
1 minute read
Tri “R-të” e rëndësishme
TRI “R-TË” E RËNDËSISHME— REDUKTIMI, RIPËRDORIMI, RICIKLIMI
Rritja e popullsisë, konsumi i tepërt dhe ndotja ndikojnë jetesën e njerëzve dhe mjedisin. Reduktimi, ripërdorimi dhe riciklimi duken sa të ndryshëm, edhe të ngjashëm. Ato kanë të njëjtin qëllim: ruajtjen e jetës së shëndetshme.
Advertisement
Reduktimi. Reduktim do të thotë të zvogëlosh konsumin ose të blesh më pak, për të reduktuar përdorimin e burimeve të Tokës. Ulja e konsumit dhe e blerjeve të panevojshme ul shkallën e përdorimit të materialeve dhe kostot e energjisë, të naftës dhe të transportit. Reduktimi i përdorimit të makinës nënkupton më shumë lëvizje me biçikletë dhe ecje, si dhe përdorim të transportit publik kur është e mundur.
Ripërdorimi. Ripërdorimi i materialeve ul sasinë e energjisë së nevojshme për prodhimin e produkteve të reja. Rezultatet janë më pak ndotje dhe më shumë burime natyrore. Përpara se ta hidhni një produkt, mendoni se si mund të ripërdoret për një qëllim tjetër. Për shembull, kavanozat e qelqit mund t’i ripërdorni për të ruajtur ushqimet e mbetura, ose për pijet.
Riciklimi. Riciklimi i referohet procesit gjatë të cilit një produkt përdoret për të krijuar diçka të re. Riciklimi nxjerr materiale të vlefshme nga ato që mund të konsiderohen si mbeturina, duke i kthyer në produkte të reja. Si konsumatorë, ju mund të ndihmoni me riciklimin duke blerë produkte me materiale të ricikluara. Prodhimi i produkteve kërkon materiale, energji dhe kohë. Kur njerëzit i hedhin produktet mund të duhen vite ose më shumë që të shpërbëhen plotësisht. Prandaj, reduktimi ripërdorimi dhe riciklimi formojnë një cikël të plotë që ruan burimet natyrore, redukton mbeturinat, energjinë e ndotjen dhe mbron planetin.
Nga Aleksandra Staamboll