
4 minute read
LISTA E TABELAVE
Kërkesa në rritje për energji, tkurrja gjithnjë e më tepër e burimeve energjetike dhe presioni negativ mbi mjedisin, kanë vënë në pikëpyetje zhvillimin normal të ekonomive globale dhe të ekzistencës sonë në të ardhmen. Ndaj, shkencëtarët, politikbërësit, kompanitë e mëdha e deri te familjet, e kanë kthyer vëmendjen nga eficienca e energjisë dhe nga gjetja e burimeve të sigurta e të pashtershme të energjisë. Sektori i ndërtimit, ku përfshihen edhe ndërtesat e banimit, mbetet një prej kontribuuesve kryesorë të dëmtimit të mjedisit dhe varfërimit të burimeve natyrore në shkallë globale. Për vitin 2019, sektori i ndërtimit përbën përdorimin më të lartë të energjisë, me mbi 36% të konsumit, si dhe është përgjegjës për emetimet e rreth 40% të CO2 dhe sasi të konsiderueshme të gazeve të tjera me efekt serrë1. Me vëmendjen gjithnjë e në rritje që po merr çështja e ndotjes së ajrit dhe e ndryshimeve klimatike, ky sektor është nën presion për të reduktuar ndikimin mjedisor, përballë një kërkese në rritje të vazhdueshme për energji.
Pas viteve 2000, shumë vende të Evropës kanë aktivizuar një sërë politikash me vëmendje të veçantë ndaj mjedisit dhe kursimit të energjisë, duke kryer programe të shumta ristrukturimi, rijetësimi dhe rinovimi në mënyrë që të rrisin cilësinë e hapësirave të brendshme të banesave, si dhe cilësinë e hapësirave ndërmjet ndërtesave. Ndërhyrjet janë fokusuar në mbështjellësen e jashtme të ndërtesave, në përmirësimin e karakteristikave të tyre termike dhe akustike. Këto operacione ndihmojnë procesin e rijetësimit të lagjeve apo zonave ekzistuese, nëpërmjet përdorimit të teknologjive të reja dhe materialeve të rinovueshme.
Advertisement
Gjithashtu, amendamenti i vitit 2018 i Direktivës së Eficiencës së Energjisë vendos fokusin në rinovimin e ndërtesave ekzistuese, që shpesh përfshin instalimin e materialeve të izolimit termik për të përmirësuar efikasitetin e përdorimit të energjisë. Ndaj, përdorimi i sistemeve të izolimit termik në ndërtesa është tashmë mjaft i rëndësishëm dhe i detyrueshëm nga politikat dhe legjislacioni i Bashkimit Evropian. Këto politika synojnë uljen e konsumit të energjisë në sektorin e banesave, duke reduktuar kështu përdorimin e burimeve energjetike dhe duke ulur presionin në mjedis, kryesisht në uljen e shkarkimeve në ajër.
Megjithatë, edhe pse koncepti i rigjenerimit është përdorur gjerësisht në dy shekujt e fundit në Evropë, ai është ende i paeksploruar dhe jo shumë aktual në Shqipëri.
Ndërtimi masiv i objekteve të banimit me karakteristika të standardizuara, qofshin uniforme deri në monotone, me cilësi të ulët teknologjike në Shqipëri, paraqet aktualisht nevojën më të madhe për t’iu përgjigjur ndërhyrjeve në drejtim të mirëmbajtjes dhe të zhvillimit cilësor të kushteve të jetesës.
Jo vetëm ndërtesat e ndërtuara para vitit 1990, por edhe ato të mëvonshme, të cilat kanë probleme të mëdha në lidhje me cilësinë e elementëve arkitektonikë të mbështjellëseve, si: prania e urave termike, lagështia, mungesa e izolimit akustik dhe termik, kanë nevojë emergjente për ndërhyrje përmirësuese në cilësinë e ndërtimit. Kjo, pasi mungesa e termoizolimit në elementë të jashtëm arkitektonikë, vertikalë dhe horizontalë, cilësia e dobët teknologjike e elementëve arkitektonikë në zbatim dhe ndërtimi masiv me cilësi të ulët, lidhet ngushtësisht me humbjen e energjisë termike të brendshme, duke rritur nevojën për ngrohje të brendshme dhe, si pasojë, duke rritur edhe ndikimin negativ në kostot e energjisë apo të ndotjes së ajrit. Kjo ndodh veçanërisht në zonat që karakterizohen nga temperatura të ulëta, sikurse është edhe rajoni i Korçës, të cilat në ndarjen klimatike të vendit ndodhen në zonën më të ftohtë të Shqipërisë. Në këtë zonë, temperaturat nën 0° C janë prezente në pjesën më të madhe të stinës së dimrit2. Si rrjedhojë, ngrohja e ambientit të banesës është më shumë e nevojshme dhe ndodh në periudhë më të gjatë se në zonat e tjera të vendit. Kjo është vërtetuar edhe nga të dhënat e INSTAT, mbi konsumimin e energjisë elektrike dhe të druve të zjarrit në këtë rajon gjatë periudhës së dimrit3
Të dhënat nga INSTAT tregojnë se në rajonin e Korçës, burimi kryesor i energjisë për ngrohje vjen nga djegia e druve të zjarrit. Si rrjedhojë, vlerat e elementëve ndotës në atmosferë janë relativisht të larta në periudhën e ftohtë, pra që në fillim të vjeshtës e deri në pranverë. Në varësi të llojit të sobës dhe të drurit të djegur, çlirohen grimcat të imta PMTotal, së bashku me monoksid karboni (CO), komponime organike të paqëndrueshme (VOC), dyoksid karboni (CO2), okside squfuri (SOx) dhe okside azoti (NOx). Të dhënat për qytetin e Korçës tregojnë se në dhjetor të vitit 2020, vlera 8 orare e monoksidit të karbonit është 12.13 mg/ m³, nga 10 mg/m³ që është norma 8 orare e BE-së4.
Qarku i Korçës numëron 52 572 ndërtesa banimi, mbi 50% e të cilave janë ndërtuar përpara viteve 20005
Referuar tipologjisë së ndërtimeve në periudha të ndryshme dhe vjetërsisë së ndërtesës, mund të themi se janë ndërtesa relativisht të amortizuara dhe me performancë energjetike të ulët. Kjo nënkupton që nevoja energjetike për ngrohjen e ambientit është relativisht e lartë. Duke marrë parasysh që djegia e drurit për ngrohje zë një peshë të madhe në ngrohjen e ambientit në këtë zonë, presioni në mjedis, kryesisht në cilësinë e ajrit urban, është gjithnjë e më tepër në rritje.
Në këto rrethana është mjaft e rëndësishme që të punohet në drejtim të vlerësimit të performancës së energjisë dhe në termoizolimin e godinave ekzistuese. Kësisoj, krahas komoditetit të krijuar në banesë, do të përfitojmë ulje të konsumit të energjisë, reduktim të presionit mjedisor nga shfrytëzimi i burimeve energjetike, përmirësim të cilësisë së ajrit urban dhe një sërë përfitimesh ekonomike.
Në përputhje me misionin dhe objektivat e tyre, All Green Centre dhe Arti në Duart e Gruas kanë hartuar “Raportin e Auditimit Energjetik – Vlerësimi i ndikimit në mjedis dhe në ekonomi nga termoizolimi i banesave në Korçë”, duke ofruar të dhëna të sakta sesi termoizolimi, si masë e eficiencës së energjisë, redukton konsumin e energjisë, duke ndikuar në uljen e emetimeve të ndotësve në ajër. Po ashtu, raporti përmban të dhëna të sakta mbi kapacitetet financiare të Bashkisë së Korçës për të bashkëfinancuar termoizolimin në banesa përmes krijimit të “Fondit të Komunitetit”, si formë për stimulimin e këtyre investimeve nga ana e qytetarëve.
2. Simaku, G. (2017). Albanian Building Stock Typology and Energy Building Code in Progress Towards National Calculation Methodology of Performance on Heating and Cooling. Evropean Journal of Multidisciplinary Stud.
3. INSTAT. (2022). Databaza Statistikore. Retrieved from Instat.gov.al.
4. AKM, A. K. (2022). Raporti i Gjendjes në Mjedis 2020, Tiranë, AKM.
5. Simaku, G. (2017). Albanian Building Stock Typology and Energy Building Code in Progress Towards National Calculation Methodology of Performance on Heating and Cooling. Evropean Journal of Multidisciplinary Studies, Volume 2, Issue 5, 13 – 35.