ARKITEKTURA - Diskurs Teorik

Page 1


“All material in nature, the mountains and the streams and the air and we, are made of Light which has been spent, and this crumpled mass called material casts a shadow, and the shadow belongs to Light� - Louis Kahn


ARKITEKTURA | Diskurs Teorik | Numri 1 | Shkurt 2013 Revistë e studentëve të arkitekturës, Departamenti i Arkitekturës, FNA, UP

NË KËTË NUMËR:

ARKITEKTURA NË DISKURS TEORIK. Nga këndvështrimi i arkitektëve të ardhshëm [në vend të hyrjes] - Florina Jerliu 3 NJË 'POUNDBURY' NË KOSOVË. Bazuar në teorinë '' Një vizion për Britaninë'' të Princit Çarls – Mrinë Godanca 5 IMAZHI LYNCH-IAN I PRISHTINËS. Bazuar në teorinë ''The image of the city'' të Kevin Lynch - Zana Sokoli 7 'SHPIRTI I VENDIT' I FERIZAJT. Bazuar në teorinë „Genius Loci“ të Christian NorbergSchulz - Zana Vata 11 STRUKTURAT ORGANIZATIVE URBANE TË QYTETEVE TONA. Bazuar në teorinë ''A city is not a tree'' e Christopher Alexander - Qëndresa Ajeti 14 HAPËSIRA PUBLIKE NË PRISHTINË. Kontektstualizimi i teorisë “Urban Space” të Rob Krier - Zymer Delija 17 KËMBËSORI E BËN QYTETIN TË GJALLËROJË. Bazuar në teorinë e Jane Jacobs “The death and life of great American cities” - Besfort Hajrizi 20 'PLUG-IN' PRISHTINA. Bazuar në projektin ''Plug-in City'' të Archigram Group - Qëndrim Hyseni 22 ACTIVITY AND CHANGE. Aplikimi i teorisë së Cedric Price në Kosovë tani dhe në të ardhmen - Albulena Robelli 25 THE GEHRY HOUSE – A e duam një Shtëpi Gehry në Kosovë? - Avni Hetemi 28 KONTEKSTUALIZIMI I PARIMEVE TË ARKITEKTURËS MODERNE NË KOSOVË. Bazuar në teorinë „Seven Crutches of Modern Architecture“ e Philip Johnson-it dhe në tetë parimet referente të Stoutz-it - Rexhep Sopi 30 POSTMODERNIZMI NË KOSOVË. Bazuar në teorinë “The rise of postmodern architecture “ të Charles Jencks - Esmir Haxhi 12 KRIJIMTARIA E FRANK O. GEHRY-T. Ndikimi i dekonstruktivizmit në Kosovë Rrahman Qerimi 34 ELEMENTE TË ARKITEKTURËS TRADICIONALE NË PRISHTINË. Bazuar në teorinë e A.M. Stern - Adelina Baftiu 38 KOSOVA DHE “THE LIVING MACHINE” (MAKINA E TË JETUARIT). Bazuar në teorinë e arkitektit William McDonoung dhe kimistit gjerman Michael Braungart mbi (Parimet e Hanoverit) - Egzon Haradinaj 40 NGA “HESHTJA” NË “DRITË”, NGA “DRITA” NË “HIJE”; “E MATSHMJA” DHE “E PAMATSHMJA” E FILIGRANPUNUESIT - KOSOVA NE BIENALEN E VENEDIKUT 2012. Interpretimi i teorisë së Louis Kahn ''Silence and Light'' në shprehjet arkitektonike vendore - Arta Bytyqi 42 ARKITEKTURA | diskurs teorik |

1


“Sot, hulumtimi në arkitekturë dhe teoria arkitekturale janë bërë pjesë e përhershme e shumë planprogrameve arsimore me qëllim që të zgjerohet dija e studentëve në këtë lëmi dhe që përmbajtja e saj të zhvillohet më tej. Një perspektivë e ndritshme është evidente! Por, a kemi arritur që t'i harmonizojmë qëndrimet gjithnjë në ndryshim të hulumtuesve, teoricienëve dhe të teknologjisë së re me arkitekturën dhe të kalojmë përtej adhurimit primitiv drejt imazheve të realitetit virtual, si dhe qasjes së shpejtë në informata? Po dhe jo. Deri në një masë, ky ekspansion ... ka influencuar aspektet formale të arkitekturës dhe teoria ka lansuar diskurse të reja konceptuale. Megjithatë, ky ekspansion nuk ka qenë në gjendje që arsimimit në akitekturë t'i ofrojë strategjitë dhe kornizat e përbashkëta për të ardhmen.” (Per Olaf Fjed, Oslo School for Architecture, anëtar i Bordit të EAAE, The EAAE Prize)

2

| ARKITEKTURA | diskurs teorik


[në vend të hyrjes]

ARKITEKTURA NË DISKURS TEORIK Nga këndvështrimi i arkitektëve të ardhshëm Florina Jerliu, mësimdhënëse e kursit “Teoria dhe Kriticizmi në Arkitekturë”

Kursi Teoria dhe Kriticizmi në Arkitekturë, i cili zhvillohet në Departamentin e Arkitekturës, FNA/UP, synon që studentëve të arkitekturës parasëgjithash t'u ndihmojë në të kuptuarit thelbësor të nocioneve dhe përkufizimeve të teorisë arkitekturale. Për më tepër, kursi synon që t'u shërbejë atyre si nxitje për të njohur, studiuar dhe vendosur në kontekst kosovar aq shumë vepra të shkruara mbi arkitekturën. Kjo revistë, numrin e parë të të cilës e kemi në dorë sot, prezenton një pjesë të përzgjedhur të punës së studentëve të arkitekturës të vitit të katërt, gjatë vitit akademik 2012/13, si një përpjekje e tyre për të kontekstualizuar disa teori botërore në fushën e arkitekturës dhe urbanizmit. Gjatë ushtrimeve të kursit është diskutuar gjerësisht mundësia e aplikimit dhe kontekstualizimit të teorive arkitekturale në Kosovë. Së pari, studentët janë angazhuar që të bëjnë interpretimin sa më konçiz të teorive të përzgjedhura dhe si pjesë e dytë e detyrës së tyre është bërë analiza e kritikave ndaj teorive përkatëse të hasura në diskursin botëror të arkitekturës dhe urbanizmit. Shkathtësitë e kriticizmit, studentët kanë provuar që t'i aplikojnë në kaptinat e treta të detyrës semestrale mbi kontekstualizimin e teorive në Kosovë. Si rezultat, prandaj, në këtë revistë shpalosen koncepte dhe ide për Një 'Poundbury' në Kosovë, apo një 'PLUG-IN' Prishtina; interpretime rreth arkitekturës dekonstruktiviste nëpërmjet 'The Gehry House' ... në Kosovë; analiza të elementeve të imazhit dhe identitetit urban të qyteteve tona si 'Shpirti i vendit' i Ferizajt' apo 'Imazhi Lynch-ian' i Prishtinës; ... Këto shkrime janë përpjekje të para të studentëve të arkitekturës që të formësojnë mendimin e tyre kritik mbi fenomenologjinë dhe semiotikën, stilin dhe konceptet kontemporane në arkitekturë, dhe në përgjithësi, fille të krijimit të profilit të tyre si arkitektë të ardhshëm.

ARKITEKTURA | diskurs teorik |

3


Poundbury -pjesĂŤ nga masterplani 4

| ARKITEKTURA | diskurs teorik


NJË 'POUNDBURY' NË KOSOVË Bazuar në teorinë ''Një vizion për Britaninë'' të Princit Çarls Mrinë Godanca

Sipas Princit Çarls njeriu duhet t'i ketë në distancë ecjeje të gjitha ato që i nevojiten. Një qytezë, për t'i përmbushur kriteret e Princ Çarlsit, përveç 10 principeve të bazuara në arkitekturë si proporcionet, harmonia, dekorimi, materialet, etj., ajo duhet t'i përmbushë edhe këto kërkesa që për Pincin Çarls janë shumë të rëndësishme: lëvizjen e njeriut dhe hapësirat shumëfunksionale. Jemi ne dijeni që Poundbury në Mbretërinë e Bashkuar do t'i ketë 1 5000 banorë dhe 2000 vende pune dhe çdo gjë që i nevojitet një banori. Ai duhet të ketë të siguruar banimin, punën, kujdesin shëndetësor, shkollën, rekreacionin dhe jetën shoqërore, e të gjitha këto në një distancë ecjeje. Kusht kryesor për një zhvillim të tillë është numri i vogël i banorëve, që do të thotë sipërfaqe e vogël- qytezë. Nëse do të përkthenim një situatë të ngjashme në Kosovë, një vendbanim me 5000 banorë hyn në kategorinë e fshatit. Në fshatrat kosovare mbizotëron banimi individual, ato kanë një shkollë fillore, ambulancën dhe punën private si kultivimi i tokave bujqësore dhe bagëtisë (për ata që kanë). Kanë një shitore të fshatit apo një kafeteri ku mblidhen të rinjtë në mbrëmje, përderisa më të moshuarit, jetën shoqërore e zhvillojnë në odat në shtëpitë e tyre. Ndërsa fëmijët kalojnë kohën në hapësira të lira të paorganizuara. A mund t'i quajmë këto hapësira shumëfunksionale? Përderisa përmbajnë funksione të ndryshme, atëherë po, por a mund ta quajmë fshatin kosovar një Poundbury? Por çfarë do të ndodhte nëse kjo qytezë (Poundbury) ka tendencë për zgjerim? Atëherë do të krijoheshin distanca të cilat banori nuk i përballon me ecje, dhe në një qytet të planifikuar me rrugë që e dekurajojnë (dhe vështirësojnë) përdorimin e automjeteve, kjo do të paraqiste një problem që paraqitet në qytete. A do të krijoheshin dy 'Poundbury' njëri pranë tjetrit, por pa komunikim mes vete (pasi i kanë të gjitha që ju nevojiten në distancë ecjeje), apo do të krijohej një qytezë më e madhe? Në këtë rast, automatikisht krijohen zonat e banimit të ndara nga qendra apo zonat e punës dhe në këtë mënyrë humb esenca e Poundbury-t. 1

Pas përfundimit të fazës së fundit të punimeve më 2025

Po sikur elementet e Poundbury-t t'i aplikojmë në paralagjet e qyteteve. Në Prishtinë po ndërtohen paralagje të reja si 'Fshati Internacional', 'Rezidenca Marigona', etj. dhe tendenca e këtyre lagjeve shkon drejt krijimit të ARKITEKTURA | diskurs teorik |

5


komuniteteve të mbyllura me portë ku qasje brenda kanë vetëm banorët. Edhe pse këto lagje si funksion primar kanë banimin, ato ofrojnë edhe funksione tjera si kujdesi për shëndetin, shkollimin, rekreacionin dhe jetën sociale e deri edhe punën me anë të bizneseve të vogla të cilat ofrojnë shërbime të ndryshme për banorët. Prania e marketeve, kafe-bareve dhe qendrave tregtare siguron një numër të vogël të vendeve të punës, por duke marrë parasysh afërsinë me Prishtinën, shumica e banorëve i drejtohen kryeqytetit për vende më të mira pune dhe llojllojshmëri më të madhe të veprimtarive punuese. Një tjetër mundësi për aplikimin e Poundbury-t në Kosovë është edhe futja e kësaj qyteze përbrenda një qyteti ekzistues. Nëse e marrim qendrën e Prishtinës si shembull, shohim se ajo ofron të gjitha që i nevojiten banorit që ecë. Kemi banimin dhe të gjitha funksionet tjera që u përmendën më lart, por ajo që bie ndesh me idetë e Princit Çarls është përdorimi i automjeteve. Megjithatë, duke marrë parasysh që Prishtina është një qytet shumë më i madh se Poundbury, kjo gjë është e paevitueshme. E rëndësishme është që banorët e kësaj zone nuk do të kenë nevojë për automjete për qarkullim ditor dhe çdo gjë gjendet në distancë ecjeje. Qarkullimi i trafikut vie nga jashtë (zonat tjera të qytetit). Edhe një tjetër detaj që nuk duhet lënë anash është dendësia e ndërtimit. Duhet të kemi shumë kujdes në zhvillimin e mëtutjeshëm të qytetit, t'i evitojmë sipërfaqet me dendësi të madhe dhe të 2 mundohemi ta ruajmë raportin 3:1 pasi kjo ndikon drejtpërdrejt në kualitetin e jetës së banorëve. Prishtina, si kryeqytet, ka filluar t'i shfaqë simptomat e qyteteve të mëdha: ngulfatja me ndërtime dhe largimi i banorëve në periferi (paralagje). Në këtë rast, sa do të mund të mbijetonte ky Poundbury në qendër të kryeqytetit tonë? Çfarë kërkon më shumë vëmendje është edhe krijimi i hapësirave të mirëfillta publike. Sa i përket lëvizjes së njeriut nëpër këto hapësira, në qytezën e Princit Çarls, këmbësori është në gjendje të arrijë në secilën pikë të vendbanimit në këmbë, por, nuk është në pyetje vetëm distanca e ecjes, por edhe kualiteti i ecjes. Në vendbanimet tona mungon infrastruktura. Hapësirat e organizuara për lojë, shëtitoret dhe fundamentalja - shtigjet për ecje –janë të domosdoshme për një vendbanim. Ecja është e domosdoshme për krijimin e qytezës së Princit Çarls, dhe shtigjet për ecje janë esenciale për këtë vendbanim që tenton ta lehtësojë lëvizjen e këmbësorëve dhe të sigurojë komunikim më të mirë në mes të hapësirave. Ecja në këmbë dhe përdorimi sa më i vogël i automjeteve është kyç për qytezën ideale të Princit Çarls. Nëse shtrohet pyetja se a do të mund të krijohej një Poundbury në Kosovë, unë mendoj se po. Por a do ta preferoja një gjë të tillë? Duhet thënë se idetë e Princit Çarls, sado që mund të jenë të aplikueshme edhe në Kosovë, ato janë të zhvilluara për Mbretërinë e Bashkuar dhe sado të pranueshme që mund të jenë, mendoj se më parë se të aplikohet diçka ashtu siç është e gatshme, në këtë rast, do të duhen analiza të mirëfillta që edhe ne të mund t'i gjejmë parimet tona për arkitekturën dhe elementet bazike për një zhvillim urban të përshtatshëm për vendin tonë.

2

6

| ARKITEKTURA | diskurs teorik

Sipas Leon Krier, ky është raporti ideal


IMAZHI LYNCH-IAN I PRISHTINËS Bazuar në teorinë ''The Image of the City'' të Kevin Lynch Zana Sokoli

''Qytetet kanë aftësinë për të siguruar diçka për të gjithë, vetëm sepse, dhe vetëm atëherë, kur ato janë të krijuara nga të gjithë'' (Jane Jacobs) Një nga idetë më inovative të Kevin Lynch ishte koncepti i qartësisë së një vendi, pra një vend me imazh të qartë dhe lehtë të kuptueshëm. Lynch ishte shumë i vetëdijshëm se imazhet janë të ndryshme për individë të ndryshëm, megjithatë ai kishte synim kryesor të identifikonte imazhin publik të qytetit dhe komponentet e tij. Në këtë mënyrë, Lynch ishte në gjendje të veçonte tipare të dallueshme të një qyteti, duke parë se çka konkretisht e bën një qytet të gjallë dhe tërheqës për njerëzit. Ky punim synon aplikimin e këtyre parimeve të Lynch-it për interpretimin e imazhit publik të Prishtinës. Gjendja aktuale e kryeqytetit tonë i detyrohet periudhave të ndryshme të zhvillimit urban. Prishtina sot bart pasojat e veprimeve me moto të tipit”'ta shkatërrojmë të vjetrën, ta ndërtojmë të renë'' që kanë kontribuar në asgjësimin e bërthamës së vjetër të qytetit gjatë regjimit komunist të pas Luftës së Dytë Botërore. Më pas, një cikël ndryshimesh në strukturën urbane do të vërehet pas luftës së vitit 1999. Paradoksalisht, periudha kohore kur disa prej parimeve të Lynch-it mund të kenë qenë të pranishme në kryeqytet, konsiderohen vitet dhe arkitektura e urbanizmi i kohës së regjimit socialist. Prishtina vlerësohet të ketë qenë qytet i organizuar në kuptimin hapësinor, qytet i perceptueshëm dhe me tipare të dallueshme. Për shembull, Lynch ka konsideruar që elementi primar i cili përcakton imazhin publik është qartësia, prania e së cilës dikur dhe mungesa e saj sot ilustrohet përmes pamjeve të Prishtinës sot dhe Prishtinës dikur. Prishtina sot

1

http://www.goodrea ds.com/author/quote s/17285.Jane_Jacobs ARKITEKTURA | diskurs teorik |

7


Prishtina dikur (vitet 1980-ta) Lagja Ulpiana, Prishtinë

Lëvizja në hapësirë luan rol të rëndësishëm në krijimin e imazhit tonë. Përjetimet tona janë dinamike, ato përfshijnë lëvizjen dhe kohën e nevojshme për të perceptuar hapësirën në sekuenca. Përjetimi i pasur kinestetik, kënaqësia dhe interesi janë direkt të lidhura me shtigjet, me mënyrën se si rrugët apo trotuaret shtrihen brenda një qyteti. Ato janë hapësira ku ndodh jeta publike. Në Prishtinë hasim në lagje ku transponimi i elementeve Lynchiane është pothuajse i pamundur. Për shembull, lagja 'Dodona' , ajo e 'Muhaxherëve'e shumë lagje tjera karakterizohen me rrugë të trashëguara të cilat janë të ngushta, të lakuara, ku përjetimi ndodh në moment dhe është jokoherent. Megjithatë, nëse marrim në konsideratë edhe autorët të cilët kanë konsideruar se edhe paqartësia, misteri hapësinor, apo befasitë përfaqësojnë kualitet, atëherë edhe këto mund të cilësohen parime që zënë vend në imazhin e një vendi. Ndryshe ndodh për shembull në lagjen 'Ulpiana' apo atë 'Dardania', të cilat janë lagje të menduara dhe projektuara mirë; kanë rrugë të definuara qartë, trotuare e shtigje përgjatë të cilave qytetarët çdo ditë lëvizin dhe përjetojnë lirshëm atë që kanë përreth. 8

| ARKITEKTURA | diskurs teorik


Kufi, si vijë ndarëse në Prishtinë është hekurudha e cila ndanë pjesën perëndimore të qytetit. E tillë deri para pak kohësh kur ka filluar të ndërtohet nënkalimi, është konsideruar edhe rruga në daljen jugore të qytetit, në Veternik. Duke qenë se rruga është magjistrale, rreziku që i është kanosur qytetarëve që kanë kaluar rrugën aty ka qenë i përditshëm. Madje, ka ditur edhe t'ua marr jetën atyre. Prishtina dikur ka pasur edhe kufi kulturor e social. Ajo, në kohën e okupatorit serb për popullsinë shqiptare ka qenë e 'kufizuar' në çdo aspekt. Çdo gjë qe ka qenë publike u ka takuar serbëve, kurse shqiptarët, hapësirat e vetme të përbashkëta i kanë pasur kafenetë dhe shtëpitë private ku kanë mbajtur mësimin dhe në të njëjtën kohë kanë zhvilluar jetën e tyre sociale. Tek më 11 qershor “99, datën kur është çliruar Prishtina, jeta urbane dhe kulturore u është kthyer sërish shqiptarëve. Në kryeqytet, sot hasim edhe në një tjetër kufi, në kufirin mental. Ekziston mendimi sikur jeta urbane dhe ngjarjet në qytet, marrin fund tek rrethrrotullimi në afërsi të objektit të Kuvendit të Komunës. Pjesa veriore përtej tij, sikur nuk i përket qytetit.

Rregullsia e blloqeve, lagja Marigona

Llojllojshmëria e blloqeve, lagja Kalabria

Nëse blloqet si element i tretë i imazhit, përcaktohen nga ritmi, rima, rendi estetik apo afërsia, atëherë , dita-ditës po bëhet më e vështirë të identifikohet prania e tyre në Prishtinë. Sot, hasim në llojllojshmëri objektesh, të vendosura në zona të ngushta, të cilat duket sikur kujdesen të krijojnë vetëm ritëm vetanak, duke mos përfillur fare atë që kanë përreth. Ka tendencë krijimi të zonave rezidenciale në periferi, për shembull lagja 'Marigona', zonave industriale, për shembull 'Parku i Biznesit', kampe kolegji, për shembull shkolla 'Mehmet Akif', por që të gjitha jashtë kufirit urban të Prishtinës. Ajo që sot ndodhë brenda këtij kufiri nuk përfillë pothuajse asnjë lloj parimi.

Lagja Dodona, Prishtinë

Në anën tjetër, si çdokund edhe në Prishtinë hasim nyjet apo pikat e përqendrimit të cilat fitojnë rëndësinë e tyre duke qenë të shfrytëzueshme në aspekte të ndryshme. Për shembull, oborret e xhamive, ku qytetarët çdo ditë mblidhen për të kryer ritualet fetare, mund të konsiderohen si të tilla. Nyjet shpesh konsiderohen edhe simbole duke qenë pika fokale të ndonjë blloku apo hapësire brenda qytetit, siç është rasti me obeliskun ''Newborn'' në qendër të qytetit. ARKITEKTURA | diskurs teorik |

9


Shënjuesit, si pika dominante në kryeqytet sot janë të shumtë, dhe orientojnë njerëzit të gjejnë rrugën e tyre. Dikur Prishtina njihej dhe mbahej mend për objektin e ‘Rilindjes’, ‘Pallatin e Rinisë’, ‘Bibliotekën Kombëtare’, apo hotelin 'Grand'. Sot, me rritjen drastike të qytetit, kësaj liste u janë shtuar një mori shënjuesish të tjerë. Disa nga ta janë më pak të dukshëm por që mbesin në kujtesë për shkak të veçorive që kanë apo pozitës në cilën ndodhen. Për

Obelisku ‘Newborn’

Xhamia e Mbretit

shembull, edhe pse ndërtimi i katedrales në qendër të qytetit ka tendencë ta shndërrojë atë në shënjues të ri, njerëzit akoma e identifikojnë lokacionin e katedrales si 'te semaforat kryesor'. Përfundimisht, konsiderimi i parimeve të Lynch-it, ndërgjegjësimi ynë për qytetin, dhe vetëdijësimi se e vjetra duhet të jetojë me të renë, do të rrisnin aftësinë tonë për të rigjetur identitetin dhe për t'u ndjerë pjesë e vendit të cilit i përkasim. Periudhat e ndryshimeve nëpër të cilat ka kaluar ky qytet, kanë kontribuar në tjetërsimin e identitetit urban të cilin Prishtina e kishte krijuar ndër vite.Veç kësaj, shoqëria kosovare duket të ketë tendencë për të harruar shpejtë të kaluarën e cila më së miri shprehet përmes arkitekturës së saj, përmes objekteve të cilat flasin vet për qytetin dhe shtresimin e tij, dhe të cilat çdo shoqëri në botë tenton t'i ruajë me shumë xhelozi për të treguar se sa gjatë ajo ekziston. 10

| ARKITEKTURA | diskurs teorik


'SHPIRTI I VENDIT' I FERIZAJT Bazuar në teorinë „Genius Loci“ të Christian Norberg-Schulz Zana Vata

Genius Loci apo Shpirti i Vendit është një temë që është diskutuar mjaft nga teoricienë të ndryshëm botëror dhe ende vazhdon të jetë temë diskutimi. Këta teoricienë, dhe veçanërisht Christian Norberg-Schulz, ofrojnë sqarime se si një vend mund të ketë shpirt. Shpirti i vendit ka të bëjë me përjetimet dhe anën psikike të perceptimit të një vendi, e cila krijohet me anë të objekteve, simboleve apo fenomeneve të ndryshme natyrore.

Hekurudha, qendra e qytetit Ferizaj

Duke ndjekur metodologjinë e Schulz, në këtë punim tentohet interpretimi i Shpirtit të vendit të qytetit të Ferizajt. Ferizaj ka një varg tiparesh veçuese me të cilat e ka krijuar shpirtin e vendit, por gjithsesi ka edhe më shumë potencial që këtë shpirt të vendit t'a shfaqë edhe më gjerësisht. Si një qytet relativisht i ri, Ferizaj filloi të zhvillohej me ndërtimin e linjës hekurudhore MitrovicëShkup (më 1873), e cila sot e asaj dite është një prej simboleve dalluese të qytetit. Hekurudha ka ndikuar në zhvillimin e ekonomisë së qytetit, veçanërisht tregtisë, me të cilën edhe identifikohet Ferizaj.

ARKITEKTURA | diskurs teorik |

11


Në aspektin vizual, çdo qytetar i Kosovës e identifikon Ferizajn nëpërmjet simbolit të kamerierit të pikturuar në fasadën juglindore të hotelit “Lybeten”, që gjendet në sheshin e qytetit. Ky simbol përfaqëson një pikë shënjuese të rëndësishme që i takon frymës moderniste të pjesës së dytë të shekullit XX. Sheshi i qytetit, edhe pse jo aq i rregulluar, rrethohet me objekte shënjuese të tjera, siç është objekti i komunës, që për qytetarët e Ferizajt pos funksioneve administrative që kryhen në të, shërben si vend i takimit i të gjitha moshave. Të thuash “takohemi te komuna” në 99% të rasteve nuk ka të bëjë me ndonjë takim për punë administrative. Sheshi i qytetit pranë komunës gjithmonë ka qenë vend i takimeve dhe tubimeve të qytetarëve, si takime ditore, po ashtu edhe tubime për organizime të ndryshme, qofshin ato festive apo të një natyre tjetër. Pothuajse të gjitha pikat kyçe me të cilat Ferizaj shpreh shpirtin e vendit të vet, janë përreth sheshit të qytetit: kamerieri në fasadën e Lybotenit , stacioni hekurudhor dhe objekti i komunës. Një pikë tjetër referente e Ferizajt që e bën atë të dallohet nga vendet tjera është ekzistenca e dy objekteve të religjioneve të ndryshme në të njëjtin oborr, pranë njëra tjetrës. Këto janë Xhamia e Madhe e Ferizajt, e rindërtuar pas Luftës së II-të Botërore mbi themelet e xhamisë së vjetër, dhe Kisha ortodokse e ndërtuar në vitet e '30 të shek. XX në oborrin e xhamisë. Ndërtimi i kishës ka një histori më vete të cilën qytetarët e vjetër të Ferizajt ende e kujtojnë si një histori e mashtrimit të tyre, me ç'rast ndërtimi i objektit të kishës nga pushteti i atëhershëm serb ishte prezentuar si objekt kinse për mejtep, por që më pas doli të jetë kishë. Përkundër pakënaqësisë së qytetarëve shqiptarë në ato kohë, objekti i kishës ka qëndruar dhe ende qëndron pranë xhamisë. Pavarësisht faktit se si këto objekte kulti janë gjendur në të njëjtin oborr, ato njëra pranë tjetrës formojnë një simbol të qytetit. Pamje e hotelit Lybeten në qendër të Ferizajt

12

| ARKITEKTURA | diskurs teorik


Xhamia dhe kisha në Ferizaj

Lumi Nerodime

Ferizaji identifikohet edhe me një tjetër pikë referente, dhe ai është fenomeni i bifurkacionit të lumit Nerodime, i cili gjendet 1.0 km në veri-perëndim të Ferizajt, në vendin e quajtur Mulliri i Nikës. Lumi derdhet në detin Egje dhe në Detin e Zi. Përkundër faktit se është një fenomen i rrallë natyror në botë, bifurkacionit nuk i është kushtuar rëndësia e duhur, pasi që pjesa më e madhe e lumit është mbuluar gjatë kohës së pushtetit socialist të shekullit të kaluar. Ekzistojnë plane zhvillimore urbane të cilat e parashohin zbulimin e lumit, por një gjë e tillë nuk është realizuar deri më tani. Zbulimi i lumit do të kishte përparësi të shumta në zbulimin e një pjese të fshehur të shpirtit të Ferizajt. Do të krijoheshin vende atraktive përgjatë lumit të cilat do të krijonin kushte për një imazh më të mirë për qytetin si një vend atraktiv edhe në zhvillimin e turizmit, dhe kështu Ferizaj do të mund të krenohej edhe me pasuritë e veta natyrore.

ARKITEKTURA | diskurs teorik |

13


STRUKTURAT ORGANIZATIVE URBANE TË QYTETEVE TONA Bazuar në teorinë ''A City is not a Tree'' e Christopher Alexander Qëndresa Ajeti

“Nëse në planifikim të qyteteve do merret parasysh jeta sociale, patjetër që struktura e atij qyteti do të ishte gjysmë e rrjetëzuar dhe do të shndërronim 1 qytetin në një 'Living City' (Qytet të Gjallë)” Teoria “A City is Not a Tree” (Qyteti nuk është Pemë) trajton çështje shumë të rëndësishme të aspektit social në qytetet moderne, shumë aktuale edhe për vendin tonë. Kjo, veçanërisht në ditët e sotme, kur planifikimi i qyteteve në Kosovë u është lënë në dorë tërësisht planifikueseve urban, ndërkohë që nuk merret parasysh involvimi i shoqërisë dhe përfshirja e jetës sociale në planifikim. Përfshirja e jetës sociale në planifikimin e qyteteve tona do të luante një rol shumë të rëndësishëm dhe do të ndikonte pozitivisht në ndryshimin e strukturës organizative të qyteteve. Bazuar në teorinë e Alexander, në këtë punim shqyrtohet struktura urbane abstrakte organizative e qytetit të Prishtinës. Në Prishtinë hasim shembuj të dy strukturave abstrakte organizative të dhëna në teorinë e Alexander: strukturën e pemës, ku karakteristikë kryesore është mos bashkëveprimi i elementeve urbane në kuadër të sistemit dhe lidhja e tyre vetëm në tërësi, si dhe strukturën gjysmë të rrjetëzuar (semi-laticce), që është e kundërta e asaj të pemës, pra që ka bashkëveprim të elementeve në kuadër të sistemit dhe mundësi të ndryshme të lidhjes së tyre me tërësinë. Elementi thelbësor dallues i këtyre strukturave është mos-marrja, gjegjësisht, marrja parasysh e jetës sociale gjatë planifikimit. Strukturat organizative të pjesëve të qytetit të Prishtinës kanë lidhshmëri me periudhën kohore kur ato janë projektuar. Përderisa në shek. XX kemi lagje dhe hapësira të projektuara me strukturën gjysmë të rrjetëzuar (semi-lattice), në periudhën e mëvonshme në shekullin XXI është projektuar me strukturën e pemës. Kjo ndarje periudhash kohore buron nga orientimi primar i qytetit në periudha të ndryshme, përkatësisht, fokusimi në zhvillimin ekonomik në këtë shekull, gjë që nuk mund të thuhet se ka qenë orientim primar i shekullit të kaluar. Për të argumentuar ekzistencën e dy llojeve të strukturave të lartpërmendura, në vazhdim to të jepen shembuj praktik të përdorimit të tyre në pjesë të caktuara të qytetit të Prishtinës.

14

| ARKITEKTURA | diskurs teorik

Prishtina sot

1

Magazine Design, Londër : Council of Industrial Design, N. 206, 1966, fq. 17


Pamje ajrore e lagjes Ulpiana

Diagrami i lagjes Ulpianës (struktura semi-lattice)

Për të sqaruar strukturën semi- lattice në qytetin e Prishtinës do të merret për analizë lagjja Ulpiana, duke përfshirë edhe qytetin e studentëve (konviktet), lagje e cila është projektuar në shekullin e XX-të. Gjatë analizimit të funksioneve të lagjes në tërësi vërehet që gjatë projektimit të kësaj lagjeje është marrë parasysh dimensioni social, pasi kemi një bashkërendim të dukshëm të elementeve të ndryshme të cilat krijojnë disa nënsisteme në kuadër të sistemit si tërësi, duke krijuar kështu strukturën gjysmë të rrjetëzuar (semi-lattice) të lagjes. Elementet kryesore të lagjes Ulpiana, përkatësisht funksionet kryesore të lagjes, që janë identifikuar dhe ilustruar në diagram janë: rrugët, sheshi, parqet, shkolla, fushat e sportit dhe café baret. Këto elemente lidhen në nënsisteme në mes vete, duke krijuar dy nënsisteme më të mëdha, siç janë lagjja dhe qyteti i studentëve duke u lidhur me tërësinë, Ulpianën, ku i gjithë ky sistem mund të jetë edhe një nënsistem i një sistemi më të madh, p.sh. Prishtina. Të gjitha këto elemente krijojnë një sistem kompleks abstrakt të funksionit të lagjes Ulpiana, përkatësisht strukturën gjysmë të rrjetëzuar (semi – lattice). Struktura gjysmë e rrjetëzuar (semi-lattice) e kësaj pjese të qytetit , ka ndikuar pozitivisht në jetën sociale. Laramania e funksioneve bazë dhe mundësia e bashkëveprimit të këtyre funksioneve që krijojnë një mori nënsistemesh te tjera, ka ndikuar në ngritjen e cilësisë së jetës së banorëve të kësaj lagjeje.

ARKITEKTURA | diskurs teorik |

15


Ortofoto e lagjës Tophane

Për të dhënë edhe shembullin e strukturës tjetër të dhënë në teorinë e Alexander-it, përkatësisht të strukturës së pemës, është marrë për analizë Lagja Tophane, e riprojektuar në shekullin XXI. Kjo lagje ka numër të vogël të funksioneve bazë, gjë që ka ndikuar në moskrijimin e nënsistemeve të reja. Lagjja kryesisht karakterizohet me objekte shumëbanesore dhe shtëpi banimi, që kryesisht kanë të vendosur funksione afariste në përdhesat e tyre, të orientuara nga rruga kryesore. Lagjja nuk ka funksione tjera siç i pamë në shembullin e Ulpianës sikurse parqet, fushat e sportit etj. Nga kjo analizë mund të vërejmë se strukturat urbane të Alexander mund të shpjegohen edhe nëpërmjet shembujve konkret të qyteteve tona me ç'rast vihen në pah në mënyrë mjaft të qartë përparësitë e strukturës organizative gjysmë të rrjetëzuar (semi-lattice), sikur edhe të metat e strukturës së pemës.

16

| ARKITEKTURA | diskurs teorik

Diagrami i lagjës Tophane (struktura e pemës)


HAPËSIRA PUBLIKE NË PRISHTINË Kontektstualizimi i teorisë “Urban Space” të Rob Krier Zymer Delija

Qyteti i Prishtinës mund të konsiderohet si një shembull i mirë për kontekstualizim e teorisë së Rob Krierit mbi hapësirën publike (“Urban Space”). Kjo, për faktin se historia e zhvillimit të këtij qyteti, u shoqërua me shumë rrënime e rindërtime, dikur në emër të paqes e të luftës, ndërsa sot në emër të privatizimit e globalizimit. Këto fakte pasqyrojnë shumë qartë rrugën e përshkruar të këtij qyteti që nga koha kur për herë të parë u identifikua si vendbanim (shek. XIII), pastaj si hapësirë tregtare e rëndësishme mes Selanikut dhe Sarajevës dhe si vend i haneve e çarshive të mbuluara e deri pas luftës së dytë botërore kur edhe legjitimohet si kryeqendër ekonomike politike dhe 1 sociale e Kosovës . Janë pak dokumente, fotografi, rrëfime e kujtime të njerëzve të cilat na ndihmojnë që në mendjen tonë të krijojmë imazhin e disa 2 pjesëve të qytetit të Prishtinës si një qytet organik me gjallëri orientale , që zhvillohej spontanisht në rrugën e trasuar mbi rregullat e tërësisë, duke krijuar pamjen e një qyteti të mbyllur, të rrethuar në të tri anët me kodra, ndërsa të hapur kah Fusha e Kosovës me një pamje amfiteatrale që ngjason shumë me qytetet e fortifikuara të identifikuara në teorinë e Rob Krierit.

Prishtina u ndërtua mbi bazën e shfrytëzimit të resurseve natyrore

1

http:www.//en. wikipedia.org/wiki /Prishtina#History, 15\12\2012 2

CHwB (2008) Trashëgimia e Prishtinës. fq. 6

ARKITEKTURA | diskurs teorik |

17


Prishtina u ndërtua mbi bazën e shfrytëzimit të resurseve natyrore e topografike, ku dimensioni i qytetit, shtrirja urbane, rrugët e ngushta dhe të lakuara reflektonin kompaktësinë e strukturës së qytetit, në të cilin bërthama përbëhej nga përmbajtjet publike të rrethuara nga të katër anët me njësi të banimit të shpërndara në mënyrë proporcionale. Qyteti i Prishtinës është zhvilluar përgjatë dy indeve kryesore që përbënin boshtet primare të jetës publike dhe ekonomike të këtij qyteti, që ishin: “Divanjolli”, apo indi lindje – perëndim që vinte nga Taukbahcja dhe kalonte mu përmes qendrës së qytetit ku zinte vend çarshia dhe vazhdonte deri te stacioni i vjetër i trenit; dhe indi tjetër veri–jug, i cili kishte më shumë një rëndësi ekonomike për faktin se paraqiste rrugën nëpër të cilën kalonin karvanët që vini nga qytetet tjera të Ballkanit. Meqë ekonomia është gjeneratori kryesor i zhvillimit, pikërisht ky ind rrugor do të shndërrohej në boshtin kryesor të zhvillimit fizik të qytetit. Në këtë pikë do të tentohet të bëhet identifikimi i teorisë së Rob Krierit në zhvillimin kronologjik të Prishtinës, e sidomos pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore. Teoria e Rob Krierit në analet e kryeqytetit tonë bëhet e dukshme përmes një ironie faktike e cila zhvillohet në dy periudha të ndryshme kohore dhe që vihet në zbatim nga dy sisteme të ndryshme, që për emërues të përbashkët kanë shkatërrimin e qytetit, deformimin dhe zbehjen e faktit se qyteti është i njeriut dhe për njeriun, e jo i planeve e programeve të caktuara ekonomike e politike që shpesh rezultojnë me devijim nga tradita dhe në tendenca imponuese urbane. Është fjala për: a) Periudhën e komunizmit (pushtimit) dhe b) Periudhën e tranzicionit të pasluftës së vitit 1999 (keqpërdorimit të demokracisë). Gjatë periudhës së komunizmit Prishtinës u tha se duhej t'i jepej një fytyrë e re3 e cila do t´i përshtatej rendit shoqëror të ish Jugosllavisë. Andaj shpërbërja e vlerave tradicionale dhe e mënyrës së jetesës përmes formave të reja në arkitekturën e Prishtinës do të fillonte duke sulmuar pikërisht qendrën (shpirtin) e qytetit. Kështu, zhvillimi i qytetit socialist nuk u bë në mënyrë spontane sikurse zhvilloheshin qytetet e së kaluarës të mbështetura mbi plane zhvillimore ekonomike e teknologjike të kohës4, zhvillime këto që në teorinë e R.Krierit konsiderohen si erozion i hapësirës urbane, si një proces i pandalshëm dhe i vazhdueshëm. Ky proces erodues i ndikuar nga pikëpamjet komuniste, vendosi të rimodelojë qytetin duke e sulmuar bërthamën e qytetit të vjetër dhe duke i mposhtur në mënyrë simbolike vlerat tradicionale. Nën hijen e zhvillimit ekonomik të proklamuar nga sistemi socialist, u shkatërrua Prishtina e vjetër e rrugëve me kalldrëm, e sidomos bërthama e saj (çarshia, hamami i madh), e bashkë me të edhe indi kryesor morfologjik lindje-perëndim ''Divanjolli'', dhe në vend të tij u ndërtua sheshi që konsiderohet ''kulmi'' i modernes5, sheshi ''vllaznimbashkim'' bashkë me dy objekte të institucioneve më të larta politike: objekti i Kuvendit të Kosovës dhe ai i Komunës së Prishtinës. Në shikim të parë nuk duket të ketë të bëjë diçka me degradim urban pasi që po largohej çarshia dhe në vend të saj po ndërtohej një shesh që po ashtu do t'u shërbente njerëzve. Por në realitet, pikërisht ky ishte shembulli më tipik i erodimit të hapësirës urbane, sepse po zëvendësohej gjallëria e çarshisë më zbrazëtinë e një sheshi të monitoruar nga të dy anët. Këtu më së miri gjejnë vend fjalët e Rob Krierit se erozioni urban vazhdimisht u zhvillua, por qëndroi i padukshëm nën hijen e zhvillimit ekonomik e politik. 18

| ARKITEKTURA | diskurs teorik

3

CHwB (2008) Trashëgimia e Prishtinës. fq. 6-8 4

Ron Kasprisin (2011) Urban design-the composition of complexity

5

CHwB (2008) Trashëgimia e Prishtinës. fq. 13


Në rrethana të atilla, gjithçka duhej t'i përshtatej normave e standardeve të 6 sistemit, asaj që interpretuesi i teorisë së Krierit, R.Space e quan ''fenotip'' , ku asgjë nuk lidhej me kontekstin e arkitekturës së re, por qëllim të vetëm kishte zgjidhjen e krizave shoqërore, duke zhdukur në këtë mënyrë 7 misticizmin e rrugëve të ngushta e të lakuara, të cilat i lëshuan vendin bulevardit të ri (dikur ''Marshall Tita'', sot ''Nënë Tereza''), si qendër e re e qytetit ku do të akomodoheshin programet e socializmit dhe stilit të ri të jetesës së shoqërisë në qytet. Bulevardi u ngrit në boshtin kryesor të Prishtinës duke e zbehur në këtë mënyrë imazhin për qytetin e dikurshëm, dhe duke shkaktuar kështu erozionin e dyfishtë, jo vetëm të anës fizike të zhdukjes së elementeve urbane, objekteve etj., por edhe të erodimit mental të kujtimeve njerëzore për përjetimin e qytetit të tyre. Ndërsa në këtë drejtim vjen në shprehje pikëpamja e Rob Krierit dhe e shumë urbanistëve e arkitektëve të tjerë se ''qyteti është vend i memories kolektive dhe se kjo kujtesë është e lidhur ngushtë me vende e objekte''. Periudha e pasluftës solli çlirimin e një frustracioni dhe ndrydhjeve shpirtërore të mbledhura prej vitesh, që u reflektua edhe në strukturën fizike të Prishtinës. Qyteti u bë një libër i hapur që flet për gjendjen politike, ekonomike të një shoqërie të sapo dalë nga lufta, që po zhvillohej nën thirrjen e privatizimit dhe globalizimit. Qyteti filloi të ndryshojë në çdo aspekt, sipas gjykimeve të njerëzve dhe nevojave të tyre momentale, duke ndërtuar kiosqe, shtesa horizontale e vertikale dhe barriera me ngjyra e materiale nga me të 8 ndryshmet me mungesë të theksuar të kulturës qytetare. 9

6

Reflektimi i gjendjes ekonomike dhe politike te shoqërisë ne projektimin urban 7

``Ngjallja e kureshtjes njerëzore për te vazhduar lëvizjen për gjate rrugëve, i shkaktuar nga efekti i kontinuiteti ne urbanizëm qe njëherë është edhe elementi kryesore i dizajnit te rrugëve``

Megjithë përpjekjet për të planifikuar “strategjikisht” Prishtinën e pasluftës, ironia e ndërhyrjeve arbitrare në strukturën e trashëguar të qytetit vazhdoi më tej duke e eliminuar qytetarin nga procesi i planifikimit. Pasojat janë edhe më të mëdha sepse ndërhyrja po ndodhë në emër të demokracisë, ku njerëzit ndërhynë në strukturën e qytetit pa e dëgjuar askënd me të vetmin arsyetim se as ata nuk janë pyetur për një kohë kaq të gjatë, dhe ku mllefi nga fakti i mos përfshirjes në procesin e planifikimit të qytetit e shtyn qytetarin që të ndryshojë gjithçka që të tjerët para tij e kanë ndërtuar p.sh ndërrimi i 10 fasadave të dy objekteve që dikur janë konsideruar ``land-mark`` për qytetin e Prishtinës: objekti i ish Rilindjes, sot objekti i qeverisë se Republikës se Kosovës dhe objekti i ish Bankosit sot objekti i Pro Credit bankës. Si përfundim, mund të theksohet se problematika qenësore e këtij procesi të planifikimit të hapësirës urbane në Prishtinë është thjeshtë mungesa e komunikimit në mes të qytetarit dhe institucioneve përkatëse. Involvimi i qytetarit në planifikimn urban është qenësor sipas Rob Krier, dhe prandaj duhet konsideruar thjeshtëzimin e komunikimit në mes të asaj që Hiller e quan “sintaksë në arkitekturën urbane dhe sjelljeve shoqërore”.

8

CHwB (2008) Trashëgimia e Prishtinës. fq. 10 9

Ibid, f10-13

10

Objekte simbol te qytetit te cilat shërbejnë edhe si pika referuese ne hapësirën e një qyteti ARKITEKTURA | diskurs teorik |

19


KËMBËSORI E BËN QYTETIN TË GJALLËROJË Bazuar në teorinë e Jane Jacobs “The Death and Life of Great American Cities” Besfort Hajrizi

Teoritë e Jacobs të përmbledhura në katër parimet kryesore të saj trajtojnë çështje shumë aktuale të planifikimit urban edhe për vendin tonë. Në Kosovë ka shembuj konkret që mund të referohen drejtpërdrejt tek teoritë e Jacobs e që zbatimi i tyre do të ndihmonte në masë të madhe në rikonceptimin e qyteteve të ngulfatura nga komunikacioni rrugor, mbindërtimet, degradimi arkitektural, si dhe në mbrojtje të trashëgimisë së ndërtuar. Si pikënisje, Jacobs elaboron rëndësinë e trotuareve në qytete dhe në këtë parim, ajo sjell parimin e destinimeve mikse që do të ndikonte në aktivizimin e rrugëve në kohë të ndryshme të ditës. Sipas Jacobs, trotuarit duhet shfrytëzuar për qëllime të ndryshme dhe jo vetëm për qarkullim të këmbësoreve; trotuari duhet të shërbejë edhe si shirit sigurues për rrugën, si garancë për gjallërinë e jetës së natës. Poashtu, trotuaret publike duhet të mundësojnë takime spontane dhe pa detyrime si dhe si vendqëndrim edhe për fëmijët. Në kryeqytetin tonë trotuaret nuk plotësojnë as kushtet elementare për qarkullimin e këmbësoreve pasi që pengesë janë automjetet e parkuara nëpër trotuare, pastaj, gjerësia e trotuareve është jo e mjaftueshme dhe ka mungesë të ndriçimit të tyre, gjë që ndikon në sigurinë dhe atraktivitetin e trotuareve.

20

| ARKITEKTURA | diskurs teorik

Lagja Dardania


Çarshia e madhe në Gjakovë

Intereventimet joadekuate në Çarshinë e Gjakovës

Kjo gjendje do të mund të përmirësohej parasëgjithash me ngritjen e vetëdijes së vetë qytetarëve, zbatimin korrekt të ligjeve për komunikacionin, pastaj, respektimin e vijës ndërtimore në rastet kur ndërtohen objekte pranë frontit të rrugës, si dhe me ndriçim të duhur dhe të bollshëm. Që, qyteti të ketë diversitetin e domosdoshëm, shtrohet nevoja për realizim të blloqeve të shkurtra ndërtimore, për të cilat Jakobs thotë se janë më të mira meqë mundësojnë përshkueshmëri më të lartë për këmbësorë. Ndonëse në Prishtinë nuk mund te themi se dominojnë blloqe me etazhitet të lartë apo blloqe të gjata, problem serioz i cili është shfaqur pas luftës së vitit 1999 janë mbindërtimet me anekset e ndërtuara në mënyrë të pakontrolluar, të cilat kanë degraduar pamjen e objekteve origjinale si dhe kanë kufizuar përshkueshmërinë ndërmjet tyre nga ana e këmbësorëve. Për sa i përket ndërtesave të periudhave të ndryshme kohore dhe përshtatjes së tyre kushteve aktuale të zhvillimit ekonomik, Jacobs vlerëson lartë ruajtjen dhe revitalizimin e tyre, duke u shprehur: ”Ju mund ta bëni një ndërtesë, por ju 1 nuk mund ta bëni atë te vjetër...” Shkatërrimi i trashëgimisë së ndërtuar në qytetet tona mbetet shqetësim edhe sot. Kohëve të fundit kemi qenë dëshmitarë te transformimit joadekuat te rrugëve të Çarshisë se madhe ne Gjakovë me ç' rast është tentuar që gurët e vjetër të zëvendësohen me gurë Gllareve që janë momentale, duke humbur kështu shumë nga origjinaliteti dhe njëherësh duke shkatërruar një monument të ruajtur brez pas brezi, si një simbol i qytetit të Gjakovës dhe Kosovës.

1

Jacobs, 1961, p. 175 2

Jacobs, 1961, p. 149-161

Një parim tjetër i Jacobs ndërlidhet me dendësinë e banimit. Sipas saj, dendësia e madhe nuk është predispozitë për rritje progresive të zhvillimit ekonomik. Zonat e banimit duhet që në vete të përmbajnë edhe objektet tjera përcjellëse shoqërore, si shkollat, çerdhet e kopshtet, bibliotekat, ambulancat, 2 kafenetë etj. në vende strategjike të lokacionit apo lagjes . Shembull i një organizimi të tillë të zonave të banimit mund të identifikohet në Prishtinë. Lagja Dardania, edhe pse mjaft e dendur në kuptim të njësive të numrit të banorëve që ka, përmban blloqe banimi të cilat janë planifikuar me kujdes, dhe poashtu ka objektet përcjellëse te identifikuara më lartë. Megjithatë, ende ka një numër funksionesh që do të duhej vendosur në këtë lagje (si ambulanca, kopshte apo biblioteka) në mënyrë që të arrihet kualiteti për të cilin flet Jacobs. ARKITEKTURA | diskurs teorik |

21


'PLUG-IN' PRISHTINA Bazuar në projektin ''Plug-in city'' të Archigram Group Qëndrim Hyseni

Archigram në revistën 'Amazing Archigram 4 / Zoom' prezantuan projektin e tyre Plug-in City, që u cilësua si një nga projektet apo një nga idetë më radikale dhe futuristike të kohës. Archigram parashikoi një qytet që kontrollohej nga teknologjia, dhe po ashtu një qytet ku në një megastrukturë do të inkuadroheshin të gjitha përmbajtjet e nevojshme për jetën e njeriut. Megastruktura e tyre përmbante njësi të veçanta për qëllime dhe funksione të ndryshme. Edhe pse mbeti vetëm në letër, Plug-In city u bë pjesë e debatit ndërkombëtar të arkitekturës. Plug-In City është një ide universale e cila nuk kishte të përcaktuar ndonjë qytet se ku mund të realizohej, por se ofron mundësi hulumtimi për aplikim si një model. Ideja e Plug-in City kishte për qëllim 'grumbullimin' e përmbajtjeve me funksione të njëjta në një vend, për një qytet apo një pjesë të tij. Qëllimi kryesor ishte lehtësimi i qarkullimit të trafikut, i lëvizjes së lirë të njerëzve nëpër hapësira të caktuara. Për një 'lehtësim' të tillë sot ka nevojë qyteti i Prishtinës. Prandaj, ky punim tenton që të simulojë modelin e plug-in city në Prishtinë.

Skemat: A. Propozimi për Megatrukturën në rrugët e Prishtinës B. Propozimi për tri nyjet universitare, Prishtinë C. Qendrat tregtare të Plug-in Prishtina 22

| ARKITEKTURA | diskurs teorik

A


Për një aplikim të suksesshëm të një modeli të tillë në Prishtinë, duhet të bëhen analiza detaje. Kyçja e të gjitha përmbajtjeve të një megastrukture duhet të bëhet në bazë të funksioneve që në këtë rast shtrihen në hapësirën qendrore të Prishtinës. Funksionet e propozuara në këtë punim si përmbajtje të megastrukturave janë të ndara si vijon: a) Qarkullimi dhe lëvizja & lidhja e lagjeve, b) Kampusi universitar, c) Qendrat tregtare. A. Qarkullimi dhe lëvizja & lidhja e lagjeve Një megastrukturë duhet të shtrihet në të gjitha rrugët ku rrjeti i trafikut automobilistik, transporti publik dhe po ashtu qarkullimi i njerëzve është tepër i madh dhe i rënduar. Nëpër këto rrugë të qytetit ku do të vendosen këto megastruktura do të lëvizin makina elektrike. Këto makina janë në gjendje për të arritur nëpër caqet e caktuara e gjithashtu deri tek banesat familjare. Po ashtu, janë në gjendje që të kontrollohen dhe programohen për kushte të caktuara dhe kushte të veçanta. Gjithashtu duke pasur parasysh edhe zgjerimin deri tek zonat ekzistuese të ndërtuara dhe qasja me transport deri në çdo pikë. Rrugët nëpër të cilat duhet vendosur këto mega-struktura, janë rrugët të cilat cilësohen si rrugë “ndarëse” ndërmjet lagjeve. Në këtë propozim, lokacioni ku do të duhej të fillonte megastruktura e Prishtinës është rruga “Bulevardi i dëshmorëve”, si qasje kryesore nga ana jugore e qytetit (magjistralja M-2), po ashtu edhe si rrugë që duhet të lidhë lagjen Dardania dhe Ulpiana. Megastruktura do të vazhdonte, gjithnjë sipas këtij propozimi, me “Bulevardin Bill Klinton” si lidhje ndërmjet lagjes Dardania, Lakrishtë dhe qytezës Pejton. Nga “Bulevardi i dëshmorëve” do të vazhdonte me rrugën “Xhorxh Bush” deri tek sheshi “Zahir Pajaziti”, duke përfunduar me rrugën “Garibaldi”. Megastruktura kryesore do të vendosej në rrugën “Agim Ramadani”, pasi që është një ndër rrugët më të frekuentuara të qytetit. Kjo do të lidhte lagjen Ulpiana me kampusin universitar në veri dhe pjesën ku janë të vendosur konviktet, duke vazhduar lidhjen me lagjen Kodra e Diellit. Në të do të kyçej edhe struktura që do të vendosej në rrugën “Fehmi Lladrovci” e cila njëkohësisht do të bënte lidhjen e Ulpianës me QKUK-në. B. Kampusi universitar: “Plug-in University Campus” “Plug-in University Campus” do të mundësonte të shohim një ndryshim gradual, zëvendësim dhe rigjenerim të pjesëve të ndryshme të qytetit në megastruktura të veçanta si kjo e propozuar për kampusin universitar, pra, një lloj të veçantë të zhvillimit të aktiviteteve.

C

B ARKITEKTURA | diskurs teorik |

23


Kampusi universitar do të mund të organizohej gjithsej në tri “nyje” universitare, ku do të kryhen aktivitete dhe funksione të së njëjtës përmbajtje. Nyja e parë universitare në këtë propozim përfshin Fakultetin Filozofik, Filologjik, Ekonomik, të Arteve, të Edukimit, Bibliotekën Kombëtare dhe objektin e Rektoratit të UP`s. Qasja në këtë nyje do bëhej përmes strukturës kryesore që shtrihet në rrugën “Agim Ramadani” dhe po ashtu strukturës dytësore që shtrihet në rrugën “Xhorxh Bush”. Nyja e dytë universitare do të përfshinte konviktet, menzën e studentëve dhe palestrën sportive, të gjitha në funksion të aktiviteteve rekreuese. Kjo nyje do të mund të quhej “nyje ekonomike dhe rekreuese” për shkak se përmban pjesën ekonomike dhe rekreuese të kampusit universitar. Ndërsa, qasja do të bëhej po ashtu përmes strukturës “Agim Ramadani”. Nyja e tretë në këtë propozim përfshin Fakultetin Teknik dhe atë të Mjekësisë, njëkohësisht QKUK-në. Qasja do të bëhej përmes strukturës dytësore që do të shtrihej në rrugën “Fehmi Lladrovci”. C. Qendrat tregtare Në vazhdimësi të prioriteteve për ta kompletuar Plug-in Prishtina, duhet të shohim evoluimin e seksioneve të veçanta. Propozimi për qendrat tregtare është i domosdoshëm për zhvillimin normal të jetës së njerëzve, në një sistem i cili përmban megastruktura të tilla. Këto qendra tregtare do të vendoseshin në atë mënyrë që të funksionojnë si pika të veçanta dhe të shpërndara nëpër lagje sipas nevojës. Në këto qendra tregtare janë të shpërndara dyqane të përhershme dhe të përkohshme të cilët do të manovroheshin nëpërmjet vinçave të vendosur në maje të strukturës.

Gjithashtu, qendrat tregtare do të përmbanin dyqane të veçanta, zyre, shërbime të ndryshme, parkingje dhe të gjitha hapësirat e nevojshme për një funksionim sa më të mirë të këtyre komplekseve. Sipas propozimit të dhënë në këtë punim, këto qendra tregtare do të duhej të vendoseshin në lokacionet në vijim: për lagjen Lakrishte dhe Pejton do të vendosej tek Axis Complex; për lagjen Dardania tek Rrethi i madh, për Ulpianë tek Beni-Dona dhe në lagjen Kodra e Diellit tek Qendra Tregtare (Tobacco Kosova). 24

| ARKITEKTURA | diskurs teorik

Prerje e megastrukturës. vinçi i vendosur në maje të strukturës


ACTIVITY AND CHANGE Aplikimi i teorisë së Cedric Price në Kosovë tani dhe në të ardhmen Albulena Robelli

Në shikim të parë, teoria e Cedric Price nuk duket e realizueshme në vendin tonë. Ajo kërkon fleksibilitet dhe adaptibilitet të lartë të objekteve, teknologjinë më të re të integruar në të dhe mjete të shumta informacioni në shërbim të qytetarëve të thjeshtë. Këto kushte nuk ekzistojnë as në objektet ku do të duhej të ishin të pranishme patjetër, siç janë shkollat fillore dhe të mesme, fakultetet dhe qendrat e ndryshme edukative e argëtuese për të rinjtë. Në qoftë se lëmë anash përdorimin e teknologjisë dhe përqendrohemi tek aspekti i përdorimit të shumëfishtë të objekteve, adaptimi i tyre ndaj kërkesave të ndryshme dhe tek ndikimi që mund të kenë në jetën sociale e politike, atëherë disa nga parimet e teorisë “Activity and Change” të Price mund t'i shohim tek sallat sportive të ndërtuara në vitet 70-ta. Këto salla tipike u ndërtuan në qytetet e ndryshme të Kosovës dhe që nga atëherë përdoren për funksione të ndryshme megjithëse janë salla sportive.Vendimi për ndërtimin e këtyre sallave në qendrat kryesore të Kosovës erdhi për shkak se në atë kohë në Jugosllavi u mbajt kampionati botëror i femrave për 1 junior në hendboll .

1

Informatë nga zyrtarët e Arkivit të Komunës së Gjilanit (salla e sportit në Gjilan “Bashkim Selishta – Petriti” është ndërtuar përafërsisht në të njejtën kohë me sallën “1 Tetori” dhe sallat në qytetet tjera) 2

http://www.telegraph .co.uk/news/obituaries /1438827/CedricPrice.html

Këto salla menaxhohen nga Komunat e qendrave përkatëse dhe në ditët e sotme janë në gjendje mjaft të rëndë. Ato kanë funksione të shumëfishta: aty zhvillohen aktivitete sportive, mbahen koncerte, mitingje të ndryshme të fushatave parazgjedhore e në ditën e zgjedhjeve përdoren si vendvotime, gjë që sipas teorisë së Price është një aspekt pozitiv i objekteve arkitektonike. Megjithëse këto salla kanë përdorim të shumëfishtë, ato nuk plotësojnë kushtet e nevojshme as për qëllimin kryesor për të cilin janë ndërtuar, për sport, prandaj kanë nevojë për renovim dhe ri-funksionalizim pasi që siç thotë 2 Price: “nëse një objekt më nuk u shërben njerëzve, duhet të demolohet” . Përderisa në këto salla zhvillohen aktivitete të ndryshme, ato janë kryesisht aktivitete prej të cilave përfiton një grup i caktuar njerëzish (organizatorët e tyre) dhe qytetarët e thjeshtë marrin pjesë në to vetëm si spektatorë. Kjo bie në kundërshtim të plotë me Price, pasi që ai flet për struktura të cilat duhet të shfrytëzohen nga secili qytetar në mënyrë të lirë dhe ku ata do të vendosnin vetë se si do të mësonin, argëtoheshin dhe se si do ta kalonin kohën e lirë. Për dallim, në qytetet e Kosovës, qytetarët e thjeshtë nuk mund ARKITEKTURA | diskurs teorik |

25


të kenë qasje në këto salla për të zhvilluar ndonjë aktivitet pa u pajisur me leje të veçantë, prandaj shumicën e kohës ato janë të zbrazëta dhe nuk shfrytëzohen maksimalisht. Për të vënë në funksion të plotë parimet dhe idetë e Price, së pari këto salla do të duhej të kenë një buxhet të caktuar për mirëmbajtje dhe të pajisen me mjete dhe teknologji (aq sa është e mundur) e pastaj të ndryshohen edhe politikat menaxhuese të tyre në mënyrë që të jenë të qasshme për të gjithë qytetarët pa dallim. Në këto objekte do të mund të inkuadroheshin edhe aktivitete tjera argëtimi që në të njëjtën kohë janë edhe edukative si p.sh. hapësirat për muzikë dhe arte të ndryshme vizuale. Ky ishte edhe një nga qëllimet kryesore të Price, një shoqëri që vetë-edukohet përmes argëtimit dhe ka ku ta kalojë kohën e lirë në mënyrë të dobishme siç e kishte menduar për projektin e tij “Fun Palace”. Ri-funksionalizimi i këtyre objekteve do të krijonte hapësira të reja për ndërveprim social, ku përmes shkëmbimit të informatave dhe përvojës dhe përmes komunikimit në mënyra të ndryshme secili do të mësonte diç nga tjetri. Një vend ku do të grupoheshin njerëzit, mund të shërbejë edhe si pikënisje për ndryshime sociale, politike e ekonomike, e kjo do të ishte në përputhje të plotë me këtë aspekt të teorisë së Price, pasi që siç thekson Mathews “…si instrument social, arkitektura e Cedric Price është e pasur me perceptimet e tij etike dhe polemike mbi 3 rrjedhshmërinë e konteksteve bashkëkohore sociale, ekonomike dhe politike.” Rivitalizimi i këtyre objekteve përputhet me projektin e Price, “Potteries Think-Belt” në të cilin ai mendonte të ripërdorte infrastrukturën hekurudhore të papërdorshme të ish zonës industriale në Britani, për ta rikthyer në një “universitet të lëvizshëm”. E në vendin tonë, nuk janë vetëm këto salla që shfrytëzohen pjesërisht por ka edhe shumë objekte që kanë mbetur pa funksion, dhe nuk janë adaptuar me nevojat e reja që janë paraqitur me kalimin e kohës, prandaj ne do të mund të mësonim shumë nga teoria e Cedric Price.

26

| ARKITEKTURA | diskurs teorik

Fun Palace (1960-1961)

3

Stanley Mathews, “Potteries Thinkbelt: An Architecture of Calculated Uncertainty,” in Arquitecturas Silenciosas: Thinkbelt de Cedric Price (Madrid: Fundación COAM, 2001), http://people.hws.e du/mathews/ potteries_thinkbelt. htm


Potteries Think-Belt (1964)

Pas luftës në Kosovë kanë filluar të projektohen shkollat me “Hapësirën për shumë qëllime”. Kjo është një sallë e madhe e cila duhet të ketë përmbajtje të shumta për zhvillimin e aktiviteteve të ndryshme dhe duhet të jetë fleksibile dhe e adaptueshme sipas nevojës. Ajo duhet të jetë e pajisur me mjete që mundësojnë këto manovrime brenda saj. Aty mund të mbahen ligjërata më të veçanta për nxënësit, mund të bëhen organizime për ditë të veçanta dhe sidomos projektohen për zhvillimin e aktiviteteve të lira të nxënësve si takime të grupeve të nxënësve, ekspozitat në artet figurative, garat shkollore në lëndë të ndryshme dhe aktivitete argëtuese. Në qëllimin e projektimit të këtyre hapësirave mund të vërejmë parimet e Price: hapësira shumë-funksionale, edukimi përmes argëtimit, interaksioni social dhe fleksibiliteti i hapësirës. Por sa shfrytëzohen këto salla për këtë qëllim është çështje që do diskutim. Në ditët e sotme, me shkollat e mbingarkuara ku secila hapësirë shfrytëzohet maksimalisht si klasë mësimore, të pakta janë shkollat që organizojnë aktivitete të tilla për nxënësit. Përveç mungesës së kushteve të nevojshme fizike, gjithashtu ka edhe neglizhencë dhe mungesë vullneti nga ana e udhëheqësve dhe arsimtarëve për shfrytëzimin e këtyre hapësirave, e përse ndodh kjo, është temë që duhet shtjelluar më gjatë.

Hapësira për shumë qëllime e një shkolle fillore në Gjilan ARKITEKTURA | diskurs teorik |

27


“THE GEHRY HOUSE” – A e duam një Shtëpi Gehry në Kosovë? Avni Hetemi

Dekonstruktivizmi si stil arkitektonik është mjaft i shprehur në botë dhe i realizuar nga shumë arkitektë të njohur botëror. Mirëpo nëse ky stil aplikohet apo si do të pritej aplikimi i këtij stili në Kosovë, është çështje që duhet hulumtuar. Nëpërmjet një anketimi të rastit është hulumtuar se si do të pranohej në Kosovë shembulli i shtëpisë Gehry si një ekzemplar i stilit dekonstruktivist. Përmes anketimit janë nxjerrë mendime lidhur me shtëpinë Gehry, stilin e ndërtimit të shtëpisë, funksionin që ka shtëpia si dhe për materializimin dhe pjesën e shtuar të shtëpisë ekzistuese. Janë anketuar gjithsej 20 persona, që i takojnë moshave dhe profesioneve të ndryshme, në mesin e të cilëve, edhe arkitektë e ndërtimtarë. Të anketuarve u është prezentuar dhe interpretuar në hollësi planimetria dhe pamjet e shtëpisë Gehry. Mendimet e të anketuarve dallojnë varësisht nga mosha por edhe nga aspekti i arsimimit, përkatësisht profili profesional.

foto majtas: Eksterieri i shtëpisë Gehry

Stili i ndërtimit të shtëpisë Gehry nuk është edhe shumë i mirëpritur për të gjitha moshat, meqë stili dekonstruktivist nuk është i shprehur në artin dhe arkitekturën shqiptare.

djathtas: Forma dhe materiali i shtëpisë Gehry

28

| ARKITEKTURA | diskurs teorik


foto majtas: Gjelbërimi rreth shtëpisë Gehry djathtas: Enterieri i shtëpisë Gehry

Ishin arkitektët e anketuar ata të cilët do të dëshironin që të shihnin shtëpi të tilla të realizuara në Kosovë dhe të cilët e pëlqejnë dekonstruktivizmin në arkitekturë, ndërkohë që ndërtimtarët shprehen skeptik, për shkak të vështirësisë që ata shohin në realizimin e formave të tilla në aspektin statik dhe të tjera. Sa i përket funksionit të shtëpisë Gehry, rreth 90% e të anketuarve e pëlqejnë, meqë shtëpia duket mjaft komfore dhe prandaj, e pranueshme për nga aspekti i funksionit dhe aspekti ekologjik që ofron ajo. Sa i përket materializimit, që së bashku me stilin e ndërtimit të shtëpisë ishte element më shumë i diskutueshëm nga të anketuarit, rreth 55% e të anketuarve nuk e pëlqejnë mveshjen nga llamarina e valëzuar; kjo për arsye se ky material në Kosovë është pak i përdorur për shtëpitë, ndërsa më shumë për objektet industriale, garazhet, depo e objekte të ngjashme. Mënyra e të menduarit rreth materialit ndryshon edhe nga aspekti i moshës, ku të moshuarit e pranojnë materialin e aplikuar në shtëpi ku në të përfshihet edhe materiali i drurit, i përdorur mjaft shumë në objektet e banimit tradicional në Kosovë, si për ndërtimin e plafonëve, dyshemeve apo edhe për tekstura të mureve, e kryesisht në odat shqiptare ku druri është materiali kryesor. Edhe moshat më të reja deri në një masë e pëlqyen aplikimin e drurit në enterier për arsye se e mbulon funksionin dhe aspektin ekologjik që ofron shtëpia. Lidhur me aneksin (pjesën e shtuar) të shtëpisë Gehry, të anketuarit shprehen pozitivisht. Kjo shpjegon se shembulli i aneksit të shtëpisë Gehry ishte realizuar mjaft mirë dhe pa penguar strukturën ekzistuese të shtëpisë. Si përfundim, mund të thuhet se mbështetur në këtë anketim, mbi pranueshmërinë e shtëpisë Gehry në Kosovë, dekonstruktivizmi i aplikuar tek ky model është i pranueshëm në Kosovë dhe do të pritej mirë nga pjesa më e madhe e shoqërisë kosovare. Unë mendoj së shtresa e mesme e shoqërisë për të cilën e kishte dedikuar Gehry shtëpinë e tij, edhe në vendin tonë do të mund të shihte këtë model si formë e përmbushjes së nevojës së banimit në Kosovë dhe njëkohësisht, si mjet avangardë për plasim të arkitekturës dekonstruktiviste në Kosovë. ARKITEKTURA | diskurs teorik |

29


KONTEKSTUALIZIMI I PARIMEVE TË ARKITEKTURËS MODERNE NË KOSOVË Bazuar në teorinë „Seven Crutches of Modern Architecture“ e Philip Johnson-it dhe në tetë parimet referente të Stoutz-it

Rexhep Sopi

Të zbatosh parimet e një teorie botërore si ajo e Johnson-it gjegjësisht ajo e Stoutz-it në një vend në tranzicion siç është Kosova, sa është e lehtë po aq është edhe e vështirë. Në këtë punim bëhet përpjekje për të kontekstualizuar disa nga parimet themelore të këtyre teorive, më saktë, mundësitë e aplikimit të tri nga shtatë parimet e Johnson-it dhe tri nga tetë parimet e Stoutz-it. Parimi i Funksionit. Një ndërtesë është arkitekturë e mirë në qoftë se ajo funksionon, por, a nënkupton kjo medoemos arkitekturë! Johnson këtu thotë një “Jo“ të madhe, ngase arkitektura nuk do të thotë thjeshtë një montim të pjesëve të dobishme, por shumë më tepër. Ne vetë jemi dëshmitarë të komercializmit, i cili ka pushtuar pothuajse çdo fushë të jetës, pa e anashkaluar këtu edhe arkitekturën. Si rezultat i kësaj dukurie, qytetet tona sot janë stërmbushur me ndërtesa të cilat në vete mbërthejnë apartamente 'shumë funksionale', por sa kemi arkitekturë ne në qytetet tona? Unë them „Pak“! Ndërtesat tona jo edhe gjatë do të mund t'i quajmë 'kuti funksionale'. Për më tepër, ky fenomen, më tej, lidhet ngushtë më parimin tjetër të Johnson-it, atë të të shërbyerit klientëve. Të shërbyerit klientëve. Klientët tanë në botën e arkitekturës jo rrallë herë dinë të kërkojnë 'kutitë funksionale' e të mos ngurrojnë që t`i vendosin ato në rend të parë, duke anashkaluar atë që ne e quajmë arkitekturë, dhe ne si arkitektë, poashtu, në të shumtën e rasteve realizojmë pikërisht këtë. Ne duhet të kujtojmë fjalët e Johnson-it: “...në mendjet tuaja duhet të ngelet se të 1 shërbyerit klientit është një gjë, dhe arti i arkitekturës një gjë tjetër" . Pra, thënë shkurt, një shumicë e konsiderueshme arkitektësh janë bërë shërbëtorë para se të bëhen arkitektë, dhe këtë e dëshmojnë objektet e ndërtuara në qytetet tona. Këto dy parime të Johnson-it janë të lidhura ngushtë njëra me tjetrën dhe shprehin shqetësimin e kanosjes në artin e arkitekturës. Kritika e Stoutzit mbi atë të Johnson-it nxori në pah parime të reja mbi arkitekturën moderne. Ndër to janë parimi i Risisë dhe ai i Kontekstit. Evidentimi i problemeve të parashtruara nga Stoutz është dukshëm më i lehtë marrë parasysh se parimet e tij u nxorën rishtazi, dhe në një farë mënyre mund t'i identifikojmë edhe në Kosovë.

30

| ARKITEKTURA | diskurs teorik

1

Ligjëratë e Johnson-it ne Harvard ''Seven Crutches of Modern Architecture'' (1954)


Parimi i Risisë. Stoutz këtu i referohej degradimit të semiotikës apo asaj pjese simbolike të veprës arkitektonike që e bënë atë njëherit të flasë e të shpreh diçka të caktuar. Degradimi i semiotikës po ndodhë edhe në vendin tonë. Sot Kosova identifikohet me fluks të lartë të ndërtimit, dhe njëkohësisht për çdo ditë e më shumë është në rritje numri i objekteve të varfëra në aspektin e semiotikës në arkitekturë. Pikërisht këtu takohen Stoutz dhe Johnson, gjegjësisht Parimi i Risisë dhe ai i Dobisë apo Funksionit. Përfundimisht, ajo që shohim në Kosovë mund të interpretohet si: sa më shumë 'kuti funksionale' aq më pak arkitekturë e mirëfilltë. Parimi i Kontekstit. Stoutz këtu tenton arritjen në pikë ku jo-konteksti nuk ekziston. Paradoksalisht, krejtësisht e kundërta ndodh në qytetet tona në Kosovë. Këtu, jo-konteksti është aq shumë i shprehur sa që mund të hasësh në çdo gjë që dikujt i ka shkuar në mendje. A nuk jemi ne dëshmitarë të vendosjes së objekteve arkitektonike në mes të objekteve nga shekulli i kaluar; blloqeve të banimit të lartë në zonat me banim të ulët? Ndërtesat ngulfaten njëra nga tjetra, trotuaret bllokohen nga mungesa e parkingjeve, kabllot nëpër lartpërçues kalojnë pranë ballkoneve tona, siluetat e qyteteve janë të palexueshme... A nuk është kjo kanosje ndaj artin tonë arkitektural? A nuk kemi përse të shqetësohemi? Unë them “Po“, madje shumë. Përderisa arti i ndërtimit në qytetet tona vazhdon zhvillimin e hovshëm drejt një arkitekture të palexueshme, mungesa e një stili modernist është më se e pritur. Por cilat janë parimet që mund të aplikohen drejtpërdrejt dhe të ndihmojnë në perspektivën e arkitekturës sonë drejt një arkitekture moderne? Përgjigje e mundshme mund të kërkohet në dy parimet vijuese, gjegjësisht, në parimin e katërt të Johnson-it – parimin e Komforit, dhe në parimin e fundit të Stoutz, gjegjësisht atë të Përshtatshmërisë së mjeteve. Parimi i Komforit. Komfori është parim i cili mund të zë vend të rëndësishëm në arkitekturën e qytetit kosovar. Johnson këtu preokupohet me rregullimin e mikroklimës i cili tashmë ështe i mundshëm falë teknologjisë. Megjithatë, kontrolli mjedisor nëpërmjet mjeteve dhe sistemeve teknologjike, sipas Johnson, duhet të jetë pjesë e arkitketurës por asnjëherë nuk duhet të zë plotësisht vendin e saj. Një mikroklimë e kontrolluar tashmë është e mundshme edhe në arkitekturën kosovare dhe ndryshimi i qytetit kosovar në këtë aspekt është më se i mundshëm. Parimi i përshtatshmërisë së mjeteve. Realizimi i një vepre arkitektonike është i lidhur drejtpërdrejtë me mjetet e aplikuara në ekzekutimin e saj. Prandaj mbështetja në këtë parim synon arritjen e një ndërtimi me vlera të larta estetike dhe ekstravagante që shfrytëzon mjetet dhe mundësitë e kohës sonë, duke synuar kështu një arkitekturë moderne. Përfundimisht, marrja në konsideratë e këtyre parimeve në artin e ndërtimit në qytetet tona, do të përmirësonte trendet dhe perspektivën e një arkitekture të ngritur mbi parimet e modernes.

ARKITEKTURA | diskurs teorik |

31


POSTMODERNIZMI NË KOSOVË Bazuar në teorinë “The rise of postmodern architecture “ të Charles Jencks Esmir Haxhi

A ka postmodernizëm në Kosovë? Dikush do të thotë patjetër se ka, me arsyetimin se postmodernizmi si stil ka filluar të shfaqet qysh më herët në vitet e 70-ta të shekullit të kaluar. Është një periudhë rreth katërdhjetë vjeçare që nga paraqitja e shenjave të para të këtij stili në botë. Por, a hyn edhe Kosova në mesin e vendeve të cilat e përqafuan këtë stil të ri në arkitekturë? Një stil që paraqitet si “çlirues“ me dekore tradicionale të robëruara në dominimin e stilit internacional. Duket e logjikshme të thuhet se edhe në Kosovë ka pasur dhe ka ndërtime postmoderne. Por, a janë këto ndërtime në frymën e postmodernizmit? Si të gjitha stilet e mëparshme në arkitekturë, poashtu edhe postmoderna i ka parimet e veta të cilat e karakterizojnë atë. Charles Jencks thotë: “do të duhej që projektuesi së pari ta hulumtojë vendin, 1 gjuhën lokale dhe ta kuptojë atë plotësisht, para se të projektojë” . Arkitektët në Kosovë nuk i përfillin këto rregulla. Kosova si vend ka kaluar nëpër etapa të shumta të ndryshimeve të mëdha politike. Kjo gjë ka ndikuar në masë të madhe në arkitekturën e këtij vendi. Ndërtimet e bëra gjatë viteve 70–80 ishin nën presion të pushtetit dhe kurrsesi nuk reflektuan “gjuhën lokale” apo “historinë e vendit”, gjëra këto për të cilat flet Jenkcs. Këto ndërtime socialiste kishin për detyrë të jepnin mesazhin e pushtetit dhe të fuqisë. Postmodernizmi nuk e ka këtë qëllim. Përkundrazi, tendencat e postmodernizmit ishin që arkitektura ta krijojë komunikimin me të gjitha shtresat e qytetarëve. Duke shikuar në të kaluarën e afërt mund të vërehet se Kosova ka qenë ngushtë e lidhur dhe në të njejtën kohë e varur nga shtetet e regjionit. Si në suazat politike e ekonomike poashtu edhe në ato të artit e arkitekturës. Këtu e gjejmë shkakun apo përgjigjen konkrete të ndërtimeve arkitektonike në Kosovë, të cilat kanë shumë ngjashmëri me shtetet e rajonit, dikur, pjesë e të njëjtës kreaturë shtetërore. Në këtë kontekst, kjo arkitekturë mund të quhet si postmodernizëm regjional. Një nga shembujt e kësaj arkitekture në kryeqytetin tonë është “Pallati i Rinisë dhe i Sporteve” apo “Boro Ramizi” i dikurshëm. Kjo qendër sportive 32

| ARKITEKTURA | diskurs teorik

1

Charles Jencks (1981). Jezik postmoderne arhitekture. fq. 205


-afariste, vepër e arkitektit Zhika Jankoviq e përfunduar në vitin 1981, është një nga ndërtimet të cilat e simbolizojnë Prishtinën. Në këtë objekt shfaqet përdorimi i materialeve si mermeri, bakri e qelqi. Hapësira e hallës sportive është mbi platonë e ngritur e të gjerë. Me dimensionet gjigante dhe konstruksionin e saj, kjo qendër duket e largët karshi qytetarit duke mos krijuar kontakt me të. Kjo vepër arkitektonike paraqet një arkitekturë brutale dhe demonstrim të fuqisë së pushtetit që e ndërtoi.

foto majtas: Biblioteka Kombëtare Universitare e Kosovës, Prishtinë djathtas: MASHT, Prishtinë

Pallati i Rinisë dhe i Sporteve (ish- Boro Ramizi), Prishtinë

Një objekt tjetër i cili ishte temë e debateve polemizuese të shumta që nga koha e ndërtimit e deri më sot është “Biblioteka Kombëtare dhe Universitare e Kosovës”. Arkitekti kroat Andrija Mutnjakoviq i cili e fitoi konkursin e bibliotekës, projektin e tij e kishte bazuar në huallin e bletës. Arkitekti bletën e përdori si metaforë, me faktin se bleta është insekti më punëtor dhe në shumë raste paraqet simbol të punës. Mutnjakoviq e paramendonte bibliotekën si vend në të cilin studentët do të vepronin si bleta. Por, a ka kjo metaforë ndonjë lidhje me historinë e vendit tonë dhe gjuhën lokale, gjithnjë sipas fjalëve të Jencks-it. A karakterizohet Kosova në botë me kultivimin e bletëve. Jo! Kjo gjë është në kundërshtim me teorinë e Jencks- it për krijimin e një arkitekture që do të bazohej në faktet e njohura nga historia e një vendi, e të cilat janë të ndryshme nga shteti në shtet, pa marrë parasysh se dikush mund të thotë se bleta si metaforë mund të përdoret në të gjitha vendet e botës. Këto ndërtime të pjesës së fundit të shekullit të kaluar, duhet të ruhen dhe të respektohen, por kurrsesi të kopjohen. Ndërtimet e fundit që po bëhen në Kosovë, tregojnë se, sikurse njerëzit, poashtu edhe arkitektura është ende me pasoja nga e kaluara. Ndoshta jo të gjithë njerëzit, por mbase vetëm ata të cilët i projektojnë këto objekte. Një nga dëshmitë e këtij konstatimi është objekti i “Ministrisë së Arsimit”, i cili edhe pse përdorë teknologjinë dhe materialet bashkëkohore, jep ndjesinë e masivitetit, frikës dhe pushtetit. Kjo na jep të kuptojmë se edhe në ditët e tona ende nuk ka shenja të atij postmodernizmi për të cilin Charles Jencks flet.

ARKITEKTURA | diskurs teorik |

33


KRIJIMTARIA E FRANK O. GEHRY-t: NDIKIMI I DEKONSTRUKTIVIZMIT NË KOSOVË Rrahman Qerimi

Trendet e reja dekonstruktiviste, shprehja abstrakte dhe simbolika abstrakte janë mënyrë shumë e fuqishme shprehëse në arkitekturën bashkëkohore. Arkitektët si Frank O. Gehry, Zaha Hadid, Daniel Libeskind, janë ndër më të spikaturit e kësaj rryme që me krijimtarinë e tyre janë ngritur në piedestalin e arkitekturës kontemporane. Muzeu në Bilbao, Teatri Walt Disney në Los Angeles etj., nga Frank O. Gehry paraqesin pasurinë dhe fuqinë e vendit si dhe kreativitetin dhe mendimin filozofik të arkitektit, i cili arkitekturën e tij e bazon kryesisht me frymëzimin nga arti, përkatësisht nga pikturat dekonstruktiviste. Kjo na shtynë ne si arkitektë të ardhshëm të mendojmë në mënyrë më kontemporane dhe kreative, duke u bazuar në një traditë tashmë tridhjetë vjeçare në arkitekturë, që është ngritur mbi themelet që kanë për bazë emrat e tre arkitektëve të sipërpërmendur. Veprat dekonstruktive, mënyra shprehëse, kreativiteti origjinal dhe i pashoq si i Gehry-t, po ashtu edhe arti dekonstruktivist në përgjithësi kishin rol shumë të veçantë në zhvillimin e disa rrymave të artit modern në Kosovë. Duhet veçuar se njëri nga artistët që u influencua nga trendet dhe diskursit botëror i artit kontemporan dekonstruktivist është edhe artisti Nexhat Krasniqi – Nekra, me karikaturat e tij që sollën tendenca të reja në art figurativ dhe që inspiroi edhe shumë artist të tjerë të rajonit. Dekonstruktivizmi si rrymë pati influencë edhe në arkitekturën kosovare, edhepse me elemente fare të vogla . Paraqitja kryesisht bëhet në enterierët e lokaleve të cilat janë të lidhura me veprimtarinë hoteliere. Elementet në të cilat deri në një masë spikatet dekonstruktivizmi janë dekorative, kryesisht në format jo konvencionale të llambadarëve dhe formave të integruara të tavaneve të lëshuara me ndriçim të integruar. Aplikimi i arkitekturës dekonstruktiviste në Kosovë mund të shtrihet përtej enterierëve, dhe atë në disa fusha dhe forma të veprimit arkitektural, si p.sh. në ndërhyrjet gjatë rikonstruktimit, adaptimit dhe rindërtimit të objekteve ekzistuese, të cilët kanë mbetur në gjysmë nga periudha para vitit 1999 dhe në ato të cilat kanë degraduar si pasojë e mungesës së mirëmbajtjes së tyre. Më konkretisht, dekonstruktivizmi mund të gjej aplikim në trajtimin e fasadave, dhe veçanërisht në krijimin e një siluete të re të objekteve shumë-banesore të trashëguara nga e kaluara e afërt. 34

| ARKITEKTURA | diskurs teorik


Ndërhyrja dekonstruktiviste në arkitekturë paraqet një alternativë të mundshme për ndryshimin e panoramës së qytetit kosovar duke mos e dëmtuar karakterin e objekteve si dhe rifreskim të pamjes së objekteve apo blloqeve të ndërtuara që tashmë janë pa ndonjë vlerë të veçantë apo që janë duke u shkatërruar. Kjo alternativë e trajtimit të ri mund t'i fus në funksion edhe hapësirat të cilave u janë ndryshuar destinimet, si p.sh. hapësirat për nënstacionin e nxemjeve, kanalet për hedhjen e mbeturinave, lloxhat për ajrosje dhe hapësira tjera të objekteve shumë-banesore të cilat tani kryesisht janë të braktisura ose përdoren në mënyrë jo të duhur. Aplikimi i dekonstruktivizimt në trajtimin e fasadave mund të bazohet në shembuj që janë dëshmuar si të suksesshëm dhe cilësuar si me shumë shije dhe stil, si p.sh.: Dancing House në Pragë apo Opus Apartments në Hong Kong të Frank O. Gehry-t.

Dancing House, Pragë ARKITEKTURA | diskurs teorik |

35


Krijimtaria e arkitekturës dekonstruktiviste në një vend që ka kaluar një luftë mund të jetë shumë e mirëseardhur sepse bën ndarjen nga tradita, kujtimet dhe mendimet për të kaluarën që na mundësojnë një hapje ndaj ndryshimeve dhe na orienton drejt trendëve globale. Ndryshimet e mëdha shoqërore, ekonomike dhe politike mund të jenë mundësi shumë e mirë për pranimin dhe aplikimin e metodave dhe teknikave të reja, përparimtare dhe shumë shprehëse që mundësojnë krijimin e një imazhi dhe identiteti të ri artistik në të gjitha fushat e artit dhe posaçërisht në arkitekturë. Trendi dekonstruktivist në arkitekturë mund të plasohet nga një kategori e qytetarëve të Kosovës edhe duke e shfrytëzuar kontekstin aktual të zhvillimeve socio-ekonomike. Kemi parasysh këtu se shfaqja e statusit apo prestigjit personal të një kategorie të shoqërisë sonë mund të shprehet nëpërmjet arkitekturës, duke u bazuar në shembujt nga bota e show-bizit dhe artit botëror. Në këtë kontekst, p.sh., vlen të përmendet rasti i Naomi Campbell e cila angazhon arkitekten Zaha Hadid për të dizajnuar shtëpinë e saj; Brad Pitt angazhon Frank O. Gehryn për të projektuar një shtëpi për fondacionin e tij; kompania e Facebook-ut e cila angazhon gjithashtu Frank O. Gehryn për projektet e kompanisë, me qëllim për të treguar statusin dhe prestigjin e tyre nëpërmjet arkitekturës dekonstruktiviste. Metoda të tilla mund të aplikohen për të krijuar diçka shumë unike, tepër të veçantë edhe në Kosovë duke pasur parasysh që dekonstruktivizmi jep mundësi të pafundme për të krijuar gjëra të pa para më parë, për të krijuar identitet që rezulton me shfaqjen e fuqisë financiare, intelektuale, sociale, etj.

h

36

| ARKITEKTURA | diskurs teorik


lart: Kampusi i Google nga Frank O. Gehry poshtĂŤ majtas: Naomi Campbell house nga Zaha Hadid; mes dhe djathtas: Brad Pitt house, nga Frank O. Gehry

ARKITEKTURA | diskurs teorik |

37


ELEMENTET E ARKITEKTURËS TRADICIONALE NË PRISHTINË Bazuar në teorinë e A.M. Stern Adelina Baftiu

Hi-tech dhe dekonstruktivizmi janë vetëm dy linja të dala nga post-modernizmi, mirëpo faktet tregojnë se ndikimi i kulturës arkitekturale tradicionale është akoma tejet i madh si në botë ashtu edhe në Kosovë. Këtë e konfirmon edhe thënia e Robert A.M. Stern se “njerëzit ecin me kohën, por ndihen të sigurt me historinë, me atë çka është provuar”. Karakteri i një qyteti zakonisht shprehet përmes kulturës tradicionale dhe vet historisë që objektet kanë në vete. Nëse jo domosdo si art të plotë, detajet çdo herë kanë vend për përdorim, përderisa kombinimi i materialit, formës dhe funksionit janë adekuat. Shtëpi tradicionale prishtinase

Kështu, bazuar në dokumente të mëhershme dhe shembuj të sprovuar, riaktualizimi i një vepre arkitektonike, komfor rregullave dhe mjedisit rrethues çdo herë duhet trajtuar me kujdes, veçanërisht në kontekstin tonë aktual ku shumica e punëve të përditshmërisë sonë në fushën e arkitekturës bazohet në të arriturat dhe pajisjet teknologjike, gjë që jo pak ndikon në procesin e projektimit. Teknologjia në Kosovë nuk do të duhej që të shfrytëzohej si shkas për shkëputje nga arkitektura tradicionale, por më tepër si mundësi shtesë për realizimet e reja arkitektonike, si mjet për të promovuar stil dhe dizajn. Përdorimi i qelqit në fasadë i menduar si i përshtatshëm në raste kur një objekt i ri ndërtohet apo rinovohet në një kontekst tradicional, shpesh mund të ngjallë konfuzion tek vrojtuesit, pikërisht për shkak të efektit pasqyrues të qelqit, siç është rasti me një segment të fasadës së objektit të Kuvendit të Republikës së Kosovës në Prishtinë. 38

| ARKITEKTURA | diskurs teorik


Pasqyrimi i xhamisë së Qarshisë dhe objekteve tjera përballë objektit të Kuvendit në fasadën e tij të qelqtë është interpretuar në mënyra të ndryshme nga qytetarët e Prishtinës por edhe të huaj, ndër të cilat vlen të përmendet ai i arkitektit James W. Stodgel i cili ishte shprehur: “Një nga aspektet më të zakonshme arkitekturore të këtij qytetit janë këto sisteme të mureve boshe [të qelqta] e të shëmtuara që funksionojnë vetëm në atë kuptim që 'ndonjëherë' reflektojnë diçka që ka kuptim”1.

Fragment i fasadës me detaje klasike jotradicionale në qendër të Prishtinës. Hoteli Swiss Diamond, dikur Hoteli Iliria

1

http://www.kosovo twopointzero.com

Raste të tilla në Prishtinë ka mjaft, jo domosdo të gjitha të dështuara, mirëpo të paktën kanë nxitur reagim. Në këtë kontekst, varësisht përvojës dhe formimit profesional, ne duhet të jemi në gjendje që ndërhyrjet arkitektonike të kësaj natyre në qytet t'i gjykojmë, interpretojmë, pranojmë apo mohojmë. Ekziston një alternativë që duhet konsideruar në raste kur alternojmë objekte ekzistuese ose kur prezentojmë një fasadë të qelqtë me motive klasike, në një kontekst tanimë tradicional. Përzierja e strukturave historike me elemente moderne është një alternativë shumë interesante dhe praktike që duhet të kuptohet më mirë, dhe atë, pikërisht në kontekst të të ashtuquajturit “projektim i qëndrueshëm”. Nuk është e nevojshme të shkatërrosh tërësisht një ndërtesë për të arritur tek një arkitekturë e dëshirueshme. Materialet dhe ndërtesat duhet të riciklohen dhe ripërdoren me programe të reja që sjellin funksione të reja në hapësira të papërdorura. Të krijosh arkitekturë që ka lidhje me histori përmes materialeve dhe programit është një gjë, por të përpiqesh që të replikosh ideale arkitektonike nga e kaluara, mund të rezultojë jokënaqshëm. Në këtë mënyrë, vetë imazhi apo sinonimi i një qyteti në shumicën e rasteve do të reflektohej në objektet e frymëzuara nga kultura jonë e ndërtuar duke u bërë dokument identifikues dhe rezultat i mjedisit tonë të ndërtuar. ARKITEKTURA | diskurs teorik |

39


KOSOVA DHE “THE LIVING MACHINE” (Makina e të jetuarit) Bazuar në teorinë e arkitektit William McDonoung dhe kimistit gjerman Michael Braungart mbi (Parimet e Hanoverit) Egzon Haradinaj

Uji është element qenësor jetësor. Vetë shprehja “pa ujë nuk ka jetë” e tregon më së miri këtë, prandaj edhe i kushtohet rëndësi e madhe sigurimit dhe menaxhimit të ujit në mbarë botën. Kosova ende ballafaqohet me përdorim të pakontrolluar të ujërave dhe me kapacitete të pamjaftueshme të ujit të pijshëm që vjen nga humbjet e konsiderueshme nga rrjedhjet në sistem, stacionet e vjetra dhe me kapacitet të kufizuar për trajtimit të ujërave, si dhe me mungesë të planifikimit adekuat urban. Si rezultat i kësaj, qytetet tona ballafaqohen me reduktime të shpeshta të ujit të pijshëm, ndërsa për ujë për ujitje as që bëhet fjalë. Ndërsa në fshatra, sistemi i ujësjellësit është funksional vetëm në muajt e dimrit, edhe pse sistemi i ujësjellësit është i përhapur në një pjesë mjaft të mirë të fshatrave të Kosovës.

foto poshtë majtas: Derdhja e ujërave të zeza në lumenjë mes: Gjendja e lumenjve në Kosovë djathas: Kolektori në Prishtinë

Poashtu, mostrajtimi i ujërave të zeza ka ndikim të madh në ndotjen e mjedisit në Kosovë dhe pas KEK-ut, ujërat e zeza janë ndotësit kryesor të lumenjve të Kosovës. Rreth 167,000 tonelata të ujërave të zeza të pa-trajtuara derdhen drejtpërdrejt në lumenjtë e Kosovës çdo vit. Rreth 60% e popullatës së Kosovës që jetojnë në viset rurale, i hedhin ujërat e zeza në përroska e lumenj, në gropa septike apo thjeshtë i lënë të lira. Në anën tjetër, në qytetet kryesore të Kosovës ujërat e zeza derdhen në sistemin e kanalizimit, por brengosës është fakti së të gjitha këto ujëra të zeza nga kanalizimi përfundojnë poashtu në lumenj.Vetëm në Prishtinë, mbi 50,000 tonelata të ujërave të zeza në vit derdhen në lumenjtë e mbuluar të Prishtinës (Vellusha dhe Prishtina tanimë të shndërruar në kolektorë) nga ku derdhen në lumenjtë Sitnica dhe 1 Ibër . Tejkalimi i kësaj situate alarmante në qytetin e Prishtinës sigurisht se kërkon ndërtimin e impianteve për pastrimin e ujërave të zeza. Përgjithësisht, Kosova ka mungesë të impianteve për trajtimin e ujërave të zeza. Në vitin 1974 në Kosovë u ndërtua impianti i parë për trajtimin e ujërave të zeza në Prishtinë, por ai kurrë

40

| ARKITEKTURA | diskurs teorik

1, 2

http://www.iksweb. org/Photos/Publikimet/ Images/T%C3%AB_ Mendosh_Gjelb%C3% ABr/T_Mendosh_ Gjelbr.pdf


2

nuk u bë funksional . Një impiant për trajtimin e ujërave të zeza është ndërtuar kohëve të fundit në Skenderaj, por ende nuk është lëshuar në funksion. Sidoqoftë, impianti në Skenderaj është realizaur me kapacitet punues për 10 000 banorë dhe procesi i trajtimit të ujërave të ndotura do të kalojë kalon në tri faza: procesi mekanik, biologjik dhe kimik. Përmes këtyre tri fazave ujërat e zeza do të pastrohen dhe riciklohen kështu që mund të derdhen në 3 lumenj pa shkaktuar rrezik mjedisor dhe shëndetësor .

Procesi i the “Living Machine”

Impiantet e tilla të pastrimit të ujërave të zeza, funksionojnë sipas parimit të Makinës së të jetuarit (Living Machine) Makina e të jetuarit i përgjigjet parimit të parë të Hanoverit, i cili thekson të drejtat e njeriut dhe bashkëjetesën e shëndetshme me natyrën, mbështetja, llojllojshmëria dhe konditat e qëndrueshmërisë. Rrethanat për një mjedis të përbashkët ndërmjet njeriut dhe natyrës duhet të jenë të shëndetshme, reciprokisht mbështetëse, të larmishme dhe të qëndrueshme. Përgjegjësi personale në këtë kontekst është pjesëmarrja jonë aktive në proces, dhe braktisja e pritshmërisë se dikush tjetër dhe 'kompetent' duhet të merret me problematikën e ujit. Në mbështetje të këtij parimi dhe Makinës së jetesës, Kosova ka nevojë imediate për ndërtimit të impianteve të pastrimit të ujërave të zeza, ndërkaq kjo vlen veçanërisht për Prishtinën si kontribuese e drejtpërdrejtë në ndotje të mjedisit nëpërmjet ujërave të zeza të patrajtuara me më se 30% në nivel vendi.

3

http://www.kosovo. undp.org/repository/ docs/2011/Newsletter _Alb.pdf 3

http://www.biwater. com/Articles/278088 /Biwater/BW_Home/ waste_water/waste_ water_projects/ guelma_algeria.aspx

Problemi në komunën e Prishtinës do të zgjidhej në masë të madhe me ndërtimin e dy impianteve për pastrimin e ujërave të zeza, të cilat, sipas modeleve ekzistuese gjetiu, do të duhej ndërtuar në dy lokacione të ndryshme, afër vend-derdhjes së ujërave të zeza në lumenj. Këto impiante do të duhej të kishin mbulueshmëri prej rreth 200,000 banorësh secili. Çdonjëri nga impiantet do të duhej patur kapacitet grumbullimi prej 100 tonelatash ujëra të zeza në ditë, dhe në vit të dy impiantet së bashku do të mblidhnin 4 rreth 72000 tonë ujëra të zeza . Edhe pse ndërtimi i këtyre impianteve do të kushtonte mjaft shumë financiarisht, kjo do të përmirësonte dukshëm gjendjen aktuale të mjedisit në Kosovë. Instalimi i këtij sistemi, së paku në kryeqytet, do të duhej të ishte parashikuar me plane zhvillimore qysh para shumë vitesh. Megjithatë, idetë si kjo e Makinës së të jetuarit duket se është shumë e vështirë për t'u realizuar në Kosovë. Kujdesi dhe ndërvarësia me natyrën ende konsiderohen si çështje të dorës së dytë, sepse duket se ka punë më të rëndësishme sesa ekologjia. ARKITEKTURA | diskurs teorik |

41


NGA ''HESHTJA'' NË ''DRITË'', NGA ''DRITA NË HIJE''; E ''MATSHMJA'' DHE E ''PAMATSHMJA'' E FILIGRANPUNUESIT - KOSOVA NE BIENALEN E VENEDIKUT 2012 Interpretimi i teorisë së Louis Kahn ''Silence and Light'' në shprehjet arkitektonike vendore Arta Bytyqi

“Arkitektura është vend takimi mes së ‘matshmes’ dhe të ‘pamatshmes’” -Louis Kahn Nëse përmes Heshtjes së Kahn kemi kuptuar të “pamatshmen” apo dëshirën për t'u shprehur, mendoj se këtë mund të hasim, që në titullin e pavilionit që përfaqësoi Kosovën në Bienalen e Venedikut. Do të vija theksin tek “punuesi” që në fakt i jep Filigranit dimensionin e së pamatshmes. Pra, me “filigranpunuesin” nuk nënkuptohet vetëm një krijim nga filigrani, aty mund të vihet re dhe të ndjehet faza paraprake e punës, gjegjësisht, inspirimi, dëshira për të shprehur, e cila lind para vet krijimit. Duke respektuar materialin, si një ndër parimet që i jep Kahn, pra në këtë rast fijet e hekurit dhe përmes teknikës së filigranit atë që materiali dëshiron të shpreh, gjegjësisht stolitë, filigranpunuesit kanë arritur që përmes punimeve të tyre të përcjellin shpirtin, inspirimin, dëshirën për të krijuar, “të pamatshmen” e tyre, por edhe të një populli, shekull pas shekulli. Një tjetër aspekt të teorisë së Kahn mund ta gjejmë tek puna me filigranin. Nëse Kahn pretendon se mësimdhënia është diçka që bëhet nga individi tek individi atëherë këtu kemi të bëjmë me këtë mënyrë të mësimdhënies duke pasur parasysh se kjo “zeje” ka vazhduar traditën deri sot në bazë të të trashëguarit nga babai tek i biri, pra nga individi tek individi. Përveç tek filigrani, “Heshtjen” dhe “Dritën”, “të matshmen” e “te pamatshmen” e Kahn mund ta hasim edhe në qasjen e pavilionit të Kosovës ndaj trajtimit të arkitekturës, më saktësisht Arkitekturës Kosovare. Duke u nisur nga njëra ndër pyetjet bazë mbi të cilat është ngritur dhe të cilave është tentuar t'u jepen përgjigje përmes këtij pavilioni. Si kosovarët ndihen për objektet në qytetet e tyre ?- hasen konceptet e Kahn që nga e “matshmja” pra objektet, të zbulohet e pamatshmja, gjegjësisht, ndjenjat që ato zgjojnë tek shikuesit, përdoruesit, përkatësisht perceptuesit e tyre. Por nëse këto ndjenja do të paraqisnin atë mbi çka do të bëheshin planifikimet për të ardhmën e arkitekturës kosovare siç edhe parashihet, ato duhet të jenë te matshme. Shprehja e ndjenjave me anë të votës i bënë ato të matshme.

42

| ARKITEKTURA | diskurs teorik


Edhe pse votimi përfshinë edhe njerëzit që nuk e njohin arkitekturën kosovare dhe ndoshta ballafaqohen për here të parë me të, votimi patjetër se do të ndikohet nga ideja, gjegjësisht , “e pamatshmja” që ata kanë krijuar për arkitekturën e Kosovës. Heshtja e Kahn, përkatësisht e pamatshmja e periudhave të ndryshme nëpër të cilat ka kaluar arkitektura kosovare, përmes materialeve, formave e vëllimeve, pra objekteve apo të matshmes që Kahn e paraqet përmes ‘dritës’ përcjell të pamatshmen tek vrojtuesi i sotëm. Sot, kur ne shfaqim ndjenja dhe idetë tona mbi objektet apo pamjet arkitektonike padyshim se bazohemi kryekëput tek e pamatshmja që ato kanë bartur tek ne dhe kjo patjetër se është e ndryshme tek secili individ si i veçantë. Bazuar në gjykimet mbi të bukurën që janë individuale, njohuritë apo intuitën që në fakt Kahn e vlerëson si më të rëndësishme se vet njohuritë, përjetimet që kujtojnë një pamje, dhe në këtë rast gjithë ketë ndjesi individuale, duhet ta kthejmë në të matshme duke e reduktuar, përkthyer apo duke grupuar në një fjalë të vetme, përkatësisht njërën nga gjashtë fjalët që përfaqësojnë gjashtë ndjenjat e përzgjedhura, të cilat unë për t'i komentuar i kam ndarë në dy kategori: 1) “Sad, Angry, Trapped” (i zemëruar, i inatosur, i bllokuar) dhe 2) “Happy, Excited, Free” (i gëzuar, i emocionuar, i lirë). 1) “Sad, Angry, Trapped” (i zemëruar, i inatosur, i bllokuar) foto majtas: Objekti i Qeverisë djathtas lart: Hoteli Grand djathtas poshtë: Objekti i Qeverisë së Kosovës (ish-pallati i shtypit)

Derisa flet mbi njohuritë Kahn thotë se për të mësuar mbi diçka duhet hulumtuar brenda tij, dhe kur ta kuptojmë këtë, thotë Kahn, do ta kuptojmë edhe vet universin. Por, në fakt, nëse për të mësuar mbi arkitekturën kosovare bazohemi tek objektet e pasluftës së vitit 1999, vrojtuesi mund të krijojë idenë për një arkitekturë imitimi. Kjo veçanërisht është e dukshme në Prishtinë ku përmes renovimeve që i janë bërë objekteve ekzistuese, shumica janë mbështjellur edhe me fasadë të re, gjë që ka ndërruar shumë nga ajo që dikur ka përfaqësuar objekti, duke fshehur brenda origjinalen dhe duke krijuar imitime. Kjo bie ndesh edhe me teorinë e Kahn mbi materialet dhe strukturën. ARKITEKTURA | diskurs teorik |

43


Përmes dialogut të tij me tullën, Kahn shpreh konceptin e tij për materialet dhe strukturën arkitektonike. Kur tulla kërkon nga ai që të bëjë një hark, Kahn i përgjigjet se më ekonomik do të ishte betoni, por megjithatë, Kahn përzgjedh tullën si respekt ndaj materialit duke mos ia humbur kështu origjinalitetin harkut nga tulla e kuqe. Ndërsa struktura, thotë Kahn, krijohet përmes lojës së hijes dhe dritës që krijon vet struktura arkitektonike, përmes dritë-hijes së shtyllave dhe hapësirave ndërmjet tyre si dhe përmes fshehjes së shtyllave dhe elementeve tjera karakteristike nën fasadën që imiton ato, në vend të një strukture të pamatshme, përçohet një imitim i saj. 2) “Happy, Excited, Free” (i gëzuar, i emocionuar, i lirë) foto lart: Shtëpia e Tahir Beut, Pejë majtas poshtë: Çarshia e Gjakovës djathas poshtë: Sheshi i qytetit të Pejës

Nëse Kahn i quan rrugët dhe sheshet si dhoma të komunitetit që i dedikohen qytetarëve për përdorim të përditshëm, atëherë çarshitë mund të karakterizohen pikërisht si ''dhoma komuniteti'' që gjithmonë kanë mbledhur njerëzit përbrenda ku ata kanë kryer punët e përditshme. Frymën e te mbledhurit të njerëzve, gjallërisë dhe hapësirës se hapur kah bjeshkët e Rugovës që të japin ndjenjën e lirisë e ka ruajtur sheshi i qytetit të Pejës. Ndërsa Shtëpia e Tahir Beut paraqet shembullin e respektit ndaj materialit: në të njëjtën kohë, përpara kemi “ndarjen” mes natyrës dhe arkitekturës, pra të kopshtit që Kahn e quan si një “vendmbledhi” personale e natyrës dhe të dhomës se shtëpisë - aty ku arkitektura fillon.

44

| ARKITEKTURA | diskurs teorik


Kosova në Bienale | 2012 | Venedik | © Fjollë Caka

ARKITEKTURA | diskurs teorik |

45


Colophon ARKITEKTURA Diskurs Teorik

Revistë e studentëve të arkitekturës, Departamenti i Arkitekturës, FNA, UP Numri 1, shkurt 2013 Ekipi redaktues Kryeredaktor: Florina Jerliu, mësimdhënëse e kursit “Teoria dhe Kriticizmi në Arkitekturë” Redaktorë: Zymer Delija, Zana Sokoli, Qëndresa Ajeti Dizajni: Mrinë Godanca, Qëndrim Ahmetaj Revista ARKITEKTURA Diskurs Teorik prezenton punën e e studentëve të arkitekturës në kursin 'TEORIA DHE KRITICIZMI NË ARKITEKTURË'. Ky është numri i parë i revistës që prezenton punën e studentëve të vitit të katërt, viti akademik 2012/13. Projekti për këtë revistë është mbështetur nga Dekanati i Fakultetit të Ndërtimtarisë dhe Arkitekturës, Universiteti i Prishtinës. Kontakti: teoria.ark@gmail.com

Ky numër i revistës shpërndahet falas

© Departamenti i Arkitekturës, Fakulteti i Ndërtimtarisë dhe Arkitekturës Universiteti i Prishtinës


PERSPEKTIVAT E ZHVILLIMIT URBAN PERSPECTIVES OF URBAN DEVELOPMENT Ligjëratë & debat publik Public lectures & debate

Modelariumi i Departamentit të Arkitekturës, FNA, UP Prishtinë

22 / 02 / 2013 ora 18:00 hrs

Andres LEPIK MODERATORS OF CHANGE Contemporary Architecture Engaging with Society

Vedran MIMICA

IN HT

IENSIS

I I PRIS ITET H

1970 MCMLXX

T

S

O RU M P UDI RI S ST

I S TI I T V IS TI C

S ER

UNIVERSI TA ËS IN

I

UN IV

NEW EUROPEAN CAPITAL Prishtina on Crossroads



Turn static files into dynamic content formats.

Create a flipbook
Issuu converts static files into: digital portfolios, online yearbooks, online catalogs, digital photo albums and more. Sign up and create your flipbook.