
3 minute read
KONKLUZIONE
Objekti ynë, subjekt i auditimit të energjisë, pallat shumëkatësh banimi, ndërtuar në vitin 1973, ndodhet në qytetin e Korçës dhe ka gjithsej 5 kate me nga 3 apartamente. Për këtë raport auditimi energjetik, morëm në studim një apartament banimi me kapacitet 3+1, me sipërfaqe totale rreth 95 m2. Pas inspektimit, të dhënat u përpunuan dhe u arrit në përfundimin se godina ka nevojë për ndërhyrje termoizoluese në mbështjellësen e jashtme vertikale, në mënyrë që të ulet kostoja e shpenzimeve për energji elektrike, si edhe kostoja e druve të përdorura për ngrohje.
Nga analiza e kostos energjetike dhe pas ndërhyrjes me shtresë termoizoluese, ndryshimin e dritareve dhe zëvendësimin e ndriçimit me llamba LED, u arrit në përfundimin se koha e kthimit të investimit është rreth 6,5 vjet. Pas kësaj periudhe, energjia e kursyer çdo vit kthehet në fitim për banorët, pasi jetëgjatësia e këtij investimi është më e lartë se 30 vjet. Ky investim në termoizolim përkthehet jo vetëm në një investim fitimprurës nga ana ekonomike, por është gjithashtu një investim për të krijuar ambiente më të pastra nga CO2
Advertisement
Termoizolimi, si një nga masat e eficiencës së energjisë, është mjaft i rëndësishëm për Korçën, pasi një ndër problemet kryesore të mjedisit në këtë qytet është ndotja e ajrit nga djegia e druve për ngrohje në periudhën e ftohtë të vitit. Zona e Korçës ndodhet në zonën klimatike me vlera më të ulta të temperaturës në Shqipëri. Si e tillë, është ndër qarqet me përdorimin më të lartë të druve të zjarrit për ngrohje të banesës. Problemi kryesor i evidentuar në këtë qytet shkaktohet nga prania mbi normën e lejuar e grimcave PM10 dhe PM2.5 në ajër, përgjatë periudhës së ftohtë. Burimi kryesor i këtyre grimcave vjen nga oxhaqet e shtëpive, që mbulojnë me tym lagjet e qytetit. Gjithsesi, nuk përjashtohet edhe prania e ndotësve të tjerë të gaztë: CO2, SOx, NOx, etj.
Nga analizimi i banesës tip, në drejtim të performancës energjetike, rezulton se ka humbje jashtëzakonisht të larta të nxehtësisë, duke shtuar nevojën për dru zjarri për ngrohje. Si rrjedhojë, edhe ndotësit në atmosferë do të jenë në sasi më të lartë. Pas llogaritjeve të performancës energjetike të banesës, me ndërhyrje termoizoluese, rezulton se humbjet u reduktuan ndjeshëm, duke reduktuar kështu edhe nevojën për përdorimin e lëndës drusore për djegie në masën 67%.
Ky fakt tregon qartë rëndësinë që ka termoizolimi në parandalimin e ndotjes së ajrit dhe reduktimin e përdorimit të burimeve energjetike në vend. Gjithashtu, duket qartë se termoizolimi ka ndikim të ndjeshëm në rritjen e komoditetit në banesë dhe uljen e rreziqeve që u kanosen qytetarëve nga ndotja e ajrit.
Nga përpunimi i të dhënave rezultoi se kostoja e sistemit kapotë për apartamentin në fjalë shkonte 199 875 lekë, ndërsa vetratat e xhamit (dritaret) kushtonin gjithsej 162 000 lekë. Në total, kostoja e termoizolimit kapte vlerën e 361 875 lekë. Falë termoizolimit, familja e marrë në studim në një vit do të kursente rreth 30 000 lekë për dru zjarri dhe rreth 32 000 lekë për faturat e energjisë elektrike. Kthyeshmëria e investimit të termoizolimit, nëse do të marrim në konsideratë çmimet e drurit për vitin 2021, do të ishte 10,8 vjet. Por nëse si ngrohje do të përdornim gazin e lëngshëm me çmimet aktuale të tregut, kthyeshmëria e investimit do të ishte në rreth 4 vjet. Ndërkohë që, nëse marrim në konsideratë edhe kursimin nga energjia elektrike, koha e kthimit të investimit do të shkonte në rreth 6,5 vjet.
Nga analiza e bilancit të Bashkisë së Korçës rezultoi se buxheti total që i nevojitet për të kompletuar procesin e sistemit kapotë në qytet, me qëllim rritjen e eficiencës energjetike, do të ishte 0,8 mld lekë. Në vitet e para, fondi i mjaftueshëm për këtë proces do të ishte rreth 0,04 – 0,05 mld lekë, ndaj do mjaftonte deri në 20% e fondit të investimeve të orientohej drejt përmirësimit të cilësisë së jetës të qytetarëve. Opsion tjetër mund të ishte një taksë e përkohshme lokale me qëllim financimin e termoizolimit. Bashkia e Korçës ka 28 000 familje, ndaj do mjaftonte thjesht një pagesë mujore rreth 134 lekë në muaj për familje, për të pasur mjaftueshëm buxhet për të financuar rritjen e eficiencës energjetike në apartamentet e kësaj bashkie. Po ashtu, do mjaftonte të rriteshin me 7,7% të ardhurat lokale vjetore, shumë kjo që mund të sigurohej edhe nga lufta e informalitetit, dhe ky fond shtesë të shkonte për termoizolimin.