Odiseja e nje Detektivi 1

Page 191

Zefin me një grup shokësh që po shkonin ngadalë drejt tyre, oficeri i rojës hoqi kaskën plastike dhe foli me një megafon: — Të burgosur, hiqni dorë prej marrëzive sa nuk është tepër vonë. Në qoftë se situata rëndohet, ne do të detyrohemi ta shtypim revoltën me dhunë. Atëherë përgjegjësia juaj do të jetë e rëndë dhe do të gjykoheni e do të dënoheni për këtë. Le të vijnë vetëm tre nga ju përbrenda portës që të merremi vesh. Të tjerët të qëndrojnë aty. — Me kusht që edhe ju të jeni vetëm tre nga ana tjetër e portës – thirri Zefi. – Të tjerët të qëndrojnë në të njëjtën distancë prej portës si shokët tanë. Pasi u këshillua me kolegët e tij, oficeri i rojës e pranoi kushtin. Bisedimet qenë të shkurtra, marrëveshja u arrit dhe Zefi me dy të tjerët u kthyen tek shokët. Sipas marrëveshjes, të gjithë të burgosurit duhej të hynin në mensë, ku do të vinte oficeri i rojës me tre kolegë dhe pesë policë të DP të Brendshme të Pukës. Ushtarakët e tjerë duhej të qëndronin tek zyrat e komandës së kampit. Të burgosurit që nuk kishin realizuar normën e detyruar në minierë do t‘i fusnin në birucë, pa i torturuar. Nuk do të merrej asnjë masë ndëshkimore ndaj Zefit dhe shokëve të tij. Të burgosurit e turnit të tretë, të cilët ishin akoma esëll, do të hanin mëngjes dhe gjithçka do të normalizohej. Mbasi hyri në mensë me shoqëruesit e tij, oficeri i rojës u bëri thirrje të burgosurve ta harronin atë që ndodhi dhe të respektonin rregulloren e brendshme të kampit si gjithmonë. Pastaj Zefi u bëri thirrje të burgosurve që nuk e kishin realizuar normën në minierë që të dilnin jashtë dhe t‘iu dorëzoheshin pesë policëve, të cilët do t‘i shoqëronin për në biruca. Mirëpo pas pak u dëgjuan britmat e tyre: policët po i torturonin. Të revoltuar prej pabesisë, Zefi dhe shokët e tij sulmuan oficerët, të cilët dolën me vrap nga mensa. Kur turma e të burgosurve doli jashtë, sheshi midis mensës dhe fjetoreve ishte i mbushur plot me ushtarakë, të cilët po torturonin të shtatë të burgosurit që kishin dalë prej mensës sipas marrëveshjes. Përleshja qe e pamëshirshme. Një duartrokitje e fortë e të burgosurve pasoi ikjen me vrap të ushtarakëve të thyer e të frikësuar. Me britma e të qeshura, të burgosurit u shpërndanë në gjithë territorin e kampit të braktisur prej forcave policore. Një çerek ore më vonë, njëri prej oficerëve të komandës goditi me revole që nga jashtë rrethimit mbi një grup të burgosurish. Plumbi plagosi në shpatull të burgosurin Kostandin Gjordeni. Në të njëjtin çast, truprojet e rrethimit filluan të hapnin zjarr me radhë për të frikësuar të burgosurit, që të mos t‘i afroheshin rrethimit. Trembeshin nga ndonjë mësymje masive mbi truprojet, për t‘iu marrë armët. Helikopteri u duk përsëri, më ulët se herën e fundit. Të burgosurit u bënë zotër të ferrit të tyre. Po ç‘mund të bënin me të? Një grup të burgosurish po fshinin citatet e diktatorit të shkruara në fasadën e godinave. Disa të tjerë hapën me forcë derën e bibliotekës së kampit dhe nxorën prej andej veprat e diktatorit. I çuan tek sheshi dhe u vunë zjarrin, me shpresë se ishin duke djegur diktaturën.


Issuu converts static files into: digital portfolios, online yearbooks, online catalogs, digital photo albums and more. Sign up and create your flipbook.