14 minute read

Faqe 3

SUELA JONUZAJ, Intervista jonë "FEMRA ME KARRIERË TË LARTË SHKENCORE NË NJË MOSHË TË RE"

Intervistoi Besnik GJONBRATAJ

Advertisement

4. Çfarë ruani si gjënë më të shenjtë nga jeta në Kallarat, që të ka shoqëruar gjatë jetës?

Thjeshtësinë e jetës dhe dashurinë e sinqeritetin që kishim me njëri-tjetrin.

5. Si pasojë e emigrimit, prindërit e tu, si shumë shqiptarë të tjerë pas viteve 90-të, u vendosën në Athinë. Për ju si fëmijë e si nxënëse ishte e lehtë të ambientoheshit me jetën e atjeshme dhe sidomos me gjuhën greke?

Dihet që emigracioni nuk është i lehtë për këdo, por në mënyrë të veçantë për familjen time me katër fëmijë të vegjël, më i madhi 14 vjeç dhe më i vogli 2 vjeç. Më kujtohet një episod: Nisur nga vështirësitë dhe pasiguria e emigracionit, prindërit kishin menduar të më linin në fshat derisa të stabilizoheshin, por unë nuk doja të ndahesha nga familja, kështu që sa e mësova fillova të qaja dhe nuk pushoja deri sa u detyruan të më merrnin bashkërisht. Sigurisht që fillimisht ishte shumë vështirë të ambientoheshim me jetën në një vend të huaj, duke përballuar njëkohësisht mësimin e gjuhës, vështirësitë ekonomike, racizmin dhe përbuzjen vendase e shumë të tjera. Por shqiptarët (sidomos kallaratasit) nuk dorëzohen kollaj, përparojnë kudo që të venë. Kështu dhe ne i kaluam ato vështirësitë e fillimit dhe dalëngadalë u ambientuam me jetën e Athinës. Sakrifica e prindërve që emigruan me familje të madhe dhe mbështetja e tyre në çdo hap të jetës na dha mundësitë mua, motrave edhe vëllait të ecim përpara në jetë edhe të arrijmë këtu ku ndodhemi sot.

6. A mund të na përshkruani shkurtimisht vitet e shkollimit në Athinë dhe rezultatet me të cilat i përfunduat ato?

Fillimisht, 6 muajt e parë fillova shkollën si dëgjuese dhe mësim gjuhe, ndërsa vitin e dytë u futa në klasën që më takonte (në klasë të 4-të). Natyrisht, notat u ulën vitin e parë nga boshllëqet që ishin krijuar nga ndryshimi i vendit dhe i gjuhës. Nuk më pëlqente fare që kisha rënë në mësime. Më dukej se isha pak e përkëdhelur si nxënëse e mire në Kallarat dhe doja të vazhdoja me atë nivel. Kështu që e mora me inat, mbas një pune këmbëngulëse dhe me mbështetjen e mësueses greke që kisha në klasë të 4-të, dalëngadalë plotësova boshllëqet që kisha dhe arrita prapë të vlerësohesha me nota të larta. Këto rezultate vazhduan dhe në shkollën e mesme, dhe disa vite mbaja regjistrin e klasës (zakonisht e mban nxënësi më i mire i klasës sipas sistemit që ka shkolla greke).

7. Po në Londër si shkuat dhe me çfarë synimesh, për punësim dhe një jetë më të mirë, apo për mundësi më të mira të angazhimeve tuaja në fushën shkencore?

Në Londër unë shkova për ambiciet e mia në fushën shkencore, mbasi dihet që universitetet në vendet perëndimore ta japin këtë mundësi. Imperial College ku bëra doktoratën është universitet i dëgjuar për inxhinieri kimike, prandaj kur më pranuan isha shumë e lumtur.

8. Në vitin 2017 keni mbrojtur gradën shkencore "Doktore e Shkencave në fushën e Inxhinierisë Kimike", a mund të na tregoni diçka më tepër rreth kësaj teme dhe si arritët?

Isha me fat dhe bëra doktoraturën në një grup të mirë dhe të dëgjuar, ku mu dha mundësia që të studioja dhe të punoja me profesorë të avancuar dhe me shumë eksperiencë në fushën e inxhinierisë kimike. Jo vetëm janë profesionistë të nivelit të lartë, por vlerësojnë dhe ndihmojnë çdo fillestar që kanë në grupin e tyre. Për mua ky ishte shans i veçantë. Veç grupit, edhe tema e doktoratës më pëlqente shumë. Punoja në modele matematikorë dhe programe kompjuteri për të përmirësuar prodhimin e ilaçeve mjekësore. Këto modele mund të përdoren në disa procese të industrisë farmaceutike. Si çdo doktoratë e punë shkencore, kishte lodhje të jashtëzakonshme, pa njohur orar apo të shtunë e të diel, por kur vendosa atë rrugë, i vura detyrë vetes të vazhdoja deri në fund.

9. Çfarë studimesh të tjera, sidomos botime të kësaj fushe keni bërë dhe aktiviteti juaj shkencor është vetëm brenda Londrës, apo i shtrirë edhe më larg?

Thelbi i studimeve që unë bëj së bashku me një grup profesorësh nga Imperial College është në fushën e inxhinierisë kimike dhe fizikës molekulare. Në disa projekte kemi bashkëpunuar me profesorë nga universitete të ndryshëm në Angli dhe Amerikë. Faktikisht, në Janar deri në Mars 2017 isha në Carnegie Mellon University në Amerikë për të mbrojtur pjesë të doktoratës. Rezultatet e këtyre studimeve janë publikuar ne disa revista shkencore dhe janë paraqitur në konferencat ndërkombëtare në Angli, Amerikë dhe Evropë.

10. Fusha e studimit tuaj në shkencën e kimisë dhe atë molekulare, a i prek kërkimet e sotme ndaj COVID-19, armikut më të rrezikshëm e të padukshëm?

Ne nuk merremi drejtpërdrejt me studimin e COVID-19 ose të vaksinave që janë zhvilluar këto kohët e fundit, por rezultatet e studimeve tona ndihmojnë në prodhimin e ilaçeve të ndryshme, disa nga të cilat mund të përdoren kundër viruseve të tillë.

11.Ditën e marrjes së gradës shkencore, a patët dikë nga familja, që emocionet t'i përjetonit së bashku?

Përveç profesorëve dhe kolegëve të mi në universitet, kisha pranë edhe motrën e vogël dhe prindërit e mi, me të cilët përjetova këto çaste. Ata e bënë një ditë shumë të veçantë për mua.

12. Besoni se arritjet tuaja në fushën e shkencës janë edhe pjesë e trashëgimisë nga prindërit, në mënyrë të veçantë nga babai, Lavdoshi, një ish nxënës e student i shkëlqyer, si dhe një specialist i dëgjuar i agronomisë?

Po sigurisht, babi dhe mami janë shembull për mua. Besoj se ata kanë studiuar dhe punuar më shumë që të arrijnë në atë nivel me vështirësitë që kanë pasur në atë kohë.

13. Cilat janë synimet shkencore që kini për të ardhmen? Po ndonjë kthim të mundshëm në Shqipëri për të kontribuar në fushën tuaj të shkencës?

Synimet shkencore për të ardhmen janë, të eci më tej në rrugën e shkencës në akademi edhe në industri farmaceutike po mu dha mundësia. Sa për kthim në Shqipëri mund të them se jo, sepse nuk është e lehtë të fillosh përsëri nga e para, larg familjes, në një shtet që nuk ke siguri ose nuk të krijohen mundësitë për kërkime shkencorë në fushën që kam studiuar. Më vjen keq që shumë të rinj ikin jashtë shtetit, por situata dhe ekonomia e shtetit e bëjnë të vështirë të kthehesh.

14. Para ca kohësh në fb e Shoqatës Kallarati, çelëm rubrikën "Të njohim dhe të prezantojmë brezin e ri kallaratas që po bëjnë emër brenda e jashtë atdheut", ku fillimisht publikuam një moshataren tuaj, Ana Mataj, e cila përveç doktoratës së mbrojtur në fushën e drejtësisë, sapo bëri edhe betimin si prokurore në Çikago. E dyta jeni ju, a mendoni se të tillë të rinjsh kallaratas ka shumë dhe duhen njohur, përkrahur e nxitur për më tej?

Po, e lexova dhe e përgëzoj për rezultatet e saj. Raste të tilla duhen evidentuar e inkurajuar, jo vetëm për fshatin tonë, por për mbarë vendin. Ju falënderoj që më dhatë mundësinë të prezantoj kontributin tim të vogël në këtë fushë. Jam e sigurt që ka shumë të rinj e të reja shqiptare me rezultate të shkëlqyeshme dhe unë personalisht jam e lumtur kur lexoj raste të tilla. 15. Cili do të ishte mesazhi juaj për të rinjtë kallaratas kudo që janë në drejtim

të arsimimit dhe shkollimit?

Një mesazh i vogël për të rinjtë kallaratas kudo që ndodhen është: Edukimi dhe shkollimi për të hapur shumë rrugë në jetë. Sado vështirësi që të gjeni përpara, krijoni mundësi dhe realizoni ëndrrat tuaja. Dhe kur të arrini qëllimin tuaj, mos harroni nga keni ardhur dhe njerëzit që ju kanë mbështetur gjatë asaj rruge.

16. A ndiheni krenare që jini nga Kallarati dhe bijë e fisit të dëgjuar Jonuzaj dhe si shqiptare po çani me zotësi në fushën e shkencës në një vend me kulturë e histori, siç është Londra ?

Patjetër që ndihem krenare si bijë kallaratase, dhe jam e lumtur që mu dha mundësia të vazhdoj karrierën në një shtet si Anglia, e cila ka qenë dhe mbetet djepi i hulumtimeve dhe zbulimeve shkencore.

Faleminderit dhe suksese të mëtejshme në rrugën e shkencës!

Gazeta KALLARATI faqe 5 COPËZA KUJTIMESH NGA JETA NË TË KALUARËN E FSHATIT TIM

Seit JONUZAJ

Për fëmijërinë e viteve para Luftës së Dytë Botërore

Në kushtet e varfërisë, të mjerimit e të prapambetjes që mbizotëronin në vitet e paraluftës së Dytë Botërore, jo vetëm në Kallarat, por në tërë krahinën e më gjerë, ne fëmijët e fshatit nuk kishim ndonjë fëmijëri të lumtur e të gëzuar, por të vuajtur. Qysh fëmijë detyroheshim të rropateshim edhe pas bagëtive edhe pas punëve shtëpiake për t`u ardhur në ndihmë prindërve. Edhe shkolla atëherë bëhej me vuajtje e vështirësi të mëdha. Pas djegies krejtësisht të fshatit tonë të bukur si një qytezë në prehrin e malit të Bogonicës nga bandat shoviniste (andartët) greke, më 1914, familjet e fshatit u detyruan të vendoseshin përkohësisht se cila atje ku kishte tokat e bukës, larg njëra tjetrës , në tërë territorin fushor të të dy anëve të lumit Shushicë. Por, në mungesë organizimi e nisme për të rindërtuar fshatin e djegur, banorët nisën të ndërtonin shtëpi të përhershme aty ku u vendosën përkohësisht, larg njëri tjetrit. Për rrjedhojë, nuk e kishim afër shkollën që ndodhej në Morrëz. Dimrit do venim në Shkollë nëpër shi, apo borë e ngrica, ngrënë e pa ngrënë mirë, veshur e mbathur keq. Po do kapërcenim edhe përrenjtë e lumin. Dimrit kur ktheheshim nga shkolla të lagur, do thaheshim. Vetë pranë zjarrit, po do thanim dhe librat që na bëheshin qull në trastën prej rrobe që na bënin nënat, se çantat e sotme nuk njiheshin në ato kohëra. Do bënim edhe detyrat e shkollës nën dritën e kandilit, pishës apo shkarpave e druve të zjarrit që na picërronin sytë nga tymi. Do bënim dhe ndonjë shërbim që na urdhëronin prindërit.

Në shkollë, mësuesit e kishin të ligjëruar ndëshkimin fizik të nxënësve për çdo gabim që mund të bënin. Kështu, për shembull, pasi ishte pushtuar Shqipëria nga Italia fashiste, u ndëshkova nga mësuesi të qëndroja me një këmbë prapa dërrasës së zezë gjatë orës së mësimit. “Faji” im ishte se gjatë hyrjes në klasë e nderova mësuesin allazogiste pa dashje me dorën e djathtë në zemër, ndërsa tani duhej nderuar allafashiste me dorën e djathtë lart. Nuk më ishte bërë akoma shprehi mënyra e re e nderimit. Por përdorej gjerësisht edhe fshikullimi i duarve me shufër ose vizore druri. Më 1939-ën u bënë përpjekje për të futur edukimin fetar në shkollën tonë nga Hasan Selami, predikues i myslimanizmit për zonën e jugut, por nuk pati sukses sepse, së pari, atë nuk e favorizonte përkushtimi fetar i papërfillshëm i banorëve të fshatit tonë dhe e të krahinës. Populli i zonës ishte pak besimtar, ishte i ftohtë ndaj fesë dhe riteve fetare. Këto i ushtronte në një farë mase vetëm për hir të opinionit. Kjo dukuri, me sa kuptohet, ndodhte për faktin që besimi islam ishte i imponuar me pahir nga pushtuesit otomanë, se popullsia e asaj zone, si në mbarë vendin, kishte qenë e krishtere. Prandaj, kur tim ati i jepnin ndonjë copë mish derri të egër ata që i vrisnin nëpër arat me misër, e gatuanin prindërit e mi dhe e hanim, duke më porositur mua fëmijën e tyre që të mos i tregoja askujt. Të paktë ishin edhe burrat që shkonin në xhami. Prandaj edhe hoxha i fshatit e lëshoi me dëshirë ndërtesën që shërbente si xhami në Morrëz për t`u bërë shkollë për fëmijët e fshatit. Hasani e nisi edukimin fetar me ne nxënësit në shkollë pas mbarimit të mësimit, por kur i pa mësuesi laik të vendosura librat fetare në pezulin e dritareve, i hodhi poshtë, duke na porositur të mos i shoh më këto libra këtu në shkollë. Hasani, bëri ç’bëri dhe hoqi dorë nga ky mision në Kallarat. Neve as na tërhoqën mësimet fetare dhe as na shkaktuan qoftë edhe indoktrinimin më të vogël. Gjatë verës, ne djemtë e zonës Fier-Ubaf-Povël-Dushk etj. përveç shkuarjes me bagëti, bëheshim bashke dhe bridhnim lumit ngjill më ngjill, ku ish më i thelli, që nga Koprifti e deri në Memete për të kaluar kohen duke u larë. Mënyrë tjetër për t`u zbavitur nuk kishim. Kjo qe fëmijëria jonë e asaj kohe.

Jetesa në fshatin e para Luftës së Dytë Botërore

Për përballimin e jetës së përditshme në fshatin e dikurshëm fshatarëve u duhej të bënin punë të rënda e rraskapitëse. Baza ekonomike e familjeve të Kallaratit, sikurse edhe fshatrave të tjerë përreth, ishte bujqësia dhe blegtoria. Të dyja mbaheshin me sakrificë e punë të lodhshme. Nga koha që unë kam njohur veten, më kujtohet se si që pa gdhirë gratë e zonës së sheshit të Fierit e të Ubavit i flisnin njëra-tjetrës, të cilat ngriheshin me nxitim, merrnin sëpatë e tërkuzë, bëheshin bashkë dhe me yllin e mëngjesit niseshin drejt Vanrave apo Nakos e Gjimufit, ku kishte plot lisa e dru të tjera. Prisnin e çanin trungje, me sedër ndaj njëra - tjetrës, kush ta bënte barrën më të madhe. Ngarkoheshin rëndë sa mezi ecnin dhe lindja e diellit i zinte në oborrin e shtëpisë. Stivosnin drutë në hipi dhe pastaj u përvisheshin punëve të tjera të ditës, siç ishin punët e shtëpisë, marrja me fëmijët, puna në ara, puna në tezgjah etj. Po do ngarkonin edhe bucelën për të shkuar për të mbushur ujë. I tillë ishte zakoni i trashëguar në anët tona që me këto punë merreshin gratë, prandaj ato ishin edhe më të ngarkuara me punë e rrjedhimisht më të lodhura se burrat. Punët e tjera, ato që quheshin punë burrash, si marrja me bagëtitë, hapja e ndonjë toke të re, shkuarja jashtë fshatit, si në Himarë e deri në Vlorë e gjetkë për të bërë ndonjë Pazar, si blerje misri për bukë e ndonjë gjë tjetër, zakonisht ishte detyrë e burrave.

Kallarati në LANÇ

Pavarësisht varfërisë’ e rraskapitjes në punët e rënda të fshatit për mbijetesë, kallaratasit ndjenjën e atdhedashurisë e kishin shumë të lartë, duke luftuar me trimëri të rrallë për mbrojtjen e trojeve shqiptare nga agresorët dhe pushtuesit e huaj. Këtë e treguan më 1914 kundër andartëve grekë, më 1920 kundër italianëve që mbanin të pushtuar Vlorën dhe në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare kundër pushtuesve fashistë italianë e nazistë gjermanë. Me LANÇ të popullit shqiptar Kallarati u lidh që në fillim dhe dha kontribut maksimal të mundshëm,duke mbushur radhët e formacioneve partizane me dhjetra e dhjetra bij e bija luftëtarësh, ku derdhën gjakun për çlirimin e vendit rreth 20 prej tyre. Me atë luftë u arrit jo vetëm çlirimi i vendit, po edhe emancipimi e reformimi i shoqërisë, zhvillimi e përparimi, heqja e tërkuzës nga kurrizi i grave, zhdukja e zakoneve prapanike, arsimimi e kultura, përmirësimi i gjendjes ekonomike etj. Gjatë viteve të pasçlirimit e të krijimit të ekonomisë kolektive dhe të grumbullimit të fshatit në tre lagje, çdo familje ndërtoi shtëpi të re të mobiluar me të gjitha pajisjet e kohës që nuk kanë asnjë dallim nga banesat në qytete dhe vetë jeta e kultura e të jetuarit të familjeve në Kallarat nuk ka asnjë ndryshim nga jeta në qytet. Sot, me ndërtimin e rrugës automobilistike me parametra bashkëkohore, është kënaqësi të udhëtosh për në atë fshat nga Vlora, udhëtim që zgjat jo më tepër se 40-45 minuta pa e ndier fare rrugën, kur në të kaluarën duheshin mbi tre orë udhëtim të lodhshëm. Kjo rrugë e re që e lidh Kallaratin me Bregdetin dhe me Kurveleshin e Sipërm hap perspektivën për zhvillim e përparim të të gjithë trevës që ajo përshkon. Prandaj Kallarati krenohet me kontributin që dha në LANÇ, sikurse edhe në luftërat e tjera, si dhe për punët e bëra dhe arritjen e të mirave që gëzojnë sot kallaratasit.

Lufta italo-greke dhe pasojat për fshatin tonë

Pas pushtimit të vendit tonë nga Italia fashiste më 7 prill 1939, ajo në tetor 1940 i hapi luftë edhe Greqisë për ta pushtuar. Por nuk ia doli dot se ushtria greke nga mbrojtja u hodh në kundërmësymje dhe e vuri përpara ushtrinë italiane, duke mbërritur ushtria greke deri në Kallarat. Me të mbërritur ushtarët grekë të uritur u turrën shtëpi më shtëpi duke thyer dyert e duke hapur katoje për të grabitur ushqime e bagëti. Kallarati me ekonomi të varfër u varfërua edhe më shumë. Dhe nuk mjaftoi dëmi i madh ekonomik nga grabitja e ushtrisë greke, porsi brez lufte që u bë fshati ynë, komanda greke urdhëroi shpërnguljen e popullatës në drejtim të Kuçit. Ikën familjet kallaratase me nga një trastë ushqime e rroba që mund të ngrinin në krah, duke i lënë në vend atë pak pasuri e katandi që u kish mbete. U kthyen në fshatin e shkatërruar nga lufta në fund prill-fillim maj, kur ushtria greke u thye dhe u tërhoq nga trojet tona, por punëve bujqësore u kish ikur koha dhe familjet kallaratase u gjendën para një problemi të madh jetik: si e me se të siguronin ushqim për mbijetesë? Këto ishin pasojat e luftës italo-greke.

Operacionet nazifashiste që përfshinë edhe Kallaratin

Një operacion e ndërmorën forcat fashiste italiane në luginën e Lumit të Vlorës dhe në krahinën e Kurveleshit. Nga ky operacion mbeti e vrarë në Horë të Vranishtit e reja kallaratase Belere Boshaj. Dy operacione i ndërmorën nazistët gjermanë në zonën e sipërpërmendur: njëri në dimrin dhjetor 1943-janar 1944 dhe tjetri në qershor 1944. Në këto dy operacione në Kallarat u dogjën shumë shtëpi nga nazistët dhe u shkaktuan dëme të tjera ekonomike. Banorët e fshatit shpëtuan falë shpellave të maleve ku strehoheshin gjatë operacioneve.

More articles from this publication: