
6 minute read
REKOMANDIMEVE TË “PROGRES RAPORTIT“ TË BE-SË PËR SHQIPËRINË
from Raporti Vjetor 2021
by AIDSSH
RESPEKTIMI DHE PLOTËSIMI 03 I DETYRIMEVE NDËRKOMBËTARE, PËRMBUSHJA E REKOMANDIMEVE TË “PROGRES RAPORTIT“ TË BE-SË PËR SHQIPËRINË
Detyrimet ndërkombëtare
Advertisement
Shqipëria dhe institucionet e saj janë angazhuar për forcimin e sistemit të drejtësisë dhe të drejtave të njeriut, nëpërmjet ratifikimit të traktateve ndërkombëtare e rajonale dhe përfshirjes së saj në Programin e Zhvillimit të Kombeve të Bashkuara 2030.
Konventa Ndërkombëtare për të Drejtat Qytetare dhe Civile dhe Konventa Europiane për të Drejtat e Njeriut njohin barazinë përpara ligjit dhe elementë të tjerë kyç që forcojnë sistemin e drejtësisë.
Që në themelimin e tij, në 2017 e në vijim, Autoriteti e mbështeti veprimtarinë e vet në frymën e rezolutave ndërkombëtare që trajtojnë trashëgiminë e së shkuarës, si Rezoluta e Parlamentit Europian “Mbi ndërgjegjen europiane dhe totalitarizmin” (2009), Deklarata e Pragësn“Mbi ndërgjegjen europiane dhe komunizmin” (2008), Rezoluta 1096 (1996) e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës “Masat për të çrrënjosur trashëgiminë e sistemeve totalitare komuniste”, Rezoluta 1481 (2006) e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës “Domosdoshmëria për dënimin ndërkombëtar të krimeve të regjimeve totalitare komuniste” si dhe Rezoluta më e fundit e Parlamentit Europian mbi rëndësinë e një kujtese të përbashkët europiane (2019), të njohura nga Kuvendi i Shqipërisë.
Në vijim të tyre u miratua Rezoluta nr.11 “Për dënimin e krimeve të kryera nga regjimi komunist në Shqipëri” (2006) dhe Rezoluta “Për dënimin e krimeve të komunizmit ndaj klerit, si dhe mirënjohjen e veçantë për rolin dhe veprimtarinë e klerikëve në mbrojtje të vlerave demokratike dhe të drejtave dhe lirive themelore të njeriut” (2016), pas miratimit të ligjit nr.45/2015, i ndryshuar.
Kombet e Bashkuara
Programi i Zhvillimit të Kombeve të Bashkuara, me objektivin 16, të zhvillimit të qëndrueshëm, synon shoqëri gjithëpërfshirëse dhe që jetojnë në paqe, institucione efektive e të besueshme dhe akses në drejtësi, si elementë thelbësorë për zhvillimin. Ka pasur përshtatje të objektivave sa i takon mirëqeverisjes e sundimit të ligjit, si dhe përballjes me pandeminë.
Edhe gjatë vitit 2021, Autoriteti ka kontribuar në përmbushjen e rekomandimeve të Grupit të Punës të OKB-së për Personat e Zhdukur (WGEID), ku Kombet e Bashkuara pohojnë për Shqipërinë se, forcimi i ligjit nëpërmjet rritjes së kapaciteteve në institucionet e drejtësisë dhe përmirësimit të proceseve të drejtësisë tranzicionale, ndihmon sigurimin e së vërtetës, e ridimensionon atë dhe u jep zë viktimave, elemente që vënë themelet për zhvillim të qëndrueshëm dhe paqe në shoqëri: “Pa paqe, stabilitet, respektim të të drejtave të njeriut dhe qeverisje efektive, të mbështetur në sundimin e ligjit, nuk mund të shpresohet për zhvillim të qëndrueshëm, në një botë me shoqëri të polarizuar, ku vijojnë ciklet e konflikteve dhe dhunës.
Secila prej tyre duhet trajtuar dhe zgjidhur, si bashkëpunim i institucioneve me komunitetet, duke mbrojtur më të dobëtit, forcuar zbatimin e
ligjit dhe mbështetur respektimin e të drejtave të njeriut, si elementë kyç të procesit”.
Kontributi i Autoritetit në përmbushje të misionit për mbrojtjen e interesit publik dhe sigurisë kombëtare, pajtimit dhe unitetit kombëtar, ligjshmërisë, informimit të publikut me informacionin zyrtar dhe mbrojtjes së të drejtës për jetë private dhe të dhënave personale, në kuadër të transparencës dhe bashkëpunimit midis institucioneve shtetërore, në zbatim të detyrimeve kombëtare dhe ndërkombëtare, ka qenë i ndjeshëm përgjatë 2021 dhe ilustrohet në raport.
Bashkimi Europian
Në raportin e progresit 2021 të Komisionit Europian për Shqipërinë theksohet rëndësia e proceseve të zbatimit të reformës në drejtësi, mes të cilave vlerësimi i figurës së gjyqtarëve dhe prokurorëve (vetingu).
Pavarësisht vonesave që solli pandemia, më shumë se 437 dosje funksionarësh janë kaluar nga institucionet e vetingut, ku rivlerësimi i funksionarëve të lartë dhe krijimi i organeve të sistemit të vetingut ka prodhuar rezultate konkrete dhe të besueshme.
Sipas raportit 2021, ka pasur progres në zbatimin e reformës në drejtësi.
Në këtë kuadër, Autoriteti ka detyrimin ligjor të verifikimit të pastërtisë së figurave të zyrtarëve të lartë, proces ku përfshihen shumë institucione. 2.189 kandidatë janë verifikuar nga Autoriteti, 2.118 rezultojnë pa dokumente, ndërsa 71 rezultuan në dokumente të ish-Sigurimit të Shtetit si bashkëpunëtorë, ose punonjës të strukturave të ish-Sigurimit, ose anëtarë trupi gjykues në procese politike që lidhen me fushën e veprimit të ligjit nr. 45/2015 i ndryshuar.
Në vijim, në raportin e progresit 2021, në kapitullin “E drejta për jetën”, faqe 28, citohen ndryshimet ligjore të miratuara nga Kuvendi i Shqipërisë në ligjin “Për të drejtën për informim mbi dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë”.
Sipas raportit të progresit 2021, “aktet nënligjore të lidhura me këto ndryshime pritet në ndërmerren për zbatimin e këtij ligji”.
“Gjatë periudhës së raportuar, zyrat e prokurorëve dështuan të kryejnë ndonjë hetim “ex officio” (kryesisht), për raste të personave të zhdukur gjatë regjimit komunist,” shkruhet në raport.
“Zgjidhja e rasteve ka mbetur e ulët, pjesërisht për shkak të mungesës së kapaciteteve dhe burimeve,” citon raport i progresit 2021.
“Vullnet politik nevojitet për të krijuar mekanizëm efikas bashkëpunimi mes institucioneve përkatëse për të përforcuar ndërgjegjësimin e publikut mbi këtë çështje,” vëren Komisioni Europian.
Qeveria Shqiptare dhe ICMP, Komisioni Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur, nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi në 2018, në vijim
të rekomandimeve të Grupit të OKB-së për personat e zhdukur (WGEID). Marrëveshja u ratifikua në nëntor 2018 nga Kuvendi, duke e lejuar ICMP të fillonte mbledhjen e mostrave të ADN-së, me mbështetjen financiare të BE.
Në gusht 2020, Autoriteti dhe ICMP firmosën marrëveshjen teknike të bashkëpunimit nr. 831/11, për projektin “Rritja e ndërgjegjësimit të publikut për drejtësinë tranzicionale dhe të pajtimit: të zhdukurit në komunizëm”, 2020-2022, i mbështetur nga Bashkimi Europian dhe Ambasada e Zvicrës në Shqipëri.
Gjatë 2021, projekti kontribuoi ndjeshëm në ngritjen e çështjes së të zhdukurve në çështje të ditës, në të gjithë vendin dhe bërë bashkë familjarët me institucionet.
Në vijim, AIDSSH i mbetet të kryejë rolin e vet koordinues mes institucioneve, pushtetit vendor dhe familjeve, në zbatim të VKM që pritet të miratohet, sa i takon proceseve për hetimin dhe identifikimin e të zhdukurve gjatë regjimit komunist në Shqipëri.
Zbatimi i rekomandimeve nga Autoriteti
Kuvendi i Shqipërisë, në bazë të ligjit 45/2015, i ndryshuar me ligjin nr. 114/2020, datë 29.7.2020, e vendosi institucionin e Autoritetit si një nga institucionet shqiptare që japin kontribut për identifikimin dhe rikuperimin e trupave të zhdukur gjatë komunizmit.
Bazuar në rekomandimet dhe detyrat funksionale që i ngarkon ligji 45/2015 i ndryshuar, Autoriteti është angazhuar aktivisht dhe ka bashkëpunuar me institucione të tjera publike në vend, Institutin e Integrimit të të Përndjekurve Politikë, Prokurorinë e Përgjithshme, Ministrinë e Brendshme, Policinë e Shtetit, Ministrinë e Drejtësisë, Institutin e Mjekësisë Ligjore, Institutin e Arkeologjisë, pushtetin lokal dhe familjet, me mbështetjen e faktorit ndërkombëtar, Prezenca e OSBE-së në Tiranë, BE dhe KAS në Shqipëri, duke dhënë kontribut konkret në sigurimin e informacionit dokumentar të lidhur me të ekzekutuarit me apo pa gjyq gjatë regjimit komunist.
Po ashtu, institucioni ka lobuar në ngritjen në nivelet më të larta të çështjes së të zhdukurve në komunizëm, me institucione publike e ndërkombëtare, për avancim të kërkimeve.
Veprimtaria ligjore e Autoritetit, si dhe komunikimi i gjetjes së të dhënave apo produkteve të dedikuara mbi të pagjeturit e komunizmit, - e bazuar në nenin 22/1 të ligjit 45 /2015, i ndryshuar, - u përshkallëzua përgjatë 2021, me tryeza ndërinstitucionale brenda dhe jashtë vendit, me institucionet e përfshira.
Marrëveshja dypalëshe me Policinë e Shtetit i paraprin marrëveshjeve me institucionet qendrore dhe vendore në Republikën e Shqipërisë, në kuadër të bashkëpunimit dhe bashkërendimit të punës për identifikimin dhe rikuperimin e trupave të atyre që u zhdukën ose u ekzekutuan gjatë regjimit komunist, (informacioni i plotë në kapitullin 4 për Zbatimin e Rezolutës së Kuvendit për vitin 2021, seksioni për të zhdukurit dhe bashkëpunimin institucional).