
3 minute read
Natyra na duhet si ajri që thithim
NATYRA NA DUHET SI AJRI QË THITHIM! E DIMË SI BUKA ME DJATHË, PORSE KUJTOHEMI KUR NA VJEN LAKU NË FYT...
Çfarë tjetër mund të jetë më e rëndësishme sesa rigjenerimi i natyrës, kur dihet se jeta jonë varet potencialisht nga Ajo?! Ja disa arsye pse natyra duhet menduar si pjesë organike e jetës sonë.
Advertisement
1.Asimilon dioksidin e karbonit dhe zbut efektet e ngrohjes globale anekënd globit përmes klimës dhe bimësisë. Janë pemët, algat, leshterikët, ligatinat, tokat me bar dhe çdo gjë jeshile që ofrojnë mënyrën më efikase për të eliminuar karbonin e tepërt nga atmosfera e për të rivendosur ekuilibrin e natyrës. Gjithashtu, natyra është thelbësore për jetën e egër dhe që bimët të lulëzojnë. Ne kemi nevojë për ekosisteme të ekuilibruara, që jeta e egër dhe bimët e biodiversitetit të lulëzojnë, dhe kjo ndihmon njerëzimin të ketë bollëkun e të mirave që gjenerohet nga natyra.
2.Natyra u ofron njerëzve ajrin dhe ujin për të mbijetuar dhe për të përmbushur nevojat përtej saj. Sidoqoftë, ne jemi shkëputur aq shumë nga bota natyrore, saqë kemi harruar se jemi pjesë dhe njëkohësisht kontribues të ekuilibrit të saj. Janë pikërisht “jeshilet e natyrës” që kapin toksinat në ajër, duke e pastruar atë, ashtu sikur cikli i ujit përmes bimëve, tokës dhe mikroorganizmave. OBSH-ja vlerëson se ndotja e ajrit dhe e ujit vret 7 milionë njerëz para kohe çdo vit, ndërsa ndotësit mikroskopikë depërtojnë në sistemin e frymëmarrjes dhe të qarkullimit të gjakut, duke shkaktuar sëmundje të ndryshme.
3.Natyra është thelbësore për ushqimin e shëndetshëm. Natyra siguron të gjithë ushqimin tonë, paçka se sistemi ushqimor global nuk është i qëndrueshëm; monokultura në të mbjellë, ushqimet e përpunuara industriale apo plastika që i shoqëron ato, janë kthyer në një rrezik potencial për natyrën, gjallesat dhe bimët. Bujqësia rigjeneruese dhe organike risjell pa frikë natyrën e
shëndetshme dhe prodhime që kanë proces gjenerimi të padëmshëm.
4.Është natyra ajo që parandalon përmbytjet dhe erozionin e tokës, që shkaktojnë dëme serioze kur ndodhin. Mbjellja e pemëve ndihmon në parandalimin e përmbytjeve, sepse uji që përshkon tokën, nën pemë kalon me një shpejtësi 67 herë më të vogël sesa në një tokë me bimësi të ulët. Pemët e mbrojnë tokën edhe nga era, ndërsa gjethet e rëna formojnë një shtresë mbrojtëse sikundër rrënjët dhe kërpudhat. Gjithashtu, rrënjët e pemëve krijojnë kanale që e lejojnë ujin të rrjedhë thellë në tokë, e kështu toka bëhet një rezervuar që e përthith ujin si sfungjer dhe pastaj e lëshon ngadalë, sipas nevojës. Mbrojtja dhe mbjellja e pemëve është një nga mënyrat më efektive për të parandaluar përmbytjet, duke mbrojtur kështu tokën tonë të çmuar.
5.Prej natyrës varet shëndeti e mirëqenia e njeriut dhe e çdo gjallese në tokë. Një numër në rritje studimesh kanë treguar se kalimi i kohës në natyrë përmirëson shëndetin tonë fizik, mirëqenien mendore dhe shton lumturinë. Midis shumë përfitimeve është zbuluar se ekspozimi ndaj natyrës ul presionin e lartë të gjakut, përmirëson humorin, pakëson ankthin dhe na çlodh fizikisht e mendërisht. Për më tepër, qëndrimi në natyrë lidhet në mënyrë të konsiderueshme me kënaqësinë e jetës, kuptimin e saj dhe me lumturinë. Përveçse ndikon për mirë te ne personalisht, koha e kaluar në natyrë na përmirëson edhe lidhjet me njëri-tjetrin, duke na bërë më të dashur, më bujarë dhe më të prirur për komunitetin. Kur njerëzit njohin ndikimin pozitiv që ka natyra në jetën e tyre, kujdesen për të, bëjnë gjithçka që kanë në dorë për ta mbrojtur nga shkatërrimi.
6. Natyra është ajo që do i lëmë pas gjeneratës që vjen, ashtu siç bënë të parët tanë me ne. Indigjenët kanë shumë për të na mësuar në këtë aspekt: si të jetojmë në harmoni me botën natyrore. Mençuria e tyre na tregon se si t’u japim rëndësi veprimeve dhe aktiviteteve tona në mënyrë që, ajo që bëjmë sot, të ketë vlerë edhe për shtatë breza të ardhshëm: duke e trajtuar Tokën me shumë kujdes dhe respekt. Ne të gjithë duhet të jemi paraardhës të mirë, duke marrë përgjegjësinë që të planifikojmë për të ardhmen, duke u siguruar që ajo që është këtu për ne sot, të jetë edhe nesër për fëmijët tanë dhe për fëmijët e fëmijëve tanë.
7.Natyra riparon dëmin që kemi shkaktuar, sepse zotimi për të qenë i qëndrueshëm nuk është më i mjaftueshëm, ne nuk duam vetëm të rindërtojmë një planet të shkatërruar! Ne duhet të marrim hapa në mënyrë aktive për të riparuar dëmet që i kemi sjellë Tokës, duke rivendosur ekuilibrin e natyrës, duke dhënë më shumë sesa kemi marrë, për të ndihmuar në rigjenerimin e botës së gjallë natyrore.