Gjuha shqipe

Page 240

Perëndi? Pse hesht? Fol, së paku sot, mos të shkoj pa ta njohur zërin. Kurrë nuk ta kam dëgjuar fjalën edhe pse kurrë vullnetin tim s’e kam vënë mbi vullnetin tënd. Ti me heshtje e ke drejtuar fatin tim dhe fatin e popullit tim: të keqen dhe të mirën t’i pranuar njësoj. Kurrë s’të kam lutur si sot, sepse kurrë s’kam dashur ta shqetësoj heshtjen tënde. . E, sot? jam pajtuar me vdekjen time, por mos u pajto Ti me pushtimin e popullit tim. perëndi! Bëj që nami i tij të mos shuhet! Bëj që nami im të ruhet! Unë do të vdes ashtu si më ka hije: pa më prekur dora e armikut dhe tradhtarit. Kujdesu që të mos ketë uri dhe etje, që të lulëzojnë pemët dhe të shtohen të korrat, të pjellin bagëtia dhe të shumëzohen bletët , të kenë gjinj nënat dhe të rriten foshnjat. Perëndi! Vetëm Ty të bie në gjunj dhe vetëm Ty të lutem: mallkoje armikun, dënoje tradhtarin. Dhe mos e harro Laidin tim të vogël të humbur. Perëndi! më jep ndjesën herën e fundit, se unë të jap veten. ( Ia ndërpreu lutjen zëri i bririt, që bie shtatë herë , duke paralajmëruar dorëzimin e përgjithshëm edhe të rojtarëve të kështjellës. Mbas zërit të bririt shikon dritare më dritare. Heshtje e plotë . Kur kthehet sheh se valltaret dalin njëra pas tjetrës. pastaj fillon marshi triumfues.) Të gjithë janë dorëzuar. tani edhe ato më lanë. Edhe Fari është bërë me ta. Kam mbetur vetëm. Mes luleve më kanë çelur gjarpërinjtë. Kam parë dashurinë edhe atje ku ka qenë urrejtja – si gjithnjë; besnikërinë edhe atje ku ka qenë tradhtia – si gjithnjë. Kam zgjatur dorën që të më nxirret krahu – gjithnjë; më është dhuruar buzëqeshja e është shikuar froni – si gjithnjë. Unë e vdekur , derisa të tjerët do të jetojnë. Vetëm ... ( Qesh duke qarë .) Ha-ha-ha! Sa bukur! Unë prej fronit e tjetërkush në fron! Me daulle, me valle e me këngë. Ato do të vallëzojnë si deri sot! para syve të Medaurit. Para heshtjes së tij! E këmbët e mia akoma mund të vallëzojnë ... As Medauri nuk turpërohet. Hesht si gjithnjë. (Qesh duke vallëzuar , qan duke qeshur.) Le të ngushtohen rudinat dhe le të zgjerohen kënetat; le të tërbohen detyrat dhe le të shuhen yjet; le të rrafshohen malet dhe le të ngrihen fushat; le të digjen lumenjtë dhe le të thahen të mbjellat ; le të vdesin njerëzit dhe le të sundojnë shtazët! (Ndalet e shtangur në vend.) Unë të vdes e Ai të sundojë! Unë të vdes e ato të vallëzojnë! (Çel dyert e dhomës me rrëmbim.) Qe, hajdeni, jam gati,Merreni bazileshën. Mos të jetë bazilesh. Le të jetë grua. Vetëm grua. 239


Issuu converts static files into: digital portfolios, online yearbooks, online catalogs, digital photo albums and more. Sign up and create your flipbook.