Historiku i bankave ne shqiperi

Page 76

IV. Ristrukturimi dhe privatizimi i bankave shtetërore Edhe pse me hartimin e paketës së re ligjore u bënë ndryshime të rëndësishme për zhvillimin e sektorit bankar, një problem mbeti i pazgjidhur. Bankat shtetërore në librat e tyre mbartnin të gjithë portofolin e kredive dhënë ndërmarrjeve shtetërore, disa prej të cilave nuk ekzistonin më. Midis paraqitjes në libra dhe faktit real kishte mospërputhje. Kjo kërkonte plotësimin e aktivit të bilancit me mjete të reja, që do të balanconin realisht detyrimet. Lindi kështu problemi i pastrimit të librave të bankave shtetërore, proces i cili u konsiderua si pjesë e ristrukturimit dhe rikapitalizimit të bankave shtetërore. Për këtë qëllim, në fund të vitit 1992, Qeveria pranoi t’u falte ndërmarrjeve shtetërore borxhin e krijuar para Korrikut 1992 nëpërmjet emetimit të obligacioneve nga ana e Ministrisë së Financave për të zëvendësuar 4.3 miliardë lekë të shumës së kredive pa shpresë arkëtimi të regjistruara në librat e Bankës Kombëtare Tregtare (BKT). Me zhvillimin e reformave ekonomike dhe procesit të privatizimit masiv në periudhën 1994 – 1996, u bë e nevojshme që ky proces te shtrihej edhe në fushën e sektorit bankar. Në vitin 1996, bankat tregtare me kapital shtetëror dominonin tregun bankar, duke qenë se mbi 90 për qind e aktivitetit të krejt sektorit bankar zhvillohej prej tyre. Nga ana tjetër, problemet e trashëguara nga periudha e ndërmarrjeve shtetërore dhe ato të krijuara rishtazi gjatë viteve të para të ekonomisë së tregut të lirë, dëshmonin se bankat shtetërore nuk mund të kryenin me sukses rolin e tyre ndërmjetësues, pa u shkëputur nga metodat e vjetra, pa një mënyrë të re të drejtimit, në kushtet e riskut të plotësimit të treguesit të kapitalit dhe në mungesë të plotë të teknologjisë dhe të infrastrukturës së nevojshme për garancinë operacionale. Dokumenti më i rëndësishëm i miratuar për procesin e privatizimit të bankave shtetërore është vendimi i Këshillit të Ministrave nr. 655, datë 23 shtator 1996, “Për miratimin e strategjisë së privatizimit të bankave shtetërore”. Ky dokument përcaktoi objektivat afatshkurtra dhe afatmesme të qeverisë për privatizimin e bankave, rolin e qeverisë, të Bankës së Shqipërisë dhe të vetë bankave, metodat e shitjes se bankave, fazat e detajuara të procesit të privatizimit, konsideratat për formulën dhe radhën e privatizimit, si dhe drejtuesit dhe këshilltarët e këtij procesi. Strategjia e privatizimit të bankave shtetërore kërkonte që ky proces të paraprihej nga rregullimi i kuadrit ligjor si fazë e parë dhe, më pas, si fazë e dytë, nga përgatitja e bankave për privatizim. Kështu, si banka e parë për t’u privatizuar u përcaktua Banka Tregtare Agrare, e ndjekur nga Banka Kombëtare Tregtare dhe, më pas, nga Banka e Kursimeve. Privatizimi tërësor i këtyre bankave duhej të realizohej brenda vitit 2000. Procesi do të drejtohej nga Ministria e Financave dhe nga Ministria e Privatizimit, në bashkëpunim me bankat që do të privatizoheshin, me këshilltarët e huaj dhe me Bankën e Shqipërisë.

76 | Historiku i Bankave në Shqipëri


Issuu converts static files into: digital portfolios, online yearbooks, online catalogs, digital photo albums and more. Sign up and create your flipbook.