PARATHËNIE Biblioteka e shkrimeve dhe e librave për Frashërin dhe frashërllinjtë është e madhe. Ajo është e tillë sepse njerëzit e Frashërit, të ndritur e të vuajtur, kanë qënë atdhetarë e rilindas të mëdhenj. Kur flet për Frashërin, përfytyron një mal me lisa të gjatë e ajrin e pastër të bredhave, mendon Rilindjen Kombëtare e të vjen një mall për Prizrenin e njerëzit e tij. Por edhe kur flet për Rilindjen Kombëtare, të del para syve Frashëri me pamjen e një vendi të shenjtë e me një heshtje njerëzish të mëdhenj. Sepse heshtja është pamja e urtësisë, paqes e harmonisë mes njerëzve e në botën mbarë. E deshi Frashëri mirësinë e njerëzve të urtë të Shqipërisë, të Vaso Pashës e Filip Shirokës, të Isa Boletinit e Sali Butkës, të Gjergj Fishtës e Fan Nolit. Por edhe ata e nderuan Frashërin në figurat e bijëve të tij Abdylit, Naimit e Samiut, të cilëve mbarë populli u këndoi edhe këngë. Ndoshta ishin këto virtyte të shqiptarëve e të Frashërit, që në vargjet e Mihal Gramenos tingëllojnë një të vertetë, që ne frashërllinjtë kokëulur duam të kujtojmë: Si ty o Vithlehem e Mek’ e Arabisë Ku janë lindur Muhamet e Krishti i Krishterisë Për mua është Frashëri vënd i Perëndisë Tek është lindur Naim Beu zemr’ e Shqipërisë Këto janë arësyet që i bëjnë të panumërta librat, artikujt dhe studimet e veçanta për Frashërin dhe, bashkë me to edhe mbi Rilindjen Kombëtare. Ajo bibliotekë hapet me librin e Sami Frashërit “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është e ç’do të bëhetë” (1889), ku parashtron mendime për shpëtimt të mëmëdheut nga rreziqet që e kanë rrethuarë dhe Kamus ul-álam, Vëll. V-të (1889) dhe vazhdon me “Naim Frashëri” të Mali Kokojka (Mit’hat Frashëri) (1901), “Shqipëria më 1923” nga Teki Selenica (1923), “Historia e lashtë e Shqipërisë” nga Mehdi Frashëri (1929), “Në Muzeun e vëllezërve Frashëri” nga Kastriot Bezati (1978), “Naim Frashëri, jeta dhe veprat” nga Dhimitër Shuteriqi (1982), ”Abdyl Frashëri” nga Kristo Frashëri (1984, 2013), “Frashëri, nën hijen e qytetërimit të lashtë” nga Engjëll Serjani (2000), “Frashëri në historinë e Shqipërisë”, nga Alfred Frashëri dhe Neki Frashëri (2007), “Frashëri shkëlqimi dhe rrënimi i tij” (vështrim i shkurtër)” i Kristo Frashërit (2010), “Kuvende Shkencore në Frashër”, botuar nga Komuna Frashër (2010). 7