
6 minute read
Kruja – Shtëpia e Skënderbeu
UDHËTIM KRUJA SHTËPIA E TRADITAVE DHE SKËNDERBEU
Përse duhet të vizitoni Krujën
Advertisement
Kruja është epiqendra e kombit shqiptar, aty ku Heroi Kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeu mbrojti për vite me radhë trojet e vendit nga pushtuesit osmanë. Muzeu Kombëtar i dedikuar heroit ndodhet në Kalanë e famshme të Krujës, e në të rrëfehet e gjithë historia e luftërave epike të tij. Kruja është e njohur dhe për Pazarin e saj, që krijon një urë perfekte mes të shkuarës së lavdishme të qytetit dhe të tashmes, duke ofruar produkte të vjetra apo prodhime artizanale të cilësisë së lartë. E nëse doni të admironi natyrën përreth apo të vizitoni një nga vendet e shenjta më të njohura të Shqipërisë, në Malin e Krujës do të gjeni Teqenë e Sarisalltikut, e do mund të shijoni panoramat që zgjaten deri në detin Adriatik.

Muzeu i Skënderbeut: Heroi që sfidoi Perandorinë Osmane
Nën këmbët e malit të Krujës gjenden rrënojat e kështjellës brenda të cilës ngrihet Muzeu Kombëtar “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” i njohur ndryshe dhe si Muzeu i Skënderbeut. Gjergj Kastriot Skënderbeu ishte udhëheqësi i një prej periudhave më të ndritura kombëtare, duke përbërë figurën rreth së cilës u brymos identiteti i shqiptarëve. Rikthimi i Skëndërbeut në Krujë, pas fëmijërisë së tij në Turqi, do ta ngjizte përjetë emrin e qytetit me Heroin.
Vepër e një grupi arkitektësh, me në krye Pirro Vason dhe Pranvera Hoxhën, ky muze ka tërhequr vizitorë qëkur u hap në nëntor të vitit 1982. Një element i rëndësishem frymëzues për arkitektët ishte platforma ideore hartuar nga Aleks Buda, kryetari i atëhershem i Akademisë të Shkencave të Shqipërise. Muzeu është konceptuar si memorial, ku arkitektura sinkronizohet me historinë dhe artet mesjetare. Për permbajtjen e tij, bashkë me arkitektët punuan një grup historianësh të udhëhequr nga Kristo Frashëri dhe një grup piktorësh të udhëhequr nga Bashkim Ahmeti.
Në qendër të muzeut është figura e Gjergj Kastriotit. Sapo hyn, përballesh me grupin skulpturor (altoreliev) të Skëndërbeut dhe trimave të tij, moment simbolik artistik i luftrave që udhëhoqi Heroi Kombëtar. Aty shfaqen në mënyrë artistike elementet e veshjeve dhe pajisjeve luftarake të kohës. Skënderbeu portretizohet në artin pamor të muzeut si luftëtari dhe burri i shtetit që udhëhoqi betejat. Ndërsa në pavionet e tjera ruhen dokumente, bibliografi origjinale, riprodhime që tregojnë historinë në shekullin e XV-të.
Muzeu tregon në mënyrë kronologjike dinamikën e jetës së principateve shqiptare, nëpërmjet objekteve prej qeramike, bronxi, hekuri e bakri, ikonave origjinale,

shpatave të kohës, deri edhe një këmbanë të vitit 1462. Afresket e lakuara në muret e muzeut frymëzonen nga arti bizantin. Aty shfaqen portretizime romantike që nga rikthimi i Skëndërbeut në Krujë deri tek glorifikimi i bashkimit të principateve. Muzeu i Skënderbeut është i pajisur me guidë në gjuhët shqip dhe anglisht duke i dhënë një impuls domethënës njohjes së heroit të shqiptarëve, figura e të cilit është bërë pjesë e bibliografive të njohura në botë dhe ka frymëzuar artistët shqiptarë.
Kalaja e Krujës: Simboli i qëndresës së një populli
Prej 15 shekujsh, Kalaja e Krujës qëndron mbi një kodër shkëmbore, dëshmitare e luftrave dhe e jetës së egër të qytetit të Krujës, një herë e një kohë, qendra e shtetit të Arbrit. Kalaja qëndron në 557 metra lartësi, e bukur dhe e pashembur ndonëse ka përballuar sulme të panumërta. Në një kohë kur perandoria osmane sundonte një pjesë të madhe të Evropës, duke përfshirë Konstantinopojën dhe Ballkanin, kalaja e Krujës mbeti e pamposhtur për një periudhë të gjatë. Ishte Gjergj Kastriot Skënderbeu ai, i cili e mbrojti këtë kala deri në vdekje! Pas revoltës së Skenderbeut në vitin 1443, kur ai ngriti edhe flamurin për herë të parë në 28 Nëntor, kjo kala vuajti sulme të rënda ndër vite por ajo gjendej gjithmonë e mbrojtur nga muret e saj dhe ushtria prej 3000-ve e Skënderbeut, duke u kthyer në kryefortesën e qendresës kundër pushtimit osman. Më në fund, ajo u mposht në vitin 1478 nga ushtria e Sultanit Mehmet II, plot 35 vjet pas revoltës së heroit kombëtar dhe vetëm 10 vjet pas vdekjes së tij. E ndërtuar në shekullin e 5-të, kjo kala mesjetare kish mbijetuar për 10 shekuj para hyrjes në skenë së perandorisë osmane e Skënderbeut por është pikërisht kjo pjesë e fundit e historisë që i jep këtij vendi madhështinë e tij.
Populli shqiptar identifikohet me historinë e kësaj kalaje, duke gjetur aty humbjet e sigurta por, mbi të gjitha, edhe fitoret e papritura të një

populli të vogël e të guximshëm. Midis gjurmëve të rrënojave brenda mureve të kalasë duket Kulla e Sahatit brenda së cilës gjendet këmbana që lajmëroi vdekjen e Skënderbeut. Sahati, i ndërtuar nga artizanët e Pazarit të Vjetër të Krujës, organizonte kohën e qytetit: hapjen e mbylljen e dyqaneve si dhe vaktet e lutjes. Fatkeqësisht, vendasit tregojnë se “Ora” e tyre nuk ekziston më që prej shekullit të kaluar, kur vendi ishte nën ushtrinë austro-hungareze.
Pranë kullës, ngrihet madhështor Muzeu Kombëtar “Gjergj Kastriot Skënderbeu”, i ndërtuar në fillim të viteve ’80, me arkitektë Pirro Vason dhe Pranvera Hoxhën. I përshtatur me ambientin e kalasë dhe peizazhin malor, ky muze kurorëzon madheshtinë e vendit. Tashmë, ai është ikonë e qytetit të Krujës. Brenda tij renditen ekspozitat e jetës së Skënderbeut dhe arritjet e tij si edhe kopjet e armëve të Skënderbeut: përkrenarja me kokën e dhisë dhe shpata e tij e famshme. Përballë muzeut shihen rrënojat e një kishe të dikurshme e cila, gjatë pushtimit osman, u kthye në xhami. I vendosur në pjesën jugore të kalasë, Muzeu Etnografik, një godinë karakteristike e viteve ‘700, dëshmon kulturën popullore së jetës në Kala si edhe vetë-mjaftueshmërinë e jetës brenda kalasë, me prodhimin shtëpiak të ushqimit, pijes, e veglave. Një tjetër monument është Teqja e Dollmës e cila, ndonëse e vogël, është foltore e besimit mysliman, që i takon gjysmës së parë të shekullit të 18-të. Pranë kësaj teqeje, dallohet silueta e tambureve të Hamamit të Kalasë me çatinë e bukur të shekullit të 15-të. Gjatë rrugës drejt kalasë, gjendet pjesë e pazarit 450-vjeçar të Krujës i cili, në kulmin e tij, mbante më shumë se 150 tregtarë. Tani, aty shiten objekte artizanale tradicionale dhe antike. E kështu me radhë, vendët e bukura e historike nuk mbarojnë në këtë qytet të vogël, simboli i guximit dhe vazhdueshmërisë së popullit shqiptar ndër shekuj.
Muzeu Etnografik i Krujës: Shtëpia e traditës së vërtetë
Muzeu Etnografik i Krujës ofron gjithçka për atë që ka kuriozitetin të shohë se si shekujt përplasen me njëri-tjetrin në kulturën popullore. Guida e këtij muzeu është një ndër personalitet më interesantë të vendit, falë njohurisë së tij për traditën e Krujës por edhe talentit të tij në tregimin e saj. E treguar nga ai, historia do të duket si përrallat që, një herë e një kohë, tregonin gjyshet tona. Në këtë muze, ndihesh si në shtëpi!
I ndërtuar gjatë viteve ‘700, ky muze është vlerësuar si një ndër banesat më të veçanta në Ballkan. Një godinë e bardhë tre-katëshe me një kullë të vendosur në mes, e hapur në dy krahët me dritare të mëdha e të vogla të gdhendura mjeshtërisht dhe me shkallët e