3 minute read

1.9 Ndotja e mjedisit

Fjalë kyçe:

ndotje e mjedisit, efekti “serrë”, shi acid

Advertisement

Pemë të thara nga shiu acid Si mendoni, pse gjatë stinës së dimrit, ajri në zonën tuaj është më i ndotur se gjatë verës?

Gjatë dimrit, për ngrohjen e shtëpive përdoren lëndë djegëse fosile, të cilat çlirojnë në atmosferë ndotës të ndryshëm. Po ashtu, makinat, fabrikat e uzinat lëshojnë në ajër lëndë ndotëse. Çdo ndryshim i përbërjes së ajrit, tokës dhe ujit quhet ndotje. Gjatë djegies së qymyrit, naftës dhe gazit natyror çlirohet sasi e madhe e ndotësve në ambient: në ajër, ujë dhe tokë.

SHIU ACID

Shiu acid

Këta ndotës, jo vetëm që dëmtojnë shëndetin e njeriut dhe të kafshëve, por ndikojnë edhe në shfaqjen e reshjeve acide, të cilat dëmtojnë fasadat e shtëpive, përmendoret, konstruksionet metalike etj. Formimi i shiut acid vjen si rezultat i gazeve që çlirohen në ajër, gjatë djegies së lëndëve fosile në fabrika, transport dhe banesa. Gazet e çliruara janë dyoksidi i squfurit dhe oksidet e azotit. Këto gaze, kur arrijnë retë, bashkohen me to dhe ndryshojnë përbërjen e shiut, duke e bërë më acide. Kur bie në tokë, ai largon lëndët ushqyese nga dheu. Mungesa e tyre dobëson bimët dhe pemët deri në tharje.

Efekti “Serrë”

Gjatë djegies së lëndëve fosile çlirohen kryesisht gaze si p.sh. dyoksidi i karbonit, metani etj., të cilat shkaktojnë ndryshimin e klimës dhe ngritjen e temperaturave në Tokë. Këto gaze (ndotëse) ndryshe quhen edhe “gazet serrë”, të cilat formojnë një shtresë në atmosferë, që lejon depërtimin e rrezeve të Diellit në Tokë, por nuk lejon daljen e tyre mbi sipërfaqen e saj. Por aktiviteti industrial i njeriut ka ndikuar negativisht në këtë fenomen, pasi ka shkaktuar rritjen e efektit “serrë”. Kështu, përdorimi i lëndëve djegëse, industria përpunuese, shpyllëzimi dhe rritja e popullsisë kanë sjellë rritje të sasisë së dyoksidit të karbonit dhe të oksideve të azotit në atmosferë.

Dyoksidi i karbonit luan rolin e një batanijeje që mban ngrohtë, por sasia e tij e lartë, e rrit më shumë temperaturën, gjë që ka sjellë ngrohjen globale. Si pasojë e ngrohjes globale, sot po ndodh më shpejt shkrirja e akullnajave në pole dhe në male të larta, në disa pjesa të planetit ka vërshime ujërash, kurse në pjesë të tjera, thatësira. Nëse nuk ndërmerren masa kundër ndryshimeve klimatike, pasojat do të jenë shkatërrimtare dhe të pakthyeshme, deri në zhdukje të qytetërimit njerëzor. Për të zvogëluar ngritjen e temperaturave nga djegia e lëndëve fosile duhet të përdoren burime të tjera energjie, si: energjia e ujit, erës, diellit etj.

Veprimtari

Mjetet e nevojshme

Laps dhe letër

a. Çfarë e shkakton ndotjen e mjedisit jetësor? Jep shembuj konkretë. b. Si ndikon ndotja në mjedisin tonë? c. Si formohet shiu acid dhe çfarë dëmesh shkakton në Tokë? d. Çfarë kupton me ngrohje globale? Jep disa arsye pse temperaturat në planetin

Tokë po rriten vazhdimisht.

a. Rendit disa veprimtari që mund të bëhen për të parandaluar ndotjen e mëtejshme të mjedisit. Jep shembuj specifikë dhe shpjego pse do të ishin të mira për mjedisin tonë. b. Si mund të zvogëlohet sasia e shiut acid? Shkruaj dy rrugë që mund të sjellin këtë ndryshim. c. Hulumto rreth ndryshimeve që ka pësuar efekti “serrë” në 100 vitet e fundit. Trego çfarë e ka shkaktuar këtë ndryshim.

Identifikimi i burimeve të ndotjes në vendbanimin tuaj. Hapat që duhen ndjekur

Nxënësit ndahen në dy grupe. 1. Grupi i parë bën një listë të burimeve të ndotjes së mjedisit nga lëndët fosile në zonën e tyre. 2. Grupi i dytë bën një listë me efektet negative të ndotjes së mjedisit. 3. Nxënësit bëjnë prezantimin e hulumtimeve të tyre.

This article is from: