
1 minute read
Buka është përsosmëri
Buka për shqiptarët nuk është vetëm bukë. Buka është hyjni, një zot femëror të cilës i lutemi, që çdokush ta ketë, askush mos të mbetet pa të, bardhësia e saj kurrë të mos mallkohet. “Pasha bukën!”, betohemi në shenjtërinë e saj si në perëndi. Gatimi i bukës është një mrekulli zejesh, e përcjellë brez pas brezi me shekuj.
Buka është mbijetesë, buka është punë, buka është jetë, begati dhe mikpritje. Universi ynë. Është gjithmonë me kore të fortë nga jashtë dhe me një butësi hyjnore të papërshkrueshme nga brenda; si shpirti i bardhë i një personi të mirë, sikur duart e nënës. E butë, si një re e bardhë qiellore. Përherë mbi tryezë, e mbështjellë me një leckë të bardhë të qëndisur në shtëpitë tona; ndërsa nëpër restorante, mensa studentore, pushimore, porositet nga dy herë gjithkund ku ulen shqiptarët për të ngrënë. Buka është përsosmëri. Si globi në të cilin jetojmë dhe kudo që shqiptarët udhëtojnë rreth tij, buka udhëton me ta. Si një lutje, si një gur i rëndë, një hajmali, një lamtumirë e fundit në valixhet e panumërta të mërgimtarëve tanë, e vendosur aty nga nënat dhe gjyshet: një puthje, një fjalë e pathënë, një lutje mbrojtëse, një lot; të gjitha janë të pjekura brenda me dashuri. Si një vulë apo stemë familjare, çdokush ka mënyrën e veçantë si e pjek dhe çfarë forme i jep bukës. Buka kurrë nuk hidhet, asnjë copëz e saj, dhe ndahet me butësi e kujdes, duke iu ofruar fëmijëve së pari. Mbi trohat e bukës nuk shkelet kurrë dhe ato zakonisht përfundojnë në prag të dritareve të panumërta për t’i ushqyer zogjtë. “A ke hangër bukë?”, më duket vetëm në shqip kjo pyetje ka kuptime të shumëfishta: nëse ke ngrënë drekë, darkë, mëngjes apo thjesht nëse ke uri. Nuk është kjo vetëm diçka që na ka lënë varfëria, jo, është një brumë lashtësie.
Advertisement
Buka është ekzistenca, buka është e përjetshme. E rrumbullakët dhe e përkryer sikur sofra, sikur rruzulli tokësor mbi të cilin jetojnë të shpërndarë si yje, miliona shpirtrash të mërgimtarëve tanë, të uritur për atdheun. Buka ndahet me mikun, me mysafirin. Buka i falet skamnorit. Nga Teuta Skënderi