1 minute read

Mbrojtësja

Next Article
The Protector

The Protector

Këndoji, hyjneshē, mërisë së Diktinias, Mbrojtëses së Shpendëve, që rrënim u solli më mospërfillësve ndër njerëzit, në kohën e parashkruar por ende të pajetuar.

Kur kryqëzorët fluturues erdhën të pushtojnë, soji i shpezëve thirrën mbrojtësen e tyre mes territ të natës, me flatrat shpalosur dhe sqepat drejtuar dritave të pavdekshme ndër të moçmit qiej.

Advertisement

“O pajtore e zogjve, rojtare e shtazëve që fluturojnë, ecin dhe zvarriten, mbrojtëse e të pafajshmëve dhe përkrahëse e më guximtarëve ndër ne.

Ty t’i këndojmë këngët, tuajat janë gagaritjet dhe kaçkaritjet tona, blatuar tempullit tënd të përjetshëm fërshëllimat dhe tingujt tanë, psalmi i koreve në agim.

Në këtë ditë rreziku të pashoq, ty të lutemi të na ndihësh dhe të na prish përballë mizorisë së Njeriut.”

Nën hënën e plotë, mes ujërave të lagunës u ngrit hyjnesha.

Mbuluar nga algat, gjarpërinjtë ia stolisnin krahët.

Prej zjarri të ftohtë rrezitën sytë e saj, me zemëratën e të pavdekshmëve.

Një piskame aq ngjethëse ia kobi ajo, sa era mbajti frymën dhe deti buçitës shtangu në vend. E egër rrugëtoi klithma mbi ujërat e trazuara, përshkoi pyjet pëshpëritës, shpoi mes rënkimit të akullnajave dhe nëpër dunat e përzhitura të zbrazësisë.

Një shkulm ere e stuhishme lajmëroi mbërritjen e flotave qiellore.

Ja ku janë legjionet e pathyeshme të Perëndimit! Dëgjoji hordhitë gjëmuese të Lindjes!

Pa shihi koçitë yjore të Veriut, artileritë zjarrmuese të Jugut, tek mblidhen në fushëbetejë.

Mes ylberit pa mbarim të ushtrisë së saj prej një milion shigjetash, qëndroi Diktinia, me zogjtë e përbindshëm të Njeriut përballë.

Drejt qiellit duart ngriti dhe shënjoi shtegun e përplasjes së fluturimeve.

Të mprehta u shpalosën flatrat e zogjve fatosa, si heshtat argasur feksën sqepat, të rënda si parzmore, pendët dhe puplat.

Kështu filloi, çka jet’ e mot do të mbahet mend si

Beteja e Madhe në Qiell.

ISO: 100 apert.: f10 dist: 350 m expos.: 6:26 min

This article is from: