Gjuha Shqipe kl 7

Page 89

Përralla dhe histori të vërteta

Gjahu i malësorëve - Ç’muaj është tani? - Janar. - Sa ka muaji sot? - Sot ka pesëmbëdhjetë ditë. - Ka bërë mot i mirë. - A dalim nesër për gjah? - Dalim. - Me të vërtetë? - Po, besa. - Në ç’anë? - Vemi në mal të Tomorrit. - Po, atje të vemi të gjuajmë, sepse atje ka mjaft egërsira. Atje ka edhe bisha, atje ka edhe derra të egër e ujq, çakej, arusha, drerë, kaproj, dhi të egra, dhelpra e lepuj. Atje ka edhe thëllëza mali. Në marrshin erë qentë e bien në ndonjë tufë të madhe, kemi për të vrarë shumë prej tyre. Nesër, pra, të dalim për gjah. - Fort mirë. - Cilin të vëmë të parë në gjah, të prijë përpara e të urdhërojë? - Vëmë Mark Shalëgjatin. - Po, i mirë është Mark Shalëgjati. - Ai është gjahtar i vërtetë, atij s’i trembet syri, është dhe trim, s’ka frikë nga vdekja, është burrë i vërtetë. - Urdhëro, pra, o Mark, ç’duhet të bëjmë, se ty të kemi të parë. Mark Shalëgjati urdhëron e thotë: - Fort mirë, o zotëri, kështu kemi për të bërë. - Bëfshi natën e mirë, o shokë! - Tungjatjeta! Tungjatjeta! Të nesërmen vijnë gjahtarët dy e nga dy e tre e nga tre e mblidhen në Kodrën e Kuqe. - Mirëmëngjes! Mirëmëngjes! - Mirë se erdhët! Mirë se erdhët! - Ç’kohë është? - Është natë, do edhe shumë të gdhihet. S’ka zbardhëlluar, po këndojnë gjelat. - Ja tek po vijnë gjithë gjahtarët. - Si u gdhitë? - Mirë, mirë. Po zotëria juaj? - Mirë. - S’paska ardhë Mark Shalëgjati? - Ja tek po vjen.

Kostandin Kristoforidhi Pjesa “Gjahu i malësorëve” është e shkruar në periudhën e Rilindjes Kombëtare. Ajo pasqyron çaste nga gjuetia e kafshëve në pyll, disa nga zakonet e malësorëve dhe mënyrën se si sillen ata me njëritjetrin. Veçantia e pjesës është e shkruara e saj pothuaj e tëra në dialog.

në marrshin erë (qentë) – nëse nuhatin qentë

s‘i trembet syri – nuk frikësohet

fort mirë – shumë mirë

89


Issuu converts static files into: digital portfolios, online yearbooks, online catalogs, digital photo albums and more. Sign up and create your flipbook.