Vleresimi Strategjik Mjedisor - PKST ALPE

Page 22

Kuadri institucional për mbrojtjen e mjedisit Institucionet mjedisore në Shqipëri kanë kaluar nëpërmjet një procesi reformimi pas vitit 1991 në strukturë, përgjegjësi dhe në hartimin e legjislacionit, duke filluar me ngritjen e Agjencisë Kombëtare të Mjedisit (1991-1998). Ministria e Mjedisit është autoriteti kryesor përgjegjës për hartimin e politikave të mbrojtjes së mjedisit dhe kontrollit në nivel kombëtar. Ajo harton dhe zbaton politikën e qeverisë për mbrojtjen e mjedisit, harton projekt-akte ligjore e nënligjore në funksion të mbrojtjes dhe menaxhimit të qëndrueshëm të mjedisit, bashkërendon aktivitetet e institucioneve për çështje të mjedisit, organizon dhe koordinon punën për monitorimin e mjedisit, përgatit projekt-marrëveshjet ndërkombëtare për mbrojtjen e mjedisit, përgatit raportin “Për gjendjen e mjedisit”, shqyrton dhe jep lejet mjedisore për aktivitetet e ndryshme ekonomike, nxit informimin, ndërgjegjësimin dhe tërheqjen e publikut në diskutime të rëndësishme për mjedisin, etj. Në varësi të Ministrisë së Mjedisit vepron Agjencia Kombëtare e Mjedisit dhe 12 drejtori rajonale të mjedisit me përgjegjësi kryesore zbatimin e legjislacionit, kryerjen e inspektimeve, kontrollin e funksionimit të aktiviteteve dhe përdorimin e burimeve natyrore në rajonet e tyre, duke marrë pjesë në dhënien e lejeve mjedisore për aktivitetet e reja dhe në mbështetjen e monitorimit dhe të vlerësimit mjedisor, etj. Një strukturë e re në përbërjen e Ministrisë së Mjedisit është Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura me 12 drejtori rajonale të ZM në vartësi të saj. Në nivel vendor, bashkitë janë përgjegjëse për mbrojtjen e mjedisit brenda territorit të tyre, megjithëse janë në fazën e plotësimit të njësive të specializuara mjedisore. Në bazë të ligjit ”Për vetëqeverisjen vendore“ nr. 139/2015, bashkitë janë përgjegjëse për sigurimin në nivel vendor të masave për mbrojtjen e cilësisë së ajrit, tokës dhe ujit nga ndotja, sigurimin në nivel vendor të masave për mbrojtjen nga ndotja akustike, zhvillimin në nivel vendor të aktiviteteve edukuese dhe promovuese që lidhen me mbrojtjen e mjedisit.

22


Issuu converts static files into: digital portfolios, online yearbooks, online catalogs, digital photo albums and more. Sign up and create your flipbook.