2 minute read

Ngjyrat e Orthodhoksisë, Shqipëria (Antonio Poshjari

“Fotografia është imazhi i momentit, i parë me mendjen e një artisti.”

Gjatë vitit 2019, Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë në bashkëpunim me OrthPhoto. net dhe me Kishën Orthodhokse të Polonisë organizuan një konkurs fotografie me fokus zhvillimin e Kishës Orthodhokse të Shqipërisë. OrthPhoto.net është një uebsajt që shfaq nëpërmjet fotove, jetën e gjallë dhe adhuruese të Kishave Orthodhokse në të gjithë botën. Kjo faqe e madhe menaxhohet nga një staf i madh dhe dashamirës orthodhoks me qendër në shtetin e Polonisë. por edhe në shumë vende të tjera në botë. Pra qëllimi i këtij organizimi ishte që të paraqiste diversitetin dhe bukurinë e Orthodhoksisë në Shqipëri. Finalizimi i këtij konkursi ishte sjellja e një ekspozite, që u shoqërua me ndarjen e çmimeve fituese dhe promovimin e albumit fotografik në katër gjuhë.

Advertisement

Unë kisha bekimin e madh që u përzgjodha nga juria si fitues i çmimit të dytë për kategorinë “Kishë” me fotografinë “Pikturimi i Manastirit të Shën Vlashit” që ishte fotoja me e pëlqyer dhe e votuar nga juria dhe publiku. Për mua është një arritje e madhe, që në fushën time si fotograf të nderohem me vlerësim kaq të madh dhe dëshiroj të ndaj me ju mesazhin fitues.

I nderuar z. Antonio Poshnjari, Më 16 tetor 2019, u zhvillua në Tiranë takimi i jurisë ndërkombëtare të konkursit ndërkombëtar të fotografisë “Ngjyrat e Orthodhoksisë. Shqipëria”. Në konkurs u dërguan 472 fotografi nga 50 pjesëmarrës nga 10 vende. Anëtarët e jurisë ishin shumë të kënaqur me cilësinë e fotografive të konkursit. Pas 5 orësh diskutime intensive, juria veçoi rreth 20 fotografi për secilën kategori (raundi i parë). Në raundin e dytë, juria ngushtoi përzgjedhjen për fituesit dhe çmimet e nderit. Kemi kënaqësinë t’ju njoftojmë se juria, bazuar në cilësinë e të gjitha fotografive të dërguara, ju përzgjodhi juve si fitues të çmimit të dytë për kategorinë “Kishë” me fotografinë “Pikturimi i Manstirit të Shën Vlashit”.

Kjo ekspozitë e bukur u zhvillua ditën e diel, më 19 janar 2020, në orën 18:00, në Qendrën Kulturore të Katedrales Orthodhokse “Ngjallja e Krishtit”, në Tiranë. Ndarja e çmimeve u bë nga vetë Fortlumturia e tij, Kryepeshkopi i Tiranës, i Durrësit dhe i gjithë Shqipërisë, Anastasi.

Në fotografitë e mia shprehet mesazhi i bukur i jetës dhe i ngjalljes së Orthodhoksisë në Shqipëri duke treguar lulëzimin e mrekullueshëm në këto 27 vite, si dhe punën kolosale të Kryepeshkopit tonë të dashur, Anastasit për ringritjen e Kishës Orthodhokse në Shqipëri.

Fotografia për mua nuk është thjesht një pasion. Ajo më ofron njëfarë relaksi shpirtëror. Më shplodh nga angazhimet e mia si student. Gjithashtu, marrja me të, aq sa arrij, sa kam kohë të lirë, më është dukur si mënyrë e mirë komunikimi me njerëz që pëlqejnë artin. Është një komunikim më interesant sesa me fjalë a me tekst. Drita, prej së cilës rrjedh fjala fotografi, ofron aq shumë shenja, aq shumë imazhe që, si të tilla, kur kapen mirë, mundësojnë shprehje të shumta; si të ndjenjës, emocionit, porosisë, protestës etj. Pra, janë këto disa nga arsyet që vazhdojnë ta ushqejnë pasionin tim për fotografinë.

Së fundi dëshiroj të falenderoj të gjithë ata që më vlerësuan me këtë çmin të madh dhe shpresoj të jem gjithmonë aktiv në këto konkurse, sepse është një mundësi për të promovuar artin dhe talentin tim në fushën e fotografisë.

Përgatiti: Antonio Poshnjari Student i vitit II

8

This article is from: