2 minute read

Dom Pjetër Popaj: Krishtlindja–Festë e Qiellit dhe e Tokës

KRISHTLINDJA

FESTË E QIELLIT DHE E TOKËS

Advertisement

Dom Pjetër Popaj

Shumëherë fëmijët pyesin: Engjujt e shenjtërit a e kremtojnë Krishtlindjen në Parriz? Përgjigja është: Pse jo! Kjo festë është e mbushur me gëzim, paqe e dashuri. Çdo ditë ne besojmë është gëzim në Parriz. Por ky gëzim rritet edhe më shumë për Krishtlindje me këngët e koreve të engjëjve, shndritjen e dritave sikur ylli ndriçues i Bethlehemit. Të imagjinojmë gëzimin e Zojës së Bekuar dhe të gjithë shenjtërve. Jemi të grishur t’ju lutemi atyre që të na i çelin dyertë e parrizit që gëzimi i tyre të rrjedhë edhe mbi ne e mbi botën mbarë. Çka është gëzimi i Krishtlindjes? Kuptimi në përgjithësi, simbas C.S. Lewis, është ndryshe nga çka është “kënaqësi” . Gëzimi del nga thellësia e shpirtit, është më i pasur, del spontanisht pa pritur. Sikur e thotë Shën Augustini: Se Zoti na ka krijuar për veten e Tij dhe zemrat tona nuk pushojnë deri që të pushojnë në Të, bukurija e lashtë dhe e re. Kur vejmë Zotin si numër një në jetë dhe mandej të tjerët dhe në fund vetën tonë, atëherë e kuptojmë domethënien e Gëzimit të Krishtlindjes. Krishti vetë është Gëzimi dhe Dhurata më e madhja e Krishtlindjes. Ai qe dërguar prejt Atit që të bëhet një me ne në gjithçka–përveç mëkatit. Kjo dhuratë i qe dhënë Zojës së Bekuar më së pari, duke lindur e pa mëkat, mandej të gjithë neve që të shpëtojmë prej mëkatit e vdekjes së përherëshme. Në Ungjillin e Sh. Gjonit theksohet: Vërtet, Hyji aq fort e deshi botën sa që e dha një të vetmin Birin e vet kështu që, secili që beson në të, të mos birret por ta ketë jetën e pasosur. Në të vërtetë Hyji nuk e dërgoi Birin që ta denojë botën, por që bota të shpëtojë nëpër të. ” (Gjn. 3:16-17) Ky Gëzim është përplotësimi i të gjitha dëshirave të mbarë njerëzimit. Është dhuratë qiellore që kremtohet në qiell dhe në tokë. Çdo dhuratë tjetër për Krishtlindje duhet të reflektojë këtë dhuratë të paçmuar. Për çdo Krishtlindje jemi të thirrur që të bashkohemi me gëzimet qiellore, me Zojën e Bekuar, Shën Jozefin, me engjëjt e shenjtërit duke kënduar këngën engjëllore “Lavdi Hyjit në lartësi qiellore e paqë njerëzve vullnetmirë mbi tokë” . Në këtë festë e imagjinojmë Parrizin si vend gëzimi, paqe e lumturie. Me këtë u bashkangjitemi fjalëve të Krishtit që thotë: “Jua thashë këto, që gëzimi im të jetë në ju e gëzimi i juaj të jetë i plotë. ” (Gjn.15:11) Sikur Ai që na e ka sjellur gëzimin qiellor për t’i mbushur zemrat tona këtu mbi tokë, ashtu lutemi që këto gëzime të vazhdojnë edhe në jetën tjetër. Prandaj, ne duhet të falënderojmë Zotin për kët dhuratë të paçmuar, të dashurisë e të paqes. Dhe lutemi që të na ndihmojë të bëhëmi mbarështues të këtij gëzimi edhe për të tjerët që nëpër të shijojmë gëzimet qiellore për çdo Krishtlindje. Gëzuar Krishtlindjen!

This article is from: