm zëri i zogjve të vegjël dhe asnjë zhurmë tjetër nuk të kapte veshi. Përsëri një lëndinë dhe më tej, disa kodra të mbushura me dëllinja të kuqe dhe të zeza. Gjithandej, shikoje thana dhe gorica, të gjitha të pjekura. Anës rrugës, disa kullumbri ndrisnin me atë ngjyrën e tyre karakteristike, të zezë në blu, si ngjyra e shajakut të pantallonave të Tolit. Patjetër që atë ngjyrë shajaku, rëmënët do ta quanin ngjyrë kullumbrie. Janulla, e cila ecte gjithë kohës pas tij, këputi disa kokrra dhe i vuri në gojë. Ishin nisur pa ngrënë nga shtëpia. Më tutje, disa kokrra thane po fshehtas sikur do të bëhej gjëma po ta shihte Toli. Turpi që ndiente Janulla, ishte jo vetëm shkak i zakonit që kishin rëmënët e atyre anëve, por edhe për atë që ajo po mendonte. Ishte fajtore edhe ajo vetë në atë gjë, për të cilën flitej. Faji i saj ishte kompleks, bashkë me atë, qelbësirën (ashtu si e quante ajo herë pas here Lonin, se e kish lënë në mes të rrugës e bënte qejf aty në Korçë), i cili ishte shkaktari kryesor i gjithë asaj që po përjetonte ditë për ditë, aty në mal. “Gjithmonë merrte me vete djalin e vogël, Dhorin për në Pazar. Mos vallë ka diçka në mendje? Për mua do të ishte një mënxyrë e re. Ku vallë po më çon e për ku është nisur? Përse ka marrë këtë rrugë, ku unë kurrë nuk kam kaluar? Sipas shenjave, kjo nuk

67


të çon në qytet, por diku tjetër. Mos vallë do të më çojë te prindërit dhe unë e gjora nuk di gjë? Po të ishte ashtu, do më tregonte vjehra. Nuk kishte si të ma fshihte këtë. E shikonte tek tërhiqte Doriun për dore dhe njëqind mendime të vrazhdta po i kalonin nëpër mend, me shpejtësinë e dritës. Të kisha një pushkë me vete, do ta qëlloja. Pas tij, do të qëlloja edhe veten, që mos e shihja më dritën e diellit. Nuk dua të jetoj më kursesi me një ngarkesë kaq të madhe mbi krye. Jeta më është nxirrosur, që ditën që dola kampione në tjerrje, ditën kur Loni më ftoi te përroi. Nuk i dija mirë zakonet e malit? Jo, kjo nuk është e vërtetë, se i dija të gjitha. As unë nuk e di përse shkova atje, ashtu pa vetëdije. Diçka më shtyu të shkoja, por nuk e shpjegoj dot sot. Atë ditë ndihesha e lumtur dhe fluturoja nga gëzimi. Nuk mbylla sy asnjë orë atë natë, numëroja yjet dhe zemra e shpirti më fluturonin atje lart. Ndërsa sot, jam aq keq, sa dua të vdes dhe nuk më vjen kjo e shkretë vdekje. Ja, të bija këtu në këtë stenë të madhe e të mos më gjendej as nam e as nishan, si ato dhitë, për të cilat Raqi kish hyrë edhe në këngë (Raqi me të kushëritë, me sëpatë i therrnin dhitë). Kot po e mundoj shpirtin. Vjehri im është një nga burrat më të nderuar këtu në mal dhe për këtë, i ka dhënë provat. Ai di ç‟bën dhe nuk do ta mendoja kurrë që në mendjen e tij mund të bluajë diçka të keqe, jo vetëm për mua, por as për njeri tjetër në këtë botë. Vërtet ngjarjet e fundit e kanë ligështuar dhe e kanë tronditur shumë, por atë fjalë që lëviz si murtajë e zezë aty në mal, e ka bërë më të ngurtë dhe e ka mbyllur brenda katër mureve të tendës. Duron shumë i ziu. E si të bëjë, të prishë çarkun e familjes? Asgjë nuk është e vërtetë në këtë mes dhe ai ka të drejtë kur merakoset, përveç rastit me Lonin që nuk besoj se e di kush. Po ato shikime gjithë vrer që më hidhte muaj më parë, edhe në dasmën e Ollgës, kur na pa të dyve me një shikim, sa domethënës aq edhe të egër? Patjetër që ka shumë arsye për të qenë i egër dhe i sertë. Zgjuarsia e tij është për tu admiruar nga të gjithë. Le të bëjë atë që ka në kokë, se do të jetë gjëja më e mirë, si për mua dhe për të birin që ende e ka ushtar. Për të gjithë do të jetë më mirë, çfarëdo të ketë vendosur ai që të ndodhë. Mos më çojë në manastir dhe më mori lumi pastaj. Askush nuk më gjen dot më atje. Vetëm kur e mendoj e më dridhet mishi. Si qëndrojnë ato murgesha për gjithë jetën atje. Të gjitha të veshura me të zeza, duket sikur qajnë jetën e tyre, ashtu për së gjalli dhe sikur braktisin çdo detyrim që kanë ndaj zotit, për aq sa ekzistojnë, apo për aq sa zoti vetë i solli në këtë jetë. Vdekje për së gjalli është manastiri.” Toli ndaloi, u ul mbi një dëllinjë të vogël dhe nxorri çibukun që ta mbushte me duhan Dumreje. Nxorri nga jeleku masatin, gurin e strallit dhe një fije të hollë eshke. Eshka ishte si zemra e rëmënit. Ata beharit e mbidhnin e hapnin copa- copa dhe e thanin në diell që të merte menjëherë si baruti i thatë. Edhe gurin e lumit e njihnin fare mirë se kush ishte i mbushur me dert dhe shkëndijonte shpejt.Para se t‟i binte me masat, po e vështronte eshkën me një kurreshtje të madhe. Ishte aq e vogël dhe mund të shkaktonte një zjarr të madh. Truri filloi t‟i punojë me një shpejtësi marramendëse. Në ato pak minuta kur piu duhanin ulur në dëllinjë, i kaloi gjithë jeta përpara. “Kur isha i vogël, gjyshi më merrte në krahë gjithmonë e më tregonte histori të ndryshme. Unë e mbaj mend fare mirë, që e mbysja në pyetje. Si ndizet ajo eshkë pa një fije shkrepse? – i thoja - Ku e ka eshka shpirtin e sa jeton ajo? Sa yje ka atje lart në qiell? Kur do të dalë dielli përsëri, nga ajo re e madhe? Sa jeton një lis, po një sorrë kur vdes? Kur do të mbarojë uji i burimit? Ai nuk e mbante dot të qeshurën dhe më fluturonte në qiell. Do të bëhesh djalë për së mbari more nipçe, më thoshte shpesh. Në këtë pyll të pasur e me ajër të pastër, me ju të vegjëlit nëpër këmbë, sa e bukur është jeta këtu në mal, po aq është edhe e vështirë. Ah more djalë, kur të rritesh do ta kuptosh, se një njeri i zoti e punëtor, jeta i duket e

68


bukur, kurse po u bëre dembel të zbon mali. Po, nuk të pranon mali pastaj. Të dëbon prej aty edhe kur bëhesh i lig, apo kur të përflasin të gjithë. Mali ka fuqi të mbinatyrshme. Nuk të pranon mali dosido. Prandaj more bir, ne jemi si lisat dhe malin e kemi si prind. Kemi vite që kemi gjetur strehë dhe qetësi këtu në mal. Mali dhe ne jemi e njëjta gjë. Ditën kur u martova, dëshiroja të ishte prezent edhe im gjysh, veshur me atë xhubletë e atë fustanellë, të cilat i mbante gjithmonë pastër e të bardha si bora, me mustaqet e verdha nga duhani i tepërt dhe duart gjithë lesh, që më përkëdhelnin pothuaj çdo ditë. Poeti Xhimo më thonte shpesh se ne me atë veshje e vërtetonim më së miri se jemi pellazgët e parë. Unë i bëja pyetje se kush ishin këta pellazgë. Dhe ai më thosh se Greqisht do të thotë lejlek i bardhë. A nuk ngjajnë prindërit tanë veshur me fustanella të tilla si lejlekë. Xhimo kishte të drejtë se dhe mua ashtu më ngjante gjyshi im. Gjyshi kishte vdekur disa vite para se të martohesha unë. Babai nuk i kish ngjarë atij, por gjyshes sime. Një jetë plot vuajtje dhe lëvizje, nga Mali i thatë në Qafën e kazanit e deri në Ersekë, emër që ne gjithmonë e shqiptonim me „u‟ – Urseka, që do të thotë vendi i ariut, në gjuhën tonë. Tregojnë edhe një histori për Ersekën, për një vajzë të vogël që kishte humbur në mes të pyllit. E kërkuan për një kohë të gjatë prindërit e saj, por nuk e gjetën, madje edhe e qanë. Por ajo ishte ende gjallë. Një arushë e kishte rritur bashkë me të vegjëlit e saj. Në gjuhën tonë, ariut i thonë “ursu”, kurse arushës, “ursa”. Të vegjëlit e arushës i quajmë, për femrat “urseka” e për meshkujt “urseku”. Dhe pikërisht, vajza e vogël u gjet një ditë nga prindërit e saj, tek rrinte me arushën e këlyshët e saj. Ajo u quajt Ursekë, që këtu dhe emri Erseka. Shkonin në Voskopojë (voj skap oja - dua të shpëtoj delen), Ostrovicë dhe Dushar, gjatë dimrit në myzeqe, Vrinë, Gjirokastër, Delvinë, kodrave të Kavajës e ku nuk kishin shkuar. Vite më vonë, pas vdekjes së gjyshit, në stan erdhi mësues Kosta Rafti nga Gjirokastra. Na mësoi të gjithëve shkrim e këndim në gjuhën Shqipe. E paguanin të gjithë me rradhë dhe flinte te një tendë që i kishim ngritur ne dhe e thërrisnim askulltari (në gjuhën tonë, dëgjim). Në dimër, edhe ai dimëronte me ne. Në verë, edhe ai në mal. Mësimin e bënte tek për tek, se nuk ishte e mundur të gjente dy ose tre vetë bashkë, për arsye të punëve të shumta që kishim. Kishte raste kur vinte me shumë qejf me ne, në kullotë dhe jo vetëm na kënaqte e na mësonte aty në mes të pyllit e të kullotës, por kënaqej edhe vetë duke shkruar çdo gjë në një ditar, të cilin e lexonte para nesh pothuaj përditë. Ishte shpirt njeriu dhe gojë ëmbël. Kur shkoi, ahengu që organizuam për të, ia kalonte një dasme të vërtetë. Edhe orkestra nuk mungonte, me Qaniun e famshëm, Sulkën e Rizain. Sa do doja sot ta takoja edhe njëherë atë njeri, i cili sakrifikonte nga jeta e tij për të na shkolluar ne. Do i kërkoja një mendim për hallin tim dhe ai patjetër do i jepte zgjidhje. “ Njeriu në jetë - na thoshte shpesh – jeton vetëm për një nder e me shpresën se një ditë do të jetë më mirë.” Mirë e kishe more Kosta Rafti, por më thuaj mua ç‟të bëj tani që nuk di nga t‟ia mbaj. Nuk më ka mbetur as edhe një fije shprese, asgjë nga ato që thoje ti. Jeta më është nxirrë dhe asnjëherë për fajin tim. Qeveria na e mblodhi gjënë e gjallë dhe krenarinë na e varrosi. Në stan nuk më lënë rehat, që ditën kur futa në shtëpi nusen e djalit, që mos qofsha unë ai, që lidhi këtë krushqi. Tani nuk di nga t‟ia mbaj. Kam mbetur mes katër rrugëve dhe asnjë nuk më ndihmon dot. Një zë më thërret: Deri këtu e kishe o Toli, kurse zëri tjetër më thotë: Nuk je i pari e as i fundit more Toli kapedani, që po bie aq poshtë dhe mos e bëj kaq dramatike. Duhet të mbyll veshët e mos dëgjoj asnjeri. Mua fjalët nuk më hyjnë më nga veshët, por më hyjnë direkt në tru dhe aty më shkaktojnë një turbullirë, të cilën nuk është e mundur ta frenoj dhe të arsyetoj më pas. Tani jam duke vepruar në një gjendje të tillë

69


dhe askush nuk më sheh e nuk më ndalon që të mos e kryej. Do të doja me gjithë shpirt, që dikush të më ndalonte në këtë ditë të zymtë të jetës sime. Mbase më ndihmon Zoti nga lart, i cili më sheh e duhet të jetë në dijeni të asaj që kam në mendje e që do ta kryej sot, në këtë ditë kaq të trishtë. Babai, që i ndriçoftë shpirti aty ku prehet nuk më dërgoi mua në shkollë. Mësova dhe unë me Dhaskalin, por sa para bën, vetëm sa për të shkruar. Kushedi se si do isha sot dhe këtë hall që kam, nuk do e kisha, ose do dija më mirë që t‟i jepja zgjidhje.Vëllai im i madh shkoi në shkollë, por dhe ai nuk e pati të gjatë. Mësoi tre vjet në gjimnazin Zosimea, aty ku kishte mësuar dhe Naumi i Frashërllinjve. (Poeti Xhimo më fliste për frashërllinjtë gjithmonë. Si ishin kthyer në myslimanë, Sotiri, Andoni, gjithë familja.) Një behar, kur vinte me pushime, doli për gjah dhe aty aksidentalisht u plagos rrëndë. Me të, rreth gjashtë muaj u mor doktor Polena dhe nuk e shpëtoi dot. Dy metro djalë, sy bojë qielli me flokë të verdha kaçurela, buzëhollë dhe me një shikim zhbirues. Të gjithë që e dëgjonin në rëfimet e tij ngelnin të mahnitur. Nëna i thoshte me përkëdheli: mbret do të bëhet i bukuri i nënës, i mënçmi i nënës, si i pari i rëmënëve Aleksandri i madh”. Para se të ngrihej nga dëllinja, Toli e mbushi edhe njëherë çibukun dhe duke tërhequr për dore Doriun, bëri tutje luginës. Eci pothuaj një orë, pa u ndjerë fare, si ai edhe Janulla, e cila ecte pas tij pa e ditur fare për ku ishin nisur. Atë ditë, lumi ishte mbushur me ujë deri në rrëzë. Shirat kishin qenë të rrëmbyshëm për dy ditë rresht. Në një hon që krijonte lumi, bënë stacionin e dytë, ku Toli e lidhi kalin pas një lisi. Hoqi tësagën nga samari i mushkës dhe gërrmoi brenda saj. Nxorri prej aty një litar shumëngjyrësh leshi, të thurrur për merak. Janulla u drodh. Nuk dalloi në fytyrën e Tolit, asgjë që mund ta shqetësonte. Por prezenca e atij litari në duart e tij, nuk i pëlqeu. “Përse i duhej ai litar tani, këtu në mes të pyllit?” Të dridhurat po ia merrnin frymën të gjorës Janullë, e cila u zverdh në fytyrë si një limon i pjekur. Por nuk ishte vetëm kjo. Toli e thirri të afrohej pranë tij. Ajo shtangu në vend dhe menjëherë kujtoi se ai po e ftonte të shkonte me të. “Gjysma e së keqes, po të jetë kjo”- mendoi - “Por, kurrën e kurrës nuk do ta pranoj një gjë të tillë.” Kurse Tolit i shkoi mendja te koburja që për çudi sot nuk e kish marë me vete. Po përse i duhej koburja. Ju kujtua dhe ngjarja e nënë Maries që mbante në brez dy kobure. Por dhe ajo kur iu deshën ato nuk i përdori. - Afrohu pak moj nuse e djalit tim! Mos ki frikë nga një pjesëtar i familjes tënde! Janulla pa bërë zë fare, u afrua drejtim tij dhe me zemër në dorë, priste të zbulonte nga çasti në çast, deri ku kishte shkuar mendja e Tolit. - Mos u frikëso! Nuk ka për të ndodhur asgjë nga ato që mendon. – i tha, ndërkohë që ajo ishte afruar aq shumë, sa duart e tij ta fshinin e ta zaptonin, si një dele kur i ngec këmba në kërrabën e bariut, vazhdoi: - Hajde këtu moj ogurzezë! Që ditën kur hyre në shtëpinë tonë, njëqind të këqija i solle familjes sime. – e mbështolli me ganxhat e tij dhe e shtriu në lëndinë. Vetëm cicërima zogjsh dëgjoheshin dhe ndonjë klithje sorre. - Mos, për hatër të djalit tënd e të familjes së nderuar që përfaqëson, të lutem mos. – Janulla kujtoi se Toli po bëhej gati të kryente atë punë dhe sa s‟po i pushonte zemra. – Mos e bëj për kokën tënde. - Ashtu? Të mos e bëj? Po çfarë të mos bëj moj nuse? Mos bëj atë që kam bërë me ty prej kohësh? Apo je shurdhuar zotrote dhe nuk i dëgjon ata në stan. Po ne e kemi bërë sa e sa herë! Si më kërkon tani që mos e bëj. - Për atë zot, mos e bëj atë punë dhe më vrit sot këtu, më zhduk nga faqja e dheut njëherë e mirë. Unë jam e ngarkuar në faj tani e nuk më dhimbset jeta. Nuk kam shumë faj për sa

70


më the e për sa flasin, por njëlloj është. Le të vdes, se nuk dua të përdhoset emri i djalit tënd. - Mua më flet për emrin e djalit tim! Dhe kush? Ti që nuk le gjë pa bërë me dhëndrin tim, Lonin. Moj Zuskë, mos m‟i hap ato këmbë mua, se nuk jam Loni dhe mbuloje atë gjoks që po gatit, para se ta mbuloj unë. Moj qelbësirë, më turpërove në mes të stanit dhe gjithë miletit. Tani kërkon të shpëtosh lëkurën duke hapur këmbët, ashtu si je mësuar zotrote. Dëgjo moj kuçkë! Unë nuk kam përse të jetoj më, por para se të vdes, dua që djali im ta nisë jetën nga e para pa ty dhe që vajza ime të shikojë punën e saj me atë maskara. Tani, do të të lidh këmbë e duar, që mos të duken aty në lumë kur të mbytesh, ato që zbulove gjatë jetës sate vend e pa vend. - Unë jam viktimë. Asnjëherë nuk kam dashur të përdhos nderin e kësaj familjeje. Nuk jam unë fajtori i vërtetë. Pa dyshim që është Loni dhe ndëshkimi duhet të bjerë mbi të.po mundohej të shfajësohej ajo. Toli, duke e shtrënguar me duar si një dele që kërkon t‟i shpëtojë therjes, mori litarin dhe e lidhi. Në fillim këmbët me gjithë fustan e më pas me shaminë që ajo mbante në kokë, i lidhi gojën. Ndjeu kënaqësi, kur pa prurjen e bollshme të lumit. Por, ai lumë nuk mund t‟ia lante kursesi atë që po bënte. Në turbullirën e tij, asgjë nuk mund të lahej. Në atë turbullirë duhej të ishte edhe Loni. Por ja që njeriu, në nxitim e sipër, nuk është në gjendje të veprojë drejt. Nxitimi i Tolit në këtë mes, ishte me pasoja të rrënda. Ai mendonte vetëm për veten e tij, si të çlironte sedrën dhe emrin e mirë që kishte, nga ai mankth e turp që e kish kapluar. Nuk kishte shpatulla e fuqi, që të mbante atë turp. “Me gjithë mend jam një dështak. Deri pak çaste më parë, isha i papërlyer dhe vuaja kaq shumë, kurse tani që jam i përlyer deri në grykë, ndihem i lehtësuar. Nuk po e kuptoj më veten time. Si qenka puna e njeriut. E gjitha kjo, ka të bëjë me krenarinë e njeriut të malit, ashtu si jam unë. Gjithë ai dert i deleve dhe koha në të cilën po jetoj, po më shkatërrojnë gjithë familjen. Mirë e thoshte gjyshi im, se Mali të dëbon po u bëre gazi i botës. Nuk ka vend më për mua, askund. Nuk kam bërë asgjë të keqe, asnjëherë dhe ja ku përfundova. Edhe Janulla kështu më tha, se nuk ishte faji i saj. Le të paguajmë ne të dy që quhemi të pafajshëm dhe mos e zgjasim më tej, nëse duam vërtet të shpëtojmë të tjerët.” Kali dhe mushka, vetëm ata të dy ishin dëshmitarë të asaj ngjarjeje. Nga tësaga nxorri një laps e një letër dhe shkroi disa rreshta shpejt e shpejt. E vendosi përsëri në tësagë dhe pasi e vendosi mirë mbi mushkë, i lidhi kapistrën mushkës që mos kulloste rrugës dhe i foli të lëvizte në drejtim të stanit. Kurse Doriun e mbajti me vete. E përkëdhelte dhe e vështronte, sikur po e shihte për herë të parë . “Më fal i dashur, se për pak të harrova edhe ty. Më fal që e bëra atë që pe, para syve të tu. Nuk kisha rrugë tjetër. Deri këtu e kisha rrugën, se m‟i bllokuan të gjitha shtigjet e jetës. Tani rri urtë, se nuk i di ti gjërat më mirë se unë. Nuk më beson as ti, vaj hallit ata, që do të mësojnë për këtë që po bëj sot. Ata stanarët dhe ajo shtriga, Dhoksia me një sy. Nga një gjysëm njeriu, të më vijë një e keqe kaq e madhe. Po ti lemë këto tani e të hidhemi te ty. Nga do t‟ia mbash pas kësaj që po i ngjet zotërisë tënd? Hë, më thuaj: ku do të shkosh tani? Më duket se do të mbetesh vetëm si puna ime. Nuk do të ndahesh nga unë ? Mirë, do ta mendoj e do ta zgjidh edhe punën tënde.” Kali shikonte drejt e në sy të zotin. Ai i kish kuptuar të gjitha dhe dukej sikur po i lutej me atë shikim, që mos e linte vetëm. Toli u vendos afër kalit dhe po e shikonte në bebe të syrit, sikur do ta gjente përgjigjen e tij, atje thellë, në atë shikim keqardhës. Sytë e kalit, iu duk sikur po lotonin dhe atij menjëherë, iu mbushën sytë me lot. E përqafoi dhe e puthi disa herë në ballë e në faqe.

71


“O miku im më i shtrenjtë, po mos të kisha ty sot këtu, si do vinte halli im. Herë më duket se pa ty s‟mund të bëj asgjë dhe herë më duket se po të bie më qafë kot së koti, duke të tërhequr me vete. Eee, se nuk të shava fare, asgjë nuk thashë dhe sidomos sot. Mos i vë re këto që po them, se është dita e fundit që do të rrimë bashkë. Si, si ? Nuk do të ndahesh nga unë? Po ti nuk e di ende ç‟do të thotë vdekje, mor qyqar. Ne të vdekur jemi, që kur na morën dele e katandi. Përse duhet të ekzistojmë akoma? Nuk e kishe aty, se do të vdesësh me mua dhe ti? Kjo po, që më pëlqen. Do të të marr në parajsë, të takojmë edhe delet tona e të jetojmë të qetë si dikur, kur kapardiseshe zotrote, ti dhe unë bashkë, se këtu ku jemi nuk na do më mali. Mali na zboi, se erdhi dita që ne nuk i përkasim më. Gjyshin kam për ta takuar aty lart dhe do të ta prezantoj. Do ndihet krenar për mua, se i zbatova mësimet dhe udhëzimet që më jepte kur isha i vogël, mësime që patën vlerë për mua dhe më bënë burrë të ndershëm. Historinë e ushtrisë që gjyshi ma tregonte herë pas here, jo pa qëllim ma tregonte shpesh. E kishte edhe ajo një kuptim të thellë. Në këto kushte që ndodhem, po e analizoj edhe më mirë. Ishte koha e Turqisë dhe dihej nga të gjithë, se rëmënët ushtrisë i bënin bisht gjithmonë. Gjyshin, arritën ta merrnin ushtar, bashkë me një rëmën tjetër. Por të dy, që natën e parë në kazermë, u arratisën. - Nuk jemi ne për të vrarë njerëz, po hajde të shkojmë që sonte. - i thotë Gjyshi Jarazit. - Po na kapën, do të na vrasin - thotë Jarazi, shoku i gjyshit. - Nuk na kapin dot, se unë kam një plan. Më duket se s‟ka roje fare këtu në kazermë. Por edhe po të ketë, ne do ta vërtetojmë. Do të marrim gurë dhe do të qëllojmë derën e jashtme disa herë. Po u dëgjua njeri, hyjmë brenda në fjetore dhe po nuk dëgjoi njeri, ia mbathim. Ne nuk jemi për t‟u vrarë, por jemi për të punuar e për të mbajtur bagëti. Ashtu vepruan dhe u arratisën. Pas dy ditësh arritën në stan dhe po atë ditë, stani kishte festë.” Edhe mustaqet i kisha lënë atë pranverë kur gjyshi më tregoi për vëllanë e tij. Babanë tënd e kam dhuratë nga vëllai im Vangjeli. Ja si tani ishte pranverë edhe atëherë ishim duke qethur delet prandaj më erdhën në mendje ato ditë ku gjithçka ishte mbrekulli. Ishte mesditë dhe ne prisnim drekën të na sillnin gratë. Dreka u vonua dhe kur erdhi, jo nga gratë tona, por nga vajzat e mia. Vangjeli im vëlla la gërshërrën dhe i priti vajzat gjithë inat. -Pse nuk erdhën ato po ju dërguan juve mespërmes pyllit vetëm. – Vajzat u përtypën një copë herë dhe Lenica që ishte dhe më e vogla, vajza ime, nuk duroi dhe na tregoi si ishte puna. -E di se ç‟farë bëri vëllai? Më urdhëroi mua si më i vogël që isha të lija gërshërën dhe që atë minutë të shkonim në stan. Sipas rëfimit të vajzave gratë atë ditë ishin grindur me njëra tjetrën gjatë gjithë ditës. Shkuam në shtëpi dhe të dyja i morëm me vete aty në mes të pyllit. I lidhëm ballpërballë në dy lisa të mëdhenj me litarë dhe Vangjeli pa u folur fare deri aty në pyll së fundmi u tha; Po kini diçka që ende nuk e keni zgjidhur me njëra tjetrën vazhdoni derisa ta zgjidhni. I lamë aty në pyll deri në mesnatë. Sipas tregimit të tyre më pas ato vetëm qanin dhe nuk shkëmbyen asnjë fjalë deri sa shkuam ne dhe i zgidhëm. Pas një jave pasi mbaruam qethjen e gjithë gjësë së gjallë Vangjeli theri një sheleg dhe e vuri në hell aty në mes të sheshit. Ishte mesditë dhe ai na thiri të gjithëve aty në lëndinë. Dielli përvëlonte si dhe zjarri ku vërtitej shelegu. Si e di dhe ti, unë kisha gjashtë vajza, kurse vëllai kishte tri vajza dhe tri djem. Më i vogli ishte veshur si një dhëndër, megjithëse ende nuk kish mbushur dymbëdhjetë vjetët. Të gjithë prisnim se si e kishte hallin vëllai me atë shqerrë të pjekur dhe me djalin e vogël të kollarisur. Mendja

72


më shkoi se mos ndonjë fejesë e papritur, por jo. Ai kish vendosur që atë djalë të ma dhuronte mua. Nuk ngelesh njeri pa djalë, se duhej dora e mashkullit për shtimin e bagëtisë dhe për oxhakun që me patjetër që duhej mbajtur ndezur në jetë të jetëve. E pra, ai djalë, që ishte si një dritë apo shenjt që më zbriti si nga qielli atë ditë, ishte babai jot. Gratë tona jo vetëm që nuk u grindën kurrë nga ajo ditë që i lidhëm në pyll por pas asaj që bëri im vëlla ato duheshin më shumë se motra. E përse i kujtoj tani këto histori kaq të bukura. Eh!” Janulla qëndronte shtrirë në breg të lumit, pa bërë asnjë lëvizje dhe priste gjithë tmerr vazhdimin e ngjarjes. Shikonte lumin e turbullt dhe mornica të ftohta ia përshkonin gjithë trupin. Lotët nuk i pushonin dhe një shikim qortues e lutës në drejtim të Tolit, skishte si mos e preknin protagonistin tonë. Duke u përlotur edhe ai, u afrua pranë saj dhe i hoqi shaminë nga goja. Gjithë habi, ai vuri re se Janulla nuk nxorri zë fare pas atij gjesti. Toli priste që ulërima e saj të gjëmonte në gjithë pyllin, që dikush ta dëgjonte e të vinte shpejt ta ndalonte sa më parë, sa nuk ishte ende vonë. Por ajo nuk po bënte zë fare. Shikimet e tyre u ndeshën dhe keqardhja në sytë e Tolit, lexohej fare lehtë. Ajo nuk duroi më duke lotuar dhe duke iu lutur me përgjërim e guxim, i tha: - Më hidh në lumë dhe ktheu në shtëpi. Sajo diçka për mua. Thuaj se më çove në një manastir të largët. Mendo për fëmijët e tu, i ke ende të vegjël. Toli nuk pushonte së qari dhe e vështronte atë krijesë me keqardhje për herë të parë, që kur kish mësuar për të, gjithë ato ndodhi. - Mu beto se nuk do t‟ia tregosh as varrit ato që kanë ndodhur deri tani, sidomos për lidhjen tënde me Lonin, për hir të Nestit e të vajzës sime, betohu! Janulla nuk po kuptonte arsyen e vërtetë të fjalëve të tij. Ende e lidhur këmbë e duar, priste të vërvitej në vorbullën e lumit të turrbullt. - Mos u tremb, se nuk do të veproj ashtu si kisha menduar. Asgjë nuk ka për të ndodhur. Tani do të zgidh dhe do të lë të lirë, të shkosh në shtëpi. Por, para se të ndodhë kjo, dua betimin tënd për sa të thashë. Edhe që atje ku do të jem, pas kësaj dite, do të të ndjek nëse e shkel atë betim, të cilin do ta thuash tani. Hë pra, fol? Betohem, thuaj, se as varrit nuk do t‟i tregoj për sa kam bërë e për ato që di. Janulla nuk po e ndalonte të qarën me zë dhe ngashërimi nuk po e linte të shqiptonte fjalët. Vetëm disa gërmëzime të pakuptimta po i dilnin nga goja dhe së fundi, fjala e vetme, e shprehur më qartë ishte : - Betohem.- pas kësaj fjale ajo u çel dhe vazhdoi më tej, pas një pauze të shkurtër: - Betohem për nderin dhe mënçurinë tënde, për burrin tim, të cilin e dua. Toli, ende duke qarë pas atyre fjalëve prekëse të Janullës, filloi t‟i zgidhë litarët nga këmbët e nga duart. - Shko tani, merre mushkën dhe drejt e në shtëpi! Unë do të vonohem pak, se kam për të takuar një mik dhe në mbrëmje jam në shtëpi. Janulla, gjithë frikë e droje, mori kapistrën e mushkës dhe u nis pyllit përpjetë. ***** “O njerëz të malit dhe ju të afërmit e mi, kur të gjykoni drejt, më jepni hak, nëse e meritoj! Është më mirë, që po e marr fajin unë me vete, duke mos qënë fajtor. Ju kërkoj

73


falje e sidomos djalit tim, se për të e bëra të gjithën. Unë, Toli kapedani nuk mund të jetoja më, pas gjithë asaj që më bënë. Më bënë atë që nuk do t‟ia uroja as edhe një armiku. Kjo edhe mund të mos jetë e vërtetë, por unë e ndjeva ashtu. Po t‟ua tregoj të vërtetën, është më e rrëndë akoma dhe për këtë do të hesht e të gjitha do t‟i marr me vete. Ju puth dhe ju kërkoj të falur që po ju lë.” - dhe më poshtë emrin e tij: Toli. Në tësagën e mushkës u gjet kjo letër, e shkruar nga dora e Tolit. Janulla, e cila tërhiqte për dore mushkën, as që e vuri re se aty ndodhej ajo letër. Pasi u kthye edhe Nesti nga ushtria, filluan të kërkonin Tolin. - Do krehim gjithë zonën, deri te stena dhe të shohim se mos gjejmë babain. Nuk besoj asnjë nga versionet, për të cilat flitet aty në mal. Babai nuk ishte një njeri frikacak, që t‟ia mbathte. Ai nuk ka shkuar as në Greqi, as në vend tjetër. Atë e kemi këtu, në lumë. - Ashtu them edhe unë vëlla, nuk ishte babai një burracak, që t‟ia mbathte.- aprovoi edhe Dhori fjalët e Nestit. Të dy morën lumin përpjetë. Kontrolluan në çdo pellg e nëpër të gjitha kthinat, që lumi i atyre ditëve kishte hapur nëpër shkurre dhe prozhme. Asgjë nuk po gjenin, asnjë gjurmë që të linte dyshim. Ec e kontrollo, por pa rezultat. - Duhet të marrim lumin tatëpjetë vëlla, që të dalim deri në fund të pyllit. Nuk kemi rrugë tjetër. - Më parë Dhori, të shkojmë deri te stena e madhe, ku rruga nuk ka më shteg dhe pastaj kthehemi tatëpjetë. - Mirë, shkojmë deri te stena dhe pastaj kthehemi. Më tutje nuk ka vend të fshehtë, se fillon lëndina dhe dy degët e lumit ndahen. - Ke të drejtë vëlla. - i tha Nesti dhe duke ecur përpara tij me një besim të madh, se patjetër do ta gjenin të atin, te pellgu që u shfaq para tyre, i cili ishte pothuaj i mbuluar me rërë, ata të dy dalluan rruazat që Toli kish vendosur kohët e fundit në kapistall të kalit. Ato ndrisnin që larg. Koka e kalit dhe një pjesë e vitheve ishin të zbuluara krejt. - I gjetëm më në fund, – thirri Nesti - ja ku janë. Gërrmuan me thonj e me çomagat që kishin marrë me vete, deri sa nuk mbeti më rërë në pellgun e lumit. Doriu u zbulua krejtësisht, edhe këmbët, të cilat i kishte të lidhura fort me litarët e samarit. Litarë, të cilët ishin shkaku kryesor, që ai nuk kish shpëtuar nga ai pellg aq i vogël. Toli e kishte mbytur me vetëdashje kalin e tij të shalës. - Nuk besoj të jetë këtu. Do ecim tatëpjetë dhe do ta gjejmë patjetër. Kërkimi i Tolit zgjati më shumë se dy muaj dhe asnjë nuk besonte, se ai ishte mbytur bashkë me kalin e tij. Në stan pëshpëritej se Toli kapedani ishte fshehur diku patjetër dhe më e keqja, thoshin se ai do të kthehej një ditë. Nesti shkoi përsëri në ushtri dhe nuk duronte sa të lirohej, që të vinte në vend drejtësinë, në lidhje me të atin. Duhej të gjente vendndodhjen e tij nëse ishte gjallë dhe në të kundërt ta varroste, ashtu si i kishte hije. Muajt kaluan dhe asnjë gjurmë nga i ati. Kërkimet vazhdonin edhe nga ana e qeverisë. Kati i pagoi njerëzit e qeverisë, me gjithë ato napolona flori në dorë dhe asnjë rezultat. Dyshimet se Toli ishte gjallë, sa vinte edhe më shumë forcoheshin, pasi nuk kishin ende asnjë lajm, që të mund të vërtetonte të kundërtën. Dhoksia shkonte çdo ditë te Kati dhe me lotë në sy, i përgjërohej ta falte e të mos e mallkonte, për atë që kishte bërë ndaj familjes së tyre. - Të lutem Kati, një grusht me florinj më detyruan që të veproja në atë mënyrë. Nuk ta them se kush m‟i dha, sikur gjuhën të më presin. Por mu beto, që nuk do të më mallkosh.

74


- Ik moj Dhoksi, se nuk të duroj dot pas asaj që më ndodhi! Ik me të mirë, se nuk e di ç‟do të bëja me ty, po më erdhe përsëri. Por Dhoksia vazhdonte të shkonte përditë dhe i lutej Katit që mos e mallkonte. - Nuk të kam mallkuar moj e zezë, po hiqmu sysh se nuk të duroj dot më. - Po, në qoftë se nuk më ke mallkuar, përse më del çdo natë në ëndërr i ndjeri Toli? - Si? Të del në ëndërr? E pastaj si të thotë? Diçka do të ketë thënë, se nuk besoj mos ketë folur. - Gjithmonë që më del, vetëm një fjalë më thotë. - E cila është ajo fjalë? - Dhoksi, - më thotë – mos ia trego kujt atë që bëre, se do të zhytesh më keq në mëkatin tënd. Mos i trego asnjeriu, që të shpëtosh nga ferri. Mos trego kurrën e kurrës. - Ashtu? Paskan qenë të thella këto punë dhe unë e gjora i dija kaq të thjeshta. Ai qyqar i mori me vete dhe akoma, edhe prej asaj bote, ka merak se mos shkaktojë tjetër tragjedi në familjen e tij. - Ashtu është, të keqen motra. Ai këtë kërkon edhe nga unë, pra të lutem më mëshiro dhe mos më mallko për atë që kam bërë, që mos më dalë përsëri në ëndërr. Më ka tromaksur pothuaj çdo natë e më zgjon, sa herë që e dëgjoj: “Mos trego Dhoksi, se do të hysh në ferr”. - Po ti, ma trego mua! Kështu që, unë të tërheq edhe mallkimin që ta kam dhënë, që kur im shoq ishte gjallë. - Nuk mundem, se ai në ëndërr më lutet mos tregoj, se kështu do të jetë më mirë për ty dhe familjen tënde. - Unë jam e shoqja dhe deri diku jam e thellë pus, ashtu si ishte ai i ndjeri. Prandaj ma thuaj dhe vetëm ne të dyja duhet ta dimë. Mbase i lehtësohet shpirti edhe aty në parajsë ku ka shkuar. - Nuk di si të veproj Kati e dashur, se tani jam midis dy zjarreve. Njëri që më djeg në gjumë, të cilin e kam frikë më shumë dhe tjetri, të shpëtoj nga mallkimi yt e mos e shoh më në ëndërr burrin tuaj. Nuk ma mban të tregoj, pas asaj që shoh natën. – Dhoksia iku me vrap, pa marrë premtimin e Katit, se do e falte për atë që kish bërë dhe pa treguar gjë, nga frika e fantazmës, që çdo natë i dilte në gjumë dhe e porosiste. Kati ra në mendime dhe të gjitha sa i kishte thënë Dhoksi qorres i kishte me gjithë mend. Nesti me Dhorin vazhdonin kërkimin e të atit. Një mëngjes, Nesti i kërkoi Katit letrën e të atit. Kati i tha se e kishte djegur dhe nuk ia tregoi. - Po pse e dogje moj nënë? Të rrëndonte ajo copë letër në shtëpi? - Po more bir , më rrëndonte dhe shpirti im e di se sa. - Pa më kujto ato që thoshte letra e babait. - Po ja, thonte që: kur të më gjykoni drejt, të më falni në qoftë se e meritoj dhe unë e marr fajin me vete, duke mos qenë fajtor. Kaq thoshte letra. - Kaq? Po unë mbaj mend se shkruante dhe diçka tjetër. - Unë more bir, nuk di më shumë. - Mirë moj nënë, se unë di disa gjëra, por kursesi nuk fajësoj babanë për këtë. Rri e qetë dhe mos u merakos. Unë nuk arrita ta njoh mirë babain tim, por ai ka qënë burrë që nuk e kishte shokun. Të gjitha i kuptoj tani. E di sa ka vuajtur, që kur i morën bagëtitë dhe gjatë kohës kur unë isha ushtar. Ai më donte shumë dhe unë nuk e vija re këtë gjë.

75


Nesti kishte biseduar me Janullën, që ditën që u kthye nga ushtria. Ajo betohej se nuk dinte asgjë për të dhe nuk tregoi asgjë për ngjarjen e saj me Tolin. Ishte betuar për atë që ndodhi dhe nuk do të hapte gojë, edhe sikur ta vrisnin. -Në gjysëm të rrugës, më dha mushkën e më tha që të kthehesha në shtëpi. Unë do të shkoj te një mik e më pas do të dal në pazar. Kështu më tha dhe u largua me gjithë kalin e tij. Por, stanarët ende pëshpërisnin se ai, edhe ditën e fundit që u largua, ishte pikërisht me Jonullën. Lëmsh ishte ajo punë. Të gjithë flisnin dhe rrallë kush e besonte një gjë të tillë. Dhoksia më në fund doli hapur para të gjithëve, me argumentin se ajo, nga aseti që kish ndaj tyre, kishte hapur fjalë të rreme për Tolin dhe Janullën. Marazi i saj se kishte mbetur beqare, e shtynte që të merrej me thashetheme të tilla me zarar. Kur e dëgjoi Nesti rrëfimin e saj, vendosi ta vriste, ta bënte copa copa dhe t‟ia hidhte copat qenit. ***** Dhoksia erdhi përsëri te Kati, kësaj here me mendje të ndryshuar, se do t‟ia tregonte të gjitha asaj, por me kusht që ajo të heshtte përgjithmonë. Në të kundërt, ajo nuk do të mbante asnjë përgjegjësi. - Kati motër, erdha përsëri dhe po nuk u betove se do t‟ia tregosh vetëm varrit këto që do të të them, nuk të tregoj. - Më plase moj e uruar, me atë rrëfimin tënd e me atë ëndërr që më tregon çdo ditë. Si xhanëm, nuk më doli njëherë mua në ëndërr ai, që mos të të shihja të shkelje pragun tim. Po të pa Nesti këtu, do të të vrasë. - Mu beto dhe unë do të të tregoj, sikur të jetë vetë Toli që po të rrëfen. - Betohem moj ditëshkurtër, se nuk do t‟ia tregoj as varrit ato që do më thuash. Të jetë e rrëndë sa të dojë, më e rrëndë se vdekja e burrit nuk besoj të jetë. - Mirë atëherë, po filloj, por dua të më besosh për ato që do të të rrëfej. Një ditë aty në mes të lëndinës, dhëndri yt, Loni më gjeti dhe më ndaloi. Më përshëndeti me ëmbëlsi, si asnjëherë tjetër dhe ndërkohë që ishte duke nxjerrë nga trasta një qese me florinj, më tha kështu... Nuk të gënjej për sa do të them Kati , më vraftë Shën Kolli po gënjeva. - Merri këto para - më tha- dhe do të thuash vetëm një gjë këtu në stan, po u takove me ndonjë grua që e ka qejf muhabetin dhe thashethemin. Unë, të them të drejtën, nuk pranova në fillim, por Loni më tha që të hapja fjalë këtu në stan, se Toli kapedani shkonte me nusen e djalit. Unë vazhdova të mos pranoj duke i thënë, se nuk do më besonte kush, po t‟i hapja ato fjalë dhe ai më tha se ishte më mirë që mos më besonin. Ti vetëm do të thuash sa të thashë dhe kur unë të bindem, se kjo gjë është thënë nga ty, më tha, atëherë do të të jap edhe një qese tjetër. Për këtë të fundit nuk e mbajti fjalën, pasi nuk u duk më që atëherë. Mua më gënjeu ajo fjalë, kur tha se edhe po mos më besonin, do të ishte më mirë dhe unë e mora thjesht punën, duke menduar se s‟do të besonin. Për këtë jam fajtore dhe e di që kjo është arsyeja, për të cilën Toli më del në ëndërr vazhdimisht. Nuk shpëtoj dot prej tij, çdo natë duke mu lutur dhe ja, unë që nuk mbaj fjalë të tregova. Mos trego më thotë ai, asnjeriu, por unë e shkela betimin. Kati nuk u çudit aspak nga ky rrëfim. Duke njohur Lonin, çdo gjë që mund të thonin për të, do ta besonte.

76


- Mos i trego kujt tjetër, se do të hapen varre të tjerë në këtë shtëpi! Aman, të lutem Dhoksi, ta qepësh gojën dhe me asnjeri në botë mos flasësh.Tani jam unë, ajo që të kërkon të betohesh për sa më the, të betohesh se nuk do t‟ia tregosh njeriu. - Betohem Kati dhe të përgjërohem, se unë e meritoj një ndëshkim nga zoti, një që vetëm ai e di, si do të ma japë. - Maskarai, më mori më qafë edhe vajzën – Kati, më shumë i tha me vete këto fjalë, kurse Dhoksia pyeti: - The gjë ? - Jo, jo asgjë. Vazhdo në punën tënde dhe mos hajde shpesh, se do na marrë lumi pastaj. Po të porosis edhe njëherë, se po bëre zë, do të përfundosh keq. - Kurrën e kurrës Kati motër, as që bëhet fjalë. Mini sh’dumëxë (unë e Perëndia). – dhe pasi bëri kryqin disa herë, u largua për në këlëvuçën(kasollen) e saj. Kërkimi i Tolit nuk vazhdonte më. Një qetësi e tmerrshme kishte rënë në stan, si një vdekje kolektive. Mbaroi edhe kullota e malit dhe nuk pati as gara tjerrjeje e as gara therrjeje, as aheng e as lodra në lozhurr. Edhe fëmijët nuk mund t‟i shihje të gëzuar. Filluan të përgatiten të gjithë për shtegtim. Këtë vit, shtegtimi do të bëhej në kolektiv. Delet i bashkuan të gjithë dhe bënë një tufë të vetme, për shkak të sasisë së reduktuar të tyre. Vetëm këmborët gjëmonin njëlloj si më parë, për të treguar se ende ishin gjallë bagëtitë e rëmënëve. Shtegtime të deleve, filluan të bënin edhe brigadat blegtorale, për arsye të bazës ushqimore që mungonte pothuaj totalisht. Por, edhe mbjellja e tyre ishte pothuaj e pamundur e dytësore, sepse nuk sigurohej dot buka për njerëzit. Mbillej kryesisht misër, grurë dhe fasule. Ende nuk ishin tharë të gjitha kënetat e vendit. Atë vit, destinacioni i stanit ishte përsëri zona e myzeqesë dhe kryesisht rrethinat e Apollonisë së Fierit. Të gjithë bashkë, ngritën tendat në lëndinat e kodrave të Apollonisë. Vetëm ujin nuk e kishin afër atje. Kullota ishte e begatë dhe delet, si asnjëherë tjetër atë vit, pollën më shpejt. Kështu, shqerrat dolën në kullotë brenda muajit. Jeshilonte tërfili dhe koha ishte në favor të tyre. Qumështin e dërgonin në Levan, ku ishte qendra e grumbullimit të qumështit. Por, nuk lihej pa bërë edhe djathë për shakull. Djathi i shakullit ishte një djathë, i cili shitej më shumë nga të tjerët dhe pëlqehej nga të gjithë. Kishte një shije të veçantë dhe një erë, nga e cila që atje tej, kuptoje se çfarë djathi ishte. Sapo ishin hapur dyqanet e para shtetërore, që shisnin bulmet, mish dhe kryesisht djathë. Por, ai djathë që nxirrnin rëmënët në treg, në krahasim me të dyqaneve, ishte si nata me ditën. Nuk mbetej asnjë llokmë. Sa dilnin në Pazar rëmënët, u fluturonte menjëherë prodhimi. Shqerrat u shitën pothuaj të gjitha atë vit. Të gjithë kishin frikë, se mos vinin t‟ua merrnin përsëri. Nuk mendonte kush ta shtonte tufën. Më vonë, filloi të flitej e të pëshpëritej, se do të kishte edhe një rrëmbim të dytë dhe do të caktohej një sasi mjaft e vogël, që të gjithë të shkonin drejt kolektivizimit e drejt pronës socialiste. Prona private u kalua në dorë të dytë, për të mos thënë që po shkonte drejt mospërfilljes së saj. Nesti, pasi shiti të gjitha shqerrat, ashtu gjithë djersë e me veshjet e leshit që ende nuk i kishte ndërruar, u ul në një restorant që të hante bukë. Ishte bashkë me Mihallaqin. Porositën për të ngrënë dhe po prisnin. Një porosi tjetër u erdhi në tavolinë. Ishte raki rrushi. Nesti dhe Mihallaqi po shihnin të habitur dhe pyetën kamarierin. - Nga kush i kemi këto raki more djalë? - Ai zotëria atje. Ai që është ulur në qoshe. Ata kthyen shikimin te ai person, i cili qëndronte me gotë në dorë i strukur në qoshe. - Gëzuar! ..- uruan djemtë drejtim personit që dërgoi rakitë.

77


-Më duket sikur e kam parë diku këtë njeri - tha Mihallaqi. Dërguesi i rakisë u çua nga vendi dhe u ul në tavolinën e rëmënëve. - Nuk më mbani mend? Jam ai i bagëtive. – u tha - Qenke ti Kaso. Po thoja ku e kam parë këtë njeri e ku e kam parë dhe më pas mu kujtua.- Mihallaqi e njohu Kaso Shkozën, pasi ai bashkë me Petron, me urdhrin e Toli Kapedanit, kishin shkuar për të shoqëruar bagëtitë deri në fshat. I kishin mjelë dhe kishin rregulluar edhe qumështin. - Si e kam atë Kapedanin e malit more djalë? Atë Toli kapedanin? - Ky është i biri, Kaso. – prezantoi Mihallaqi, Nestin – Do të të thotë vetë ku është ai burrë. Atë vit, djali ishte ushtar dhe prandaj nuk të njeh. Kasoja e përqafoi Nestin dhe e puthi në ballë. - A i ke ngjarë ndopak babait tënd, more djalë? Po ku është tani? S‟e kam takuar që ditën kur morëm bagëtitë. - Është një histori e gjatë dhe e dhimbshme ajo e babait tim, pas asaj që ndodhi me marrjen e bagëtive. Por, kryesorja ishte ajo e bagëtive. Nuk po e gjejmë askund, se është zhdukur që prej pesë muajsh dhe asgjë. - Kalin që i latë shoku Kaso, të cilin nuk e hipi asnjëherë që kur ikën delet, gjithmonë e tërhiqte për dore dhe rrinte i ngrysyr. Edhe kali ishte zhdukur, por atë e gjetëm. E gjetëm të lidhur te këmbët dhe të mbytur në një pellg aty në mal. - Kalin e shalës, të cilin ia lamë duke shkelur rregullat e partisë dhe të qeverisë? Po ç‟ma kujtuat tani kalin more djem. Ai kalë u bë sebep edhe për mua. Nuk e di se kush tregoi, që unë me kokën time, i lashë kalin një njeriu si Toli, të cilin rrallë e takon ndonjëherë dhe më përjashtuan nga Partia, më internuan e më vendosën në prodhim, me shatë. Dhe kë? Mua, që kisha luftuar dhe isha komunist i betuar. E përse? Për një kalë, që si po më thoni ju, as që u hip ndonjëherë. Ne kishim urdhër që, me marrjen e kuajve të shalës, tu ulnim krenarinë e t‟u godisnim në atë që ju kishit më të shtrenjtë, në dinjitetin tuaj dhe lirinë që gëzonit prej shekujsh. Po Toli nuk e paska hipur kalin! Besa, i zgjuar paska qenë trimi. Si me kalë e si pa të, ka menduar se njëlloj do të ishte për të, kur nuk e kishin të gjithë rëmënët e tjerë. Po si more ma prishët qejfin dhe më thoni se është zhdukur. Megjithatë, ai burrë di ç‟bën, prandaj mos u merakos për babain tënd, se ka një barrë mend ai burrë. Do të gjendet, patjetër që do të gjendet. - Keq po na vjen edhe për ty Kaso që të kanë dënuar, nuk dimë ç‟të të themi. - Kështu si e kanë zënë këta, duke goditur pa mëshirë e kot së koti, si në rastin tim, nuk kanë për të shkuar punët mirë. Të pakënaqur si janë, një kontigjent të madh do të grumbullojnë rreth vetes dhe kjo do të jetë shumë e rrëndë. Unë besoja në komunizëm dhe në drejtësi, por jo të më dënonin për një kalë shale që i lashë një rëmëni aty në mal. Nuk e gjente gjë komunizmin e Partinë nga kali i shalës së Tolit. Dhe më e keqja, ai kalë nuk u hip asnjëherë dhe paska përfunduar në lumë i mbytur. Eh o Toli, sikur të të takoja edhe njëherë e të bisedoja me ty. Do ta merrja vesh përse e mbyte kalin tënd. Sa më ka marrë malli për atë njeri. Hajde gëzuar, more djem, se ju lashë pa ngrënë dhe me sa shoh, jeni për rrugë. - Për rrugë jemi o shok, por me të gjitha këto që the për babain tim, nuk ke për tu larguar pa e pirë dhe një raki nga ana jonë. Më vjen keq që të hoqën nga puna e të dënuan, por nuk ke ç‟i bën. - Mirë more djem, po e pi edhe një gotë. Unë sot jam në shtëpi dhe kam kohë, por mendova për ju, se delet ju presin.

78


- Sot shitëm shqerrat dhe larguam një barrë nga kurrizi, se edhe ato donin punë. Nuk kemi më argatë barinj, se na i morët ju. Tani i kemi bashkuar tufat, për arsye të numrit të pakët që kemi dhe kemi frikë përsëri që t‟i shtojmë. Na dukej sikur nga momenti në moment, do na vije ti Kaso e do na i merrje. - Keni të drejtë more djem, po vjen edhe ajo kohë. Partia ka shumë programe në këtë drejtim dhe së shpejti do t‟i zbatojë. Gëzuar pra dhe shëndet, për ju dhe familjet tuaja. Toli qoftë gjallë dhe sa më parë të kthehet në familje. Mos e kanë futur në burg dhe nuk tregojnë ata të qeverisë. Shkuat në polici për Tolin? - Një grusht me para u dhamë dhe asgjë nuk dëgjuam për të. - Bëni durim djema, se do të rregullohen të gjitha. Mirëupafshim herë tjetër. Këtu në Levan më gjeni. Kaso Shkoza u takua me të dy djemtë dhe u largua nga lokali. Nesti dhe Miallaqi mbetën të shtangur në vend. - Po kjo ç‟ishte o Mihallaq? Më la pa gojë. Gjynah që e kanë hequr nga partia dhe e kanë dënuar. - Për mua, mirë ia bënë, se parvjet kur erdhi aty në mal, i sokëllinte fjala e nuk të falte fare. Pilos ia mori të gjitha delet me kokën e tij, kurse Dhimos, krushkut tuaj, i rrëmbeu edhe napolonat e floririt. Kushedi sa florinj kanë futur në xhepin e tyre këta qenër, prandaj i kanë hequr nga partia, jo vetëm për kalin e shalës së Tolit, siç tregonte, gënjeshtari, është bërë si pulë e lagur tani. - Mirë, po eja të çohemi se u bëmë vonë. U çuan të dy dhe morën argjinaturën e një kanali që të çonte drejt e në Apolloni. ***** Dhoksia, nuk linte ditë pa shkuar te kasollja e Katit. Çdo ditë me të njëjtin avaz. Kati ishte lodhur duke i thënë shpesh që mos vinte dhe së fundi nuk po i thoshte gjë, se edhe ajo ishte e shqetësuar për ëndrrën e saj. - Edhe sot më doli Kati motër, njëlloj si më parë, me ato pantallonat e shajakut të bardha dëborë, me mustaqet e verdha dhe çibukun që nuk e hiqte nga goja. Ishte gjithë inat si përherë dhe më shikonte në sy sikur donte të ma shkulte edhe këtë që kam. “Mos trego për sa të kam thënë, më shumë do të shtohet mëkati që bëre dhe të pret ferri pastaj.” - Përditë i njëjti avaz moj Dhoksi, më lodhe. Nuk kam hallin tënd, se kam një mal me punë për të bërë. Ti e ke në terezi, se mbete e pa martuar dhe të ushqen yt atë. - Po kush do më merrte mua me një sy, moj motër. Këtu në mal, nuk doli asnjë çyryk që të barazohej me mua, se dhe unë do të isha me fëmijë tani. - Edhe fëmijët të duhen ty moj kërcure. Nuk thua shyqyr që nuk je martuar, se do t‟i merrje më qafë edhe fëmijët që do të lindje. - Kati motër, unë të respektoj dhe nuk të lejoj të më fyesh kështu. Nuk do të thotë gjë, se jam qorre dhe nuk jam e zgjuar e me ndjenja. Qorre u bëra kur isha ende e vogël, duke luajtur aty në lëndinë. Nuk kam lindur qorre. - Nuk ke lindur qorre, por veprimet që ke bërë gjatë jetës, nuk janë veprime të denja për një grua. Një grua me mend në kokë, nuk bën si ti zotrote. - Nga zilia i kam bërë moj motër, se të gjithë kishin familje dhe unë mbeta kërcure. Po si nuk u gjet një sakat edhe për mua xhanëm? Edhe prindërit e mi kanë faj, se nuk më gjetën dot një sakat.

79


- Dhoksi, këtu në mal është e vështirë të gjesh sakat. Ajri dhe klima e malit u bën mirë të gjithëve, pastaj ti e di që raca jonë nuk kanë trashëgimi që nxjerr sakatë. - Unë nuk thashë të jetë i lindur sakat moj Kati, po të ishte për shembull, me një dorë të prerë a ku di unë, e të më merrte. Të ishte në gjendje të bënte fëmijë, që të lija diçka edhe unë. - Tani ik dhe hajde më rrallë, ashtu si të kam thënë, se kam frikë nga Nesti. Do të dyshojë dhe do të të detyrojë të tregosh më pas. Unë, duke ditur që ti nuk i mban fjalët, mendoj se do të tregosh dhe ec e mbaje djalin pastaj. Do të të vrasë moj kërcure, po tregove. Dhoksia iku me vrap, sikur të kishte ndjerë hapat e Nestit, i cili ishte me të vërtetë duke ardhur. Ai nuk e pa fare Dhoksinë. Hyri në kasolle dhe u shtri sa gjerë e gjatë. Po çlodhte kockat i gjori djalë, pasi gjithë pesha e shtëpisë i ra atij, pas largimit të të Atit. Kati i pruri kafenë me të shpejtë dhe po i fliste ngadalë, sikur donte të mos e zgjonte, nga një gjumë që kujtoi se e kaplloi të birin në çast. Nesti nuk kishte gjumë as natën e jo më në mesditë. Tufën e deleve e kishte lënë me Mihallaqin atë ditë. - Bir, Nesti! – Kati e la kafenë në pato, pasi pa djalin të çohej dhe po e vështronte në bebe të syrit. Si e turpëruar nga ai shikim i të birit, ajo u nis të shkonte. - Prit moj nënë, ku shkon! Një fjalë nuk po shkëmbejmë? Duhet t‟ia lëmë kohës atë punë. Nuk kemi ç‟të bëjmë më shumë. Të gjithë gurët i lëvizëm, me qeveri e polici. Duhet të durojmë, se nuk kemi rrugë tjetër. - Unë kam hallin tuaj more djalë, se merakoseni e nuk vini gjumë në sy. Jeni katandisur si mos më keq për shkak të tij. Harrojeni more bir, ai tani nuk kthehet më. Nuk ishte nga ata që kthehen ai, edhe sikur të ishte gjallë. Babai yt nuk duronte gjërat e vogla, e jo më këtë gjëmë që nuk do e përtypte me asgjë. Harrojeni bir, harrojeni! Jeta i ka të shkruara të gjitha gjërat që i ndodhin njeriut, prandaj thonë që njeriu është i fortë. - Kaq kollaj moj nënë, kaq lehtë harrohet ai njeri? Në pazar, të dielën, takuam edhe atë që grumbulloi bagëtitë. E kishin pritur dhe atë më keq se ne. E kishin përjashtuar nga partia dhe punonte me shatë e kazëm. - Kason more bir, atë maskarain që na rrëmbeu delet? - Po moj nënë, ai. Tani ishte bërë ai si dele. - Mirë t‟i bëhet qenit. Kështu do të përfundojnë të gjithë, një nga një. Ke për të parë. Është rrugë e shtrembër ajo që po ndjek qeveria more djalë. - Thuaj ç‟të duash ti, po fuqinë e ka të madhe. Ta bën gjëmën dhe s‟të pyet fare. - Nesti, tani duhet të bëhesh me fëmijë mor bir. - Po si ta nxë goja një gjë të tillë moj mama, pa gjetur babanë njëherë. Pa gjetur eshtrat e babait dhe pa i vendosur aty ku e kanë vendin, nuk ka kuptim asgjë për mua mama. Zëri i tij ishte i lartë në fjalët e fundit, të cilat i shqiptoi si ultimatum. Kati nuk bëri zë fare para zemërimit të të birit. Doli nga kasollja dhe vazhdoi punët që kishte lënë përgjysmë. Edhe Nesti u çua nga shtrati, pa e përfunduar kafenë. Dhjetë familje, të vendosura njëra pas tjetrës, ishin grumbulluar në atë shesh, ku kishin ngritur tendat që i mbronin nga era. Stani, i cili më parë përbëhej prej gjashtëdhjetë familjesh, nuk ekzistonte më. Mungonte Dhimoja me Lonin, të cilët u vendosën në Korçë, Jorgji, i cili shkoi për të rregulluar samarët e ndërmarrjes dhe për të mbathur mushkat e kuajt, Piloja që hyri në kooperativë, Thomai e shumë të tjerë që u shpërndanë si zogjtë e korbit, gjithandej. Komuniteti i tyre ishte aq i vogël, sa të jepte përshtypjen, sikur atje ishte strehuar një familje e vetme, një familje e madhe mali, si ato të dikurshmet. Atë vit, kodrat rreth Apollonisë ishin më të begata se kurrë në kullotë. Por,

80


ata nuk po e shijonin atë kullotë si vitet e tjera. Nuk e ndjenin më gëzim e lumturi në shpirtin e tyre. Ishte kohë zie për ta. Nuk kishte më lodra dhe zakone, nuk shihje askënd të këndonte apo të qeshte. Ishte një jetë e lënë në mes të rrugës, si ajo e Tolit. Një jetë, për të cilën nuk ia vlente të jetoje.

***** Atë mëngjes Loni nuk shkoi në punë. E kishin lajmëruar që të mos shkonte. Korrieri i lagjes ku banonte, i kishte sjellë një telegram dhe ia kishte vendosur në pëllëmbë të dorës. Ai, pasi e kishte hapur dhe lexuar, ishte befasuar nga përmbajtja e saj- “Lajmëroheni që të mos shkoni në punë dhe në orën njëmbëdhjetë të drekës, duhet të paraqiteni në hetuesinë e rrethit, në të kundërt do të merren masa të rrepta.” Hëngri mëngjes ashtu pa pikë oreksi dhe po priste që ora të kalonte. “ Po shkoj më herët, se nuk i dihet rrugës” mendoi me vete. Pasi u vesh mirë me rrobat e reja, të cilat i kishte qepur kohët e fundit te një plak, doli me ngut nga shtëpia. Nuk i shkonte mendja përse mund ta kishin thirrur. Vetëm mendonte e supozonte. Mbase e thirrën për punën e Janullës. Frika nuk e linte të qetë. Ecte rrugës gjithë tension dhe planifikonte në mendje si mund të përgjigjej në secilin rast. Në punë, mendonte se çdo gjë shkonte mirë. Vetëm meraku, se diçka mund të ishte zbuluar, po e brrente përbrenda. “Po sikur të gjej aty doktorin që më ndihmoi për heqjen e fëmijës , nga do t‟ia mbaj. Pisk e kam punën.” Me këto mendime në kokë dhe duke u munduar të qartësohej herë pas here, se asgjë e tillë nuk do të ndodhte, u gjend pranë zyrave të hetuesisë. Te dera qëndronte një meso burrë, më një pushkë hedhur krahëve, i cili të frikësonte me pamjen e tij. Ishte mjaft i shkurtër, mbante mustaqe të holla, të cilat vetëm mustaqe nuk mund ti quaje, po t‟i krahasoje me mustaqet e rëmënëve të malit, dhe veshja e tij ishte për ibret të zotit. I tregoi lajmërimin rojes shkurtabiq dhe i shoqëruar po prej tij, hyri brenda. Roja trokiti te dera e një zyre dhe e hapi menjëherë. Përballë qëndronte një djalë i ri rreth të tridhjetave. Patjetër që do të kishte qenë partizan, për shkak të moshës së tij të njomë. Loni, as nuk mund ta kalonte nëpër mend, që ky çunak të kish mbaruar ndonjë shkollë. Këtë përfundim e nxorri thjesht nga pamja e tij dhe veshja pothuaj e çrregullt. Ai mbante një kapele meshini në kokë, të cilën e hoqi sapo hyri Loni, një xhaketë ushtarake( ose prej partizani mund të ishte) dhe në dorë shtrëngonte një laps kopiativ që nuk e hoqi nga dora për asnjë moment. - Urdhëroni, i dashur shok! - e ftoi hetuesi partizan. - Mirëmëngjes shoku hetues, më keni thirrur dhe ja ku jam. - Po, ju kemi thirrur. Dhe tani na shpjego të gjitha ato që ke thënë, broçkollitur e gënjyer atje në punë. - Nuk po ju kuptoj shoku hetues. - Do të të bëj unë të kuptosh. Atje në punë, punë të cilën nuk dihet se si e ke fituar dhe për këtë do të bisedojmë më vonë, ke thënë se dikur në mal zotëria jote, nuk punoje dhe ishe një afendiko i rrëndë, se kishe shakuj me djathë aq sa ka gjithë brigada që drejton, apo jo? Thuaj që nuk i ke thënë këto. Ka edhe tjetër, ke thënë se pushteti popullor t‟i rrëmbeu delet dhe gjënë e gjallë. Po këtu në dokumenta zotrote, na del se i ke bërë bisht dorëzimit të bagëtive me dëshirë, ashtu si gjithë të tjerët. Si shpjegohet që vetëm familja

81


jote i shiti delet para grumbullimit. Mjaft i zgjuar qenke i dashur, por dije se nuk ka për të mbaruar me kaq puna jote. Mos vallë jeni brumosur nga Ziso Maloti, i cili kërkonte të ngrinte krye mbi rregullat e qeverisë. E ke dëgjuar ku përfundoi Ziso? E mori plumbin, se e kishte hak. Partia e vendosi drejtor në fermën blegtorale më të madhe në vend dhe ai ia shpërbleu Partisë duke sabotuar e duke vepruar gjithmonë sipas kokës së tij. Por, Partia dhe qeveria nuk të lënë shumë të livadhisësh, kupton Loni Gjato? Prandaj mblidhe mendjen dhe kujdes me ato që broçkollit. Do të jesh në arrest shtëpie, derisa të vijë një urdhër i dytë nga lart. Në qoftë se nuk keni diçka për të thënë, mund të largoheni. Loni mbeti pa fjalë nga ato që dëgjoi dhe nuk iu hap goja të thoshte diçka. Zison e kish njohur dhe vërtet po trumbetohej ngado, se blegtoria që drejtonte ai ishte shembull për të gjithë. Nuk e kuptonte arsyen përse ishte pushkatuar Ziso. Kohët e fundit, kishte pushkatime edhe në ushtri. Edhe majorë, që dikur kishin luftuar pushtuesin, ishin shpallur armiq të popullit. Dhuna e demostruar hapur dhe frika që po mbillej te njerëzit, do të sillte ndryshime sipas Partisë, në mbarëvajtjen e gjithë punëve. Me barkun mbushur me frikë, Loni përshëndeti hetuesin e rojen e shpifur dhe ia mbathi për në shtëpi. Po i haste sharra në gozhdë dhe gjuha po i lidhej. “Shyqyr që nuk kishte të bënte me Janullën, se do të kalbesha në burg për gjithë jetën.” ***** Poeti Xhimo, pas dimrit të fundit aty në Apolloni u vendos përfundimisht në qytetin e Fierit. Gjatë gjithë verës atë vit nuk u sistemua në punë, megjithëse kishte patur disa oferta për të punuar si samarpunues ose si nallbat për kuajt e rrabave që furnizonin dyqanet e bukës. Mërzitej gjithë ditën e ditës në shtëpi dhe prapseprapë asnjë varg nuk shkroi. Sistemonte vazhdimisht gjithë krijimtarinë që kishte nga mali. “Do të duhen një ditë edhe këto, megjithëse duken nga një kohë e largët, që nuk ka për tu kthyer më, patjetër që do të duhen”. Vazhdimisht nga goja e tij dëgjoje vetëm një strofë të re që gjithkush do e quante poezi, por për të ajo nuk ishte e tillë. Ato vargje ishin jo thjesht nostalgjia për atë kohë që tashmë kishte perënduar, por dhe malli që Xhimon e digjte brenda në shpirt dhe në të gjithë qenien e tij. Por le të hidhemi te vargjet e poetit. Xhimo sa herë takohej me ndonjë rëmën, gjatë bisedës ndalonte dhe recitonte vargjet e fundit të tij. “O llëj rëmënj di maninti Ci nja rëmasut tu minti” Shqip “O ju rëmënët e parë Në mëndje ju kam përherë”. Xhimo nuk desh kursesi që krijimet e malit t‟i ngatëronte me krijime të reja. Ai kërkonte që ato të ngeleshin të pastra si vetë mali. Poeti i Rëmënëve Xhimo nuk shkroi më poezi. **** Dhoksia vrapoi për te Kati, që në mëngjes. Këtë rradhë jo si gjithmonë, por lebetia e saj kishte një nuancë gëzimi. - Kati, motër! Përsëri Toli, por sot më porositi ndryshe, moj motër.

82


- Hë moj ditëzezë, hape gojën dhe fol! - Më tha: “-Dëgjo Dhoksi! Që të shuash edhe atë pak mëkat që të ka mbetur thellë në shpirt, shko u thuaj djemve që të vijnë të më mbulojnë shpatullën, se po mbërdhij këtu te prita afër fshatit, ku lumi formon një shesh të madh rëre. Shpatulla po më ngrin se më është zbuluar nga rëra. Vetëm ty të takon të më shpëtosh, që të lehtësohesh pas asaj që më bëre mua.” Nuk më beson? Mos e paça as këtë tjetrin e mbetsha qorre përgjithmonë, që të më tërheqin për dore, në të gënjej. - Më duket si përrallë kjo që thua moj Dhoksi. Si mund ta besoj këtë, pas atyre që më ke thënë përditë? Po kërkon me çdo kusht që të shpëtosh nga mëkati, por mëkatin që bën secili, vetëm atje lart do të na e falin pas vdekjes. Nuk është prifti apo të vdekurit që na dalin në ëndërr, ata që falin mëkatet. - Kati, tregoju djemve dhe thuaju të kërkojnë, deri te fshati i parë nuk ka as dy orë rrugë. - Djemtë kërkuan me qindra herë, jo deri te fshati i parë, por shkuan deri në det dhe nuk gjetën gjë. - Nuk më dëgjove moj motër. E tha me gojën e tij se po mbërdhinte, pasi i është zbuluar një shpatull. Ai kërkon që të varroset si gjithë të tjerët. Ka qënë i mbuluar nga rëra, prandaj nuk e kanë gjetur djemtë. Po ty ç‟të kushton t‟u thuash njëherë? Ata kanë për të shkuar me vrap. – Në atë moment, në kasolle erdhi Nesti. -Dëgjo Nesti, se nëna jote nuk më beson! Më doli në ëndërr i ndjeri Toli dhe më porositi tu them, se është zbuluar nga rëra dhe po mbërdhin aty te prita afër fshatit. Nuk është larg që këtu, një vrap kali nuk është. Nesti po dëgjonte me një habi të madhe. Ia kish ngulur sytë Dhoksisë, sikur kërkonte ta mbyste. Nënës i kishte thënë që mos e qaste në derë, por kjo që po dëgjonte e preku dhe mendoi se po ta provonte njëherë, nuk do të humbte gjë. - Mirë Dhoksi, shyqyr dëgjuam njëherë nga ty një fjalë, që të na ngrohë për disa momente të paktën. Nuk i besoj fort ëndrrat, por një ëndërr e tillë po më çudit dhe do ta provoj njëherë. Mama, bëj gati torbën e tërvaçun dhe foli Dhorit! U bë gati me vrap dhe bashkë me të vëllanë, mori përpjetë lumit. Mushkën e tërhiqnin për dore dhe të dy nuk po e hapnin gojën. “Ato ditë kishte rënë shumë shi dhe ditën që u mbyt babai, lumi ishte shumë i rrëmbyer. Kjo do të jetë arsyeja që babai ynë ka mbërritur deri këtu larg. Edhe ai po na ndjek në shtegtimin tonë, e kishim kaq afër dhe nuk e dinim. Po ç‟them edhe unë? Nuk i dihet a do të jetë me të vërtetë.” Dhori po kalonte nëpër mend ato ditë të zymta shiu dhe lumi kishte qenë aq i rrëmbyer, sa nuk kish lënë pa rrëmbyer gjithçka që gjente para. Nesti, me një besim që asnjëherë nuk e kish pasur, mendonte se si do të ishte ai moment kur ta gjente të atin në rërë dhe me një krah të zbuluar. - Edhe pak kemi dhe arrijmë Dhori. - Mendon se do e gjejmë babanë aty ku na tha Dhoksia? - Vetëm po mos e ketë mbuluar rëra përsëri, se kështu i humbim gjurmët prapë. U afruan te vendi që tha Dhoksia. Nesti lidhi mushkën në një shkurre dhe bashkë me Dhorin, po afroheshin drejt pritës. Nuk po u zinte syri gjë dhe të dy mbetën të habitur. - Një gënjeshtër nga Dhoksia, more vëlla – tha Nesti. - Nuk më besohet një gjë e tillë. Kisha shumë besim se do e gjenim patjetër. - Megjithatë, tani që erdhëm do fillojmë të gërmojmë e do ta krehim gjithë këtë shesh rëre. - Patjetër, fillojmë nga puna sa s‟është vonë e pa na zënë nata.

83


Kishin marrë me vete një kazëm e një lopatë, disa hararë dhe një çarçaf të bardhë. Kur po gatiteshin të gërmonin, Dhori hodhi sytë në një qoshe të pritës, ku një ferrë e madhe qëndronte mbi ujë e vërtitej sa andej e këtej, duke mos gjetur rrugë të ecte më tej. Ai vrapoi drejt saj dhe i hapi rrugën. Kur ç‟të shihte? Toli, i bardhë si bora, kishte zbuluar njërin krah, të cilin e fshihte ferra nga shikimi i tyre disa sekonda më parë. - E gjetëm vëlla. – thirri Dhori dhe Nesti u afrua me vrap. Morën kazmën dhe filluan ta zbulojnë ngadalë. Me gjithë mend ishte ai. Pasi e zbuluan, Toli dukej sikur ishte gjallë. Nesti, për një moment e humbi vetëdijen dhe e pushtoi të atin, por aty ishte llahtar, se njëri krah që kishte kapur, i mbeti në duar dhe një erë kundërmuese i mbyti të dy. Të tromaksur, filluan ta mbledhin Tolin, ashtu si u nda në disa pjesë. E vendosën në çarçaf dhe më pas e futën në dy thasët e mëdhenj. Gjatë gjithë rrugës, nuk iu nda era e rrëndë që lëshonte. Toli, i ngarkuar në mushkë, tani peshonte pesë kilogram. Kur mbërritën në Apolloni, te stani i dimrit ( që s‟mund të quhej më stan, me aq pak dele e stanarë), ishte natë. Kisha e shën Marinës ishte vendi ku varroseshin rëmënët. Tolin e qau Kati bashkë me vajzat, e qau edhe Janulla, e qanë të gjithë stanarët, edhe Dhoksia me një sy. Në varrim kishin ardhur edhe persona nga stane të tjera. Vetëm një njeri nuk erdhi, bashkë me gruan e tij. Dhe ky ishte Loni.

***** Para se të mbytej në lumë, Toli thithi tre herë rresht çibukun dhe duke parë kalin, i cili qëndronte i heshtur përballë tij, filloi të kuvendonte me zë. “Doriu im, tani më thuaj, mbase ti di ndonjë rrugë që të na shpëtojë nga kjo gjëmë. E di që nuk di, prandaj më shikon ashtu, se nuk di ç‟të thuash. Por të paktën më dëgjo mua dhe mos më ndërprit. Tani do të të heq kapistallin dhe shko ku të duash. Si, nuk do? E po, nuk kemi rrugë tjetër. E mirë, mirë, se nuk të lë vetëm. Pa prit, kam kaq kohë që nuk të kam hipur, mos je zemëruar pikërisht nga kjo! Mirë, se tani do të të hipi njëherë, para se të largohem si një kapedan, ashtu si më thoshin. Bëhu gati dhe gëzohu, se mbi shpinën tënde do të hipi unë, Toli kapedani. Të paktën të më kujtosh gjithmonë si të tillë dhe jo si një burracak që nuk donte të të hipte. Nuk më kishte mbetur asnjë pikë burrërie deri dje. Isha një gjysëm njeriu, prandaj nuk desha të të hipja. Pritmë se po vij.” Kali lëvizi bishtin, sikur ta kish kuptuar me gjithë mend të zotin. Toli u afrua pranë tij dhe u hodh sipër me një shkathtësi të tillë, sa do ta kishte zili edhe një djalë. Kali hingëlliu dhe priste që Toli t‟i jepte rrugë, sa më parë të ishte e mundur, për ta shpëtuar nga ai mankth që e kish pushtuar e nga ai skenar që kish përgatitur, si për të dhe për kalin. “Ja kështu, tani unë jam Toli kapedani dhe ti i dashur mik, je doriu im që nuk ke pasur shokë ndër kuaj. A nuk ia vlen tani, të ikim të dy nga kjo botë, ku nuk kemi përse të vazhdojmë më tej. Po, po, unë dhe ti. Të dy do të largohemi nga kjo botë, se nuk kemi asnjë arsye për të qëndruar më shumë. Para se të ikim, dua që një gallop të ma dhurosh i

84


dashur, si dikur kur ishe i ri dhe më bëje të fluturoja edhe unë nga vrapi yt. E dija që do të ishe dakord. Edhe pse nuk e ke frerin, kam besim se do t‟ia dalësh mbanë.” Kali, sikur të kishte kuptuar gjithë sa i tha Toli dhe pasi e rrahu poshtë te barku fort, mori tutje lëndinës me një vrap që nuk e kish bërë prej kohësh. E bënë disa herë atë rrugë vajtje-ardhje dhe së fundi, kur Toli vuri re se kali po tregonte shenja lodhjeje ndaloi dhe zbriti prej tij. “Besoj se u kënaqe i dashur. Sa kohë kishe që nuk merrje një vrap të tillë, prandaj u lodhe shpejt e shoh, megjithëse e more me shumë vrull. Tani eja, se kemi disa punë të tjera për të bërë. Si fillim do të të lidh këmbët, që të mos vuash aty në ujin e qelbur. Ti mos u mërzit se nuk të lë vetëm. Unë vij menjëherë pas teje. Not nuk di dhe gjithë ky lumë që oshëtin, sa hap e mbyll sytë më ka përpirë, më ka mbytur menjëherë. Je dakord? Mirë, eja këtu dhe mos mendo se nuk të dua dhe se dua të të ndaj përgjithmonë nga vetja. Nuk e bëj për këtë. Ti vetë më the, se nuk dije ku të shkoje pa mua. Eja dhe rri urtë se është më mirë për të dy, këtë ta them unë, Toli Kapedani.” E lidhi nga të katër këmbët dhe me lotë në sy, atje buzë greminës, ndenji pothuaj një orë. Nuk guxonte ta shtynte. I vinte keq dhe dilema që e zuri për një moment, për ta zgidhur e për ta lëshuar tutje apo të bënte atë që po bënte, e turbullonte dhe nuk e linte të vendoste. Kapistrën e kishte lidhur pas një dege ahu që ndodhej aty buzë greminës. Qielli sa vinte e po errësohej më shumë. Filloi të qajë me ngashërim e me kokën ulur, sikur të kishte frikë mos i shihte kali lotët, të cilët po i rridhnin çurg. “Duhet ta zgidh dhe ta lë të lirë, ashtu si veprova me Janullën, se nuk më ka faj as ajo dhe as kali për të gjitha sa kam në kokë e po mendoj të bëj. Do ta zgidh patjetër.” Kali ngriti kokën dhe vështronte i habitur. Ishte ndjesia e Tolit, që ai shikim dukej tejet qortues. Syri i kalit rrinte vazhdimisht i hapur, sikur të ndodhej afër një preje dhe frika ta detyronte të shtangej në atë mënyrë. Toli po shihte veten e tij në syrin e kalit, më mirë se në një pasqyrë. Ishte fare i vogël, aq i vogël sa nuk po e njihte as veten. Edhe peisazhi ishte mbledhur kruspull në sy të kalit, sikur kërkonte shpëtim aty dhe fshihej pas qepallave që ende qëndronin hapur. A mund të strukej në atë mënyrë gjithë ai peisazh bashkë me Tolin, atë kapedanin? Toli e krahasoi me një kokërr loti gjigande, gjithë peisazhin e malit bashkë me atë vetë. “ Kali po qan me dhimbje mali, po më qan edhe mua me pezm, pa e mbyllur qerpikun. Syri i tij mbase shpresonte ende. Unë lutem që ai sy, mos e mbyllë kurrë qerpikun. Do të doja që ajo bukuri të rruhej deri në çastet e fundit. Nuk do doja kursesi, që peisazhi i malit dhe unë mes tij, të shuheshim ashtu, me një të mbyllur të qepallës. I gjori kali im, më mbështolle me gjithë mal aty brenda, në thellësi të syrit tënd. Nxirre pra atë pikë loti nga bebja dhe më lër të iki bashkë me të. Lëviz pra, se po më çmend. Tani, as Kasëmi e as bishat nuk na trembin. Ule kokën, mbylli qepallat dhe fillo e kullot. Më lër mua, të qaj edhe për ty.” Në këto e sipër, një re e madhe dhe e zezë u afrua fare afër, sikur desh të ulej ashtu këmbëkryq, atje anës lumit në atë lëndinë, pa kurfarë vetëtime. Por nuk ndodhi ashtu si po mendonte Toli. Shkrepëtima ishte aq e fuqishme, sa që kali, i lidhur aty në degën e ahut, u vërvit poshtë greminës. Me një zhurmë të madhe, sikur të kishte rënë një gjëmë, ra në ujin e turbullt që ende sillte kërcunj e shkurre. Toli mbeti i habitur nga kjo katrahurë, që po vinte me aq rrebesh. Shkrepëtimat vazhdonin pa pushim dhe shiu derdhej lumë mbi kokën e shpatullat e tij. Qielli çahej nga vetëtimat, të cilat ishin aq të shpeshta dhe gjëmimet aq tronditëse, sa që atij nuk i kishin ndodhur asnjëherë më parë në jetë. Në atë gjëmim dhe shkrepëtimë të rrufeshme, gjithçka në pyll do të tronditej. Përballë tij, një pishë shekullore u ça më dysh nga rrufeja dhe flaka ende përpëlitej nën rrebeshin e shiut. Toli nuk i ndjente më në faqe lotët e tij, që shiu ia rrëmbente me vrrull dhe shija e tyre e kripur humbiste. Vetëm zemra

85


i rrihte fort, sikur kërkonte të dilte gjoksit para kohe, para se ai të vërvitej në lumë. Duke parë vazhdimisht dallgët e turrbullta të lumit, u shastis në vend. Kali më s‟po dukej. Dallgët filluan ta thërrasin me emër: “ O Toli kapedani, mos u frikëso! Ne do të të presim krahëhapur dhe sa të hapësh e të mbyllësh sytë, do të hysh në gjirin tonë dhe nuk ke për të shkuar më askund… Eja pra, mos ngurro! Ti ke qënë trim dhe kapedan, ashtu si të thërrisnin, i madh a i vogël. Hidhu pra! Ç‟pret? ” Menjëherë u bë frikacak dhe jo vetëm frikacak, por edhe i vogël .U zvogëlua aq shumë sa edhe vetë po çuditej. Natyra, lëndina ku ai ndodhej duke ngarë kalin e tij të drunjtë, të cilin ia kish ndërtuar gjyshi i tij me merak. Litarët, që gjyshi i kishte përgatitur me lëkurë lofate, po i trazonin kujtesën dhe lozhurri, i cili gjëmonte nën trysninë e gjalpit dhe qymyrit të drurit, të krijonte përshtypjen sikur atje rrotull po kalonte një aeroplan. Këto imazhe sa s‟po e çmëndnin.. Po i kalonte gjithë jeta para syve. Pastaj, dëgjoi fjalët e gjyshit për malin - “Të zbon more bir mali, po nuk je njeri punëtor, i besës dhe me cipë në faqe.” Iu kujtua ajo tragjedi që kish ndodhur në rininë e tij dhe që ishte cilësuar si ngjarja më e kobshme ndodhur në male. Disa e komentonin si normale por jo. Kishte dhe nga ata që besonin se dy vëllezërit që mbytën motrën në lumë dhe që më pas hapën fjalë se asaj i shkau këmba në urë dhe ra poshtë në lumë. Arsye e vetme ishte mëndja e saj që e kishte trashëgimi që në vogëli tek loste me shokët në lëndinë. Një rrëzim aty në shesh dhe ajo u dëmtua në tru të vogël. Më pas të gjithë e etiketuan si budallaçkë dhe shkaku pra ishte ky që dy vëllezërit ngelën pa martuar dhe më pas ish marrë ai vendim i marrë dhe makabër duke e mbytur në lumë. “Vërtet mali ish i pastër dhe nuk pranonte dembela, por rasti në fjalë ishte një fatkeqësi që mund t‟i ndodhte kujdo. Edhe këlyshët e buçes aty në mal i kapnin për veshi dhe ai që do të mjaullinte do e flaknin në përrua. Ky seleksionim që bëhej në kafshët të thuash se influencoi dhe te dy vëllezërit që shkak kryesor për beqarinë e tyre vinin motrën që ishte e sëmurë mëndërisht në asnjëmënyrë. Nuk kishte faj e shkreta Otë. Atë vit mbaj mend se të dy vëllezërit u larguan nga stani dhe nuk u dukën më atyre anëve. E ç‟lidhje ka kjo me mua. Përse e solla nëpër mend gjithë këtë. Mund të krahasohet veprimi im me rastin e tyre. Jo. Ota ishte viktimë e vëllezërve dhe fatit të saj që kur u rrëzua në vogëli. Nuk kish të bënte me malin. Otën nuk e zboi mali. As mua nuk po më zbon mali, po pse atëhere”. Po atij, Toli kapedanit, nuk i kishte munguar asgjë nga këto, pse po e zbonte mali? Mos vallë kishte vdekur vetë mali dhe po mundohej të largonte bijtë e tij, sa më parë të ishte e mundur. Mendonte vallë mali për të! Po mali dhe Toli kapedani tashmë, ishin diçka pa kuptim. Nuk kishte më mijëra dele, as kalin e shalës, doriun e tij të shtrenjtë. Do të shurdhohej mali nga heshtja, se nuk do të dëgjonte më gjithë ato këmborë e zile, oshëtimën e tyre që në mëngjes herët. Mali do të bëhej memec e invalid, skelet, jetim dhe i shkretuar. Toli vazhdonte me monologun e tij, që tashmë ishte i fundit: “ Duhet të vinte me mua, nuk kishte çfarë të bënte në këtë botë. Ai me gojën e tij, më tha se nuk donte që ta hipte kryetari dhe as brigadieri i blegtorisë. Me veshgjatët, as që bëhej fjalë të mbrehej në një parmendë. Ishim të dy njëlloj, të dy me huqe. Ai nuk i njihte punët e bujqësisë dhe nuk donte kursesi të mësonte tani, as unë, kjo është e gjitha. Kam shpresë se do të shkojmë në parajsë. Ah, sikur të takonim gjyshin. Po më sulmon edhe ai lart. Por tani është vonë.” “Oh! Oh!” Toli ishte lebetitur dhe nga gjoksi i dolën disa psherëtima. “ Ike vetë i dashur mik, pa menduar për mua që më le vetëm. Them se edhe mali do të vijë pas nesh, në mos tani, ndonjë ditë tjetër, se edhe ai nuk do të ketë arsye të jetojë ashtu pa ne. Por mos kujto se unë do të tregohem frikacak dhe do të të lë vetëm! Më prit, se ja ku po vij menjëherë pranë teje. Mbeta fillikat me këtë çibuk në dorë, që kam për ta ndezur edhe

86


njëherë, për herë të fundit.” Nxorri çibukun dhe e mbushi me duhan Dumreje. Masatin dhe gurin e strallit, i goditi fort në fijen e eshkës. U mundua shumë derisa eshka u tha nga fryma e tij dhe xixat e gurit të strallit, me masatin. Së fundi eshka u ndez dhe ai e vendosi mbi duhanin e Dumresë duke u mbrojtur nga shiu, që siç dukej nuk kish të pushuar. E thithi dhe tymin e lëshonte shtëllunga - shtëllunga njëra pas tjetrës. Po i thithte jetës edhe çastet e fundit të saj. Sytë, ende të mbytur në lotë dhe truri, në një gjendje, si ajo kur pret të të kapllojë gjumi, pa asnjë shenjë tjetër që ta udhëheqë për të bërë të kundërtën, e detyroi ta flakë edhe çibukun në lumë. Pas tij, hidhet edhe vetë. Dhe uji me stërkala të harbuara, e mbështolli brenda vorrbullës, ashtu si kalin disa çaste më parë. Pa mëshirë e nxjerr tutje pellgut, duke e vërtitur dhe duke e humbur në thellësi të tij, herë pas here. Zhurma e ujit të turbullt, gjëmimet dhe shkrepëtimat, do të vazhdonin për një kohë të gjatë, si dëshmi e atij akti, sa barbar aq edhe njerëzor.

FUND Sqarim

Redaktor: Ziko Kapurani Korektor letrar: Zerina Ciko Recensent: Riza Braholli Kopertina: Spiro Ciko

Prapa: Çmimi 600Lek dhe 6 euro Kopertina e palosur ku të shkruhen krijimtaria e autorit Dhe kjo poezi. Zboru sus di qivërii Ojli tuti ni kupiii Prëmvjarë llajë prëmvjarë Prëmvjarë s’nu jinj alltorë Tuti shkretili li llorë. Shqip Urdhër lart i qeverisë Delet të bëhen një tufë Pranverë e zezë pranverë Pranverë mos ardhsh tjetër herë Të shkretat të gjitha i muarë.

87


88

Kali i shales  
Read more
Read more
Similar to
Popular now
Just for you