Manuali Teknik: Planifikimi dhe Zhvillimi i Territorit në Shqipëri

Page 28

KRONOLOGJIA E BAZËS LIGJORE PËR PLANIFIKIMIN Përpara vitit 1990 planifikimi i territorit as nuk njihej si i tillë. Urbanistika ishte një disiplinë përmes së cilës pushtetet diktatoriale (fashiste dhe komuniste) vendosnin në territor objektet e vendimmarrjeve të tyre të centralizuara mbi ekonominë dhe ndërtimin e qyteteve. Ndryshimi i sistemit politik dhe ekonomik i përballi institucionet jo vetëm me nevojën për reforma sektoriale, por edhe për ndryshim të mendësisë në përdorimin e territorit dhe burimeve të tij. Shumëfishimi i interesave për këto burime ndodhi në projeksion gjeometrik, veçanërisht pas privatizimit të tokës. Si rezultat, baza ligjore për përdorimin e tokës dhe të burimeve në territor (planifikimi) duhet të pësonte ndryshime thelbësore. Këto ndryshime kanë ndodhur gradualisht, me procese të hapura ose jo, në antagonizëm apo dakordësi me reforma të tjera, dhe datojnë që prej vitit 1993.

SI PËRDORET KY MANUAL? Ky manual ka për qëllim t`ju ndihmojë në punën tuaj të përditshme si planifikues apo zhvillues, por në asnjë mënyrë nuk mund të zëvendësojë ligjin dhe aktet nënligjore. Në këtë manual do të gjeni informacion për instrumente dhe procese të ndryshme, por mos u kufizoni vetëm në përdorimin e tyre. Ju jeni interpretuesit më të mirë të legjislacionit dhe, duke u mbështetur në përvojën tuaj, mund ta zgjeroni morinë e shembujve të këtij manuali me shumë zgjidhje të tjera praktike dhe përmbajtësore. Për lehtësi në përdorim, manuali është strukturuar në mënyrë të ngjashme me ligjin për planifikimin dhe zhvillimin e territorit (nr. 107/2014). Megjithatë, për të qenë sa më pak i varur nga ndryshimet ligjore, manuali përqendrohet në shpjegimin e parimeve, koncepteve apo çështjeve përmbajtësore e XVI

proceseve dhe shumë më pak në rregullat ligjore. Për rregulla ligjore ju lutem referojuni gjithmonë legjislacionit ose kërkoni ndihmë nga juristët. Manuali përmban edhe një kapitull përmbajtësor që ka të bëjë me analizimin e territorit, si një hap kyç në procesin e planifikimit. Ky kapitull nuk është shterues pasi, veç analizave të përmendura, mund të kryeni edhe shumë të tjera (edhe të reja) që zhvillohen gradualisht nga profesionistët, sikurse mund të modifikoni metodologjitë për ato ekzistuese. Analizat e paraqitura në manual synojnë të plotësojnë kryesisht procesin e planifikimit në nivel vendor. Për nivelet e tjera të qeverisjes analizat e paraqitura në manual mund të përdoren duke bërë modifikimet e nevojshme sipas shkallës së territorit, problemit dhe grupeve të interesit. Manuali është hartuar për përdorim të gjerë. Ai u shërben planifikuesve që punojnë në institucione publike (qendrore e vendore) apo në sektorin jo publik. Për tema të caktuara, dhe sipas interesit, ai mund të përdoret nga arkitektët, projektuesit, zhvilluesit, madje edhe nga qytetarët. Manuali u shërben si një udhëzues strategjik vendimmarrësve dhe përmban të dhëna me interes kërkimor/shkencor për universitetet apo forume të ndryshme akademike dhe profesionale. Gjuha grafike e manualit është zgjedhur që të jetë sa më e larmishme dhe të pasqyrojë mënyra të ndryshme të të punuarit. Vetë manuali paraqet punët e bëra nga ekipe të ndryshme profesionistësh dhe institucionesh në Shqipëri. Ashtu sikurse është planifikimi i territorit një proces në vazhdimësi, ashtu janë edhe teknikat e metodologjitë e përdorura në të. Këto të fundit ndryshojnë vazhdimisht dhe është e drejtë, madje e nevojshme, që profesionistët të mos reshtin së sjelluri risi teknikash grafike e analitike, metoda të reja shkencore dhe forma gjithnjë e më efektive të proceseve me njerëzit. Për çdo çështje të trajtuar, sipas mundësisë,


Issuu converts static files into: digital portfolios, online yearbooks, online catalogs, digital photo albums and more. Sign up and create your flipbook.