2 ditë dinamike me sipërmarrësit në konkursin e #GO2Innovation
Një nga çastet e fundit të ditës së dytë të komunikimit mes jurisë dhe sipërmarrësve: 7 Prill 2020
Përfundon me sukses konkursi i sipërmarrjeve në #GO2Innovation. Pas zgjedhjes së bëri juria teknike, duke çuar në fazën e dytë 42 nga 60 sipërmarrjet që aplikuan në fazën e parë, ishte radha e jurisë së ekspertëve që të merrte në intervistë secilin sipërmarrës. Për shkak të ndalimqarkullimit ndërmjet qendrave të banuara, intervistat u realizuan përms videos, në platformën Zoom. Të ndarë në 5 grupe, sipërmarrësit prezantuan në formatin “online pitching” idetë për të cilat erdhën deri në këtë fazë. Procesi i intervistimit, sikurse edhe ai i konkurrimit me Kartelën e Sipërmarrjes, ishte krejtësisht transparent dhe i drejtë, sepse të gjithë sipërmarrësit ishin të lidhur me video dhe audio gjatë prezantimin të secilit sipërmarrës të atij grupi ku ata bënin pjesë. Juria e ekspertëve përbëhej nga Pezana Rexha, Alda Dhamo, Xaira Kastrati, Shkëlzen Marku dhe Gojart Smaja. Kriteret e vlerësimit ishin bërë publike më herët: • Aftësitë e Sipërmarrësit 3 pikë • Oferta - Produketet/Shërbimet Kryesore 3 pikë • Kërkesa - Tregu dhe Konkurrenca 3 pikë • Risia që Sjell Sipërmarrja 1 pikë. 6 dhe 7 Prilli ishin ditë të ngarkuara për jurinë dhe #GO2Innovation në rolin e organizatorit, sepse duhej kurorëzuar një volum i madh pune i nisur një javë më parë, përmes telefonatave, njoftimeve me sms dhe media sociale, udhëzimeve me email dhe me video për 42 sipërmarrësit. Ditën e parë, të Hënën u intervistuan 20 sipërmarrës, të ndarë në tre grupe: Grupi i parë në orën 09.00 ishte ai i biznesit të madh me 6 sipërmarrës, e menjëherë pas tij, grupi i artizanatit me 5 sipërmarrës. Pas drekës, puna vijoi përsëri me një grup të madh - atë të agroturizmit, më 9 sipërmarrës. Ndërsa dita e Martë kishte dy grupe: në mëngjes grupi më i madh, ai i start up-eve me 12 sipërmarrës dhe në pasdreke grupi i fundit, i turizmit me 10 sipërmarrës. Gjeografia e sipërmarrësve ishte tejet e gjerë dhe përfshinte përveç 5 bashkive të Qarkut: Shkodrën, Pukën, Malësinë e Madhe, Vau Dejësin dhe Fushë-Arrëzin - edhe Tiranën dhe Tropojën. Pas prezantimit prej 5 minutash, sipërmarrësit u pyetën për rreth 10 minuta nga anëtarët e jurisë, në prani edhe të
një publiku mjaft të madh në numër, partnerë të projektit #GO2innovation dhe të tjerë të ftuar nga organizatorët për të ndjekur seancat e “online pitching”. Në total, këto dy ditë intervistash të fazës së dytë të konkursit në #GO2Innovation rezultuan në mbi 14 orë prezantime, intervista dhe bashkëbisedime mes sipërmarrësve dhe jurisë. Përmes një komunikimi jashtëzakonisht pozitiv dhe frytëdhënës, sipërmarrësit ndanë me kolegët e tyre dhe me anëtarët e jurisë jo vetëm përvojat dhe vizionin, por edhe emocione të shumta. Pasioni për të ecur përpara dhe konfuzioni për të qartësuar produktin dhe klientin, përmirësimi dhe çertifikimi i produktit ishin kryefjala e diskutimeve gjatë 5 sesioneve. U shpalosën përvoja të ndryshme që megjithatë takohen në disa pika: sipërmarrje familjare që gjenerojnë të ardhura për ekonomitë e vogla, marketimi i produkteve dhe shërbimeve, përmirësimi i cilësisë dhe çertifikimi, financimi në disa prej sipërmarrjeve, e njëkohësisht kontributi për të përmirësuar jetesën e komuniteteve ku jetojnë. E megjithëse ra në sy mungesa e sipërmarrjeve të teknologjisë, nuk munguan projekte për produkte e shërbime turistike të larmishme, e madje edhe ambicjet për themelimin e një organizate të menaxhimit të destinacionit (DMO). Dhe çfarë është më e rëndëishmja: Shumica e sipërmarrjeve konkurruese në #GO2Innovation drejtohen nga gra të reja, te cilat synojnë të krijojnë ekonomi familjare dhe vetëpunësim. Ndërkohë që gjysma e tyre janë nga zonat e thella rurale të Veriut, në mes të Alpeve Shqiptare. S.Petrela
Tavolina e punës së “regjisë” së Online Pitching në #GO2Innovation