8 minute read

Vivian HOXHA SHQIPËRIA PARA DHE PAS ’90: TË PËRBASHKËTA DHE DALLIME

SHQIPËRIA PARA DHE PAS ’90: TË PËRBASHKËTA DHE DALLIME

Vivian HOXHA Universiteti EPOKA Fakulteti i Drejtësisë dhe Shkencave Sociale Email: vhoxha17@epoka.edu.al

Advertisement

Si pasardhëse e prindërve që u rritën në një ambient shoqëror të influencuar nga komunizmi, procesi im i rritjes qe boll i njohur me stilin e jetesës komuniste të Shqipërisë së asaj kohe. Historitë që shpesh tregoheshin dhe me një sens karakteristik nostalgjie qe shoqëron çdo kujtim fëmijëror dukeshin fort të largëta nga jeta me të cilën u përballa unë. Koncepte të mos pasurit të një prone tënden dhe figura e madhe e shtetit në shumicën e aspekteve të jetës së atëhershme në kohët e sotme duket diçka shumë jashtë normales dhe ndoshta dhe fort e padëshiruar. Ama nga një perspektivë e mëvonshme, ku interesi për mënyrën se si shteti funksionon dhe se ç’rëndësi ka ai në shoqëri rritet, fillon të kuptosh se nuk është fort e lehtë të bësh diferencimin midis periudhës komuniste dhe asaj postkomuniste. Shpeshherë njeriu e mendon lehtësisht një periudhë të kaluar si diçka e prapambetur dhe e padëshiruar dhe periudhën në të cilën gjendet si shumë më të zhvilluar dhe me ndryshime pozitive, që e ndajnë këtë të fundit dukshëm nga e kaluara. Por nëse thjesht përpiqesh të shkosh përtej asaj çka përmenda pak më parë dhe provon të krahasosh dhe analizosh dy periudhat pak më në detaj arrin ndonjëherë përfundime ndoshta dhe jo fort të pëlqyeshme. Në mënyrë që të përçoj pikëpamjen time në një formë sa më rigoroze kam vendosur ta ndaj këtë ese sipas etapave të analizimit që më drejtuan në formimin e kësaj pikëpamjeje. Në librin e Karl Marksi-it për të dytën herë në histori, shoqëria u njoh me një teori e cila kërkonte të vendoste drejtësinë në botë. Për herë të parë libri “Utopia” flet pikërisht për një botë utopike, joreale, një botë ideale e cila idealisht fliste se si çdokush ishte i barabartë, njerëzit visheshin njësoj, jeta e tyre rridhte në të njëjtën mënyrë, askush nuk kishte nevojë për kënaqësi boshe dhe gjithkush jetonte i lumtur me parime të denja. Një shoqëri ku nevoja për një shtet ishte e pavend. Vite më vonë Karl Marksi nuk e quan më këtë botë “Utopi” dhe vendos ta bëje më të prekshme si ide duke e risjellë në formën e ideologjisë së “Marksizmit”. Dhe këtu

shoqëria përballet me krijimin e një pseudo-komunizmi i cili erdhi ndoshta dhe për faktin se në atë kohë diferenca midis “Socializmit” dhe “Komunizmit” nuk qe fort e qartë dhe kishte mjaft vend për interpretim në të dyja ideologjitë. Në pamje të parë një botë ku çdo njeri është i barabartë dhe ku askush nuk vuan për jetën e tij duket shumë e bukur për të qenë e vërtetë, dhe ashtu siç duket edhe është. Një Shqipëri e pasluftës përballet me dy grupe politike, njëri premton pasurimin e të varfërve ndërkohë që tjetri premton përafrimin drejt perëndimit. Një arenë prej së cilës del fitimtare Partia e Punës së Shqipërisë (gjithashtu e njohur dhe si Partia Komuniste). Një zhvillim që unë besoj se solli situatën në të cilën Shqipëria qëndron sot. Nuk janë lajme të padëgjuara më parë, fakti se si Partia Komuniste persekutoi shumë nga njerëzit e shkolluar që kishte Shqipëria, duke filluar ndoshta edhe me rastin e Qemal Stafës. Një shtet të cilit i mungon shtresa e njerëzve të mirë arsimuar të cilët janë të aftë mbi të gjitha të krijojnë opinione jo shumë të ndikuar nga shoqëria, është një shtet marionetë në duart e liderit të vet. Një lider i cili pak nga pak e çoi vendin drejt nje gjendjeje të nderë ekonomike, sociale dhe industriale. Mendoj se do ishte e tepërt të hyja më thellë ne shpjegimin e një nocioni mjaft të njohur tashmë. E kështu rikthehemi përsëri ne kohët tona postkomuniste. Në kohët në të cilat shteti shqiptar gjendet çuditërisht ne një tjetër gjendje të nderë. Ndryshe nga vitet 1941 ne nuk kemi më një Parti Komuniste në krye të shtetit dhe vendi nuk është më i izoluar nga pjesa tjetër e botës, por e kam të pamundur të mos arrij në përfundimin se shoqëria shqiptare është diagnostikuar me depresion klinik dhe jo vetëm. Një shoqëri e plogësht e cila duket t’i ketë humbur shpresat e lidhjes me perëndimin e shumëkërkuar. Në rritje e sipër kisha besimin e plotë se vendi në të cilin jetoja nuk kishte asnjë mundësi për t’u rikthyer në atë kishte qenë para viteve 1990, por kjo bindje nuk e ka më bazamentin e saj. Në shekullin XXI unë dalloj se si shoqëria jonë vazhdon të mos e dojë shtresën intelektuale. Për shumë njerëz ky konstatim do ishte ndoshta diçka e papranueshme, ofenduese ndoshta. Por në të vërtetë kur shikon sistemin shkollor shqiptar i cili pas edhe kaq shumë vitesh vazhdon të ngelet një epruvetë në laborator dhe nxënësit, kavje eksperimentale në mënyrë që shteti të provojë çdo vit nga një metodë të re mësimdhënie. E teksa profesioni i mësuesit vazhdon të ngelet i pavlerësuar dhe ambienti shkollor një ambient i cili promovon mbi të gjitha sjellje negative dhe dekurajuese, politikanët e Shqipërisë ngelen njerëz që mbi të gjitha kanë pasur lidhjet politike më të vlefshme në arritjet e tyre profesionale sesa aftësitë e duhura në drejtimin e shtetit. Shumica e njerëzve akademikisht të arrirë nuk e gjejnë veten në Shqipëri dhe detyrohen që ta krijojnë jetën e tyre diku gjetkë. Nga ana tjetër nuk shohim më situata ku shteti ka në pronësi çdo tokë ose shtëpi, por shohim centralizim të pronave, shohim biznese shqiptare të cilët çuditërisht zhduken me ndërrimin e partive politike dhe të tjerë qe duke mos qenë dhe aq të suksesshëm, me ardhjen e nje partie të re politike fillojnë papritmas të lulëzojnë. Dhe ndoshta Komunizmi kishte rëndom internimin në rast se spiunoheshe të kishe folur keq për partinë, në kohët ku jetojmë kemi heqjen dhe vënien në punë

73

në bazë të partisë në fuqi. Dhe ndoshta shteti nuk ka ngelur në vend numëro, por pavarësisht përpjekjeve tona e kemi të pamundur të bëjmë qoftë dhe një hap përpara drejt ëndrrës perëndimore. Por pavarësisht gjithë këtyre situatave, pse vallë konsiderohet komunizmi diçka kaq negative? Nëse është kaq e vështirë t’ia shkulësh rrënjët nga shoqëria, mos ndoshta nuk është dhe fort e keqe si forcë politike? Do marr kështu përsipër të flas për një kohë edhe më përtej “komunizmit shqiptar”, një kohë për të cilën besoj se nuk flitet mjaftueshëm në historinë e Shqipërisë. Përpara luftës së dytë botërore, Shqipëria u shpall monarki. Megjithëse që prej shpalljes si shtet i pavarur Shqipëria nuk u njoh si monarki, në 1928 presidenti i asokohe vendos të vetshpallet Mbret i Shqipërisë. Një model jo fort i pëlqyeshëm në kohën e tij, por dhe në kohët e sotme dhe megjithëse përdorimi i pushtetit nga ana e tij nuk qe më etik se përdorimi i pushtetit nga ana e Enver Hoxhës, i vetëshpalluri mbret i Shqipërisë, nuk e aneksoi vendin nga arena ndërkombëtare e as nuk e bëri popullin të vdiste urie nëpërmjet të ashtuquajturave reforma agrare të cilat gjithçka bënë ishte bllokimi total i mundësisë për zhvillim për bujkun shqiptar. Ndërkohë shpesh nëpër literaturë, Shqipëria e paraluftës përflitet të ketë pasur goxha zhvillim nga ana kulturore si dhe përçapje për zhvillim të mëtejshëm akademik. E pavarësisht gjithë ekspertëve që gjenden tani në zyrat e shtetit dhe gjithë investimeve të vazhdueshme, shteti shqiptar i kohëve të sotme e ka ende të pamundur të ketë me pak se 40 nxënës ne çdo klasë mësimore. Çka është e vërteta, megjithëse njerëzit tanimë kanë të drejtën e fjalës dhe shumë shprehin bindjet e tyre politike, të punësuarit në sektorin shtetëror nuk e kanë këtë “luks”. Fakti që puna e tyre rrezikohet nëse këta syresh dalin në protesta për të drejtat e tyre nuk ngjall revoltim ose habi në shoqërinë shqiptare. E kjo më risjell në teorinë e depresionit klinik që ka mbështjellë shoqërinë tonë. Një shoqëri e plogësht për të cilën liria e shprehjes dhe ajo politike nuk kanë fort rëndësi. Gati mund të thuhet se shoqërisë shqiptare i intereson vetëm liria ekonomike dhe përtej saj është totalisht e dekurajuar për të ndryshuar situatën politike në vend. Ndoshta sepse brezi i prindërve tanë janë përballur tanimë me nevojën për të financuar familjen e krijuar dhe pasardhësit e tyre janë rritur në një frymë ku kjo situatë është norma dhe për ta është më e lehtë të bëjnë përçapje për të hyrë në sistem sesa për ta ndryshuar sistemin. Ose ndoshta kjo situatë mund të vijë edhe si rezultat i një trashëgimie ku kryesorja ka qenë nevoja për mbijetesë, sesa nevoja për të dalë kundër asaj që nuk të pëlqen, dhe për rrjedhojë shumica e shoqërisë nuk ndryshojnë parimet e tyre për forcë zakoni. Në të gjitha situatat rezultati ngelet po i njëjtë dhe ky rezultat është çka ne po përballemi sot e kësaj dite. Një shtet i cili arriti të shohë protesta me në qendër mirëqenien e popullit e jo të politikanëve vetëm në këto vitet e fundit. Bazuar në këtë analizë, dal përsëri në përfundimin se Shqipëria e pas viteve 90’ dhe Shqipëria e para viteve 90’ nuk janë dhe aq të ndryshme nga njëra-tjetra. Ky është një përfundim fatkeq, i cili hedh poshtë mundin e protestës studentore

74

të 1990-1991 dhe e justifikon deri diku mos dëshirën e shoqërisë shqiptare për t’u përzier në rregullimin e gjendjes politike në vend. Për më tepër, jam e bindur se shqiptarët kanë një zakon të keq ku idealizojnë liderët e tyre dhe dështojnë në të kuptuarit e faktit se fuqia e vërtetë politike duhet të qëndrojë në duart e popullit, sepse nëse fuqia vendoset në duart e një lideri të cilin populli e idealizon, përfundimi ngelet i njëjtë, fuqia abuzohet siç dhe është provuar rëndom në histori. Mund të shkoj aq larg sa edhe të them se ka ardhur koha të kuptojmë se shteti duhet të marrë pozicion rregullatori më shumë se sa diktuesi. Dhe në përfundim të gjithë kësaj, vlen të thuhet se ndryshimi kryesor midis para dhe pas komunizmit është veçse fakti që individi që e ka të pamundur të gjej veten në këtë pseudo-shtet ka mundësinë e largimit legal në një vend tjetër.

This article is from: