Shëmbëlltyra e Mbjellësit Mateu 13:1-23 1 Po atë ditë, Jezusi doli nga shtëpia dhe u ul pranë detit. 2 Dhe turma të mëdha u mblodhën rreth tij, kështu që ai hipi në një barkë dhe u ul; dhe gjithë turma qëndroi në këmbë në breg. 3 Dhe ai u foli shumë gjëra atyre në shëmbëlltyra, duke thënë: “ Ja, një mbjellës doli për të mbjellë; 4 Dhe kur mbillte, disa fara ranë përgjatë rrugës dhe zogjtë erdhën dhe i hëngrën. 5 Disa ranë në vende shkëmbore, ku nuk kishte shumë tokë, dhe mbinë menjëherë, sepse nuk kishin thellësi toke. 6 Dhe kur doli dielli, u dogjën; dhe meqenëse nuk kishin rrënjë, u thanë. 7 Dhe disa ranë midis gjembave; dhe gjembat u rritën dhe i mbytën. 8 Kurse të tjera ranë në tokë të mirë dhe dhanë fryt, njëra njëqindfish, tjetra gjashtëdhjetëfish dhe tjetra tridhjetëfish. 9 Kush ka veshë për të dëgjuar, le të dëgjojë. 10 Atëherë dishepujt iu afruan dhe i thanë: “Pse u flet atyre me shëmbëlltyra? 11 Ai u përgjigj dhe u tha atyre: “ Sepse juve ju është dhënë të njihni misteret e mbretërisë së qiejve, ndërsa atyre nuk u është dhënë. 12 Sepse atij që ka, do t’i jepet dhe do të ketë me bollëk; por atij që nuk ka, do t’i merret edhe ajo që ka. 13 Prandaj unë u flas atyre me shëmbëlltyra, sepse ata, duke parë, nuk shohin; dhe duke dëgjuar, nuk dëgjojnë as nuk kuptojnë. 14 Dhe në to përmbushet profecia e Isaisë, që thotë: “Duke dëgjuar do të dëgjoni, por nuk do të kuptoni; dhe duke parë do të shihni, por nuk do të dalloni. 15 Sepse zemra e këtij populli është ngurtësuar, dhe veshët e tyre janë të rënduar nga dëgjimi, dhe sytë e tyre janë mbyllur, që të mos shohin me sy, të mos dëgjojnë me veshë, të mos kuptojnë me zemër, të mos kthehen dhe unë t’i shëroj. 16 Por të bekuar janë sytë tuaj, sepse shohin; dhe veshët tuaj, sepse dëgjojnë. 17 Sepse në të vërtetë po ju them se shumë profetë dhe njerëz të drejtë kanë dëshiruar të shohin ato që shihni ju, por nuk i kanë parë; dhe të dëgjojnë ato që dëgjoni ju, por nuk i kanë dëgjuar. 18 Dëgjoni, pra, shëmbëlltyrën e mbjellësit. 19 Kur dikush dëgjon fjalën e mbretërisë dhe nuk e kupton, vjen i ligu dhe i rrëmben atë që ishte mbjellë në zemrën e tij. Ky është ai që mori farën përgjatë rrugës. 20 Por ai që ka marrë farën në vende me gurë, është ai që e dëgjon fjalën dhe e pranon menjëherë me gëzim; 21 Megjithatë, nuk ka rrënjë në vetvete, dhe është për njëfarë kohe; sepse kur vjen mundimi ose përndjekja për shkak të fjalës, menjëherë skandalizohet.
1
22 Ai që ka marrë farën midis gjembave është ai që e dëgjon fjalën; por shqetësimet e kësaj bote dhe mashtrimet e pasurisë e mbytin fjalën dhe ajo bëhet e pafrytshme. 23 Por ai që ka marrë farën në tokë të mirë është ai që e dëgjon fjalën dhe e kupton; ai jep fryt dhe jep fryt: njëri njëqindfish, tjetri gjashtëdhjetëfish dhe tjetri tridhjetëfish.
Marku 4:1-20 1 Ai filloi përsëri të mësonte pranë detit; dhe rreth tij u mblodh një turmë e madhe, kështu që ai hipi në një barkë dhe u ul në det, ndërsa gjithë turma ishte pranë detit në tokë. 2 Dhe ai u mësonte shumë gjëra me anë të shëmbëlltyrave dhe u thoshte atyre në mësimin e tij: 3 Dëgjoni! Ja, doli një mbjellës për të mbjellë. 4 Dhe ndodhi që, ndërsa mbillte, një pjesë ra përgjatë rrugës dhe zogjtë e qiellit erdhën dhe e hëngrën. 5 Një pjesë tjetër ra në tokë gurore, ku nuk kishte shumë dhe; dhe mbiu menjëherë, sepse dheu nuk ishte i thellë. 6 Por kur doli dielli, u dogj; dhe meqenëse nuk kishte rrënjë, u tha. 7 Dhe një pjesë ra midis gjembave; gjembat u rritën, e mbytën dhe ajo nuk dha fryt. 8 Kurse të tjera ranë në tokë të mirë dhe dhanë fryt që mbiu dhe u rrit; dhe dhanë fryt, njëra tridhjetë, tjetra gjashtëdhjetë dhe tjetra njëqind. 9 Dhe ai u tha atyre: “ Kush ka veshë për të dëgjuar, le të dëgjojë.” 10 Dhe kur mbeti vetëm, ata që ishin përreth tij bashkë me të dymbëdhjetët e pyetën për shëmbëlltyrën. 11 Dhe ai u tha atyre: “ Juve ju është dhënë të njihni misterin e mbretërisë së Perëndisë; por atyre që janë jashtë, të gjitha këto gjëra u tregohen me shëmbëlltyra. 12 që të shohin, por të mos shohin; dhe të dëgjojnë, por të mos kuptojnë, që të mos pendohen ndonjëherë dhe mëkatet e tyre të falen. 13 Dhe ai u tha atyre: “ Nuk e kuptoni këtë shëmbëlltyrë? Po si do t’i kuptoni atëherë të gjitha shëmbëlltyrat? 14 Mbjellësi mbjell fjalën. 15 Këta janë ata përgjatë rrugës, ku mbillet fjala; por kur e dëgjojnë, vjen menjëherë Satani dhe ua heq fjalën e mbjellë në zemrat e tyre. 16 Edhe këta janë ata që mbillen në tokë gurishtore; të cilët, kur e dëgjojnë fjalën, e pranojnë menjëherë me gëzim; 17 dhe nuk kanë rrënjë në vetvete, dhe janë të tillë vetëm për njëfarë kohe; pastaj, kur vjen mundimi ose përndjekja për shkak të fjalës, skandalizohen menjëherë. 18 Dhe këta janë ata që janë mbjellë midis gjembave; ata që e dëgjojnë fjalën, 19 Dhe shqetësimet e kësaj bote, mashtrimet e pasurisë dhe epshet e gjërave të tjera që hyjnë, e mbytin fjalën dhe ajo bëhet e pafrytshme. 20 Dhe këta janë ata që mbillen në tokë të mirë; ata që e dëgjojnë fjalën, e pranojnë dhe japin fryt: njëri tridhjetë, tjetri gjashtëdhjetë dhe tjetri njëqind.
Luka 8:4-15 4 Kur u mblodh një numër i madh njerëzish nga çdo qytet dhe erdhën tek ai, ai u tha atyre një shëmbëlltyrë: 5 Një mbjellës doli të mbjellë farën e vet; dhe, ndërsa mbillte, një pjesë ra gjatë rrugës; u shkel dhe zogjtë e qiellit e hëngrën. 6 Disa ranë mbi shkëmb dhe, sapo mbinë, u thanë sepse nuk kishin lagështi. 7 Dhe një pjesë ra midis gjembave; dhe gjembat u rritën bashkë me të dhe e mbytën. 8 Kurse të tjera ranë në tokë të mirë, mbinë dhe dhanë fryt njëqindfish. Dhe, si i tha këto gjëra, thirri: “ Kush ka veshë për të dëgjuar, le të dëgjojë.” 9 Dhe dishepujt e tij e pyetën, duke thënë: “Çfarë mund të jetë kjo shëmbëlltyrë?” 10 Dhe ai tha: “ Juve ju është dhënë të njihni misteret e mbretërisë së Perëndisë; por të tjerëve me anë të shëmbëlltyrave, që, duke shikuar, të mos shohin dhe, duke dëgjuar, të mos kuptojnë.” 11 Tani shëmbëlltyra është kjo: Fara është fjala e Perëndisë. 12 Ata përgjatë rrugës janë ata që dëgjojnë; pastaj vjen djalli dhe ua heq fjalën nga zemrat e tyre, që të mos besojnë dhe të mos shpëtohen. 13 Ata mbi shkëmb janë ata që, kur dëgjojnë, e pranojnë fjalën me gëzim; por këta nuk kanë rrënjë, besojnë për njëfarë kohe, por në kohën e tundimit tërhiqen. 14 Dhe ato që ranë midis gjembave janë ata që, kur e dëgjojnë fjalën, shkojnë dhe mbyten nga shqetësimet, pasuritë dhe kënaqësitë e kësaj jete, dhe nuk japin fryt të përsosur.
2
15 Por ato që janë në tokë të mirë janë ata që, pasi e kanë dëgjuar fjalën, e ruajnë në zemër të ndershme dhe të mirë dhe japin fryt me durim.
3