VIJA | 26 | LINE

Page 1

Nr. 26, Qershor 2021

30 Qershor 2021 Konferenca V Turizmi në Qarkun Shkodër: Rimëkëmbja e sipërmarrjeve të turizmit dhe agrobiznesit në pandemi Bilanci i #GO2Innovation përmes modelit të zonjës nga Puka Si e vlerësojnë sipërmarrësit përvojën e tyre në #GO2Innovation? Përvoja botërore: Qendrat e Inovacionit nuk janë vetëm zyrat moderne, por edhe atelietë e punës Llojet e Qendrave të Inovacionit dhe shërbimet që ofrojnë 13 sipërmarrje në Konsulencë Ligjore për ndryshimet në legjislacion

#GO2Innovation, një histori suksesi nisur 7 vjet më parë

#GO2Albania #VIS #COSPE

#GO2Innovation ka nisur zyrtarisht në Nëntor të vitit 2019, falë mbështetjes nga projekti EU for Innovation, i financuar nga Bashkimi Europian përmes Agjencisë Suedeze të Bashkëpunimit për Zhvillim SIDA dhe Shoqërisë Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar GIZ. Kjo Qendër Inovacioni u krijua nga partneriteti mes Organizatës GO2, Shkollës së Mesme Profesionale “Hamdi Bushati” dhe Bashkisë Vau Dejës, për të ofruar asistencë teknike në një sërë drejtimesh për sipërmarrjet e turizmit dhe agrobiznesit në Qarkun Shkodër. Mirëpo në të vërtetë, puna e GO2 me sipërmarrjet e turizmit dhe agrobiznesit, fillimisht në Shkodër dhe rrethinat e saj, e pastaj më gjerë, në bashkitë e tjera të Qarkut e përtej, ka nisur që në vitin 2014, kur për herë të parë në Shkodër filloi guidat me biçikleta drejt destinacioneve rurale, si Drishti, Jubani, Shirqi, Baks-Rrjolli, Rrashkullajt etj. Udhëtimet drejt këtyre fshatrave, atëherë të panjohura si destinacione turistike, nxiti disa prej vendasve që të hapnin sipërmarrje të vogla shërbimesh për turizmin. Në zbatim të misionit të saj “cilësi më e mirë jete për komunitetet”, GO2 organizoi më 2016 në Shkodër tubimin më të madh të operatorëve turistikë në nivel Qarku e më gjerë – rreth 250 të tillë – në kuadër të Konferencës Turizmi në Qarkun Shkodër. Ky forum i aktorëve të turizmit këto ditë do të organizohet për të pestin vit (30 Qershor 2021), pasi ka shëtitur më parë në bashkitë Shkodër, Pukë, Vau Dejës dhe Malësi e Madhe. Në partneritet me organizatat që operojnë gjithashtu prej vitesh në rajonin e Shkodrës (VIS, COSPE), kjo konferencë ka kontribuar edhe për rrjetëzim dhe shkëmbim përvojash e forcim të lidhjeve të biznesit ndërmjet sipërmarrjeve dhe komuniteteve të ndryshme jo vetëm brenda Qarkut Shkodër. Njëkohësisht gjatë këtyre viteve, GO2 ka ndihmuar me dhjetëra sipërmarrje, kryesisht në zonat rurale, por jo vetëm, me trajnime, këshillime, konsulenca të natyrave të ndryshme dhe sidomos me marketing. Që prej 4-5 vitesh tashmë, GO2 organizon udhëtime studimore në destinacione dhe sipërmarrje të suksesshme të turizmit dhe agrobiznesit në krejt Rajonin e Veriut, që nga Deti Adriatik deri në Alpet Shqiptare, nga Hani i Hotit deri në Malësitë e Mirditës. Krahas projekteve të bashkëpunimit ndërmjet zonave apo rajoneve të ndryshme, këto udhëtime studimore organizohen nga GO2 për parnerët vendas dhe ndërkombëtarë - institucione publike dhe organizata, universitete dhe trupa diplomatike nga Ballkani, Europa dhe SHBA. Të impresionuar nga veçantitë dhe vitaliteti i kësaj zone, pjesëmarrësit në këto udhëtime kanë gjeneruar në vazhdimësi promovim për zonën. Nga ana tjetër, puna këmbëngulëse e GO2 ka siguruar herë pas here edhe mbështetje për sipërmarrjet e kësaj zone, duke i përfshirë ata në programe rajonale dhe kombëtare shkëmbimi, trajnimi, financimi etj. Ky kontribut i vazhdueshëm i Organizatës GO2 për të ndihmuar komunitetet e zonave rurale duke nxitur dhe mbështetur nismat e tyre të sipërmarrjes, ka mundësuar funksionimin e #GO2Innovation, sepse Qendra e Inovacionit u krijua nga kjo klimë besueshmërie reciproke, si dhe nga puna e palodhur e ekipit dhe ekspertëve të angazhuar në kohë të ndryshme. Kjo është arsyeja përse objektivi fillestar i #GO2Innovation për të mbështetur rreth 10-12 sipërmarrje përgjatë vitit 2020 u 4-5-fishua brenda pak muajve. Është po kjo klimë dhe përkushtimi ndaj komuniteteve që do të sigurojë qëndrueshmërinë e kësaj qendre inovacioni. Tregues të qëndrueshmërisë janë rritja e numrit të sipërmarrjeve që kërkojnë mbështetje nga #GO2Innovation, por edhe kërkesa për shërbime të reja nga ana e sipërmarrjeve që tashmë janë pjesë e skemës së qendrës së inovacionit. Prandaj #GO2Innovation është një histori që zgjat prej gati një dekade, një histori pasioni, përkushtimi dhe mirëbesimi.


Turn static files into dynamic content formats.

Create a flipbook
Issuu converts static files into: digital portfolios, online yearbooks, online catalogs, digital photo albums and more. Sign up and create your flipbook.